Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Feb 12, 2024 Zani i Nalte Shkenca sociale 0
Skender Mustafi
Në këtë punim do të trajtohet rëndësia e të qenët pjesë e sistemeve sociale për personat në moshë të shtyrë, pleqtë. Punimi lë anash dimensionet e tjera të hapësirave të jetës së këtij grupi shoqëror. Në këtë hulumtim është bërë trajtimi i situatës së personave në moshë të shtyrë vetëm nga pikëpamja e punëve sociale. Kjo temë do të shtjellohet duke iu qasur pasojave të mospjesëmarrjes nëpër sisteme sociale dhe shkaqet të cilat mund të shpien në mospjesëmarrje. Qëllimi i realizimit të këtij punimi është që të bëhet një lloj nxitjeje profesionale e të menduarit konstruktiv dhe produktiv për gjendjen e pleqve, dimension i cili injorohet në tërësi dhe nuk trajtohet në mënyrë profesionale në shoqërinë tonë.
Personat në moshë të shtyrë në këtë punim do të njihen edhe me termin ‘pleq’, term të cilin e llogaris si sinonim me ‘persona në moshë të shtyrë’. Në fjalorin e përditshëm për këtë grup personash shfrytëzohet dhe ‘personat në moshë të thyer’ e që vlerësoj të jetë identifikim i padrejtë dhe jo gjithëpërfshirës për gjendjen e këtij grupi shoqëror. Njëkohësisht termi ‘pleq’ në këtë punim ngërthen edhe gjininë femërore, meqë punimi u kushtohet të gjithë personave në moshë të shtyrë.
Hulumtimi trajton rrjedhat aktuale të të menduarit rreth këtij grupi shoqëror, faktorët të cilët ndikojnë në nivelin e pjesëmarrjes nëpër sisteme shoqërore, pasojat e mospjesëmarrjes nëpër sisteme dhe, së fundi, punimi sugjeron disa nga mënyrat e zbutjes së shkallës së vetmisë dhe intensitetit të mospjesëmarrjes nëpër zhvillimet shoqërore.
Sistemet sociale (shoqërore) janë bashkësi personash të cilët kanë interesa ose lidhje të përbashkëta, personat ndërveprojnë mes tyre dhe ky ndërveprim rrjedh sipas roleve të caktuara, formale ose joformale, përbrenda sistemeve. Sistemet shoqërore nuk janë rrjete, por bashkimi i sistemeve të ndryshme ndërton rrjete. Për më tepër, qasja e analizës së sistemeve të ndryshme të individëve[1] është një ndër qasjet profesionale të punëve sociale në trajtimin e zhvillimeve shoqërore, si në nivel individual ashtu edhe në nivel të shoqërisë.
Njeriu është vetë një sistem (i cili ngërthen nënsistemin biologjik dhe psikik) dhe, njëkohësisht, merr pjesë në më shumë se një sistem social përgjatë gjithë jetës së tij. Shembuj të sistemeve sociale janë familja, vendi i punës, shokët në kafene, familja e gjerë, miqësia, etj. Personat në moshë të shtyrë, posaçërisht pas daljes në pension, kanë shumë më pak sisteme në të cilat marrin pjesë në mënyrë aktive. Dalja nga vendi i punës zakonisht është e lidhur ngushtë me shkëputjen e personit nga sisteme të ndryshme, të cilat, deri në atë kohë, kanë qenë pjesë përbërëse e përditshmërisë dinamike. Gjithashtu largimi nga sistemet aktive ndikon në shpërbërjen e shumë vlerave të cilat kanë qenë të ndërlidhura ngushtë me sistemet dhe individin si pjesë të tyre. Mu për këto arsye shumë persona, pas daljes në pension, llogarisin veten të kenë hyrë në moshën e pleqërisë ose madje edhe të jenë plakur.
Për shkak të mungesës së një përkufizimi të përgjithshëm për pleqërinë dhe pamundësinë për të arritur një të tillë në këtë pikë të thuash jam plakur është njësoj sikur të thuash “është bërë grumbull” pasi të kesh hedhur kokrrat e misrit në një vend dhe me kokrrën e fundit që hedh “e njeh grumbullin”. Po nëse largojmë kokrrën e fundit, kemi akoma grumbull kokrrash? Meqë kjo gjendje paraqet të kuptuarit relativ, do të thotë se kemi të bëjmë me një term, përkufizimi i të cilit është shumë relativ, i varur nga perspektiva personale dhe nga dimensionet e jetës.
Sidoqoftë, për të ruajtur baraspeshën psikike dhe fizike në jetën e përditshme, duhet që sistemet e humbura të zëvendësohen me të tjera, të cilat përmbushin zbrazëtinë e shkaktuar, si në konsumim të vlerave ashtu edhe në ofrim të tyre, si dhe rrisin nivelin e përjetimit të roleve personale nëpër sisteme aktive dhe të ndërveprimit me pjesëmarrës të tjerë në to.
Gjithashtu, gjithnjë duhet pasur parasysh se shumë sisteme, në jetën aktive të njeriut, janë të përbëra nga elemente aktive, kanë synime të mirë-përcaktuara dhe kërkojnë pjesëmarrjen dinamike të personave përbërës të tyre. Në pleqëri shumica, të mos themi të gjitha, e sistemeve, në të cilat marrin pjesë pleqtë, janë vullnetare, ku pjesëmarrja është pasive dhe në shumicën e rasteve ato nuk kanë synime të caktuara në nivel sistemi. Shembuj të dallimeve të një sistemi aktiv dhe të mirë-organizuar, siç është “vendi i punës”, dhe një sistemi pa synime të përkufizuara, si “të shkuarit në kafenenë e lagjes”, mund të identifikojmë në të gjitha dimensionet e jetës së personave në moshë të shtyrë, andaj dhe pritshmëritë janë të ndryshme si nga ana e sistemeve ndaj personave pjesëmarrës ashtu edhe nga ana e personave ndaj sistemeve.
