Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Feb 12, 2024 Zani i Nalte Editoriale 0
Prof. asc. dr. Saimir Shatku
Hyrje
Pronësia përbën një nga të drejtat më të vjetra, të lindura bashkë me njerëzimin, e cila konsiston në të drejtën e individit për të gëzuar dhe disponuar lirisht sendet, brenda kufijve të përcaktuar nga ligji civil dhe juridiksioni hyjnor. E drejta e pronësisë së komuniteteve fetare paraqet një ndër institutet juridike me të rëndësishme të të drejtave reale pronësore, në përgjithësi, dhe gjithashtu përbën formën kryesore të ushtrimit të të drejtave të njeriut mbi sendet, duke u kthyer në katalizatorin e të gjithë zhvillimit ekonomik të një vendi. Neni 10/paragrafi 6, i Kushtetutës së Shqipërisë, i datës 21.10.1998, ka sanksionuar se bashkësitë fetare janë persona juridik. Ata kanë pavarësi në administrimin e pasurive të tyre sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të tyre, për sa nuk cenohen interesat e të tretëve. Ky është paragrafi kryesor i mbrojtjes juridike dhe kushtetuese të pronës dhe pasurive të Institucioneve religjioze në vendin tonë.
Nëse prona, apo ius propietas, nuk është rregulluar juridikisht në mënyrën e duhur, do të kemi mungesën e një prej shtyllave kryesore të kapitalizmit dhe të ekonomisë së tregut. Rëndësia e kësaj të drejte shprehet me faktin se ajo rregullohet dhe mbrohet, jo vetëm në aspektin ligjor kombëtar, por edhe kushtetues e ndërkombëtar. Duhet të theksohet se e drejta e pronësisë mbi institucionet e vakëfit dhe të bashkësive të tjera fetare është e lidhur me të drejtën zotëruese të ushtrimit e të gëzimit të saj me qëllim përhapjen e vlerave universale dhe ekomomike. Kjo gjë pasqyrohet në Statutet e Bashkësive fetare të 1923, 1925, 1927 dhe 1933 si dhe në Kushtetutën aktuale të vendit tonë.
Është evident fakti se me funksionimin e një ekonomie globale të tregut, pronësia, kryesisht ajo e paluajtshme, përbën bazën kryesore të zhvillimit të shoqërisë, në tërësi, si dhe të veprimtarive funksionale dhe vepruese të komuniteteve fetare, në veçanti (kujtojmë Marrëveshjet mes Shtetit dhe Bashkësive fetare të shkurtit 2007 për të mirat materiale dhe pronësore të komuniteteve fetare tradicionale në Republikën e Shqipërisë). Alarmi për kthimin fizik dhe kompensimin financiar të pronës, si një e drejtë ius realis, është dhënë ndër vite nga progres-raporti i Komisionit Evropian si dhe Raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit përgjatë viteve 1995-2005-2018.
Evolucioni i pronësisë së truallit fetar nuk kishte se si të mos reflektohej dhe në aktet kryesore ligjore shqiptare, duke ndryshuar nga një periudhë në tjetrën, ku secila karakterizohet nga veçori specifike në ushtrimin e saj. Në këtë punim do të evidentohen ndryshimet në kohë të konceptit të pronësisë në regjimet e ndryshme politike shqiptare, si dhe transformimin dhe abuzimin për dekada të tëra të pasurisë truall, arë e lëndinë dhe vakumi i saj në jurisprudencën kushtetuese shqiptare në lidhje me këtë të drejtë zotëruese si dhe referuar nenit 9 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Pronësia, të drejtat reale të komuniteteve fetare dhe të drejtat që burojnë nga ajo lidhen ngushtësisht me realizimin e të drejtave themelore të njeriut dhe, si të tilla, duhet të analizohen në tërësinë e tyre, në mënyrë që secili prej nesh të ndërgjegjësohet dhe të njihet me to, si dhe me detyrimet që i burojnë nga e drejta e pronësisë e njohur me ligj.
