Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
May 07, 2024 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
KUR’ANI burim themelor i fesë dhe i qytetërimit islam
Kur’ani është libri i fundit qiellor që i zbriti Profetit të fundit, Muhamedit (a.s.), prej Allahut nëpërmjet Xhibrilit. Ai është libri u shenjtë, i mbinatyrshëm-(mu’xhizetun) ligjërim-fjalë e Allahut që i erdhi Muhamedit (a.s.) në mënyrë kronologjike në një periudhë prej 23 vjetësh. Përmban gjithsej 114 sure-kaptina dhe për numrin e tyre nuk ka mospajtime mes dijetarëve. Sa i përket numrit të ajeteve në Kur’an, ekzistojnë mendime të ndryshme mes dijetarëve. Të gjithë ata, pa përjashtim, pajtohen se Kur’ani ka mbi 6000 ajete. Por në mesin e tyre, dikush është dëgjuar të ketë thënë se Kur’ani ka 6204, dikush 6214, ndonjë tjetër 6219, por edhe 6225, 6226, 6236, e 6360 ajete.[1] Shkaku i mos pajtueshmërisë rreth numrit të ajeteve të Kur’anit është se dikush ka numëruar ajetin fillestar: “ بسم الله الرحمن الرحيم- Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit”, si ajet përbërës i çdo sureje, por, ka të tjerë, që këtë ajet e kanë numëruar si një ajet i vetëm i sures “En-Neml” e, nga ndonjë tjetër, ajeti në fjalë; (Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit) është llogaritur si ajet fillues i çdo sureje.
Ekziston edhe një shkak tjetër, që ka bërë që dijetarët të mos kenë mendim unik në lidhje me ajetet e Kur’anit, që ka të bëjë me shkurtesat në fillim të sureve të cilat disa i kanë numëruar si ajete më vete, e të tjerë nuk i kanë numëruar si të tilla. Sado që të jenë numri i ajeteve të Kur’anit, nuk ka dyshim se ai është burimi themelor dhe kryesor i fesë dhe predikimit islam.
Sipas përkufizime të dijetarëve myslimanë, Kur’ani është fjalë hyjnore, ligjërim i Allahut, libër qiellor, i mrekullueshëm, i paimitueshëm i paarritshëm as në përmbajtje e as në aspektin artistik, pra është “Mu’xhizetun” që i është zbritur Muhamedit (a.s.) përmes Xhibrilit, i përcjellë besnikërisht nga ai, i shkruar që atëherë kur zbriti, i tubuar në një përmbledhje të quajtur “Mus’haf”, i ruajtur, i kultivuar e i mësuar përmendësh, dhe leximi i tij është adhurim-ibadet për myslimanët.[2]
Kur’ani-Mus’hafi nis me suren “El-Fatiha” dhe përfundon me suren “En-Nas”.
Kur’ani është ligjërim-fjalë e Allahut e jo e Muhamedit (a.s.), siç ka pretenduar ndokush dhe, mu këtu qëndron pamundësia e imitimit të Kur’anit, mrekullia dhe përkryeshmëria e tij.
Komentuesit klasik të Kur’anit “I’xhazin”, pamundësinë e imitimi të Kur’anit, e shohin në përmbajtjen, formën dhe në stilin e shprehjes së Kur’anit, në shprehjen artistike të paarritshme të Kur’anit. Komentuesit bashkëkohorë janë të prirë që nën ndikimin e komentimit shkencor të Kur’anit, “I’xhazin”, pra pamundësinë e imitimit, ta shohin, ndër të tjera, në parapritjen e Kur’anit ndaj zbulimeve shkencore kozmologjike, gjeologjike, astronomike, atmosferike, hidrologjike, gjenetike, embriologjike, gjeografike, historiografike, etj.
Kur’ani është Fjala e Allahut, përmes të cilit Ai adhurohet deri në Ditën e Kiametit. Ai është autokton, nuk ndryshon, nuk transformohet dhe nuk zëvendësohet asnjë fjalë e vetme e tij me diçka tjetër. Duhet pasur kujdes ngase është shumë e rrezikshme që të bëhet lidhja e Kur’anit me disa teori shkencore jo të vërtetuara shkencërisht. Ndodh, shpeshherë, që teoritë shkencore të mos jenë të sakta dhe të nivelit shkencor. Kjo mundëson që të bëhemi shkaktarë për një gabim të pafalshëm ndaj njollosjes së Kur’anit, duke provuar harmonizimin e ajeteve të Kur’anit me teori të pavërtetuara.
Është realitet i pamohueshëm se Kur’ani përmend disa mrekulli që shkenca ende nuk ka arritur t’u japë shpjegime meritore. Kur’ani është një libër që prin në dituri e shkencë dhe sfidon mbarë dituritë njerëzore. Ai është i tëri mrekulli.
Kur’ani ishte dhe vazhdon të qëndrojë deri në pafundësi si mrekulli e përhershme dhe e pashterueshme. Kur’ani i tëri është mrekulli dhe ai ka më shumë se një mrekulli dhe ato janë të natyrës e fushave ndër më të ndryshmet. Mrekullia e Kur’anit manifestohet në shumë sfera; si në shpalljen e tij, në ligjërimin e tij, në nxënien e tij, në ruajtjen e tij, në vlerat e tij sublime; fetare e shpirtërore, morale e humanitare, ekonomike e sociale, materiale e shkencore.
Meqenëse ligjërimi kur’anor i takon një instance krejt tjetër nga ajo njerëzore, me atribute hyjnore, është shumë vështirë të përcaktohet me leksikun, terminologjitë dhe nocionet e njohura të stilistikës gjuhësore, qoftë edhe asaj arabe, ngase ato në çdo gjuhë, janë të mangëta dhe nuk i përfshijnë veçoritë e këtij ligjërimi hyjnor në tërësi. Kur’ani është i vetmi prej librave qiellorë që nuk ka pësuar ndryshime dhe ka ruajtur origjinalitetin e vet.