Gjatë të jetuarit në moshën e rinisë, shumicën e kohës, nuk diskutohet thuajse fare rreth pleqërisë, mbi rrethanat e të qenët plak dhe domethëniet e proceseve gjatë kësaj periudhe të jetës. Madje, edhe nëse diskutohet rreth kësaj teme, bëhet fjalë për mendime të paformuara dhe shpalosen ide e vizione që në të vërtetë janë dëshira rinore që kanë të bëjnë me mungesa ose zbrazëti të cilat, për shkak të rrethanave të jetës dhe moshës aktuale, nuk mund të plotësohen. Mendime të tilla si: “Kur të plakem dua të jetoj në një vend të qetë me plazh.”, “…dua të shëtit botën.”, ose “…dua të kaloj kohën vetëm me të dashurit e mi.”, janë mendime rinore dhe vizione të cilat, në të shumtën e rasteve, nuk përputhen me rrethanat reale jetësore të individëve në moshë të shtyrë.
Gjatë të jetuarit të jetës në moshën e pjekurisë, pleqëria, shumicën e kohës, trajtohet si fenomen, si proces ose si zhvillim, i cili përflitet më shumë se gjatë moshës së rinisë, por akoma nuk trajtohet seriozisht. Gjatë kësaj periudhe të jetës, për shkak të angazhimit të madh dhe produktivitetit individual, pleqëria ndërlidhet ngushtë me lodhje, rraskapitje, si dhe me dërrmim të trupit dhe psikikës. Andaj edhe trajtuar nga kjo pikëpamje mund të identifikohen dy grupe shoqërore me qëndrime të ndryshme ndaj pleqërisë. Sipas njërit grup, i cili është i rraskapitur nga puna dhe i pakënaqur me të, në pleqëri merret parasysh nevoja për pushim dhe qetësim të eshtrave e nervave. Ndërsa sipas grupit tjetër të së njëjtës moshë, i cili është i fortë fizikisht e në psikikë dhe është i kënaqur me punën e vendin e punës, në pleqëri merret parasysh nevoja për punë dhe angazhim. Ky grup, në njërën anë është i shqetësuar me punën dhe koordinimin e saj, ndërsa në anën tjetër me kohën dhe menaxhimin e saj. Andaj dhe te ky grup njerëzish shpalosen mendimet si: “…unë do të punoj edhe më tej nëse mundem…”, “…dua që të kem një baraspeshë mes punës dhe kohës së lirë…”, “…do të punoj ca muaj, pastaj do të qëndroj ca muaj në shtëpi. Këtë ndërrim do ta bëj vazhdimisht…”. Sikurse mendimet rinore, ashtu edhe mendimet e këtij grupi shoqëror janë pa bazë faktike të të njohurit të jetës së personave në moshë të shtyrë, dhe mbi këto mendime nuk mund të ndërtohen ide të vërteta të ndërtimit të projekteve të përshtatshme për moshën e pleqërisë.
Në të vërtetë për t’iu përgjigjur pyetjes se çfarë do të bëj kur të plakem, duhet kuptuar, pranuar dhe definuar pleqëria, vetja dhe sistemet në të cilat bëjmë pjesë dhe do vazhdojmë të jemi gjatë asaj moshe. Pengesa e parë në trajtimin e kësaj teme është se nuk ka përkufizim të vetëm të pleqërisë. Mbi pleqërinë mund të gjenden përkufizime të ndryshme, por asnjëherë një përkufizim i cili njëson çdo element, proces ose dimension të pleqërisë. Andaj pleqëria, fillimi i saj ose kulmi i saj, nuk është një moshë e caktuar, por dallon nga individi në individ ose nga pikëpamja dhe të kuptuarit e secilit për veten e tij.
Përcaktimi i moshës së pleqërisë mund të jetë bërë në mënyrë kulturore ose ligjore si formë referimi, por jo si pikë ku bëhet ndarja mes të qenët jo plak dhe të qenët plak. Për shembull, në pjesën veriore të Maqedonisë së Veriut, në mënyrë kulturore, në shumicën e rasteve, pleqëria i referohet arritjes së 60 viteve jetë ose kur fëmijët arrijnë moshën e martesës dhe martohen, do të thotë kur personi merr rolin e vjehrrit. Pa dyshim që ky përkufizim ose lloj i të përkufizuarit kulturor, është dinamik dhe ndryshon e zhvillohet bashkërisht me ndryshimet kulturore përbrenda një shoqërie, në një rajon të caktuar ose nëpër shoqëri të ndryshme. Në anën tjetër, nga këndvështrimi ligjor i shteteve të zhvilluara të Evropës pleqëria i referohet vitit të daljes në pension i cili dallon nga mosha 60 vjeçare deri në moshën 67 vjeçare për meshkujt dhe nga mosha 55 vjeçare deri në moshën 66 vjeçare për femrat[2].
Meqë këto të dhëna i referohen vetëm pleqërisë, atëherë kur jemi plakur? Nga cila moshë fillon pleqëria? Ç’është pleqëria? Si mund të bëjmë dallimin mes të qenët dhe të mos qenët plak?
