Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 23, 2014 Zani i Nalte Histori 0
(vështrim historik)
nga Ramadan Shkodra
Hyrje
Pas Luftës së Dytë Botërore, rrjedha objektive e ngjarjeve që çonte drejt zgjidhjes së drejtë të çështjes së Kosovës, u ndërpre. Popullsia shqiptare e Kosovës u përball me presionet, me mashtrimet dhe me dhunën e udhëheqësve komunistë jugosllavë, sidomos të atyre serbë. Deklaratat e tyre premtuese për vetëvendosjen e popullit shqiptar pas luftës u harruan. Derisa brigadat partizane shqiptaro-kosovare marshonin drejt veriut dhe luftonin përkrah popujve jugosllavë për çlirimin e plotë të Jugosllavisë, mbi popullsinë shqiptare në Jugosllavi u ushtrua një shtypje e egër kombëtare, pati arrestime, terror e persekutime të shqiptarëve, u ndalua përdorimi i flamurit kombëtar, nëpunësit shqiptarë u pushuan nga puna dhe u zëvendësuan me ata serbë. Kufomat e shqiptarëve të torturuar i gjeje kudo nëpër rrugët e qyteteve dhe fshatrave të Kosovës. U mobilizuan me forcë në ushtrinë jugosllave djem shqiptarë, të cilët derisa arrinin në destinacion, ecnin në kolonë për katër, të çarmatosur dhe ruheshin anash nga rojat serbe e malazeze, sikur të ishin të burgosur. Gjatë rrugës u pushkatuan mijëra shqiptarë, që përpiqeshin të arratiseshin për t’u shpëtuar provokimeve e mundimeve nga serbët. Vetëm në Tivar brenda një nate dhe një dite u masakruan afro 1600 shqiptarë të mobilizuar. Këto veprime ngjallën reagimin e natyrshëm të popullsisë shqiptare për t’u vetëmbrojtur. Që t’u shpëtonin ndjekjeve e persekutimeve, shumë fshatarë braktisën fshatrat e tyre dhe dolën në male. Nga malet ata filluan të sulmonin repartet e ushtrisë jugosllave të vendosura në qytete. Shpërthyen revolta masive në Ferizaj (fillim i dhjetorit 1944), në Gjilan (dhjetor 1944), në Drenicë (dhjetor 1944, janar, shkurt 1945), në Mitrovicë (janar 1945). Numri i të revoltuarve arriti në rreth 30.000 veta.
Pas shtypjes së revoltave masive popullore, qëndresa kundër pushtetit jugosllav vazhdoi në rrugë ilegale. U krijuan disa organizata të fshehta. Më të rëndësishmet ishin: Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (ONDSH) dhe Besa Kombëtare.
ONDSH ishte një organizatë politike që u angazhua për evidentimin e shqiptarëve të zhdukur, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë.
Goditjet që u ndërmorën mbi popullsinë shqiptare menjëherë pas luftës e gjatë Administratës Ushtarake ishin në përputhje me elaboratin e Vasa Çubrilloviqit “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re”, dërguar qeverisë së re jugosllave ende pa mbaruar lufta, më 3 nëntor të vitit 1944.
Kështu shqiptarët në Jugosllavi, jo vetëm mbetën në statusin e paraluftës, të shkëputur nga shteti amë, por as nuk u bashkuan në një njësi të vetme federative. Ata u copëtuan administrativisht, midis tri republikave jugosllave, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Qëllimi i kësaj ndarjeje, ishte çintegrimi dhe shkombëtarizimi i shqiptarëve.
I. Statusi kushtetues-juridik i Kosovës (1945-1948)
Pas shtypjes së revoltave masive popullore, me masa të dhunshme, Serbia më 18 shkurt të vitit 1945, në një mbledhje të udhëheqjes më të lartë të Komitetit Qendror të PKJ në Beograd, nën diktatin e përfaqësuesve serbë mbi ata malazez e maqedonas, u vendos që Kosova t’i bashkëngjitej Serbisë. Për t’i dhënë ngjyrime juridike, madje dhe parimore këtij vendimi të marrë nga lart, pas dy muajsh, më 7-9 prill të vitit 1945, u organizua Mbledhja e Jashtëzakonshme e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Serbisë dhe më 8-10 korrik 1945, në Prizren, u mblodh një i ashtuquajtur Kuvend i Këshillit Popullor të Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit, i cili në historiografi njihet si “Kuvendi i Prizrenit”[1].
Në të dy këto forume u bënë përpjekje që aneksimi i Kosovës nga Serbia të paraqitej si shprehje e vullnetit të vetë popullit të Kosovës. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Serbisë (7-9 prill 1945) u gjet një pjesëmarrës malazez nga Kosova, për të shprehur “dëshirën e KANÇ të Kosovës, që edhe popujt e Kosovës t’i aneksoheshin Serbisë federale motër”. Megjithëse ky pjesëmarrës vuri në dukje në fund të fjalimit të tij se “ne nuk e kemi marrë akoma këtë vendim në Kuvendin tonë, për shkak se në Kosovë ekziston pushteti ushtarak”, Kuvendi i Serbisë e konvertoi dëshirën në vendim dhe e pranoi aneksimin e Kosovës në Serbi.
Pas tre muajsh, më 8-10 korrik 1945, në “Kuvendin” e mbledhur në Prizren, ku nga 137 pjesëmarrës vetëm 32 ishin shqiptarë, të cilët survejoheshin nga njerëz të armatosur të UDB-së, u miratua me duartrokitje, pa votime e nënshkrime, një rezolutë e ardhur e gatshme nga Beogradi. Në Rezolutë shprehej dëshira e popullit të Kosovës për t’iu bashkëngjitur Serbisë federale si pjesë përbërëse e saj. Përfundimisht, më 3 shtator 1945, ligji i Kryesisë së Kuvendit Popullor të Serbisë “Mbi caktimin dhe ndërtimin e Rajonit Autonom të Kosovë-Metohisë” sanksiononte juridikisht Kosovën si njësi autonome. Ky sanksionim përsëritej edhe në Kushtetutën Jugosllave të janarit 1946[2].
