Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jul 02, 2024 Zani i Nalte Editoriale, Filozofi 0
Seyyed Hossein Nasr
Një i vetëm është Agu që rrezit mbi gjithçka është.
Është Një i pashoq që veçmas bëhet gjithçka.
Rg-Veda, VIII, 58:2
[Tao] i paemër është fillimi i Qiellit dhe Tokës,
[Tao] i emërtuar është mëma e 10 mijë gjërave.
Tao Te Çing, kap. 1
Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte pranë Perëndisë,
dhe Fjala ishte Perëndi.
Ungjilli i Gjonit, 1:1
Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë
“Bëhu!” – dhe ajo bëhet.
Kur’ani, 36:81
Sa herë që u kthehemi shkrimeve të shenjta të besimeve të ndryshme, zbulojmë aty që, në çdo rast, origjina e kozmosit dhe e njeriut është identifikuar si një Realitet që është i vetëdijshëm dhe që, në fakt, përbën vetëdijen e kuptuar në nivelin më të lartë si Vetëdije absolute, e cila është transcendente dhe megjithatë, burimi i të gjitha vetëdijeve të përveçme të sferës kozmike, përfshi tonën. Për më tepër, formulimi “në fillim” kuptohet jo vetëm si përkatësi e së shkuarës, por edhe i çastit të tashëm që është e tanishmja e përjetshme. Kjo është arsyeja përse “në fillim” duhet kuptuar edhe si “në parim”, sikundër përkthimi latin i vargut hapës të Ungjillit të Gjonit shpall, “in principia erat verbum”. Qoftë kur flasim për Allahun që i urdhëron gjërat të jenë dhe ato janë, apo për Taon, apo për Fjalën, përmes të cilave të gjitha gjërat u krijuan, apo për Brahmën, ne po flasim për Vetëdije të së gjithëjetshmes dhe të së tanishmes, një e vërtetë kjo që bëhet veçanërisht eksplicite në Hinduizëm, ku Realiteti parësor, që është burimi i të gjitha gjërave, përshkruhet njëherazi si Qenësi, Vetëdije dhe Ngazëllim. Por as kjo njëzëshmëri e vizionit të Origjinës së gjithçkaje, siç identifikohet me vetëdijen, nuk mund të kufizohet te shkrimet e shenjta. Si filozofët orientalë edhe ata perëndimorë tradicionalë, flasin për të njëjtën të vërtetë. Kështu, Agatoni i Platonit nuk është vetëm Mirësia e Epërme, por edhe vetëdije e epërme e Mirësisë, ashtu si kuptimësia apo intelekti, me peshë kaq qendrore në filozofinë greke, është sigurisht i pandashëm nga vetëdija. Filozofët islamë e konsiderojnë qenien të pandashme nga dija, dhe prej këtej, nga vetëdija, duke i konsideruar nivelet kozmike të ekzistencës edhe si nivele të dijes dhe vetëdijes. Sikurse nga pikëpamja e Hinduizmit për ekzistencën e diçkaje, qoftë edhe një gur është gjithashtu një gjendje e vetëdijes.
Dikush mundet që paskëtaj, me siguri të thotë që në botën tradicionale kishte dakordësi të brendashkruar rreth parësisë së vetëdijes në marrëdhënie me çka sot e quajmë “materie”. Realiteti i njohur nga të gjitha këto religjione dhe filozofi si origjina e gjërave, njëherësh kalimtar dhe rrënjësor, është, po ashtu, Vetëdije e Epërme, që mund të arrihet vetëm kur qeniet njerëzore janë në gjendje që të lartësojnë nivelin e tyre të vetëdijes. Edhe në Budizëm, i cili nuk flet për një Realitet Suprem objektiv dhe për kozmogjenezën siç kuptohet në religjionet abrahamike dhe iraniane, apo edhe në Hinduzëm, nirvana është gjendja e epërme e vetëdijes, dhe ngritja në nivelin e Budës, është, po ashtu, e pandashme nga vetëdija. Përjashtimi i vetëm ndaj këtij vështrimi unanim tradicional, në kohët e vjetra mund të haset në disa filozofi kundër-metafizike të antikitetit të vonë që shoqëronin agonitë e qytetërimeve helene dhe romake, si edhe ndër pak shkolla margjinale të Indisë së lashtë, po ashtu, totalisht të kundërshtuara nga shkollat ortodokse të mendimit mbizotërues hinduist.