Pronësia konsiderohet si e drejta e individit për të zotëruar një pronë apo send të caktuar brenda tagrave të përcaktuar nga e drejta. “E drejta e pronësisë së individit apo e një kolektivi individësh si një e drejtë për të poseduar, gëzuar, disponuar pasurinë e tij, është një e drejtë universale dhe e pacenueshme, në kuptimin që çdo individ apo kolektiv individësh ka pushtetin absolut mbi pronën e tij”[1]. Çdokush ka të drejtë të fitojë dhe të ketë një pronë, sipas mënyrave të përcaktuar nga ligji. Në këtë kuadër është vetë individi i cili zgjedh “ta krijojë” apo mbajë atë personalisht, apo në formë “kolektive”, ose siç quhet ndryshme në bashkëpronësi. E drejta e pronësisë e mbron individin nga çdo formë ndërhyrje, cenimi, përdorimi të padrejtë nga personat e tjerë.
E drejta e pronës nuk është një e drejtë e krijuar rishtazi, pasi siç e thamë ajo ka ekzistuar që në lashtësi, evolucioni i së cilës është trajtuar dhe mbrojtur në forma të ndryshme, në bazë të legjislacioneve të vendeve përkatëse. Referuar të drejtës së pronësisë në vendin tonë, ajo është njohur dhe parashikuar shprehimisht në aktin themelor të vendit, në Kushtetutë, e cila përbën garancinë kryesore për mbrojtjen e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Kështu, neni 11/1 i saj sanksionon se “sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private dhe publike…”[2]. Parashikimi i kësaj dispozite bën ndarjen e pronës në dy grupe të mëdha si: prona private, e zotëruar nga individi apo grup individësh, në varësi kjo të mënyrës së krijimit të pronësisë, si dhe pronë publike në zotërim të shtetit, i cili e ushtron këtë të drejtë nëpërmjet organeve të tij, si dhe enteve të tjera publike, në të mirë të interesit të përgjithshëm. Situata e pronave të klerit mysliman ka qenë më e goditur krahasuar me bashkësitë e tjera fetare, pasi koncepti i dhurimit apo i transferimit të pronësisë ka qenë më veprues te besimtarët e drejtimit mysliman me konceptin e bamirësisë dhe të shpërblimit në botën e amshueshme.
Ndërsa Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë na jep një kuptim më të gjerë dhe konkret të pronës. Konkretisht, në nenin 149 të tij përcaktohet se: “Pronësia është e drejta për të disponuar dhe gëzuar lirisht sendet brenda kufijve të përcaktuar në ligj”[3]. Edhe pse kjo e drejtë garantohet si nga Kushtetuta dhe Kodi Civil, nuk do të thotë se ajo është absolute dhe ka gjetur zbatim të drejtpërdrejtë apo dhe tërthorazi. Nga njëra anë shteti kujdeset për garantimin e saj, por nga ana tjetër kontrollon ushtrimin e kësaj të drejte gjithmonë në bazë të ligjeve në fuqi, me qëllim shmangien e abuzimeve të individëve. Nuk duhet harruar procesi i shtetëzimit dhe konfiskimit të pronave të komuniteteve fetare në Shqipëri pas vitit 1967 dhe censura e besimit fetar.
