Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 09, 2015 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. Përtej “kafazit” tredimensional…
Blerim Lazimi
Mësues i Fizikës në gjimnazin “Said Najdeni”, Peshkopi
Me sa duket, vetë matematika (bashkë me të edhe fizika) dëshmon ekzistencën e shpirtit te njeriu. Që nga lindja e saj si shkencë, ajo vazhdon të zhvillohet e pasurohet me një shkallë të lartë abstraksioni, gjë që nuk është cilësi e materies (sendeve, apo e trupit të njeriut). Kjo shkallë e lartë e të menduarit, intuitës dhe abstraksionit, shpjegohet dhe e ka shtysën te prania e elementit shpirtëror në natyrën e qenies njerëzore. Çdo pemë ka frytet e saj. Matematika është një prej fryteve të shpirtit. E më tej: “Gjeometria është shkencë. E vërteta e saj, duke arritur emrat Adl (I Drejtë) dhe Mukaddir (Përcaktues i Përsosur) të Zotit, reflekton në tërë shkëlqimin e vet në pasqyrën gjeometrike shfaqjet urtësiplote të emrit Allah.
2. Shqipëria, një shembull i bashkëjetesës ndërfetare në Evropë
Mons. Luçjan Avgustini
Dioqeza e Sapës
“Shqipëria e re dhe ajo e vjetër karakterizohet nga marrëdhënie të mira mes besimeve. Toleranca dhe harmonia fetare është vlera më e madhe e Shqipërisë dhe kjo nuk është vetëm diçka proverbiale. Shqiptarët ditën të përballen me holokaustin. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte vendi i vetëm ku numri i hebrenjve u rrit gati 10-fish. Megjithëse në Shqipëri ekzistojnë 4 komunitete fetare dhe nuk shquhemi si popull i urtë, nuk i kemi njohur konfliktet fetare. 2 vëllezër, njëri katolik e tjetri mysliman kanë jetuar në një pullaz”. Ismail Kadare
3. Omer Kajami, poeti që e bëri matematikën të rimonte
Redi Shehu
Shumë prej nesh, kur bëhet fjalë për Omer Kajamin (1044-1123), menjëherë biem pre’ e asociimit tradicional të emrit të tij me poezinë dhe mundësisht me Rubairat e famshme, por, në fakt, ekzistenca e personalitetit të tij në historinë dhe kulturën e Orientit dhe Perëndimit lidhet mbi të gjitha me të qenët e tij shkencëtar, matematikan e astronom i spikatur. Kështu kontributi i tij në epokat dhe rrymat kulturore i kalon caqet e njohura të poezisë dhe shtrihet në një oqean dijeje e kontributesh të pazëvendësueshme në këto fusha, duke u bërë një ndër kolosët e mëdhenj që i qëndroi kohërave.
4. Pasqyrimi i përvjetorëve të pavarësisë në shtypin fetar 1913-1944
Ma. Gazmend Leçini
Sipas artikujve të botuar në shtypin fetar gjatë periudhës 1913-1944, mund të vërehet se klerikët e të gjith besimeve kanë kontribuuar fuqishëm në shpalljen e pavarësisë.
Studiuesit e huaj, disa të motivuar edhe nga synimet lidhur me aneksimin përfundimtar të trojeve shqiptare prej fqinjëve të tyre, e konsideronin të pamundur opsionin e ekzistencës së shqiptarëve të unifikuar në një shtet, për shkak të diversitetit të tyre fetar. U ngritën edhe teori, sipas të cilave, duhet të ketë një fe dominante mbi të tjerat në mënyrë që të arrihet stabiliteti i brendshëm.
Angazhimi i klerikëve të besimeve të ndryshme në të mirë të vendit, është një tregues i qartë se nocioni i besimit dhe identitetit nacional nuk e kanë përjashtuar ose mbuluar njëri-tjetrin, por vendi ka shijuar një mozaik identitetesh, ku çdo individ i vetëm nuk është shkak për kalimin nën hije të të tjerëve – në një situatë ku në qoftë se besimet e ndryshme trajtohen në mënyrë të barabartë, ka vend për secilin prej tyre.
Kontributi i këtyre klerikëve patriotë për të mirën e vendit, ka qenë i pranishëm gjatë gjithë periudhës kur ky shtyp ka gëzuar publikun e lexuesit e tij, duke i frymëzuar me frymën kombëtare dhe respektimin e institucioneve shtetërore. Ky shtyp, – në sajë të botimeve të tij, – ndihmoi shqiptarët të largojnë çdo urrejtje në mesin e pasuesve të besimeve të ndryshme. Kjo është një nga vlerat kryesore që na bën të ndihemi krenarë edhe sot. Në sajë të këtij kleri atdhedashës një vlerë e tillë u miratua dhe u trashëgua si tipar i identitetit kombëtar.
