Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
May 08, 2014 Zani i Nalte Personalitete 0
Zhvillimi i gjithanshëm i Dibrës, roli i saj si qendër e organizimit të besës dhe unitetit të krahinave shqiptare gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si qendër e luftës për mbrojtjen e krahinave shqiptare nga politikat e Fuqive të Mëdha dhe monarkive ballkanike e Perandorisë Osmane, e bënë Dibrën jo vetëm një krahinë të luftës e qëndresës, por dhe një qendër të propagandimit dhe të përhapjes së arsimit e shkollave në gjuhën shqipe.
Ashtu si dhe në shumë treva shqiptare, në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, lëvizja arsimore e kulturore në Dibër morën përmasa më të mëdha duke e bërë Dibrën trevë përcaktuese në përhapjen e arsimit shqip në Shqipërinë verilindore dhe në krahinat e tjera shqiptare. Është e dokumentuar se “Abetarja e gjuhës shqipe” e shkruar dhe e botuar nga Kostandin Kristoforidhi në vitin 1867 në Stamboll me dialektin toskërisht e gegërisht, u përhap dhe u mirëprit në Dibër me një entuziazëm e dashuri shumë të madhe. Në një letër të Kristoforidhit të vitit 1871, tregohet entuziazmi me të cilin e kishin pritur në Shqipëri e veçanërisht në Dibër e në disa qytete të tjera të Shqipërisë qendrore këtë abetare.[1]
Shtytje edhe më të madhe lëvizjes arsimore në Dibër i dha Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Gjatë kësaj periudhe Dibra ishte shndërruar jo vetëm në një qendër të kësaj Lidhjeje, por dhe mbrojtësja kryesore e platformës së saj për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe. Në kuvendet e Lidhjes Shqiptare në Dibër të 14 tetorit 1878 dhe të 1 nëntorit 1878, krahas kërkesave me karakter autonomist, u përfshi dhe kërkesa për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe si:
– njohjen e gjuhës shqipe nga nëpunësit,
– zhvillimin e arsimit dhe futjen e gjuhës shqipe në shkolla,
– përdorimin e një pjese të buxhetit për arsimin e punët botore etj.[2]
Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, iu dha një shtytje me rëndësi shumë të madhe zbatimit të programit kulturor dhe sidomos zhvillimit të arsimit. Pas Lidhjes, lufta për arsimin shqip dhe kulturën kombëtare arritën në një shkallë më të lartë. Lëvizja arsimore e kulturore kombëtare do të ndikonte në afirmimin e kombit shqiptar, në rritjen e vetëdijes kombëtare, për bashkimin dhe mobilizimin e popullit shqiptar në luftë për zbatimin e programit të lëvizjes kombëtare shqiptare deri në shpalljen e pavarësisë. Ky program gjeti menjëherë përkrahje dhe zbatim në shumë krahina shqiptare dhe u shoqërua me hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Pengesë kryesore për përhapjen e arsimit shqip ishte vetë Perandoria Osmane. Ajo i përjashtoi shqiptarët nga e drejta për të përdorur lirisht gjuhën e tyre në institucionet arsimore, kulturore e fetare. Pengesat e Portës së Lartë për hapjen e shkollave shqipe dhe për përhapjen e arsimit e shkrimit shqip, krijuan kushtet për hapjen e shkollave greke, serbe e bullgare në këto krahina.
