Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 19, 2015 Zani i Nalte Shkenca Komunikimi, Studime 0
nga Prof. As. Dr. Gentiana Skura
Universiteti i Tiranës
Fakulteti i Filologjisë
Departamenti i Shkencave të Komunikimit
Abstrakt
Ende nuk ka një përcaktim të qartë se çdo të thotë “gjuhë e urrejtjes”, por deri më tani ka dominuar ideja se “gjuha e urrejtjes” mbulon të gjitha format e shprehjes që përhapin, nxisin dhe promovojnë urrejtjen racore, fetare, ksenofobinë, antisemitizmin ose forma të tjera të urrejtjes të bazuara në intolerancë e shprehur nga nacionalizmi dhe etnocentrizmi agresiv, diskriminimi dhe armiqësia kundër pakicave dhe emigrantëve.
Fjalë kyçe: gjuhë e urrejtjes, luftëtarët shqiptarë në Siri, media online, informim
“Gjuha e urrejtjes” – imazhet negative të prezantuara në media kundrejt përkatësisë etnike, fetare, edhe të tjera janë objekt i rëndësishëm studimi në ditët e sotme. Me zhvillimet e rëndësishme mediatike si dhe teknologjisë panorama mbarëshqiptare është e kërcënuar nga “gjuha e urrejtjes”. Deri më tani ekzistojnë disa iniciativa, por jo sistematike në lidhje me monitorimin e gjuhës diskriminuese.
Opinioni shqiptar në muajt e parë të këtij viti u njoh me një temë tejet delikate – arrestimet e disa personave të akuzuar si rekrutues të luftëtarëve shqiptarë të përfshirë në konfliktin sirian. Pasqyrimi mediatik dhe komentet rreth kësaj ngjarjeje do të jenë objekti i studimit të këtij artikulli, i kryer përgjatë periudhës mars-prill 2014 të faqes online të gazetës Dita dhe portalit Albeu.com; në Kosovë janë përzgjedhur faqja online e Koha ditore (më e shitura), koha.net si dhe gazeta e parë online gazetaexpress.com; në Maqedoni – gazeta online Lajm dhe portali Portalb.
Monitorimi ka përfshirë rubrikën e kronikës më saktësisht temën mbi luftëtarët shqiptarë në Siri dhe qëndrimet ndaj këtij rasti, bazuar në raportimin e ngjarjeve, gjuhës së përdorur, stereotipet, si dhe filtrat vetë-rregullues të medias online.
Media ndihmon në përforcimin e imazheve apo edhe stereotipeve ekzistuese në shoqëri. Në këtë aspekt nëpërmjet monitorimit të medias ne mund të hasim mangësitë dhe gabimet, të cilat mund të shërbejnë më pas për të zhvilluar një model të sjelljes së saj me qëllim parandalimin e përdorimit të gjuhës së urrejtjes. Një model i tillë do të na ndihmojë po ashtu të mbështesim dialogun e të jetuarit së bashku; parandalimin e qëndrimeve konfliktuale, apo edhe shfaqjen e krizave të sigurisë në rajon.
Ende nuk ka një përcaktim të qartë se çdo të thotë “gjuhë e urrejtjes”, por deri më tani ka dominuar ideja se “gjuha e urrejtjes” mbulon të gjitha format e shprehjes që përhapin, nxisin dhe promovojnë urrejtjen racore, fetare, ksenofobinë, antisemitizmin ose forma të tjera të urrejtjes të bazuara në intolerancë e shprehur nga nacionalizmi dhe etnocentrizmi agresiv, diskriminimi dhe armiqësia kundër pakicave dhe emigrantëve[1].
Referuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut duhet bërë dallimi midis “nxitjes reale dhe serioze të ekstremizmit” dhe të drejtës së individit; të drejtës së gazetarit për t’u shprehur lirshëm. ekziston liria e fjalës, edhe pse dhe sot e kësaj dite vihet në pikëpyetje nëse është absolute apo jo. Por liria e shprehjes është e kufizuar sidomos në situatat e rreziqeve për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, parandalimin e krimit, mbrojtjen e dinjitetit ose të drejtave të të tjerëve etj. Në debatet rreth miratimit të ligjeve të veçanta kundër “gjuhës së urrejtjes” (që janë të domosdoshme veçanërisht në kohë krizash, kërcënojnë paqen civile nga format e tyre ekstreme të armiqësive, si dhe në hartimin e mënyrave dhe mekanizmat e ndërtimit të paqes pas konfliktit), disa këmbëngulin se liria e shprehjes është një e drejtë absolute dhe se të drejtat e njeriut janë të pandashme.