Pothuajse të gjitha organet e këtij shtypi fetar, preferuan të përdornin artikuj historikë në mënyrë që të provokojnë Shpalljen e Pavarësisë, duke kujtuar detajet e datës kur dashuria dhe sakrifica për atdheun janë të theksuar në zemër.
Këto revista, edhe pse të spektrit fetar, nuk u kufizuan në artikuj vetëm teologjikë, por u përpoqën të publikonin poezi, tregime, studime të aspekteve të ndryshme, të cilat i kthyen këto revista në elitën e shtypit të kohës.
Uroj që shpirti i respektit ndaj njëri-tjetrit, të kuptuarit e shfaqur dhe vënia e interesit kombëtar përpara çdo interesi tjetër – siç tregon shtypi fetar në botimet e tij gjatë viteve 1913-1944, – të vazhdohet dhe pasurohet më tej.
5. Pikëpamjet e Abdyl bej Frashërit dhe Dr. Ibrahim Temos për reformimin e sistemit arsimor osman dhe shkollat e huaja në vilajetet shqiptare
Dr. Hasan Bello
Qendra e Studimeve Albanologjike
Instituti i Historisë – Tiranë
Në fjalën e hapjes së Parlamentit të parë osman, Sulltan Abdylhamidi II (1876-1909) premtoi se, në kuadër të reformave që do të realizonte, do të hapte një shkollë për përgatitjen e kuadrove të lartë dhe se brenda një viti do të sillte në Parlament një rregullore të re mbi arsimin. Ndërsa në Kushtetutën e parë osmane, e cila hyri në fuqi në vitin 1876, lidhur me arsimin kishte dy nene (15 dhe 16). Kjo tregonte seriozitetin dhe vëmendjen që burrat e shtetit osman, tani e tutje, do t’i kushtonin problemeve të arsimit. Në elitën drejtuese të Perandorisë Osmane përhapja e institucioneve arsimore shihej edhe si një mjet, i cili do të përmirësonte gjendjen ekonomike të shtetit osman. Por, mbi të gjitha, ata e kishin kuptuar se zbatimi i reformave dhe modernizimi i Perandorisë kërkonte kuadro të specializuar. Kjo u vu re edhe në diskutimet që u zhvilluan në Parlament lidhur me legjislacionin e vilajeteve dhe bashkive. Zbatimi i këtyre ligjeve, sipas shumicës së deputetëve, ishte i kushtëzuar nga nëpunësit e shkolluar dhe nga populli që dinte shkrim e këndim. Këto diskutime nxorrën në pah gjendjen e mjeruar që ekzistonte në mbarë Perandorinë. Kështu, deputeti i Ajdënit, Ahmet Efendiu, ngriti shqetësimin se në zonën që ai përfaqësonte, me përjashtim të imamëve, nuk kishte njerëz që dinin të lexonin.
Një fjalim po aq të zjarrtë lidhur me këtë problem, më 14 janar 1878, mbajti me cilësinë e deputetit të Janinës edhe Abdyl bej Frashëri. Ai e filloi diskutimin e tij duke shtruar pyetjen: “Cili është vallë shkaku i prapambetjes dhe i moszhvillimit të Perandorisë Osmane, i mbarë viseve që ajo zotëron në Europë, në Azi dhe në Afrikë? Sipas disa hamendësive tre janë shkaqet kryesore: shkaku i parë është injoranca, shkaku i dytë despotizmi dhe shkaku i tretë është paaftësia e funksionarëve që ndodhen në krye të punëve, të cilët merren ose me argëtime ose me kotësira, por aspak me përparimin e shtetit dhe të kombit”.