Me gjithë censurën e egër, mësimi dhe shkrimi i gjuhës shqipe filluan të bëhen fshehurazi. Shumë rilindas bënë përpjekje për të nxjerrë lejen e përdorimit të gjuhës amtare në shkollat e vendit dhe për botimin e librave shqip dhe shpërndarjen e tyre në të gjithë Shqipërinë. Rilindasit e kishin të qartë që emancipimi politik nuk mund të arrihej pa emancipimin kulturor. Emancipimi kulturor do të bëhej nëpërmjet përhapjes së gjuhës shqipe, përhapjes së diturisë dhe shkollës shqipe që do të ndërgjegjësonin shqiptarët për mbrojtjen e kombit dhe çlirimin e tyre nga sundimi osman. Në Dibër, këto përpjekje të rilindasve gjetën mbështetjen dhe përkrahjen e gjithë krahinës. Kultura dhe arsimi u përhapën jo vetëm në Shehër (Dibër të Madhe), por dhe në rrethinat e saj. Kudo u ngritën objekte kulturore e fetare. Në Dibër e rrethina u hapën shumë shkolla publike (shtetërore), private dhe fetare. Sipas të dhënave osmane e arkivave të huaja, në Dibër e rrethinë pas vitit 1875 ka pasur rreth 33 shkolla fillore islame, 2 shkolla fillore të krishtera, 7 medrese, një ruzhdie.[3]
Ky fakt tregon se Dibra dhe rrethinat e saj kishin një ngritje të mjaftueshme arsimore e kulturore, që shërbente si bazë për përhapjen e gjuhës e shkollave shqipe. Ngritja kulturore e krahinës së Dibrës u dëshmua sidomos pas hapjes më 7 mars 1887 të shkollës së parë shqipe në Korçë. Në shembullin e Korçës, shkolla shqipe u hapën në Dibër dhe në shumë krahina të tjera të Shqipërisë si: në Elbasan, Krujë, Korçë, Berat, Gjirokastër, Kolonjë, Pogradec, Vlorë, Përmet, Skrapar, Çamëri, etj. Këto shkolla, në të cilat mësuesit atdhetarë u mësonin fëmijëve dhe të rriturve alfabetin e gjuhës shqipe[4], u çelën pranë shtëpive private dhe dyqaneve. Shkolla shqipe u hap dhe në Rekë të Dibrës[5], e para shkollë shqipe në këtë krahinë. Në lëvizjen mbarëkombëtare për përhapjen e mësimit dhe të shkollave shqipe, një rol të veçantë luajtën Dibra dhe atdhetarët dibranë Said Najdeni (Hoxhë Voka), Hamdi bej Ohëri, Dervish Hima, Shaqir Daci, Kadri Fishta, Hoxhë Muglica etj. Në lëvizjen për përhapjen e shkrimit e mësimit shqip, ndër të parët u shqua Said Najdeni i njohur me emrin Hoxhë Voka.[6] Pasi u kthye në Dibër, brenda një kohe të shkurtër, Saidi së bashku me Shaqir Dacin, Shyqyri Qokun, Hamdi Ohërin, Kadri Fishtën, Nazif Sharofin, Hajdar Varvaricën etj, formuan një vatër patriotësh dibranë të cilët i vunë detyrë vetes të përhapnin shkrimin shqip dhe veprat e rilindasve brenda dhe jashtë qytetit.
Në vitin 1888, Said Najdeni hapi të parën shkollë shqipe në qytetin e Dibrës. Po në këtë vit, Saidi, si një pjesëtar aktiv i Shoqërisë së Shkronjave Shqipe të Stambollit, mundi të organizojë dhe të formojë një shoqëri patriotike thjesht me të rinj dibranë me plot etje për mësimin, shkrimin e këndimin e gjuhës shqipe. Said Najdeni u dhuroi atyre dhe abetare[7] e hartuar në vitin 1879 nga patriotët e Shoqërisë së Stambollit dhe abetaren e hartuar në vitin 1886 nga Sami Frashëri. Kjo shoqëri ishte njëkohësisht dhe shkolla e parë shqipe në qytetin e Dibrës. Shkolla shqipe e hapur në Dibër, ishte një shkollë e thjeshtë. Në të nxënësit vinin dhe mësonin fshehurazi për të mos rënë në sy të autoriteteve osmane. Aty mësohej alfabeti shqip, lexohej në gjuhën amtare, mësohej të numërohej dhe bëheshin biseda me temë nga historia e popullit shqiptar. Në këtë shkollë gjithashtu merreshin njohuri dhe nga shkencat e natyrës e feja.