Meqë Kur’ani është Fjalë e Allahut, i tëri është pastërti dhe gjithnjë kërkon pastërtinë e shpirtit, pastërtinë e mendimit, pastërtinë e veprimit e motiveve dhe qëllimeve për ata që dëshirojnë të depërtojnë në përmbajtjen e tij të thellë. Sa më e madhe të jetë pastërtia shpirtërore dhe fizike e atij që e studion Kur’anin, aq më i thellë dhe më i qartë do të jetë vëllimi i të kuptuarit domethënies së tij.
Kur’ani i është dedikuar mbarë njerëzimit. Ai nuk pranon racizëm, nuk njeh kufi kohor e hapësinor të shtrirjes së tij. Por është realitet se Kur’ani nuk i referohet të pabesëve, shpirtligjve, zemër-mbyllurve, anormalëve, injorantëve, etj. Studiuesit e Kur’anit, patjetër, duhet të çlirojnë shpirtin dhe mendjen e tyre nga paragjykimet dhe ideologjitë e ndryshme ideologjike e ateiste, në mënyrë që ta kuptojnë Kur’anin drejt e si duhet.
Për ta mësuar e njohur Kur’anin nuk mjafton vetëm trashëgimia apo përcaktimi fetar, dëshira apo vullneti sa për të lexuar diçka. Për ta lexuar, kuptuar e përjetuar Kur’anin e Madhërishëm, duhet qenë besë-madh, shpirtndritur, zemërdëlirë, mendjehollë e i ditur, por edhe trup-larë e i pastër. Në Kur’an thuhet:
وَيَرَى الَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ الَّذِي أُنزِلَ إِلَيْكَ مِن رَّبِّكَ هُوَ الْحَقَّ وَيَهْدِي إِلَىٰ صِرَاطِ الْعَزِيزِ الْحَمِيدِ
“E, atyre që u është dhënë dituria, e dinë se ai që të është shpallur ty nga Zoti yt (Kur’ani), është i vërtet dhe udhëzon për në rrugën e Fuqiplotit, të Lavdishmit”[3]
Kur’ani ka zbritur në një interval kohor prej 22-23 vjetësh, që ka filluar me 1 shkurt të viti 610 me ajetin: “Lexo në emër të Zotit tënd i Cili ka krijuar”[4], për të mbaruar në vitin 632 me ajetin 281 të sures El-Bekare e ky (sipas mendimet të shumicës së dijetarëve) është ajeti:[5]
وَاتَّقُوا يَوْمًا تُرْجَعُونَ فِيهِ إِلَى اللَّـهِ ۖ ثُمَّ تُوَفَّىٰ كُلُّ نَفْسٍ مَّا كَسَبَتْ وَهُمْ لَا يُظْلَمُونَ
“Dhe keni frikë Ditën, kur në të do ktheheni tek Allahu. Pastaj çdokush do të paguhet për atë që ka fituar, dhe atyre nuk ju bëhet e padrejtë”[6]
Tubimi dhe ruajtja e Kur’anit gjatë jetës së Muhamedit (a.s.) bëhej në dy mënyra:
Kur’ani është shkruar që nga fillimi i shpalljes, prandaj nuk është e çuditshme e dhëna se me shkrimin e Kur’anit dhe regjistrimin e tij, gjatë periudhës së zbritjes, ishin angazhuar jo më pak se 43 veta në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vetë Pejgamaberi (a.s.) dhe tubimi i tij u bë sa qe gjallë Profeti (a.s.)[8] Kur’ani është tubuar në një libër që e kanë emërtuar “Mus’haf”. E, Mus’hafi është përmbledhje e Kur’anit, shpalljes (revelatës) hyjnore që i ka ardhur Muhamedit (a.s.) nëpërmjet Xhebrailit (a.s.)
Edhe një kritik i egër si z. William Muir, kur vjen fjala për Kur’anin e Shenjtë, thotë:
“Nuk ka në botë asnjë libër tjetër që ka mbetur kaq i pastër në tekst për dymbëdhjetë shekuj”.[9]
Kur’ani është burimi themelor dhe kryesor i fesë, predikimit dhe qytetërimit islam. Baza kryesore e Kur’anit është me përmbajtje dhe karakter moral edukativ, human dhe me vlera mbarë njerëzore. Mirëpo, Kur’ani paraqet edhe një kushtetutë me norma në vazhdimësi aktuale dhe universale. Ai përmban, jo vetëm norma morale e humane, por edhe norma juridike, norma të drejtësisë ligjore, sociale, familjare, ekonomike, etj., që kanë të bëjnë me fushëveprimin dhe rregullimin e çështjeve të ndryshme jetësore të shoqërisë njerëzore në përgjithësi.
Ai përmban principet kryesore fetare, morale dhe juridike islame. Është përmbledhje e rregullave esencialë në bazë të të cilëve duhet të ndërtohet dhe zhvillohet jeta materiale e shpirtërore por, gjithsesi, edhe shoqërore e qytetare e myslimanëve. Ai përmban:
Kur’ani, i cili, në rend të parë, është libër hyjnor-fetar, por edhe kod moral e juridik, gëzon atë lloj autoriteti në botë, e në veçanti te myslimanët, si asnjë libër tjetër në literaturën botërore.
