Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Apr 07, 2014 Zani i Nalte Aktivitete 0
Botimi i materialeve të Konferencës Shkencore mbi “Kontributin e prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar” (Tiranë, 28-29 shtator 2012) shënon një ngjarje të rëndësishme kulturore, sepse synon në mënyrë të qëllimtë të vërë në një emërues të përbashkët veprimtaritë e një kombi, tek i cili religjionet nuk janë të një-njëshëm me shtetin që kremton 100-vjetorin. Me emërues të përbashkët unë kuptoj identitetin kombëtar shqiptar të tre religjioneve kryesore: myslimanë, katolikë dhe ortodoksë. Dhe identiteti kombëtar shqiptar për mua është gjuha shqipe, historia dhe kultura e shprehur në atë gjuhë, si dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me emancipimin e shoqërisë shqiptare në vizionin e saj drejt së ardhshmes. Për këto arsye, njohja dhe studimi i vazhdueshëm i kontributeve intelektuale, që i kanë shërbyer pikërisht formësimit të vetëdijes dhe identitetit kombëtar, në vetvete janë kulturë e madhe për shqiptarët në trojet e veta: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, prej kah janë tubuar kumtuesit në këtë Konferencë Shkencore.
Në historinë e institucioneve tona religjioze, mund të flitet edhe për veprime autoqefalie të plota a të pjesshme, por autoqefalia nuk u kthye ndonjë herë në një emërues të përbashkët. Veçse po, e përsëris, në emërues të përbashkët ka qenë gjithmonë identiteti kombëtar shqiptar. Dhe kjo nuk është pak. Në Lezhë në vitet 1896-1897 jetonin thuajse fare pranë e pranë Hafiz Ali Ulqinaku (ose Gjoka) dhe At Gjergj Fishta, atëherë në moshë të re. Në një anekdotë historike thuhet se, kur e pyetën Fishtën përse Hafizi i Lezhës e quan veten Hafiz Gjoka, Fishta u përgjigj: Gjokë, Gjokë sepse e ka mendjen okë, duke nënkuptuar kështu fisnikërinë e tij atdhetare dhe impenjimin intelektual në shërbim të gjuhës shqipe. Dhe nuk ka se si të ishte ndryshe: Hafiz Ali Ulqinaku mori pjesë në dy beteja për mbrojtjen e Ulqinit, shkroi abetare shqipe, përktheu poezi dhe botoi vargje origjinale, hartoi fjalorët shqip-turqisht dhe anasjelltas. E çfarë tjetër pritet sot prej një intelektuali të merituar?
Në vazhdim të anekdotës, rreth 50 vjet më vonë, në varrimin e At Gjergj Fishtës e merr fjalën një Hafiz relativisht i ri, Hafiz Ali Kraja (ose Tari). Po shënoj vetëm disa prej fjalëve të tij pa shtuar asnjë koment: “Vepra jote, o poet,- deklaron në ligjëratën e vet Hafiz Ali Kraja (ose Tari),- ka për të formue një faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të Kombit. Të jesh i bindur, o poet, se shqiptari me “Lahutën e Malcis” ka për të qenë gjithmonë kryelartë, siç janë grekët me “Iliadën” e persianët me “Shahnamenë”. Sot djelmnia intelektuale me Lahutën tande në dorë, të nep besën shqiptare, tue u betue se idealin tand të naltë, që shpreh për kombësinë shqiptare, do ta ruajë dhe do ta mbrojë si gja të shenjtë morale”[1]. Prandaj materialet e Konferencës Shkencore, që sot i kemi të botuara, plotësojnë, nga njëra ana, informacionin e munguar për shkak të disa qëndrimeve të panatyrshme shtetërore antifetare dhe, nga ana tjetër, zëvendësojnë informacionin e keqinterpretuar për shkak të fanatizmit ekstremist apo të laicizmit ekstremist.
Më lejoni të ndalen shkurtimisht, gjithmonë sipas këndvështrimit tim, te dy ekstremitetet: fanatik dhe laicist. Në parantezë duhet të shtoj se, kur shteti i kundërvihej fesë si botëkuptim, shkatërronte institucionet e saj dhe persekutonte egërsisht klerikët dhe këdo që guxonte të shfaqej sado pjesërisht njeri që beson, ekstremitetet (fanatik-laik) rrafshohen ose nuk ekzistojnë. Por, kur feja është e lirë, si ka ndodhur te ne qysh në fillim të viteve ’90, fanatizmi, jo vetëm në ekstremet e veta, është pothuajse po aq i papranueshëm sa çdo kundërvënie institucionale ndaj fesë, ndaj objekteve të kultit, klerikëve dhe besimtarëve. Me këtë dua të them se të gjithë ata prijës myslimanë, që hapën shkolla për mësimin e shqipes, hartuan dhe botuan abetare, gramatika e libra shkollore etj., nuk ishin fetarë fanatikë, aq më pak, ekstremistë. Po ashtu të gjithë ata shqiptarë që vendosën që në krye të herës të kishin një shtet laik, nuk do të thotë se ishin domosdoshmërisht laikë në jetën e tyre private e aq më pak laikë ekstremistë a antifetarë.
Vlerë e veçantë e emëruesit të përbashkët (identiteti kombëtar shqiptar) të religjioneve, është pikërisht harmonia fetare ndër shqiptarë. Dhe kjo del nga fryma e përgjithshme e materialeve që botohen, si dhe nga kumtesa të veçanta që përfshihen në kapitullin: Toleranca fetare dhe liria e fesë. Unë do të doja të shtoja se kjo vlerë unikale, me të cilën mburren sot politikanët shqiptarë, është e lidhur pikërisht me punën në vazhdimësi të prijësve myslimanë (pa përjashtuar edhe ata të besimeve të tjerë) që luftuan për Atdhe e Fe.[2]
Duke përfunduar shtroj pyetjen: Përse studime të tilla dhe botimi i tyre është i rëndësishëm te ne edhe në fazën e tanishme? Sepse kur mësonim Naim Frashërin, p.sh., bektashizmin e tij e reduktonim në panteizëm, ndërsa patriotizmin e flaktë të Fishtës e shpërfillshim si nacionalizëm a shovinizëm në dëm të fqinjëve. Vlera universale si bektashizmi a filozofia e Shën Francekut të Asizit, kur janë vërtetë vlera e jo ekstremitete, nuk i bien ndesh zhvillimeve bashkëkohore, përkundrazi u shërbejnë, madje edhe shumë.
[1] 100 personalitete shqiptare të kulturës islame, shek. XIX-XX, botim II, Tiranë 2003, f. 29.
[2] Kontributi i prijësve mysliman për gjuhën shqipe -kapitulli III, Roli i dijetarëve fetarë në lëvizjen kombëtare shqiptare – kapitulli I, Feja dhe atdheu – kapitulli II dhe Kontributi i dijetarëve mysliman në mbrojtje të trojeve shqiptare – kapitulli V.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Sep 18, 2021 0
Jun 18, 2021 0
Jun 16, 2021 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...