“Kuvendi” i Prizrenit u mbajt dy ditë pas heqjes së Administratës Ushtarake. Njerëzit, të tmerruar pas 5 muajsh masakre e dhune shtetërore të Administratës Ushtarake, nuk guxonin të thoshin hapur atë që mendonin për të ardhmen e tyre politike. Në “Kuvendin” e Prizrenit, as nuk u krijuan kushtet dhe as nuk u realizua e drejta e vetëvendosjes nga shqiptarët.
Kosova rajon autonom në Kushtetutën jugosllave të vitit 1946
Kushtetuta e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë e janarit 1946 përcaktonte tërësinë e federatës me të gjitha subjektet përbërëse, duke përmendur krahas Republikës së Serbisë, të Maqedonisë, të Bosnjë e Hercegovinës, të Kroacisë, të Sllovenisë e të Malit të Zi, Krahinës Autonome të Vojvodinës edhe Rajonin Autonom të Kosovë-Metohisë. Por, në të njëjtën kohë, Rajoni Autonom i Kosovë-Metohisë, së bashku me Krahinën Autonome të Vojvodinës, përfshihej edhe në kuadër të Republikës Popullore të Serbisë[3].
Kushtetuta e RFP të Jugosllavisë e vitit 1946 sanksiononte lidhjen dhe varësinë e dyfishtë të Rajonit Autonom të Kosovë-Metohisë si nga Federata Jugosllave, ashtu edhe nga Republika e Serbisë. Ajo garantonte ekzistencën e RAKM dhe përcaktonte parimet themelore të organizimit e të funksionimit autonom të tij. Si i tillë, RAKM, pavarësisht se ndodhej në përbërje të RP të Serbisë, së pari, ishte kategori kushtetuese e RFP të Jugosllavisë.
Sipas Kushtetutës së RFP të Jugosllavisë të vitit 1946, organi më i lartë i pushtetit popullor në RAKM ishte Këshilli Popullor i RAKM, të cilin e zgjidhnin qytetarët, jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, me mandat trevjeçar. Organi ekzekutiv politik dhe i administratës ishte Këshilli Ekzekutiv i RAKM, qeveria, të cilin e zgjidhte këshilli popullor krahinor. Për punën e tij, Këshilli Ekzekutiv i RAKM përgjigjej para Këshillit Popullor të RAKM.
Kushtetuta e RFP të Jugosllavisë e vitit 1946 nuk i njihte RAKM autonominë financiare dhe gjyqësore. Gjykata popullore e RAKM, si gjykatë e shkallës së dytë, e formuar më 10 korrik të vitit 1945, ishte suprimuar në dhjetor të po atij viti. RAKM përfaqësohej drejtpërdrejt në Këshillin e Kombeve të Kuvendit Popullor të RFP të Jugosllavisë, nëpërmjet delegacionit të vet, të përbërë prej 15 deputetësh. Në të gjitha forumet e tjera politike-shoqërore dhe organet administrative-ekzekutive të federatës, përfaqësuesit e RAKM mungonin. RAKM nuk mund të nxirrte ligjet e veta, por vetëm vendime[4].
II. Statusi kushtetues-juridik i Kosovës (1953-1963)
Pas shpalljes së Rezolutës së Informbyrosë, më 28 qershor 1948, në Jugosllavi u krijua një situatë e ndërlikuar. Qeveria jugosllave çdo qëndrim miratues ndaj Rezolutës së Byrosë Informative e konsideronte si “vepër penale të tradhtisë ndaj shtetit dhe popullit”.
Në janar të vitit 1953, Kuvendi Popullor i RFP të Jugosllavisë miratoi “Ligjin Kushtetues mbi bazat e rendit shoqëror e politik në RFP të Jugosllavisë dhe të organeve federative të pushtetit”, me të cilin ndryshoheshin një varg nenesh të Kushtetutës federative të vitit 1946[5].
Ligji Kushtetues i RFP të Jugosllavisë i vitit 1953 sanksiononte procesin e decentralizimit që kishte filluar në RFP të Jugosllavisë dhe në bazë të të cilit një pjesë të të drejtave të federatës kalonin në republikat federale, duke zgjeruar kompetencat e tyre. Konkretisht për RAKM, lidhjet e tij me Federatën Jugosllave u dobësuan, ndërsa kontrolli i RP të Serbisë mbi të u rrit.
U likuidua Dhoma e Këshillit të Kombeve, si dhomë e pavarur në Kuvendit Popullor të RFPJ dhe ia bashkëngjiti atë Këshillit Federativ të Kuvendit Popullor të RFPJ. Ndërkohë u krijua si dhomë e re e veçantë Këshilli i Prodhuesve, që së bashku me Këshillin Federativ, përbënin Kuvendin Popullor të RFPJ[6].
Ligji Kushtetues i Republikës Popullore të Serbisë, i miratuar më 17 janar të vitit 1953, ruante akoma raportet hierarkike të nënshtrimit të organit përfaqësues ekzekutiv të RAKM jo vetëm ndaj organeve përfaqësuese, por edhe ndaj atyre ekzekutive republikane.
Kushtetuta e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë e vitit 1963, e forcoi më tej tendencën e shndërrimit të RAKM në subjekt ekskluziv të Republikës së Serbisë.
Kushtetuta e Republikës Socialiste të Serbisë, e vitit 1963, dëshmonte më hapur për minimizimin e pozitës autonome të Kosovës. Qysh në fillim vëmë re se ajo nuk e përmendte Krahinën si pjesë të veçantë administrative politike të Serbisë, por në një radhë me 17 distriktet e tjera administrative të RSS.
