Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 20, 2015 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
nga Prof. dr. Ajhan Tekinesh
Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Universiteti Bedër
Abstrakt
Është e pamundur të përfytyrohet që i Dërguari i Allahut (a.s.), për të cilin dihet se sa i ndjeshëm ka qenë në çështjen e mësimit të Kur’anit për sahabet, të mos u ketë dhënë leje disa personave nga sahabet për të marrë pjesë pranë tij në leximin e fundit ku, sipas rëndësisë së çështjes, Xhibrili e pati lexuar Kur’anin dy herë, ose që të mos ua ketë njoftuar sahabeve rileximin e fundit.
Për t’u realizuar një lexim i këmbyeshëm ballë për ballë, është e domosdoshme që ajetet dhe suret të kenë një sistemim të caktuar. Në të kundërt, është e pamundur që lexuesi të mund të ndiqet nga dëgjuesi. Po të mendohet se të dy anët e dinë tekstin e vet përmendësh, leximi nuk do të ketë kuptim po qe se teksti në mendjen e secilës anë nuk do të ndjekë një radhë të caktuar. S’duhet harruar se këto rilexime, siç shpjegohet edhe në hadithe, janë realizuar në formë mukabeleje rileximi të Xhibrilit për Hz. Pejgamberin dhe të Hz. Pejgamberit për Xhibrilin.
Fjala ose koncepti tregim ose paraqitje, me kuptimin leksikor parashtrim, është metoda themelore e rrëfimeve dhe transmetimeve gojore të informacioneve tradicionale. Si metodë mësimore, ritregimi (riparaqitja, riparashtrimi) është kontrolli dhe përforcimi i një informacioni të caktuar të përvetësuar nga nxënësi duke ia ritreguar (riparaqitur, riparashtruar) mësuesit gojarisht, siç e ka marrë. Si në diturinë e hadithit, ashtu edhe në diturinë e leximit (kiraat), leximi dhe ritregimi janë përdorur me kuptim sinonimik. Me kuptimin ritregim shkëmbyes, disa herë është përdorur termi mukabele (lexim me radhë ose radhazi), kurse në artet tradicionale si kaligrafia dhe muzika, është parapëlqyer koncepti meshk (ushtrim, stërvitje). Në diturinë e hadithit, ritregim do të thotë që, në prani të mësuesit, nxënësi t’i lexojë hadithet e rrëfyera nga mësuesi ose që nxënësi, në prani të mësuesit, t’i krahasojë hadithet që mësoi dhe shkroi, me hadithet e mësuesit i cili ia rrëfeu ose me hadithet e një rrëfyesi (ravi) tjetër të besueshëm (Aydınlı, 3:438). Kurse në diturinë e leximit (kiraat), ritregimi është që sahabet t’i kenë kontrolluar fragmentet e mësuara përmendësh nga Kur’ani duke ia lexuar Hz. Pejgamberit që t’i dëgjojë. Qysh në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s.), kjo metodë ka ardhur duke u zbatuar në mësimin e Kur’anit (Temel, 36). Në metodën e ritregimit, secila nga të dy palët e dinë qysh më parë përmendësh ose të shkruar tekstin e lexuar (kënduar). Njëra palë është mësuesi, kurse pala tjetër është nxënësi, i cili e paraqet për korrektim njohurinë e vet. Nxënësi i cili e mëson informacionin e mësuesit dhe, pastaj, e korrekton atë që ka mësuar duke ia riparashtruar mësuesit, pas kësaj etape bëhet mësuesi i informacionit të përforcuar me anë të ritregimit.
Xhibrili (a.s.) ia solli vahjin Pejgamberit (a.s.) dhe, krahas kësaj, ia mësoi atij mënyrën e ritregimit si metodë të mësimit të vahjit. Kur u zbrit vahji për herë të parë, Hz. Pejgamberi i përsëriste pa zë ajetet e njoftuara nga Xhibrili me qëllim që të mos i shpëtonte asgjë dhe që të mos harronte. Atëherë, zbritën ajetet: “Mos e lëviz gjuhën për ta mësuar menjëherë në çast duke e përsëritur atë që të është komunikuar me qëllim për të mos e harruar. Sepse është puna jonë që ta mbledhim në zemrën tënde vahjin dhe për të ta mësuar atë (Kijame, 75/16-17). Me këto ajete është garantuar se Hz. Pejgamberi s’do ta harronte vahjin që i ishte komunikuar. Pas kësaj, me ajetin “Kur ta lexojmë Kur’anin Ne, ti ndiqe leximin e tij” (Kijame, 75:18) urdhërohet që Hz. Pejgamberi ta ndjekë leximin e Xhibrilit. Kështu, Hz. Pejgamberi i cili e mësonte përmendësh dhe garantohej se nuk do ta harronte, një herë në vit, në muajin e Ramazanit, ia ritregonte Xhibrilit tekstin e Kur’anit që i ishte zbritur gjer atëherë, edhe Xhibrili ia ritregonte atij dhe, kështu, zhvillohej një mukabele, domethënë, një lexim (këndim) i këmbyeshëm radhazi, ballëpërballë. Ndërkaq, janë bërë komente të ndryshme mbi çështjen se me ç’synim janë zhvilluar mukabeletë mes të Dërguarit të Allahut (a.s.) dhe Xhibrilit. Pikëpamja e pranuar gjerësisht është që, në mukabeletë e muajit të Ramazanit, Xhibrili ia mësonte Hz. Pejgamberit leximin e tingujve dhe rregullat e texhvidit (Aynî, 1:86). Për këtë është treguar si argument shpjegimi i Ibni Abbasit (r.a.) mbi ngjarjen e ritregimit, sipas të cilit, Xhibrili takohej çdo Ramazan me të Dërguarin e Allahut (a.s.) dhe i jepte mësim Kur’ani.[1]
Sipas një komenti tjetër, vahji përsëritej me metodën e ritregimit, kështu, freskohej; me rileximin edhe një herë nga kreu në fund i vahjit të zbritur gjatë një viti, kihej si synim që të përforcohej njohuria e Hz. Pejgamberit. Veç kësaj, kur Kur’ani bëhej mukabele me Xhibrilin, njohja intuitive e Hz. Pejgamberit thellohej. Ashtu siç ndodh që, kur njeriu që e di shumë mirë një gjë, e diskuton me persona të kulturës së lartë, në çdo diskutim kupton aspektet e ndryshme të çështjes, edhe Hz. Pejgamberi, gjatë mukabeleve me Xhibrilin, i kuptonte thellësisht aspektet kuptimore të Kur’anit, një sërë të vërtetash të thella i parandjente dhe, kështu, i konceptonte në nivele moralo-shpirtërore (Ajni, 1:86).