Shkolla e parë shqipe në Dibër u hap në një nga dyqanet e pazarit, në dyqanin e opingarit Sherif Gorenxa, aty afër xhamisë. Në bodrumet e këtij dyqani Hoxhë Voka jepte mësim për një grup nxënësish. Kjo ishte një shkollë e fshehtë, klasat e saj ishin izbat e errëta të dyqaneve dhe odat e fshehta të shtëpive.[8] Nxënësit e parë të kësaj shkolle ishin: Selim Rusi, Shaban Pepa, Daut Varvarica, Kadri Fishta, Murat Piperku, Dullë Nallbani, Zenepe Qoku (motra e Shyri Qokut, gruaja e ardhshme e Dervish Himës dhe gruaja e parë dibrane që mësoi shkrimin shqip në Dibër), Aziz Menzelxhiu, Osman Lleshi, Shaban Daci, Ramiz Daci, Qamil Daci, Shyqyri Daci, Nuredin Xhemalçe, Vehbi Xhidri, Hasan Ballanca, Vehbi Hatibi, Hafëz Sherif Palikuqi, Hafëz Abdurahimi, Hafëz Muhameti, Sheh Latifi, Sefedin, Qazim e Hysni Najdeni, Razije Pregja (Najdeni) etj.[9]
Shkolla shqipe që u çel në Dibër në vitin 1888, nuk pati jetë të gjatë, megjithatë ajo u bë një qendër e rëndësishme patriotike. Të shqetësuar nga aktiviteti patriotik i kësaj shkolle, autoritetet osmane e zbuluan dhe morën masa jo vetëm për mbylljen e saj, por dhe për ndjekjen dhe burgosjen e të gjithë atyre që propagandonin mësimin shqip në Dibër.
Rreziku i copëtimit të viseve shqiptare, riaktivizimi i pretendimeve të shteteve ballkanike ndaj trojeve shqiptare të Kosovës, të Dibrës etj, i dhanë një shtytje të re jo vetëm lëvizjes për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi, por dhe lëvizjes për shkollat shqipe. Situatën e krijuar e shfrytëzuan mjaft mirë atdhetarët dibranë të cilët, pas vitit 1890, nëpërmjet kryengritjeve të vazhdueshme kundërshtuan reformat osmane dhe politikat e shteteve ballkanike dhe bënë përpjekje për rihapjen e shkollave shqipe në Dibër. Në vitin 1893 Said Najdeni u rikthye në Dibër pas internimit dhe rihapi përsëri shkollën shqipe të mbyllur në vitin 1888. Situata e krijuar, ofroi përsëri hapësira për shtrirjen e aktivitetit politik, arsimor e kulturor jo vetëm në qytetin e Dibrës, por dhe në krahina të tjera rreth saj. Rihapja e shkollës shqipe në qytetin e Dibrës, ndikoi në shtrirjen e rrjetit të shkollave shqipe dhe në malësitë e Dibrës: në Gollobordë u hap një shkollë shqipe në shtëpinë e Hoxhë Muglicës[10], atdhetar i flaktë i çështjes kombëtare, shkolla shqipe u hapën dhe në Maqellare, në Dohoshisht pranë shtëpisë së atdhetarit Hasan Zajmi, në Brezhdan, në Homesh[11] dhe në Grykën e Vogël tek shtëpia e Sheh Sulës, Babai i Teqesë në Bllacë etj.[12]
Rikthimi në Dibër i Said Najdenit, me një politikë të qartë arsimore, ndikoi jo vetëm në rihapjen e shkollës shqipe të vitit 1888, por dhe në formimin e një vatre patriotësh dibranë me pjesëmarrje të figurave të shquara dhe aktivistë aktivë si: Shaqir Daci, Kadri Fishta, Shyqyri Qoku, Hamdi Ohëri, Nazif Sharofi, Hajdar Varvarica etj., të cilët i vunë vetes si detyrë të rrisnin aktivitetin arsimor për përhapjen e shkrimit shqip dhe shkollave shqipe në Dibër e rrethina. Në vitin 1894, Shaqir Daci, një ndër nxënësit dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Said Najdenit, shkoi në Homesh dhe me mbështetjen e patriotit Mersim Dema hapi në këtë fshat shkollën e parë shqipe.[13] Shkolla u hap në shtëpinë e Mersim Demës, por edhe kjo shkollë nuk pati jetëgjatësi dhe u mbyll shpejt. Pavarësisht nga kohëzgjatja, në këtë shkollë mësuan të lexonin e të shkruanin shqip shumë nxënës nga fshatrat e Kovashicës, Bllacës, Boçevës, Homeshit etj.