Privilegji i mohimit tërësor të parësisë së vetëdijes i mbeti botës moderne, veçanërisht në formulimin e filozofive materialiste dhe shkenciste që dolën në pah pas Revolucionit Shkencor të shekullit të 17. Shto këtu, që ky transformim nuk u jetësua para idesë moderne të materies – për të mos u ngatërruar me kuptimin e kësaj në filozofinë dhe shkencën helenistike – e shtjelluar me Dekartin dhe Galileon. Duke zhvatur nga ekzistenca trupore të gjitha aspektet e saj cilësore dhe duke e reduktuar këtë vetëm në sasi, personat në fjalë, të ndjekur edhe nga shumë të tjerë, krijuan një botëkuptim ku mund të ekzistonte diçka si materia vërtetësisht inerte, tërësisht e veçuar nga jeta dhe vetëdija, por në një farë mënyrë misterioze, gjithashtu e njohur nga subjekti njohës apo mendja. Bigëzimi Kartezian krijoi një dualizëm ndërmjet mendjes dhe materies, i cili e ka mbizotëruar mendimin perëndimor që nga shekulli i 17; një dualizëm që ka shpënë shumëkënd të zgjedhë parësinë e materies mbi mendjen dhe themelimin e një pikëpamjeje, sipas së cilës, në fillim ishte materia dhe jo vetëdija, edhe nëse disa prej këtyre njerëzve ende i qëndrojnë nocionit të një Zoti Krijues.
Mbizotërimi i këtij materializmi të supozuar shkencor, i cili, megjithatë, nuk është tërësisht i konfirmuar prej shkencës si shkencë, madje as prej pseudo-teologjisë apo filozofisë, mori vrull në shekullin e 19 me teorinë evolucioniste të Darvinit, e cila në vetvete është një ideologji në mbështetje të këtij të ashtuquajturi materializëm, sikurse edhe vetë e bazuar në të. Depërtimi i pikëpamjes që të gjitha gjërat e kanë fillesën nga materia, e cila pastaj evoluon në jetë dhe paskëtaj në vetëdije, sipas botëkuptimit mbizotërues në Perëndim, ka qenë e tillë sa pavarësisht refuzimit tërësor të këtij vrojtimi klasik rreth materies nga mekanika kuantike moderne, në arenën publike ende përvaret një bindje përkrahëse ndaj perspektivës materialiste që thelbësisht i redukton të gjitha gjërat në “materie”. Ky reduksionizëm është bërë pjesë thelbësore e mendimit modern, madje edhe e atij postmodern. Njerëzit mendojnë se është e mundur që diçka të kuptohet vetëm përmes analizës dhe shkërmoqjes së diçkaje në pjesët e saj “themelore”, të cilat janë [medoemos] materiale. Ata janë udhëzuar të besojnë që e tëra nuk është tjetër pos shumatorja e pjesëve të saj, dhe fizikanët vazhdojnë të qëmtojnë identifikimin e grimcave elementare apo të njësive ndërtimtare të universit, të cilat, për publikun më pak të sofistikuar, mund të shëmbëllejnë topthat e bilardos që duke u vendosur tok arrijnë të krijojnë të gjitha qeniet në univers. Mbi një perspektivë të tillë të mbështetur në reduksionizëm materialist, si jeta ashtu dhe vetëdija, shihen si epifenomene të faktorëve materialë, qofshin materie apo energji. Raporti tërësor ndërmjet vetëdijes dhe ekzistencës trupore është, si rrjedhojë, i përmbysur.