Kur’ani është një libër me sendërtim universal, për të cilin është folur, shkruar e studiuar shumë, por pak janë të njohura vlerat e mirëfillta artistike të tij, për shumë lexues, e edhe më pak te shqiptarët. Te Kurani duhet drejtuar jo vetëm për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Islamin, por edhe për fusha të ndryshme të dijes njerëzore, veprimtarisë dhe jetës shoqërore në përgjithësi.[11]
Nuk ka dyshim se tema kryesore në Kur’an është njeriu dhe mirëqenia e tij. Por, një nga temat e Kur’anit, me peshë dhe rëndësi të veçantë, është Udhëzimi i Allahut. Përqendrimi në faktin se Allahu i ka ofruar gjithmonë udhëzim njeriut nëpërmjet shpalljeve që ka dërguar përmes Profetëve, është detyrë e çdo besimtari. Kur’ani është përqendruar edhe në temën rreth konceptit të besimit në Një Zot të vetëm-“Teuhidit”. Paraqitja e Kur’anit ishte revolucionare, ngase theu të gjitha barrierat racore, nacional-kombëtare, dhe dha një kontribut unik të bashkimit dhe të vëllazërimit të njerëzve në një komunitet shumetnik, shumëgjuhësh, multiracor, multikulturor, por me një besim të vetëm, besimin në Një Zot “Teuhid”. Kur’ani e inkurajon mbarë gjininë njerëzore që të ngrejë veten mbi kufizimet provinciale, fisnore, racore, e kombëtare për të ndërtuar një komunitet, shoqëri të njerëzuar e të qytetëruar.
Temat e tjera të shtuara në Kur’an, sikundër janë temat fetare, diturore, iluministe, etiko-morale, juridike, sociale, moralizuese, kallëzimet historike, si dhe shumë përmbajtje të tjera, të trajtuara në nivel të mrekullueshëm e të jashtëzakonshëm, janë tema të paarritshme përmbajtësisht e artistikisht.
Të kthehemi përsëri te Kur’ani, ngase duhet theksuar se baza kryesore përmbajtjesore e Kur’anit është me karakter shoqëror dhe duhet sinjalizuar për idetë e drejtësisë sociale-shoqërore e morale që dalin drejtpërdrejt nga Kur’ani, i cili, padyshim, synon një shoqëri të qytetëruar.
Islami është një fe që, përveç themeleve kryesore të saja, që janë të bazuara në Kur’an, ndërtohet edhe mbi parimet e logjikës dhe të arsyeshmërisë dhe jo mbi dogmën apo besimin e verbër. Dhe, vetë fakti i mos ndarjes së Islamit në sfera fetare dhe jo fetare apo në pjesë të veçanta, të kësaj jete-“Dynjasë” dhe asaj të amshueshmes-“Ahiretit”, tregon se Islami është më tepër si një stil i jetës me premisa hyjnore i drejtuar tërësisht nga Allahu dhe jo një fe që merret me ndarjet apo copëzimet e jetëve. Kështu që, nga njëra anë, kur bëhet fjalë për parimet e të jetuarit, për anën sociale, ekonomike, politike, etj., të shkon mendja se Islami është një sistem i avancuar i jetës fizike, por kur bëhet fjalë për jetën shpirtërore, për moralin e individit dhe të shoqërisë, mësohet se ai është një kod që rregullon jetën materiale dhe shpirtërore, duke siguruar mirëqenie dyjetësore, në rend të parë, të individit e pastaj edhe të shoqërisë. Islami merret me të gjitha aspektet e jetës së njeriut. Ai është kundër idesë së ndarjes së jetës shpirtërore nga ajo materiale, kundra ndarjes së jetës së kësaj bote nga ajo e përtejmja.
Tema sociale në Kur’an merr një shtrirje të gjerë me karakter moralizues, edukativ dhe shumë universal. Iluminizmi fetar, dituria, edukimi, fenomeni moral, si kategori shoqërore, elementet përbërëse të moralit, edukimi moral i njeriut dhe i qytetarëve, ndikimi i fenomenit moral në zhvillimin e shoqërisë, kujdesi ndaj familjes si pjesë bazë e superstrukturës shoqërore, si njëra nga qelizat e para të shoqërisë njerëzore, pozita e femrës në shoqëri, nderi si kategori morale e sociale, fenomeni i pirjes së alkoolit dhe ndalimit të tij në Islam, ndalimi i përdorimit të drogës, ndalimi i lojërave të bixhozit, fenomeni i prostitucionit si dhe ndalimi e luftimi i tij, janë ato që përshkojnë tërësinë e mësimeve të Kur’anit, udhëzimeve dhe porosive të larta edukative-morale të tij në zgjidhjen e këtyre problemeve sociale-shoqërore.
Pikëpamjet sociologjike mbi lirinë personale dhe kolektive, mbi etikën dhe edukatën morale të përftuara e të ndriçuara nga dituritë dhe kultura e qytetërimi islam, paraqesin jo vetëm kontribut të çmueshëm moralizues për zhvillimin e mendimit sociologjik, por edhe përputhen me qëllimet e evolucionit njerëzor për një bashkësi e shoqëri të qytetëruar, të pastër, të shëndoshë e të lumtur; pa alkool, pa drogë, pa bixhoz, pa prostitucion, e pa shumë të liga të kësaj natyre. Këtë e garanton pa dyshim e me shumë siguri vetëm feja islame, e madje edhe pa harxhime të mëdha.
Duke vlerësuar drejt qenien e njeriut dhe personalitetin e tij, në Islam ekziston vetëdijesimi se njeri të idealizuar e pa asnjë të metë nuk ka. Feja islame është kundër mbivlerësimit të njeriut. Përpjekjet e dikujt, që për shkak të disa vetive, virtyteve, humanizmit, devotshmërisë, a ndonjë atributi tjetër, bëjnë mbivlerësimin e madje deri në hyjnizim e njeriut, siç ndodhë me disa njerëz fetarë e personalitete të veçanta, në Islam nuk qëndrojnë. Kushdo që aludon se ka hirësi (ka shenjtëri), falë mëkate apo ndërmjetëson te Perëndia, ai është mashtrues, gënjeshtar që nuk i bënë nder shoqërisë dhe sipas fesë islame është mëkatari më i madh.
