Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Oct 23, 2015 Zani i Nalte Personalitete 0
REXHEP ABDULLAH DIZDARI (1895-1976)
mësues, autor tekstesh shkollore dhe veprimtar i shquar”
nga Prof. Dr. Njazi KAZAZI, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Abstrakt
Autori i saj nisej nga drejtimi praktik i zgjidhjes së problemeve të shoqërisë shqiptare. Kjo kuptohet edhe nga përmbajtja e tekstit. Në të përfshihen, përveç mësimeve të lexim-shkrimit, edhe pjesë me përmbajtje nga historia, gjeografia, leximi, aritmetika e mësimet praktike për letërkëmbimin vetjak dhe tregtar (që luajnë rolin përsëritës a përforcues), të gjitha njohuri të nevojshme për formimin kulturor dhe të domosdoshme për jetën e përditshme të artizanëve, dyqanxhinjve etj. Në këtë këndvështrim, libri bëhej shumë i dobishëm, për të mos thënë i domosdoshëm për një pjesë të madhe të popullsisë shqiptare.
1. Dy fjalë për jetën e tij:
U lind në një familje me tradita atdhetare dhe arsimore. Prindërit u përpoqën shumë për arsimin e djalit të tyre. Më 1907 mbaron shkollën Ruzhdije (qytetëse) në gjuhën turke. Mbas mbarimit të saj mbaron vazhdon një shkollë profesionale italiane për t’u shërbyer artizanëve të pazarit. Në vitet 1909-1912 punon si shegert në pazarin e Shkodrës. Me fillimin e luftës Ballkanike del vullnetar, si shumë bashkëqytetarë të tij, dhe lufton për mbrojtjen e Shkodrës.
Më 1914 shkon në Itali për të ndjekur kolegjin arbëresh të Shënmitër Koronës. Gjatë kohës që studionte në kolegj, së bashku me Avni Rustemin krijojnë shoqërinë “Rinia shqiptaro-arbëreshe”.
Pas mbarimit të kolegjit vazhdon kursin e lartë ushtarak të xhenios në Torino.
Në vitin 1919 kthehet në Shqipëri dhe zhvillon për gjysmë shekulli veprimtari të dendur arsimore, shoqërore, shkencore si më poshtë:
Më 1919 fillon veprimtarinë arsimore në Dunavat të Gjirokastrës.
Më 1920 e gjejmë mësues në Rexhepaj-Gorisht të Vlorës, ku ngriti shkollën e parë të kësaj zone, në një shtëpi. Në bashkëpunim me punëtorët e gurores themelon shoqërinë: “Shoqëria punëtore Gorishti”. Merr pjesë në Luftën e Vlorës.
Më 1920-21, është mësues në Tiranë. Themelon konviktin “Naim Frashëri”, ku hap edhe sallonin e parë teatral.
Më 1923 riorganizon në Shkodër konviktin “Malet tona”.
Më 1924 caktohet drejtor shkolle në Shijak.
Më 1927 kthehet në Shqipëri dhe internohet në Petrelë. Po këtë vit themelon në Tiranë konviktin “Vaso Pasha”.
Më 1930 themelon në Tiranë kolegjin “Teuta”. (Njëra nga mbesat e Dizdarit, znj. Minerva Bërdica ka hapur shkollën private me ketë emër në Shkodër).
Më 1932 transferohet si mësues në shkollën e mesme profesionale të Beratit.
Më 1936 hap shkollën e parë në zonën malore të Bratoshit, Malësi e Madhe.
Më 1937-40 shërben si mësues dhe drejtues shkolle në Krujë.
Më 1940-41 shërben si mësues në Shkodër dhe 1943-44 është mësues i gjimnazit të shtetit në Shkodër dhe më vonë si shumë bashkatdhetarë shkon në Kosovë për 2 vite, në ndihmë të arsimit atje.
Në vitin 1945 hap në Shkodër librarinë “Tregëtiza shkollore”.
Më 1946 rikthehet në arsim duke qenë drejtues shkolle në Bushat dhe në qytet deri në daljen në pension, më 1960.
Pra, një veprimtari e dendur arsimore, kulturore dhe shoqërore.
Është autor tekstesh dhe botimesh të ndryshme:
Më 1934 themelon revistën “Jehona”, (“një revistë shkencore-letrare e ilustrueme”).
Cilësitë e veçanta si didakt i shfaqi në librin “Shkolla praktike për ata që kanë kalue moshën shkollore” Tiranë, 1935 /hartuar nga R. Dizdari/, prej 203 faqesh.
“Të dhëna nga mjeksia popullore e Shqipërisë së Veriut” (me bashkautorësi me Dr. Hysni Ndojën), Tiranë,1975, 424 faqe.
“Pazari i madh i Shkodrës”, 1970, 117 faqe të daktilografuara që mbeti në dorëshkrim.[1]
2. Vështrim për librin shkollor të Dizdarit:
Në këto rrethana Rexhep Dizdari, botoi librin “Shkolla praktike për ata që kanë kalue moshën shkollore” që është një lloj “vademecumi” ose doracaku për përdorim të përditshëm. “Shkolla praktike…” ka karakter të theksuar funksional.