Në kozmologjitë tradicionale, Vetëdija e Kulluar, e cila po ashtu është Qenësi e Kulluar, zbret, duke mbetur transcendente në Vetvete përkundër manifestimeve të Saj nëpër nivelet e ndryshme të hierarkisë kozmike për të arritur në botën fizike; kurse në pikëpamjen reduksioniste moderne, gjërat ngrihen nga çorba kozmike parahistorike. Edhe nëse ndonjë shkencëtar i përveçëm beson se një Qenie e vetëdijshme dhe inteligjente e bëri Big Bang-un të ndodhë dhe i dha fill kozmosit, sërish vetëdija nuk luan rol në të ashtuquajturin evolucion të kozmosit, që nga agregimi fillestar i molekulave dhe deri te shfaqja e qenieve njerëzore në planet. Sipas botëkuptimit tradicional, qeniet njerëzore kanë zbritur nga një sferë më e lartë e qenies dhe e vetëdijes. Ndërsa sipas perspektivës moderniste, kaq e përhapur në shoqërinë e sotme, ato janë ngritur nga poshtë. Këto janë dy pikëvështrime diametralisht të kundërta, njëra e mbështetur në parësinë e vetëdijes dhe tjetra në parësinë e agjentëve, forcave dhe proceseve të pavetëdijshme dhe të verbra.
*
* *
Mënyra sesi e shohim realitetin ka një peshë të drejtpërdrejtë mbi atë sesi ne jetojmë si qenie njerëzore. Për mijëvjeçarë të tërë, njerëzit kanë jetuar në një univers të mbizotëruar nga ideja e parësisë së vetëdijes përmbi gjithçka që është trupore dhe materiale. Ata bënë luftëra dhe vuajtën nga sëmundje, por jetuan në një botë që kishte kuptim dhe bukuri. Krijuan arte tradicionale prej një bukurie të pashoqe dhe jetuan kryesisht në harmoni dhe paqe me mjedisin e tyre natyror. Ata e dinin se kush ishin, nga vinin dhe se ku po shkonin. Mohimi i epërsisë dhe parësisë së vetëdijes, dhe fronësimi i një reduksionizmi në vend të kësaj, u ka dhënë qenieve njerëzore sundim më të madh mbi natyrën dhe disa rehati tokësore, ndërsa, afërmendsh ka krijuar siklete të reja. Ka kuruar shumë sëmundje, duke u çelur derën lëngatave të panjohura më parë. Dhe kjo është justifikuar si një udhë drejt paqes, teksa, paralelisht ka mundësuar luftëra me një shkallë dhune dhe pasojash vdekjeprurëse të paimagjinueshme për paraardhësit tanë të lashtë. Por mbi të gjitha, ka shkatërruar marrëdhënien harmonike, jo vetëm ndërmjet njeriut dhe Zotit dhe botës shpirtërore, por edhe ndërmjet njeriut dhe natyrës, duke lejuar krijimin e një shkence që nuk mbështetet mbi urtësinë, por mbi pushtetin dhe zbatimet e tij si një teknologji e re që ka fuqinë të shkatërrojë vetë rendin e jetës në tokë. Në nivelin individual, i ka zhveshur qeniet njerëzore nga kuptimi themelor i jetës dhe ka rrënuar shtëpinë që ata e konsideronin si universin e tyre të premtuar, duke i bërë qeniet njerëzore alienë brenda një botëkuptimi të skicuar nga vetë mendjet njerëzore.
