Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
May 07, 2024 Zani i Nalte Editoriale 0
EDITORIAL
Msc. Andrin Rasha
Abstrakt
“Zani i Naltë”, tribunë e mendimit dhe opinionit mysliman shqiptar e më gjerë, e cila iu drejtua dashamirësve të leximit, studiuesve e hulumtuesve në gjuhën amtare, mbush 100 vjet që nga dita e parë e botimit. Ajo është revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman Shqiptar, e themeluar nga elita myslimane e kohës pas Kongresit të Parë Mysliman Shqiptar, menjëherë pas themelimit dhe ngritjes së institucionit të Komunitetit Mysliman.
Në artikujt e saj janë trajtuar tema të rëndësishme që pasqyrojnë realitetin dhe problematikat kryesore shoqërore e arsimore. “Zani i Naltë” analizoi e diskutoi rreth problematikave më të rëndësishme të kohës si, marrëdhëniet shoqërore e familjare, emancipimi i gruas myslimane, arsimimi i fëmijëve dhe të rinjve, qëndrimi ndaj së mirës e së keqes, përzgjedhja dhe adoptimi i të mirave të qytetërimit të kohës, kundërshtimi e braktisja e veseve shoqërore, forcimi i vëllazërimit fetar dhe atij kombëtar, të gjitha këto në përputhje me normat, etikën dhe kulturën islame e kombëtare.
Duhet pasur parasysh se kjo revistë, pavarësisht se në pamje të parë shfaqet si një revistë me tematikë fetare, në të u shkruan e botuan tema nga fusha të ndryshme, duke përfshirë edhe ato me karakter laik, me synimin e vetëm që mesazhi që ato përçonin t’i shërbente popullatës shqiptare islame në veçanti, por edhe ngritjes dhe lartësimit të të gjithë kombit shqiptar në përgjithësi.
Mund të themi me plot gojën se “Zani i Naltë” ishte një burim i garantuar për edukimin fetar islam të kombit shqiptar, pa lënë mënjanë edhe të ushqyerit e tij me ndjenjat e patriotizmit dhe të ngritjes kulturore e arsimore.
SHKENCA ISLAME
Prof. Dr. Qazim Qazimi
Abstrakt
Kur’ani është fjalë hyjnore, ligjërim i Allahut, libër qiellor, i mrekullueshëm, i paimitueshëm i paarritshëm as në përmbajtje e as në aspektin artistik, pra është “Mu’xhizetun” që i është zbritur Muhamedit (a.s.) përmes Xhibrilit, i përcjellë besnikërisht nga ai, i shkruar që atëherë kur zbriti, i tubuar në një përmbledhje të quajtur “Mus’haf”, i ruajtur, i kultivuar e i mësuar përmendësh, dhe leximi i tij është adhurim-ibadet për myslimanët.
Si një vepër hyjnore e shenjtë që është, Kur’ani ka një estetikë të mrekullueshme dhe ndikim emocional mbi myslimanët që e lexojnë apo e dëgjojnë prozën e tij poetike. Madje edhe jomyslimanët janë impresionuar thellësisht nga përkryeshmëria e tij letrare dhe perfeksionimi i paimitueshëm i tij.
Kur’ani nuk është vepër e ndonjë poeti apo artisti. Ai është Fjalë e Zotit, andaj edhe është i përkryer e i mrekullueshëm. E tëra kjo që u tha, është e nevojshme të parashtrohet për t’i mundësuar lexuesit të kuptojë arsyet e stilit të fuqisë magjike të Kur’anit, fuqi që, për fat të keq, assesi lexuesi nuk mund ta ndiejë në përkthim, sado i mirë që të jetë ai.
Duke pasur parasysh vlerat e shumëfishta dhe temat e Kur’anit, që nga ato fetare e shpirtërore, filozofike e sociale, teorike e praktike e deri tek ato shprehimore artistike, është me interes për kulturën islame në përgjithësi, që të zotët e mendjes dhe të penës, të bëjnë më shumë në ndriçimin e vlerave stilistike të Kur’anit, ngase edhe këtu del në shesh mrekullia e shprehjes artistike të Kur’anit dhe pamundësia e imitimit të vlerës estetike të tij.
STUDIME
Ramadan Shkodra
Abstrakt
Vetë nisma për botimin e një reviste të formatit të “Zani i Naltë”, përveçse kishte një rëndësi të veçantë historike, s’ka dyshim se ishte edhe një hap i guximshëm që tregonte qartë pjekurinë, vizionin, përgatitjen profesionale, e mbi të gjitha përgjegjësinë e elitës fetare islame të kohës, për të krijuar institucione që kryejnë misionin e tyre para Zotit, vendit e popullit.