Prona e klerit fetar, ka njohur koncepte e trajtime të ndryshme në periudha të ndryshme historike të vendit tonë dhe, për nga rëndësia, do ta fillojmë analizën me periudhën më të gjatë, atë të regjimit politik komunist, për vetë trajtimin specifik që i është bërë së drejtës së pronës gjatë kësaj periudhe, si dhe eliminimit faktik të ekonomisë së lirë. Në vitin 1944 Shqipëria hyri në rrugën e zhvillimeve dhe transformimeve rrënjësore me karakter komunist. “Në etapën e parë të kalimit nga kapitalizmi në socializëm, krahas pronës socialiste ekzistonte dhe prona private”[4]. Kjo gjë faktohej edhe në nenin 11, paragrafi 1 i Kushtetutës së vitit 1946, e cila konsiderohet si akti i parë bazë që rregullonte marrëdhëniet e pronësisë. Në të shpalleshin parimet e reja të rregullimit të tyre, ku shprehimisht thuhej se: “Sistemi ekonomik i Republikës Popullore të Shqipërisë bazohej në: pasurinë e përbashkët të popullit; pasurinë e organizatave kooperativiste popullore dhe në pasurinë e personave fizik”[5].
Ajo çfarë është evidente në këtë trajtim, është fakti se akoma nuk e kemi të evidentuar haptazi përjashtimin nga qarkullimi civil të pronës private mbi pasuritë e institucioneve fetare, por kemi një bashkekzistencë të saj me pronën publike, ndonëse vetëm formalisht. Ndërsa kalojmë në paragrafin 2, të po këtij neni, ku cilësohej se: “pronësia private mund të kufizohet e shpronësohet kur e lyp interesi i përgjithshëm në bazë të një ligji”[6]. De-jure pronësia cilësohej si një nga të drejtat e individit, por de-facto gëzonte një mbrojtje të dobët dhe prirej për t’u kufizuar nga ana e organeve shtetërore. Një gjë e tillë ligjërohet në një tjetër dispozitë. Pikërisht neni 12, ku përveç të tjerash, thuhet se: “toka u përket atyre që e punojnë dhe me ligj caktohet maksimumi i tokës që mund të jetë tokë private”. Në këtë rast është vetë shteti i cili vendos se sa pronësi do të posedojë një person, duke afirmuar në këtë mënyrë ndërhyrjen e tij mbi kufizimin e pronësisë[7]. Sa më shumë të shtetëzohej prona, aq më i fuqishëm bëhej ai dhe nga ana tjetër aq më i dobët dukej individi përballë tij.
Përgjatë viteve të diktaturës vërehej bashkekzistenca e regjimit me tipare kapitalizmi dhe socializmi, ku ky i fundit do të triumfonte në vitin 1976 me miratimin e Kushtetutës se re, në të cilën sanksionohej zhdukja e pronës private, konkretisht në nenin 16 të saj[8]. Me këtë kushtetutë u eliminua tërësisht domeni i pronës dhe i të drejtave reale të lidhura me të, e individi u zhvesh nga çdo e drejtë mbi pronën, pasi kështu i nevojitej “interesit të përgjithshëm” politik të vendit, duke cenuar, në këtë mënyrë, drejtpërdrejt ushtrimin e të drejtës së lirë të pronës private të individit.
Sipas Kushtetutës pronësia ndahej në “pronë socialiste, e cila përbëhet nga prona shtetërore dhe nga prona kooperativiste në bujqësi”[9]. Këto dy lloj formash të pronësisë janë të tilla në mënyrë që të përjashtojnë çdo mundësi të përqendrimit të pasurisë shoqërore e të klerit në duart e individëve të veçantë dhe si pasojë bëjnë të mundur zhdukjen e shfrytëzimit të individit nga individi”[10].
Sipas këtij idealizimi prona i përkiste të gjithëve, por askush nuk kishte të drejtë ta gëzonte atë individualisht. Modeli shqiptar karakterizohej nga eliminimi i të gjitha formave të pronës private nëpërmjet shtetëzimit të plotë të industrisë, tregtisë, në shumicë dhe pakicë, si dhe të kolektivizimit ekstrem të bujqësisë nga mbështetja e plotë në planifikim të centralizuar, sipas parimit të mbështetjes tërësisht në forcat e veta[11]. Prandaj, kur flasim për aspektin ekonomik themi se transformimi ka hasur probleme, vështirësi, pasoja negative dhe një periudhë kohore të konsiderueshme, kohë e cila u nevojit për decentralizimin dhe kthimin e saj në një ekonomi të lirë të tregut.
