Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Oct 12, 2015 Zani i Nalte Filozofi 0
Prof. Dr. Gjergj Sinani
Universiteti i Tiranës
Fakulteti i Shkencave Sociale
Abstrakt
“Kur kënga e hoxhës zbret nga minareja, myslimanët ndërpresin punën dhe shkojnë në xhami, pasi kanë larë në vijën e ujit këmbët dhe duart e tyre. Të premten pasdite pazari është i mbyllur. Ai mbyllet gjithashtu edhe të dielën mbasdite. Kësisoj është zgjidhur një problem delikat duke i bërë qejfin edhe Jezuit dhe Muhametit. Tirana, që numëron 15 mijë myslimanë dhe 2 mijë të krishterë, arrin t’i trajtojë njëlloj të dyja besimet”.
Kështu shkruante më 1922 zviceriania Nowlle Roger në revistën e njohur Revue des deux Mondes për Tiranën. Besoj se e njëjta frymë tolerance shfaqet edhe sot në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë, pas rikthimit përsëri tek e shenjta pas natës totalitare. Si dëshmi të kësaj tolerance po sjell edhe një pasazh tjetër nga e njëjta autore. “Disa ditë më parë në një kishë ortodokse të Tiranës po kremtohej shërbimi funebër për një oficer shqiptar të krishterë, i cili kishte vdekur. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe myslimanë, të cilët mbanin edhe një prej kurorave. Hoxhallarët mbanin qirinjtë. Prifti i krishterë nderoi Muhametin dhe hoxha mysliman nderoi Jezu Krishtin…
Kështu e kuptojnë bashkimin e kryqit me gjysëm hënën shqiptarët, gjë që perëndimi nuk ka reshtur kurrë së kundërshtuari…”.
Evolucioni i fenomenit fetar në Shqipëri mund të përmblidhet në një frazë të vetme, feja ka kaluar nga qënia në mosqënie dhe përsëri në qënie. Në të trija këto momente feja ka tentuar drejt vetpërcaktimit të identiteti të saj, përmes një lëvizje të vështirë, sidomos në terrenin ballkanik, ku rrebeshet politike dhe mentalitetet nacionaliste kanë qenë dhe mbeten mjaft të forta, shpesh të shoqëruara dhe me pasoja katastrofike.
Mbas Luftës së II-të Botërore feja pësoi një rrudhje të thellë që shkoi drejt ndalimit zyrtar të saj më 1967. Ndalimi me ligj i fesë nuk do të thotë se ajo u likuidua përfundimisht. Besimtari nuk u ndodh para asgjësë, përderisa ai kishte një Zot ekzistencial, një “Ti” hyjnor, të cilit mund t’i lutej në heshtje dhe strukturat e pushtetit nuk mund t’ia zbulonin. Pra ndalimi me ligj i fesë nuk do të thotë se besimi u zhduk përfundimisht. Ai gjeti forma të mbijetonte.
Dikur Arnold Toinbi shkruante se feja është një nga shpikjet më të mrekullueshme të njeriut. Ajo na jep një pikturë të përkryer të botës, të cilën ne e vëmë në kontrast me botën e korruptuar në të cilën jetojmë dhe, në këtë mënyrë, feja luan një rol të rëndësishëm në përsosjen morale. Ky mendim i Toinbisë duket më se aktual në krizën e vlerave që po kalon Shqipëria, si dhe të krizës së thellë ekonomike, që ende nuk po sheh shenjat e daljes. Kjo shpjegon dhe përhapjen e fenomenit të korrupsionit. Këtu nuk e kemi fjalën vetëm për korrupsionin ekonomik. Korrupsioni më i rrezikshëm është ai i parimeve dhe i vlerave. Këto janë periudha shumë të rrezikshme, sepse mund t’i lëshojnë njerëzit në krahët e një dëshpërimi ekstrem dhe të një egoizmi të shfrenuar, ku vlerat shpirtërore humbasin dhe përfitimi dhe mashtrimi mbesin vlerat kryesore të shoqërisë. Shpejt njerëzit e kuptojnë se kanë nevojë për një shpëtim. Ata duan t’i drejtohen dikujt që u premton lirinë, sigurinë, shpëtimin dhe një jetë ku të sundojnë vlerat morale.