Gjuha e urrejtjes përfshin shprehjet e përdorura për stigmatizimin, demonizimin dhe dehumanizimin e grupeve në lidhje me identitetin etnik, fetar, racor, politik, seksual dhe / ose të tjera të identitetit të tyre kombëtar. Gjuha e urrejtjes provokon, nxit dhe inkurajon veprime, të cilat shpesh mobilizojnë veprime të dhunshme. Më shpesh kemi të bëjmë me “dhunën simbolike” (në kuptimin e Bourdieu). Gjuha e urrejtjes është një nga elementet më thelbësore në të gjithë “imazhin e medias”, në tablonë e përgjithshme simbolike të realitetit të cilin ndërton media. Kësisoj gjuha e urrejtjes është një pengesë e fortë për parandalimin e konflikteve dhe ndërmjetësimin, apo edhe sigurinë e paqes në vend dhe rajon.
Lufta e Sirisë është një nga vatrat më të nxehta të konflikteve në botë. Që nga nisja e saj në pranverën e 2011 ka gjeneruar në një mori të vrarësh civilë dhe ushtarakë. Media shqiptare është përpjekur ta transmetojë atë referuar informacioneve të medias botërore, por, ajo që e detyroi të ishte më e vëmendshme dhe t’i kushtojë më shumë rëndësi, ishte përfshirja e një grupi shqiptarësh në konfliktin sirian.
Lajmi që ngacmoi opinionin publik shqiptar ishte ai i datës 12 mars me titullin: “Lufta në Siri, zbulohet celula terroriste në Tiranë”[2], i botuar pothuajse në të gjitha gazetat brenda dhe jashtë vendit. Lajmi jepte informacion të detajuar për mënyrën e arrestimit, akuzat që rëndonin mbi të arrestuarit, intervista të personave okularë rreth mënyrës sesi policia kishte kryer aksionin e detaje të tjera.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Komunitetit Mysliman Shqiptar, sipas të cilit personat e arrestuar janë imamë të vetëshpallur dhe se xhamia në të cilën ata kryenin shërbesat e tyre nuk ishte nën juridiksionin e Komunitetit. Në deklaratën zyrtare KMSH theksoi se “U kemi bërë thirrje xhamive që të mos merren me dërgimin e shqiptarëve në Siri. Ajo është luftë e ndaluar”[3]. Vlen të përmendet këtu se edhe kryetari i ri i KMSH, z. Skender Bruçaj në daljet mediatike do të nënvizonte se KMSH me anë të strukturave që posedon iu ka bërë thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë t’i rrinë larg përfshirjes në konfliktin e Sirisë, sepse nuk është një luftë fetare dhe nuk zgjidhet, apo sillet paqja me pjesëmarrje individuale apo në grupe në konfliktet e armatosura në vende të tjera, pavarësisht ndjeshmërisë humane ndaj asaj që fatkeqësisht po ndodh atje. Një punë e madhe në këtë rast është bërë nga myftitë dhe imamët e gjithë Shqipërisë, në zbatim të qarkoreve të dërguara nga ana e KMSH-së[4].
Më 13 mars në portalin e koha.net botohet reagimi i kryetarit të Komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata, i cili theksoi se “Shërbimi sekret serb nxit shqiptarët të shkojnë në Siri”[5]. Lata haptazi shfaqi dilemën se motivi kryesor për shkuarjen në Siri, nuk është lufta për fenë islame, por futja e hutisë dhe përçarjes dhe se “me këtë punë merren të gjitha shërbimet në rajon, por më së tepërmi shërbimi sekret serb”[6].
