Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Apr 27, 2014 Zani i Nalte Sociologji, Studime 0
nga Dr. Genti Kruja
Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar-KMSH
Abstrakt
Dialogu ndërfetar pikënisjen e vet historiko-sociologjike e përcakton thellë në histori, në tradita dhe kultura të ndryshme botërore.
Padyshim që edhe shqiptarët kanë një rol të rëndësishëm në dialogun midis qytetërimeve, parë nga vetë aspekti historik, ku shqiptarët kanë dhënë shembullin e mrekullueshëm të bashkëjetesës ndërfetare, madje dhe ndëretnike e ndërkulturore.
Modeli i shkëlqyer i harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri përbën një aspekt shumë pozitiv të kulturës së shoqërisë shqiptare. Ai nuk ka pësuar ndryshime pavarësisht nga regjimet që kanë kaluar, izolimi i vendit, ndalimi i besimit apo hapja shumëplanëshe ndaj botës. Përkundrazi, ka qëndruar dhe është zhvilluar e forcuar duke u shndërruar në një vlerë të çmuar identifikuese për shoqërinë dhe familjen shqiptare.
Bashkëjetesa ndërfetare në vendin tonë është një model për gjithë aspektet e elementet, aktorët e faktorët e shoqërisë shqiptare. Madje mesazhi që na përcjell bashkëjetesa normale e feve të ndryshme në Shqipëri, është në dobi dhe në funksion të zhvillimit të politikës shqiptare dhe të vlerave morale të njerëzve tanë.
Parë nga këto këndvështrime, aspekti global dhe bashkëkohor i dialogut dhe modeli i tij në teorikë dhe praktikë, përputhet shumë mirë me modelin e harmonisë, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri. Modelet e sotme i japin një dinamizëm të ri, të kompletuar dhe me eksperienca bashkëkohore dhe zhvilluese modelit shekullor të bashkëjetesës ndërfetare tek shqiptarët.
Fjalë kyçe: Harmonia, mirëkuptimi ndërfetar, kultura, bashkëjetesa, shqiptarët.
1. Hyrje
Shqiptarët gjatë gjithë periudhës së studiuar të historisë së tyre, shohim se kanë luajtur një rol të rëndësishëm në dialogun midis qytetërimeve, parë nga vetë aspekti historik, ku ata kanë dhënë shembullin e mrekullueshëm të bashkëjetesës ndërfetare, madje dhe ndëretnike e ndërkulturore, kjo për shkak të sintezës së qytetërimeve të ndryshme të lindjes dhe perëndimit që bashkëjetuan në trojet e vjetra shqiptare.
Në studimet sociologjike shqiptare të viteve të fundit është argumentuar se krahas vlerës kulturore të besës dhe të mikpritjes, toleranca, ose më saktësisht, mirëkuptimi ndërfetar i shqiptarëve, përbënte një nga profilet më të spikatura të modelimit psikokulturor të tyre, në të kaluarën dhe në ditët tona. Çdo përpjekje për depërtimin në thelbin e një vlere të tillë komplekse, shumëfunksionale, për ta evidentuar atë përmes strukturave konceptuale sociologjike, ka rëndësi të veçantë teorike e praktike, jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe më gjerë.
Modeli i harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri përbën një aspekt shumë pozitiv të kulturës së shoqërisë sonë. Ai nuk ka pësuar ndryshime pavarësisht nga regjimet që kanë kaluar, izolimi i vendit, ndalimi i besimit apo hapja shumëplanëshe ndaj botës, apo thënë ndryshe globalizmi. Përkundrazi, ka qëndruar dhe është zhvilluar e forcuar, duke u shndërruar në një vlerë të çmuar identifikuese për shoqërinë dhe familjen shqiptare.
Në fakt, bashkëjetesa prej shekujsh e myslimanëve dhe e të krishterëve tek populli shqiptar, ka bërë që harmonia ndërfetare të jetë një domosdoshmëri historike, duke shërbyer kështu, si mjet dhe faktor, që ka siguruar unitetin kombëtar dhe ekzistencën tonë edhe si popull.
Parë nga këto këndvështrime, aspekti global dhe bashkëkohor i dialogut dhe modeli i tij në teorikë dhe praktikë, përputhet shumë mirë me modelin e harmonisë, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri. Modelet e sotme i japin një dinamizëm të ri, të kompletuar dhe me eksperienca bashkëkohore dhe zhvilluese modelit shekullor të bashkëjetesës ndërfetare tek shqiptarët.
Gjykuar në pikëpamjen horizontale-sinkronike, shqiptarët janë një popull ku bashkëjetojnë të dyja fetë ibrahimiane (abrahamike), Krishtërimi dhe Islami. Secila nga të dyja fetë abrahamike ekzistojnë së bashku prej shekujsh me komunitetet e tyre përkatëse, të krishtera dhe islame.
Sipas shumë studimeve, apo teorive si ato të Fukuyama-s dhe Hungtingtonit, në mjaft shoqëri më të urbanizuara, në rrjedhën e disa shekujve, madje edhe në ditët tona, konfliktet ndërfetare kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten një sfidë e rëndë problematike në shumë rrafshe, sociale e politike, fetare e psikokulturore, duke supozuar edhe përplasjen e tyre. Në këtë sfond ndërkombëtar, ku shihen dukshëm konfliktet ndërfetare, mirëkuptimi ndërfetar i shqiptarëve, ngjan si një gur i çmuar për gjithë mozaikun (Dervishi, Z., “Fakte rrjedhëse të mirëkuptimit ndërfetar të shqiptarëve: një sprovë shpjegimore”, Revista “Univers”, 2008).