Pluraliteti fetar në Shqipëri ka ekzistuar para atij politik dhe historikisht ky pluralitet nuk e ka rrezikuar ekzistencën dhe identitetin kombëtar. Mund të themi se ky pluralitet është një rezultat historik dhe kulturor mjaft i rëndësishëm, i cili meriton të respektohet dhe jo të përdoret në funksion të faktorëve destabilizues të paqes sociale. Kështu glorifikimi i një besimi në dëm të besimeve të tjera nuk bën gjë tjetër veçse e shton problematikën e rënduar politike dhe sociale të shoqërisë shqiptare.
Ne jetojmë në një botë ku izolimi nuk është më i mundur. Jetojmë në një epokë që karakterizohet nga lëvizshmëria e popujve dhe një përzierje e kulturave të pashembullta. Ne të gjithë jemi të ndërvarur dhe kemi një përgjegjësi të përbashkët, së cilës nuk mund t’i fshihemi, për të krijuar një shoqëri të re të bazuar mbi pluralizmin.
Si element mjaft i rëndësishëm kulturor feja në Shqipëri ka një rol shumë të madh në kultivimin e vlerave dhe atyre formave të jetës, të cilat respektojnë vizionin për botën të çdo kulture dhe feje. Për disa kultura, feja ka përfaqësuar aspiratat më të larta të ekzistencës njerëzore. Në kultura të tjera fetë kanë qenë institucione që pohonin se sillnin përsosjen. Për shkak të faktorëve historikë dhe politikë, feja në Shqipëri nuk u ngrit në të tilla nivele. Tashmë ajo i ka të gjitha mundësitë që t’i pohojë vlerat e saj.
Dihet se fetë kanë kontribuar për paqen, ashtu edhe siç kanë ushqyer ndarjen, urrejtjen dhe luftën. Shpesh kanë tradhtuar edhe idealet që i sollën vetë. Prandaj prirja drejt paqes përbën një imperatif për shoqërinë shqiptare. Mirëpo paqen duhet ta kërkojmë në radhë të parë brenda vetes tonë, pra duhet të jemi në paqe me vetveten, e cila është turbulluar nga ngjarjet e vrullshme që po kalon shoqëria jonë këto vitet e fundit. Ne vetë mund ta arrijmë këtë paqe të brendshme përmes meditimit dhe ngritjes shpirtërore, e cila duhet të shfaqet në veprime.
Ne mund dhe duhet t’i rregullojmë konfliktet pa iu drejtuar dhunës dhe këtë mund ta realizojmë përmes edukimit dhe ushtrimit të drejtësisë. Drejtësia është guri themeltar i shoqërisë civile, thoshte shën Agustini. Mosdiskriminimi, respektimi i dinjitetit njerëzor, të drejtat e njeriut, pranimi i tjetrit dhe toleranca, janë vlerat për të cilat ka më shumë nevojë shoqëria shqiptare.
Në këtë kontekst përgjegjësia fetare është mjaft e madhe. Fetë duhet të bëhen burim energjish ndërtuese. Fetë nuk duhet të identifikohen me pushtetet politike, ekonomike dhe sociale, me qëllim që të jenë të lira për t’i hapur rrugën drejtësisë dhe paqes. Ne duhet të mbajmë parasysh jo vetëm të kaluarën botërore, por edhe të kaluarën tonë jo shumë të largët kur feja paraqitej si shërbëtore e politikës, madje të politikës të pushtuesve të vendit. Kështu mund të shpëtohen vlerat fetare. Komunitetet fetare në Shqipëri duhet të kenë kujdes që zelli fetar të mos përzihet me fanatizmin. Kjo jo vetëm që do të rrezikojë paqen sociale, por mund të dëmtojë edhe vetë bazat e doktrinave fetare. Fetë në Shqipëri mund të kontribuojnë në krijimin e një kulture të paqes të bazuar në tolerancën, dialogun dhe mirëkuptimin reciprok.
Është një fakt mjaft domethënës që të gjitha fetë, pa përjashtim, predikojnë paqen dhe mirëkuptimin ndërmjet njerëzve. “Të lumtur janë artizanët e paqes, sepse ata do të quhen fëmijët e Zotit”, shkruhet në Ungjill. Po kështu edhe Kur’ani thekson se në qoftë se Zoti do të kishte dashur ai do t’i kishte bërë njerëzit të një komuniteti, por ai krijoi komunitete të ndryshme për t’u lejuar atyre që të njihen dhe të pranojnë njeri tjetrin përtej dallimeve ndërmjet tyre. Pikërisht në këtë traditë të hapjes, tolerancës dhe solidaritetit, u takon besimtarëve dhe sidomos klerikëve të të gjitha feve që të punojnë pa u lodhur për kultivimin e këtyre vlerave.