Misioni, filozofia dhe vizioni i revistës “Zani i Naltë” bëhen të qarta dhe kuptohen që në kryeartikullin e numrit të parë të revistës, në të cilin nismëtarët dhe botuesi shprehin objektivat madhore të revistës ku thuhet se “Zani i Naltë” ka për qëllim: “…M’ia zbulue popullit mysliman shqiptar të vërtetën e besimit në një mënyrë të thjeshtë e të pandërlikume…, si dhe me plotësue vllazninë ndërmjet të gjithë elementeve në Shqipni”. Kjo me qëllim që, sikurse thuhet aty, “Me forcue themelet e nji politikes së shëndoshtë e të thjeshte kombëtare në Shtetin tonë”.
Shih për këtë, “Zani i Naltë” për një dekadë e gjysmë qe bërë tribunë e mendimit të elitës islame e shqiptare, e cila me kompetencë trajtonte e kultivonte tema profesionale nga disiplina kombëtare, fetare, sociale e kulturore. Këtu gjejmë urtësinë dhe begatitë e disiplinave kur’anore nga pena të shquara e mendje të ndritura, siç ishte haxhi Vehbi Dibra me bashkëkohësit e tij. Gjejmë po ashtu edhe trajtesa historike e kulturore të shkoqitura me shumë elokuencë nga e kaluara e populli tonë. Pa lënë anash edhe trajtesa që kanë të bëjnë me humanen, kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimin, vlera sublime të popullit tonë.
nga Dorian Demetja
Abstrakt
Një nga aspiratat parësore të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka qenë mirëmbajtja dhe ndërtimi i sa më shumë xhamive, në të gjitha hapësirat e mundshme ku shtrihet komuniteti i besimtarëve myslimanë. Xhamitë janë shtëpitë e Zotit, në të cilat përmendet dhe lartësohet emri i Tij, ku besimtarët kryejnë adhurimet e tyre, ndërtojnë e përforcojnë jetën e tyre fetare dhe pajisen me dijet e fesë e të moralit. Në lidhje me rëndësinë e mirëmbajtjes dhe të ndërtimit të xhamive, Allahu, në Kur’anin Famëlartë, thotë: “Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zekatin e që nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut. Sigurisht që këta janë në rrugë të drejtë.” (Kur’an, 9:18) Por historikisht, xhamitë kanë qenë ndërtuar të vogla dhe me kalimin e kohës ka lindur nevoja për një xhami të madhe në Tiranë.
Dihet tradicionalisht se Namazgjaja e Tiranës ka qenë qendra e riteve fetare islame për kryeqytetasit, ku falnin bashkërisht namazet e Bajrameve. Rrënojat e mureve dhe selvitë qindravjeçare flisnin për lashtësinë e saj. Prandaj dhe kërkesat e Komunitetit Mysliman në vazhdimësi kanë qenë që xhamia e madhe të ndërtohej pikërisht në truallin e Namazgjasë.
Hedhja e themeleve për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, u krye më 13 maj 2015, në prani të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, Presidentit të Republikës së Turqisë, z. Rexhep Tajip Erdogan, Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Turqisë, z. Mehmet Gormez, dhe personaliteteve të rëndësishëm nga Shqipëria e Turqia. Në ceremoni morën pjesë gjithashtu ish Kryetari i KMSH, z. Selim Muça, drejtorë, myftinj, imamë, si dhe një numër i madh qytetarësh të kryeqytetit e më gjerë. Pas fjalës së përshëndetjes së dy presidentëve dhe lutjeve të bëra nga dy kryetarët e komuniteteve myslimane, është shtypur butoni për hedhjen e betonit, ku ka nisur edhe zyrtarisht puna për ndërtimin e Xhamisë dhe Kompleksit të Namazgjasë.
HISTORI
Hamid Alaj
Abstrakt
Xhamia e Qyrjanit, apo siç e quajnë disa Xhamia Plakë, si xhamia më e vjetër dhe institucioni i parë Islam në trevën Krajë-Shestan, është njëra ndër më të mëdhatë, më e rëndësishmja si dhe një vepër me një vlerë të çmuar.