6. Mësimi i gjuhës shqipe gjatë Rilindjes Kombëtare e deri në fillimin e viteve ‘20 të shekullit të kaluar
Prof. dr. Njazi Kazazi
Departamenti i Gjuhësisë, Universiteti i Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”
Proceset e ndryshme historike që ndodhën në Mesjetë lanë gjurmë të thella në zhvillimin e kulturës dhe të arsimit shqiptar. Shqipëria ishte e pushtuar dhe kundrejt synimeve asimiluese të të huajve, zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe u bë mjaft i vështirë. Në kushte të tilla, si gjuhë shkrimi në territoret shqiptare ishin latinishtja në veri dhe greqishtja në jug. Në shekullin XV gjuhë zyrtare u bë ajo turko-arabe, po krahas saj përdorej edhe gjuha latino-italiane. Megjithëse këto gjuhë depërtonin njëra pas tjetrës, ato nuk arritën të marrin statusin e gjuhës së folur nga populli, kështu që përdorimi i tyre u kufizua vetëm në administratën e pushtuesit, në shërbesat fetare dhe në shkollat e tyre. Në këtë kohë në vend njiheshin si institucione arsimore vetëm shkollat e huaja. Shqipja me sa duket filloi të mësohej më vonë, por përpjekjet për ta zhvilluar atë me alfabet origjinal mund të kenë filluar që në shekullin XVII.
7. Pavarësia në shkrimet letrare të ulemave shqiptarë
Prof. dr. Hysen Matoshi
Instituti Albanologjik i Prishtinës
Në historinë tonë fare pak mund të mësohej për Haxhi Vehbi Dibrën, kryetarin e Pleqësisë në Qeverinë e parë të Vlorës, të zgjedhur në kuvendin historik të Pavarësisë e Shqipërisë. Historiografia jonë më shumë është marrë me faktin se kush e qëndisi flamurin shqiptar se sa me kryetarin e Pleqësisë së saj, zëvendësuesin e Ismail Qemalit dhe njërën ndër figurat më bashkuese të këtij Kuvendi, vendimet e të cilit do të dëshmoheshin si kthesë e madhe në historinë e re të shqiptarëve. Përveçse nuk do të vlerësohej në përmasën e duhur kontributi historik i këtij imami e atdhetari të rrallë, në periudhën e komunizmit do të bëheshin përpjekje që, nëpërmjet retushimeve falsifikuese të fotografive, të zhbëheshin edhe faktet dokumentare të Kuvendit të Pavarësisë. Në margjina të historiografisë shqiptare do të mbetej, ta zëmë, edhe Hoxhë Kadri Prishtina, themelues dhe kryesues i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, pastaj Mulla Idriz Gjilani, i cili u vu në krye të forcave kombëtare për të mbrojtur kufijtë e Kosovës nga ripushtimi serb në përmbyllje të Luftës së Dytë Botërore etj. Ulematë e kalibrit të këtillë kombi i vuri në ballë të zhvillimeve më të rëndësishme, por një historiografi e mbrapshtë, skajshëm e ideologjizuar, për dekada i nxori nga faqet e historisë sonë vetëm për faktin se, konceptualisht nuk i shkonte për shtat që, figura të shquara të proveniencës fetare islame të kishin rëndësinë, të cilën e kanë pasur historikisht.
8. Çfarë do të thoshte Hipokrati?
Ilir Akshija, M.D., M.Sc.,
Spitali Universitar “Nënë Tereza”, Departamenti i Statistikave, Tiranë
Erion Akshija, M.D në Farmaci
Farmacist në farmacinë Lloyds, Bolonja, Itali
Vlerat janë të lidhura me aktorët. Kodet etike si mbartës të vlerave e gjejnë aplikimin
e tyre në segmente të caktuara të shoqërisë dhe Betimi i Hipokratit ka të njëjtin fat. Ne e kemi rikonsideruar betimin e vjetër të lidhur me aktorët që premtojnë ta respektojnë dhe ambientin shoqëror që i rrethon. Shqipëria në këtë aspekt është sa e veçantë po aq edhe e ngjashme me vendet e tjera. Një shikim i shpejtë i mënyrës se si i menaxhojmë kodet etike është reflektim i realitetit tonë. Qëllimi i këtij diskutimi është analizimi i betimit në kushtet e realitetit tonë si pjesë e të përgjithshmes, në perspektivën e një mjeku në lidhje me pacientët, kolegët dhe garantuesit. Ndoshta nuk duam të ruajmë formën e vjetër, por duam të ruajmë shprehjen ekzotike të formës së vjetër, ta përdorim atë në koherencë me botën moderne, të respektojmë ndjeshmëritë religjioze dhe të jemi specifik për vendin tonë. Rishikimi i vlerave në një shoqëri që ndryshon shumë shpejt kërkon diskutim të vazhdueshëm, përndryshe do ta kompromentonim pozicionin tonë që nuk mund të quhej as arkaik dhe as modern, duke mbetur në një gjendje të papërcaktuar. Disa vlera janë universale dhe të tjera i përkasin vetëm një grupi. Ky diversitet duhet vlerësuar si pasuri që duhet vendosur në shërbim të të gjithëve. Kërkesa për t’u përballur me realitetin e vlerave së paku kërkon përditësimin me shfaqjen e tyre në shoqëri.