Për përhapjen e arsimit e shkollave shqipe, një ndihmesë mjaft të madhe, krahas faktorit vendas, dhanë dhe shoqëritë patriotike të krijuara brenda dhe jashtë atdheut. Këto shoqëri siguronin dhe sillnin fshehurazi abetaret dhe librat shqip, që pastaj shpërndaheshin në të gjitha krahinat. Librat shqip në Dibër vinin nga kolonitë shqiptare të Stambollit, Bukureshtit, Sofjes. Librat silleshin deri në Shkup e më tej, nëpërmjet qiraxhinjve, shpërndaheshin në qytetin e Dibrës, në Zerqan, Bulqizë, Homesh, Bllacë, Luzni, Lurë, Gollobordë, Rekë etj. Në Zerqan librat drejtoheshin për në Teqe tek Sheh Sula[14], në Bulqizë tek Karaj, në Homesh tek Mersim Dema, në Bllacë tek Baba Sufa i parë dhe në Lurë tek Kolë Bibë Doçi.[15] Gazeta “Drita”e Sofjes shkruante: “Qysh në vitin 1893, Said Najdeni kishte marrë nga Stambolli një tog me libra shqip dhe kishte shkuar në Dibër të Madhe për t’u mësuar shqipen dibranëve”.[16]
Nga Bukureshti e Sofja vinin gjithashtu deri në Shkup dhe materialet mësimore; nga Shkupi silleshin në Dibër dhe prej andej shpërndaheshin në Zerqan, në Bulqizë, në Mat e deri në Tiranë.[17] Përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe në Dibër e Malësi vazhduan dhe në vitet në vazhdim. Shpesh patriotët dibranë e shqiptarë u detyruan të organizonin protesta kundër autoriteteve osmane, që pengonin hapjen e shkollave shqipe dhe protesta për të mos lejuar në Shqipëri ngritjen e kishave bullgare, greke e serbe. Protestat arritën kulmin në vitin 1894, kur Sulltanit iu dërgua një memorandum nga Shqipëria në emër të treqind fshatrave shqiptare të disa krahinave të vilajeteve të Kosovës e Manastirit. Në memorandum parashtrohej ankesa ndaj Portës së Lartë sepse u kishte dhënë mundësi bullgarëve, serbëve dhe grekëve të ngrinin në viset shqiptare të Dibrës, të Prizrenit, të Prishtinës e gjetkë, shkolla, peshkopata e seminare në gjuhët e tyre. Në këtë memorandum kërkohej gjithashtu leja për hapjen e shkollave shqipe në këto vise.[18] Kundrejt këtyre kërkesave të shqiptarëve, menjëherë vepruan autoritetet osmane. Këtë presion direkt të autoriteteve, e ndjenë më shumë atdhetarët dibranë Said Najdeni dhe Dervish Hima (Ibrahim Naxhiu).
Në vitet 1895-1899, Dervish Hima erdhi prej Stambolli. Në Shqipëri, dhe sidomos në Dibër, ai gjeti terrenin e përshtatshëm dhe bashkëpunimin me Said Najdenin, që i dhanë një shtytje të mëtejshme lëvizjes për hapjen e shkollave shqipe në Dibër. Në Dibër, në lëvizjen për arsimin e shkollën shqipe, me gjithë masat e rrepta ushtruar nga autoritetet osmane, krahas Said Najdenit e Dervish Himës, u shquan për veprimtarinë e tyre arsimore dhe ish-nxënësit e Said Najdenit.
Për të penguar lëvizjen për arsimin shqip dhe hapjen e shkollave shqipe në Dibër e rrethina, autoritetet arrestuan dhe internuan propaganduesit e arsimit shqip në Dibër. Atdhetarët arsimdashës dibranë, për t’u shpëtuar persekutimeve dhe për të realizuar misionin e tyre, hapjen e shkollave shqipe, shpërndarjen e abetareve, gazetave e librave shqip të shkrimtarëve të Rilindjes, lëviznin nga një qytet i Shqipërisë në tjetrin, nga njëra krahinë në tjetrën. Dervish Hima i shkruante atdhetarit Ibrahim Temo në fillim të korrikut 1896 se ai ishte në lëvizje të vazhdueshme, sepse ndodhej nën mbikëqyrje të plotë të autoriteteve osmane. Ai theksonte se: “Sot ndodhem në Elbasan, nesër shkoj në Tiranë, pasnesër në Bërzheshtë, javën tjetër në Strugë e njëherë tjetër në Dibër.”[19]
Pas kthimit në Dibër, Said Najdeni së bashku me nxënësit e tij: Shaqir Daci, Shyqyri Qoku, Kadri Fishta, Hamdi Ohëri, Nazif Sharofi, Hajdar Varvarica etj., në vitin 1896 organizuan brenda në Shehër (Dibër), në shtëpinë e Abdullah Manjanit, një kurs të fshehtë për mësimin e shkrimin shqip. Ky kurs dokumentohet si i pari kurs shqip në trevën e Dibrës[20]. Me nismën e tyre, po rreth vitit 1896 ata formuan një shoqëri të fshehtë për përhapjen e mësimit shqip dhe për të përballuar shpenzimet me fondet që do të siguroheshin nga kontributet që do të mblidheshin.