Populli shqiptar me multifetarizmin e vet, ka qenë, është dhe duhet të jetë shembull i veçantë dhe simbol i harmonisë fetare në historinë e popujve të Ballkanit, madje edhe më tej. Myslimanët, ortodoksët dhe katolikët, kanë bashkëjetuar në harmoni dhe pa konfrontime përçarëse në mes vete, madje përkundrazi ata kanë plotësuar njëri-tjetrin. Vetë ekzistenca e objekteve të kultit, xhamive, kishave e teqeve, pranë njëra-tjetrës, simbolizon të kaluarën e vendit tonë.
2.Një vështrim sociologjik për bashkëjetesën dhe mirëkuptimin ndërfetar te shqiptarët
Të gjithë ne duhet ta kuptojnë se realiteti dhe fati, jo vetëm i yni, por i gjithë botës, që nga fillimi deri në mbarim të saj, është larmi besimesh e bindjesh.
Kjo traditë e harmonisë ndërfetare tek shqiptarët, nuk është diçka e formuar në kohët moderne, por është një traditë që vjen nga thellësia e shekujve. Por sigurisht këto vlera nuk janë të përjetshme, por duhen ruajtur e trashëguar në mentalitetin e njerëzve.
Natyrshëm shtrohet pyetja:
-Cilat janë disa prej fakteve historike që hedhin dritë mbi harmoninë ndërfetare tek shqiptarët?
Kanë qenë pikërisht pyetje të tilla, që nxitën më shumë studiuesit e huaj se sa ata shqiptarë, për të kërkuar vlera të tilla, siç ishte kjo e bashkëjetesës ndërfetare.
Shqipëria ka qenë zona ku takoheshin dhe ndaheshin dy perandoritë më të mëdha të mesjetës: Roma dhe Bizanti, e për rrjedhojë Shqipëria ishte vendi ku takohej dhe ndahej autoriteti i dy kishave: romano-katolike dhe bizantino-ortodokse. Dy perandoritë dhe dy kishat, megjithëse rivale dhe kundërshtare të forta të njëra-tjetrës, tek shqiptarët asnjëherë nuk u bënë shkak konflikti. “Vija e Teodosit” e ndau qysh në fundin e paleokrishtërimit hapësirën shqiptare në dy pjesë, njëra nën pushtetin politik e fetar roman dhe tjetra nën pushtetin politik dhe fetar bizantin. Por kjo ndarje asnjëherë nuk u kthye në kufi midis vetë shqiptarëve. Po ashtu Islami në Shqipëri bashkëjeton me Krishtërimin prej shekujsh dhe është një prej feve përbërëse të Evropës që në fillesat e veta.
Kështu edhe në Shqipëri, ekziston një pluralizëm fetar, i cili ka treguar se i bart dozat e duhura të mirëkuptimi të ndërsjellët, ashtu siç ekziston i konturuar mirë sfondi i një harmonie ndërfetare, e cila pjesërisht trashëgohet nga e kaluara dhe pjesërisht vazhdon të mbrohet tashmë edhe me projekte konkrete zyrtare shtetërore, si dhe nga ana e komuniteteve fetare për të ruajtur dhe zhvilluar vlerat e saj gati unike.
Nën çdo arsyetim, një komb që është në gjendje të sigurojë këtë lloj pasurie, siç është harmoninë ndërfetare, patjetër që është i aftë dhe ka autoritetin e nevojshëm të rrezatojë edhe tek të tjerët mesazhe paqeje, harmonie e mirëkuptimi. Harmonia ndërfetare e brendshme e një vendi, ka shumë pikë në procesin e vlerësimit të rolit të këtij vendi në bashkësi ndërkombëtare rajonale, kontinentale dhe botërore.
Mjaft studiues shqiptarë dhe të huaj kanë argumentuar se fetë në Shqipëri kanë luajtur edhe një rol të rëndësishëm kundërasimilues. Për shekuj me radhë patriotë të krishterë dhe myslimanë kanë qenë faktorë veprues kundër politikave pushtuese dhe shkombëtarizuese antishqiptare të fqinjëve. “Islamizmi i shqiptarëve, – argumenton studiuesi i shquar italian Roberto M. Roka, – ka qenë një pritë kundër trysnisë së huaj, ashtu sikurse, më parë, pranimi i katolicizmit kishte qenë një mbështetje kundër greqizimit bizantin” (Dervishi, Z., 2006: 95).
Kështu përkatësia multifetare e shqiptarëve e bën më të pasur dhe më të ndërlikuar identitetin kombëtar. Këtë e dëshmojnë të dhëna të panumërta të kulturës materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar.
Harmonia përbën gjithashtu edhe një tipar etnotipik të shqiptarëve. Ndoshta kjo cilësi është e lidhur edhe me pozitën gjeopolitike të Shqipërisë. Ndërsa Perëndimi e ka parë Ballkanin dhe portën e tij, Shqipërinë, si një Lindje ekzotike; përkundrazi, Lindja e ka parë atë si Perëndimin e saj. Në kryqëzim të dy botëve, shqiptarët kanë marrë e dhënë me të dyja, duke ruajtur thelbin e vet identifikues, duke shërbyer si urë kalimi ndikimesh dhe duke përvetësuar edhe vetë prej tyre. Kështu u formua tek shqiptarët bindja historike se dallimi, qoftë ky fetar, rajonal, racor, gjenetik, kombëtar, kulturor etj., nuk është rrezik, por pasuri. Një bindje e tillë ka formësuar harmoninë ndërfetare dhe më gjerë tek shqiptarët.