Një urtësi tjetër e ritregimit (riparashtrimit), bëheshin të qarta ajetet e abroguara me ritregim dhe, kështu, pasi nxirreshin ato që ishin abroguar, mënyra e leximit të sureve tregohej me formën e fundit të tyre. Krahas të gjitha këtyre, me anë të ritregimit sqarohej praktikisht forma e fundit e radhitjes së ajeteve të Kur’anit dhe e sistemimit të sureve. Sepse është e pamundur që tekstet që nuk kanë një sistemim të përcaktuar, të bëhen mukabele përmendësh.
Një urtësi tjetër e ritregimit të Kur’anit për të Dërguarin e Allahut gjatë Ramazanit, ishte kërkesa e Xhibralit që të tregonte metodën e dhënies mësim të Kur’anit (po aty). Edhe Hz. Pejgamberi e ndoqi pastaj të njëjtën metodë duke e praktikuar me sahabet. Kur sahabet binin në kundërshtim në leximin e Kur’anit, Hz. Pejgamberi i vinte t’i lexonin me radhë tekstet që i dinin përmendësh dhe u tregonte se cili lexim ishte i drejtë.[2] Madje, ndodhte që, siç ua lexonte vetë sahabeve, t’u kërkonte disave t’ia lexonin atij. Për shembull, Hz. Pejgamberi, sipas një rivajeti (rrëfimi, hadithi), ka thënë se është urdhëruar t’i lexojë Kur’an Abdullah Ibni Mes’udit[3], kurse sipas një rivajeti tjetër, Hz. Omerit (Razi, 57-58; Taberani, 7:311). Në një hadith tjetër, Ebu Ubejj b. Kab-it (r.a.) i ka thënë kështu: “U urdhërova të ta lexoj suren Bejjine!”[4] Ebu Ubejd el-Kasem Ibni Sel’lam (v.224/838) që e komenton këtë hadith, ka thënë se Hz. Pejgamberi ka vepruar kështu për të treguar se ritregimi i Kur’anit është sunet (Ibni Ebi Merjem, 1: 109-110). Në librat e hadithit ka shumë rivajete lidhur me ritregimin (rileximin).
Rivajetet e ritregimit
Rivajetet në çështjen e ritregimit (rileximit, riparashtrimit) janë transmetuar nga Hz. Fatime, Ebu Hurejre, Ibni Abbas dhe Themure ibni Xhundub (r. anhum). Në Ramazan, Xhibrili (a.s.) dhe Hz. Pejgamberi (a.s.) janë bashkuar dhe e kanë lexuar Kur’anin përballë njëri-tjetrit. Hadithin mbi këtë çështje e ka transmetuar Hz. Aishe nga Hz. Fatime (r.a). I Dërguari i Allahut (a.s.) i pati dhënë një sekret Hz. Fatimesë, e cila, duke e zbuluar këtë sekret pas vdekjes së tij, pati treguar se ç’i pati thënë i Dërguari i Allahut: “Xhibrili e bënte mukabele Kur’anin çdo vit me mua. Këtë vit e bëri mukabele dy herë; më duket se m’u afrua fundi!”[5]
Kurse në rivajetet e tjera lidhur me çështjen, tregohet se ky takim është bërë në muajin e Ramazanit. Ebu Hurejre e ka treguar kështu këtë takim të muajit të Ramazanit: “Xhibrili ia ritregonte (riparashtronte) Kur’anin të Dërguarit të Allahut (a.s.) një herë në çdo vit, kurse atë vit kur vdiq, ia riparashtroi dy herë. I Dërguari i Allahut bënte çdo vit dhjetë ditë itikaf, kurse atë vit që vdiq, bëri njëzet ditë itikaf.”[6]
Në një rivajet tjetër është bërë e ditur se, netët e Ramazanit, Xhibrili i jepte Hz. Pejgamberit mësime Kur’ani. Kuptohet se mukabeleja në fjalë zhvillohej netët e Ramazanit. Ibni Abbasi e ka treguar kështu këtë takim: “I Dërguari i Allahut (a.s.) ishte më bujari i njerëzve. Por ai bëhej më bujar kur Xhibrili takohej me të muajin e Ramazanit. Xhibrili takohej me të çdo natë në Ramazan dhe i jepte mësime Kur’ani. Në të mirë, i Dërguari i Allahut (a.s.) ishte më bujar se flladet që frynin ëmbël.[7] Në një rivajet (rrëfim) të ndryshëm të hadithit, shprehja “i jepte mësime Kur’ani” është transmetuar në formën “i Dërguari i Allahut (a.s.) ia ritregonte (riparashtronte) Kur’anin Xhibrilit”.[8]
Këto takime të quajtura ritregime mund të jenë bërë disa herë. Në një hadith të transmetuar nga Hakim en-Nisaburi dhe të konfirmuar si autentik nga Dhehebiu, Themure ibni Xhundub (r.a.) ka thënë: “Kur’ani i është ritreguar disa herë të Dërguarit të Allahut (a.s.). Ata thonin se “ky leximi ynë është sipas ritregimit të fundit”. Kështu, ngjarja e ritregimit është realizuar disa herë dhe se Mus’hafi ose teksti i Kur’anit është kompozuar sipas ritregimit (Hâkim, 2:230; Heysemî, 5:53). Natyrisht, duke thënë këtë, nuk duhet të na shkojë ndërmend se në Kur’an kanë ndodhur ndryshime të vazhdueshme dhe serioze si në ajete, ashtu edhe në radhitje dhe në çështjen e leximit. Veçanërisht në periudhat e para, sahabet ishin në shumicë analfabetë. Nga ky këndvështrim, gjithsesi, duhej që informacionet që përmbante Kur’ani dhe leximi i tyre duhej të kalonte nëpër korrekturë. Veç kësaj, Kur’ani ishte shumë i rëndësishëm, s’mund të përballonte gabime. Asnjë shkronjë, madje asnjë shenjë zanore s’duhej mësuar dhe lexuar gabim!