Të flasësh dhe të vlerësosh vlerat artistike dhe stilin e Kur’anit, është shumë punë e vështirë, sepse këtu nuk bëhet fjalë për një gjini retorike apo letrare, por për Dërgimin hyjnor, i cili është dedikuar t’u transmetohet njerëzve. Duhet ditur, se edhe nga aspekti i shprehjes artistike, Kur’ani është i mrekullishëm. Shumëllojshmëria e trajtave të shprehjes artistike në Kur’an, ka bërë që një numër i madh i dijetarëve të fushave të ndryshme të studiojnë Kur’anin dhe të mahniten me mrekullitë e tij në fushat e ndryshme të dijes, duke i paraprirë shkencës bashkëkohore në shumë lëmi. Shoqëria islame, por jo vetëm ajo, qysh nga koha e Profetit Muhamed, është deklaruar për bindjen e pafuqisë së imitimit të Kur’anit.[12]
Theksojmë se edhe nga aspekti i shprehjes artistike, Kur’ani është i mrekullueshëm. Tek arabët, fjala artistike ka qenë prezente që nga lashtësia, domethënë edhe para Islamit. Te arabët para-islamë, poezi të shkruara, mitingje poezish dhe gara poetike ka pasur edhe para shpalljes së Kur’anit. Te arabët idhujtarë, para shpalljes së Muhamedit (a.s.) Profet, në tregun e quajtur “Ukkadh”, në Meke, në sezonin e haxhit organizoheshin veprimtari poetike, ku deklamoheshin poezi klasike tradicionale të zhanreve të ndryshme dhe vlerësoheshin nga ekspertë e seleksionoheshin dhe, ato më të mirat, shkruheshin me shkronja të arta dhe me respekt vareshin në muret e Qabes.[13] Në këtë periudhë, kur poezia kishte arritur nivel të rëndësishëm artistik, kur ajo ishte bërë traditë, kur ajo kishte avancuar në përmbajtje dhe në planin artistik, kur ajo çmohej e admirohej nga një numër i madh përkrahësish, befasisht e në mënyrë fare të papritur, do të nisë t’i zbresë Kur’ani Muhamedit (a.s.), si një kryefjalë e shprehjes artistike, si një mrekulli me një stil tepër të lartë, i cili, përveçse nga përmbajtja dhe kuptimi që është i paarritshëm, edhe nga aspekti artistik është i pashembullt dhe, çuditërisht, do t’i mahnitë e do të heshtin, për një kohë, oratorët, ligjëruesit dhe poetët më me zë të kohës.
Njëra nga karakteristikat kryesore të Kur’anit, siç u tha, është pamundësia e imitimit të tij, as në aspektin përmbajtjesor dhe as në aspektin estetik. Kur’ani ka provokuar dhe provokon poetët përgjithësisht, e posaçërisht arabët, ata që kanë pasur fat dhe mundësi ta shijojnë përmbajtjen dhe artin kur’anor në origjinal, se po nuk besuan që Kur’ani është fjalë e Zotit, apo si thonin arabët e asaj kohe, se atë e ka trilluar dhe varguar Muhamedi, ata vetë thirren që të provojnë të shkruajnë një libër të ngjashëm me Kur’anin. Në kaptinën “Et-Tur” lexojmë edhe këtë ajet:
“Le ta sjellin një ligjërim (libër) të ngjashëm si ai, nëse kanë të drejtë (për atë që thonë)”.[14] Kur nuk e bënë këtë, u kërkua prej tyre që së paku të shkruajnë një sure (kaptinë) si ato të Kur’anit. Por, poetët e kohës, nuk arritën ta bëjnë asnjë sure të shkurtër të ngjashme me të Kur’anit.
Është realitet i pamohueshëm se Kur’ani e sfidoi krahasimin e ndonjë pjesë të tij për nga bukuria letrare dhe, pa këtë fuqi sfiduese, s’ka dyshim se Kur’ani nuk do të mund të kishte ushtruar fuqinë e tij të jashtëzakonshme, të mrekullueshme, magjepsëse, prekëse dhe mallëngjyese. Dhe pa këtë fuqi, arabët nuk do ta kishin pranuar atë si hyjnor. Rasti i Profetisë së Muhamedit është unik, sepse ai e mbështeti vërtetësinë e pohimit të tij, në vetë hyjninë e burimit kur’anor, në fillin e bukurisë letrare.
Po ashtu është edhe realiteti tjetër se Kur’ani i theu të gjitha normat e përsosmërisë letrare që arabët kishin njohur. Çdo ajet i Kur’anit, jo vetëm që i përshtatej dhe i përmbushte normat e njohura letrare, por edhe i tejkalonte ato përtej masës. Aktualizimi i Kur’anit e tejkaloi çdo gjë që ishte njohur ndonjëherë. Kjo ishte arsyeja se përse ata e vlerësuan atë dhe e besuan të mbinatyrshëm, apo një sfidë për t’u krahasuar me diçka që nuk mund të krahasohet kurrë. Kur’ani i çarmatosi plotësisht kundërshtarët e vet. Ata e pranuan origjinën e tij hyjnore dhe iu nënshtruan urdhëresave të tij.
Myslimanët iu kushtuan studimit të Kur’anit edhe në stilin e ligjërimit-bukurisë artistike dhe u përpoqën që të zbulonin sekretet e bukurisë dhe mrekullisë së tij, aspektet apo shkaqet që e bënin Kur’anin të paimitueshëm, tё papërballueshëm dhe të pakrahasueshëm. Shikuar nga jashtë, Kur’ani, si tërësi, lë përshtypjen e një proze të rimuar, ndërsa çereku i fundit të tij, më shumë i ngjet poezisë edhe pse nuk është poezi. Ritmi aq elastik dhe i ndryshueshëm i pjesëve të rimuara në Kur’an, nuk u nënshtrohet në asnjë mënyrë ligjeve të prozodisë arabe (Es-sexheu’ -(اَلسَّجَعُ . Ibni Halduni thoshte se, Kur’ani edhe pse duket vepër e ndryshme prozaike, stili i tij del sa nga suaza e një proze të lirë (Mutllak-(مطلق, po aq edhe nga suaza e prozës së rimuar (Es-sexheu-(اَلسَّجَعُ . Rima kumbuese e Kur’anit, përveçse tingëllon artistikisht, nuk ka dyshim se ajo spikat edhe përmbajtjen, duke i përcaktuar edhe përmasat kuptimore, emocionale, simbolike dhe estetike.