Pluralizmi paqësor fetar, ka shërbyer si element bashkues midis njerëzve, familjeve dhe grupeve të ndryshme në shoqëri. Komunitetet fetare mbeten besnike të frymëzimeve të tyre fillestare të së mirës dhe paqes, si dhe luajnë një rol të përbashkët në kapërcimin e problemeve sociale, forcimin e rolit të familjes, kulturës, etj. Me kontributin e tyre të veçantë Shqipëria përfaqëson edhe një nga rastet e rralla të një vendi me besime të ndryshme fetare, ku të gjithë faktorët politikë e shoqërisë, përfshirë edhe komunitetet fetare, janë përkrahës të fuqishëm të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Në të njëjtën mënyrë është e nevojshme të shndërrohet kultura e dialogut midis besimeve dhe komuniteteve të ndryshme fetare, në urë komunikimi, shkëmbimi dhe lidhje më të fortë midis individëve dhe shoqërisë shqiptare.
Rruga e këmbimit të vlerave ndërmjet qytetërimeve është e pranishme edhe tek populli shqiptar. Për këtë tek shqiptarët mund të flasim për dy nivele të bashkëveprimit të kulturave: raportet e subkulturave shqiptare të ndikuara nga feja e krishterë e ajo islame dhe raportet e kulturës shqiptare me ato të popujve fqinjë, që fillojnë së bashku bashkëjetesën përbrenda popullit shqiptar, qysh nga shekulli XIV, të cilat janë të pranishme në jetën e shqiptarëve. Atë bashkëjetesë e gjejmë në art, në arkitekturë, në gjuhë, në besime, etj.
Kështu vetëm ekspertë të fushave përkatëse, p.sh. mund t’i studiojnë dhe t’i shpjegojnë si duhet ngjyrat e ndryshme që sundojnë në artin islam, figurat e ndryshme në artin bizantin; dekorimet e objekteve të kultit fetar, format e jashtme të objekteve për banim; stilin e ndërtimit të urave apo krojeve publike, objekteve për strehim të kalimtarëve të rastit. Vetëm syri i ekspertit përkatës do të hetojë dhe di t’i shpjegojë ilustrimet dekorative e arkitektonike në trojet shqiptare kryqin, gjysmëhënën, diellin, madje edhe yllin e Davidit (Profetit Davud a.s.), etj.
Kështu Edith Durham dëshmon vizatime në gurë varri më gjysmëhënë dhe me diell, gjysmëhënë në karriget e Dukagjinit, gjysmëhënë dhe diell të gdhendur në një shtëpi myslimane në Vuthaj dhe në tatuazhe tek katolikët e Shkodrës (Salihu, E., Motive astrale në monumentet mbivarrore të periudhës romake në Dardani dhe prania e tyre në kulturën popullore shqiptare, “Studimi etnografik i ndryshimeve bashkëkohore në kulturën popullore Shqiptare”, Prishtinë, 1990:91; shih dhe Statovci, Motivi i xhamisë në kulturën materiale shqiptare të Kosovës, “Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët”, Prishtinë, 1995). Është interesant se këto ilustrime Durham i ka hasur vetëm në Shqipëri.
Ilustrimet për të cilat flet Mark Tirtja në punimin e tij “Elemente të kulturës ilire te shqiptarët”, flasin për një këmbim ose rastësi të qartë ndërmjet kulturës dhe qytetërimit ilir dhe kulturës dhe qytetërimit të popujve të Lindjes (Tirtja, Mark, “Elemente të kulturës ilire te shqiptarët”, 1978:267-288).
Në këto ilustrime yllin gjashtëcepësh e gjejmë ne forma të ndryshme, të gdhendur në dru e në dyert e shtëpive, në Martanesh, Krujë, Postribë, etj. Kjo figurë ylli me gjashtë rrema e stilizuar është shumë e pranishme në Kërçovë.
Nga shekulli XV-XX populli shqiptar kultivoi kryesisht dualizmin kulturoro-fetar; të krishterë dhe Islam, por që edhe qytetërimi hebre është i pranishëm dhe është gjetur si element dekorativ, ku e hasim këtë yll me disa pika shtesë. Këtu kemi edhe diellin dhe gjysmëhënën. Dy besimet fetare tek shqiptarët gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar normalisht dhe të shprehura me një gjuhë, kanë qenë gjithmonë në një gojë për mbrojtjen e integritetit kombëtar shqiptar.
Dualizmi i shqiptarëve në kulturë dhe qytetërim është i pranishëm edhe në fushën e jurisprudencës. Njëlloj, sikur që ndodhte në Spanjë gjatë kohës së sundimit arab, kur në kontekstet që nuk lëndonin normat e ligjit bosht islam, në rastet kur paditësi dhe i padituri ishin të krishterë, i gjykonte gjykatësi i fesë së tyre, sipas ligjeve të tyre, kjo është e pranishme edhe tek shqiptarët, sepse edhe pse ishin nën sundimin osman, zbatonte kanunin e Lekë Dukagjinit në kontekste të ndryshme ndërmjet qytetarëve, madje edhe në rastet më të rënda, në gjakmarrje. Edhe kur deshi Perandoria Osmane që të reformonte kanunin e Lekë Dukagjinit, në vitin 1857, formoi komisionin i cili përbëhej vetëm nga paria shqiptare (Sinani, Shaban, 2002:153-157).