*
* *
Le t’i shqyrtojmë më tej pasojat e zëvendësimit të parësisë së vetëdijes me realitetin parësor të materies apo të materies/energji, sipas perspektivës shkenciste moderne. Duke e parashtruar materien si bazën e të gjithë realitetit kozmik, dhe për shumëkënd si të vetmin realitet, është formësuar një reduksionizëm që e zvogëlon shpirtin në psikikë, psikikën në procese biologjike, jetën në veprimtarinë e agjentëve kimikë, dhe elementët kimikë në thërrmija fizike. Njerëzit vijojnë të flasin për zbulimin e njësive ndërtimtare “themelore” të universit, të cilat mund të agregohen hap pas hapi, për të mbërritur deri te më të mëdhenjtë e profetëve, shenjtorëve, të urtëve, mendimtarëve dhe artistëve. Kështu, realiteti i niveleve më të larta të qenies shihet si asgjë më shumë sesa fenomenet që rezultojnë nga entitete dhe procese tërësisht materiale. Jeta shihet si aksident dhe vetëdija si epifenomen i jetës. Universi përshkruhet si i “vdekur”, që do të thotë, pa kuptim, shpirt apo vetëdije. Për pasojë, qeniet njerëzore janë shtrënguar të ndihen si një ishull në mesin e një oqeani të pamat dhe kërcënues të përbërë prej materies së verbër dhe të vdekur. Ata nuk kanë një shtëpi në kozmos, siç e kishin paraardhësit e tyre, dhe ndihen të tëhuajtur nga gjithçka që nuk është njerëzore. Për më tepër, kjo tëhuajtje nuk ka të bëjë me tëhuajtjen e njeriut shpirtëror nga bota, siç kuptohet në besim. Dhe as që lidhet në çfarëdo mënyre me thënien e Krishtit, “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote”. Kjo tëhuajtje e re ndaj botës, e cila vjen nga reduksionizmi shkencist, i përket një rendi krejt të ndryshëm. Burrat dhe gratë tradicionale e gjetën shtëpinë e tyre te Hyjnorja, por, po ashtu, ata njohën te kjo botë një sferë të sunduar nga Zoti dhe përplot shpirtra dhe frymë që u përkonin aspekteve të ndryshme të natyrave të përveçme. Ata kurrë nuk u ndjenë sikur ishin fillikat në një univers krejtësisht të verbër ndaj dëshirave dhe aspiratave të tyre më të thella. Format moderne të tëhuajtjes njerëzore, qofshin ato psikologjike apo shoqërore, burojnë nga izolimi kozmik i krijuar nga një botëkuptim që mohon parësinë e vetëdijes.
Qeniet njerëzore kanë nevojë për kuptim po aq sa kanë nevojë për ajër dhe ushqim. Reduksionizmi materialist modern ka rezultuar jo vetëm në ushqim të prishur nga kimikatet dhe ajër të ndotur, por edhe në humbjen e kuptimit, sipas domethënies së tij rrënjësore. Në fakt, nuk mund të ketë një kuptim themeltar pa pranimin e së Gjithëmbarshmes në kuptimin metafizik. Është vërtet një paradoks i hatashëm sesi vetëdija njerëzore në kohët moderne ka ravijëzuar një këndvështrim të kozmosit që nuk ka hapësirë për vetëdijen. Dhe kur qeniet njerëzore rreken ta gjejnë vetëdijen në botën objektive, apo kur përjetojnë çka i quajnë takime me qenie të vetëdijshme jashtë sferës njerëzore, ato margjinalizohen dhe sikterisen në kategorinë e burrave dhe grave haluçinuese që kanë nevojë për përkujdesje psikiatrike. Por, kur paraardhësve tanë u ndodhte të hasnin në engjëj apo edhe qenie të një natyre më modeste, atëbotë kur takime të tilla ishin të pranueshme brenda Weltanschauung -ut ku jetonin, ata nuk takonin “alienë” në domethënien moderne, dhe as që ndjenin nevojën që t’i konsideronin si të tillë. As nuk ndodhte që ata të margjinalizoheshin si jonormalë në shoqëritë përkatëse. Dhe qeniet e vetëdijshme që takonin, për ta nuk ishin alienë. Mohimi i parësisë së vetëdijes, njëherazi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, ka rezultuar në desakralizimin e natyrës dhe në zhgradimin e saj në diçka që thelbësisht është thjesht një “gjë”, mall që qeniet njerëzore e përdorin sipas nevojës. Përkujdesja për natyrën u shndërrua në përdhunimin e saj, teksa këndvështrimi mbizotërues mbi natyrën u bë përherë e më shumë shpërfillës ndaj cilësive të saj shpirtërore, ndaj misterit të saj, ndaj harmonisë dhe bukurisë së parëlindur të saj. Gjithë ato aspekte të natyrës, të kremtuara përgjatë shekujve nga të urtët, shenjtorët, poetët dhe artistët, u subjektivizuan dhe u paraqitën sikur të ishin objektivisht joreale. E shndërruar në mall për t’u përdorur nga grykësia përherë e më lakmitare e njerëzimit modern si konsumator, ekosistemi natyror shpejt filloi të vuajë, duke çuar te kriza mjedisore që tani kërcënon ekzistencën e jetës në tokë. Edhe në ditët tona, pak janë ata që duan ta pranojnë marrëdhënien e drejtpërdrejtë mes vrojtimit materialist të natyrës dhe shkatërrimit të saj në atë shkallë të paprecedente që sot e hasim kudo në glob.
