Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
May 07, 2024 Zani i Nalte Jurisprudencë 0
Prof. Asoc.Dr. Saimir Shatku
Fakulteti i Drejtësisë
Universiteti i Tiranës
Individët mund të mbrohen nga veprimet arbitrare të autoriteteve publike të një shteti vetëm atëherë kur të drejtat e tyre janë të sanksionuara dhe të parashikuara shprehimisht me ligj, sidomos në rastin e të drejtave universale, ku ato duhet trajtohen në përputhje me parimet e vendosura në aktet dhe konventat ndërkombëtare. Ashtu siç parashikohet edhe në konventat universale për të drejtat e njeriut, siç janë Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR), Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), Akti Final i Helsinkit, etj., të drejtat themelore të individëve, për shtetet të cilat i kanë përfshirë dhe pranuar këto akte në legjislacionet e tyre, lind detyrimi pozitiv për mbrojtjen e vënien në zbatim të tyre. Praktika dhe jurisprudenca qartëson faktin se autoriteteve shtetërore mund të mos u kërkohet vetëm të distancohen nga ndërmarrja e hapave cenues, që mund të ndërhyjnë në mendim, ndërgjegje dhe fe, por edhe në rrethana të caktuara për të ndërmarrë masa pozitive që do të ushqejnë e mbrojnë këto të drejta.
Besimi dhe feja janë dy koncepte sa të ndryshme, aq edhe të ngjashme me njëra-tjetrën dhe faktorët që karakterizojnë secilën prej tyre kanë krijuar polemika të shumta në rang ndërkombëtar duke hapur debate dhe duke krijuar çështje delikate për shqyrtim. Përpara se të analizojmë kuadrin ligjor që rregullon të drejtën e ushtrimit të besimit, është e nevojshme të ndalemi në përcaktimin e termit “besim” dhe lidhjen e tij me fenë. Besimi është koncept më i gjerë sesa feja, pasi besimi përfshin një nga liritë fetare në të, por nuk kufizohet vetëm në të. Në kuptimin e ngushtë, liria e besimit përfshin lirinë e mendimit dhe ndërgjegjes për të gjitha çështjet dhe bindjet personale, duke i manifestuar ato.
Liria fetare përcaktohet si aftësia për të besuar në diçka dhe për ta shfaqur atë besim dhe kjo nuk është vetëm çështje ligjore, por edhe morale. Besimi fetar lidhet vazhdimisht me jetën private të njeriut, sepse prek bindjet personale të tij. Feja është një ndër elementet kryesore për të shprehur identitetin kulturor të individit dhe kjo është arsyeja pse liritë fetare shfaqin problematika në zbatimin e lirive të tij. Kjo e drejtë sanksionohet rishtazi në nenin 24 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në disa sisteme juridike kushtetuese.
Feja dhe besimi janë elemente thelbësore të politikës dhe të zhvillimit të shoqërisë, ndaj dhe shpeshherë ato keqpërdoren për kërkesa politike dhe pretendime të pushtetit, duke sjellë pasoja të jashtëzakonshme për njerëzimin. Në konfliktet e ditëve të sotme në shtetet me kultura të ndryshme, janë vënë re persekutime mbi baza fetare, duke cenuar në këtë mënyrë besimtarët dhe jo besimtarët. Nuk janë të pakta rastet e sulmeve terroriste me bazë ideologjike të keqpërdorur fetare. Vlen të përmenden këtu sulmet e 11 shtatorit, konfliktet mes Indisë dhe Pakistanit, si dhe veprimet e organizatave fetare ekstremiste si ISIS. Fatkeqësisht, ekzistojnë edhe shumë raste të tjera që theksojnë lidhjen e fesë me ekstremizmin. Por, duhet pranuar se jo të gjithë terroristët ose ekstremistët janë fetarë, ashtu siç nuk janë të gjithë besimtarët terroristë.