Përfundimisht, duke u mbështetur në historinë dhe përvojën e deritashme të zhvillimit të qytetërimit dhe kulturës së popullit shqiptar, sidomos gjatë këtyre gjashtë shekujve të fundit, mund të themi se populli shqiptar ka kultivuar edhe nënkultura të ndikuara nga fe të ndryshme. Kjo gatishmëri për dialog ndërmjet këtyre kulturave është treguar jo vetëm në mesin e popullit shqiptar që flet një gjuhë dhe i përket një kombi, por edhe në raport me popujt tjerë që kanë kulturë tjetër. Kultivimi i këtyre subkulturave, pa iluzione, pa injorime, pa përbuzje të njërit ose tjetrit cilido qoftë, garantojnë ardhmëri të ndritshme jo vetëm për popullin shqiptar, por për të gjithë rajonin, madje dhe më gjerë.
Sipas disa analistëve, Shqipëria në një farë kuptimi, pikërisht në sajë të ekzistencës së saj në një pikë gjeopolitike e kulturore, që ka përbërë edhe një udhëkryq qytetërimesh, është një miniaturë e problematikës globale. Habermasi, duke e trajtuar këtë problematikë në shkallë botërore, thotë se, globalizimi ekonomik dhe lëvizjet migratore, po krijojnë një “shoqëri globale” të përbërë nga “qytetërime” të ndryshme, që reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj të njëjtave sfida, që u vë përpara dinamika homologuese e modernizimit ekonomik.
Shqipëria ka diskurs ndërkulturor, por kjo larmi është pasuri që duhet ruajtur dhe jo rrezik, që duhet eliminuar (Lubonja, Fatos, Feja dhe shqiptaria në ditët e sotme, revista Përpjekja dhe gazeta Korrieri, 18 maj 2008). Ajo sikurse dihet, është vend multifetar për shkak të ekzistencës së katër komuniteteve kryesore, që kanë besimtarë të moshave dhe krahinave të ndryshme, por edhe për faktin se ekzistojnë variante kultesh, që kanë hyrë rishtazi tek ne dhe kanë edhe ato, disa komunitete numerikisht të vogla besimtarësh.
Shoqëritë multifetare sikurse është edhe jona, kanë brenda edhe bukurinë e një larushie nënkulturash, besimesh, ritesh, që vijnë nga thellësitë e historisë, por përmbajnë edhe rrezikun e përçarjeve, apo ndarjeve komunitariste, që mund të marrin forma dhe shkallë të ndryshme mprehtësie.
Nga të dhënat sociologjike që janë mbledhur, gjykohet se në shoqërinë shqiptare përkatësitë fetare të besimtarëve të ndryshëm nuk i kanë mbyllur ata brenda një ndërgjegjeje dhe lidhjeje të ngushtë ekskluzive të përcaktuar nga feja e tyre.
Për arsye nga më të ndryshmet, të cilat mund të debatohen, konstatohet se lidhja shoqërore e përgjithshme ndërindividuale sot tek shqiptarët, nuk mbetet e fragmentuar brenda afiniteteve të caktuara shpirtërore dhe fetare, që individë të ndryshëm kanë me njëri-tjetrin. Nga personat e anketuar, rezulton se vetëm 13,7 % e tyre me banim në periferitë urbane dhe 8,7 % e atyre me banim në qendrat qytetare të marra në konsideratë, pohojnë se kanë marrëdhënie të dobëta ose të rralla me individë që iu takojnë besimeve të tjera fetare (Fuga, Artan, gazeta `Metropol`, “Fati i dialogut ndërfetar”, 13.12.2006). Të tjerët gjykojnë se pavarësisht besimeve që kanë, bashkëpunimi i tyre profesional, miqësor, fqinjësor, etj, nuk mbyllet brenda një rrethi të ngushtë komunitarist.
Nga pikëpamja filozofike, sikurse na argumentojnë filozofë të ndryshëm perëndimorë, si filozofi amerikan Riçard Rorty ose kulturologu italian Umberto Ecco, urat e dialogut ndërfetar mund të hidhen të shëndosha veçse nëse pranohet se leximi i çdo teksti, rregulli moral të shkruar, pra edhe i atyre të shenjta, sikurse edhe i librave filozofikë klasikë, i ligjeve, apo i çdo norme të kodifikuar sipas parametrave ligjërues të ndryshëm, lejon vend për interpretime të ndryshme (Krasniqi, Milazim, simpozium, referat, 26.05.2007).
Nisur prej këtej, një nga përfaqësuesit e sotëm më të njohur të shkollës së dialogut ndërkombëtar, Fet’hullah Gylen, shprehet se: “Dialogu ndërfetar sot shtrohet si një detyrë dhe hapi i parë për ta vendosur atë, është të braktisen argumentet polemizuese dhe t’iu jepet përparësi pikave të përbashkëta, të cilat janë disa herë më të shumta sesa pikat e dallimeve.” (Gylen, Fethullah, “Drejt një qytetërimi me dashuri e tolerancë”, Prizmi, Tiranë, 2005:23).
J. Barns, shkruan: “Një tolerancë për t’u pasur zili karakterizon në të gjitha drejtimet e tjera marrëdhëniet ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve në Shqipëri” (Hysi, Shyqyri, “Histori e komuniteteve fetare shqiptare”, Tiranë, 2006:228).