Lajmet që shqiptarët nuk duhet që të merrnin pjesë në këtë luftë erdhën edhe nga Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah Bin Zayed Al Nahyan që u shpreh se: “Nxitja e një fenomeni të tillë është krejtësisht e gabuar. Vetë populli sirian kërkon që luftëtarët e huaj të dalin nga territori i Sirisë. Është më se e nevojshme që të parandalohet fenomeni i dërgimit të personave për të luftuar në Siri, dhe të angazhohemi të gjithë së bashku që rinia të mos bjerë pre. Duhet ta luftojmë nga ana ideologjike këtë fenomen”[7]. Gjithashtu në media u paraqit edhe një prej liderëve të opozitës Siriane, Sheiku Faris Al-Tai i ngarkuar si ambasador paqeje në botë për më shumë se 11 milionë sirianë. Express i vendosi këtë titull lajmit “Opozita siriane, lufta në Siri është politike dhe ekonomike, s’duam xhihadistë shqiptarë”[8]. Shkrimi i referohet deklaratave të Sheikut Faris Al-Tai, sipas të cilit Siria nuk ka nevojë për xhihadistë shqiptarë duke theksuar se shqiptarët duhet të kishin kujdes të mos binin pre e propagandave ekstremiste.
Në gazetat shqiptare qarkulloi lajmi i profilit të dy imamëve të vetëshpallur me titull “Rrjeti i rekrutimeve, profili i imamëve të vetëshpallur”[9]. Ky informacion u dha tejet i zgjeruar dhe me foto në faqe të parë në pjesën e konsiderueshme të shtypit shqiptar. Duke cituar prokurorinë shtypi i paraqiti si teologë radikalë që propagandonin islamin e dhunshëm, nxitnin urrejtjen ndaj besimtarëve dhe besimeve të tjera, nxitnin frymën e përçarjes brenda Komunitetit Mysliman, si dhe frymëzues dhe organizatorë në rekrutimin, organizimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimanë shqiptarë për “Xhihad luftarak” në Siri[10].
Kuptohet kur lexohen këto rreshta çdokush ndihet keq. Por duke dhënë informacionin për veprimtarinë e imamëve, të cilët “prej 6 vitesh ushtronin aktivitet fetar ilegal” askush nga gazetarët nuk u interesua se përse janë lënë prej kaq kohësh të punojnë në ilegalitet, megjithëse strukturat shtetërore qenkërkan në dijeni të këtë informacioni.
Lajmet nga fundi i muajt mars flasin për përfshirje të shqiptarëve në grupet terroriste. Citojmë disa nga titujt kryesorë: “Shërbimi Informativ Shtetëror: Shqiptarët në Siri janë rreshtuar me terroristët, jo me opozitën”, “Shqiptarët në Siri, luftojnë në krah të Al-Kaedas”, “Shqiptarët në Siri luftuan në grupin e çeçenëve”, “SHISH: fëmijë dhe gra të 13 luftëtarëve shqiptarë iu bashkuan luftës në Siri”, “Shqiptarët në Siri, luftë e pengmarrje mes njëri-tjetrit”. Siç vihet re media ka vënë theksin te “shqiptarët në Siri”, të cilët njëherë janë rreshtuar me çeçenët, njëherë me terroristët, njëherë janë në krah të Al-Kaedas, e se kanë edhe “luftë mes njëri-tjetrit”. Titujt janë domethënës, por të parë në grup janë po ashtu edhe çorientues, pasi nga njëra anë kërkojnë që në fillim të japin informacion, nga ana tjetër nuk sqarohet saktë se për kë po luftojnë shqiptarët në Siri. Mbi të gjitha, numrin e shtetasve shqiptarë të larguar për në Siri, nga ç’zona të vendit janë, çfarë moshe kanë kryesisht, etj.? A duhej të përgjithësohej që në tituj me “shqiptarët”?
Sipas një raporti të Shërbimit Informativ Shtetëror, në Siri ndodhen të paktën 31 fëmijë shqiptarë, të cilët janë atje ose me nënat, pasi baballarët u janë vrarë gjatë luftimeve, ose me baballarët, pasi ka raste që kanë udhëtuar vetëm me ta drejt Sirisë. Në këto lajme tregohen implikimet e shqiptarëve që kanë shkuar në Siri me aktet kriminale dhe terroriste.
Në gazetat online përmendet po ashtu edhe një arsye tjetër për përfshirjen e shqiptarëve në konfliktin sirian. Kështu në gazetën Mapo të datës 22.03.2014 prezantohet intervista e korrespondentit shqiptar të luftës, Vedat Xhymshiti dhënë për Revistën Mapo[11], sipas të cilit ka shqiptarë që atje janë thjesht për arsye ekonomike. Më tej vazhdohet me dialogun mes tij dhe me njërit prej luftëtarëve: “Dëgjo Vudi, – më tha njëri prej tyre, – kam luftuar për Kosovën, për Preshevën, për Maqedoninë, por familja ime akoma vuan dhe unë nuk mund t’i shkolloj fëmijët e mi. Erdha të luftoj në Siri sepse dihet që në vendet arabe, luftëtarët pas çlirimit, përfitojnë benefite”. Korrespondenti Xhymshiti ngre mjaft pikëpyetje, madje flet edhe për konspiracion e për lejim (mbyllje sysh) nga shtetet në Shqipëri e Kosovë që këta persona të shkojnë në Siri, ku u bashkohen ekstremistëve, që sipas tij më shumë e dëmtojnë sesa e ndihmojnë Sirinë.