Kërcënimet ndaj lirisë së mendimit, ndërgjegjes, besimit e fesë së individëve dhe grupeve të njerëzve ndikojnë drejtpërdrejt në sigurimin dhe zhvillimin e integritetit të tyre personal. Kur diskriminimi dhe persekutimi mbi baza fetare është sistematik dhe i institucionalizuar, ai mund të rezultojë me tensione mes bashkësive e madje edhe në kriza ndërkombëtare. Shkaktarë të pasigurisë mund të jenë të gjithë individët, grupet, por edhe shtetet. Kjo kanosje e plotfuqishme dhe e gjithë-pranishme ndaj sigurisë personale, e bazuar në besim ose fe, kërkon masa mbrojtëse të posaçme. Arsimimi dhe edukimi për të drejtat e njeriut paraqet bazë për krijimin e respektit ndaj mendimeve dhe besimeve fetare të të tjerëve.
Rëndësia e mbrojtjes së lirisë fetare dhe ushtrimit të formave të shumta të besimit, ndikon në arritjen e qëndrueshmërisë dhe paqes midis shoqërive të ndryshme të botës dhe përfaqëson një nga argumentet më të fuqishme për ta mbrojtur atë në nivel ndërkombëtar. Për këto arsye, e drejta ndërkombëtare ka sanksionuar një tërësi parimesh dhe ka zhvilluar një kuadër të plotë normash ligjore që mbrojnë lirinë e ushtrimit të besimit. Ndër aktet dhe instrumentet kryesore ndërkombëtare mund të përmendim:
Le të shohim shkurtimisht se çfarë parashikojnë disa prej tyre.
Të trajtojmë dispozitat dhe parimet e Konventës Evropiane e të Drejtave të Njeriut, të cilat janë të detyrueshme për zbatim në shtetin tonë. Nisur nga vetë rëndësia hierarkike që i ka dhënë Kushtetuta kësaj konvente mbi ligjet e vendit[3] vërejmë se:
Neni 9 i KEDNJ – Liria e mendimit, e ndërgjegjes dhe e fesë
Neni 14 i KEDNJ – Ndalimi i diskriminimit
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
Lista e lirive të ushtrimit të besimit është e parashikuar në nenin 18 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, duke përcaktuar formulime të të drejtave të njohura ndërkombëtarisht. Ndër to përmendim:
“Lirinë për të manifestuar individualisht ose besimin, si dhe për të themeluar dhe mbajtur vende për këtë qëllim; Lirinë për të prodhuar, blerë dhe përdorur deri në një masë të caktuar, artikuj dhe materiale të nevojshme që kanë të bëjnë me ritet ose zakonet e një feje dhe besimi; Lirinë për të trajnuar, emëruar, zgjedhur, ose caktuar sipas trashëgimisë udhëheqësit e caktuar, sipas kërkesave dhe standardeve të çfarëdo feje ose besimi; Lirinë e individëve për të zbatuar ditët e pushimit dhe për të festuar ditët e shenjta dhe ceremonitë, në pajtim me parimet e fesë dhe besimit të tij; Liritë fetare në punë, duke përfshirë të drejtën për t’u lutur, veshur dhe për të ngrënë sipas parimeve të fetare dhe besimit të caktuar; Lirinë për të deklaruar lirshëm besimin; Të drejtën për të ndryshuar dhe refuzuar një fe; Të drejtën për arsimim fetar për “interesa” të fëmijës”, etj.”
Një fe ose besim mund dhe zakonisht manifestohet në bashkësi me tjerët, që do të thotë se manifestohet në vende publike. Kjo nënkupton respektimin e lirisë së grumbullimit dhe bashkimit, gjithashtu edhe të bashkësive të besimtarëve. Organet e caktuara, të cilat bazohen dhe organizohen sipas parimeve fetare, gjithashtu gëzojnë mbrojtje të plotë ligjore. Këto organe mund të jenë shtëpitë e kultit ose institucionet arsimore që merren me çështje fetare, ose edhe OJQ-të. Të drejtat e tyre përfshijnë: • Lirinë për të themeluar dhe mbajtur institucione të caktuara bamirëse ose humanitare; • Lirinë për të shkruar, shtypur dhe përhapur botime të rëndësishme të këtyre fushave; • Lirinë për të ofruar mësime për fenë në vende të përshtatshme për këtë qëllim.