Fjalë kyçe: Betimi i Hipokratit, Betimi i mjekut, etikë, vlera.
9. Toleranca dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri gjatë viteve 1912-45 (bazuar në praktikën dhe ligjëratat e klerit)
Ahmed Kalaja
Doktorant/Universiteti Europian i Tiranës, Departamenti i Sociologjisë
Bashkëjetesa fetare është një nga vlerat e veçanta të traditës së popullit shqiptar. Është e njohur botërisht që shqiptarët shquhen për këto vlera, për një bashkëjetesë shembullore mes besimtarëve të besimeve të ndryshëm që janë në Shqipëri, kryesisht Myslimanë dhe të krishterë.
Në këtë studim do mundohemi të trajtojmë thelbin-bazën e këtij fenomeni, rrënjët promovuese të këtyre vlerave, duke e parë nga një këndvështrim të patrajtuar më parë, dhe, duke tentuar t’i japim përgjigje pyetjeve: Nga buron bashkëjetesa fetare në Shqipëri? Cilët janë promovuesit kryesorë të këtij fenomeni? Cili ka qenë dhe është qëndrimi i klerit fetar në Shqipëri. A kanë qenë dhe a janë hoxhallarët e priftërinjtë promovues të tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri?
Këto janë disa nga pyetjet që marrin përgjigje në këtë studim modest, duke u fokusuar në Ligjëratat e Klerit, se sa bukur dhe me sa delikatesë e kanë trajtuar këtë çështje përpara besimtarëve apo përpara botës.
Në momentet më delikate të historisë sonë kombëtare, krerët e myslimanëve, duke qenë se kanë gëzuar reputacion të padiskutueshëm dhe me shumë ndikim në pjesën më të madhe të popullsisë, jo vetëm që kanë promovuar tolerancën e bashkëjetesën fetare, por i kanë konsideruar besimtarët e besimeve tjera si ‘vllezër’, duke predikuar këtë bindje të tyre para besimtarëve myslimanë. Këto predikime kanë filluar me Haxhi Vehbi Dibrën, i cili ka qenë i pari Kryetar i Myslimanëve dhe mbarë hoxhallarët pa përjashtim deri në ditët tona.
Të paharruara po ashtu janë predikimet e priftërinjëve: At Gjergj Fishta, At Shtjefën Gjeçovi apo Mitropoliti Visarion Xhuvani, për ta mbyllur me perlat e priftit ortodoks Fan S. Noli, i cili mahnit botën me tre fjalimet e tij para liderëve botërore, para Lidhjes së Kombeve, duke qenë përfaqësues i mbarë shqiptarëve edhe pse besimtarët ortodoksë ishin vetëm 20 % e popullsisë së vendit.
10. Toleranca fetare në Vilajetin e Kosovës dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (1908-1912)
Nuridin Ahmeti
Instituti Albanologjik- Prishtinë
Është mendim i përbashkët i studiuesve vendas e të huaj, se epiqendra e kryengritjeve shqiptare të viteve 1908-1912 ishte në Vilajetin e Kosovës. Si prijës të këtyre kryengritjeve dallohen disa figura udhëheqëse si; Idriz Seferi, Isa Boletini etj., të cilët ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë kishin prijësit fetarë të kohës, si bie fjala Idriz Seferi, kishte sekretar personal të tij hoxhën e njohur nga rrethina e Gjilanit Mulla Halimin, kurse me disa prijës islam bashkëpunoi ngushtë duke i angazhuar drejtpërsëdrejti edhe në luftime kundër xhonturqve si: Mulla Sinan Maxheren nga rrethina e Preshevës dhe Mulla Idrizin nga Gjilani, hoxhallarë të cilët kishin një bashkëpunim të qëndrueshëm edhe me priftërinjtë shqiptarë të asaj ane Dom Mikel Tarabulusin, Dom Tadej Ivanaj etj., me qëllim të mbarëvajtjes sa më të mirë të Lëvizjes Kombëtare dhe qëllimeve të tyre. Karakteristikë në këtë periudhë kohore në Vilajetin e Kosovës është se shënohen edhe disa fërkime ndërfetare si në Prizren dhe Gjakovë, p.sh. në ditët e caktuara islame koka e derrit të therur hidhet në xhamia, me qëllim të futjes së përçarjes ndërmjet popullatës myslimane dhe katolike, e gjithë kjo evitohet në mënyrën më të mirë nga prijësit fetarë të kohës.