“Celula terroriste e Tiranës, hetohen gratë e xhihadistëve” është një shkrim tjetër, ku “bëhet me dije se SHISH-i po punon mbi të dhëna të ndryshme për persona që mendohet se janë pjesë e stafit të ambasadave arabe në vendin tonë, për të cilët ka dyshime se janë ideatorë si dhe përkrahës të xhihadizmit”[12]. Ky informacion është tejet i rëndësishëm dhe diskret për ta ndarë me publikun, aq më tepër që flitet në përgjithësi dhe çon në konfuzion dhe paragjykim nga ana e audiencës për stafet e përfaqësive diplomatike të vendeve arabe të akredituara në Shqipëri.
Nga prokuroria nuk dalin vetëm këto informacione, por edhe përgjime të personave të akuzuar për terrorizëm. Kështu mësohet se i vetëquajturi imam i xhamisë së Mëzezit njoftonte ndjekësit edhe për vrasjet, të cilët i quante “shehid”. Bazuar në përgjimet që gjenden në dosjen kundër imamëve, mësohet se më datën 10 tetor 2013, besimtarëve të tjerë imami iu ka bërë të ditur se kishte rënë në luftë H. M., i njohur mes besimtarëve me emrin Ebu Enesi. Sipas përgjimit, imami mësohet të ketë thënë se: “Nga muxhahidët shqiptarë që janë në Siri, ka rënë shehid vëllai mysliman me emrin fetar Ebu Enesi nga Lapraka dhe është vëllai musliman Hamit Muslija. Inshalla Ebu Enesi, ka rënë shehid, e ne duhet të gëzohemi për këtë gjë, të gëzohemi për të që Allahu ia mundësoi xhenetin (parajsën) si shehid. Ne duhet të mërzitemi për vetet tona që allahu nuk na e ka mundësuar shehidllikun, e inshalla ia mundëson secilit prej nesh dhe çdo myslimani të devotshëm. Kjo është ajo që duhet të na mërzisë dhe jo vdekja e atij vëllait, se ai ka marrë gradën më të lartë tek allahu, shehid inshalla…”[13]. Veçojmë këtu po ashtu edhe botimin e bisedës së A. D. me një të afërm të një shqiptari të vrarë, në Facebook, ku u komunikon se ai u vra në Siri nga një shpërthim. “i tregon se iu copëtua kushëriri dhe e fton: Eja edhe ti në Siri…” (18.04.2014)[14]. Është nga shkrimet që ka pasur komentet më të shumta në numër nga ku mund të shkëputet një si më i moderuari me nickname Martin Gashi: Shqipëria tashmë u përça si në 1914: ca vriten për NATO-n, ca për Al-Kaedën…
Këta persona janë në proces gjyqësor e për këtë arsye nuk mundej të jepej në asnjë mënyrë dosja e përgjimeve. Janë disa raste përgjimesh, të cilat media i jep në detaje. Dhe këtu mund të thuhet se “transparenca mediatike” nuk ndihmon absolutisht në procesin gjyqësor, përkundrazi shton më shumë hapësirën e keqkuptimeve, keqinterpretimeve e sidomos edhe gjuhën e urrejtjes.
Më tej gazeta thekson faktin se janë “familjarë të viktimave, të cilët trokasin në prokurori për të treguar gjithçka dinë mbi kontaktet e njerëzve të tyre me dy imamët e vetëshpallur, të cilët janë edhe përgjegjësit kryesorë për ngritjen e mekanizmit të xhihadizmit në vendin tonë”[15].
Nga monitorimi dy mujor i dy portaleve online në Kosovë bie në sy se kanë pasur nga 10 lajme secili. Rastësia ka ndodhur që të dyja të kenë nga 8 lajme secila për muajin mars dhe nga 2 lajme për muajin prill. Afro 80 % e lajmeve janë të marra nga agjenci të tjera. Të dy portalet kanë lajme të marra nga BallkanWeb, Shekulli, Panorama, Shqip, etj.
