Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 29, 2015 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
nga Hysen Kobellari
Duke qenë se Libri i Shenjtë, nё Kapitullin e Kohës (Asr) përmbledh etikën e përjetshme nё pak vargje mrekullie, le tё ndalemi kёtё radhë nё dy porositë e fundit:
– Porosi për njëri-tjetrin që t’i përmbahemi tё vёrtetёs (drejtёsisё)
Njerëzit në jetën e tyre mësojnë e mësojnë vazhdimisht. Ata përherë e më tepër qartësojnë veten për gjithçka ndodh rreth tyre dhe brenda tyre, sepse ata duhet të jenë të qartë vetë, përpara se të porosisin dhe këshillojnë të tjerët.
Krijuesi dhe Profetët, për çështjen e të menduarit dhe përjetimeve të njerëzve, kanë porositur:
– Të mendojnë mirë për çfarë shohin dhe dëgjojnë.
– Të kuptojnë mirë dhe drejt gjithçka, madje përtej asaj që duket. Të thellohen në mendime, duke bërë analizën dhe sintezën e dukurive dhe fenomeneve që vërejnë.
– Të rikujtojnë dhe të mos harrojnë çfarë u ka ndodhur të tjerëve gjatë historisë së krijimit të njeriut, të nxjerrin përfundime të dobishme për këto ndodhi, suksese dhe pësime. Në këtë mënyrë, të menduarit ka gjithmonë vazhdimësi dhe është i plotë.
Këto janë etapat e lëvizjes së të menduarit, të cilën filozofët e kanë quajtur: Dialektika e Mendimit. Nga dijetarët islamë këto etapa janë quajtur përkatësisht Jetefekkerun, Jakilun dhe Jetedhekkerun.
Janë të fituar në jetën e tyre ata njerëz, të cilët pasi janë të bindur vetë, që të besojnë dhe të bëjnë vepra të mira, mësojnë dhe porosisin njëri-tjetrin për punë të mbara, për të vërtetën, drejtësinë, për njohjen dhe adhurimin e Krijuesit Fuqiplotë dhe të Gjithëmëshirshëm.
Këshilla, porosia e transmetuar ndershmërisht, fjala e mirë, është portë prej portave të dashurisë, parajsës (xhenetit). Mësime dhe porosi të tilla janë detyra për çdo njeri, sepse kjo është edhe arsyeja, qëllimi, përse Allahu e krijoi njeriun dhe e solli atë në jetë, prandaj Fuqiploti krijoi shoqërinë njerëzore të organizuar sipas Porosive të Tij.
Të vërtetën, të drejtën e predikoi së pari Allahu i Tërëfuqishëm, duke ua transmetuar profetëve, të dërguarve që solli midis njerëzve mbi tokë. Ata janë dashuri prej dashurisë së madhe të Zotit për njerëzit mbi dhe. Shembull madhështor është Profeti i umetit tonë, paqedashësi dhe i devotshmi deri në ditën e fundit dhe përtej, i dashuri Muhamed a.s.
“Apo thonë: “Ai është i çmendur”? Jo, ai ua sjell të Vërtetën atyre, por shumica prej tyre e urrejnë të Vërtetën. Sikur e Vërteta të ishte sipas dëshirave të tyre, atëherë do të shkatërroheshin qiejt dhe Toka dhe gjithçka që gjendet në to. Ne u kemi dërguar atyre Këshillën (Kur’anin), por ata shmangen nga ajo… Ja! Ne ua kemi zbuluar atyre të Vërtetën, por ata janë gënjeshtarë.”[1]
Nga sa më sipër, del se e vërteta, e drejta, është një sprovë, të cilën Allahu i Plotfuqishëm ia ka dhënë njeriut në këtë jetë, për të qenë i devotshëm dhe për të merituar dënimin ose shpërblimin në kёtё botë dhe nё botën e pasosur (Ahiretin).