Liria për të manifestuar besimin fetar përfshin mbrojtjen e fjalëve, mësimeve, praktikave, kulteve dhe zbatimit të atij besimi. Manifestimi i fesë ose besimit nënkupton gjithashtu mundësinë e shmangies së veprimeve të kundërta me rregullat e besimit konkret. Veprime të tilla mund të jenë refuzimi i dhënies së betimeve, shërbimet ushtarake, pjesëmarrja në ceremoni fetare, pranimet ose trajtimet e detyrueshme mjekësore.
Por, ashtu si çdo e drejtë nuk është absolute, ashtu edhe e drejta e besimit ka kufizimet e saj, të cilat duhet të jenë proporcionale dhe të bazuara në ligj. Kufizimet mund të vihen vetëm kur kjo është e domosdoshme për sigurinë dhe rendin publik, shëndetin, moralin ose të drejtat dhe liritë thelbësore të njeriut.
“Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të besimit; kjo e drejtë përfshin lirinë e ndërrimit të besimit apo të bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht besimin apo bindjen e vet me anë të dhënies së mësimeve, kryerjes së kultit dhe riteve fetare.”.
Akti Final i Helsinkit 1975[5] parashikon se: “Shtetet pjesëmarrëse do të respektojnë (…) lirinë e mendimit, ndërgjegjes, fesë ose besimit, për të gjithë, pa dallim race, gjinie, gjuhe apo feje.”.
Brenda këtij kuadri, shtetet pjesëmarrëse do të njohin dhe respektojnë lirinë e individit për të pranuar dhe ushtruar, vetëm apo në bashkësi me të tjerë, fenë apo besimin, duke vepruar në përputhje me vullnetin e ndërgjegjes së vet.
Disa prej akteve kombëtare të legjislacionit tonë të brendshëm, të cilat rregullojnë dhe sanksionojnë parimet bazë në të cilat mbështetet dhe realizohet e drejta e besimit, duke u mbrojtur posaçërisht nga këto të drejta, janë:
Kushtetuta është akti themelor i shtetit tonë demokratik, e cila, në dispozitat e saj, parashikon dhe mbron të drejtat themelore të njeriut, duke i shpallur ato si të patjetërsueshme dhe të padhunueshme.
Neni 10 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon:
“Shqipëria nuk ka fe zyrtare. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike. Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare… Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjellë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend. Bashkësitë fetare janë persona juridikë. Ato kanë pavarësi në administrimin e pasurive të tyre sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të tyre, për sa nuk cenohen interesat e të tretëve.”.
Ky nen sanksionon neutralitetin e shtetit shqiptar në raport me komunitetet fetare si dhe në raport me çështjet e besimit e të ndërgjegjes në përgjithësi. Kushtetuta nuk njeh fe zyrtare dhe as privilegjon asnjërën prej feve. Kushtetuta krijon mundësi për barazi midis komuniteteve fetare. Gjithashtu shteti i njeh çdo individi lirinë e kultit si liri e personit për të marrë pjesë në një bashkësi fetare dhe në praktikën e saj.
Neni 18 citon se: “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore. Askush nuk mund të diskriminohet për shkaqet e përmendura në paragrafin 2, nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive.”.
Neni 24 i Kushtetutës shpreh: “Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar. Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.”.
Përveç të drejtës së besimit, rezulton edhe e drejta e personale për të marrë pjesë në jetën dhe praktikën e bashkësive fetare. Jo të gjitha shtetet kanë të sanksionuar në ligjin themelor të shteti të drejtën e fesë apo të drejtën e zgjedhjes së fesë. Ushtrimi i lirë i fesë është i ngjashëm me liritë e tjera që janë renditur në katalogun për të drejtat dhe liritë themelore si: liria e fjalës, liria e tubimit.