3. Faktet historike mbi harmoninë ndërfetare tek shqiptarët
Në krijimin e një fryme tolerante, krahas feve dhe përfaqësuesve të tyre ndër vite, ka ndikuar edhe trashëgimia socio-antropologjike e shqiptarëve, sistemi shoqëror tradicional dhe ai i vlerave. Harmionia ndërfetare ka kaluar nga përbërës i rëndësishëm i modelimit psikokulturor të shqiptarëve, drejt një vetëdije kombëtare për këtë vlerë. “Mungesa e fanatizmit fetar duhet trajtuar si një tipar etnokulturor”, thotë Karaman Ulqini (Ulqini, K., “Faktorë kulturorë e fetarë”, Shkodër, 1999:25). Autori me tolerancë në këtë kontekst ka parasysh “mendësinë e shqiptarëve, të cilët e pranonin njëri-tjetrin pavarësisht nga besimi fetar” (Ulqini, 1999:26).
Në fakt shembujt janë të shumtë në lidhje me harmoninë ndërfetare te shqiptarët përgjatë shekujve, por këtu mund të përmendim disa të tillë, të cilët përbëjnë një vërtetësi historike të kësaj çështjeje, sa të rëndësishme, aq edhe delikate për kombin tonë.
Gjatë sundimit osman banesat shqiptare filluan kryesisht t’i përkisnin tipit oriental, po ashtu edhe mënyra e jetesës. Shtëpia shkodrane me çardak, të tërë elementët e saj i kishte njëlloj, pavarësisht nga përkatësia fetare e banuesve: akshihane (vend gatimi), vatër, enë, odat me musandra, me mindere, me trapazanë e me sergji; po kështu edhe banesa përdhese, jerevia. Gratë qytetare të krishtera e myslimane dilnin në rrugë të mbuluara. Pak a shumë të njëjtë janë ndikimet orientale në veshje: xhamadan, shallvare, fes, xhybe, etj. Deri priftërinj e ipeshkvinj mbanin në kokë fesin me tufë (Ulqini, K., 1999:18). Këto tregojnë në fakt bashkëjetesën ndërfetare midis shqiptare, një nivel ky shumë më i lartë se toleranca.
Shembuj të shumtë janë edhe në regjistrat e dokumenteve historike shqiptare. Frang Bardhi përmend ndihmën që i kishin dhënë myslimanët shqiptarë në rindërtimin e kishës së shembur të Kabashit! (Zamputi, I., 1965, II, Dok. 24:71).
Kështu qëndrimi i ndërmjetëm midis Perëndimit e Lindjes, i bashkuar me ruajtjen e ngulur të natyrës së vet etnike, i ka gdhendur Shqipërisë përgjithmonë fytyrën e saj të veçantë (Çabej, Eqerem, Për gjenezën e literatures shqipe, Shkodër, 1939:18, 25).
Një misionar katolik kishte vënë re se sipas botëkuptimit të malësorëve “t’tanat fenat i ka qitë Zoti” (Disa ndodhi historike ose çka qilloj nder Misione t’Shqypnisë, dorëshkrim në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, fq. 38-39). Ishte një parim i shkëlqyeshëm i cili çimentonte themelet e bashkëjetesës ndërfetare, i trashëguar nga shekujt tek një popull impulsiv e krenar, një gjetje e lakmueshme edhe për sot. Të njëjtin kuptim leksikor kishte Zoti (Dio) i të krishterit e Allahu tek myslimani, që në shqip thirren Zot ose Perëndi nga të dy palët pa dallim. Toleranca ndërfetare tek shqiptarët nuk e ka përjashtuar, nuk e ka mohuar devotshmërinë fetare dhe as devotshmëria nuk i ka zhytur në intolerancë e fanatizëm, qoftë edhe më të përkushtuarit (Ulqini, K., “Faktorë kulturorë e fetarë”, Shkodër 1999: 26; shih: Koliqi, E., L’Islam e il Cristianesimo nella literatura albanese, “Shejzat”, 1-2, 1963: 51).
Toleranca ndërfetare zë fill edhe në jetën familjare. Në disa krahina pati familje të përziera fetarisht, katolike, ortodokse dhe myslimane, që së bashku gjallonin në harmoni me njëri-tjetrin.
Një misionar jezuit dëshmonte më 1896 se me rastin e Krishtlindjes myslimanët e qytetit të Shkodrës shkonin t’i uronin katolikët “për shumë mot” (Lettere edificanti delle Provincia Veneta, serie IX, Venezia, 1898: 19).
Kështu studiuesi Karaman Ulqini shprehet në librin e tij “Faktorë kulturorë e fetarë”, se në vitet pesëdhjetë të shek. XX në Mat kishte shumë kisha të braktisura prej qindra vitesh, të cilat u lanë ashtu, e askush nuk prekte një gur. “Janë vakuf”, thonin banorët (Ulqini, K., “Faktorë kulturorë e fetarë”, Shkodër 1999:29).
Sipas traditës miku i panjohur mund të pyetej për gjithçka, por jo për përkatësinë fetare. Të krishterët nuk nxirrnin mish derri për miqtë myslimanë dhe ruanin enë e lugë të veçanta për t’i përdorur kur ata të vinin. Një misionar shkruante se “shpesh i kishte qëlluar të përshëndeste myslimanët e Iballes: “kjoftë lëvdue Jezu Krishti!”, – duke i kujtuar për të krishterë e ata pa u treguar aspak të fyer përgjigjeshin: “gjithmonë qoftë lëvdue” (Ulqini, K., “Faktorë kulturorë e fetarë”, Shkodër 1999:31). F. Nopça tregonte rastin kur një prift katolik ishte kumar i një myslimani të shquar. Kurse Ndoc Preka nga Shoshi (Dukagjin) nuk e kishte penguar përkatësia fetare të bënte kumari me Sulejman Memën, i cili ishte mysliman (Taipi, K., Zana popullore, Shkodër, 1933: 187-189).