Shkruesit e vahjit të Hz. Pejgamberit (a.s.) ishin më se 40. Shkruesit e vahjit e shkruanin vahjin e zbritur aty për aty në prani të sahabeve të tjerë. Kurse sahabet, me aq sa kishin mundësi, e shkruanin Kur’anin për vete ose vinin dikë tjetër për t’ua shkruar. Pastaj, kurdo që të gjenin rast, mëngjes ose mbrëmje, ia ritregonin të Dërguarit të Allahut (a.s.) për kontroll (Keutherî, 4; Zerkeshî, 1:242). Sipas Muhammed Hamidullah, i cili merr në shqyrtim rivajetet dhe informacionet e tjera lidhur me rivajetet e ritregimit dhe me zbritjen e vahjit, Hz. Pejgamberi ua lexonte më parë sahabeve vahjin që i kishte ardhur, pastaj ia diktonte shkruesit të vahjit, të cilit, pas shkrimit, i kërkonte t’ia lexonte ajetin që kishte shkruar. Kështu, e kontrollonte tekstin që kish shkruar shkruesi i vahjit (Hamidullah, Pejgamberi Islam, 2:698). Në muajin e Ramazanit, i Dërguari i Allahut (a.s.), gjatë ditës, e bënte tilavet (e lexonte sipas rregullave të texhvidit – ortoepisë së Kur’anit – M. H.) tekstin e Kur’anit të formuar nga ajetet e zbritura gjer atë ditë. Sahabet merrnin fragmentet Kur’anore që i kishin shkruar më parë, vinin dhe i krahasonin me mukabele me tilavetin e të Dërguarit të Allahut (a.s.). Gjithsesi, në këto mukabele vjetore ka marrë pjesë edhe Xhibrili (po aty).
Rileximi ose riparashtrimi i fundit ka një rëndësi të veçantë. Leximet e dyanshme të Ramazanit të fundit, ndryshe nga të mëparshmit, janë realizuar dy herë. Kur’ani i kënduar dy herë nga Xhibrili (a.s.) dhe dy herë nga Hz. Pejgamberi, si rezultat, është lexuar në leximin (parashtrimin) e fundit, katër herë (Makdisi, 33). Sipas mjeshtrit Zahid el-Keutheri, Hz. Pejgamberi, pasi u takua me Xhibrilin, i mblodhi sahabet, ua lexoi Kur’anin nga kreu në fund duke realizuar, kështu, një rilexim. Ja, ky është rileximi i fundit (Keutheri, 6).
Po të mbahet parasysh dëshira e të Dërguarit të Allahut për kumtimin dhe përhapjen e vahjit, është e natyrshme të thuhet se pasi bënte mukabele me Xhibrilin, ai mblidhte sahabet dhe ua njoftonte menjëherë vahjin e ri të Kur’anit të marrë më së fundi. Qoftë rileximi i fundit i Hz. Pejgamberit për sahabet, qoftë rileximi këmbyes midis Xhibrilit me Hz. Pejgamberin, pretendimi se, në të dy rastet, shkruesit e vahjit dhe të zgjedhurit e sahabeve nuk kanë qenë të pranishëm në rileximin e fundit, nuk do të jetë tjetër veçse një skenar imagjinar. Po të mos mjaftohemi me argumente racionale lidhur me çështjen, por të shohim edhe argumentet e përcjella (aprioristike), mund të themi se dhënia përparësi argumenteve aprioristike në evidentimin e ngjarjeve historike, është cilësia më themelore e objektivitetit. Ka shumë lajme se sahabet qenë të pranishëm në rileximin e fundit.
Pjesëmarrësit në rileximin e fundit
Është e pamundur të përfytyrohet që i Dërguari i Allahut (a.s.), për të cilin dihet se sa i ndjeshëm ka qenë në çështjen e mësimit të Kur’anit për sahabet, të mos u ketë dhënë leje disa personave nga sahabet për të marrë pjesë pranë tij në leximin e fundit ku, sipas rëndësisë së çështjes, Xhibrili e pati lexuar Kur’anin dy herë, ose që të mos ua ketë njoftuar sahabeve rileximin e fundit. Sipas rivajeteve, Hz. Pejgamberi sillej jashtëzakonisht bujar ndaj atyre që i kërkonin diçka mëngjesin e netëve kur takohej me Xhibrilin për ta rilexuar Kur’anin në mënyrë të këmbyeshme.[9] Takimi i Hz. Pejgamberit me Xhibrilin dihet ose sipas njoftimit të tij, ose sipas njoftimit të sahabeve që kanë marrë pjesë gjatë rileximit. Në të dy rastet kuptohet se rileximi nuk ka qenë një praktikë e fshehtë, enigmatike dhe e panjohur nga çdo njeri. Për më tepër, është e mundur që i Dërguari i Allahut (a.s.), pasi e ka dëgjuar Kur’anin nga Xhibrili, ua ka paraqitur sahabeve në grup me synimin që Kur’ani të mësohet përmendësh me kuptimin e plotë të fjalës. Kështu, më pas, në periudhën e sahabeve dhe të tabiinëve, është marrë për bazë leximi i Kur’anit në rileximin e fundit dhe vazhdimisht është marrë si referim. Imamët e leximit (kiraat) të Kur’anit kanë treguar kujdes që vargun e lexuesve t’ua atribuojnë të pranishmëve të rileximit të fundit ose sahabeve që kanë qenë të pranishëm aty (Ibni Ebi Merjem, 1:109).