Botëkuptimi materialist dhe mohimi i parësisë së vetëdijes kanë pasur një peshë të drejtpërdrejtë edhe mbi dobësimin e normave dhe praktikave etike. Ndër gjithë njerëzimin mbarë, moraliteti ndërlidhej me besimin dhe një botëkuptim filozofik ku e mira dhe e keqja, e drejta dhe e gabuara, mbanin një dimension sa kozmik edhe njerëzor. Mund të shquajmë shembuj të qartë të kësaj marrëdhënieje jo vetëm ndër fetë abrahamike, por edhe në Hinduizëm, Konfucioanizëm, Budizëm dhe Zoroestarizëm. Etika është kurdoherë e lidhur, në një mënyrë apo tjetër, me metafizikën. Duke mohuar parësinë e vetëdijes në favor të materiales, paradigma moderne ka dobësuar suazën objektive të etikës njerëzore, jo vetëm duke margjinalizuar dhe dobësuar besimin, por edhe duke e reduktuar kozmosin në një realitet tërësisht “material”, ku e mira dhe e keqja nuk kanë më shumë kuptim nga sa mban bukuria. Sipas Galileos dhe Dekartit, të gjitha këto kategori zbresin poshtë në sferën subjektive dhe syrgjynosen larg realitetit objektiv. Kësisoj, etika është dobësuar sa herë që ky botëkuptim ka lulëzuar, ndërsa në anën tjetër, etika e sekularizuar që mbështetet mbi një këndvështrim kaq të cunguar të realitetit, nuk ka qenë asnjëherë e aftë që të fitojë çfarëdo mbështetjeje përfaqësuese. Për më tepër, e gjitha kjo ndodh në një kohë kur qeniet njerëzore kanë nevojë urgjente për etikë mjedisore, e cila do të kishte kuptim jetik për pjesën dërrmuese të familjes njerëzore, shumica prej të cilëve ende e identifikojnë etikën me Zotin dhe me ligjet dhe mësimet e shenjta të besimeve të ndryshme. Dhe as nevoja për etikë nuk kufizohet te mjedisi. Është, gjithashtu, me rëndësi të skajshme që t’i japim theks të shtuar etikës në marrëdhëniet mes qenieve njerëzore në një kohë kur, falë teknologjisë moderne, armët e luftës dhe konfliktet janë bërë vdekjeprurës në një shkallë që sfidon imagjinatën.
Nëse në fillim ekzistonte vetëm çorba e molekulave, atëherë edhe zjarrmimi i dëshirave dhe përndritja e aspiratave tona më të thella, kuptimet tona të dashurisë, të së bukurës, drejtësisë dhe mirësisë nuk janë tjetër veçse gjendje subjektive efemere të shkaktuara nga forca të verbra evolutive, ndërsa e vërteta ka kuptim vetëm kur përcaktohet brenda një suaze operacionale. Ajo që e konsiderojmë si humanizmin tonë nuk është tjetër veçse një iluzion. E vërtetë është vetëm çka përjetojmë prej botës së jashtme, e parë kjo si një sferë entitetesh dhe forcash materiale në ndërveprime dhe procese të llojllojshme që janë krejtësisht shpërfillëse ndaj humanizmit tonë. Të mohosh parësinë e vetëdijes është faktikisht të konfirmosh, me apo pa dashje, çnjerëzoren tonë, dhe të pranosh që gjithçka që peshojmë ndër elementët më të thellë të mendimeve, emocioneve, apo të vetë realiteteve tona shpirtërore, është thelbësisht iluzore dhe joreale, duke qenë subjekt i reduktimit në faktorë dhe forca materiale. Që do të thotë t’i dorëzohemi gjendjes nën-njerëzore, të cilën faktikisht e shohim të shfaqet, sigurisht joaksidentalisht, në një shkallë të shtuar brenda rendit njerëzor, teksa e njëjta po e zvarg njerëzimin me shpejtësi përherë e më të madhe drejt humnerës.
