Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Feb 12, 2024 Zani i Nalte Shkenca sociale 0
Mr. sc. Bahri Curri
Mirësitë e Allahut janë dhuratë për ne
Mirësitë e Allahut ndaj nesh janë të llojllojta e të panumërta. Disa prej tyre janë të dukshme dhe të njohura, begatinë e të cilave mund ta perceptojmë lehtësisht. Ndërsa disa të tjera janë të padukshme e të fshehura që nuk mund ta kuptojmë urtësinë e tyre me shikim të parë pa një hulumtim të mirëfilltë. Andaj edhe Allahu na thotë në Kur’an:
وَإِن تَعُدُّواْ نِعۡمَتَ ٱللَّهِ لَا تُحۡصُوهَآۗ
“…Edhe në qoftë se përpiqeni që t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini që t’i përkufizoni (në numër).”[1]
E begatia më e madhe është Islami, pa të cilin do të mbretëronte kaosi në botë.
Fëmijët janë dhuratë nga Allahu
Prej dhuratave të çmueshme për njeriun, padyshim që janë edhe fëmijët, të cilët vetë Allahu i quan dhuratë:
لِّلَّهِ مُلۡكُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِۚ يَخۡلُقُ مَا يَشَآءُۚ يَهَبُ لِمَن يَشَآءُ إِنَٰثٗا وَيَهَبُ لِمَن يَشَآءُ ٱلذُّكُورَ
“Vetëm Allahut i takon pushteti i qiejve e i tokës; Ai krijon çka të dojë; Ai i falë (dhuron) vetëm vajza atij që do; e i falë (dhuron) vetëm djem atij që do.”[2]
Natyrisht që të kesh fëmijë është nder dhe privilegj dhe të bën që të ndjehesh i lumtur, por më tepër është barrë dhe përgjegjësi që kërkon mund e kujdes të shtuar.
Si vajza, si djali janë begati e paçmueshme, të cilët, pa dallim, janë të rëndësishëm dhe kanë të drejtat e tyre jetike. Edhe pse te shqiptarët, e jo vetëm te shqiptarët, por pothuajse në çdo popull, ekziston dëshira dhe animi i tyre kah djemtë më tepër sesa për vajzat. Gjë e cila është e urryer në Islam dhe këtë gjë e dënon edhe Kur’ani, duke na rrëfyer praktikën e keqe të njerëzve para Islamit, pra në kohën e injorancës, kur vajza ishte e privuar nga çdo e drejtë, madje shpesh edhe nga e drejta e jetës. Allahu thotë në Kur’an:
وَإِذَا بُشِّرَ أَحَدُهُم بِٱلۡأُنثَىٰ ظَلَّ وَجۡهُهُۥ مُسۡوَدّٗا وَهُوَ كَظِيمٞ
“Kur ndonjëri prej tyre (baballarëve) lajmërohet me (lindjen) vajzë, fytyra e tij prishet dhe bëhet plot mllef.”[3]
Ku disa prej tyre, nga mllefi pse i ka lindur vajzë, edhe i kanë varrosur vajzat e tyre për së gjalli. Prandaj na thotë Kur’ani:
وَإِذَا ٱلۡمَوۡءُۥدَةُ سُئِلَتۡ بِأَيِّ ذَنۢبٖ قُتِلَتۡ
“Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura të gjalla, për çfarë mëkati ato janë mbytur?”[4]
Madje jo vetëm vajzat që i kanë varrosur për së gjalli, por edhe nënat e tyre i kanë qortuar dhe ndëshkuar pse kanë lindur vajza e jo djem.
Edhe pse ajeti 49 i mësipërm i sures Shura i përmend vajzat para djemve, që tregon se edhe vajza është me vlerë, e dashur dhe e rëndësishme, madje me përparësi para djemve. Profeti a.s. me theks të veçantë përmend vajzat në edukimin dhe kujdesin ndaj tyre e thotë:
مَن كانَ لَهُ ثلاثُ بَناتٍ فصبرَ عليهنَّ، وأطعمَهُنَّ، وسقاهنَّ، وَكَساهنَّ مِن جِدَتِهِ كنَّ لَهُ حجابًا منَ النَّارِ يومَ القيامَةِ
“Kush i ka tri vajza dhe bën sabër ndaj tyre, i ushqen dhe i veshmbathë prej pasurisë që ia ka dhënë Zoti, ato do të jenë për të perde prej zjarrit të Xhehenemit.”[5]
Hadithi nuk përkufizohet vetëm në numrin tre, por edhe kush ka dy apo edhe vetëm një vajzë. Po ashtu kjo s’ka të bëjë vetëm me vajzat, por kjo përfshinë të gjitha femrat, qoftë motër, hallë, teze, etj. Hadithi nxit kujdestarin, e në këtë rast të dy prindërit, që të bëhen të durueshëm me to. Do të thotë të durueshëm në rritjen, edukimin, disiplinimin dhe përgatitjen e tyre, po ashtu edhe në furnizimin e tyre brenda mundësive e kapaciteteve të tyre si ushqimi, veshmbathja, etj.