Ka mundësi që njëri nga sahabet i pranishëm në leximin e fundit, të ketë qenë Ubej ibni Ka’b (r.a) (vd. 30/650). Ai vetë ka aluduar për praninë e tij kur i ka thënë Hz. Omerit kështu: “Unë e kam marrë Kur’anin fare të freskët prej atij që e pati marrë nga Xhibrili!”[10] Hz. Pejgamberi i pati thënë Ka’bit kështu: “Allahu më urdhëroi të ta lexoj Kur’anin ty!”[11] Në periudhën e të Dërguarit të Allahut, Ubej ibni Ka’b ka qenë njëri nga sahabet që e patën mësuar Kur’anin përmendësh.[12] Ai e lexonte përmendësh Kur’anin e plotë brenda tetë netësh (Ibnu’l-Xheuzi, 1:246). Një pjesë imamësh të kiraatit e kanë parapëlqyer kiraatin e ardhur nëpërmjet Ubej ibni Ka’b-it sepse ai e pati bërë Kur’anin mukabele me të Dërguarin e Allahut (a.s.). Për shembull, Abdullah ibni Kethiri (45-120 / 665-738) ua pati lexuar Kur’anin Muxhahidit, Ata-s dhe Dirbasit, këta ia patën rilexuar Ibni Abbasit, i cili, pastaj ia pati rilexuar Ubej ibni Ka’bit dhe ky, të Dërguarit të Allahut (a.s.). Kurse i Dërguari i Allahut i pati thënë: “Jam urdhëruar të ta këndoj Kur’anin ty!” (Ibni Ebi Merjem, 1: 109-110) Në një rivajet të përcjellë prej tij, Ubeji e përshkruan kështu këtë situatë: “Unë ia rilexova Kur’anin të Dërguarit të Allahut (a.s.), kurse ai më tha se Xhibrili e kishte urdhëruar të ma rilexonte mua!” (Hejthemi, 9:312). Kështu, metoda e ritregimit është bërë nga brezi në brez baza e mësimit të Kur’anit.
Një sahabi tjetër që rrëfehet se ka qenë i pranishëm në rileximin e fundit, është Abdullah ibni Mes’ud (r.a) (vd. 32/653). I Dërguari i Allahut (a.s.) është shprehur kështu për të: “Kush dëshiron ta lexojë Kur’anin të freskët, të sapozbritur, ta lexojë sipas leximit të Ibn Ummi Abd-it (Ibni Mes’udit)!”[13] Ibni Mes’udi ka thënë se ia pati rilexuar dy herë Kur’anin të Dërguarit të Allahut atë vit kur ai pati ndërruar jetë (Suyuti, 1:259). Kur Ibni Mes’udi pati bërë qëllim të shkonte në Medinë, i pati mbledhur nxënësit dhe u pati thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s.) e bënte mukabele Kur’anin çdo muaj Ramazani. Atë vit kur ndërroi jetë, unë ia rilexova Kur’anin të Dërguarit të Allahut dy herë, kurse ai më tha se e kisha lexuar shumë bukur. Unë pata mësuar përmendësh shtatëdhjetë sure nga goja e tij!”[14]
Ibni Abbasi (r.a.) ka bërë të qartë se Ibni Mes’udi (r.a.) ka marrë pjesë në rileximin e fundit dhe se ka vëzhguar rileximin reciprok të Kur’anit midis Xhibrilit dhe Hz. Pejgamberit. Ky rivajet ndodhet në disa libra hadithi. Ibni Abbasi ka thënë: “Kur’ani i rilexohej të Dërguarit të Allahut (a.s.) një herë në vit, kurse atë vit që ndërroi jetë, iu rilexua dy herë. Ja, në këtë rilexim pati marrë pjesë Ibni Mes’udi dhe pati mësuar se cilat ajete të Kur’anit ishin abroguar dhe ndryshuar (ndërruar)[15].