Autorësia jepet thuajse gjithmonë nga Koha dhe Express. Nuk ka asnjë emër gazetari për të tilla lajme. Në portalin Express nuk ka komente për 10 lajmet e tematikës tonë. Ndërsa tek Koha mundëm të gjenim 10 komente. Lajmi më i komentuar ishte: “Imami i vetëshpallur: Vdekja e Muslisë na gëzon, u bë dëshmor”[16]. Objekt i diskutimit është përsëri çështja fetare, komentuesit debatojnë mes tyre nëse lufta në Siri është një luftë e drejtë apo jo. Por, këtu vlen të përmendim që lajmet shpërndahen edhe në faqet e këtyre gazetave në rrjetin social Facebook, ku ka komente të mëdha në numër, por që nuk janë përfshirë në monitorimin në fjalë.
Lajmi që i kanë dhënë më tepër rëndësi dhe që kanë dashur ta personalizojnë ka qenë deklarata e ambasadores amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, e cila bën thirrje që të gjitha institucionet të reagojnë ndaj problemit të shkuarjes së kosovarëve për të luftuar në Siri. Të dyja portalet kanë të njëjtin titull: “Jacobson: Kosovarët në Siri po radhiten me grupe radikale” (Express)[17], dhe (Koha)[18]. Lajmi është publikuar i pari nga Express, 20 min përpara Kohës. Të dyja janë kujdesur që foton ta prezantojnë si të tyren origjinale me të drejtë autori, duke i mbivendosur logon përkatëse.
Siç u tha më lart nuk ka as komente, as analiza për temën në fjalë. Ajo çfarë kanë mundur të na pasqyrojnë këto dy portale për dy muajt e vëzhgimit ishte thjesht informim, pjesa më e madhe e të cilit, siç u theksua merret nga faqet online të gazetave në Shqipëri. Megjithëse edhe Kosova nuk ka mbetur pas me luftëtarët e larguar për në Siri, gazetarët kosovarë mbeten kryesisht thjesht te informimi e jo te investigimi i kësaj çështjeje.
Ndërkohë shumë më pak prezantohet kjo tematikë në faqet online të gazetave në gjuhën shqipe në Maqedoni. Edhe në rastet kur ka pasur informime për humbjen e ndonjë luftëtari shqiptar maqedonas në luftën e Sirisë informacioni ka qenë shumë i shkurtër, në trajtat e një informimi për humbjen e dikujt. Kjo mund të justifikohet edhe me periudhën parazgjedhore parlamentare dhe presidenciale në vend, periudhë e cila ishte e ngjeshur me ngjarje politike. Edhe në ato raste kur është informuar sërish lajmet janë marrë nga gazeta të tjera online. Për shembull në shkrimin me titull “Arrestimi i imamëve, besimtarët: shteti në luftë me Islamin”[19] lajmi është marrë nga Bota sot. Duke sqaruar sesi kanë hyrë forcat policore në xhami, një nga intervistuesit thotë se “Asnjë besimtar s’ka vepër penale. Njerëz që praktikojnë Islamin urdhërojnë të ndahen nga e keqja. Shteti e ka sajuar nëse duan le ta vazhdojnë, por kjo është luftë ndaj Islamit. Ata janë edukatorët tanë. Na kanë mësuar ne të sillemi mirë dhe të largohemi nga e keqja”[20] (Koha, Arrestimi i imamëve, besimtarët: Shteti në luftë me Islamin, 11.03.2014).
Në lidhje me komentet, media online paraqet problematikë të theksuar. Një pjesë e madhe e komenteve jepen pa u moderuar dhe në të shumtën e rasteve fyejnë e denigrojnë pafund fenë Islame dhe personat e përfshirë në konfliktin e Sirisë. Madje shkojnë e më tej, duke nëpërkëmbur edhe besimtarët e tjerë myslimanë. Albeu.com ka aplikuar politikën e filtrimit apo edhe bllokimin[21].