Në vitin 1896, autoritetet arrestuan dhe mbyllën në burgun e Manastirit dhjetëra të rinj dibranë. Po në vitin 1896, Said Najdeni u internua në Edrene, kurse Dervish Hima, për t’u shpëtuar ndjekjeve e arrestimit, në vitin 1897 u detyrua të largohej jashtë Shqipërisë. Për vetë kontributin që po jepte për përhapjen e mësimit e shkollave shqipe në Dibër e më gjerë, të njëjtin fat si dhe Said Najdeni pati dhe Hamdi Ohëri i cili u burgos në Manastir. Hamdi Ohëri është i pari patriot dibran, që lëshoi një deklaratë politike, në të cilën parashtronte aspiratat kombëtare të shqiptarëve. Ai, i informuar mirë për nevojat e ngutshme të dibranëve për libra e shkolla shqipe, në një korrespondencë me Ibrahim Temon, shkruan: “Në Dibër po shtohen mësuesit e gjuhës shqipe. Vazhdimisht kërkojnë libra. Aman përpiqu që librat të vijnë këtu shpejt. Librat të vijnë këtu një sahat e më parë.”[21]
Në fund të vitit 1897, Said Najdeni, pas internimit u rikthye në Dibër. Ai kishte sjellë nga Stambolli libra shqip dhe kudo ku kaloi: në Ohër, në Strugë, në Elbasan, propagandoi nevojën e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe.[22] Në vitin 1898, me dhjetëra patriotë të tjerë dibranë, ndër të cilët dhe Shaqir Daci, u përcollën me pranga në Manastir, kurse Said Najdeni, i cili u lirua atë vit, pas disa muajsh mori urdhër të linte përsëri vendlindjen me pretekstin se ishte “emëruar” pedagog në Medresenë e Sulltan Ahmetit në Stamboll. Me gjithë masat e rrepta, radhët e patriotëve dibranë u shtuan. Lidhjet e tyre me rrethet patriotike të krahinave të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë, u shtuan e u forcuan. Lidhje të vazhdueshme u mbajtën sidomos me shoqëritë shqiptare “Dituria” të Bukureshtit dhe “Dëshira” të Sofjes, me Kosovën dhe me Shqipërinë e Mesme nga vinin në Dibër abetare e libra shqip të rilindasve. Në Dibër u përhap në këtë kohë “Abetarja” e Sami Frashërit me të cilën raportonte konsulli austro-hungarez, A. Kral në Manastir: “Mësuan të shkruanin në gjuhën shqipe qindra dibranë. Deri në vitin 1899, kishin mësuar të shkruajnë e të lexojnë shqip më shumë se 300 dibranë”.[23]
Lidhjet e vazhdueshme me shoqëri brenda e jashtë atdheut ndikuan në rritjen e personalitetit të disa atdhetarëve dibranë, të cilët për aktivitetin që kishin luajtur në dobi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, u zgjodhën dhe në krye të këtyre komiteteve e shoqërive. Në fund të vitit 1898, Kadri Fishta hyri si përfaqësues i qarqeve patriotike dibrane në Komitetin Kombëtar të fshehtë, që u formua në Manastir nën kryesinë e Halit Bërzhestës, i cili mori drejtimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të luftës për të drejtat autonomiste në mbarë vilajetin e Manastirit. Krahas Kadri Fishtës, kontribut të rëndësishëm në mbajtjen e kontakteve me rrethet patriotike shqiptare dhe sjelljen e botimeve në gjuhën shqipe në Dibër, ka dhënë Selim Rusi[24], i cili do të bëhet një figurë qendrore në lëvizjen kombëtare në vitet në vazhdim.