Dhe një tjetër sahabe që dihet se ka qenë i pranishëm në rileximin e fundit, është Zejd ibni Thabit (vd. 45/665) (r.a.). Hz. Omeri e pati mbajtur pranë Zejdin, e pati mbajtur në Medinë për të dhënë fetva. Në çështjet juridike (të fikhut) dhe në çështjen e leximit (kiraat), Hz. Omeri dhe Hz. Osmani, Zejd ibni Thabitit i patën besuar më shumë (Dhehebi, 56-57). Sepse Zejdi ishte jashtëzakonisht i aftë në mësimin e gjuhëve të huaja dhe në hartimin e shkrimeve dhe koncepteve. Kur pati shkuar në Medinë, Hz. Pejgamberi (a.s.), duke ia ndjerë këto veçori, e pati bërë sekretar personal dhe e pati nxitur dhe inkurajuar të mësonte hebraishten (Dhehebi, Sijer, 2:427). Dijetarët e sahabeve dhe të tabiinëve e patën pranuar që Mus’hafi (teksti) i Hz. Osmanit, domethënë, leximi (kiraati) i Zejd ibni Thabitit, ishte në përshtatje me rileximin e fundit. Persona nga nxënësit e Abdullah ibni Mes’udit, që e kishin njohur edhe Shekullin e Lumtur (periudhën e Hz. Pejgamberit), si Ebu Abdurrahman es-Sulemi nga Kufe (72/691) dhe Abidetu’s-Selmani (74/693), si dhe Muhammed Ibni Sirin (vd. 110/728) nga tabiinët e kanë bërë të ditur se leximi (kiraat) i Zejd ibni Thabitit ishte leximi i kryer në rileximin e fundit. Siç shihet, rileximet e dyanshme të bëra me Xhibrilin, qysh në periudhën e parë është pranuar si njëri prej kritereve më të rëndësishëm që përcaktonin vlerën dhe konsideratën e leximeve. Një nga dijetarët e shquar të tabiinëve, Muhammed Ibni Sirin, ka bërë të ditur se leximi më afër rileximit të fundit nga këndvështrimi kohor, ishte leximi (kiraat) që bëhej në mus’hafet (tekstet) e Kur’anit që lexoheshin aktualisht (Makdisi, 22). Sipas tij, Hz. Osmani e ka mbledhur dhe sistemuar mus’hafin e vet duke marrë për bazë leximin e fundit (Ibni Kethir, 22, 27). Po kështu, Hz. Aliu, ndër burrat e mëdhenj të sahabëve, dhe Abidetu’s-Selmani, nxënësi i Abdullah Ibni Mes’udit (r.a.) (Ibni Haxher, 7:84-85) ka thënë se leximi i parashtruar të Dërguarit të Allahut (a.s.) atë vit që pati ndërruar jetë, është leximi aktual që bëjnë njerëzit sot (Makdisi, 23).
Ndër burrat e mëdhenj të tabiinëve, muhaddithi dhe kaariu Ebu Abdurrahman es-Sulemi, ka thënë kështu: “Kiraati (leximi) i Ebu Bekrit, Omerit, Osmanit, Zejd ibni Thabitit, i muhaxhirëve dhe ensarëve (r.a.) ishte i njëjtë. Ata lexonin siç lexohet tani. Ky kiraat është kiraati që ia pati bërë Xhibrilit (a.s.) dy herë i Dërguari i Allahut (a.s.) atë vit që pati ndërruar jetë. Në periudhën e kalifatit të Osmanit, Aliu (r.a.) e pati kënduar mus’hafin e Osmanit dhe e pati pranuar atë si imam. Thuhej se Zejd ibni Thabiti (r.a.) pati qenë i pranishëm në rileximin e fundit kur i Dërguari i Allahut (a.s.) ia pati rilexuar Kur’anin Xhibrilit. Në rileximin e fundit qenë shpjeguar ajetet e abroguara e të paabroguara. Atë vit që pati ndërruar jetë, Zejd ibni Thabiti ia pati rilexuar Kur’anin dy herë të Dërguarit të Allahut (a.s.). Ky rilexim është emërtuar leximi i Zejd ibni Thabitit, sepse ai ishte sekretari i të Dërguarit të Allahut, ia pati lexuar Kur’anin atij nga kreu në fund dhe pati qenë i pranishëm në rileximin e fundit. Këtë lexim ua pati rilexuar Zejdi nxënësve gjersa ndërroi jetë. Prandaj, gjatë procesit të përmbledhjes dhe sistemimit të tekstit të Kur’anit, Ebu Bekri dhe Omeri (r.a.) i patën besuar atij, kurse Osmani (r.a.) e pati caktuar person të autorizuar gjatë shkrimit (kopjimit dhe shumëzimit) të ekzemplarëve të teksteve të Kur’anit (Begavi, 4:525; Makdisî, 68-69).
Emri i plotë i Ebu Abdurrahman es-Sulemiut, i cili na jep këto informacione lidhur me parapëlqimin e leximit (kiraatit) të Zejd ibni Thabitit, është Abdullah b. Habib b. Rubejji. Eshtë një ravi (rrëfyes, transmetues) i besueshëm, i sigurt. Është një dijetar i devotshëm e i përkushtuar, i cili, qysh nga kalifati i Hz. Osmanit, pati dhënë dyzet vjet mësime Kur’ani në mesxhidin e Kufës (Ibni Haxher, Tehzîb, 5:183). Ebu Abdurrahmani ia pati lexuar Kur’anin Ali b. Ebi Talibit (r.a.), pati marrë prej tij mësim Kur’ani. Pastaj ua pati lexuar Osman b. Affanit, Ubejj ibni Ka’bit, Abdullah ibni Mes’udit dhe Zejd ibni Thabitit. Edhe ata ia patën lexuar Pejgamberit (a.s.) (Ibnu’l-Bazish, 1:124). Sipas transmetimit të imamit të kiraatit, Asim b. Ebi’n-Nexhud (vd. 127/745), Ebu Abdurrahmani ka thënë: “Unë nuk i bëra asnjë kundërshtim kiraatit të Aliut (r.a.). I mësoja përmendësh veçoritë tingullore të kiraatit që lexonte ai dhe, në kohën e haxhit, ia paraqisja në Medinë Zejd ibni Thabitit (r.a.). Mes kiraatit të të dyve nuk pati asnjë kundërshtim me përjashtim të leximit të fjalës tabut. Zejdi e lexonte fjalën tabut me hâ, kurse Aliu, me tâ (Zehebi, 2:441). Asimi është nxënësi i Ebu Abdurrahmanit dhe pasuesi i pozitës së tij si dijetar. Asimi ka thënë se, pasi ia lexonte Kur’anin Ebu Abdurrahmanit, e krahasonte me leximin e Zirr b. Hubejshit, kaariut të famshëm nga Kufa i cili përcillte kiraatin e Ibnu Mes’udit (Dhehebî, 5:258-259).[16] Duke thënë se “Kiraatet e Ibni Mes’udit dhe Ibni Thabitit janë lexuar në njërin nga dy rileximet e fundit, prandaj mund të thuhet se të dy kanë qenë në përshtatje me rileximin e fundit”, Ibni Haxheri e ka zgjidhur me metodën “haml” kundërshtimin mes rivajeteve lidhur me faktin se kush ka qenë i pranishëm në rileximin e fundit. Ka mundësi që në rileximin e fundit të kenë qenë të pranishëm Abdullah ibni Mes’ud, Zejd ibni Thabit, Ubej ibni Ka’b dhe disa sahabe të tjerë (Hamidullah, Historia e Kur’anit, 42-43).