Për gazetarinë online komentet janë një hapësirë interaktive, sepse merret opinion dhe qëndrimi që kanë lexuesit në lidhje me ngjarjet dhe informacionet. Një nga arsyet se pse një pjesë e madhe e websiteve online nuk i moderojnë komentet është pikërisht numri i klikimeve; nga njëra anë ky mund të jetë një rritje e fluksit të lexuesve, por nga ana tjetër kjo çon në shkelje të rëndë të kodit të etikës. Gazetat Dita, Shekulli, Panorama etj., kanë gjithë hapësirën e tyre dukshëm pa asnjë moderim. Ndërkohë që Albeu.com megjithëse është i rezervuar në komente sërish mbetet një website i ndjekur; për momentin renditet i gjashti sipas Alexa.com[22]. Shembulli i Albeut është një rast i mirë për të thënë se nuk mjafton të jepen të gjitha komentet me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes për të qenë i ndjekur e për të marrë sa më shumë vëmendjen e lexuesve. Sipas drejtuesit të Albeut, Idaver Sherifit, moderimi i komenteve ndikon shumë pak në lexueshmërinë e portalit. “Ata që vërtetë duan të komentojnë dhe kanë ide dhe qëndrime për të shprehur, ne i publikojmë. Por, kur qëllimi është vetëm të shahet dhe ofendohet normalisht që publikohen pjesërisht ose nuk publikohen fare”[23]. Strategjia e Albeut është që të lexohen lajmet, e jo e gjithë vëmendja të kalojë te komentet. Për këtë arsye bëhet kujdes në paraqitjen e lajmeve në mënyrë që të mos nxiten shumë debate sidomos në tema me përmbajtje fetare dhe etnike.
Në përfundim duhet thënë se ka një dallim të dukshëm mes përmbajtjes së prezantuar në media nga gazetarët dhe asaj që gjendet në komentet e vizitorëve, kur bëhet fjalë për gjuhën e përdorur në to. Kështu, gjuha e urrejtjes dhe gjuha denigruese, fyerjet dhe sulmet personale janë shumë herë më të theksuara dhe më të pranishme në komentet për shkrimet sesa në vetë shkrimet. Kjo, siç u tha më lart, vjen për arsye të mos-filtrimit të komenteve. Redaksitë e gazetave online vuajnë nga burimeve njerëzore që mund të angazhoheshin për këtë qëllim, por në ndonjë rast edhe për shkak të politikës editoriale, që lejon qëllimisht komente të rënda që adresohen në lidhje me fenë islame, apo edhe luftëtarëve në Siri.
Nëse marrim në analizë vetë tekstin e shkrimeve, gjuha më e rëndë gjendet tek etiketimet terrorist, xhihadist, fundamentalist. Burimet zyrtare që gazetarët përdorin janë të pakta, në disa raste burime nga prokuroria, apo edhe përfshirjen e përgjimeve telefonike, të cilat duhet të jenë ekskluzivisht vetëm për hetime. Në të shumtën e rasteve gazetarët janë përpjekur të intervistojnë të afërmit e personave të përfshirë në konfliktin e Sirisë për të kuptuar më shumë rreth shkaqeve që i kanë çuar këta persona të marrin atë vendim. Dalin dy arsye të forta, kundërshtuese me njëra-tjetrën. Në jo pak raste flitet për persona të varfër, të cilët marrin përsipër të shkojnë në Siri kundrejt një pagese të mirë, por ka edhe raste të pasqyruara si “shkuarje për xhihad”. Por, fatkeqësisht nuk kemi shpjegime të qarta për konceptet xhihad dhe terrorizëm.
Mediat e Kosovës dhe Maqedonisë kanë pothuajse paraqitjen e njëjtë të kësaj tematike të marrë nga sitet shqiptare. Në shumë raste madje nuk është vendosur as burimi nga është marrë. Këto shkrime nuk kanë dallim as nga titujt.
Vihet re se mediat e Kosovës dhe Maqedonisë presin vetëm nga pasqyrimi mediatik i mediave shqiptare e vetëm në ndonjë rast mund të kenë informacion ose daljen publike të figurave si Kryetarët e Bashkësisë Islame në të dyja shtetet apo dhe ambasadorja e SHBA në Prishtinë.