“Sapo ata të të sjellin çfarëdo argumenti, Ne të sjellim të Vërtetën dhe shpjegimin më të mirë.”[2]
E vërteta dhe e drejta është kumtuar thelbësisht nga Zoti i Vërtetë në Kur’anin Famëlartë. E vërteta pra, ka ardhur dhe gënjeshtra është zhdukur.
“Thuaj: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket!”[3] Ajo premtohet nga Allahu “… (Ky është) premtim i vërtetë, që u është premtuar. Mirëpo ndonjëri u thotë prindërve të vet: “Uf ju! A po më premtoni se do të ringjallem, ndonëse para meje kanë kaluar shumë brezni?!” Kur ata i drejtohen Allahut për ndihmë, (duke i thënë djalit): “Mjerë për ty! Beso, sepse premtimi i Allahut është i vërtetë!”, ai përgjigjet: “Këto janë vetëm përrallat e popujve të lashtë!”[4]
“Mos e përzieni të vërtetën me të pavërtetën, dhe të vërtetën mos e fshihni me vetëdije … Me të vërtetë, ata që fshehin shpalljet Tona të qarta, pasi ua kemi shpjeguar njerëzve në Libër (Teurat), do të mallkohen nga Allahu dhe do të mallkohen nga ata (engjëj e njerëz) që janë ngarkuar të mallkojnë Mirëpo atyre që pendohen, përmirësohen dhe tregojnë atë që kishin fshehur, Unë ua pranoj pendimin sepse unë jam Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti.”[5]
Kur bëhet fjalë për të vërtetën Hyjnore, mund të rendisim më poshtë disa tipare kryesore të saj :
– Ide racionale, sepse arsyeja dhe logjika e njerëzve bën të mundur dallimin e të vërtetës nga gënjeshtra;
– Përsosmëria. E vërteta e Allahut është e përsosur, pa kontradikta dhe pa gabime.
– E vërtetë absolute është ajo e kumtuar nga Allahu dhe jo mitet dhe hamendjet e njerëzve.
– E vërtetë shkencore. Sepse gjithë zbulimet e shkencave deri tani dhe ato që do të kryen në të ardhmen, nuk bëjnë gjë tjetër, veçse vërtetojnë të vërtetën Hyjnore.
– Largpamësia. Gjithçka ka parashikuar Allahu në dokumentet e Tij janë të vërteta të pamohueshme dhe do të realizohen medoemos.
– E vërteta si mrekulli e paimagjinueshme dhe e paimitueshme nga njeriu. Si shembull mund të marrim Kur’anin Famëlartë dhe çka brenda në të.
Për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta Allahu Mëshirëplotë dërgon engjëjt, për të cilët betohet në Kuran: “Pasha engjëjt, që u është besuar shpërndarja e reve dhe që i shpërndajnë. dhe që ndajnë qartë (të vërtetën nga e pavërteta). Dhe ata që sjellin shpallje (Libra të Zotit, të Pejgamberit), si arsyetim ose si vërejtje. Nuk ka dyshim se ajo që premtoheni ka për të ndodhur patjetër.”[6] “Më i nderuar prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.”[7]
Për të arritur tek e vërteta është shumë e vështirë, duhet shumë besim, shumë punë e mund, shumë durim. Mjaft njerëz, gjatë gjithë jetës së tyre, as që nuk i afrohen dot së vërtetës. Vetë fjala “insan”, njeri, rob, ka kuptimin “harresë”, “neglizhencë”, “nënvleftësim”.
Shumica e njerëzve blenë rehatinë dhe të mirat e kësaj bote, për të humbur Ahiretin, shpërblimet në Botën tjetër. Në këtë mënyrë atyre u duket sikur po fitojnë, por në të vërtetë janë në një humbje të madhe, katastrofike, gjë të cilën ata nuk e kuptojnë.