Që të mund t’i përgjigjemi këtyre pyetjeve dhe pyetjeve të ngjashme, për veten tonë dhe për rrethin ku jetojmë, duhen kuptuar disa fakte të përgjithshme rreth kësaj temë:
Pleqëria, në vete, nuk përfshin një grup homogjen njerëzish, por ky grup është shumë heterogjen edhe kjo jo vetëm në një parametër. Në këtë grup kemi individë të moshave, gjinive, kulturave, bindjeve, besimeve e parapëlqimeve të ndryshme. Këta individë kanë prapavijë të ndryshme të zhvillimit personal, kanë bagazh dallues edukativ e të përgatitjes profesionale, kanë fuqi të ndryshme financiare, si dhe kanë pritshmëri të ndryshme në udhëheqjen e proceseve personale dhe në mirëmbajtjen e lidhjeve me sistemet e ndryshme sociale.
Andaj, përgjigja e pyetjes: “A jam plak?” dhe “Kur jam plakur?” është rezultat i një procesi që është i ndërlidhur ngushtë me rrethanat aktuale të personit i cili parashtron këto pyetje, zhvillimit të mëhershëm personal, lidhjeve shoqërore (lidhjeve familjare, etj.) dhe fuqisë materiale.
Trajtuar nga pikëpamja e punëve sociale, njeriu kalon nëpër disa faza të zhvillimit nëpër të cilat ngërthen dhe përjeton role të ndryshme, të cilat i shfrytëzon si pjesë të fuqive të veta ose të cilave u nënshtrohet si pjesë të rrjedhave të jetës personale e sociale:
– Në fazën e parë të zhvillimit, si fëmijë, njeriu është konsumues pasiv dhe përvetësues aktiv i të gjitha vlerave materiale, shpirtërore e sociale. Pjesëmarrja nëpër sistemet e ngushta sociale, si familja e ngushtë dhe e gjerë, si dhe qendrat jashtë familjare të kalimit të kohës, luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin psikik, fizik e social.
– Në fazën e dytë të zhvillimit, si i ri, njeriu është konsumues dhe përvetësues aktiv i vlerave, si rezultat i njohurive e aftësive personale dhe zhvillimeve sociale në përputhje me moshën e arritur. Kyçja nëpër sistemet edukativo-arsimore, siç janë shkollat, organizatat e aktiviteteve të ndryshme, qendrat për edukim fetar, etj., mundësojnë pjesëmarrje aktive në përvetësim të vlerave në mënyrë të sistemuar.
– Në fazën e tretë të zhvillimit, si i rritur, njeriu është prodhues aktiv në të gjitha sferat e jetës dhe konsumues e përvetësues i vlerave, produkteve e shërbimeve të zhvillimeve sociale në mënyrë të përzgjedhur dhe të vetëdijshme. Në këtë fazë njeriu shfrytëzon fuqitë njohëse për të vepruar në mënyrë aktive dhe njëkohësisht për të përvetësuar njohuri të reja mbi zotërimin e proceseve të jetës së përditshme dhe të mirëmbajtjes së lidhjeve me pjesëmarrësit e sistemeve të ndryshme.
– Në fazën e fundit, si plak, njeriu është reflektues i njohurive, përvojave dhe përjetimeve, si ndaj vetes ashtu edhe ndaj të tjerëve. Në këtë fazë, në shumicën e rasteve, kalohet nga pjesëmarrja aktive nëpër sisteme sociale në reflektimin pasiv nëpër sistemet sociale dhe reflektimi aktiv në nivel personal. Personat në këtë moshë tanimë me vete bartin bagazhe të ndryshme të njohurive e përvojave, si dhe përgjatë jetës kanë arritur një lloj bindjeje të caktuar dhe këto elemente ndikojnë drejtpërdrejtë në të kuptuarit dhe të reflektuarit e jetës së kaluar dhe pleqërisë personale.
Së fundi, pas kalimit në pension dhe kalimit në “fazën e pleqërisë”, në shumicën e rasteve, kalohet nga pjesëmarrja aktive dhe shpërndarja e vlerave në shoqëri në pjesëmarrjen aktive në jetën individuale dhe plotësim të nevojave personale.
Pleqëria, në të shumtën e rasteve, në dekadat e fundit, ndërlidhet ngushtë me kohën e daljes në pension, pavarësisht nëse është në fillim të viteve të gjashtëdhjeta të jetës (koha para daljes në pension). Në këtë rast, rol të rëndësishëm luan edhe shëndeti e pikëpamja e individit, i cili mendon, reflekton e flet mbi pleqërinë. Në të vërtetë, dalja në pension për shumë individë luan rol shumë të rëndësishëm për të përcaktuar moshën e pleqërisë, andaj dhe duhet marrë me seriozitet. Kjo ndodh pasi individi largohet nga angazhimi i plotë i prodhimit të përgjithshëm dhe i shpërndarjes aktive të vlerave sociale. Ndër të tjera bëhet largimi nga pjesëmarrja aktive nëpër sistemet sociale, ulen të hyrat financiare dhe bie niveli i aktiviteteve personale pothuajse nga 100% në heshtje të plotë. Në këtë rast dalja në pension, për shumë persona të përfshirë në punë aktive, tërheq një vijë të kuqe mes dy fazave të zhvillimit të jetës së individit.
Kjo periudhë, në varësi të llojit të profesionit të ushtruar dhe aftësive mendore e fizike të individit, ka ndikim të madh në të kuptuarit e moshës së pleqërisë dhe periudhës vijuese të jetës. Andaj edhe te shumë individë paraqiten huti të shumta, shfaqet mungesë e kuptimit të jetës së kaluar, si dhe jetës në përgjithësi, dhe fillohet të mendohet më thellë rreth vdekjes dhe vlerave personale.