Nëse vetëdija në kuptimin e saj më të lartë nuk është alfa e ekzistencës kozmike dhe njerëzore, atëherë nuk mundet, nga një domethënie metafizike, të jetë as omega. Duke mohuar parësinë e vetëdijes, materializmi modern ka hedhur dyshim edhe mbi realitetin e pavdekësisë së shpirtit njerëzor dhe mbi jetën e përtejme. Në Perëndimin e sotëm, edhe shumë ndër fetarët nuk i marrin seriozisht realitetet eskatologjike. Përveç pasojave më tragjike për shpirtin njerëzor që i mohon realitete të tilla, dobësimi i besimit te jeta e përjetshme ka një pasojë të drejtpërdrejtë edhe në mënyrën sesi jetojmë në këtë botë, dhe në veçanti, në shkatërrimin e mjedisit natyror. Nëse jeta në këtë tokë është e vetmja që kemi, atëherë duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë për ta jetuar ekzistencën e kësaj bote në mënyrën më të plotë që mundemi. Për shumicën, një jetë e tillë nënkupton hedonizmin dhe konsumerizmin në atë maksimum që rrethanat e lejojnë. Ndopak agnostikë mund të mjaftohen me “jetën e mendjes”, por për shumicën e njerëzve, humbja e frikës ndaj gjendjeve skëterrore dhe e shpresës për parajsën, rezulton në yryshin e pasioneve të tyre sensuale dhe në përmbushjen e lezeteve, të cilat më vete, rezultojnë në pritshmëri edhe më të mëdha për “përfitime” materiale nga mjedisi përreth, gjithashtu me pasoja katastrofike për botën natyrore si edhe për faktorin njerëzor brenda asaj bote. Pasojat e humbjes së vizionit të origjinës së Shenjtë të kozmosit dhe mohimi i parësisë së vetëdijes janë kaq të shumta dhe të larmishme sa nuk mund të përmenden këtu. E megjithatë, kundërshtia ndaj kësaj qasjeje është aq e fortë brenda kalasë së paradigmës së shkencizmit modern, sa edhe argumentet shkencore mbi skicimin inteligjent të universit – kjo sigurisht duke nënkuptuar parësinë e inteligjencës apo vetëdijes – hidhen poshtë në mënyrë dogmatike nga shumë priftërinj të lartë të pseudo-religjionit të shkencizmit. Pavarësisht kësaj situate negative, e vërteta e parësisë së vetëdijes duhet shpallur kurdo dhe kudo që bëhet e mundur. Dhe ka shenja që përherë e më shumë njerëz mendjehollë po zgjohen nga “dremitja dogmatike” për të rrokur këtë të vërtetë.