Ekziston një detyrë e dyfishtë përpara klerikëve shqiptarë; restaurimi i mesazhit hyjnor dhe dialogu vëllazëror ndërmjet feve të ndryshme. Fjala këtu është për të shëruar kujtesën e kaluar nga ku buron nevoja për një rishikim të historive të feve. Detyra e dytë ka të bëjë me një veprim ndërkulturor mbi bazën e një dialogu frytdhënës ndërmjet feve, pasi ajo ç’ka na bashkon është shumë më e rëndësishme nga ajo që na ndan.
Toleranca si vlerë
Në shumë takime dhe konferenca vihet me të drejtë në dukje toleranca fetare që ka ekzistuar në Shqipëri. Duhet ta pranojmë se kjo tolerancë është rezultat i faktorëve historikë dhe i veprimtarisë së patriotëve shqiptarë që vunë si prioritare bashkimin dhe identitetin kombëtar. Toleranca fetare është më të vërtetë një vlerë e rëndësishme shqiptare, e cila duhet ruajtur dhe zhvilluar. Toleranca nuk është thjesht një çështje e ndërgjegjes individuale. Ajo është në një raport të ngushtë me ligjin, në qoftë se do ta ndërtojmë argumentin mbi bazën e modelit të një shoqërie demokratike.
Dihet se liria e fesë ishte pikënisja e lirive civile dhe politike. Ishte pikërisht lufta për të adhuruar Zotin sipas ndërgjegjes së çdo individi, që tronditi organizimin politiko – fetar të Mesjetës. Përvoja historike ka treguar se mungesa e lirisë fetare mund të çojë në pasoja mjaft të rënda për stabilitetin politik të një vendi. Historia botërore është mjaft e pasur me shembuj që tregojnë se sa jetë njerëzore janë flijuar nga fryma e intolerancës. Shqipëria nuk njeh viktima të intolerancës fetare ndërmjet shqiptarëve, por njeh viktima të kishave fqinje ndaj klerikëve që kanë kërkuar pavarësinë e kishës shqiptare.
Për të treguar frymën e tolerancës së shqiptarëve, po kufizohem të përmend disa autorë të huaj sipas një perspektive historike.
Sir Charles Eliot, në fillim të shekullit të kaluar ka shkruar: “Shqiptarët kanë një antipati natyrore ndaj bindjes si në sferën shpirtërore dhe atë temporale. Në kohën e pushtimit turk nominalisht ata ishin të krishterë, megjithëse, nga numri i zakoneve pagane, të cilat ende mbijetojnë në dasmat e tyre, funeralet dhe ceremoni të tjera, mund të supozohet se konvertimi i tyre ishte vetëm artificial. Për pasojë, ata dallohen në përqafimin e Islamit më shpejt se ndonjë racë tjetër evropiane. Ky ndryshim i besimit ndodhi kryesisht në dy epoka, së pari, menjëherë pas pushtimit dhe, së dyti, në shekullin XVII, kur ndodhi një apostazi e gjerë për shkak të faktit se hapej një karrierë e mirë për myslimanët evropianë në këtë periudhë. Por edhe në shekullin e tanishëm, fise dhe fshatra e kanë ndryshuar fenë për shkaqe fare të vogla. Sipas historisë, pjesë të një fisi të krishterë u bënë muhamedanë sepse prifti i tyre, i cili shërbente në disa fshatra dhe i vizitonte ato së pari, insistuan mbi thënien e meshës në një orë të paarsyeshme. Në tërësi, veriorët kanë qenë më besimtarë ndaj krishtërimit se jugorët, me gjasë sepse ata lejoheshin të mbanin armë. Në ditët tona, të krishterët ndërmjet toskëve të Kishës Ortodokse, por edhe në veri shumë praktika të pashkëve thuhet se ende vëzhgohen, të tilla si sakramenti i eukaristisë së laikëve në dy lloje. Kisha Katolike Romane në Shqipëri është nën mbrojtjen e Austrisë dhe jo të Francës si në pjesët e tjera të Turqisë. Shenjat e jashtme të Islamit janë të pakta; xhamitë janë të rralla, vera pihet haptazi dhe praktikohet betimi mysliman përmes virgjëreshës… Shumica e myslimanëve shqiptarë i përkasin dervishëve bektashi, të cilët, pavarësisht faktit se zyrtarisht lidhen me qeverinë turke përmes jeniçerëve, janë një nga sektet muhamedanë më pak ortodoksë dhe thuhet se mësojnë në mënyrë sekrete, jo vetëm panteizmin, por, gjithashtu doktrinën se nuk ka precepte morale që ndalojnë zgjedhjen”[1].