Duhet ditur se as nga aspekti përmbajtjesor dhe as nga aspekti estetik nuk ka kurrfarë lidhje midis poezisë para-islame dhe Kur’anit, për të cilën kundërshtarët e akuzonin Muhamedin (a.s.)
Dr. Taha Husejn, qё ishe i verbër që nga lindja, hafiz i Kur’anit që në fëmijëri, shkrimtar e kritik letrar, i doktoruar në Kajro 1914, e qё mori edhe një doktoraturë tjetër në Sorbonne tё Francë për letërsi mё 1917, thotë: “Kur’ani nuk është prozë, sikurse nuk është as poezi. Ai është Kur’an dhe nuk mund të emërtohet me emër tjetër përveç kësaj. S’është poezi, sepse nuk është i kufizuar me normat e poezisë, por s’është as prozë, sepse ai është i normuar me rregulla të veçanta … ato janë rregulla të tilla të cilat i lidhin disa prej tyre me skajin e ajetit e disa me notat e veçanta muzikore.”[15]
Është i pakontestueshem edhe realiteti se stili Kur’anit është i veçantë dhe provokues dhe se rrëfimet kur’anore (القصص), sipas stilit hyjnor, asnjëherë nuk mund të ndahen deri në fund e në tërësi, sipas ndonjë skeme njerëzore. Allahu ka zgjedhur për ligjërimin e Tij formatin më të përshtatshëm në mënyrë që të përcillet mesazhi, porosia e kërkuar.
Si rrjedhim, ne mund të arrijmë në përfundimin se lartësimi nuk është kurrë i tillë vetëm në formë, as vetëm në përmbajtje, as vetëm në efekt. Ai është në të tria njëkohësisht. Forma e lartësuar pa përmbajtjen e lartë, apo përmbajtja e lartësuar pa formën e lartë, shkaktojnë pak apo aspak efekt, sigurisht jo efektin që ka lartësimi.[16]
Duhet ta kemi të qartë se Kur’ani me fuqinë, madhështinë, hyjninë, përsosurinë absolute ndaj jetës, përsiatjes, raporteve ndërnjerëzore, martesës, luftës, paqes, ibadeteve (adhurimeve), nuk mund të ketë një burim, një gjenezë me hadithin, sepse në fund të fundit, ku qëndron dallimi ndërmjet Kur’anit dhe hadithit, nëse autori i tyre është i njëjti?! Përse Muhamedi ((a.s.)), nëse e kishte këtë aftësi, përse të shkruante një Kur’an absolutisht të përsosur dhe t’ia përshkruante autorësinë dikujt tjetër, kurse hadithet t’i mbante për vete. Mos vallë Muhamedi, si autor Kur’ani, është mbinjeri, sepse ka shkruar diçka mbinjerëzore dhe Muhamedi si autor hadithesh është njeri i zakonshëm, sepse ka thënë diçka njerëzore.
Kur’ani ka prejardhje hyjnore. Këtë e dëshmon edhe historia Profetike, edhe vetë Profetësia e Muhamedit, edhe e sotmja. Çdo përpjekje për degradimin e Kur’anit me premisa historike, njerëzore, paraprakisht është e dështuar. Edhe historia, edhe gjuha arabe, edhe gramatika arabe, edhe çdo pikëpamje e Kur’anit do ta vërtetojë se Kur’ani është i shpallur nga Krijuesi dhe nuk është çfarëdolloj vepre njerëzore.
Lartësimi i mesazhit të Kur’anit shprehet në shumë aspekte:
Kur’ani e pohon mendimin dhe arsyen e shëndoshë si qëndrimin ideal të mendjes njerëzore. Ai mëson çlirimin nga kontradikta, nga mungesa e koherencës, nga paradoksi, nga miti.
Kur’ani nuk i paracakton prioritet as shpalljes, as arsyes, por deklaron barasvlerën e tyre, duke i shpjeguar të gjitha mospërputhjet midis tyre ose si një mungesë në të kuptuarit e shpalljes, ose si një gabim në proceset e arsyes.
Qëndrimi kur’anor është, si rrjedhim, optimist në lidhje me aftësinë e njeriut për dije. E vërteta, mendon ai, është e njohshme; e pavërteta nuk është kurrë përfundimtare dhe mund të kapërcehet gjithmonë me njohje më të mirë. Islami, aftësinë për të njohur të vërtetën, e pohon për të gjithë njerëzit dhe e afirmon atë si bazë te universalizmi islam.
Ai mohon çdo kategorizim të njerëzve, që bën diskriminim midis tyre në lindje për sa i përket aftësisë së tyre, apo për sa i përket lidhjes së tyre me Zotin, Krijuesin e tyre.
Islami e identifikoi veten me dijen. Ai e bëri dijen kushtin e tij si edhe qëllimin e tij. Ai e barazoi kërkimin e dijes me adhurimin dhe derdhi lavdërimet e tij më të pakursyera mbi ata që angazhohen për kultivimin e saj, duke i bërë ata të shenjtë dhe miq të Zotit dhe duke e ngritur bojën e tyre mbi gjakun e martirëve. Ajo nuk është as një shkreptimë e pavullnetshme në ndërgjegjen e një pasuesi që i nënshtrohet një eksperience mistike. Dija islame është perceptim racional – empirik dhe intuitiv – i çdo sfere të realitetit. Ajo është dije kritike e njeriut dhe e historisë, e tokës dhe e qiellit. Dija është e pafundme për shkak se e vërteta është e pafundme.