Në rrethanat kur marrëdhëniet e Portës së Lartë me Dibrën ishin acaruar, kur lëvizja për të drejtat autonomiste po ngrihej vazhdimisht, lindi e ashtuquajtura “Çështja maqedone”, e cila i detyroi dibranët, si mbarë shqiptarët, ta drejtonin vëmendjen e tyre tek lufta për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut, por pa i ndërprerë për asnjë çast dhe kërkesat për zhvillimin e arsimit shqip. Kjo lëvizje mbarëkombëtare arriti shkallën më të lartë të saj me formimin e Lidhjes së Pejës në janar 1899. Dibranët, ashtu si dhe në vitet e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, u bënë mbështetësit kryesorë të Lidhjes së Re. Haxhi Zeka, drejtuesi kryesor i Lidhjes së Re, gjeti mbështetjen, përkrahjen dhe solidaritetin e fuqishëm të dibranëve, mbështetje e cila u shpreh dhe në kontributin për organizimin e një Kuvendi të Madh krahinor në Dibër. Kuvendi i Dibrës i zhvilloi punimet në shkurt-mars 1899 dhe ndikoi fuqishëm në gjallërimin e lëvizjes arsimore. Komiteti i Besëlidhjes së Dibrës kishte për detyrë jo vetëm të organizonte mbrojtjen e trevave shqiptare, por dhe të lëvronte gjuhën shqipe, të hapte shkolla shqipe dhe të siguronte mjetet e duhura financiare për to. Këtë dëshirë të dibranëve për arsim e shkolla shqipe e shpreh dhe konsulli austro-hungarez Kral, i cili shprehej se: “Komiteti i Besëlidhjes së Dibrës kishte parashikuar në buxhetin e vet një fond për ndihmë materiale shkrimtarëve kombëtarë d.m.th shkrimtarëve që do të zhvillonin letërsinë kombëtare shqiptare. Më ka habitur fakti, – shprehet ai në raportin e 11 marsit 1899 -, se gati të gjithë personalitetet dibranë me të cilët pata fatin e rastin të bisedoj, më kanë bindur se në Kuvend i është kushtuar vëmendje shumë çështjeve të tilla si:
– bashkimi i të gjithë banorëve që flasin shqip, pavarësisht nga feja,
– barazi përballë pushtetit midis shqiptarëve të krishterë dhe myslimanë,
– kultivimi dhe ruajtja e gjuhës amtare,
– hapja e shkollave shqipe dhe sigurimi i materialit shkollor.”[25]
Në Dibër, me nismën e patriotëve dibranë Shyqyri Qoku, Shaqir Daci, Kadri Fishta, Sefedin Pustina, Selim Rusi, Shaqir Jegeni, në kundërshtim me qëndrimet e emisarëve të Sulltanit, më 6 nëntor 1899 u thirr një mbledhje e veçantë me qytetarët e Dibrës në oborrin e Xhamisë së Madhe të Shehrit. Më 7 nëntor 1899 mbledhja zgjodhi “Komisionin Arsimor Shqiptar të Dibrës” me kryetar Shyqyri Qokun dhe me 31 anëtarë.[26] Komisioni i arsimit hartoi po atë ditë një promemorie, që iu dorëzua dy të dërguarve të Sulltanit, të cilët kishin ardhur për të qetësuar gjendjen në Dibër. Në këtë promemorie thuhej ndër të tjera: “…Meqenëse në qytetin tonë, Dibër, flitet vetëm shqip dhe fëmijët e vendit nuk kanë pasur mundësi të arsimohen legalisht në gjuhën amtare, zemrat tona janë mbushur plot me hidhërim të thellë. Në qoftë se lejohet hapja e një shkolle me shqipen si gjuhë mësimi, d.m.th. me gjuhën tonë amtare…atëherë do të përgjithësohesh arsimi popullor… dhe të gjitha shpenzimet do t’i paguajnë patriotët vetë”.[27] Promemoria ishte nënshkruar nga Shyqyri Qoku, Hamdi Bej Ohëri dhe patriotë të tjerë dibranë me aktivitet jo vetëm në Dibër, por dhe më gjerë. Kërkesat e dibranëve nuk u miratuan nga qeveria osmane. Refuzimi u shoqërua me rifillimin e kryengritjeve antiosmane kundër administratës lokale dhe për largimin e forcave ushtarake nga qyteti i Dibrës. Sukseset e lëvizjeve kryengritëse e vendosën Dibrën nën kontrollin e forcave kryengritëse që erdhën nga Malësia e Dibrës së Poshtme, nga Mati, nga Luma dhe nga Selishta.[28]
Sukseset e lëvizjeve kryengritëse sollën jo vetëm vendosjen e kontrollit në qytetin e Dibrës, por dhe hapjen e shkollave shqipe, përgatitjen e botimeve në gjuhën shqipe dhe shpërndarjen e tyre anembanë atdheut. Ashtu si dhe shumë rilindas të tjerë, u shqua për botimet e tij dhe Said Najdeni. Në vitin 1900 ai botoi në Sofje “Abetaren në gjuhën shqipe” dhe “Ferrëfenjësen e Muslimanëve”, botime që treguan dhe njëherë përpjekjet që po bënin atdhetarët dibranë për përhapjen e mësimit në gjuhën shqipe.