Konsulli austro-hungarez në Durrës shkruante më 13 korrik 1881 se në atë qytet, në Kavajë e në Tiranë ishte zakon i vjetër, që edhe myslimanët të merrnin pjesë në varrimet e të krishterëve, Faik Konica kujtonte shpeshherë se kur i vdiq e ëma, të krishterët u ranë kambanave në shenjë zie (Ulqini, K., “Faktorë kulturorë e fetarë”, Shkodër 1999:32).
Kur Gruda po ngrinte kishën në Llofkë, për të kontribuan njëlloj si katolikët dhe myslimanët e Dinoshës (Ulqini, K., “Faktorë kulturorë e fetarë”, Shkodër 1999:32). Shtëpia e vetme myslimane në Selcë (Kelmend), ajo e Bajram Muçës, i fali famullitarit të Malit Kolaj vendin për ndërtimin e qelës (Gelasius, Fjalori toponamastik, “Hylli i dritës”, nr. 9-12, 1943: 401).
Në gjysmën e dytë të shek. XIX bajraku i Shkrelit donte të ndërtonte kishën, por katër fshatrat e tij nuk ranë në një mendje për vendin ku do të ngrihej. Për një kohë çështja u zvarrit, deri sa kuvendi i bajrakut vendosi që themelet e kishës të hapeshin aty ku do ta shihnin të arsyeshme myslimanët e fisit dhe ashtu u bë (Ulqini, K., “Faktorë kulturorë e fetarë”, Shkodër 1999: 34).
Gjithashtu edhe amaneti i lënë për çështje fetare nga një besimtar i fesë tjetër, çohej deri në fund me këmbëngulje.
Në rrethanat e shek. XVIII kur vendi i gjendur në tri fe, trevat e të cilave pothuajse ishin veçuar nga ana gjeografike, si dhe pa pasur asnjë institucion fetar të përbashkët, emri etnik arbër u shndërrua në shqiptar pa u përjashtuar katoliku, ortodoksi e myslimani. Nga Novipazari në Prevezë, nga Durrësi në Shkup, trojet ku banonin shqiptarët, ku flitej shqipja, u thirrën Shqipëri. Me emrin shqiptar nuk u bë identifikimi etnik-fetar, por etnik gjuhësor. Pashko Vasa u përpoq ta shpjegojë (1879) këtë realitet shqiptar. “Sipas vështrimit tonë, popullsitë shqiptare, qofshin myslimanë, qofshin ortodoksë apo katolikë, janë e mbeten ashtu siç ishin këtu e tridhjetë shekuj më parë, d.m.th. populli më i lashtë i Evropës, fisi më pak i përzier se të gjitha fiset tjera-të njohura. Ky është një fis që si për çudi dhe për shkak të një dukurie që ne nuk e shpjegojmë dot, ka ditur t’i qëndrojë kohës, ka mundur të mbrojë gjuhën e vet, pa pasur letërsi të mirëfilltë dhe, çka peshon më shumë, ia ka dalë të ruajë tipin e vet origjinal e karakteristik, pa u treguar i ftohtë dhe pa refuzuar, në shfaqjet e veta të jashtme, besimin dhe ritet e atyre feve që ka përqafuar dora-dorës, të cilat janë shtrirë fitimtare përmes shtjellimit të shekujve” (Vasa, Pashko, Vepra letrare I, Tiranë, 1987: 98).
Bushatlinjtë dhe Ali Pashë Tepelena duke u siguruar të krishterëve liri fetare, i lanë Lëvizjes Kombëtare një trashëgim të vyer. Padër Gjergj Engjëll Radovani i shkruante perandorit të Austrisë më 27 mars 1788 se, Karamahmuti ka qenë i prirur ndaj katolikëve, i ka mbrojtur, u ka dhënë liri të plotë fetare dhe i ka lejuar të rindërtonin kishat.. (Arkivi i Institutit të Historisë, “Arkivi i Vjenës”, Fk. 224-225, L. 657, filmi 822).
Fan Noli kërkonte të mos ndryshohej asgjë, e kundërta do të ishte prishja e kombit. “Priftërinjtë e hoxhallarët do të ndihmonin Shqipërinë duke punuar secili në ndriçimin e fesë së tij” (Noli, F., ligjëratë, mbledhur nga L. Dilo, Tiranë, 1944: 29-30), – do të thoshte ai. Pra të njihej liria e ndërgjegjes fetare, e secili të ndiqte kultin që i pëlqente.
Rilindësit u bënin thirrje shqiptarëve të bashkoheshin edhe në emër të Zotit. Sipas Çajupit, “të krishterë e myslimanë (Zoti) i gatoi nga një baltë” (Ulqini, K., “Faktorë kulturorë e fetarë”, Shkodër 1999: 55).
Në gjysmën e shek. XIX, në fshatra të varfra ishte e zakonshme që po e njëjta hapësirë, po i njëjti lokal shërbente të dielën si kishë, kurse në ditë feste si xhami (shih: Choublier, M., Les Bektashis et la Roumelie. Te Revue des Études Islamiques, 1927).
Gjithashtu, edhe Urdhrat myslimane të dervishëve, si tarikatet e ndryshme dhe Bektashinjtë, përfaqësonin një bashkëjetesë shumë të përhapur ndaj jomyslimanëve, gjë që atyre iu siguroi një dashamirësi të caktuar nga ana e popullsisë së krishterë. (Babinger, F., Islamizmi në Azinë e vogël, ZDMG, 1922: 126-152).