Njeriu, për nga natyra, kërkon të ofrojë vlerat personale në shoqëri, të jetë i vyer për shoqërinë dhe të jetë pjesë aktive e saj. Ai përpiqet të veprojë në nivel aktiv në atë mënyrë që shoqëria të ketë nevojë për të ose së paku rrethi ku jeton të ketë nevojë për të. Madje Melody Beattie[3] në librin e saj “Varësia për të qenë i nevojshëm” thotë se njeriu është i varur nga dëshira që shoqëria të ketë nevojë për të. Mu për këtë arsye, angazhimi fizik e social, në këtë periudhë të jetës, është shumë i rëndësishëm, si për ruajtjen e shëndetit fizik ashtu edhe të atij psikik. Ky është edhe shkaku që shumë persona, të cilët mund të përballojnë proceset dhe intensitetet e punës aktive, kërkojnë të qëndrojnë akoma në punë dhe t’u vazhdohet kontrata e punës edhe më tej.
Në moshën e pleqërisë, pjesëmarrja në shoqëri përmes një jete aktive është e varur fillimisht nga shëndeti. Dobësimi i shëndetit dhe paraqitja e nevojave për mbështetje shëndetësore kufizojnë pjesëmarrjen fizike në aktivitete shoqërore. Në këtë pikëpamje rol të rëndësishëm luajnë dhe mundësitë hapësinore, infrastruktura dhe objektivat që individi ka në vendin ku jeton. Nëse në nivel shoqëror nuk ofrohen mundësi strukturore, të cilat plotësojnë kushtet fizike për të përfshirë njerëzit e dobët ose me të meta fizike, atëherë ideja për pjesëmarrje është shuar para lulëzimit të saj. Për shembull, nëse objekti ku po ofroni kursin për personat në moshë të shtyrë nuk ka infrastrukturë, si lift ose shkallë shiriti, atëherë në mënyrë automatike janë përjashtuar personat me nevoja të veçanta dhe personat e dobët fizikisht.
Struktura dhe kultura familjare është ndër faktorët më të rëndësishëm pas shëndetit. Familja luan rol të rëndësishëm, si për pjesëmarrjen në sisteme sociale ashtu edhe për përjetimin e vlerave themelore njerëzore. Pjesëmarrja nëpër aktivitetet familjare, edhe në moshën e pleqërisë, ruan dukshëm nivelin e pjesëmarrjes në sistemet më të gjera shoqërore në përgjithësi. Si marrja përsipër e detyrave të ndryshme përbrenda familjes, ashtu edhe vizitat e ruajtjet e lidhjeve me familjarët e rrethit më të gjerë, luajnë rol të rëndësishëm për çdo njeri, pasi bëhet fjalë për përfshirje nëpër sisteme të ndryshme ku dukshëm shkëmbehen vlera të larmishme dhe merren role dinamike. Këto aktivitete ndikojnë në ruajtjen e dëshirës personale për pjesëmarrje nëpër organizime shoqërore dhe shkatërrojnë të gjitha barrierat e hendeqet që shtyjnë personin të rrisë dëshirën për veçim.
Faktor tjetër i rëndësishëm është organizimi i rrjedhave financiare. Lartësia e pensionit, kursimet dhe mbështetjet nga burime të tjera mundësojnë pjesëmarrjen më të lehtë nëpër sisteme të ndryshme sociale. Gjithashtu mundësojnë përjetimin dhe përmbushjen e dëshirave dhe nevojave të ndryshme të egos personale. Në të shumtën e rasteve koha e lirë është e kushtueshme, andaj është e lidhur drejtpërdrejt me kapacitetin financiar individual. Për shembull, për të marrë pjesë në një klub kulturor ose social, duhet paguar anëtarësia, duhet përshtatur me sjelljen e pjesëtarëve të tjerë si në konsumim ashtu edhe në veshje, andaj dhe dallimi klasor në të hyra ndikon në mospjesëmarrje dhe veçim. Fundja, madje edhe për t’u takuar me shokë në kafene kërkon pasje të të mirave financiare.
Kultura e përgjithshme e organizimit shoqëror në vendin e jetesës gjithashtu luan rol të rëndësishëm. Sa më e hapur të jetë shoqëria, duke u mundësuar personave në moshë të shtyrë pjesëmarrje nëpër aktivitete të ndryshme të përbashkëta, aq më e lartë është pjesëmarrja. Si dhe sa më aktive të jetë shoqëria, aq më të përfshirë janë pleqtë në aktivitetet e ndryshme shoqërore, pasi kemi të bëjmë me aktivitete të larmishme të cilat, në vetvete, ngërthejnë role dinamike dhe në mënyrë më të shpeshtë nxisin pjesëmarrje dinamike të elementeve shoqërore. Madje, kur shoqëria është përfshirëse (inkluzive), atëherë motivimi ndër-personal është shumë më i lartë, ndërsa stigmatizimi është më i ulët dhe i papranueshëm.
Nxitja e qëllimshme institucionale në kuadër të programeve sociale të organizuara nga organet shtetërore është një faktor shumë i rëndësishëm në rritjen e nivelit të pjesëmarrjes së pleqve nëpër aktivitete shoqërore. Në këtë rast, organizimi i planifikuar dhe profesional me prapavijë rëndësinë e pjesëmarrjes sociale, jo vetëm ndikon në pjesëmarrjen e pleqve nëpër aktivitete të planifikuara, por edhe rrit orientimin e tyre për të ruajtur integritetin dhe vlerën personale. Kjo ndodh kur projekte të tilla nxiten nga profesionistë, të cilët si qëllim kanë vlerën dhe ofrimin e shërbimeve të mirëfillta profesionale me synime të mirë-përcaktuara. Andaj dhe përvetësimi i projekteve institucionale është shumë i rëndësishëm.