Liria e besimit dhe ushtrimi i lirë i saj është bërë pjesë e legjislacionit shqiptar edhe nëpërmjet ratifikimit të konventave ndërkombëtare nga ana e shtetit shqiptar. Konventat dhe aktet që mbrojnë të drejtat themelore të individit sanksionojnë edhe lirinë e besimit si një e drejtë themelore e individit.
Kushtetuta rregullon marrëveshjet ndërmjet shtetit dhe komuniteteve fetare, ku në bazë të nenit 10, pika 5 e Kushtetutës, marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe komuniteteve fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Kështu si burime ligjore që rregullojnë marrëdhëniet përkatëse janë nënshkruar dhe ratifikuar aktualisht katër marrëveshje[6]: Këto marrëveshje ngjasojnë me aktet ndërkombëtare që bëhen pjesë e sistemit të brendshëm, pasi marrëveshjet ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Komuniteteve ratifikohet me ligj në Kuvend. Pas ratifikimit, shteti nuk mund të ndërhyjë në çështjet e komuniteteve fetare veçse nëpërmjet marrëveshjeve të sipërpërmendura. Objekt i këtyre marrëveshjeve është rregullimi i çështjeve të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit midis shtetit shqiptar dhe komunitetit përkatës, në bazë të parimeve kushtetuese që garantojnë lirinë e shfaqjes dhe ushtrimit të besimit fetar, si dhe të dëshirës së përbashkët për të forcuar dhe zhvilluar marrëdhëniet e ndërsjella. Qëllimi i tyre është:
– të garantojnë realizimin e të drejtave të sanksionuara nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi në lidhje me lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë;
– të njohë e të garantojë respektimin e të drejtave të komunitetit fetar, të institucioneve dhe strukturave të tyre, si dhe të personave juridikë të themeluar prej tyre, për të zhvilluar lirisht misionin e tyre fetar, edukativ e bamirës;
– të njohë dhe të garantojë paprekshmërinë e institucioneve të kultit, për aq sa veprimtaria e tyre nuk vjen në kundërshtim me ushtrimin e lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë, si dhe me Kushtetutën e ligjet në fuqi dhe me kanonet dhe traditën e shenjtë të komunitetit fetar;
– të garantojë lirinë e individit për të zgjedhur ose ndryshuar fenë, për ta shfaqur atë individualisht ose kolektivisht në institucionet fetare, ose jashtë tyre, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve fetare.
Që nga krijimi i saj Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka luajtur rol në zgjidhjen e konflikteve dhe vënien në vend të të drejtave thelbësore të njeriut të shkelura nga shtetet përkatëse. Nëpërmjet praktikës së saj, ajo ka shërbyer si mjeti i fundit ligjor dhe më efektiv në zgjidhjen e drejtë të çështjeve të paraqitura nga individë të cenuar nga shkelja e së drejtës ndërkombëtare. Jurisprudenca e kësaj gjykate është e plotë dhe rastet e trajtuara prej saj kanë qenë të shumta sidomos në fushën e cenimit të të drejtave të lidhura me ushtrimin e lirë e të plotë të besimit. Në mënyrë që të njohim mënyrën e trajtimit të saj nga ana e praktikës gjyqësore të kësaj gjykate, është e nevojshme të paraqesim disa nga rastet praktike nga jurisprudenca e saj.
Lidhur me të drejtën e ushtrimit të besimit, GJEDNJ, ka theksuar se kufizimet mbi shfaqjen e lirisë së besimit janë të lejueshme vetëm në rastet:
1 – të përcaktuara në ligj;
2- përmbushin një nga rastet e kufizimeve të ligjshme si – p.sh., siguria shtetërore, mbrojtja e rendit publik, shëndetit apo moralit, apo për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve, dhe ajo çka ka rezultuar të jetë më e rëndësishmja në rastet që rregullojnë këtë çështje;
3- kufizime të tilla janë “të përpjesëtueshme” në kuptimin që janë “të nevojshme në një shoqëri demokratike” me interesa të tjera në listën e kufizuar të synimeve të ligjshme.