Swire, kundër atyre që identifikonin fenë me kombin shkruante: “Shqiptari nuk është fanatik fetar. Për të feja nuk nënkupton nacionalitet; dhe progresi drejt realizimit të aspiratës së tij kombëtare ka qenë penguar në një masë të madhe nga paaftësia e botës për të kapur faktin se një mysliman shqiptar nuk është aspak një turk.”[2].
Alain Ducellier, duke folur për kthimin në Islam vlerëson frymën e tolerancës fetare ndër shqiptarë: “Si përfundim, duket, megjithë burimet e pakta, se në qoftë se Shqipëria ishte përfshirë në masë nga besimi roman, ky fitoi ngadalë terren në vend ku aristokracia natyrisht ishte e para që u konvertua, konvertim që më shumë frymëzohej nga motive të rendit politik: duke kaluar nga Veriu në Jug, kalohej kështu nga një vend me mazhorancë katolike në rajonin e Durrësit, ku ligji latin prirej ngadalë drejt ekuilibrimit me besimin ortodoks, për të arritur së fundi, që para limiteve të provincës bizantine të Vlorës, në një zonë ku ortodoksia mbeti qartësisht dominante. Me pak nuanca, pozicionet respektive të dy konfesioneve në Shqipëri, që në gjysmën e parë të shek. XIV, ishin ato që janë edhe sot. Përsa i takon faktit që, nga viti 1350, u krye në Shqipërinë qendrore një luftë e pasigurtë ndërmjet dy konfesioneve, kontribuoi fuqishëm për të shpjeguar kalimin, relativisht të shpejtë të këtij rajoni, në Islam, në shekullin në vazhdim, ndërkohë që blloqet kompakte të Veriut dhe të Jugut do t’ia dilnin, pak a shumë të mbaheshin… Që nga kjo epokë, dhe për shkak të pozitës së saj gjeografike, Shqipëria dëshmoi një tolerancë fetare tepër të rrallë dhe që do të mbetet një nga tiparet permanente të historisë së saj, cilësdo qofshin protagonistët.”[3]
Jacque Bourcart në librin «Shqipëria dhe shqiptarët» shkruante: «Katolicizmi shqiptar është i tillë vetëm në pamjen e jashtme dhe madje Shën Rroku dhe Shën Kolli nderohen me përgjërim më të madh se Krishti.»[4]
Në lidhje me tolerancën dhe respektimin e fesë së tjetrit ai shkruan: «Kalorësit që më shoqëronin më habitnin gjithnjë kur kujdeseshin për vendet e shenjta dhe për faltoret e çdo feje dhe kur tregonin të njëjtin përgjërim për të tërë njerëzit e shenjtë katolikë, ortodoksë, myslimanë synitë ose bektashi. Dhe nën këtë vernik fetar aq të ndryshëm përmblidheshin të tëra besimet e lashta: betimet për zjarrin, për ujin ose për malet; frika e vetvetishme nga shpellat, ose nga pyjet ku banonin orët dashakeqe ose shtrigat. Shumë nga vendet, ku sot gjenden faltore të krishtera ose teqe, janë vende të shenjta shumë më të vjetra»[5]. Këto pohime dhe shumë të tjerë nga mendimtarë të huaj dhe shqiptarë, bashkohen në një pikë; toleranca shembullore fetare ndërmjet shqiptarëve.
Vëmendje dhe respekti ndaj fesë shikohet qartë edhe te Kanuni i Lekë Dukagjinit. Duket se shqiptarët e kanë realizuar ndarjen e fesë nga ligji pozitiv shumë më përpara se të shprehej kjo ndarje në shtetin modern. Në këtë Kanun, kreu i parë i kushtohet raporteve me kishën. Sipas kanunit «kisha gjindet e vendosme nën sundim të të Parit të Fes e jo nën ligjë të Kanunit; prandaj Kanuni s’mund t’i vejë kurrnji barrë kishës, veç se ka detyrë me i dalë zot, kur kjo hupë ndihmen e tij». «Kisha shpatë e konop s’ka», «Kush dhunon kishën, dhunon famullin». «Famullitari ka tagër me mësue e me qortue Famullin e me i krye zyret e Fes gjithsi ta lypë puna e shpirtit, e kurkush i famullis s’ka pushtet me i u përzie nder detyrë të meshtaris ». «Vehtja e Famullitarit asht e paprekshme». “Prifti asht ndorja e Famullis”. “Prifti s’bjen në gjak”. “Prifti s’çohet në be”.