Ekspertët kanë hulumtuar persona të shtresave dhe shoqërive të ndryshme në moshën e pleqërisë, nëpër situata të larmishme, duke përshirë në hulumtim faktorë të rëndësishëm dhe kanë vërtetuar se mospjesëmarrja nëpër aktivitete sociale ka ndikim të madh në shëndetin fizik dhe psikik të individit. Më poshtë janë radhitur vetëm disa nga çrregullimet më të përhapura dhe më të rëndësishme te personat në moshë të shtyrë për shoqërinë tonë.
7.1. Depresionet e pleqërisë
Shkaqet e depresioneve të pleqërisë mund të jenë të shumta, të akumuluar brenda një periudhe të caktuar ose përgjatë gjithë jetës. Ndër më të rëndësishmit janë: humbja e të afërmve, humbja e anëtarëve të shoqërisë së ngushtë dhe dëshpërimet e kthyera në zhgënjime gjatë vetë-pasqyrimit të viteve të kaluara. Niveli i depresioneve është i ndryshëm te plakat dhe pleqtë si dhe për depresionet e femrave flitet më pak dhe ato ndërlidhen me stilin e tyre të jetesës edhe pse ato në shumë raste kalojnë nëpër depresione më të thella për shkak të kalimit të jetës në mënyrë të izoluar, ku sistemi i vetëm aktiv përgjatë gjithë jetës ka qenë familja e ngushtë. Për këtë arsye dhe angazhimi për identifikimin profesional të fazave të depresionit duhet të jetë më i madh.
Gjatë depresioneve personat në moshë të shtyrë përjetojnë për një kohë të gjatë periudha të mërzisë së thellë nga e cila nuk shihet rrugëdalje. Në këtë gjendje asgjë nuk ka vlerë dhe, në një formë, vdekja bëhet më e dashur se jeta dhe shihet si zgjidhja më e drejtë. Gjithashtu personat e rënë në këtë gjendje kanë dyshime në veten dhe e llogarisin atë barrë dhe të pavlerë për shoqërinë e madje edhe për familjarët më të ngushtë. Për shkak të kësaj gjendjeje të rëndë, përveç depresioneve mund të paraqiten edhe probleme tjera, si: ndjenjat e dhembjeve të ndryshme, lodhjet dhe mungesa e oreksit, veçimi, shqetësimi i shpeshtë dhe i shpejtë, etj. Shqetësimet dhe reagimet janë të ndryshme te pleqtë dhe plakat, ku pleqtë reagojnë dhe shprehin nervozizëm e pakënaqësi, ndërsa plakat tërhiqen, nuk flasin dhe reagojnë në heshtje e me kokëfortësi. Andaj, këto janë edhe shenja të cilat tregojnë se personi është duke kaluar një kohë depresionesh, gjendje e cila jo çdo herë mund të vërehet ose në ndonjë formë të komunikohet nga të prekurit[4] dhe [5].
Sipas psikologes gjermane Karin Kutz[6], 40% e vetëvrasjeve në Gjermani realizohen nga persona të moshës mbi 65 vjeçare ku burrat janë më të shpeshtë, sepse ata ose janë mbyllur në vete ose nuk gjejnë persona për të folur rreth gjendjes së tyre, si rezultat i sistemit të paqëndrueshëm të familjes dhe veçimit nga sistemet e shoqërisë. Në këtë pikëpamje, si pasojë e depresionit, personat e kësaj moshe kryejnë edhe “vetëvrasje të heshtur”, duke privuar veten nga marrja e barërave të rëndësishme dhe nga të ushqyerit.
7.2. Frika dhe ankthet
Për ankthe dhe frikë bëhet fjalë atëherë kur frika ndikon jetën emocionale të njeriut dhe çrregullon rrjedhën e jetës së përditshme. Personat kanë frikë të madhe nga gjërat ose situatat e caktuara, të cilat i shpien ata të kaloj në panik. Një numër i madh i personave, në moshë të shtyrë, gjithnjë e më shumë janë të prekur nga frika e vdekjes. Këtë gjendje e thellon edhe më tepër mungesa e ndërlidhjeve të mirëfillta me sisteme të ndryshme sociale. Mungesa e komunikimit dhe ndërveprimit me të tjerët është një shkak kyç, i cili luan rol të rëndësishëm për përkeqësimin e kësaj gjendjeje. Të tjerët, më të rëndësishëm në këtë rast, janë familjarët e ngushtë ose të gjerë dhe grupet e tjera të shkëmbimit të bisedave. Mungesa e familjes ose lidhjet e prishura familjare ndikojnë dukshëm në paraqitjen e frikës dhe anktheve të vdekjes në vetmi. Kjo mungesë gjithashtu nxit edhe paraqitjen e llojeve të tjera të frikës së përditshme si: frika e të mbeturit pa ushqim, frika e të mbeturit i/e izoluar, frika e të mbeturit i/e sëmurë deri në vdekje, etj.
7.3. Sëmundjet bipolare
Sëmundjet bipolare nënkuptojnë lëkundjen midis një manie dhe depresioneve. Kjo nënkupton që personi herë është në gjendje manie, e herë në gjendje depresionesh. Njeriu është në gjendje manie kur përqendrohet në një gjë dhe me intensitet të lartë realizon / vepron / përjeton atë për të cilën i është ngulitur mendja. Në këtë gjendje të moshuarit e izoluar zhvillojnë depresione të brendshme për shkak të mungesës së pjesëmarrjes në shoqëri, ose mungesës së shoqërisë dhe pasjes së mendimit të të qenët i/e pavlerë. Kjo gjendje është e vështirë të vërehet te personat e prekur meqë fazat e depresionit përcillen gjithnjë e më shumë me eufori[7]. Megjithatë disa nga simptomat mund të dallohen sa për të mundësuar që gjendja të kontrollohet dhe identifikohet nga ekspertët. Personat e prekur nga kjo gjendje janë shpesh në dëshpërim, janë në gjendje mërzie, përcillen nga faza manie me kulme emocionesh, janë euforik, kanë dëshirë të pandalshme për të ndërmarrë diçka dhe janë në gjendje për të rrezikuar shumë[8]. Ndërmarrja e hapave të rrezikshme nuk ka të bëjë vetëm në shpenzim të kursimeve ose konsumim të ushqimit ‘të ndaluar nga mjeku’, por edhe në ndërmarrje të aktiviteteve të cilat rrezikojnë jetën personale. Në këtë fazë interesat, dëshirat dhe synimet personale janë të pazëvendësueshme kundrejt nevojave dhe mundësive të të tjerëve, qofshin të tjerët edhe anëtarët më të ngushtë të familjes.