Kur’ani e fton njerëzimin që ta pranojë mesazhin e tij në mënyrë racionale, në mënyrë kritike dhe në liri. Ai i urdhëron myslimanët që në misionin e tyre të theksojnë vendet e pajtimit dhe t’i forcojnë ato, për:
ادْعُ إِلَىٰ سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ ۖ وَجَادِلْهُم بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ ۚ
“Thirr në rrugën e Zotit me urtësi dhe këshillë të mirë…”[17], dhe
لَا إِكْرَاهَ فِي الدِّينِ ۖ
“S’ka detyrim në fe.”.[18]
Kur’ani e deklaron umetin një vëllazëri universale, brenda së cilës mund të veprojnë në të njëjtën kohë një pluralitet sistemesh ligjore dhe kulturore.
Mesazhi kur’anor nuk e ndan realitetin material në të shenjtë e profan, jetën njerëzore në fetare e shekullare. Premisa e mesazhit të Kur’anit, nuk është një libër i mbyllur. Ai është gjithnjë i hapur ndaj realiteteve të reja.
Arabishtja kur’anore u bë standard dhe normë e gjuhës arabe, sa i përket fjalorit, sintaksës, gramatikës dhe elokuencës së saj. Çdokush e shikonte Kur’anin si kriterin themelor të kompozicionit dhe përsosmërisë letrare. Përpara kohës së kolonializmit, pothuajse të gjitha veprat e shkruara prej myslimanëve reflektonin karakteristikat tradicionale të Kur’anit. Mbi të gjitha, asnjë libër nuk ka qenë ndonjëherë shkak i ndryshimit të tillë të thellë fetar, intelektual, kulturor, moral, social, ekonomik dhe politik, në jetën e miliona njerëzve, apo të njerëzve aq të ndryshëm etnikisht, siç është Kur’ani.
Si një vepër hyjnore e shenjtë që është, Kur’ani ka një estetikë të mrekullueshme dhe ndikim emocional mbi myslimanët që e lexojnë apo e dëgjojnë prozën e tij poetike. Madje edhe jomyslimanët janë impresionuar thellësisht nga përkryeshmëria e tij letrare dhe perfeksionimi i paimitueshëm i tij.
Kur’ani nuk është vepër e ndonjë poeti apo artisti. Ai është Fjalë e Zotit, andaj edhe është i përkryer e i mrekullueshëm. E tëra kjo që u tha, është e nevojshme të parashtrohet për t’i mundësuar lexuesit të kuptojë arsyet e stilit të fuqisë magjike të Kur’anit, fuqi që, për fat të keq, assesi lexuesi nuk mund ta ndiejë në përkthim, sado i mirë që të jetë ai. Konsiderojmë se me të drejtë orientalisti francez Demombynes ka kërkuar nga lexuesit francezë që kur ta lexojnë përkthimin e Kur’anit në frëngjisht, duhen që në të njëjtën kohë ta dëgjojnë edhe origjinalin në arabisht, në mënyrë që ta ndiejnë dhe ta kuptojnë Kur’anin.[19] Kurse dijetarët myslimanë kanë shprehur bindjen se asnjë përkthim, sado që të jetë punuar me kujdes, nuk mund të quhet Kur’an.
Duke pasur parasysh vlerat e shumëfishta dhe temat e Kur’anit, që nga ato fetare e shpirtërore, filozofike e sociale, teorike e praktike e deri tek ato shprehimore artistike, është me interes për kulturën islame në përgjithësi, që të zotët e mendjes dhe të penës, të bëjnë më shumë në ndriçimin e vlerave stilistike të Kur’anit, ngase edhe këtu del në shesh mrekullia e shprehjes artistike të Kur’anit dhe pamundësia e imitimit të vlerës estetike të tij.
Vepra më e madhe e cila është shkruar ndonjëherë nën ndikimin e stilit të Kur’anit, të mënyrës së rrëfimit kur’anor dhe eksplicimit të shembujve, metaforës, alegorisë, etj., është “El-Methneui” divani i Xhelalud-din Err-Rrumisë.[20] Fjalët e tij dëshmojnë mjaft se është e pamundur të imitohet Kur’ani dhe se stili i rrëfimeve të tija është i paarritshëm.[21]
HADITHI (Suneti)- Baza e dytë fesë dhe qytetërimit islam
Dërgimi i Muhamedit ((a.s.)) Profet ishte dhe mbetet mëshirë për mbarë njerëzimin, përkrahje e inkurajim i çdo të mire, burim i pashtershëm i dijes dhe udhërrëfyes për umetin deri në Ditën e Gjykimit. Ai tregoi dhe vërtetoi bindshëm se ishte Profet dhe shpëtimtari i gjithë njerëzimit.
Hadithi (Suneti) i Profetit Muhamed (a.s.) është burimi, baza e dytë e fesë, sheriatit dhe qytetërimit islam. Me termin “Hadith” kuptojmë: thëniet, veprat, miratimet (pëlqimet) dhe virtytet e Muhamedit (a.s.). Udhëzimet, veprimet dhe mësimet e përgjithshme të Muhamedit (a.s.), të cilat me një emër të përbashkët quhen Sunet. Nganjëherë hadithi vjen me dispozita shtesë, apo komentim, nga ato që janë detyruar me Kur’an. Hadithet e Profeti (a.s.) janë burim pa të cilat nuk do të kuptohej Islami. Kur’ani na bën me dije se Muhamedi (a.s.):
وَمَا يَنْطِقُ عَنْ الْهَوَى* إِنْ هُوَ إِلاَّ وَحْىٌ يُوحَى
“Ai nuk flet nga veta e tij. Ajo që thotë s’është (gjë tjetër) pos shpallje që i frymëzohet”[22], prandaj, duhet kuptuar se çdo thënie, veprim, miratim, pëlqim i Profetit (a.s.) të ndonjë vepre të ndokujt, ka burimin nga Allahu, andaj edhe është bazë e dytë, pas Kur’anit, në ndërtimin e fesë, jetës, ligjit dhe qytetërimit islam.