Nëse e vërteta e parësisë së vetëdijes, në një kuptim kozmik dhe ontologjik si edhe mikrokozmologjik, do të rikonfirmohej dhe pranohej sërish në një shkallë të gjerë në botën bashkëkohore, jeta njerëzore do të ndryshonte cilësisht, dhe shumë prej pengesave me të cilat njerëzimi përballet, do të largoheshin. Jeta njerëzore do të kishte kuptim përtej gjendjeve kalimtare psikologjike dhe përvojave jetëshkurtra ndijore. Jeta njerëzore do të rifitonte edhe aspektin e gjithëmbarësisë që çdo religjion beson që e përmban në thelbin e vet. Arsyeja e shenjtërisë së jetës njerëzore do të bëhej e qartë, dhe natyra e shenjtërisë do të kishte një bazë ontologjike në vend se të ishte thjesht e vetëm sentimentalizëm siç është sot, parë në kontekstin e një këndvështrimi strikt shkencist. Dhe aluzionet për përjetësinë do të njiheshin si realitet i pamohueshëm, në vend që të vrojtoheshin si një dëshirim shpresëmirë sentimental që shpesh vjen i ndërthurur me dyshimin. Sikur ta pranonim të vërtetën që “në fillim ishte vetëdija” dhe që “kjo është tani siç ishte në fillim”, nuk do të ndiheshim më si alienë në një kozmos të vdekur dhe armiqësor, si aksidente në një univers të pajetë. Krejt ndryshe nga të qenët alienë, do të ndiheshim sërish në shtëpinë tonë brenda kozmosit, ashtu si burrat dhe gratë tradicionale përgjatë epokave pararendëse. Marrëdhënia jonë me kafshët, bimët, madje edhe me botën e pafrymë, do të ndryshonte nga një realitet i mosmarrëveshjes dhe konfliktit, dhe i nevojës për kontroll dhe sundim, në një tjetër të karakterizuar nga harmonia dhe ekuilibri, me mundësi tejet më të larta të njohjes së ndërsjellë me më shumë qenie njerëzore nga sa mendësia e tanishme lejon.
Më në fund, do të rifitonim dimensionin kozmik të ekzistencës sonë. Vlerat tona më të thella, tërheqja dhe gjakimi ynë ndaj së bukurës, paqes dhe drejtësisë, dhe përvoja e vetë dashurisë në të gjitha nivelet, nuk do të shiheshin më si thjesht gjendje subjektive të zbrazëta nga çfarëdo realiteti objektiv, por përkundrazi, si përkatësi të realiteteve kozmike dhe thelbësisht metakozmike. Dhe veprimet dhe normat tona etike, krejt larg mbështetjes vetëm në standarde të vendosura nga vendime dhe marrëveshje thjesht e vetëm njerëzore, do të njiheshin brenda rendit të origjinës së tyre hyjnore dhe të shkëmbimeve kozmike, dhe si shumë më reale sesa thjesht akomodime të volitshme të krijuara nga shoqëritë njerëzore për hir të mbijetesës apo interesave vetanake. Nëse qeniet njerëzore nuk do të jetonin poshtë nivelit njerëzor, por do të arrinin të kuptonin mundësinë plotësore të të qenët njerëzore, ato do të ishin në gjendje që intuitivisht ta rrokin të vërtetën e parësisë së vetëdijes. Dhe vetë vetëdija e tyre do të lartësohej në një shkallë ku ata do të mund të njihnin përmes intelektit të drejtpërdrejtë që alfa dhe omega e realitetit kozmik nuk mund të jetë asgjë tjetër pos Vetëdijes Supreme që është gjithashtu Qenësi e Kulluar, dhe që të gjitha qeniet në univers posedojnë një nivel vetëdijeje në pajtim me gjendjen e tyre ekzistenciale. Ata do të kuptonin se si qenie njerëzore na është dhënë inteligjenca për të njohur Atë i Cili është Origjina dhe Fundi i të gjitha gjërave, që është Sat (Qenësi), Çit (Vetëdije) dhe Ananda (Lumturim); dhe do të kuptonin që vetë kjo dituri është qëllimi themeltar i jetës njerëzore, vetë kurora e ekzistencës njerëzore, dhe që çka thelbësisht na bën qenie njerëzore që mund të kuvendojmë me pemët dhe zogjtë, sikurse edhe me engjëjt; dhe që në më të lartin nivel, jemi, bashkëbisedues të atij Realiteti Suprem që na ka mundësuar të themi “Unë”, por që është gjithëmbarësisht Uni i të gjithë Uneve.
(Përktheu: Ervin Qafmolla)
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
May 29, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...