Një eveniment i rëndësishëm në historinë e bashkëjetesës së shqiptarëve është edhe Lidhja e Prizrenit. Kështu në gjysmën e dytë të muajit maj të vitit 1878, u mblodhën në Prizren rreth 300 përfaqësues nga e gjithë Shqipëria, në shumicën e tyre myslimanë. Mbledhja e parë u bë me 23 Maj në Xhaminë e Bajrakut (Bajrakli). Pra në xhami kishte edhe përfaqësues të krishterë. Kurse me 10 qershor 1878 mbledhja u zhvillua në Medresenë e Mehmed Pashës (sot muzeu, apo siç njihet si shtëpia e Lidhjes së Prizrenit), ku morën pjesë edhe bejlerë nga Bosnja. Për Shqipërinë e Jugut Abdyl Frashëri organizoi një mbledhje në Teqenë e Bektashinjve të Frashërit, që u deklarua solide në Lidhjen e Prizrenit. Kurse qendra e Lidhjes për Shqipërinë e Veriut ishte Shkodra, ku shqiptarët katolikë punonin bashkë me myslimanët.“Ka po aq të krishterë në Lidhje sa dhe myslimanë”, i thoshte një nga udhëheqësit e Lidhjes nga Shkodra udhëtarit anglez Knight (Knight, Albania: A Narrative of Recent Travel, London, 1880: 139).
Në kohën kur At Anton Harapi hartonte memorandumin e famshëm të 1918-s drejtuar Fuqive të Mëdha, të nënshkruar nga të krishterë e myslimanë, kur Imzot Sereqi i shkruante Lidhjes së Kombeve se në Shqipërinë, që rrezikohej të zhbëhej, kristianë e muhamedanë janë vëllezër dhe duan të jetojnë në të njëjtin shtet, pikërisht në këtë kohë, në mitingun madhështor, organizuar në sheshin e Tiranës, dijetari i madh mysliman dhe patrioti Haxhi Vehbi Dibra (Agolli)[1], deklaronte: “Jemi mbledhë këtu, që Kosova e Çamëria t’i ngjitet Shqipërisë plotësisht indipendente,…jemi të gjithë bij të një gjaku e të një trualli.” (Hysa, M., 2000:185).
Në pozitën e kryemyftiut, në Kongresin Mysliman Shqiptar, mbajtur më 1923, në fjalimin e mbajtur në momentin më të rëndësishëm të historisë kombëtare, H. Vehbi Dibra prapë përsëriste me sinqeritetin e me seriozitetin më të madh: “mysliman, katolik dhe ortodoks, në pikëpamje të kombësisë kemi një lidhje vëllazni të plotë e të patundshme, e nuk mund të thuhet e të kuptohet asnji send që e tund atë vllazni të plotë. Çështja e fesë asht nji çështje e posaçme e secili asht i lirë për me e sigurue forcimin e fesë së vet…” (Xhelili, Q., 2000:344-346).
Ai ka qenë gjithashtu edhe pjesëmarrës në shpalljen e pavarësisë, si dhe në dokumentin e arkivuar në Arkivin e Shtetit, gjendet edhe fetvaja (ligjshmëria islame) e tij në lidhje më përdorimin e flamurit shqiptar me shqiponjë, si një simbol i bashkimit kombëtar.
Kurse At Anton Harapi, bashkëjetesën dhe tolerancën e shihte si mjet bashkimi kombëtar sa herë që atdheut i kanosej rreziku. Më 1944 ai nënvizonte: “Bashkimi i tri klereve asht leva ma e fuqishme për të sigurue bashkimin e shpëtimin. Nuk shpëton, jo, as xhamia pa kishën, as kisha pa xhaminë, por as njena, as tjetra pa Shqipninë… me të gjithë atdhetarët…afrim, dashuri, vllaznim” (Dibra, Vehbi, fjalim në mitingun organizuar në Tiranë, 1918, shih Gazeta “Drita Islame”, nr. 50, janar 2004:4).
Në seancën e mbledhjes së Lidhjes së Kombeve të Bashkuara (sot OKB), më 17 dhjetor 1920, delegati i Indisë, duke miratuar dhe quajtur si vepër të mirë pranimin e Shqipërisë në Organizatën e Lidhjes së Kombeve, nënvizonte: “Kur në botë zhvilloheshin ende luftëra ndërfetare, në Shqipëri, myslimanët, katolikët e ortodoksët, jetonin në harmoni dhe ishte fakt i shkëlqyeshëm për një vend me shumicën dërmuese të popullsisë myslimane të kishte këtu përfaqësues një të krishterë dhe një prift” (Muja, H., 1991:3).
Mirëkuptimin ndërfetar në Shqipëri, e kanë konstatuar e konfirmuar në rrjedhën e shekujve shumë dijetarë, gjuhëtarë, historianë, etnografë, misionarë e diplomatë të huaj, që kanë vizituar trevat shqiptare, ose që kanë jetuar me muaj apo vite aty.
Kur më 28 Nëntor 1913 (në përvjetorin e parë të pavarësisë), u ngrit në Shkodër flamuri kombëtar, në mitingun madhështor ishin bashkuar vëllazërisht myslimanë e të krishterë dhe brohoritën njëzëri: “Rroftë Shqypnia”. Atë natë kambanorja e kishës së Fretënve u lidh me minaren e xhamisë së fushës Çelës, nëpërmjet një teli ku valëvitej flamuri kombëtar ndërmjet rreshtit të gjatë të kandilave të kuq e zi (ngjyrat e flamurit kombëtar).