Profeti a.s., kur iu dha lajmi për lindjen e vajzës së tij, Fatimes, është gëzuar aq shumë sa që thoshte: “Ajo është një aromë e këndshme që po e ndjej, ndërsa furnizimi i saj i takon Allahut!”, pra lindjen e vajzës e sheh si bekim dhe bereqet.
Fëmijët janë zbukurim i jetës së kësaj bote
Fëmijët janë zbukurim dhe hijeshi e jetës në këtë botë. Allahu, në Kur’anin Famëlartë, na tregon:
ٱلۡمَالُ وَٱلۡبَنُونَ زِينَةُ ٱلۡحَيَوٰةِ ٱلدُّنۡيَاۖ
“Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote”[6].
Natyrisht, që ku ka fëmijë ka gjallëri, gëzim e lumturi. Zëri i fëmijëve mbush shtëpinë, jo vetëm me zhurmë, por edhe me shpresë e kurajë. Andaj edhe Profeti a.s. na dëfton se edhe xhamitë që gumëzhijnë nga zhurma e fëmijëve janë shpresë dhe perspektivë për atë popull. Për këtë arsye i shohim sahabët të merrnin edhe fëmijët e tyre në xhami për t’i kalitur e mësuar fëmijët me xhaminë dhe frymën e saj. Madje mbanin edhe ëmbëlsira me vete, që në rast mërzitjeje të fëmijës nga qëndrimi në xhami ua jepnin atyre për t’i qetësuar.
Familja
Familja është bërthama e shoqërisë dhe suksesi i saj është suksesi i shoqërisë. E fëmijët janë fryti i familjes dhe shpresa për ardhmërinë e familjes si dhe të tërë popullit. Andaj dhe Islami i ka urdhëruar anëtarët e familjes me shumë detyra dhe u ka dhënë të drejta që duhen respektuar, e ndër këto të drejta janë edhe të drejtat e fëmijëve, të cilat shumë njerëz nuk i trajtojnë fare, apo edhe nëse i trajtojnë, nuk e bëjnë atë si duhet.
Të drejtat e fëmijëve
Kohët e fundit po flitet shumë për të drejtat e fëmijëve, për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, për traktate e konventa të ndryshme që garantojnë të drejtat e fëmijëve. Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe në një ditë për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Është dita kur vetë fëmijët shprehen lirshëm për të thënë të drejtat e tyre.
Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925. Dy vjet më vonë, Festa e 1 qershorit filloi që të festohet në të gjithë botën.
Vendet të cilat e festojnë Ditën Botërore të Fëmijëve më datën 20 nëntor e bëjnë këtë në përkujtim të Deklaratës për të Drejtat e Fëmijëve të miratuar nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor të vitit 1959. Ndërsa Konventa për të Drejtat e Fëmijëve e konsideron fëmijë çdo qenie njerëzore që nuk ka mbushur 18 vjet.
Islami është i kujdesshëm për të ruajtur dhe mbrojtur njeriun në të gjitha fazat e jetës së tij. Allahu i Lartësuar thotë:
وَلَقَدۡ كَرَّمۡنَا بَنِيٓ ءَادَمَ وَحَمَلۡنَٰهُمۡ فِي ٱلۡبَرِّ وَٱلۡبَحۡرِ وَرَزَقۡنَٰهُم مِّنَ ٱلطَّيِّبَٰتِ وَفَضَّلۡنَٰهُمۡ عَلَىٰ كَثِيرٖ مِّمَّنۡ خَلَقۡنَا تَفۡضِيلٗا
“Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), ua mundësuam atyre që të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam.”[7]
Duke qenë se fëmijëria është faza e parë në jetën e njeriut, Islami kujdeset shumë për të dhe i kushton vëmendje të madhe. Për këtë arsye Islami është i pari që merret me të drejtat e fëmijëve që nga Mesjeta dhe i ka paraprirë kohëve moderne me më shumë se pesëmbëdhjetë shekuj. Kjo për faktin se fëmijët janë e ardhmja dhe shpresa e së nesërmes. Islami ka përcaktuar një kushtetutë gjithëpërfshirëse për të drejtat e fëmijës që përmban të drejtat e tij para lindjes së tij, që kur ai është embrion, dhe pas kësaj në vitet e ndryshme të fëmijërisë së tij. Islami përcakton si fëmijë atë që nuk e ka arritur pubertetin (moshën e pjekurisë) dhe kjo nuk e kalon moshën pesëmbëdhjetë vjeç.