Njerëzit e kanë të vështirë ta kuptojnë se e vërteta të çon në devotshmëri dhe devotshmëria të çon në xhenet. E vërteta tё bën tё lirё; ajo ёshtё baza pёr tё bёrё drejtёsi…
Nga shqyrtimi i pjesës së tretë të vargut të tretë të Sures Asr (Kapitulli i Kohës) mund të nxjerrim dy kuptime të rëndësishme:
E para: – Kuptimi i drejtpërdrejtë, që ka të bëjë me praktikimin e së vërtetës dhe drejtësisë nga ana e çdo njeriu dhe të porositurit e njëri-tjetrit për t’iu përmbajtur së vërtetës.
E dyta: – Pranimi i së vërtetës së madhe, se patjetër do të ndodhë momenti i Katastrofës së përgjithshme (El-Hakka), Zoti i Lartësuar, i Gjithëdijshëm, thotë: “Momenti i Katastrofës së përgjithshme (Kiameti). Ç’është Kiameti?”[8] Ibën Kethiri thotë: “Dita në të cilën do të zbatohet premtimi i Allahut për shpërblim e dënim.” (Gjyqi); Buhariu në Sahihun e tij thotë: “Ai është momenti i Katastrofës, sepse në atë ditë do të zbatohet dënimi dhe shpërblimi si dhe do të bëhet grumbullimi i veprave. Ditë e realizuar, kur për disa caktohet vendbanim Xheneti e për disa Xhehenemi.” (Dita e Gjyqit); sepse që të dallohet e vërteta nga e pavërteta duhet Gjyqi, pra Procesi i Gjykimit. Gjykimi Suprem i takon vetëm të Plotfuqishmit, Allahut, të Drejtit, Mëshirëplotit.
Kuptimi i kësaj pjese të ajetit që po shqyrtojmë, sikurse edhe i pjesëve të tjera, pra, është i thellë dhe mbase i pashpjegueshëm nga arsyetimet tona të varfra e të kufizuara nga njohja e pamjaftueshme dhe të metat e natyrshme. Allahu e di më së miri …
-Tё kёshillojmё njёri-tjetrin pёr tё qenё tё durueshёm!
“Durimi është virtyt i lartë”[9]. Durimi është pjesë e besimit. “Durimi është gjysma e besimit dhe Bindja është besim i plotë”. (Hadith)
“O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtet Allahu është me durimtarët.”[10]
Durimi, si cilësi e lartë e njeriut, ka si çmim Shpërblimin e Madh. I duruari, i fituari!
Durimi është njё veti e brendshme e njeriut, bekim nga Zoti; ёshtё sundimi i vetvetes nga vetvetja, pa mbikëqyrjen e dikujt tjetër; durimi është vullnet i fortë, akti fisnik që nxit vetëkontroll, vetëdisiplinë dhe vetëpërmbajtje, për hir të dashurisë për Zotin, Krijuesin e Gjithësisë, Fajfalësin e Pashembullt, Shpërblyesin e Pashoq; pёr hir edhe tё dashurisë pёr njeriun. Durimi, në pamje më të plotë duhet në të dyja drejtimet, në atë aktiv dhe në atë pasiv. Drejtimi aktiv i durimit shfaqet te Këmbëngulja për të arritur një synim të caktuar në rrugën e Allahut.
Për shkak të rëndësisë që ka durimi në jetën e njeriut, në Kur’an përmendet në 46 sure, në 25 forma dhe përsëritet 103 herë.
Kjo bëhet sepse: “Është e vërtetë se njeriu është i prirur të jetë i padurueshëm.” (Hadith)
Durimi nuk duhet parë si një cilësi mburrjeje të vetvetes, si një qëndrim statik, joveprues, por duhet parë në mënyrë aktive, vepruese.