III. Amendamentet kushtetuese të viteve 1971-1972, bazë e ndryshimit të statutit juridik të Kosovës
Në korrik të vitit 1966 në Brione u mbajt Mbledhja e IV e KQ të LKJ, që njihet me emrin Plenumi i Brioneve, i cili shënoi një etapë të re në zhvillimin e Jugosllavisë. Në këtë Plenum u mënjanua rryma unitariste e ultrashoviniste e udhëhequr nga serbët, ku triumfoi rryma më demokratike në krye me Titon e përkrahësit e tij. Vendimet e Plenumit të Brioneve patën një rëndësi të veçantë edhe për Kosovën dhe viset e tjera shqiptare jo vetëm sepse u zvogëluan në një farë mase dhuna dhe terrori mbi shqiptarët, por edhe për arsye se për herë të parë do t’u kushtohej kujdes më i madh Kosovës e shqiptarëve dhe zgjidhjes së problemeve të tyre të shumta.
Për herë të parë shqiptarët mund të organizonin jetën e tyre, të paktën në një pjesë të rëndësishme të viseve të tyre etnike, që tani drejtoheshin nga një qendër politike, administrative, nga Prishtina.
Më 1976 u formuan komisionet për ndryshimin e plotësimin e akteve më të larta politike-juridike në Federatë, në republika dhe në krahina autonome[7].
Diskutimet kushtetuese që u organizuan kudo në Kosovë, i udhëhiqte një Komision i Posaçëm në krye të të cilit ishte Fadil Hoxha, kryetar i Kuvendit të Kosovës. Në shumë tubime të aktivëve politikë si në Gjakovë, në Prishtinë, në Gjilan, në Pejë, në Mitrovicë etj….u kërkua që me Kushtetutën dhe ligjet e RSFJ kombësia shqiptare të emërtohej kombi shqiptar, të lejohej përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar dhe Kosova të shpallej Republikë. Në këtë mënyrë kërkohej që popullit shqiptar t’i njihej e drejta e vetëvendosjes.
Përveç diskutimeve kushtetuese, manifestimet me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut, lëvizjet studentore në Evropë (1968), etj… qenë faktorë shtytës në luftën për çlirim e bashkim kombëtar. Pozita e re që fitoi Kosova në sistemin federativ kushtetues të Jugosllavisë, e në të njëjtën kohë dhe në atë të RS të Serbisë, me amendamentet kushtetuese të viteve 1967-1969, ngjalli pakënaqësi te forcat hegjemoniste serbe. Hapat konkretë që u morën për më shumë barazi kulturore, ekonomike e politike të shqiptarëve me popujt e tjerë në Kosovë e në Jugosllavi, i shihnin si padrejtësi ndaj popullit serbo-malazez, si qëndrime që “respektonin vetëm interesat e popullit shqiptar.”
Ndërkohë, duke u shprehur kundër të drejtës së ligjshme të popullsisë shqiptare për të qenë të barabartë në Federatën jugosllave, këto forca manifestuan hapur ambiciet e tyre nacionaliste ekstremiste, ku dolën me teza të vjetra si: “Pozita kushtetuese e KSA të Kosovës është çështje e RS të Serbisë” dhe se “sovraniteti dhe shtetësia e krahinës pasqyrohet dhe realizohet nëpërmjet sovranitetit dhe shtetësisë së republikës”, u shprehën hapur në forumet e larta politike të Serbisë, si në Kryesinë e LS të Serbisë (1971) etj.[8]
Tezat e lartpërmendura dëshmuan se udhëheqësit serbë, megjithëse kishin miratuar vendosjen e marrëdhënieve të reja në federatë nuk niseshin nga të njëjtat parime kur shtrohej çështja e ndryshimit të statusit politik kushtetues të Kosovës. Kundër këtyre deklaratave e qëndrimeve të tyre u shprehën me guxim forcat përparimtare të krahinës.[9]
Ky konfrontim forcash vazhdoi edhe më i tensionuar gjatë diskutimit të amendamenteve të reja të Kushtetutës federative, të Kushtetutës republikane dhe të Ligjit Kushtetues të KSA të Kosovës, i cili do të rishikohej sërish. Pati në këto momente funksionarë politikë kosovarë që e kuptuan rëndësinë e çastit historik, perspektivën e procesit të decentralizimit të Federatës jugosllave, dhe kërkesën mbarëpopullore në Kosovë, në forumet e ndryshme kërkuan thellimin e mëtejshëm të ndryshimeve kushtetuese.[10]
Jo, pak intelektualë shqiptarë, me argumente hodhën dritë mbi faktorët që çuan në lindjen e Kosovës, si njësi e veçantë territoriale politike, duke veçuar, së pari faktorin kombëtar. Ata theksonin dhe dëshmonin se shqiptarët e Kosovës në të gjitha dokumentet e partisë dhe të pushtetit gjatë LANÇ quheshin komb ose popull e jo kombësi. Me argumente historike shkencore u kundërshtuan dhe pikëpamjet antishqiptare të shfaqura në simpoziumin e Novi Sadit nga dr. Radomir Lukiç dhe dr. Jovan Gjorgjeviç, të cilët mohonin qenien e Kosovës si element kushtetues i Federatës jugosllave.[11]
Me të drejtë, prej politikanëve kosovarë, konstatohej se pas ndërrimeve kushtetuese të vitit 1968-69, nevoja për pozitë më të avancuar të krahinave ishte bërë domosdoshmëri e zhvillimit historik dhe se, në këtë kuadër, përvoja po diktonte nevojën për një rol të ri e vendimtar të KSA të Kosovës në RSF të Jugosllavisë. Gjatë diskutimit të amendamenteve të fundit të Kushtetutës së RSFJ, nga Kosova pati mjaft kërkesa që të përcaktohej qartë funksioni legjislativ i krahinave autonome. Për këtë qëllim përfaqësuesit nga Kosova si: E. Stavileci, S. Kurteshi, H. Hoxha, në publikimet e tyre shtronin nevojën për autorizime më të gjëra, të drejta burimore për mbrojtjen popullore, të sigurimit shtetëror, të planifikimit shoqëror, të politikës së jashtme, duke u formuluar juridikisht të drejtat, kompetencat dhe funksionet e federatës ashtu edhe ato të republikave e të krahinave.[12]