Në këtë mënyrë kalimi nga mania në depresion, dhe anasjelltas, lënë pasoja të mëdha shëndetësore, si në sistemin biologjik ashtu edhe në atë psikik. Këta persona, gjatë fazës së manisë, janë plot vrull dhe nuk njohin kufi, duke ‘prekur’ skajin e pozitivizmit, ndërsa gjatë fazës së depresioneve bien në skajin tjetër emocional, duke u thelluar edhe më shumë në depresione, si shkak i ndikimit të aktiviteteve të fazës së manisë. Një diagnozë e hershme është shumë e rëndësishme për të ulur shkallën e dëmeve psiko-fizike tek individi.
7.4. Krijimi i varësive
Në varësi të mënyrës së organizimit të jetës, në të kaluarën, marrin theks dhe aktivitetet në faza të izolimit në moshën e pleqërisë. Shumë persona, ose marrin pilula në mënyrë të pakontrolluar, ose fillojnë të konsumojnë pije dehëse. Nëse kanë histori konsumimi, atëherë rrisin sasinë e konsumimit të alkoolit, si strategji të tejkalimit të fazave të rënda të mërzisë.
Një aktivitet tjetër është edhe luajta e lojërave të ndryshme të bixhozit nëpër lokale, të cilat mundësojnë veçimin. Veçimi në kulturën tonë është akoma i rëndësishëm, pasi personat në moshë të shtyrë, posaçërisht burrat, akoma dëshirojnë të mbrojnë nderin përkundër faktit të realizimit të aktiviteteve, të cilat, ata vetë, i shohin si të pandershme. Në këtë mënyrë zhvillohen varësi nga substancat ose veset. Sipas Johanniter-Unfall-Hilfe e.V.[9] personat në këtë fazë konsumojnë, më së shumti, pilula për gjumë dhe kundër dhimbjes.
Në shoqërinë tonë, gjithnjë e më shumë, është duke u rritur konsumimi i pijeve dehëse dhe substancave që krijojnë varësi, megjithatë asnjëherë nuk trajtohen në mënyrë profesionale, qoftë nga pikëpamja e ndikimit të tyre te konsumatorët, qoftë nga pikëpamja e ndikimit në shkatërrimin e lidhjeve të ndryshme sociale. Madje, varësitë e krijuara tek të moshuarit, qoftë edhe nga konsumimi i pakontrolluar i pilulave, mohohen e madje janë tema të padëshiruara për diskutim për shoqërinë në përgjithësi.
Mënyra e vetme e të pasurit të një jete të shëndoshë fizike e psikike dhe të pasurit të një jete të begatshme është pjesëmarrja aktive në shoqëri dhe të qenët aktiv në jetën e përditshme. Andaj, nëse mungon vullneti personal, atëherë duhen ndërmarrë hapa për realizimin e projekteve të ndryshme, të cilat mundësojnë një jetë të begatshme për personat në moshë të shtyrë.
Pikënisja e realizimit të projekteve është të kuptuarit se nuk ka kulturë shtetërore ose nacionale. Nuk ka kulturë shqiptare, për të gjithë popullin shqiptar, kudo që jeton, as kulturë shqiptare për banorët e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut, në tërësi apo secila veçmas. Natyrisht, janë elementet e ndryshme ato që e ndërlidhin një popull të tërë, por këto elemente assesi nuk janë elemente që përcaktojnë kulturën e përgjithshme edhe pse këto elemente herë mund të jenë më intensive dhe dalluese e herë më pak intensive në një shtet ose popull të caktuar. Pa dyshim, është e rëndësishme të kuptohet se, legjislatura e një shteti ose përcaktimet ligjore të një rajoni, mund të kenë ndikim në formësimin e elementeve të caktuara kulturore dhe të bëjnë që një grup më i madh shoqëror të njësohet përmes elementeve të tilla.
Kultura fillimisht është individuale, pastaj familjare, dhe në nivel më të gjerë e vendbanimit dhe së fundi rajonale. Në këtë rast kultura personale është tërësisht e ngjizur me individin, ndërsa ajo rajonale më e ngjizur me strukturat dhe elementet e sistemit social rajonal. Të kuptuarit e këtyre kulturave dhe elementeve të tyre të përbashkëta është shumë e rëndësishme për të kuptuar sjelljet, normat dhe vlerat nga ana e personave në moshë të shtyrë, me të cilët dhe për të cilët duam të zhvillojmë projekte mbështetëse. Identifikimi dhe njohja e elementeve kyçe, mbi të cilat ndërtohen këto kultura, na mundësojnë të realizojmë një bashkëveprim më të lehtë me personat në moshë të shtyrë dhe të zhvillojmë projekte të pranueshme dhe larg konflikteve normative, morale e etike.