Nisur nga shumë vëzhgime udhëtarësh perëndimorë, që kanë folur për frymën e tolerancës fetare, ka patur edhe pikëpamje keqdashëse, sidomos nga propaganda nacionaliste e vendeve fqinje, që kanë dashur t’i përshkruajnë shqiptarët si jo fetarë dhe se ideja e Zotit nuk ka qenë shumë e pranishme. Në fakt, po të shikojmë krijimtarinë popullore do të vëmë re se ideja e Zotit është prezente dhe madje ka një ide të lartë për perëndinë. Në tregime dhe këngë popullor gjejmë atributet dhe cilësitë e veçanta të Perëndisë, që përshkruhet si Qenia e madhe, i fuqishëm, i drejtë, i gjithëditur, i lumtur, i mirë, i dhembshur, ngushëllues, i shenjtë, vetë e vërteta, etj. Në qoftë se do të përdorim një gjuhë filozofike, mund të themi se struktura eidetike për të shenjtën ka ekzistuar në ndërgjegjen e shqiptarit, pavarësisht stuhive politike që ka kaluar Shqipëria e ndodhur në dialektikën e shpërbërjes së tri perandorive të mëdha të kohës; perandorisë osmane, austro – hungareze dhe asaj ruse. Prandaj, në studimet tona mbetet si premisë e fuqishme metodologjike ideja e Dilteit; detyra e shkencave humane është që të kuptojnë dhe jo thjesht të shpjegojnë. Kjo premisë vlen edhe për të kuptuar historinë tonë dhe, në mënyrë të veçantë tolerancën e shkëlqyer fetare të shqiptarëve, që e shton pasurinë e vlerave evropiane.
Nisur nga gjoja afetarizmi i shqiptarëve ka ekzistuar, dhe u pa edhe në ngjarjet e fundit në ish-Jugosllave, se shqiptarët nuk kanë ndikuar në mbrojtjen e krishtërimit. Ndaj kësaj ideje ende gjëmojnë fjalët e Gjergj Fishtës në fjalimin e tij në 1919 në Konferencën e paqes në Paris, ashtu siç ishte ai i drejtpërdrejtë kur bëhej fjalë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, të cilën po e sjell të plotë: “Ndërsa shqiptarët luftojshin kundra turkut për liri të Shqipnisë dhe Europës mbarë, shka bajshin grekët e serbët, njata që sot Konferenca e Paqes asht tuj i mbajtë në sqetull si djem dëshiri? Grekët… edhe atëherë kur turqit kishin mbërrijtë te dera e Stambollit, rrijshin tuj u marrë me çashtje fetare kundra Kishës së Romës. Po kështu edhe Despotati i Serbisë, sadoqë kryetar i një populli trim e luftëtar, – ndërsa gjaku shqiptar shkonte rrëkajë për liri dhe pavarësi të atdheut, – ai bante krushqi me turq tuj ia dhanë të bijën për grue haremi Sulltanit, dhe mbështetë mandej në këtë fakt, serbi pengoi bashkimin e ushtrive të Skanderbegut me ato të Huniadit e për rrjedhojë, u thye ushtria e krishterë në Varna tuj marrë në qafë ma se gjysmën e Europës”[6].
Pas gjithë këtyre parashtrimeve mund të shtrohet pyetja; a kanë vese shqiptarët? Sigurisht që po, ashtu si tërë lloji njerëzor. Kur Monteskjë glorifikonte sistemin anglez të përfaqësimit, ai nuk u ndal të veset e anglezëve, sepse, për të anglezët dinin të përfitonin edhe nga veset e tyre. Ndërsa veset tona kanë qenë gjëma jonë. Por ne kemi një virtyt shumë të madh, siç është toleranca fetare, e cila është një premisë shumë e fuqishme për një jetë shoqërore të lirë.