Në fushën e planifikimit shoqëror, të mbrojtjes popullore e të sigurimit të shtetit, Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës edhe më parë, me amendamentet kushtetuese të vitit 1968-69, i njiheshin disa të drejta burimore. Por, fakti që RS Serbisë e kishte unifikuar pjesën dërrmuese të këtyre të drejtave, kishte sjellë për rrjedhojë pasivitetin e minimizimin e rolit të krahinave në fushat e lartpërmendura.[13]
Edhe në fushën e politikës së jashtme, KSA e Kosovës nuk kishte të drejta burimore. Andaj, përfaqësuesit kosovarë theksonin se Kosova si bashkësi kufitare ishte posaçërisht e interesuar të ushtronte funksione kontrolluese në qarkullimin e njerëzve dhe të gjërave të tjera të rëndësishme të shtetit. Gjithashtu në kërkesat e kosovarëve dhe në diskutimet publike, kërkohej që kontrolli në fushat e arsimit, të mbrojtjes shëndetësore dhe asaj sociale, të kulturës dhe të shkencës, të kalonte krejtësisht në organet e Kosovës.[14]
Nisur nga fakti se parimi i barazisë së kombeve dhe kombësive, respektivisht i republikave dhe i krahinave, u ngrit në nivel kushtetues federativ, kosovarët shtronin nevojën e pasqyrimit konsekuent e të plotë të këtij parimi si në amendamentet e reja të Kushtetutës së RS të Serbisë, ashtu edhe në ligjin kushtetues të KSA të Kosovës të vitit 1969, që ende nuk e shprehte në mënyrë adekuate pozitën e re kushtetuese të krahinës dhe autonomitetin e saj.
Në amendamentet e reja të vitit 1971-1972, marrëdhëniet krahinë-federatë rregulloheshin drejtpërdrejt me kushtetutën federative jugosllave. Por, duke qenë se KSA e Kosovës ishte edhe në kuadër të RS të Serbisë, kjo u shfrytëzua nga politikanët e juristët serbë për të ruajtur sa qe e mundur pushtetin e Serbisë në Kosovë.[15]
Por kishte edhe marrëdhënie të tjera unike, që rregulloheshin jo si më sipër, por me një kategori tjetër ligjesh republikane, sipas të cilave, krahinat nuk kishin gjithnjë të drejtë të nxirrnin ligjet e veta. Në këtë mënyrë Republikës së Serbisë edhe me amendamentet e reja i garantohej pushtet jo i vogël në legjislacionin krahinor. Krahinës i jepeshin të drejta me vëllim më të kufizuar se republikës. Në çështjet e saj, për gjërat unike, krahina duhej të autorizohej nga republika.[16]
Ndryshimet në Ligjin kushtetues të KSA të Kosovës, Kuvendi Krahinor i miratoi në shkurt 1972. Me amendamentet e reja KSA e Kosovës siguronte të drejta burimore për organizimin e vet, për përcaktimin e politikës ekonomike, tatimore dhe të sistemit të financimit.
Amendamentet e reja federative, duke ngritur në nivel kushtetues parimin e barazisë së kombeve dhe kombësive, e lidhur me këtë, parimin e pavarësisë së republikave dhe të krahinave, bënë që edhe KSA e Kosovës të merrte përgjegjësi për zhvillimin e vet ekonomik, shoqëror e politik, si dhe për funksione të tjera në federatë. Megjithëse amendamentet linin në kompetencat e federatës, mbrojtjen e vendit, sigurimin shtetëror, marrëdhëniet me botën e jashtme, si dhe kujdesin për zhvillimin e viseve jo mjaft të zhvilluara. Krahina e Kosovës ashtu si edhe republikat ishte bashkëpjesëmarrëse edhe në këto fusha, në sajë të të drejtave që ia garantonte Kushtetuta e RSFJ.[17]
Gjithashtu institucioni i marrëveshjes që me amendamentet e reja u ngrit në nivel kushtetues federativ, e solli në një pozitë dhe rol të ri KSA të Kosovës, si element kushtetues i Federatës Jugosllave. Institucioni i marrëveshjes propozonte që krahinat bashkë me republikat të vendosnin për punët e federatës mbi parimin e ujdisë (konsensusit) d.m.th. që një organ federativ në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të republikave dhe krahinave, mund të miratonte një vendim vetëm kur për të jepnin pëlqimin të gjithë anëtarët e tij.[18]
Kushtetuta e re jugosllave e vitit 1974 që funksionoi deri në shthurjen përfundimtare të Jugosllavisë, u siguronte Krahinës Autonome të Kosovës dhe asaj të Vojvodinës, një status të barabartë, në shumë rrafshe me ato të gjashtë republikave. Ato tani kishin përfaqësuesin e tyre të drejtpërdrejtë në forumet kryesore të Federatës Jugosllave…. Në këtë kushtetutë ishin përfshirë edhe ndryshimet e rëndësishme që tashmë ishin bërë pjesë e amendamenteve të miratuara, më 1971: këto u kishin dhënë krahinave autonome status të barabartë me republikat në shumë forma të marrjes së vendimeve për çështje të ndryshme shtetërore.[19]
Amendamenti XXXVI përcaktonte se Presidenca e Jugosllavisë ishte një trup kolektiv me dy përfaqësues, nga çdo republikë dhe me nga një përfaqësues, nga çdo krahinë autonome. Kushtetuta e vitit 1974 siguronte edhe një të drejtë tjetër të rëndësishme, sipas së cilës, krahinat autonome mund të nxirrnin kushtetutat e tyre.