Suneti është përplot gjallëri dhe fuqi. I arsyeshëm për ndikim dhe përmirësim, në çdo kohë dhe vend. Urdhëron, inkurajon dhe mbështet për të gjitha virtytet e mira dhe ndalon nga të këqijat, thërret dhe apelon që çdo herë të kthehemi në burimet themelore, në zanafillë dhe të largohemi nga risitë (bid’atet), të cilat nuk kanë mbështetje në Kur’an dhe Sunet, ose nuk janë në përputhje me atë që vepruan sahabët e Profetit (a.s.) Lufton të gjitha traditat e injorancës që bien ndesh me parimet islame, pa marrë parasysh cilës shoqëri i përkasin. Suneti pra, aludon në Islamin e vërtetë autokton dhe burimor, andaj, për këto arsye dhe shumë të tjera, është nevojë dhe domosdoshmëri e këtij komuniteti nxënia, ruajtja dhe kultivimi i haditheve të Profetit (a.s.)
Librat e shkencës së Hadithit ishin dhe mbeten bazë e burimeve islame e posaçërisht (Gjashtë Koleksionet e Vërteta – El-Kutubu es-Sittetu es-Sahihatu). Të gjithë dijetarët islamë janë kompaktë se libri më i vërtetë pas Kur’anit është Sahihu i Buhariut, i cili përmban në vete fjalët e arta të Muhamedit (a.s.), e veçori e tij është se të gjitha hadithet e përmbledhura në të janë të vërteta dhe i plotësojnë kushtet më të larta, të cilat i kanë caktuar kritikët e shkencës së hadithit. Të mësuarit e haditheve përmendësh dhe klasifikimi i tyre e po ashtu edhe librat, të cilat u shkruan për interpretuesit e hadithit janë dëshmi për vërtetësinë dhe origjinalitetin e Sunetit-Haditheve të Muhamedit (a.s.) Vargu i interpretuesve është veçori e këtij komuniteti, i cili me precizitet dhe fanatizëm mësoi dhe përcolli hadithet e Profetit (a.s.)
Në këto dëshmi dhe realitete shohim rolin e shkencës së Hadithit në ruajtjen e fesë, kulturës dhe qytetërimit islam. Dhe, sa më afër mësimeve të Haditheve dhe Sunetit të Muhamedit (a.s.), aq më tepër vjen në shprehje jeta jonë si myslimanë të vërtetë dhe të ruajtur nga devijimet e ndryshme. [23]
Shumë hadithe-thënie të Profetit tonë, pastë paqen e Allahut, pohojnë se mësimet morale të Kur’anit do të mbizotërojnë. Në ditët e fundit, para fundit të botës, njerëzimi do të përjetojë një periudhë në të cilën e keqja, padrejtësia, mashtrimi, hilja, luftërat, mosmarrëveshjet, konflikti dhe degjenerimi moral do të jenë të përhapura në mbarë botën. Pastaj do të vijë Epoka e Artë, në të cilën këto mësime morale do të fillojnë të përhapen midis njerëzve, si një valë që rritet, dhe përfundimisht do të mbizotërojnë në mbarë botën. Disa prej këtyre thënieve janë dhënë më poshtë:
“Gjatë kësaj (periudhe), umeti (komuniteti) im do të jetojë një jetë aq të rehatshme dhe të lumtur që kurrë më parë nuk e kishin jetuar. (Toka) Do të japë frutat e saj dhe s’do të mbajë asgjë dhe pasuria në atë kohë do të jetë e bollshme”.[24]
“Toka do të jetë përplot barazi dhe drejtësi sikurse ishte më parë përplot shtypje dhe tirani”.[25]
Është realitet se pa baza të tilla, mësime metodike dhe punë praktike të mbështetura në Kur’anin e madhëruar dhe Hadithin- traditën e Profetit (a.s.), myslimanët kurrë nuk do të ecin përpara. Vlerat dhe zgjidhjet e huaja nuk shpien në çuarjen përpara dhe janë të papërshtatshme. Muhamedi (a.s.) duhet të jetë model i jetës së myslimanit, dhe tek ai kanë shembullin më të mirë. Dashuria ndaj Allahut shprehet me dashurinë ndaj të Dërguarit të Tij dhe përfilljes së gjithë asaj që urdhëron dhe ndalon. Allahu (xh.sh.) thotë:
قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ اللَّـهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّـهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ ۗ وَاللَّـهُ غَفُورٌ رَّحِيمٌ
“Thuaj: Nëse e doni Allahun, ejani pas meje që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është Ai që fal shumë, mëshiron shumë.”[26]
Duhet ditur se Muhamedi (a.s.) ka qenë transmetues dhe interpretues i vullnetit të Zotit (xh.sh.) dhe komentues i ligjërimit hyjnor-Kur’anit. Roli i hadithit dhe i traditës së Profetit (a.s.) në ndërtimin e shoqërisë dhe qytetërimit islam është i patejkalueshëm, i domosdoshëm, ngase shumë, nga tradita e tij, mësojnë në praktikë fenë dhe qytetërimin Islam.
Profeti Muhamed (a.s.) e ndërtoi shoqërinë dhe qytetërimin islam bashkëkohor me premisa hyjnore, duke ndryshuar trajtimin dhe botëkuptimin e njerëzve në shoqëri. Ai hyri në një epokë të re të ndriçimit të mendjes dhe solli një ringjallje konceptuale në zhvillim, së pari të qytetërimit islam dhe së dyti bëri që ky qytetërim të ndikojë edhe në zhvillimin e qytetërimit njerëzor. Për ta kuptuar mesazhin hyjnor dhe për ta vlerësuar Kur’anin, duhet studiuar jeta e të dërguarit Muhamed (a.s.) dhe mesazhet e tij. Me bindjen dhe përgjegjësinë më të madhe e them edhe këtë se Muhamedi (a.s.), mbi të gjitha, ishte Profet, por ai gjithashtu ishte dhe mbetet edhe një personalitet historik, jeta e të cilit është shënuar në detajin më të vogël dhe është ruajtur, si e askujt tjetër. Jeta dhe vepra e tij janë të njohura hollësisht për gjithë ata që kanë shprehur interesim për ta njohur dhe rreth saj nuk aspak të mbështjella apo mister.