Ajo është një nga shembujt më me vlerë të arkitekturës osmane. Krahas kësaj bëjnë pjesë edhe xhamitë e tjera të ndërtuara gjatë periudhës osmane në këtë trevë. Xhamia ndodhet në hyrje të lagjes së Qyrjanit, prej nga ka marrë edhe emrin e saj, dhe në përbërjen e vet përfshin pjesëtarët (xhematin) e fshatit Martiq, gjegjësisht lagjet e këtij fshati, si ato të lagjes së Qyrjanit, Sjerçit, Kacejve dhe të lagjes së Ramushejve.
Xhamia e Qyrjanit, është xhamia e parë e ndërtuar në trevën e Krajës. Po e të njëjtit vit është e ndërtuar edhe Xhamia në Muriq Nalt në trevën e Shestanit. Nuk ekziston ndonjë gjurmë tjetër e sigurt rreth datës së ndërtimit të kësaj xhamie, por në bazë të disa dokumentave mendohet se u ndërtua diku rreth vitit 1602.
Xhamia nuk është punë e një periudhe të vetme ndërtimi, pasi në hyrje të saj ka pasë të ndërtuar hajatin e saj, kurse me kalimin e kohës, ajo pjesë është mbyllur dhe është shtuar një kthinë tjetër në pjesën e brendshme të saj, ku është ndërtuar mejtepi i xhamisë. Stili i ndërtesës, gjërësia e mureve, lloji i materialit ndërtimor, vendodhja e saj, jep të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar vjetërsinë e saj. Përsa i përket ndërtuesit të xhamisë së Qyrjanit mund të ngrihen vetëm supozime, sepse nuk është ruajtur asnjë mbishkrim për të vërtetuar këtë me saktësi.
Me gjithë punën e madhe që është bërë gjatë meremetimeve të kësaj xhamie, forma origjinale e saj nuk është ndryshuar, kurse pamja e saj estetike ka ndryshuar çdo herë që janë kryer ndërhyrje në objekt.
FILOZOFI
Msc. Ana Gjeçi
Abstrakt
Një tjetër traditë filozofike e rëndësishme dhe origjinale e filozofisë mesjetare është filozofia islame. Filozofia islame ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm në historinë e kulturës, jo vetëm në ruajtjen e njohurive, por në pasurimin e kontributeve të reja, pasi filozofia perëndimore hyri në një “epokë të errët”. Nga kjo përqasje kuptojmë se filozofia islame është një traditë e filozofisë që u krijua midis filozofisë së lashtë dhe filozofisë skolastike të shekullit të dymbëdhjetë. Filozofia islame mund të përshkruhet si një traditë e filozofisë e lindur nga kultura islame në tërësi, meqë filozofia islame nuk shprehet vetëm në gjuhën arabe dhe në formimin e saj kanë kontribuar edhe të tjerë përveç myslimanëve.
Edhe filozofia islame studion thelbin dhe qëllimin e objekteve, fillimin dhe fundin e tyre, por kalon nga shpallja dhe profetësia. Pra, fillimi është Zoti (Allahu) dhe fundi është Dita e Fundit. Pra, dy qëllimet kryesore të filozofisë islame janë dijet rreth Zotit dhe Ditës së Fundit. Profetësia nuk është një qëllim i kësaj filozofie, por një mjet për të arritur te dy qëllimet e mësipërme.
Filozofia islame, ashtu si metafizika, nuk bie ndesh me dijet ndijore, teknike dhe ligjet e natyrës. Ajo është më e veçantë se metafizika, ndërsa metafizika është më e gjerë se ajo, sepse metafizika thelbin e objekteve dhe fillimin e parë (mebde-i eu-uel) nuk e mbështet te Zoti, te qëllimi i objekteve dhe te Dita e Fundit.
Duhet përmendur se takimi dhe angazhimi i myslimanëve me filozofinë nuk ishte aspak aksidental dhe rastësor, siç pretendohet në Perëndim. Përkundrazi, gjithçka erdhi mjaft natyrshëm me përhapjen e Islamit dhe filozofia gjeti “tokën e përshtatshme” ku mund të zhvillohej, prej vetë natyrës së fesë Islame, e cila i jep rëndësi dijes dhe i lë vend përdorimit të arsyes. Gjithashtu Islami ka shërbyer si urë lidhëse e filozofisë së lashtë me atë perëndimore, sigurisht, duke mos u mjaftuar vetëm me përcjelljen, por edhe me zhvillimin e saj.