Në këtë mënyrë KSA e Kosovës, në bazë të institucionit të marrëveshjes, gëzonte të drejtën për të deklaruar qëndrimin e vet dhe për të dhënë pëlqimin në të gjitha vendimet që miraton federata. Vota e krahinave, në bazë të parimit të paritetit, ishte e barabartë me atë të republikave. Edhe në kuadrin e politikës së jashtme të RSFJ dhe marrëveshjes ndërkombëtare të nënshkruar në nivel federate. KSA e Kosovës kishte të drejtë të nxirrte ligje të reja ose t’i ndryshonte ato ekzistueset, si dhe të bashkëpunonte drejtpërdrejt me institucione të ndryshme të shteteve nënshkruese të marrëveshjes dhe me organizatat ndërkombëtare.[20]
Siç shihet amendamentet e vitit 1971, në pikëpamje juridike kushtetuese, i siguronin KSA të Kosovës disa elemente shtetësie të lidhura ngushtë me to edhe qenien si element kushtetues i Federatës Jugosllave. Por, duke qenë se statusi i elementit kushtetues të federatës ishte kompleks, kërkonte veprimtari intensive praktike të institucioneve krahinore brenda hapësirave të sanksionuara nga legjislacioni i kohës, mund të themi se amendamentet e vitit 1971 krijonin vetëm mundësi juridike për realizimin e tij. Por, mundësitë nuk janë e njëjta gjë me realitetin. Shkalla e pjesëmarrjes së KSA të Kosovës në përcaktimin dhe zbatimin e politikës së federatës, njësoj si republikat tjera si dhe përgjegjësia që ajo do të kishte për këtë veprimtari, do të duhej të kishte një guxim më të madh të politikës kosovare dhe të një kuadri më të shkathët të Kosovës për t’u bërë rezistencë më të fuqishme presioneve dhe propagandës që vinte nga forcat nacionaliste dhe hegjemoniste të Serbisë.[21]
Pse atëherë nuk u ndërmor edhe hapi i fundit për shndërrimin e krahinave autonome në republika si krahinat tjera? Për këtë ekzistojnë shumë përgjigje, por më e rëndësishmja është se stafi politik i Kosovës, as atëherë por as sot nuk arriti, e nuk është duke mundur të realizojë qëllimin shekullor të shqiptarëve.
IV. Kushtetuta e Kosovës e vitit 1974
Vitet 50-të dhe 60-të, nga këndvështrimi i shqiptarëve, janë pika më e ulët e tërë sundimit të periudhës së Titos dhe e një pabarazie të madhe etnike, e cila nuk u përmirësua, kur dihet se serbët dhe malazezët të cilët nuk e përbënin as 17% të popullatës së Kosovës, në sajë të regjistrimit të vitit 1953, përbënin 70% të administratës dhe posteve udhëheqëse.[22]
Këtyre problemeve ekonomike dhe shoqërore, do shtuar edhe statusin “autonom” të Kosovës, i cili ra në pikën absolute më të ulët në nivel të tij, në sajë të Kushtetutës së re të Jugosllavisë, të vitit 1963. Megjithëse kjo kushtetutë i solli Kosovës titullin e Krahinës autonome, e cila përcaktonte se republikat kishin të drejtë të formonin krahinat e tyre autonome në sajë të iniciativës së tyre, kurse Krahina Autonome e Kosovës dhe ajo e Vojvodinës ishin themeluar me vendim të Kuvendit të Serbisë. Për të parën herë, statusi kushtetues i Kosovës, kishte humbur tërësisht ingjerencat e nivelit federativ dhe ishte vënë vetëm në kuadrin e funksionit të Republikës së Serbisë.[23]
Me amendamentet kushtetuese të vitit 1967-1972 u bë një reformë e rëndësishme në marrëdhëniet e federatës me republikat e krahinat, u bë ndarja e funksioneve shtetërore midis qendrës federative dhe njësive që e përbënin. U rrit funksioni i republikave dhe i krahinave qoftë si subjekte të federalizmit jugosllav, ashtu edhe si bashkësi të veçanta me funksione politike shoqërore. [24]
Mirëpo, amendamentet e miratuara sollën ndryshime vetëm në disa fusha të sistemit kushtetues. Andaj, vënia në jetë e këtyre amendamenteve qysh në fillim hasi në vështirësi që s’mund të kapërceheshin pa një përpunim të mëtejshëm, më të plotë e më preciz të disa çështjeve themelore, si në sistemin politik në tërësi.[25] Për të harmonizuar në nivel federate zgjedhjet kushtetuese të republikave dhe krahinave të veçanta, u krijua Komisioni Koordinues federativ.
Me pëlqimin e kuvendeve të republikave dhe të krahinave për zgjidhjet bazë, Komisioni Koordinues dhe komisioni ekzistues për çështje kushtetuese, së bashku, në prill të vitit 1973, arritën të hartojnë Projektin e Kushtetutës së re të RSFJ, i cili në korrik u dha për diskutim publik, edhe Projektkushtetutat republikane dhe krahinore.[26]
Në debatin publik që u zhvillua në mjedise të gjera, ku morën pjesë të gjitha strukturat e gjëra shoqërore, kudo pati interesim të madh, siç njoftonin mjetet e informimit në atë kohë. Edhe në Kosovë debati kushtetues u vlerësua nga kosovarët si veprimtari me shumë përgjegjësi.
Pas debatit publik që zgjati më shumë se gjysmë viti, Kuvendi federativ miratoi më 21 shkurt 1974, kushtetutën e re të RSFJ. Disa ditë më vonë secili kuvend republike dhe krahine autonome miratoi kushtetutën e vet. Kushtetuta e RS të Serbisë u miratua më 25 shkurt, kurse Kushtetuta e KSA të Kosovës, më 28 shkurt të vitit 1974. Kjo ishte kushtetuta e parë e KSA të Kosovës.