Përmbysja e sistemeve politike, ekonomike dhe shoqërore, që ndodhi në Evropën Qendrore dhe Juglindore, përfshiu, gjithashtu, në mënyrë të pashmangshme edhe shtetin tonë në vitet ‘90. Bilanci i humbjes pasurore dhe pronësore ishte tepër i madh, ku rreth 1 milion metra katrorë të Bashkësisë islame ishte keqpërdorur dhe dhunuar, ndërsa pjesa tjetër ndarë dhe degraduar. Vendi ynë, u ndikua nga ndryshimet politike që ndodhën në vendet e tjera ish-komuniste, duke pësuar ndryshime rrënjësore në qeverisje edhe, gjithashtu, për sa i përket konceptit e ushtrimit të pronësisë. Rruga e vështirë e Shqipërisë nga diktatura në demokraci, nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e lirë të tregut, është historia e një vendi, që tranzicionin e filloi nga një izolim ekstrem, nga një varfëri e madhe dhe pa asnjë lloj infrastrukture[12]. Për të transformuar sistemin ekonomik ekzistues në një ekonomi të tregut të lirë janë miratuar një sërë ligjesh dhe VKM-sh, të cilat, në tërësinë e tyre, formuan atë që do të konsiderohet si jurisprudencë kushtetuese në kuadër të trajtimit të së drejtës së pronësisë dhe që shërbeu për vite me radhë për përmirësimin dhe mbrojtjen e kësaj të drejte. Ndër aktet më të rëndësishme mund të përmendim: Ligjin nr. 7501 datë 19/07/91 “Për Tokën”; Ligjin nr. 7652 datë 12/02/93 “Privatizimi i shtëpive”; Ligjin nr. 7698 datë 15/04/93 “Kthimi i pronës”; VKM nr. 190 datë 16/04/90 “Krijimi i Agjencisë Kombëtare të Privatizimit”; VKM nr. 19 datë 16/04/93 “Rifillimi i procesit të privatizimit”; VKM nr. 386 datë 26/07/93 “Dhënia me qira e pronës shtetërore”; etj.
Pragu i viteve ‘90 shënon nisjen e reformave që lidhen me liberalizimin e tregtisë së lirë dhe sipërmarrjeve të lira ekonomike, ndër të cilat evidentoheshin të drejtat e lidhura me pronësinë. Hapi fillestar ishte miratimi i Ligjit Kushtetues më 29.04.1991, i cili sanksiononte të drejtën e pronës, në ndryshim nga Kushtetuta e 28 dhjetorit 1976, e cila e eliminonte atë. “Bujqësia ishte sektori i parë për t’u privatizuar, kryesisht përmes çmontimit të kooperativave bujqësore”[13].
Ndërsa ligji Nr. 7512, Dt. 10.08.1991, në nenin 1 të tij, thuhet se: “Në Republikën e Shqipërisë sanksionohen dhe mbrohen prona private, nisma e lirë, veprimtaritë private të pavarura, afarizmi, investimet e huaja, e drejta për të marrë e për të dhënë kredi, e drejta për të punësuar e për t’u punësuar, privatizimi i pronës shtetërore dhe i gjithë procesi i kalimit të ekonomisë së Republikës të Shqipërisë nga një ekonomi e planifikuar dhe e kontrolluar nga shteti, në një ekonomi të tregut të lirë.” Në këtë prizëm, “Shqipëria filloi procesin e saj të privatizimit në masë të vogël”[14] pikërisht me këtë ligj.
Regjimi aktual i pronës.