Andaj edhe hapi i parë i të menduarit rreth projekteve për personat në moshë të shtyrë është i lidhur ngushtë me njohjen e rrethit më të ngushtë social, me mundësitë e bashkëveprimit individual dhe me identifikimin e interesave grupore. Për këtë arsye duhen bërë përpjekje që gjatë zhvillimit të projekteve të përfshihen dhe persona të kësaj grup-moshe. Mbi këtë bazë njohjeje mund të zhvillohen tre lloj projektesh, të cilat kanë elemente, vlera dhe intensitete të ndryshme veprimi e bashkëveprimi:
– Projekte individuale
– Projekte vullnetare-rajonale
– Projekte zyrtare-institucionale
8.1. Projektet individuale
Nuk duhet harruar se të pasurit shtëpinë përplot me njerëz nuk do të thotë se për personat në moshë të shtyrë gjithçka është në rregull dhe se mungesat janë plotësuar. Asgjë nuk e zëvendëson nevojën individuale për të qenë pjesë e sistemeve të ndryshme sociale, për të marrë role të larmishme dhe për të konsumuar vlera të shumëfishta. Personat, në këtë moshë, kanë nevojë të jenë pjesë aktive e familjes dhe shoqërisë, në mënyrë që të përjetojnë ndjenjën dhe mendimin e të qenët me vlerë. Në këtë rast projektet individuale janë pikënisja e inkuadrimit të personave në moshë të shtyrë nëpër projekte. Andaj, projektet duhet të fillohen që në familje përmes dhënies së detyrave, roleve dhe hapësirave të përshtatshme, që pleqtë të jenë pjesë aktive e familjes.
Nëse pleqtë janë të prirur të mos largohen nga shtëpia, atëherë nxitja e tyre për të vizituar objektet fetare do të ishte shumë e rëndësishme për neutralizimin e mundësisë për thellim në mendime dhe reflektim të së kaluarës, e që ky reflektim ndikon negativisht e mund të shpjerë në vet-shkatërrim. Ky thellim ndihmon të kuptuarit e jetës dhe ndërlidh të menduarit individual me një Fuqi më të lartë, gjë që përmirëson dukshëm stilin e jetës. Gjithashtu, angazhimi i tyre për të realizuar blerje të vogla për nevoja familjare do të ishte një projekt aktiv ku do të shfaqej “nevoja” dhe “varësia” e familjes nga ky veprim. Aktivitetet nuk duhet të jenë të natyrës “sa për sy e faqe”, por serioze dhe me vlerë. Gjithashtu, varësisht nga profesioni, njohuritë dhe përvoja, të kërkohet mbështetja e familjarëve e posaçërisht e nipërve dhe mbesave. Bashkëveprimi me nipërit dhe mbesat mund të realizohet në forma të ndryshme dhe luan rol të rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit fizik e psikik, si dhe ruajtjen e lidhjeve familjare. Në raste kur pleqtë janë të sëmurë ose të pamundur, atëherë vizita e tyre, hyrja në diskutim dhe trajtimi i temave të ndryshme është shumë e rëndësishme. Të gjithë këto lloje projektesh dhe shumë të tjera mund të realizohen pa ndonjë nevojë të mjeteve financiare dhe në këtë mënyrë janë të hapura për të gjithë personat, pavarësisht gjendjes së tyre materiale.
Së fundi, angazhimi individual për të mirë të familjes më të gjerë, vendbanimit dhe rrethit më të gjerë, është gjithashtu shumë i rëndësishëm, si për të mirën personale, ashtu edhe për të mirën shoqërore dhe ndërveprim aktiv kulturor.
8.2. Projektet vullnetare rajonale
Projektet vullnetare rajonale, të cilat mund të jenë edhe individuale, zakonisht, janë të organizuara për pjesëmarrje grupore, si për të mirën e grupit, ashtu edhe për të mirën e shoqërisë. Në këtë rast bëhet fjalë për projekte të cilat janë edukativo-arsimore, për transferim të kulturës, për transferim të dijes, për ndërveprim mes gjeneratave, për ndërveprim mes grupeve ose edhe për plotësim të një mungese shoqërore.
Për organizimin e projekteve të tilla rol të rëndësishëm mund të luajnë bashkësitë e ndryshme lokale, organizatat e pavarura lokale e rajonale dhe bashkësitë e ndryshme fetare të vendbanimit e rajonit. Nxitja e projekteve mund të bëhet ose nga ana e personave ose nga ana e organizatave, ku në mënyrë të organizuar, sipas një plani të përcaktuar dhe një synimi të mirë-përcaktuar, ofrohen vlera për një grup të përzgjedhur shoqëror ose shoqërinë rajonale në përgjithësi. Projekte të tilla kërkojnë mbështetje financiare në funksion të arritjes së pjesës së synuar të shoqërisë dhe të ofrimit të vlerës së planifikuar.
Natyra vullnetare u jep mundësinë që këto projekte të bëhen tradicionale, dinamike dhe të kenë vlerën e një zhvillimi kulturor në nivel rajonal. Element i rëndësishëm pozitiv i këtyre projekteve është dinamika e ndryshimit të përmbajtjes dhe formës së organizimit, si dhe pavarësia në organizim e realizim.
8.3. Projektet zyrtare-institucionale
Organet e ndryshme shtetërore janë sisteme të mirë-organizuara dhe të ndërtuara nga elemente profesionale, të cilat ndjekin synime të përcaktuara në mënyrë profesionale. Profesionistët, në këtë rast, shfrytëzojnë burimet shtetërore dhe të dhënat statistikore për të identifikuar modelet e zhvillimeve shoqërore, nevojat e grup-moshave dhe nevojat kulturore rajonale e më gjerë. Në bazë të këtyre njohurive zhvillohen projekte profesionale, të cilat kanë strukturë të mirë-përcaktuar, rrjedhë e cila përputhet me mundësitë dhe nevojat e pjesëmarrësve dhe ofrojnë vlerë të dobishme për të gjithë pjesëmarrësit, aktivë e pasivë. Projekte të tilla mund të jenë rajonale, kombëtare, ndërkombëtare e digjitale.