Kushtetuta e RSFJ e vitit 1974, nuk kishte kapitull të veçantë për krahinat autonome, por ato e gjenin veten në mjaft prej neneve të saj, duke filluar madje që nga parimet themelore mbi të cilat ishte ndërtuar gjithë sistemi ekonomik, politik e shoqëror i federatës. Kushtetuta Federative e përcaktonte KSA të Kosovës si pjesëmarrëse të drejtpërdrejtë në kushtetutën e federatës.[27]
Në kushtetutën e RSFJ të vitit 1974, pjesëmarrja sipas institucionit të paritetit të republikave dhe krahinave në organet federative dhe vendimmarrjet përmes institucionit të marrëveshjes, sanksionohej si në pjesën parimore ashtu edhe në pjesën normative të saj. Në nene të veçanta jepej mënyra konkrete e pjesëmarrjes dhe e procedurës së vendosjes së republikave dhe krahinave autonome në organet e ndryshme të federatës. Por, në dallim nga parimet themelore, në këto nene shihet se pjesëmarrja e republikave dhe e krahinave nuk është plotësisht e barabartë. Ky diferencim fillonte qysh në organin më të lartë të pushtetit dhe të vetëqeverisjes shtetërore, në Kuvendin e RSFJ.[28]
Gjendja e shqiptarëve në Kosovë u përmirësua dukshëm nga vitet 70, e sidomos me nxjerrjen e Kushtetutës së Kosovës, së paku në çështjet e teorisë kushtetuese. Kushtetuta e re jugosllave e vitit 1974, që mbeti në fuqi deri në shthurjen përfundimtare të Jugosllavisë, i siguronte Krahinës Autonome të Kosovës një status të barabartë, në shumë rrafshe me ato të republikave.
Në veprimtarinë legjislative të KSA të Kosovës, duhet të kemi parasysh që krahas çështjeve që krahina i rregullonte me ligjet e veta dhe në mënyrë të pavarur, kishte edhe çështje të tjera për të cilat shprehej me ligje federative. Sipas Kushtetutës së RSF të Jugosllavisë, ligjet federative konsideroheshin shprehje e interesave të përbashkëta të kombeve dhe të kombësive, e si të tilla ato kishin fushëveprim si në republikat e federale, ashtu edhe në krahinat autonome.[29]
Por, në disa fusha që Kushtetuta federative i kishte caktuar “me interes të përbashkët”, krahina kishte gjithashtu të drejtë të nxirrte normat e veta juridike. Fjala ishte për disa çështje e marrëdhënie që krahina me ligjet e dispozitat e veta i rregullonte hollësisht deri atëherë kur për to ende nuk ishin miratuar e nuk vepronin ligjet federative.[30]
Megjithatë, veprimtaria legjislative e krahinës pas shpalljes së kushtetutës, pavarësisht se pati rritje në krahasim me të kaluarën, ishte nën parashikimet dhe nevojat reale.
KSA e Kosovës karakterizohej nga lidhje e dyfishtë hierarkie. Ajo ishte në të njëjtën kohë element kushtetues i Federatës jugosllave dhe njësi autonome në kuadër të RS të Serbisë.
Kushtetuta e RS të Serbisë, në nenin 299, përcaktonte marrëdhëniet që rregulloheshin njësoj për republikën dhe krahinat dhe për të cilat krahinat nuk mund të nxirrnin dispozitat e veta. Ndërsa neni 300 përcaktonte çështjet që rregulloheshin me ligjin republikan në mënyrë unike për tërë territorin e Serbisë e të krahinave autonome, por ku krahinat kishin të drejtë të nxirrnin ligjet e veta, për ato çështje që nuk ishin rregulluar me ligjin republikan. Në këtë kontekst, jo vetëm për nga vëllimi, por edhe nga terminologjia e papërcaktuar, në Kushtetutën e RS të Serbisë kishte mjaft hapësirë në paraqitjen e funksioneve unike. Të gjitha këto krijonin pasiguri e kontradikta në marrëdhëniet midis republikës e krahinave, pasi linin vend për mëdyshje, duke hapur diskutime të panevojshme e duke gjetur zgjidhje të ndryshme varësisht nga raporti i forcave republikane e krahinore në momentin e vendosjes.[31]
Është e vërtetë e më se e qartë se RS e Serbisë, në emër të unitetit, me anë të ligjeve unike punonte për të ruajtur forcën e saj dhe pushtetin dominues centralist mbi Kosovën, duke zgjedhur kuadro e njerëz me të cilët më lehtë mund të punonte e realizonte qëllimet e saj shtetërore.
Në Kushtetutën e RS të Serbisë ekzistonte edhe një nen tjetër, ai 301, sipas të cilit, me ligjin republikan në bazë të marrëveshjes, mund të rregulloheshin në mënyrë unike për territorin e republikës edhe ato çështje, të cilat republika e krahinat i rregullonin pavarësisht nga njëra-tjetra, secila në territorin e vet. Sipas këtij neni të Serbisë, respektohej vullneti i secilit subjekt, si për nxjerrjen e ligjit unik, ashtu edhe për t’u tërhequr e për të rregulluar këto marrëdhënie me ligjin e vet. Ligjin unik e nxirrte Kuvendi RS të Serbisë, pasi të kishte marrë pëlqimin prej kuvendeve të krahinave.[32]
Për të pasur një përfytyrim më real për shkallën e autonomisë që kishte arritur KSA e Kosovës me aktet kushtetuese të vitit 1974, është e nevojshme që t’i kuptojmë edhe në funksionet e tjera të saj, si në atë ekzekutiv, financiar, gjyqësor, arsimor, e kulturor.
Për zgjidhjen e konflikteve, që mund të lindnin midis ligjeve republikane e dispozitave juridike të kuvendeve krahinore gjatë zbatimit të ligjeve unike, vepronte një Këshill i Posaçëm pranë Gjykatës së Lartë të Serbisë.