Në vitet 1900-1902, Dibra ishte një ndër vatrat kryesore të Lëvizjes kombëtare shqiptare. Sipas konsullit austro-hungarez Kral: “Në Dibër gjendej pika e gravitetit të situatës”[29], sepse në Dibër kërkohej me ngulm të hapeshin shkolla shqipe. Në të gjitha shkrimet e shtypit të kohës vlerësohej shumë gjendja e avancuar që kishte mësimi shqip në Dibër.[30] Gazeta “Drita” në titullin “Paravajtje në Dibër”, shkruante se: “…Si ndë vise të tjera edhe këtu zuri me hy dashuri e mëmëdheut bashkë me të gjuhës! Sot ndë Dibër të Madhe, ndë të Vogël, ndë Mat, Rekë e Malësi, kemi shumë zotni, pleq të nderçëm që përpiqen për paravajtjen e gjuhës shqip. Sot, i pasur, i varfër, i madh e i vogël thërrasin: me gjuhë ruhet mëmëdheu, me shkolla përmirësohet kombi!”[31]
Në mjaft qytete të Shqipërisë si në Tiranë, në Elbasan, në Shkodër, në Dibër, në Mat, në Vlorë etj, qenë ngritur me kontributin e popullsisë fonde të posaçme që përdoreshin për të sjellë fshehurazi libra, gazeta e broshura në gjuhën shqipe si dhe për të ndihmuar veprimtarinë e atdhetarëve jashtë vendit.
Jehonë përhapjes së mësimit shqip në Dibër e Malësi në këto vite i bëjnë dhe këngët e çetave të atdhetarëve dibranë që luftonin kundër turqve, por mbronin dhe shkollat shqipe.
Përhapja e shkollave shqipe, e mësimit të gjuhës shqipe, shpërndarja e librave e gazetave shqipe në Dibër e Malësi në prag të konstitucionit osman dhe pas tij, qenë të dukshme. Lëvizja arsimore e kulturore në Dibër kishte arritur një shkallë të lartë, gjë që ndikoi në krijimin e një shtrese shoqërore të arsimuar e të ndërgjegjësuar e cila do të bëhej mbështetja kryesore në realizimin e programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
[1] M.H.D, Kumtesë, Hysni Myzyri, ”Përpjekjet për arsimin shqip në Dibër”, Peshkopi, 1980, f. 1.
[2] Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, Tiranë, 1978, f. 69.
[3] M.H.D, “Dibra dhe etnokultura e saj”, Vëll. II, Dibër, 1995, f. 79.
[4] Histori e Popullit Shqiptar, vëll. II, Tiranë : Toena, 2002, f. 350.
[5] A.Q.SH, Fondi arsim, D. 25, f. 24; “Historiku i shkollës shqipe në Dibër”, Peshkopi, 1980, f. 27.
[6] M.H.D, Said Najdeni, (Hoxhë Voka), Fondi XII/1, Dosje patriotësh, Dosja, nr. 495.