Prandaj, detyra që shtrohet para shoqërisë sonë, dhe ku komunitetet fetare mund të luajnë një rol të madh, është ripërtëritja shpirtërore e shoqërisë shqiptare, detyrë që e shtroi në mënyrë shumë të qartë Patër Anton Harapi që më 1944. “Të krijojmë një fuqi morale në Shqipëri. Edhe në mos e gjetshim nji njeri i cili sot ta përvetësojë të tanë idenë, vullnetin dhe përpjekjet e jetës shqiptare, kemi me pasë më shumë asish të cilët randojnë moralisht, aq sa me e ba pikën e gravitetit të jetës sonë kombëtare. Duhet të besojmë në dikënd, të besojmë në vitalitetin shqiptar, të besojmë në fuqinë e vullnetit tonë, por ama të besojmë përnjmend. Po nuk i besuam vetes sa duhet, nuk ka përse të besojë edhe i huaji ndër ne. Lypet ta rindërtojmë ndërgjegjen tonë vetjake dhe kolektive”[7].
Tashmë që po flitet për një shoqëri të re demokratike dhe për një të drejtë të re, të gjithë duhet të kontribuojnë, që e drejta pozitive të mbrojë individin kundër çdo përpjekje të shtetit, të grupeve ose personave, që do të synonte të prekte liritë e përcaktuara dhe të garantuara me ligj. Por, edhe individi duhet të pranojë përgjegjësinë e tij kundrejt shtetit. Në rrafshin praktik këto detyra mund të përmblidhen si më poshtë:
Të mos ndryshohet liria shpirtërore e individëve të tjerë me qëllim që të pranojnë bindje të tjera përmes premtimit të përfitimeve materiale dhe sociale. Kjo është shumë e rëndësishme të mbahet parasysh se në jo pak raste, gjatë periudhës së tranzicionit, grupime të ndryshme fetare kanë përdorur ndihmat materiale për të shtuar radhët e aderuesve. Një gjë e tillë, jo vetëm që nuk ndikon në ndërgjegjen fetare të individëve, por krijon aderues të pasinqertë dhe hipokritë. Lë të kujtojmë këtu fjalët e Krishtit kundër hipokritëve. Jezusi nuk kënaqet me jashtësinë e sjelljes, por kërkon përputhshmërinë ndërmjet brendësisë së padukshme të ndërgjegjes, dhe ngacmimet e dukshme të jashtme. Fjalët e tij kundër hipokrizisë morale karakterizohen nga ashpërsia. Le të kujtojmë shtatë mallkimet kundër skribëve dhe farisejve hipokritë: “Vij për ju skribë e farisej, shtiracakë, që u përngjani varrezave të zbardhura me gëlqere, që duken përjashta të bukura e përbrenda janë plot eshtra të vdekurish me gjithfarë ndyrësie. Kështu edhe ju përjashta njerëzve u dukeni të drejtë, kurse përbrenda jeni krejt hipokrizi e padrejtësi” (Mt, XXIII, 27-28). Fjalë që godasin, plot kërkesa morale dhe fetare, që ai kërkon për njerëzit. Ai donte t’i shikonte që ta adhuronin Zotin, si nga brenda vetes dhe jashtë. Nga dashuria për ta, ai u bën thirrje për përputhshmëri etike dhe shpirtërore me Ligjin. Ai u bën thirrje për pastrimin e vetvetes. “Përse shtrydhni mushkonjën e kapërdini gamilen!” Përse i kërkoni tjetrit atë që nuk bëni për veten? Më mirë ia vlen që të përputhet jashtësia dhe brendësia e sjelljes për të pohuar thelbin etik dhe fetar. Me këtë ai nuk mund të mos tërhiqte urrejtjen e të fuqishmëve të kohës. Askush nga ata, nuk mund ta suportonte një gjykim kaq të ashpër dhe të drejtpërdrejtë.
Liria e fesë është një nga bazat themelore të shoqërisë. Ajo nënkupton që të ndalesh në rregullimin e çështjeve, që kanë të bëjnë me njerëzit dhe bindjet e tyre fetare. Ne duhet t’i pranojmë dallimet e njeri tjetrit dhe ta shikojmë tjetrin si një partner dhe jo si një kundërshtar. Kjo do të thotë se mund të konfrontohen pikëpamjet e njëri tjetrit me qetësi dhe qartësi, duke pohuar identitetin e vet, pa as më të voglën ndjenjë superioriteti. Zgjidhja nuk qëndron tek kompromisi, por në respektimin e qënies njerëzore, qartësinë e parimeve që mbron. Liria fetare kurrë nuk mund të garantohet plotësisht, por ne duhet të përpiqemi që përpjekjet tona të mos e cënojnë zhvillimin e kësaj lirie, në përputhje me respektimin e lumturisë së të gjithëve.