Duhet theksuar se shkollat e asaj kohe në Perëndim nuk ishin në nivelin e atyre myslimane, prandaj mjaft shërbyes të fesë dhe njerëz të pasionuar pas dijes frekuentonin shkollat islame (medrese) në qytete të ndryshme të Italisë, si në Sicili dhe Napoli. Madje duke imituar sistemin e medreseve të asaj kohe u themeluan edhe universitetet e para në Evropë (në Bolonjë, Oksford, Monpelje, Paris, Padova, Lion). Në këto universitete krahas lëndëve të tjera, mësohej edhe shkenca dhe filozofia islame.
PËRKTHIME
Asim Ejub
Abstrakt
Ky artikull prezanton gjashtë përkthime me shënime të fragmenteve mbi qeverisjen/autoritetin politik nga veprat e hershme klasike hanefite (para shekullit VII hixhri) në disa fusha, si jurisprudenca islame (fikh), teologjia racionale (kelam), ekzegjeza kur’anore (tefsir).
Pjesa më e madhe e reflektimit shkencor për imametin gjendet në veprat teologjike, pavarësisht se është çështje juridike. Për hanefitët, kjo nënkupton veprat e teologjisë maturidite. Tre pasazhet tona të ardhshme, nga shekulli i 5-të dhe i 6-të hixhri, janë të gjitha të këtij lloji. E para prej tyre vjen nga një prej trakteve më të hershme të besimit maturidi, et-Temhid i Ebu Shakur es-Salid (vd. pas 460/1066), megjithëse es-Salimi mund ta kundërshtojë atë përshkrim. Përveç atyre teksteve që i atribuohen drejtpërdrejt imam Ebu Hanifes, kjo mund të jetë një nga veprat teologjike më “hanefite” që ekzistojnë. Autori është pothuajse plotësisht i mbështetur, për të gjitha pozicionet e tij, te vetë themeluesi i shkollës hanefite, duke mos cituar asnjëherë nga Ebu Mansur el-Maturidiu. Shkolla esh’arite është referuar, por përmendet nën emërtimin e heterodoksisë (ehl el-bid’a), ndërsa Islami sunit kryesisht supozohet të jetë një përpjekje hanefite. Kontributi unik i autorit në diskutimin mbi imametin është të mobilizojë të tre burimet kryesore të ligjit islam, Kur’anin, Sunetin dhe konsensusin (ixhma’), për të vërtetuar detyrueshmërinë e tij, ndërsa autorë të tjerë maturidi në përgjithësi do të mjaftoheshin vetëm me konsensusin, ose me disa transmetime nga suneti.
JURISPRUDENCË
Prof. Asc. Dr. Saimir Shatku, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës
Abstrakt
Të drejtat e njeriut përfaqësojnë të drejta thelbësore, të cilat burojnë prej vetë faktit të ekzistencës së qenies njerëzore, duke lindur bashkë me të, dhe si të tilla ato gëzojnë mbrojtje të veçantë nga mekanizmat shtetërorë. Këto të drejta përfaqësojnë qëllimet dhe idealet më të larta njerëzore, të cilat, ndonëse të shprehura në forma të ndryshme, i japin kuptim afirmimit dhe realizimit të aspekteve jetësore të njeriut. Një ndër to është liria e besimit dhe e ndërgjegjes, ku për vetë rëndësinë që ato paraqesin, në këtë kuadër të drejtash, ushtrimi i tyre mbrohet dhe sanksionohet nga aktet më të rëndësishme ndërkombëtare.
Nisur nga praktika e zhvillimeve historike në botë, konstatojmë se kjo liri nuk është zbatuar kudo dhe kurdo njësoj, pasi kanë qenë të shpeshta rastet e kufizimit të saj, në shumë shtete të botës, për arsye të lidhura ngushtësisht me zhvillimet e ndryshme politike, historike, sociale, etj.
E drejta e ndërgjegjes dhe e ushtrimit të lirë të besimit, shpeshherë cenohet nga prania e formave të shumta të diskriminimit për atë kategori personash, të cilët zgjedhin të manifestojnë besimin e tyre në mënyrën që dëshirojnë të shprehin. Në mënyrë që të vihen në jetë, është e nevojshme të ndërthuren shumë faktorë dhe të parashikohen shumë mekanizma për realizimin e tyre. Ndër mekanizmat kryesore që shërbejnë për këtë qëllim janë parashikimi dhe respektimi i parimeve gjerësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare, të cilat janë sanksionuar në akte dhe konventa me fuqi ndërshtetërore. Këtu evidentohet përgjegjësia dhe detyrimi i shtetit nëpërmjet mbrojtjes efektive të të drejtave ndaj individëve të tij, e cila, në terminologjinë juridike, njihet si e drejta pasive e shtetit.