Me pronësi të autoriteteve fetare, në pikëpamjen juridike, do të kuptojmë marrëdhënien e zotërimit të sendeve, së cilës i referohen një sërë të drejtash reale. Në nenin 11 të Kushtetutës së Shqipërisë[15] sanksionohen parimet kryesore të një shteti, i cili bazën e ka në iniciativën e lirë të ekonomisë së tregut[16]. Mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të individit ka prioritet në shtetin demokratik. Shteti i së drejtës, kuadri ligjor në tërësi, dhe institucionet që ngrihen mbi këtë bazë kanë si synim dhe objektiv kryesor, pikërisht, garantimin dhe mbrojtjen sa më mirë dhe sa më efektive të të drejtave dhe lirive themelore të individit. Natyra e së drejtës së pronësisë është tepër komplekse, pasi në të përfshihen si prona private ashtu dhe ajo publike, të cilat mbrohen njëlloj me ligj[17]. Grupimi në këto dy kategori të mëdha evidenton dhe karakteristikat e secilës prej tyre, si dhe ndryshimet që ekzistojnë mes këtyre dy regjimeve. Tre janë tiparet bazë të pronës publike:
Ndërsa sendet objekt i pronës publike përcaktohen nga tre kritere:
Të gjitha sendet që përmbushin këto kushte dhe përfshihen në këtë kategori, përbëjnë objektin e pronës publike që i përkasin shtetit dhe njësive të qeverisjes vendore, përbëjnë përmbajtjen e pronës publike dhe arsyen e ekzistencës së saj.
Kushtetuta parashikon se marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe komuniteteve fetare rregullohen me marrëveshje të veçanta, të cilat marrin vlerën e ligjit duke qenë se ratifikohen nga Kuvendi i Shqipërisë. Marrëveshja e parë e lidhur në zbatim të nenit 10 të Kushtetutës ishte ajo “Ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”. Kjo ishte marrëveshja e parë mes shtetit shqiptar dhe një komuniteti fetar që i hapi rrugën edhe marrëveshjeve të tjera analoge mes komuniteteve dhe shtetit shqiptar. Duhet theksuar se kjo marrëveshje bazohet dhe në nenin 121 të Kushtetutës, duke qenë se është lidhur ndërmjet shtetit shqiptar dhe një shteti, subjekt i së drejtës ndërkombëtare, siç është Selia e Shenjtë, pra trajtohet nga e drejta ndërkombëtare publike. Vlen të ndalemi këtu në vendin e rëndësishëm që zënë marrëveshjet ndërkombëtare në sistemin ligjor të Republikës së Shqipërisë sipas Kushtetutës shqiptare. Në bazë të nenit 5 të Kushtetutës, Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të. Pjesa VII e Kushtetutës i kushtohet në mënyrë të posaçme marrëveshjeve ndërkombëtare. Sipas nenit 116/1 “marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara renditen, nga pikëpamja hierarkike e normave, menjëherë pas Kushtetutës.
Rëndësia ndërkombëtare e Marrëveshjeve sipas parimit pacta sum servantia
Çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik pasi botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Ajo zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, përveç rasteve kur nuk është e vetë-zbatueshme dhe zbatimi i saj kërkon nxjerrjen e një ligji. Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të. Ndërkohë, neni 121 i Kushtetutës rendit marrëveshjet ndërkombëtare që i nënshtrohen detyrimisht ratifikimit dhe që kanë të bëjnë me: a) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake; b) të drejtat dhe liritë e njeriut, si edhe detyrimet e shtetasve, siç parashikohen në Kushtetutë; c) anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare; ç) marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga Republika e Shqipërisë; d) miratimin, ndryshimin, plotësimin ose shfuqizimin e ligjeve, ratifikuar me Ligjin nr. 8902, datë, 23.5.2002. Neni 122 i Kushtetutës mbi të Drejtat e Pronësisë së Komuniteteve Fetare në Shqipëri. Sa më sipër, duke qenë se marrëveshja me Selinë e Shenjtë ka të bëjë me të drejtat dhe liritë e njeriut dhe ka efekte financiare për shtetin