Në bazë të autorizimeve që rridhnin nga ligji republikan për mbrojtjen e përgjithshme popullore, KSA e Kosovës me kushtetutën e vet ka caktuar organet si dhe detyrat e të drejtat e tyre në fushën e mbrojtjes popullore ( Kryesinë e krahinës, Këshillin Ekzekutiv të Kuvendit, Këshillin e Mbrojtjes Popullore, Shtabin Kryesor për Mbrojtjen Popullore e civile, dhe Sekretariatin krahinor të Mbrojtjes Popullore).[33]
Duke qenë se në sistemin politik jugosllav gjykatat ishin organizuar mbi parimet unike, ishte kërkesë kushtetuese që ligjet republikane e krahinore të harmonizoheshin dhe të mos bien ndesh me kushtetutën jugosllave, por të harmonizohen dhe të koordinohen në bazë të sistemit të shumicës.
Gjithsesi, kushtetuta e re e Kosovës, si një proces pozitiv i pas vitit 1966, ka në përmbajtje përpjekjet e përbashkëta të të gjitha kombeve dhe kombësive të krahinës, për të zhvilluar më tej statusin politik, shoqëror e ekonomik të saj.
Për të pasur kushtetutën e tyre, kosovarëve iu është dashur të zhvillonin një luftë të ashpër me forcat nacionaliste e konservatore në Kosovë, në serbi e në Jugosllavi. Në këtë kushtetutë, gjithmonë brenda sistemit ekzistues hibrid të vetadministrimit, ishte shtuar mëvetësia, por edhe përgjegjësia e krahinës për zhvillimin e vet të përbashkët. Pozita e re kushtetuese e KSA të Kosovës e vitit 1974, ishte një segment i përvijimeve përparimtare të kohës. Për këtë qëllim vetë pozita kushtetuese e Kosovës dëshmon procesin demokratik që ndodhte në Kosovë, e në gjithë Jugosllavinë. Megjithatë, duhet thënë se problemi i Kosovës nuk ishte vetëm kushtetues, po edhe shumë më shumë sesa kushtetues. Me veprimet e vetë përfaqësuesve të pushtetit në krahina, mund të plotësoheshin shumë boshllëqe midis parimeve të shpallura dhe praktikave të përditshme.
Pavarësisht nga arritjet pozitive për autonominë e Kosovës, që bartte sistemi kushtetues i vitit 1974, ai kishte edhe kufizimet e veta. Parimi kushtetues i barazisë kombëtare që sanksiononte Kushtetuta e RSF të Jugosllavisë për statusin politik të popullit shqiptar, respektivisht të KSA të Kosovës, nuk ishte konsekuent. Kjo shihej në gjithë përmbajtjen e Kushtetutës, po edhe me rastin e ngjarjeve të pas vitit 1981, deri në mbarim të luftës së fundit.
Përmasat e statusit të KSA të Kosovës nuk ishin konsekuente. Përmasat e statusit të KSA të Kosovës, si element kushtetues i Federatës jugosllave ishin të pamjaftueshme për ta zgjidhur drejt e përfundimisht problemin kosovar. Pavarësisht se pozita e KSA të Kosovës në sistemin federativ ishte përcaktuese për statusin e saj, në raportin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, legjislacioni serb, me ligjet e veta unike, e reduktonte dhe e çrregullonte shumë veprimtarinë e pavarur të krahinës.
Me zhvillimin e një klase të re të shqiptarëve të shkolluar e të edukuar-njëmend, një klasë që ishte tepër e madhe për numrin e vendeve ekzistuese për një personel të këtillë në sistemin ekonomik ende tepër të pazhvilluar të Kosovës, pabarazia etnike në disa fusha të jetës publike, u korrigjua pjesërisht, ku u desh të kalonte ca kohë për zhvillimin e këtij procesi deri me amendamentet e vitit 1971.[34]
Përfundim
Në qoftë se viti 1963 ishte pika më e ulët e interesave kombëtare shqiptare në Kosovën titiste, atëherë viti 1974, ishte kulmi i interesave kombëtare shqiptare, së paku në çështjen e teorisë së të drejtave të një populli. Kushtetuta e re jugosllave e vitit 1974 – që do të mbetej në fuqi deri në shthurjen përfundimtare të Jugosllavisë – u siguronte Krahinës Autonome të Kosovës dhe asaj të Vojvodinës një status të barabartë, në shumë rrafshe me ato të republikave, ku ato tani kishin përfaqësuesin e tyre të drejtpërdrejtë në forumet kryesore të Federatës Jugosllave.[35]
Në këtë kushtetutë ishin përfshirë edhe ndryshimet e rëndësishme që ishin bërë në bazë të serisë së amendamenteve të miratuara, më 1971: këto u kishin dhënë krahinave autonome status të barabartë me republikat në shumë forma të marrjes së vendimeve për çështje ekonomike, madje edhe marrjes së vendimeve në disa fusha të politikës së jashtme. Amendamenti XXXVI përcaktonte se Presidenca e Jugosllavisë ishte një trup kolektiv me dy përfaqësues, nga çdo republikë dhe me nga një përfaqësues, nga çdo krahinë autonome[36].
Megjithëse Kushtetuta e vitit 1974, vazhdonte të deklaronte se Kosova dhe Vojvodina ishin pjesë e Serbisë, në sajë të shumicës së kritereve të Ligjit kushtetues, ato ishin në të njëjtën kohë, po të njëjta dhe me të drejta të plota të forumeve federale.[37] Pavarësisht nga arritjet pozitive për autonominë e Kosovës, që bartte sistemi i amendamenteve kushtetuese, ai kishte edhe kufizimet e veta. Përmasat e statusit të KSA të Kosovës, si element kushtetues i Federatës jugosllave, ishin të pamjaftueshme për ta zgjidhur drejt e përfundimisht problemin kosovar[38].
Edhe pse në sistemin kushtetues të vitit 1974, statusi i popullsisë shqiptare diferencohej nga ai i pakicave të tjera kombëtare, duke u konsideruar kombësi e madhe dhe duke krijuar formën e vet të organizimit politik, shoqëror të Krahinës Socialiste Autonome, ajo nuk e zgjidhi problemin kombëtar të popullsisë shqiptare në Kosovë.