Autori i saj nisej nga drejtimi praktik i zgjidhjes së problemeve të shoqërisë shqiptare. Kjo kuptohet edhe nga përmbajtja e tekstit. Në të përfshihen, përveç mësimeve të lexim-shkrimit, edhe pjesë me përmbajtje nga historia, gjeografia, leximi, aritmetika e mësimet praktike për letërkëmbimin vetjak dhe tregtar (që luajnë rolin përsëritës a përforcues), të gjitha njohuri të nevojshme për formimin kulturor dhe të domosdoshme për jetën e përditshme të artizanëve, dyqanxhinjve etj. Në këtë këndvështrim, libri bëhej shumë i dobishëm, për të mos thënë i domosdoshëm për një pjesë të madhe të popullsisë shqiptare.
Autori është treguar shumë racional në përzgjedhjen e njohurive dhe shprehive praktike që i duheshin një qytetari, pa kaluar në mbingarkesë të panevojshme. Të tilla tekste për të rritur janë botuar në Shqipëri edhe një çerek shekulli më parë, por secili prej tyre mbart fizionominë e kohës dhe plotëson nevojat e shoqërisë shqiptare për atë periudhë të caktuar.
Teksti ka një vëllim prej 203 faqesh. Rreth 36 faqe i takojnë Abetares, dhënies së tinguj-shkronjave të gjuhës sonë. Nisur nga destinacioni për të rriturit dhe vetë aftësitë asimiluese të tyre, të gjithë tinguj-shkronjat e gjuhës sonë jepen në mënyrë të përmbledhur. Shpesh në një njësi mësimore jepen edhe dy shkronja, nisur nga afërsia e tyre si: m-n, c-ç etj. Çdo njësi mësimore është e shoqëruar edhe me lexime të shkurtra, kryesisht me fjali që mbartin tingullin e ri të mësuar.
Pas përfundimit të shkronjave të vogla të shtypit dhe të dorës, autori, me të drejtë, u jep vend jo të vogël, rreth 10 faqe, grupeve të bashkëtingëlloreve. Në fund të kësaj pjese jepet një pasqyrë përmbledhëse e alfabetit ku vendosen edhe shkronjat e mëdha të dorës dhe të shtypit. Pranë secilës prej tyre janë vënë shembuj me fjali për ilustrim, të cilat veç qëllimit kryesor, ushtrimin e leximit, realizojnë edhe synime të tjera edukative. Në përgjithësi janë fjalë të urta ose këshilla morale me vlera të përhershme, si: Atdheu duhet me punë dhe jo me fjalë, Feja naltëson moralin dhe forcon karakterin, Shtylla e shtetit asht drejtësia, Ligja asht rruga e të urtit etj.[2]
Teksti ka ilustrime për tingujt e rinj, gjë që ia kanë rritur vlerat dhe kanë ndihmuar për përvetësimin e gjuhës së shkruar.
“Shkolla praktike…” për tematikën e gjerë që përmban, karakterin praktik që e përshkon, zë vend të denjë në historinë e teksteve shkollore për të rritur. Teksti mendojmë se është përdorur nga autodidaktë, që kanë kaluar moshën shkollore. Konceptimi dhe ndërtimi i tekstit me disa lëndë, përsërit në një periudhë rreth gjysmë shekulli më vonë atë që bënë Samiu, J. Vreto, P. Vasa e K. Hoxhi me “Alfabetaren…”, si një tekst kompleks për mësonjëtoret shqipe.
Vështrim i hollësishëm i veprave “Mjekimet popullore” dhe “Të dhëna nga mjeksia popullore e Shqipërisë së Veriut” (në bashkëpunim me Dr. Hyni Ndojën) na kanë dhënë mundësitë për të ndriçuar këtë pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së begatë të Rexhep Dizdarit.
Po kështu libri i pa botuar “Pazari i Shkodrës” është një vepër origjinale dhe e dobishme për t’u lexuar dhe për t’u publikuar pasi jep shumë të dhëna të hollësishme për gjendjen e Pazarit të Shkodrës, pajisur edhe me fotografi që i japin bukurinë gjithë botimit.
3. Përfundime:
“Shkolla praktike për ata që kanë kalue moshën shkollore”, libër i botuar nga Rexhep Dizdari rreth viteve 1935. Shoqëria shqiptare në fillimin e këtyre viteve kishte filluar procesin e kalimit nga puna artizanale në marrëdhëniet industriale, gjë që kërkonte njerëz të përgatitur dhe që kishin një minimum njohurish në disa fusha, ndërsa marrëdhëniet tregtare kishin hyrë në një fazë të re zhvillimi.
Kështu që pajisja e tekstit me njohuri edhe nga leximi, historia, gjeografia, korrespondenca janë një lloj abetareje “sugjeniris” në fushën e vet. Ato shërbejnë edhe si pjesë leximi për të përsosur mekanizmin e lexim-shkrimit të gjuhës amtare. [3]
[1]. Genc Agolli, “Rexhep Dizdari” (Monografi), Shkodër, 2009.
[2]. Rexhep Dizdari, “Shkolla praktike…”, f. 33-36.
[3]. Shefik Osmani, Njazi Kazazi: “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike”, botim i MASH dhe shtëpisë botuese “Idromeno”, Tiranë, 2000, f. 299-302.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 28, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...