Më këtë vështrim mëtojmë që përmes dokumenteve dhe literaturës relevante të vëmë në pah rolin e tolerancës ndërfetare në njërën anë dhe kontributin e prijëseve fetare në Lëvizjen Kombëtare në Vilajetin e Kosovës gjatë viteve 1908-1912.
“Kristianë e myslimanë janë vëllezër shqiptarë të pandarë. Të kemi dashuri edhe për bashkatdhetarët e krishterë, sepse edhe ata i kemi vëllezër e s’kemi si ndahemi. Të përpiqemi edhe për të mirën e tyre si për veten tonë… të ndjekim një rrugë të përbashkët… t’i tregojmë botës mbarë se shqiptarët pa dallim feje, janë vëllezër si bijë të njëshëm të së dashurës sonë Shqipëri.” (Haxhi Vehbi ef. Dibra)
11. Zani i Naltë, një model etik dhe përgjegjës i komunikimit fetar shqiptar
Prof. assoc. dr. Mark Marku
Universiteti i Tiranës
Formula shqiptare: Zot i përbashkët, atdhe i përbashkët, besime të ndryshme, qe formula e përballimit të sfidës kombformuese e shqiptarëve dhe u përqafua nga elita klerikale e të gjitha besimeve, pavarësisht hezitimeve, rezistencës apo pasigurisë që ajo mbartte. Elita klerikale, politike dhe kulturore myslimane është një nga ideatoret dhe zbatueset e kësaj formule. Historiani Peter Bartl thotë se, “qenë pikërisht shkrimtarët myslimanë që mund të cilësohen si nacionalistë të vërtetë ata që dolën si luftëtarë të mendimit kombëtar shqiptar. Me anë të shkrimeve të tyre ata ushtruan në kohën e Rilindjes kombëtare një ndikim të madh mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”.
12. Hafiz Ymer Shemsedini – mësues i gjuhës shqipe, i Islamit dhe i atdhetarizmit në Kosovë e më gjerë
Me rastin e 120 vjetorit të lindjes – 70 vjetorit të vdekjes (1895- 1945)
Prof. dr. Musa Kraja
Hafiz Ymeri i Kosovës është një nga ata personalitete të shquara shqiptare që shkriu në një mbrojtjen e fesë islame, mbrojtjen e gjuhës shqipe, luftën për liri, luftën kundër denacionalizimit të Kosovës, dhe propagandën e veprimtarinë kundër shpërnguljes së shqiptarëve. Ai ishte imam, por ishte edhe mësues i mirëfilltë i shqipes, sepse hapi shkollë shqipe të drejtpërdrejtë në fshatin Sazli, për të cilën, pas tri javësh provoi edhe zinxhirët e burgut bullgar, por, mbeti mësues i shqipes, i fesë islame dhe i atdhetarizmit në drejtimet e tjera që do t’i parashtrojmë më poshtë.
13. Jeta e njeriut nji udhtim
Njeriu prej natyre i kurreshtuem, do me njoftë vedvedin, don me dijtë prej kahë ka ardhë, se ku do të shkojë, sendet qi e qarkojnë, revolucionet e metamorfozet qi ndodhin në çdo kand të rruzullimit; don me mendue fatin e mjerueshëm t’ atyne zâmdhajvet qi zbritën prej nji madhnije të pa shoqe. Edhe tue i përshkue në mendje të gjitha këto sende, i vjen para syshë zhgatrrimi, me të cini âsht i dënuem gjithçkahi në këtë jetë. Dridhet; se edhe vetë aj, âsht nji ndër ata, mbi të cilët do të randojë pesha e atij zhgatrrimi. Kështu në zemër të tij përtrihen mjerime e dishprime; e pa dyshim i dermohet zêmra prej këtyne mjerimevet, kur kujton se nuk dijti kurgjâ mbi egzistencën e tij të vërtetë, kahë erdhi e ku do të shkojë e se s’ fundit nji ditë do të ngrijë mun si ato gurët qi ka përpara syvet; pse shpirti don me qenë gjithmonë, don me jetue gjith-herë.
14. E vërteta triumfoi mbi të kotën (me rastin e 25 vjetorit të lirisë së besimit).
15. Abstracts in English
16. Rregullat e shkrimit
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...