Kosova, përsëri nuk kishte statusin që e meritonin shqiptarët në Jugosllavi. Pavarësisht tendencave për të barazuar në fusha të ndryshme funksionet e krahinave autonome me republikën, pavarësisht të gjitha pengesave që paraqiteshin, Kushtetuta e RSF të Jugosllavisë e vitit 1974, i krijonte KSA të Kosovës hapësira të reja për një evoluim të mëtejshëm të statutit të saj. Historia e pranon një realitet të tillë evolucionesh që shkojnë drejt tendencave për kërkesa, aspirata dhe përpjekje të popullit të atij vendi për t’u barazuar me popujt shtetformues të një vendi.
Pas vdekjes së Titos dhe ngjarjeve të vitit 1981, statusi shoqëror-politik e juridik i shqiptarëve dhe i vetë Krahinës Autonome të Kosovës erdhi duke u minimizuar. Ky fenomen u forcua dhe u shpejtua pas ardhjes së Millosheviqit si president i Serbisë, më 1985, i cili u mbështet në forcat më konservatore e nacionaliste serbe. I inkurajuar nga heshtja e faktorit ndërkombëtar dhe i republikave të tjera jugosllave ndaj problemit të Kosovës, si dhe për të forcuar pushtetin serb në Jugosllavi, filloi të luajë me kartën nacionaliste që është e njohur si teori e luftërave gjatë tërë historisë, për të sensibilizuar opinionin serb për pozitën e disfavorshme kushtetuese, territoriale, ekonomike e shoqërore të Republikës së Serbisë në Federatën Jugosllave.
_______________________
Literatura:
– Historia e popullit shqiptar IV (shqiptarët gjatë luftës së dytë botërore dhe pas saj 1939-1990, redaktor shkencor, prof. dr. Xhelal Gjeçovi, Toena, Tiranë, 2008.
– Talaj, Tna, Tosova rruga e gjatë drejt vetëvendosjes, Tiranë, 2000.
– Malcolm, Noel, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë, 1998.
– Salihu, Kurtesh, Lindja, zhvillimi, pozita dhe aspektet e autonimitetit të krahinës socialiste autonome të Kosovës në Jugosllavinë socialiste, Prishtinë, 1984.
– Hoti, Ukshin, Filozofia e çështjes shqiptare, Tiranë, 1995.
– Hoxha, Haradin, Barazia e pakicave kombëtare, Prishtinë, 1984.
– Pupovci, Syrja, Nuk është shkencë ajo që predikon pabarazi, Prishtinë, 10 prill 1971.
– Kushtetuta e KSA e Kosovës e vitit 1974, Prishtinë, 1974.
– Kosova në vështrim enciklopedik, Toena, tiranë, 1999.
– Verli, Marenglen, Shqipëria dhe Kosova, historia e një aspirate, vëllimi II, Botinpex, Tiranë, 2007.
– Bytyçi, Hysni, Kosova dhe shqiptarët, pozita kushtetuese-juridike e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, Prishtinë, 2006.
– Salihu, Kurtesh, Amendamentet kushtetuese vazhdim i politikës së barazisë së kombeve dhe kombësive, “Përparimi”, Prishtinë 1971, nr. 4.
[1] Historia e popullit shqiptar – IV, Tiranë 2008, fq. 341.
[2] Po aty.
[3] Kosova në vështrim enciklopedik, Tiranë 1999, fq. 120.
[4] M. Verli, Shqipëria dhe Kosova, historia e një aspirate, vëllim II, Tiranë 2007, fq. 304.
[5] Dr. Hysni Bytyqi, Kosova dhe shqiptarët, Prishtinë, 2006, fq. 68.
[6] Po aty.
[7] Po aty, fq. 92.
[8] Ana Lalaj, Kosova rruga e gjatë drejt vetëvendosjes, Tiranë, 2000, f. 205.
[9] Po aty.
[10] Syrja Pupovci, Nuk është shkencë ajo që predikon pabarazi, Përparimi ,” Prishtinë”, 10 prill 1971, fq. 205.
[11] Po aty, fq. 207.
[12] E. Stavileci, Autonomia dhe federalizmi. “Përparimi”, Prishtinë 1971, nr. 1, f. 1.
[13] H. Hoxha, Barazia e pakicave kombëtare, Prishtinë. 1984. f. 132.
[14] Po aty, f. 2.
[15] K. Salihu, – Lindja, zhvillimi, pozita dhe aspektet e autonomitetit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në Jugosllavinë Socialiste. Prishtinë, 1984. f. 176.
[16] Po aty.
[17] Noel Malcolm,- Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë. 1998, f. 341.
[18] A. Lalaj, – Kosova …vepër e përmendur, f. 239.
[19] Po aty. f. 240.
[20] Blerim Reka, – Rrënimi i autonomisë së Kosovës, Prishtinë. 1992.
[21] Ukshin Hoti, -Filozofia e çështjes shqiptare, Tiranë, 1995.
[22] Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë. 1998, f. 336.
[23] Po aty, f. 337.
[24] Esat Stavileci, Autonomia dhe federalizmi, Përparimi, Prishtinë 1971, nr. 1, f. 71.
[25] Ana Lalaj, Kosova rruga e gjatë drejt vetëvendosjes, Tiranë. 2000, f. 223.
[26] Po aty.
[27] K. Salihu, Amendamentet kushtetuese vazhdim i politikës së barazisë së kombeve dhe kombësive ,”Përparimi”, Prishtinë1971, nr. 4, f. 279.
[28] Po aty, f. 226.
[29] Po aty, f. 230.
[30] Po aty.
[31] K. Salihu, Lindja… vepër e përmendur, f. 95-99.
[32] Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës…, .kap. III.
[33] Po aty.
[34] Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë 1998, f. 340.
[35] Kushtetuta e Krahinës Socialiste të Kosovës …, vepër. e përmendur, Neni 3.
[36] Po aty.
[37] Po aty.
[38] Ana Lalaj, vepër e cituar, f. 243.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...