Durimi patjetër duhet ushqyer me vepra të mira, duhet të shpërfaqet në veprim e sipër dhe jo në pritje, pasivitet. Durimi është një kurs i gjatë dhe i vështirë trajnimi për të ushtruar vetveten, për të kalitur dhe aktivizuar në rrugë të drejtë vullnetin. Njё shpirt i ngopur me besim e bën njeriun tё ketё durim. Njeriu i lutet Zotit pёr ndihmë, por ka vonesë nga koha e lutjes deri nё përmbushjen e saj; Zoti e di mё sё miri, por njeriu duhet tё bёjё durim…
Për të fituar dituritë e bekuara nga Zoti i Gjithëditur duhet punë dhe durim.
“… Ata që bënë mirë në këtë jetë, kanë të mirë të madhe, e Toka e Allahut është e gjerë, ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”[11]
“Ti bëj durim, se premtimi i Allahut është i vërtetë, kërko falje për mëkatin tënd, lartësoje me falënderim Zotin tënd mëngjes e mbrëmje.”[12]
Shpesh herë Durimi dhe Falja ecin së bashku, si dy virtytet më të larta të njeriut. “Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm)”[13]
“Në qoftë se doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni ndëshkuar ju; e nëse duroni, padyshim ai është më i mirë për ata që durojnë. Pra, të jesh i durueshëm! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut.”[14]
Durimi ecën gjithashtu përkrah me Bamirësinë.
“Dhe ti ji i durueshëm, se Allahu nuk ua humb shpërblimin bamirësve.”[15]
Përse një njeri vepër mirë ose bamirës duhet të jetë edhe durimtar?! Kjo ndodh sepse në të shumtën e rasteve, vepra e mirë në dobi të tjetrit, ose edhe bamirësia nuk shpërblehet siç duhet, madje kthehen në të kundërtën e tyre. Prandaj ka dalë edhe ajo shprehja popullore, që përdoret nё ndonjë rast: “Bëj mirë, të gjesh keq!”. Një gjë e tillë vjen nga përvoja shumëshekullore e popullit. Po japim një shembull. Të vjen dikush që ka nevojë t’i huash ca para, për të zgjidhur një hall. Të betohet se do të t’i kthejë të hollat në një afat të caktuar, që edhe ti të mos ndodhesh ngushtë. Ti beson, ia kupton hallin tjetrit dhe i jep hua prej kursimeve të tua, pasi nuk mund t’ia falësh. Vjen koha e kthimit të borxhit dhe huamarrësi nuk të vjen që të shpjegohet për vonesën e të hollave. Ti vihesh në siklet të madh. Të vjen zor të kërkosh të hollat e tua. Pastaj kalon mjaft kohë dhe ti mbetesh ngushtë. Shqetësohesh shumë dhe pendohesh që i ke hapur një telash të madh vetes. Puna s’të pret. Shkon te borxhmarrësi me një barrë turp dhe i thua për borxhin e huajtur. Dhe e di se si të përgjigjet ai, në vend që të të falënderojë dhe të të kërkojë të falur?! “Nuk kam!”, të thotë. Dhe kur ti ngul këmbë, ta pret, pa pikë turpi: “Pate, pa m’i dhe! Kur të kem edhe unë …” Prandaj vepërmirët dhe bamirësit duhet të bëjnë durim dhe të jenë zemërgjerë.
Durimi dhe këmbëngulja ecin krah për krah me besimin tek Allahu, me frikën nga ndëshkimi në Ditën e Gjykimit.
“Ti ec pas asaj që të shpallet dhe bëhu i durueshëm, derisa Allahu të gjykojë. Ai është më i miri i gjykatësve!”[16]
“Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, ajo është e madhe (e vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin).”[17]
“O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të Allahut.”[18]
Ekzistojnë disa forma të durimit, të cilat po i grupojmë në dy kategori:
Së pari: – Durimi nga brengat dhe hidhërimet që i shkaktohen njeriut nga humbja e atyre që i ka gëzuar më parë në jetën e vet, reagimi ndaj të gjitha llojeve të sprovave dhe shqetësimeve që shkaktohen nga humbja e pasurisë, jetës, shëndetit, pozitës, punës, njerëzve të dashur, parave, etj.
“Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta, e edhe nga frytet, po ti jepu myzhde (lajm të mirë, sihariq) Durimtarëve.”[19]
“Ju patjetër do të sprovoheni si në pasurinë tuaj, si në veten tuaj, madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që u është dhënë libri para jush, e edhe prej idhujtarëve, por nëqoftëse duroni dhe ruheni, ajo është gjëja më vendimtare.”[20] “Ti, pra, duro, me një durim pa ankesë (të mirë).”[21]
Së dyti: – Durimi për përballimin, sundimin, frenimin e nepseve, të cilat dëshiron t’i plotësosh dhe për të cilat Shejtani i Mallkuar të cyt pandërprerë, të ngacmon, të nxit t’i realizosh; durimi ndaj gjithë llojeve e dëshirave të ethshme të mishit, të trupit, siç janë ato për të fituar sa më shumë pasuri e para, famë, lavdi, pozitë, gra, etj. Nё njё hadith jepet porosia: “Kini kujdes e frenoni atë nё mes tё dhëmbëve (gjuhën) dhe atё nё mes tё kёmbёve (gjenitalet)!”
Nё gjuhёn shqipe, tё bekuar nga Perëndia (N. Frashёri) fjala FE ka germat e para tё thelbit tё çdo besimi, Frenimi i Epshit(Egos)…
E pyetën njëherë ndjekësit e ndershëm, të Dërguarin e Allahut: “Cilët njerëz janë më të vlefshëm?!” Pejgamberi tha: “Besimtari që lufton me vetveten dhe pasurinë e tij në rrugën e Allahut.”
“Dhe ki durim ndaj asaj që të thonë dhe largoju atyre i matur. Dhe më lër Mua, për ata, gënjeshtarët pasanikë dhe jepu atyre pak afat.”[22]
Janë, pra, shumë të fituar ata që praktikojnë durimin në jetë dhe këshillojnë njëri-tjetrin të jenë të durueshëm në vështirësi e mundime, në zbatimin e urdhrave të Zotit, në largimin prej punëve të këqija e të ndyra. “Është mё e mirë ajo vepër, në të cilën njeriu ngul këmbë dhe e shpie deri në fund, sado e vogël qoftë ajo vepër.” (Hadith)
Durimi i njeriut, kur bashkohet me urtësinë, diturinë, edukatën dhe devotshmërinë ndaj Krijuesit Suprem dhe Profetit, fiton mirësi, bukuri dhe thellësi të tilla, saqë e kënaq plotësisht shpirtin e njeriut dhe e kthjellon mrekullisht mendjen e tij. Pejgamberi ka dhënë një porosi lapidare: “Kush niset për rrugë që të kërkojë dituri, Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për në Xhenet”.
Zoti Lavdiplotë na porosit në Kur’an që të lutemi vazhdimisht: “O Zot, shtoma diturinë!” Po a mund të fitohet dituria në kohën e sotme, me këtë shkallë zhvillimi pa punuar me këmbëngulje dhe durim të madh?! Afërmendsh që jo.
Dituria është e bekuar nga Zoti, po edhe dijetarët janë të bekuar gjithashtu.
“…për dijetarin falje kërkojnë çdo gjë në qiej dhe në tokë, madje edhe peshqit në ujë.” (Hadith) Por “Besimtari nuk ngopet nga e mira, derisa nuk përfundon në xhenet” (Hadith). Duke u pajisur me të tilla cilësi, njeriu bëhet i plotë, i ngopur në shpirt e trup, i devotshëm për të dyja jetët.
Durimi bazohet te Zoti, te madhërimi i Zotit të Plotfuqishëm:
“Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e madhe ose më e mirë se DURIMI”
“Kush kërkon durim, Allahu sigurisht do t’ia japë.” (Hadithe).
Myslimani duhet të jetë SHEMBULL dhe SHKAK për të tërhequr njerëzit e tjerë në rrugën e Mirësisë, Paqes, Adhurimit të Krijuesit dhe progresit të përgjithshëm të shoqërisë njerëzore.