shqiptar, ajo i është nënshtruar ratifikimit nga Kuvendi. Në bazë të kësaj marrëveshjeje shteti shqiptar njeh personalitetin juridik të Kishës Katolike. Ai merr përsipër të kthejë pronat e Kishës Katolike, në përputhje me legjislacionin shqiptar, dhe të asistojë në ri-regjistrimin e tyre në emër të Kishës Katolike në zyrat kompetente shtetërore. Prej kësaj marrëveshjeje lind detyrimi ligjor i shtetit shqiptar që t’i rikthejë pa asnjë kushtëzim të gjitha pronat e kishës katolike të shtetëzuara gjatë periudhës së sistemit komunist dhe t’i garantojë komunitetit katolik të gjitha të drejtat pasurore në lidhje me këto prona. Në vijim të kësaj marrëveshjeje, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në vitin 2005 Ligjin “Për procedurat e njohjes së zotësisë juridike të personave juridikë kishtarë të kishës katolike”. Në bazë të marrëveshjes “personat juridikë kishtarë gëzojnë të gjitha të drejtat dhe përmbushin detyrimet e parashikuara në dispozitat e Kodit Civil dhe në aktet e tjera ligjore në fuqi për të gjithë personat juridikë”. Pra, ligji i garanton komunitetit katolik në Shqipëri gëzimin e të gjitha të drejtave në fushën e pronësisë njësoj si personat e tjerë fizikë e juridikë. Në vijim, shteti shqiptar lidhi në vitin 2009 marrëveshje për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella me tre komunitete të tjera: Komunitetin Mysliman të Shqipërisë (KMSH), nenet 76, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASH), neni 77, dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane (KBB), neni 78, e më pas në vitin 2011 u lidh marrëveshja me Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë, nenet 79. Neni 8 i Marrëveshjes. Ligji Nr. 9365, datë 31.3.2005. Neni 4 i Ligjit. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë “për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”, ratifikuar me Ligjin nr. 10 056, datë 22.1.2009. Në nenin 77 marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë “për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”, ratifikuar me Ligjin nr. 10 057, datë 22.1.2009. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane Shqipërisë “për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”, ratifikuar me Ligjin nr. 10 058, datë 22.01.2009. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Fetar “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”. Këto marrëveshje u bazuan në nenin 10 dhe 24 të Kushtetutës dhe morën fuqinë e ligjit pas ratifikimit nga Kuvendi i Shqipërisë.
Rëndësia kombëtare e Marrëveshjeve, sipas parimit ius loci
Qëllimet kryesore të këtyre marrëveshjeve janë: • garantimi i realizimit të të drejtave të sanksionuara nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi në lidhje me lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë; • njohja dhe garantimi i respektimit të të drejtave të komuniteteve fetare, lidhur me të drejtat dhe detyrimet e besimtarëve, respektimin e riteve dhe praktikave tradicionale, të institucioneve dhe strukturave të tij, si dhe personave juridikë të themeluar prej tij, për të zhvilluar lirisht misionin e tyre fetar, edukativ e bamirës; • njohja dhe garantimi i paprekshmërisë së institucioneve fetare për aq sa veprimtaria e tyre nuk vjen në kundërshtim me ushtrimin e lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë, me kushtetutën e ligjet në fuqi; • garantimi i lirisë së individit për të ushtruar besimin fetar, për ta shfaqur atë individualisht ose kolektivisht në institucionet fetare ose jashtë tyre, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve përkatëse fetare; • sigurimi i lirisë së individit për të mos u ndaluar dhe as detyruar të bëjë pjesë në komunitetin fetar, • njohja e personalitetit juridik të tyre, etj. Këto marrëveshje sanksionojnë të