Të frymëzuar nga mësimet hyjnore dhe duke pasur pranë vetes Muhamedin (a.s.), i cili në vepër jetësonte parimet islame, lindi një gjeneratë njerëzish, e cila do të mbetet shëmbëlltyrë e gjallë dhe mësim praktik për jetën e çdo myslimani. Duhet të dimë edhe këtë se çdo shtrembërim i shfaqur te ne është rezultat i mospërfilljes së Kur’anit dhe Sunetit. Myslimanët e sotëm do të udhëzoheshin vetëm me atë që u udhëzuan të parët e tyre. Çdoherë duhet të kthehemi në zanafillë, bazament: Kur’an dhe Sunet. Kthimi te Kur’ani i madhërishëm, nënshtrimi ndaj parimeve të tij gjatë jetës si dhe kthimi te Suneti i Profetit (a.s.) pas vdekjes së tij është detyrim i çdo myslimani, e në veçanti i atyre që kanë ndikim dhe përgjegjësi për fenë, kulturën dhe qytetërimin islam. Kur’ani na udhëzon për devotshmëri ndaj Allahut dhe nderim e respekt ndaj të Dërguarit të Tij.
[1]. El-Imam El-Hafidh Imadud-din Ebu El-Fida’ Ismail Ibn Kethir El-Kurejshij, Ed-Dimeshkij, “Tefsijru El-Kur’ani El-Kerimi”, pjesa e parë, f. 7, “Daru El-Hadith”, Kajro, 1993/1414 h.
[2]. Es-Salih, Dr. Subhi, “Mebahithu fi Ulumi El-Kur’an”, f. 21, botimi i pestë, Bejrut, 1968. Shih, Es-Sabunij, Muhammed Alij, “Et-Tibjan fi Ulumi El-Kur’an”, botimi dytë f. 6, 1980/1400 h., pa vend botimi.
[3]. Kur’ani, Sebe’, 34:6.
[4]. Kur’ani, El-Alek, 96:1.
[5]. Shih: Ebi El-Hasen Alij Ibni Ahmed El-Uahidi En-Nisaburi, “Esbabu En-Nuzuli” botim i ri, f. 8, “Daru El-Fikri”, Bejrut-Liban, 1994 / 1414 h.
[6]. Kur’ani, El-Bekare, 2:281.
[7]. Es-Salih, Dr. Subhi, Mebahith fi Ulumi El-Kur’ani, f. 83, botimi i pestë, Bejrut, 1968.
[8]. Ez-Zinxhani , Ebu Abdil-lah, “Tarihu El-Kur’an”, f. 42, Bejrut 1969/1388 h.
[9]. Sir William Muir, KCSI (27 prill 1819 – 11 korrik 1905) ishte një orientalist skocez, dijetar i Islamit, dhe administrator kolonial.
[10]. Shih, “Kur’ani Kryevepër-Tekste të zgjedhura nga Dr. Feti Mehdiu, Dr. Hasan Kaleshi”, “Kur’ani Kryevepër e Letërsisë Arabe”, f. 81-82, Prishtinë 1992.
[11]. Më gjerësisht shih: Qazimi, Dr. Qazim, “Kur’ani dhe temat kur’anore në letërsinë shqipe”, Takvimi i 1424 / 25 (Kalendari 2004), Prishtinë, 2004.
[12]. Më gjerësisht shih: Qazimi, Dr. Qazim, “Kur’ani dhe temat kur’anore në letërsinë shqipe”, f. 165, Takvimi 1424/25, (kalendari 2004), Prishtinë, 2004.
[13]. Dajf, Dr. Sheuki Dajf, “El-Edebu El-Arabijju, Asru El-Xhahili”, f.50, Daru El-Mearifi, Kajro,1960.
[14]. Kur’ani, Et-Tur, 52:34.
[15] . Dr. Taha Husein lindi më 15 nëntor 1889 dhe vdiq mё 28 tetor 1973. Në vitin 1914 doktoroi për letërsi dhe tema e tezës ishte: “Kujtesa e Ebu A’la:” Studimet e tij i vazhdoi edhe mё tutje ku mori edhe një doktoraturë tjetёr (PhD), në Sorbonne tё Francёs, në vitin 1917. Për disertacionin e doktoraturës, Taha Hussein kësaj radhe shkroi pёr Ibni Haldunin.
[16]. http://www.alb- drejtesia. com/al/news. php?readmore= 802
[17]. Kur’ani, En-Nahl, 16:125.
[18]. Kur’ani, El-Bekare, 2:256.
[19]. Kur’ani Kryevepër-Tekste të zgjedhura nga Dr. Feti Mehdiu, Dr. Hasan Kaleshi, “Kur’ani Kryevepër e Letërsisë Arabe”, f. 114 -115, Prishtinë, 1992.
[20]. Er-Rumiu, Muhammed Xhelaluddin, lindi më 1207, në Belexh , Horasan, dhe vdiq më 1274, Konjë, Turqi. Vepra më e njohur e tij është poema “El-Methneui” me 47.000 strofa dyvargëshe, mbi të cilën punoi shtatë vjet.
[21]. Kariq, Dr. Enes, “Hyrje në shkencat e Tefsirit”, f. 181. Prizren 1996.
[22]. Kur’ani, En-Nexhm, 53:3-4.
[23]. Marrë nga libri: “Sunneti bazë e Sheriatit” – Mexhel-letu “El-Minhel”, nr. 484, viti 1990, (numër special për hadithin dhe terminologjinë e tij).
[24]. Sunen Ibni Maxheh.
[25]. Sunen Ebi Davud.
[26]. Kur’ani, Al ‘Imran, 3:31.
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Jun 14, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...