Fakti që sahabet e tjerë nuk kanë paraqitur kundërshtim ndaj mus’hafit të përmbledhur nga Zejd ibni Thabit për sa i përket kohës së sistemimit, tregon se ky sistemim është njohur dhe është pranuar nga parësia e sahabeve. Edhe shkaku i pranimit të këtij sistemimi me mendimin e përgjithshëm të njëzëshëm të sahabeve, është përputhja me rileximin e fundit. Sahabet fisnikë e kanë gjetur me vend të ndjekin radhën e përmendjes të Xhibrilit. Dijetarët selefi kanë thënë se mus’hafet e Ibni Mes’udit, Ubej ibn Ka’b dhe Hz. Aliut, ishin të ndryshëm nga Mus’hafi bazë (imam, orientues) ngaqë ishin shkruar para se të zhvillohej rileximi i fundit dhe se, qysh nga rileximi i fundit, i Dërguari i Allahut (a.s.) ua pati treguar atyre sistemimin e sureve (Kurtubi, 1:60). Ibni Sirin ka thënë se, në kohën e Hz. Osmanit, kur përgatitej një ekzemplar (kopje) i Kur’anit (kur përgatitej një mus’haf), po qe se vihej re ndonjë kundërshtim me ndonjë lexim, për ta hetuar se cili variant ishte më afër rileximit të fundit, merrej parasysh gjendja e fundit. Dhe merrej për bazë pikëpamja e atij që, në atë çështje, ishte afër rileximit të fundit. Ibni Sirini ka thënë: “Më duket se më afër rileximit të fundit është kiraati ynë” (Ibni Şebbe, 3: 993). Hammad b. Seleme (vd. 167/783) ka transmetuar kështu: “Ne jemi të mendimit se kiraati më i afërt i dijetarëve selefi ndaj rileximit të fundit është kiraati që e bëjmë ne sot (Ebu’l-Fadl, 54). Këto rivajete tregojnë se qysh nga periudha e parë e tabiinëve, midis dijetarëve kishte mendim të njëzëshëm mbi faktin që sistemimi i Kur’anit kishte marrë formë përfundimtare.
Metoda e ritregimit nuk mbeti e kufizuar me periudhën e Hz. Pejgamberit, por, në mësimin e Kur’anit pasi ai ndërroi jetë, ajo u përvetësua si metodë mësimore themelore. Praktika e ritregimit dhe tradita e mukabelesë në mësimin e Kur’anit të zbatuara pa u cenuar aspak gjer në ditët tona, janë tregues i transmetimit të gjerë aktiv, i cili bëri që Kur’ani të arrinte identikisht pa u ndryshuar qysh nga periudha e Hz. Pejgamberit (a.s.) gjer në ditët tona. E thënë ndryshe, janë një sunet që mbahet gjallë dhe zbatohet nga myslimanët e çdo periudhe gjer në ditët tona. Kjo traditë, që vazhdon të mbahet gjallë edhe në ditët tona, tregon se mësimi i Kur’anit ka ndikuar mbi të gjitha dituritë islame, i ka formësuar ato për sa i përket metodologjisë. Tradita e mukabelesë e muajit të Ramazanit që vazhdon të zhvillohet në botën islame qysh nga Shekulli i Lumtur është shfaqje e vullnetit për ta mbajtur gjallë kujtimin e cilësisë së rileximit reciproke mes Xhibrilit dhe Hz. Pejgamberit (Yıldırım, 62).