drejtën e pronësisë së komuniteteve fetare ndërkohë që tre marrëveshjet e para vendosin shtetin para detyrimit për kthimin e kompensimin e pronave të tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në të gjitha marrëveshjet përcaktohet se në rastet kur objektet e kultit të komuniteteve fetare nuk gjenden të regjistruara në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (sot Agjencia e Trajtimit të Pronës), si institucion përgjegjës për verifikimin, kthimin dhe kompensimin e pronave, merr përsipër detyrimin për ta vërtetuar pronësinë mbi objektin e kultit nëpërmjet dokumenteve të Arkivit Qendror të Shtetit. Në këto marrëveshje parashikohet, gjithashtu, që objektet e kultit, të cilat gëzojnë statusin e Monumentit të Kulturës, t’i kthehen në pronësi komuniteteve fetare dhe të mbrohen e trajtohen nga ligji për trashëgiminë kulturore. Neni 22 i marrëveshjeve të Qeverisë me komunitetet fetare mbi të Drejtat e Pronësisë së Komuniteteve Fetare në Shqipëri. Është interesant fakti që marrëveshjet e lidhura me KOASH dhe me KBB parashikojnë kompensimin e të gjitha pronave, ndërsa marrëveshja me KMSH nuk është shumë e qartë mbi këtë çështje. Nga ana tjetër, marrëveshja me KMSH ka disa elementë që nuk janë parashikuar në dy marrëveshjet e tjera, si më poshtë: • Trajtimi me përparësi i kërkesave të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në lidhje me kthimin dhe kompensimin e pronave vakëf; • Kthimi i pronave “me të gjithë përbërësit e tyre’’, dhe • Rinjohjen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë si “trashëgimtar të pasurisë së tij”. Në zbatim të marrëveshjeve të lartpërmendura Këshilli i Ministrave ka miratuar disa vendime në lidhje me kthimin dhe kompensimin e pronave për të katër komunitetet fetare. Pavarësisht ekzistencës së këtyre marrëveshjeve, procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave të komuniteteve fetare ka hasur mjaft vështirësi edhe se zyra e Këshillit të Evropës në Shqipëri, dhe OSBE-ja ka monitoruar në vazhdimësi këtë proces, nuk mund të themi se e drejta e pronësisë së bashkësive fetare është zbatuar sipas parimit “strictum sensu”, nga ana e autoriteteve shtetërore dhe sistemi gjyqësor në Shqipëri.
BIBLIOGRAFI
[1]. E drejta e pronësisë, e drejtë themelore e njeriut – Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, f. 33
[2]. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Tiranë, 1998.
[3]. Ligji nr. 7850 datë 29.7.1994, i ndryshuar, Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë.
[4]. Dhima. Dh, “ E drejta kushtetuese e Republikës Popullore të Shqipërisë”, Tiranë, f. 117
[5]. Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë, Tiranë, 1946.
[6]. Po aty.
[7]. E drejta e pronësisë, e drejtë themelore e njeriut – Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, f. 7.
[8]. Madhi. E, “Mbrojtja e pronësisë dhe jurisprudenca”, f. 45.
[9]. Grup autorësh, “E drejta kushtetuese”, f. 116.
[10]. Dhima. Dh, “E drejta kushtetuese e Republikës Popullore të Shqipërisë”, f. 19.
[11]. Prof. Dr. Anastas Angjeli, “Tranzicioni dhe liria ekonomike në Shqipëri”, f. 30.
[12]. Eduart, Kaca, “Shqipëria nga diktatura në demokraci (Teori dhe praktikë)”, f. 9.
[13]. Vaughan-Whitehead, Daniel, “Albania in crisis: the predictable fall of the shining star”, f. 152.
[14]. Vaughan-Whitehead, Daniel, “Albania in crisis: the predictable fall of the shining star”, f. 154.
[15]. Në kuptim të këtij punimi dhe të faktit se, për sa i përket kufizimit të lirive dhe të drejtave themelore, Kushtetuta barazohet në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
[16]. Neni 11 i ligjit nr. 8417, datë 21.10.1998, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (i ndryshuar).
[17]. Po aty.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...