Ndaj atyre që glorifikojnë një fe në dëm të një tjetre, ose që kërkojnë të favorizojnë një fe në dëm të një tjetre do të kufizohem të citoj gjatë një këshillë tjetër të Tokëvilit për rolin e fesë në një shoqëri demokratike, që ai e nxori nga analiza e përvojës së revolucionit amerikan, ku maksima bazë mbi të cilën bazohet shoqëria civile dhe politike në këtë vend është; “Providenca i ka dhënë çdo individi, kushdo qoftë ai, një shkallë të domosdoshme arsyeje që të mund të drejtojë vetveten për gjërat që e interesojnë në mënyrë ekskluzive. “Kur një fe çfarëdo ka hedhur rrënjë të thella në gjirin e një demokracie, ruajuni ta tronditni; por ruajeni akoma më shumë duke e konsideruar si trashëgimi shumë të çmueshme të shekujve aristokratikë; mos kërkoni t’ua u shkulni njerëzve opinionet e tyre të vjetra fetare, për t’i zëvendësuar me të reja, nga frika se, në kalimin e një feje në një tjetër, shpirti gjendet në një moment bosh të besimit, dashuria për kënaqësitë materiale të shtrihet dhe ta mbushë plotësisht…
Besimi në një parim jomaterial dhe të pavdekshëm, i bashkuar për një kohë me materien, është aq i domosdoshëm për madhështinë e njeriut, saqë prodhon më tej pasoja të bukura kur nuk bashkon opinionin e kompensimit dhe të dënimeve dhe kufizohet në besimin se pas vdekjes parimi hyjnor brenda njeriut thithet nga Zoti ose gjallëron një krijesë tjetër”[8].
Tokëvili, duke u nisur nga përvoja e Revolucionit amerikan, ku feja luante një rol të madh në moralizimin e demokracisë, tregoi se feja është e domosdoshme dhe mund të luajë një rol në një shoqëri demokratike. “Krishtërimi, shkruante ai, që i ka bërë njerëzit të barabartë para Zotit, nuk do ta ketë për gjë që t’i shikojë të gjithë qytetarët të barabartë para ligjit”[9]. E ndoshta kjo është arsyeja pse në këtë vend, sipas Tokëvilit, jeta zhvillohet përmes “adaptimit të fakteve ndaj ideve, në vend që t’ia nënshtrojë idetë fakteve”[10]. Ndërsa tek ne ndodh e kundërta, duke ia nënshtruar idetë fakteve, madje më keq akoma, shpirtit të përfitimit e në qoftë se do të vazhdojë një gjë e tillë, liria do të jetë gjithmonë e kërcënuar.
Prandaj, në përfundim do të evokoja edhe një ide të Tokëvilit mbi pajtimin ndërmjet shpirtit të fesë dhe shpirtit të lirisë. Sipas tij SHBA ishin ilustrimi më i shkëlqyer ku shihen të kombinuara shpirti i fesë me atë të lirisë. Meqenëse ne po përpiqemi që të organizojmë lirinë shoqërore, feja është thirrur të ndikojë në realizimin e lirisë. “Feja shikon te liria civile një ushtrim fisnik të aftësive të njeriut; në botën politike, një fushë të dhënë nga krijuesi ndaj përpjekjeve të inteligjencës. E lirë dhe e fuqishme në sferën e saj, e kënaqur nga roli që i është rezervuar, ajo e di se perandoria e saj është më së miri e vendosur për të mbretëruar vetëm përmes forcave të saj dhe dominon pa mbështetje mbi zemrat. Liria shikon te feja shoqen e luftërave dhe triumfeve të saj, djepin e fëmijërissë së saj, burimin hyjnor të të drejtave të saj. Ajo e konsideron fenë si mbrojtëse të zakoneve; zakonet si garanci të ligjeve dhe garancinë e kohëzgjatjes së saj”[11].