Said Najdeni lindi në qytetin e Dibrës së Madhe më 1864. Studimet i kreu në Fakultetin e Teologjik të Stambollit. Pas studimeve ai u kthye në atdhe në qytetin e lindjes ku në vitin 1888 krijoi një shoqëri për mësimin e shkrimin shqip. Veprimtarinë e tij e shtriu jo vetëm në Dibër por dhe krahinat rreth saj në Gollobordë, në Grykë të Vogël, në Bllacë, në Maqellarë, në Brezhdan, në Dohoshisht e shumë fshatra të tjerë të Dibrës. Qeveria turke në vitin 1895 duke parë aktivitetin e Saidit e arrestoi atë dhe e burgosi në Edrene. Edhe në burg Saidi nuk i shkëputi lidhjet me atdhetarët shqiptarë dhe luftoi për çështjen kombëtare. Said Najdeni ishte një nga frymëzuesit e organizatorët e Lidhjes së Pejës më 1899, bashkëpunëtor i ngushtë i Haxhi Zekës në Besëlidhjen e Dibrës të shkurtit 1899. Në vitin 1900 boton ”Abetaren e Gjuhës shqipe” dhe “Ferëfenjësen e Myslimanëve”. Saidi rihapi shkollën shqipe në Dibër në vitin 1893 dhe 1900. Nëpërmjet ngritjes së tij atdhetare, ai ndikoi në ndërgjegjësimin e dibranëve në luftën për liri e pavarësi. Saidi vdiq në moshën 39 vjeçare, më 21 nëntor 1903.
[7] M.H.D, Dorëshkrim, “Djelmnia dibrane”, D.148, f .8.
[8] M.H.D, Ismail Strazimiri, “Lëvizja kombëtare në Qarkun e Dibrës”, Tiranë, 1931, f. 2.
[9] S. Temo, L. Bilbili, P. Najdeni, Monografi, “Said Najdeni”, Tiranë, 1980, f. 32.
[10] M.H.D, Hoxhë Muglica, “Historiku i shkollës shqipe në Dibër”, Peshkopi, 1980, f. 62.
[11] M.H.D, Bukurie Zeneli, Kujtime historike, dorëshkrim, Dibër 1985, f. 23.
[12] M.H.D, Dorëshkrim, Haki Stërmilli, “Dibra në prag të historisë”, Tiranë, 1940, f. 36.
[13] M.H.D, Mersim Dema, Fondi XII/1, dosje patriotësh, nr. 327; Haki Stërmilli, vepër e cituar, f. 36.
[14] M.H.D, Sulejman Shehu (Sheh Sula), Fondi XII/1, dosje patriotësh, D. 596.
[15] Gazeta ” Drita “e Sofjes 1903, nr. 2, 17/30, vjeshtë e tretë.
[16] Gazeta “Drita” e Sofjes 1903, nr. 2, 32/21, vjeshtë e tretë.
[17] M.H.D, Referat, Hilmi Sadiku, “Arsimi në gjuhën shqipe dhe çështja e alfabetit në krahinën e Dibrës”, Peshkopi, 1976, f. 28.
[18] Histori e Popullit Shqiptar, vëll. II, Tiranë : Toena, 2002, f. 259.
[19] A.Q.SH, Fondi 12, Dervish Hima, D. 9, f. 4/1.
[20] M.H.D, Haki Stërmilli, vepër e cituar, f. 39.
[21] A.Q.SH, Fondi 19, D. 32/2, f. 16.
[22] Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë, 1972, f. 43.
[23] Hysni Myzyri, “Shkollat e para kombëtare shqipe”, Tiranë, 1978, f. 141.
[24] M.H.D, Selim Rusi, Fondi XII/1, Dosje patriotësh, D. 496; – “ Dibra dhe Etnokultura e saj”, Dibër, 1995, f. 287.
[25] A.I.H, Rap. konsullit Austro-Hungarez, Kral, 11 mars 1899.
[26] Histori e Popullit Shqiptar, vëll. II, Tiranë : Toena, 2002, f. 286.
[27] Hysni Myzyri, “Shkollat e para shqipe”, Tiranë, 1978, f. 180.
[28] Histori e Popullit Shqiptar, vëll. II, Tiranë : Toena, 2002, f. 286.
[29] Hysni Myzyri, vepër e cituar, f .182.
[30] Gazeta “Drita” e Sofjes, nr.2, dt .17/30 e vjeshtës së III, 1901.
[31] Po aty.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 28, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...