Është e rëndësishme që gjatë realizimit të projekteve të tilla të përfshihen të gjithë pleqtë, duke përfshirë edhe ata që jetojnë të vetmuar, janë jashtë sistemeve familjare dhe pleqtë që jetojnë nëpër azile apo shtëpi kujdesi.
Jeta e popullit shqiptar po zhvillohet gjithnjë e më shumë drejt modeleve të botës perëndimore. Ky ndryshim në disa dimensione është i dëshiruar e në disa i natyrshëm (qoftë edhe i padëshiruar nga grupe shoqërore). Sido që të jetë, është ndryshim i cili është duke ndodhur, andaj duhet pranuar si i tillë dhe duhet punuar me të. Nëse shtëpitë e pleqve janë tanimë “normale”, vajtimi dhe sulmi i tyre nuk është veprim profesional dhe nuk sjell asnjë dobi individuale e shoqërore. Çdo ndryshim dhe çdo rrjedhë kërkon trajtim profesional dhe çdo fenomen, i cili është i papranueshëm për një shoqëri, duhet trajtuar në mënyrë profesionale, për t’u mënjanuar ose për të gjetur rrugën për t’u trajtuar siç duhet.
Ndryshimet e përgjithshme kulturore dhe paraqitja e rrjedhave të reja, siç është tërheqja nëpër mikrofamilje dhe shkëputja e lidhjeve aktive me familjen më të gjerë, luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e pikëpamjeve, dëshirave dhe nevojave individuale. Në moshën e shtyrë, për shkak të kohës së lirë dhe mundësisë më të madhe për vetë-reflektim, këto ndryshime vërehen me intensitet edhe më të lartë dhe pasojat janë më të mëdha. Andaj, zhvillimi i projekteve në të mirë të personave në moshë të shtyrë dhe në të mirë të shoqërisë në përgjithësi është shumë i rëndësishëm për të ruajtur stabilitetin shoqëror dhe për të mbushur plasaritjen e zhvillimeve të përgjithshme kulturore dhe ngecjeve individuale e familjare në zhvillim.
Gjendja jonë aktuale është e dhimbshme ku, në njërën anë, ndryshimet janë të dukshme dhe urrejtja e mospranimi është e nivelit të lartë dhe, në anën tjetër, mungesa e angazhimit për të ndryshuar ose përballuar gjendjen është evidente. Ne duhet të ngremë më lart vetëdijen tonë, të jemi më vigjilent ndaj ndryshimeve dhe më këmbëngulës në mbështetjen ose refuzimin e tyre. Ndryshimet e pranueshme, qofshin edhe të padëshiruara, duhen përcjellë me aktivitete, të cilat na bëjnë më të afërta me to ose më të mbrojtur prej tyre.
Ne si shoqëri, si rajon, si familje e individë, duhet të jemi të vetëdijshëm për nevojat tona dhe mundësinë për plotësimin e tyre. Andaj, bazuar në njohuritë mbi gjendjen aktuale dhe nevojat individuale e grupore, duhen zhvilluar projekte të cilat rrisin vetëdijen personale e shoqërore dhe ruajnë stabilitetin kulturor e social.
[1]. Sistemet kryesore të një individi janë: Sistemi fizik, sistemi psikik dhe sistemet sociale.
[2]. Handelszeitung (09.2022). So unterschiedlich sind die Pensionsalter in Europa (sq. Aq e ndryshme është mosha e daljes në pension në Evropë). E gjetur tek: https://www.handelszeitung.ch/politik/schweiz-im-mittelfeld-sounterschiedlich-sind-die-rentenalter-in-europa-530585#:~:text=Das%20Rentenalter%20in%20Europa%20liegt%20zwischen%2060%20und%2067%20Jahren. &text=In%20der%20Schweiz%20stimmen%20wir,bez%C3%BCglich%20der%20Pensionsalter%20ein%20Flic kenteppich. Së fundi qasur më 24 Shtator 2022.
[3]. Beattie, Melody (2014). Die Sucht gebraucht zu werden. Heyne Verlag. 288 f.
[4]. Johanniter-Unfall-Hilfe e.V. (2021). Psychische Erkrankungen im Alter. Publikuar nga MitPflegeLeben. URL: https://mitpflegeleben.de/informationsportal/psychische-erkrankungen-im-alter/. Së fundi qasur më 04 Tetor 2022.
[5]. Ternès, Anabel (2018a). Psychische Erkrankungen im Alter sind häufig – doch die Betroffenen schweigen oft. Publikuar nga FOCUS Online u. a. Revistë nga Statista GmbH, Hamburg. URL: https://www.focus.de/gesundheit/experten/psychische-erkrankungen-im-alter-die-haeufigstenkrankheitsbilder_id_9893904.html;. Së fundi qasur më 04 tetor 2022.
[6]. Kutz, Karin (2006). Psychische Erkrankungen bei älteren Menschen. Publikuar nga Praxis für Psychotherapie (HPG). URL: http://psychotherapie-kutz.de/psychische_erkrankungen_bei_aelteren_menschen.html. Së fundi qasur më 04 tetor2022.
[7]. Ternès, Anabel (2018b). Bipolare Störungen sind gefährlich – aber nur schwer zu erkennen. Publikuar nga FOCUS Online u. a. Revistë nga Statista GmbH, Hamburg. URL: Manisch-depressiv: Symptome einer bipolaren Störung – FOCUS online;. Së fundi qasur më 14 tetor 2022.
[8]. Shih po të njëjtin burim të fusnotës 6.
[9]. Shih po të njëjtin burim të fusnotës 5.
Feb 12, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...