PERSONALITET
Abstrakt
Një nga figurat e shquara të teologëve tiranas është edhe Hafiz Mustafa Doraci, i cili me aktivitetin e tij si mësues e teolog, ka lënë emër në historinë e arsimit në Medresenë e Tiranës dhe si imam xhamie.
Vitet që kaloi në Stamboll ishin nga më të rëndësishmet për formimin e tij kulturor, të përgjithshëm e fetar, shoqëruar dhe me dashurinë për atdheun. Mustafai vazhdonte studimet e larta për teologji, si dhe mësimin e Kur’anit përmendsh për Hafiz, së bashku me Hafiz Musa Bashën nga Elbasani, i cili do të tregonte më vonë, kur erdhi në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar, se Hafiz Mustafa Doraci ka qenë nxënës i shkëlqyer. Të dy diplomohen për teologji dhe morën titullin e lartë “Hafiz”. Hafiz Musa Basha kthehet në atdhe, ndërsa Hafiz Mustafai ushtroi detyrën e Hafizit në xhami të ndryshme me emër në Turqi si: Xhaminë e Sulltan Fatihut, të Sulltan Selimit, të Mahmut Pashës e Haxhi Pashës.
Në detyrën e imamit fitoi zemrat e besimtarëve, me sjelljen e diturinë dhe përkushtimin ndaj kësaj detyre, veçanërisht në këndimin e Kur’anit përmendësh, me ndjenjë të thellë, bukur e saktë, prekte thellë shpirtrat e dëgjuesve. Ditët e premte dhe muajt e Ramazanit besimtarët mbushnin plot xhaminë për të ndjekur imamin e tyre, “Hafizin e vogël”, siç filluan ta quajnë (sepse kishte trup të vogël).
RETROSPEKTIVË
Haki Sharofi
Abstrakt
“Misjoni i Njeriut” âsht me dalë fitues në “Luften e Jetës” tue realizue kërkesat legale qi formojnë lumtërin e tij.
Krijesat e gjalla të Krijuesit përmblidhen në dy grupe të mëdhej: Njerí e Shtâzë. Veç këtyne kemi edhe do krijesa të padukuna nën emnin Engjëll…
Engjejt janë të pajuem me fuqi arsyetuese; s’kanë epshe, ambicje dhe egoizëm, e prá, s’hanë, nuk pijnë, nuk flejne, s’lëjnë, s’pjellin, gjykojnë gjithmon drejt.
Shtazët, përkundrazi s’kanë fuqi arsyetuese, e pra, s’kanë cilësi shpirtnore e morale, ata kanë vetëm epshe e lakmi barku. Kanë disi nji dashurí për pjelljen e vet por kjo u fiket shum shpejt.
Njeriu âsht veshë me tê dy këta cilësi të kundërta, cilësi shtazore e cilësi shpirtnore qi përpiqen të venë poshtë njâna tjetrën. Njeriu duhet të jetë shum i fortë qi t’i pajtojë e t’i harmonizojë këto dy cilësi. Prandaj njeriu del mâ i naltë se kreatyrat tjera.
Njeriu âsht shtâzë; pra, ka epsh, ambicje e deshira, prandaj ka nevoj me ngrânë, me pí, me shijue e me u kënaqë. M’anë tjetër ka arsyen me të cilën gjykon edhe e shef se natyra i u përgjigjet deshirave të tija për nji kohë shum të shkurtë, e jo përgjithmonë. Han e pin, por mbas tri a katër orësh kërkon prapë me hangër e me pi. I ndizet lakmija për kënaqat seksuale, kënaqet; por mbas nji kohë kërkon prapë.
Mirpo, si thamë, njeriu ka edhe nji pajë tjetër, pajën shpirtnore me të cilën i përngján Engjëllit, e kur shef se kënaqet materjale fiken shpejtë, j’a liron frenat mendes, e cila gjykon dhe arsyeton edhe e shtyn njerin me kërkue vend në sferat e amshueme; por, për këto sfera s’ka mjet. Mpîhet e dishpërohet, por shpejton në ndihmë shpresa, i ep kurajo dhe j’a forcon Vullnetin. Del Feja m’atë anë edhe i thote se “Idealet e amshueme” do t’i realizoje njeriu nëpërmjet të veprave të mira qi të kryejë në ketë botë, qi kështu çdo gjâ t’a fitojë me djersen e ballit e jo gati. Njeriu nuk e dishiron gján e bame gati, por kërkon t’a fitojë vetë.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...