Si përfundim, në kohën tonë, fjala është se si të ndahet feja nga urrejtja dhe jo thjesht feja nga shteti. Mendoj se këto fjalë të abatit Felisite de Lamenais mbeten më shumë se aktuale. Nga besimi ai nxjerr një mësim humanist: “Kur do t’ju thonë për ata që zotërojnë mbi tokë një fuqi të madhe: “Ja zotërinjtë tuaj”, mos i besoni aspak. Në qoftë se ata janë të drejtë, ata janë shërbëtorët tuaj; në qoftë se nuk janë, ata janë tiranët tuaj…
Në balancën e të drejtës së përjetshme, vullneti juaj peshon më shumë se sa vullneti i mbretërve; sepse janë popujt që bëjnë mbretërit, dhe mbretërit bëhen për popujt dhe popujt nuk bëhen për mbretërit.
Ati qiellor nuk i ka formuar gjymtyrët e fëmijëve me qëllim që ato të thyhen nga hekurat, as shpirtin e tyre që të vdesë për skllavërinë.
Mos e lini veten që të mashtroheni nga fjalët e kota. Shumë do të kërkojnë që t’ju bindin që ju jeni qenie më të vërtetë të lira, sepse ata kanë shkruar mbi një fije letër fjalën liri, dhe do ta afishojnë atë në të gjitha kryqëzimet e rrugëve.
Liria nuk është një pllakatë që lexohet në një qoshe rruge. Ajo është një fuqi e gjallë që ndjehet në vetvete dhe sidomos nga vetvetja, gjenia mbrojtëse e vatrës shtëpiake, garancia e të drejtave sociale dhe e para nga këto të drejta.
Shtypësi që mbrohet nën emrin e saj, është më i keqi i shtypësve. Ai bashkon gënjeshtrën me tiraninë, dhe me padrejtësinë profanacionin; sepse emri i lirisë është i shenjtë.
Pra, ruajuni nga ata që ju thonë: Liri, Liri, dhe që e shkatërrojnë përmes veprave të tyre.
A jeni ju ata që zgjidhni ata që ju qeverisin, që ju urdhërojnë që të bëni atë dhe të mos bëni atë tjetrën, që ju imponojnë të mirat tuaja, industrinë tuaj, punën tuaj? Dhe në qoftë se nuk jeni ju, si jeni ju të lirë?
A mund ta ushtroni kultin tuaj pa shtrëngim, të adhuroni Zotin dhe t’i shërbeni publikisht pa shtrëngim? Dhe në qoftë se ju nuk mund ta bëni këtë, atëherë si mund të jeni të lirë?
A mund të vendosni ju për fëmijët tuaj si e mendoni, t’i besoni atij që ju pëlqen kujdesin për t’i mësuar dhe për të formuar zakonet e tyre? Dhe në qoftë se ju nuk mund ta bëni këtë, atëherë si mund të jeni të lirë?
Zogjtë e qiellit dhe, madje edhe insektet, mblidhen për të bërë bashkërisht atë që asnjë prej tyre nuk do të mund që ta bënte vetëm. A mund të mblidheni ju për t’i trajtuar së bashku interesat tuaja, për të mbrojtur të drejtat tuaja, për të fituar diçka lehtësuese për të këqijat tuaja? Dhe në qoftë se ju nuk mundeni për këtë, atëherë si jeni ju të lirë?”
Në këshillin e ministrave Gizoi këto fjalë i quajti një “kësulë e kuqe mbi kryq”. A ka fjalë më të denja për të mbrojtur ndarjen e pushtetit temporal nga ai spiritual? A mund të gjenden fjalë të tilla në predikimet e priftërinjve dhe hoxhallarëve shqiptarë sot?
[1] Sir Charles Eliot: Turkey in Europe, Edward Arnold, London, 1908, p. 354 – 355.
[2] J. Swire: ALBANIA the Rise of a Kingdom, Arno Press & the New York Time, New York, 1971, p. 39).
[3] Alain Ducellier: “La façade maritime de l’Albanie au Moyen Age”, Institut for Balkan Studies, Thessaloniki, p. 437.
[4] Jaques Bourcart : Shqipëria dhe shqiptarët, Dituria, Tiranë, 2004, f. 53.
[5] Po aty, f. 147 – 148.
[6] Fjalime, Fishta, Harapi, Koliqi, UEGEN, Tiranë, 2009, f. 12.
[7] Po aty, f. 65.
[8] Alexis de Tocqueville ; De la démocratie en Amérique, Flammarion, Paris, 1981, V. II, f. 182.
[9] Po aty, V. I, f. 66.
[10] Po aty, f. 70.
[11] Po aty, f. 104.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Jun 26, 2021 0
Dec 08, 2020 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...