Në çështjen “Senay Karaduman kundër Turqisë” të vitit 1993, Komisioni Evropian la në fuqi vendimin e gjykatave turke për ndalimin e mbajtjes së shamive islame në mjediset e universitetit: “Komisioni është i mendimit se duke zgjedhur të ndjekë studimet e larta në një universitet laik, studenti apo studentja i nënshtrohet rregullave të universitetit, të cilat mund t’ia kufizojnë lirinë studentëve për të shfaqur fenë në lidhje me vendin dhe mënyrën e synuar, me qëllimin për të siguruar bashkekzistencën harmonike midis studentëve dhe besimeve të ndryshme. Veçanërisht në vendet ku shumica e madhe e popullsisë është e një besimi të caktuar, manifestime pa kufizim të respektit dhe simboleve të asaj feje, për sa i përket vendit dhe mënyrës së shprehjes, mund të përbëjnë trysni ndaj studentëve të tjerë, që nuk e praktikojnë atë fe, apo ndaj atyre që ndjekin një besim tjetër”.[7]
Në këtë çështje[8] problemi i të drejtave të grave për barazi ishte një çështje substanciale për këtë vendim. GjEDNj-ja nuk e ndryshoi ndalimin nga Turqia të mbajtjes së shamive islame në mjediset e Universitetit. Gjykata vendosi unanimisht se kishte ndërhyrje në të drejtën e myslimanëve të shfaqnin fenë e tyre, por kjo ndërhyrje që parashikohej me ligj dhe e mbështetur në parimin e laicizmit dhe barazisë së grave dhe burrave, ishte e ligjshme.
Në çështjen “Leyla Sahin kundër Turqisë”, Gjykata për herë të parë shpalli se parimi i barazisë gjinore ishte “një nga parimet kyç që përshkonin Konventën”[9] .Gjykata nuk e diskutoi shprehimisht kuptimin e barazisë gjinore dhe se si veprimet e kërkueses kërcënonin të drejtat e grave, apo se si parimi mund të përligjte ndalimin e një gruaje në moshë madhore të ndiqte atë që dukej se ishte një praktikë e përqafuar lirisht dhe me rëndësi personale.[10] Gjithashtu ajo nuk hetoi pasojat që do të kishte ky ndalim për kërkuesen[11] dhe për mijëra gra të tjera në Turqi, të cilat nuk do të mundeshin të kishin qasje në arsimim. Në këtë mënyrë, dukej sikur Gjykata e përjashtoi Leylan dhe gra të tjera që mbanin “shaminë e fesë islame” nga kategoria e grave, të drejtat dhe barazia e të cilave duheshin mbrojtur.
GJEDNJ-ja është përballur së fundmi me çështje që lidhen me lirinë e besimit fetar për shtetet që dëshirojnë të minimizojnë efektin e ndikimit të besimit fetar në shoqëritë e tyre. Këtu vendoset një peshë e veçantë për qëllimin e deklaruar të shtetit të parandalimit të çrregullimeve dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
Shembull: Çështja “Këze dhe të tjerët kundër Turqisë”[12] kishte të bënte me një kod veshjeje që ndalonte mbajtjen e shamive të kokës nga vajzat në shkollë, ku u pretendua se kjo përbënte diskriminim në bazë të besimit fetar, sepse mbajtja e shamive të kokës ishte një praktikë fetare myslimane. GJEDNJ pranoi se rregullat që lidhen me veshjen nuk lidheshin me çështje të përkatësisë në një besim fetar të caktuar, por ishin hartuar të ruanin neutralitetin dhe shekullarizimin në shkolla, gjë e cila do të parandalonte çrregullimet si dhe të mbronte të drejtat e të tjerëve nga ndërhyrjet në besimet e tyre fetare. Për rrjedhojë pretendimi u konsiderua të ishte i pabazuar dhe i papranueshëm. Një qasje e ngjashme u ndoq edhe në një çështje e cila lidhej me kodin e veshjeve për mësuesit.[13]
Shteti dhe ndërmarrja e politikave të tij luajnë një rol të jashtëzakonshëm në evitimin e konflikteve dhe në baraspeshimin e ekzistencës së komuniteteve fetare në një vend. Sipas së drejtës ndërkombëtare, shtetet në politikën e tyre e kanë detyrim për të ndaluar dhunën dhe diskriminimin në çështjet e besimit fetar. Ne mund të parandalojmë diskriminimin me bazë fetare, duke filluar me respektimin e të drejtave të të tjerëve. Toleranca fetare, përfshin respektimin e besimtarëve të feve të tjera, pa i paragjykuar ato. Kjo gjithashtu nënkupton refuzimin për të diskriminuar të tjerët në punësim, strehim dhe qasje ndaj shërbimeve publike, për shkak të besimit tjetër.