Përfundim
Për t’u realizuar një lexim i këmbyeshëm ballë për ballë, është e domosdoshme që ajetet dhe suret të kenë një sistemim të caktuar. Në të kundërt, është e pamundur që lexuesi të mund të ndiqet nga dëgjuesi. Po të mendohet se të dy anët e dinë tekstin e vet përmendësh, leximi nuk do të ketë kuptim po qe se teksti në mendjen e secilës anë nuk do të ndjekë një radhë të caktuar. S’duhet harruar se këto rilexime, siç shpjegohet edhe në hadithe, janë realizuar në formë mukabeleje rileximi të Xhibrilit për Hz. Pejgamberin dhe të Hz. Pejgamberit për Xhibrilin.[17] Mjeshtri Zahid el-Keutheri, pasi bën të ditur se sistemimi i ajeteve dhe sureve është i fiksuar (përfundimisht), e parashtron kështu këtë specifikë: “Po të supozohet se suret dhe ajetet në sure janë të pasistemuara, domethënë, sipas një rregulli të caktuar, si mund të përfytyrohet se rileximi i këmbyeshëm në mënyrë të dyanshme do të bëhet në rregull?” (Keutheri, 7)
Meqë është e pamundur të realizohet rileximi i këmbyeshëm në mënyrë të dyanshme pa një sistemim të caktuar të të dy anëve, i Dërguari i Allahut (a.s.) ka bërë të ditur se sistemimi i Kur’anit që ia kishte rilexuar (paraqitur) Xhibrilit, ishte i njëjtë me sistemimin në Leuhi Mahfudh (Zerkeşi, 1:259; Suyuti, Itkan, 1: 195). Edhe imam Maliku thotë se Kur’ani është mbledhur duke marrë për bazë sistemimin e dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (a.s.) (Gırnati, 183). Në një punë që përsëritej vazhdimisht, domethënë, në sistemimin e ajeteve dhe sureve, kur Hz. Pejgamberi e bënte të ditur se në ç’vend të Kur’anit do të vendosej çdo komunikim hyjnor që i vinte, dhe kur ngjarja e rileximit realizohej vazhdimisht, s’ishte e domosdoshme që të kishte veçanërisht një urdhër verbal mbi këtë sistemim. Edhe ata që pretendojnë se sistemimi i sureve nuk ka qenë i fiksuar (përfundimisht), nisen nga fakti që nuk ka patur një urdhër verbal mbi këtë çështje dhe që disa sahabe kanë patur ekzemplarë Kur’ani me sistemime të ndryshme, edhe ata, pra, duke bërë vlerësimin e rivajeteve lidhur me rileximin e Kur’anit, në fund të fundit e pranojnë pamundësinë e rileximit në mungesë të një sistemimi të caktuar. Prandaj, metodologu i famshëm, Bedruddin ez-Zerkeshiu (vd. 794/1392), ka thënë, me të drejtë, se kontradikta në këtë çështje është verbale (Zerkeşi, 1:257). Është e vetëkuptueshme që Bakillani (vd. 403/1012), i cili pranon pikëpamjen se sistemimi i sureve të Kur’anit është prioritar, domethënë, mbështetet mbi prioritete të caktuara, mendon se rileximi nuk do të mund të realizohej pa një sistemim të caktuar. Sipas tij, sahabet tregonin kujdes të veçantë për ta shkruar Kur’anin. Sepse Xhibrili ia rilexonte Kur’anin Hz. Pejgamberit (a.s.) çdo vit, kurse ia pati parashtruar dy herë atë vit që Hz. Pejgamberi pati ndërruar jetë (Bakillani, 1:412). Po të mbahet parasysh se nga sahabet dihej se Kur’ani ishte rilexuar, nuk mund të mendohet se ata s’kishin njohuri mbi sistemimin e Kur’anit. Sahabet kishin pikëpamjen sipas së cilës rileximi i fundit qe bërë mbi kiraatin e Osman b. Affan-it. Të gjitha këto tregojnë se sahabet e njihnin sistemimin e Kur’anit ashtu siç e kishte bërë i Dërguari i Allahut (a.s.). Është e pamundur të pretendosh se, ndërsa Kur’ani i parashtrohej çdo vit të Dërguarit të Allahut, sahabet s’e njihnin sistemimin e Kur’anit. Prandaj, në çështjen e prozës dhe sistemimit të Kur’anit, ata nuk patën treguar tolerancë dhe mefshtësi në kundërshtim me sistemimin dhe rileximin e të Dërguarit të Allahut (Bakillani, po aty, 1:362).
Ata që pretendojnë se sistemimi midis sureve është prioritar, kanë treguar si justifikim faktin që Hz. Pejgamberi (a.s.) nuk e ka parashtruar këtë si kusht. Por nuk e kanë mohuar se suret janë praktikisht të sistemuara. Duke e marrë për bazë eventin, i kanë besuar domosdoshmërisë së sistemimit të sureve ashtu siç ua kishte mësuar Hz. Pejgamberi. Meqë Ibni Thabiti (r.a.) e pati mbledhur Kur’anin duke marrë për bazë sistemimin e rileximit të fundit, qe pranuar dhe miratuar mes sahabeve, madje, nxënësit më të afërm të Hz. Aliut dhe Abdullah ibni Mes’udit, të cilët transmetojnë në disa rivajete se ka mus’hafe me sistemim suresh të ndryshme, kanë pranuar se sistemimi në përshtatje me rileximin e fundit është mus’hafi i mbledhur nga Zejd ibni Thabiti.
Është një e vërtetë që sahabet, për të cilët dihet se sa të zellshëm kanë qenë për mbrojtjen e sunetit të Hz. Pejgamberit, kanë qenë jashtëzakonisht të ndjeshëm në çështjet mbi Kur’anin. Po qe se në sistemimin e sureve të Kur’anit nuk do të merrej si kriter rileximi i fundit, për të cilin të gjithë kishin njohuri, do të ishte e pamundur që sistemimi që kishin ndjekur Hz. Ebu Bekri, Hz. Omeri, Hz. Osmani dhe Zejd ibni Thabiti duke e mbledhur Kur’anin, të pranohej. Është e pamundur të pandehet se sahabet fisnikë të cilët, për zbatimin ose korrigjimin e çështjes më të vogël mbi Kur’anin, jepnin jetën pa u sprapsur fare, të rrinin të heshtur në këtë çështje.
Suret mund të sistemohen duke marrë për bazë kritere të ndryshme. Suret mund të sistemoheshin sipas radhës së zbritjes, sipas përkatësisë mekase-medinase ose sipas fjalive hyrëse. Kështu, disa sahabe i kanë sistemuar suret në forma të ndryshme. Por sistemimi në formën e mus’hafeve që kemi sot në dorë, është parapëlqyer ai me vendim të njëzëshëm të përgjithshëm. Po qe se s’do të kishte ndonjë parapëlqyes serioz me ndikim, nuk do të sigurohej lehtë që sahabet të arrinin në marrëveshje në këtë çështje pa hyrë në debat dhe që kjo marrëveshje të ndiqej identikisht nga dijetarët tabiinë. Shkaku themelor që sahabet dhe imamët tabiinë kanë rënë në marrëveshje në sistemimin e sotëm të mus’hafit, është fakti që, në rileximet Hz. Pejgamberi e ka lexuar Kur’anin me këtë sistemim. Muhaddithi dhe mufessiri i famshëm Xhelaleddin es-Sujuti (vd. 911/1505) ka shënuar se sahabet kanë qenë të një mendimi që Kur’ani të shkruhet sipas formës së fundit që ka marrë në rileximin e fundit (Sujuti, El-Itkan, 1: 157).