Të moshuarit në Shkodër tregojnë se në Pazar gjatë muajit të Ramazanit, tregtarët katolikë i mbyllnin dyqanet, sidomos pijetoret dhe gjellëtoret. A nuk tregon ky veprim fisnik respektin e ndërsjellët, vëllazërimin, tolerancën dhe harmoninë ndërfetare në mes të qytetarëve shkodranë, të krishterë e myslimanë? Fishta shkruan tek “Hylli i Dritës”: “…Ndërmjet muhamedanëve dhe kristianëve të prefekturës së Shkodrës mbretnon një qetësi e plotë. Ktij mendimi asht edhe statuti e konvencioni, qi Shteti shqiptar ka me Lidhje të Komeve.” (Revista “Hylli i Dritës”, 1924:384).
Më 7 prill 1858 në përurimin e fillimit të ndërtimit të Kishës së Madhe, gurthemeli i Katedrales u bekua nga arqipeshkvi Topich. Daut Efendi Boriçi, dijetar i shquar mysliman, atdhetar dhe drejtor i arsimit në Shkodër mbajti fjalimin e rastit. Përurimin e fillimit të ndërtimit të katedrales ai e quajti një gëzim të madh për të gjithë shkodranët pa dallim feje.
Patrioti Filip Kraja me ndërmjetësinë e Bajram Currit i dërgoi një protestë qeverisë së Vjenës kundër reprezaljeve të Gjeneralit Trolman mbi malësorët myslimanë të Mbishkodrës. Nga kjo protestë e atdhetarit katolik Filip Kraja, u arrit që Trolman të largohej nga Shqipëria. Malësorët myslimanë u liruan dhe u kthyen në shtëpitë e tyre, duke falënderuar Filip Krajën.
Në rihapjen e kishës dhe xhamisë së parë në nëntor të vitit 1990, në Shkodër, pas ndalimit të gjatë gati një çerek shekulli, qenë shprehje e harmonisë dhe e vëllazërimit ndërfetar përballë regjimit komunist që ende ishte në fuqi. Kështu bashkëpunuan djemtë e rinj katolikë e myslimanë, si në përgatitjen e meshës në varrezat katolike, ashtu edhe në Xhaminë e Plumbit, për faljen e xhumasë së parë më 16 nëntor 1990.
4. Në vend të mbylljes
Ja pra, kështu ka vazhduar për shekuj me radhë bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare mes shqiptarëve, e sot ka mbërritur tek ne nëpër shumë peripeci si një vlerë e madhe kombëtare e një populli të vogël. Por këtë vlerë të rrallë, duhet ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta promovojmë me të gjitha mënyrat, nëpërmjet arsimit, medias, etj., kudo qoftë, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Tashmë shoqëritë tona po shkojnë në mënyrë të pashmangshme drejt globalizmit dhe integrimit, duke tentuar krijimin e një familje të madhe në të cilën ka vend për të gjitha vlerat dhe pasuritë e kombeve dhe popujve. Në botën globale vendet e vogla nuk pritet të konkurojnë me ekonomitë dhe pasuritë e tyre materiale. Megjithatë, me identitetin dhe vlerat më të çmuara të tyre, ato mund të kontribuojnë në pasurimin e shoqërisë globale, duke krijuar një mozaik të pasur vlerash, kulturash që njohin, respektojnë e zhvillojnë njëra-tjetrën.
Bashkëpunimi, që të bëhet shprehi qytetare demokratike, duhet të jetë një veprim i përsëritur, pasi konteksti shoqëror dhe faktorët që burojnë prej tij janë tashmë të ndryshëm nga Shqipëria tradicionale. Pra, dukshëm duhet të kapërcehet çdo lloj barriere për bashkëpunim, qofshin ato mendore apo psikologjike dhe të bëhen më shumë përpjekje nga njerëzit për të kuptuar njëri-tjetrin.
Gjithë ato që po ndodhin e po thuhen në fushë të feve e politikës ndaj saj dhe asaj kombëtare në përgjithësi vitet e fundit, na bëjnë që të mos harrojmë se, pozita gjeostrategjike e tokave në të cilat kemi jetuar e do të jetojmë dhe përbërja multifetare e popullit shqiptar, duhet të na bëjnë të mendojmë se fati i ynë historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve mes Lindjes e Perëndimit dhe për të bërë sintezën e qytetërimeve të tyre?
Në këtë kontekst konceptet prodialogut ndërfetar, ndërkulturor dhe ndëretnik nëpër botë, përputhen shumë mirë me realitetin shqiptar në çështjen e harmonisë ndërfetare. Shoqëria shqiptare e tranzicionit, e cila sot përjeton një krizë vlerash, kryesisht në mospërputhjen e shpirtërores me fiziken, të mospërputhjes së kohërave, historisë, traditave, brezave dhe ndjenjës fetare, ka më shumë se kurrë nevojë për dashurinë dhe tolerancën në të gjitha aspektet e saj.
Ne duhet të besojmë se shekulli XXI do të bëhet dëshmitar i një dinamike të re moralo-shpirtërore, që do t’i ringjallë vlerat e harruara prej kohësh, duke e parë atë si epokën kur do të sundojnë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi që, duke u mbështetur në dialogun ndërfetar dhe ndarjen e vlerave të përbashkëta, do të rezultojnë, më në fund, një qytetërim nga i cili nuk do të rrijë larg askush.
Literatura kryesore
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...