Pra, të gjithë ne si shtetas dhe individë të lirë, kemi të drejtën dhe detyrën të kontribuojmë në ruajtjen e tolerancës dhe eliminimin e diskriminimit në të gjitha çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut, sidomos mbi të drejtat e besimit fetar.
Rasti i shtetit shqiptar, është rasti më tipik i tolerancës fetare të shtetit dhe kjo sigurisht që ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e shoqërisë. Pavarësisht se besimi është një e drejtë ligjore e garantuar nga Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare, në vendin tonë, ekzistojnë edhe raste në të cilat vërehen shkelje të kësaj të drejte. Kjo lidhet kryesisht me ndalimin e së drejtës së mbajtjes së shamisë në institucionet arsimore, por që normalisht kjo çështje paraqet vështirësi për shkak të ndeshjes së dy të drejtave themelore.
Bibliografia
[1]. Konkretisht neni 18.
[2]. Konkretisht neni 18.
[3]. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e ndryshuar, neni 122.
[4]. Liria e Mendimit, e ndërgjegjes dhe e besimit.
[5]. Deklarata mbi Parimet që Rregullojnë Marrëdhëniet midis Shteteve Pjesëmarrëse, parimi VII, par. 1 dhe 3.
[6]. Është ratifikuar marrëveshja ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Selisë së Shenjtë të Vatikanit, e cila ishte miratuar njëherë në 2003. Ligji nr. 10 056, datë 22.01.2009 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkësisë Islame të Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”. Ligji nr. 10 057, datë 22.01.2009 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”. Ligji nr. 10 058, datë 22.01.2009 “Për ratifikimin e marrëveshjeve ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”.
[7]. Senay Karaduman kundër Turkey, Vendim, Nr. 16278/90, 3 maj 1993.
[8]. Leyla Sahin kundër Turkey, kërkesa Nr. 44774/98, Vendimi i 29 qershorit 2004.
[9]. Në paragrafin 107 të Vendimit.
[10]. Kërkuesja pretendonte se atë nuk e kishin detyruar të mbante shami, por se ajo e konsideronte këtë si detyrë fetare. Ajo ishte shumë e bindur për të mbajtur shami, sa që e shpuri çështjen në GjEDNj dhe shkoi në Vjenë për të studiuar. Për më tepër, ajo deklaroi shprehimisht se nuk synonte të ushtronte ndonjë ndikim te gratë e tjera për të mbajtur shami.
[11]. Ndalimi jo vetëm e pengoi atë që të studionte në Turqi, por mund ta ketë penguar edhe të jetojë në Turqi, meqenëse ajo nuk do të kish mundësi të ushtronte mjekësinë aty. Kjo gjë pati një ndikim negativ jo vetëm në jetën e saj, por edhe në shoqërinë turke.
[12]. Köse and others v. Turkey
[13]. GJEDNJ, Dahlab kundër Zvicrës (vendim) (Nr. 42393/98), 15 Shkurt 2001 (ECtHR, Dahlab v. Switzerland (dec.) (No. 42393/98), 15 February 2001).
Jul 02, 2024 0
Jan 23, 2024 0
Jan 19, 2022 0
Jan 08, 2019 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...