Edhe njerëzit e mëdhenj, të cilët e kanë çmuar fenë tonë, kanë praktikuar dhe propaganduar durimin. “ Gjeniu është durim “ , ka thënë J. V. Gëte, poeti i madh gjerman.
Lum ai që është durimtar !
Shembuj durimtarësh të devotshëm kemi plot. Simbol dhe model kemi Pejgamberin tonë të dashur, Profetin Muhamed, paqja, bekimi dhe mirësitë e Zotit qofshin me të!; kemi profetët e tjerë, Hz. Musain, Isain, Jusufin … , evlijatë, dijetarët, agjëruesit, dëshmorët e atdheut, të fesë sonë të ndritur, etj.
Profeti ynë ka qenë njëkohësisht ndër njerëzit më të lumtur, sepse Zoti atij ia plotësoi dëshirat, për të cilat punoi, vuajti dhe duroi gjithë jetën. Umeti i tij është i madh dhe më shumë do të shtohet në të ardhmen. Ne jemi dëshmitarë edhe sot, kur siç thotë edhe poeti, ata që ndjekin rrugën e Zotit dhe të Profetit janë me miliarda:
Një armatë shokësh, sup më sup,
Më madhështorja përmbi dhe!
Ka shumë prova për njeriun, derisa të vijë shpërblimi, sikurse thamë. Provat duhen kaluar me durim. Madje njeriu prandaj ka ardhur në këtë jetë; Allahu e ka krijuar këtë botë si shesh sprovash për krijesën e tij të dashur, Njeriun. Dhe këto prova nuk mund të kalohen ndryshe, veçse me durim e këmbëngulje.
Bëj durim, o njeri, gjithë jetën, se kështu do të meritosh dashurinë, mëshirën dhe shpërblimin e Zotit të Madh.
“Dije vërtet se ndihma është me durimin, gëzimi me dëshpërimin, kurse në çdo vështirësi ka lehtësim.” (Hadith)
Ndër njerëzit, ka të tillë që janë durimtarë të mëdhenj dhe nuk iu nënshtrohen dëshirave të epshit, nuk veprojnë sipas zilisë dhe hasedit (smirës), për rrjedhojë, jeta e tyre është e bekuar dhe e shpërblyer në të dy botët, në Dynja dhe në Ahiret.
Ka edhe njerëz të tillë, të cilët janë burim sherri, njerëz simbole të mosdurimit, intolerantë. Ata janë të humbur në të dy jetët. Zoti i ktheftë në rrugë të mbarë!
Është shumë e njohur këshilla e mrekullueshme e Muhamedit, Profetit tonë të dashur, për të gjithë besimtarët “Mos u zemëro!”, këshillë këmbëngulëse kjo, që ka kuptimin “Bëj durim!”
Kurani, ky Libër i Shenjtë, përshkohet tej e ndanë nga Ligji Moral i Masës. Në këtë rast mund të përmendim thënien: “Duroni! Mos e teproni! Në të mirë e në të keq …”
[1]. Mu’minun 23: 70-71, 90.
[2]. Furkan 25: 33.
[3]. Isra’ 17: 81.
[4]. Ahkaf 46: 16-17.
[5]. Bekare 2: 42, 159-160.
[6]. Murselat 77: 3-7.
[7]. Huxhurat 49: 13.
[8]. Hakka 69: 1-2.
[9]. Fussilet 41: 35.
[10]. Bekare 2: 153.
[11]. Zumer 39: 10.
[12]. Gafir 40: 55.
[13]. Shura 42: 43.
[14]. Nahl 16: 126-127.
[15]. Hud 11: 115.
[16]. Junus 10: 109.
[17]. Bekare 2: 45.
[18]. Imran 3: 200.
[19]. Bekare 2: 155.
[20]. Imran 3: 186.
[21]. Mearixh 70: 5.
[22]. Muzzemmil 73: 10-11.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...