Ky ishte një rast i rëndësishëm jo vetëm për gazetarinë shqiptare, por edhe për strukturat shtetërore në lidhje me dhënien e informacionit sidomos në çështje kaq delikate për shoqërinë tonë. Po ashtu, ishte tejet domethënës edhe për gazetarët dhe raportimin e ngjarjeve. Për hir të së vërtetës gazetarët janë përpjekur të jenë të matur në paraqitjen mediatike, paçka se në disa raste, ndoshta edhe për arsye të raportimit sa më të shpejtë, kanë hasur në paqartësi apo edhe gabime. Gjithsesi mund të theksohet fakti se raportimi i kësaj çështjeje në këndvështrimin e gazetarëve ka qenë relativisht i matur. Gjithsesi, nuk mund të lemë pa sugjeruar trajnimin e gazetarëve në lidhje me raportimin e çështjeve lidhur me fenë. Trajnime me këtë tematikë janë tejet të domosdoshme në kushtet aktuale në vend dhe botë.
Siç u tha më lart problemi qëndron te gjuha e komentuesve, e cila lë shumë hapësirë interpretuese. Ka ardhur koha që mediat online të aplikojnë domosdoshmërisht moderimin. Vetëm kështu do mundet që të minimizohen diskriminimi, fyerjet; më saktë gjuha e urrejtjes në hapësirat mediatike online.
Bibliografia:
[1]. http://www.coe.int/t/dghl/standardsetting/hrpolicy/other_committees/dh-lgbt_docs/CM_Rec%2897%2920_en.pdf. Shih po ashtu: HATE SPEECH AND THE MEDIA, 2011. COUNCIL OF EUROPE. http://www.coe.int/t/dghl/cooperation/media/Meetings/Hate%20Speech%20Background%20Paper.pdf;
“Нate speech” in the Вalkans. The International Helsinki Federation for Human Rights, 1998 http://www.greekhelsinki.gr/pdf/hatespeech.pdf; Anne Weber, Manual on hate speech, 2009 http://book.coe.int/ftp/3342.pdf; Elihu D Richter MD MPH, Yael Stein MD, Alex Barnea, MA and Marc Sherman MLS. Can we prevent Genocide by preventing Incitement? 2009.
http://genocidewatch.org/images/Articles_Can_we_prevent_genocide_by_preventing_incitement.pdf
[2]. http://www.gazetaexpress.com/lajme/lufta-ne-siri-zbulohet-celula-terroriste-ne-tirane-2755/
[3]. http://www.gazetaexpress.com/lajme/selim-muca-u-kemi-thene-imameve-siria-eshte-lufte-e-ndaluar-lerini-budallalleqet-2771/
[4]. http://gazetatelegraf.com/kreu-i-ri-i-kmsh-se-do-te-identifikojme-dhe-inventarizojme-te-gjitha-xhamite-ne-vend/
[5]. http://koha.net/index.php/repository/docs/repository/karikaturat/?id=27&l=2820
[6]. Po aty.
[7].http://koha.net/index.php/repository/karikaturat/repository/docs/03_konkluzionet_e_dakorduara.pdf?id=27&l=2840
[8]. http://www.gazetaexpress.com/lajme/opozita-siriane-lufta-ne-siri-eshte-politike-dhe-ekonomike-sduam-xhihadiste-shqiptare-4372/
[9]. http://mapo.al/2014/03/rrjeti-rekrutimeve-profili-imameve-te-veteshpallur/
[10]. Po aty.
[11]. Siria, çfarë i çon shqiptarët në “xhihad”? http://mapo.al/2014/03/siria-cfare-con-shqiptaret-ne-xhihad/
[12]. http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=42852&kat=100
[13]. Po aty.
[14]. http://gazetadita.al/raporti-i-shish-kush-jane-shqiptaret-e-vrare-ne-siri/
[15]. Po aty.
[16]. http://koha.net/?id=27&l=3443
[17]. http://www.gazetaexpress.com/intervista/jacobson-kosovaret-ne-siri-po-radhiten-me-grupe-radikale-8110/
[18]. http://koha.net/?id=27&l=6313
[19]. http://www.koha.mk/aktuale/26209.html
[20]. http://www.koha.mk/aktuale/26209.html
[21]. 1. Kur komentohet si i loguar, pas emrit shfaqet një ikonë me logon e Albeu që tregon se vizitori është i identifikuar dhe komentet e tij, publikohen në kohe reale, pa kaluar filtrin e kontrollit dhe redaktimit nga moderatori, i cili më vonë mund ta editojë komentin, nëse ka diçka që nuk shkon.
[22]. Albeu renditet i 21-ti në Shqipëri; shih linkun: http://www.alexa.com/siteinfo/albeu.com#trafficstats
[23]. Intervistë me Idaver Sherifin, drejtuesin e portalit Albeu.com, datë 10 maj 2014.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...