Qysh nga periudha e Hz. Pejgamberit, ka sahabi kurrá të specializuar në mësimdhënien e Kur’anit. Mes tyre janë sahabet të cilëve u ka lexuar Kur’an i Dërguari i Madh. Mësuesit e Kur’anit, si Abdullah ibni Mes’ud, Ubej Ibni Ka’b dhe Zejd ibni Thabit (r.a.), të cilët merreshin në faltore vazhdimisht me mësimin e Kur’anit dhe që kishin rrethe mësimore nxënësish, duke filluar qysh nga periudha e parë, përcaktuan metodën e mësimit të Kur’anit dhe filluan traditën e shkencës së leximit (kiraat). Ibni Abbasi (r.a.), Ebu Abdurrahman es-Sulemiu, Abidetu’s-Selmaniu dhe kurrá të tjerë të tabiinëve, që e mësuan kiraatin prej tyre, kontribuuan që kjo degë shkencore, qysh në shekullin e parë, të shndërrohej në një disiplinë e cila kërkonte specializim serioz. Ata nuk u mjaftuan me mësimin e Kur’anit vetëm nga njëri prej sahabeve të sipërpërmendur, por, nëpërmjet ballafaqimit të njohurive të mësuara nga sahabe të ndryshëm, bënë edhe kontrollet e para. Kështu, qysh në periudhën e parë të tabiinëve, doli në shesh një unitet mbi bazën e sistematikës së Kur’anit të mbledhur. Ekzemplarët (kopjet) me sistemime të ndryshme suresh të disa sahabeve, ngaqë nuk kishte një urdhër verbal dhe ngaqë edhe ata vetë nuk qenë këmbëngulës në këtë çështje, nuk gjetën konsideratë as nga nxënësit e tyre. Në periudhën e mëpastajme, u përgatitën kurra të mëdhenj që ia kushtuan pothuaj tërë jetën kësaj shkence dhe që sot, me emrat e të cilëve përmenden kiraatet e pranuara masivisht. Në themel të shkencës së kiraatit, si tradita shkencore edhe më e përhapur e Islamit, edhe më e vështirë, ndodhet rileximi i fundit, mësimi i fundit i Xhibrilit. Është si një pemë e rritur me fjalë të bukura, me rrënjët të ngulura në thellësi të tokës, kurse me degët të lartësuara drejt qiellit, e cila, me lejen e Zotit, jep fruta në çdo stinë. Siç shprehet edhe në ajetin Ibrahim/14:24, fruti i pemës me burim të pastër është i pastër dhe i begatshëm.
[1] Buhârî, Bed-u’ l-vahj 5.
[2] Buhârî, Fedâilu’ l-Kur ân 5.
[3] Said b. Mansur, Sunen, bot. Sad b. Abdullah, Rijad 1993, I, 237.
[4] Buhârî, Menâkibu’l-ensâr 16.
[5] Buhârî, Fedâilu’l-Kur ân 7, Menâkib 25; Muslim, Fedâil’s-sahâbe 98, 99.
[6] Buhârî, Fedâilu’l-Kur ân 7, Itikâf 17.
[7] Buhârî, Bedu’l-vahj 5, 6; Muslim, Fedâil 50; Nesâi, Siyâm 2.
[8] Buhârî, Fedâilu’l-Kur ân 7, Savm 7.
[9] Musned, I, 231; Buhârî, Bedu l-vahj 5.
[10] Musned, V, 117; Hâkim en-Nîsâbûrî, el-Mustedrek, II, 225.
[11] Tirmidhî, Menâkib 64; Nesâi, Sunenu l-kubrâ, Bejrut 1991, V, 66.
[12] Buhârî, Menâkib, 17.
[13] Ibn Mâxhe, Mukaddime 11; Hâkim, po aty, II, 227; Ibn Kethir, Fedâilu’l-Kur’ân [(Zeyl’t-Tefsîr), brenda Tefsîru Kur’âni’l-Adhîm, Kahire pa datë, në fund të vëllimit VI)], f. 27.
[14] Musned, I, 405.
[15] Ibni Haxheri ka thënë se ky hadith ka një mbështetje autentike të tekstit të transmetuar nga Nesaiu (vd.303/915). Për rrëfime të ngjashme të këtij hadithi, shih. Musned, I, 275, 276; 325, 405. Hâkim en-Nîsâbûrî, po aty, II, 230; Hejsemî, po aty, IX, 288; Ebû Ja lâ el-Mevsilî, Musned, bot. Husejin Selîm Esed, Bejrut 1985, IV, 435.
[16]Dhehebî, po aty, V, 258, 259. Zirr b. Hubejsh ka transmetuar hadithe nga Ubejj b. Ka’b, Osman b. Affan, Ali b. Ebî Tâlib, Abdullah b. Mes’ud dhe nga disa sahabe të tjerë. Kiraatin e ka marrë me rrugën e rileximit nga Hz. Aliu dhe Ibni Mes’udi. Së bashku me Ebû Abdurrahmanin ka punuar si mësues Kur’ani për banorët e Kufës. po aty, IV, 166 e në vazhdim.
[17] Buhârî, Fedâilu’l-Kur ân 7.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...