Pra Islami ua ka garantuar të gjithë fëmijëve të drejtat e tyre në të gjitha fazat e tyre të jetës, derisa të arrijnë pjekurinë, aftësinë dhe zotësinë për t’u mbështetur pastaj në forcat e veta për të përmbushur e siguruar nevojat dhe kërkesat e tyre.
Në vijim do të mundohemi që t’i cekim radhazi dhe t’i trajtojmë shkurtimisht.
E drejta e përzgjedhjes së prindërve
Fëmija ka të drejtë që të ketë prindër, dhe që të jenë prindër të mirë e besimtarë. Andaj Islami na mëson që për fëmijët e ardhshëm duhen zgjedhur prindër të mirë, besimtarë e të edukuar. Madje edhe thuhet edukoni fëmijët 20 vjet para se të lindin fëmijët, pra me edukimin e çiftit bashkëshortor para lindjes së fëmijëve, gjë e cila pastaj reflektohet te fëmijët. Kjo për arsye se prindërit e edukuar e të përkushtuar me bindje ndaj Zotit, përveç kujdesit të veçantë ndaj fëmijëve, edhe me vetë praktikën e tyre të përditshme i frymëzojnë dhe i edukojnë fëmijët në frymën e shëndoshë. Kjo edhe mund të quhet si edukim i heshtur që ka shumë efekt pozitiv. Për këtë arsye fëmija ka të drejtë që të ketë prindër që e kuptojnë dhe e zbatojnë prindërimin e mirë.
Prandaj për këtë Profeti a.s. iu thotë djemve:
تُنْكَحُ المَرْأَةُ لأَرْبَعٍ: لِمَالِهَا، وَلِحَسَبِهَا، وَلِجَمَالِهَا، وَلِدِينِهَا، فَاظْفَرْ بذَاتِ الدِّينِ تَرِبَتْ يَدَاكَ
“Gruaja martohet për katër gjëra: Për pasurinë e saj, për prejardhjen e saj, për bukurinë e saj dhe për fenë e saj. Zgjidh gruan fetare, do të jesh i lumtur (i kënaqur).”[8]
Ndërsa vajzave iu thotë:
إِذَا خَطَبَ إِلَيْكُمْ مَنْ تَرْضَوْنَ دِينَهُ وَخُلُقَهُ فَزَوِّجُوهُ، إِلَّا تَفْعَلُوا تَكُنْ فِتْنَةٌ فِي الأَرْضِ ، وَفَسَادٌ عَرِيضٌ
“Nëse një person, që e pëlqeni fenë dhe moralin e tij, ju ofron martesë, martojeni. E nëse e refuzoni këtë, dijeni që bëni fitne dhe trazira në tokë.”[9]
Me një fjalë, standardet themelore e fillestare për përzgjedhjen e bashkëshortit/bashkëshortes duhet të jenë feja dhe morali, e më pastaj të shikohen edhe të tjerat. Hadithi na tërheq vërejtjen që nëse nuk respektohen këto standarde rrezikohet humbja e bereqetit dhe e lumturisë, si dhe shkaktimi i shumë telasheve e problemeve.
E drejta e origjinës-prejardhjes
Fëmija ka të drejtën e jetës së shëndetshme familjare, të ketë dy prindër të martuar ligjërisht dhe t’i njohë ata. Të dihet prejardhja e tij dhe lidhja farefisnore… Për këtë dhe Islami ka ndaluar imoralitetin dhe prostitucionin që të mos përzihet origjina e fëmijës, si dhe fëmija të përjetojë atësinë dhe amësinë, e të ndjejë ngrohtësinë dhe krenarinë e origjinës. Pra, të ketë moral publik dhe të bëjë jetë të dinjitetshme e jo të ndihet i turpëruar.
E drejta për të jetuar
E drejta për jetë ndërlidhet me dy fazat e jetës së fëmijës. Faza e parë ka të bëjë para lindjes së tij, sa është në barkun e nënës pas ngjizjes dhe dhënies së shpirtit. Në këtë rast ndalohet vrasja e fëmijës në barkun e nënës, pra marrja e jetës së tij përmes abortit, apo formave të tjera. Pra, aborti në Islam ndalohet rreptësisht, me përjashtim të rastit kur rrezikohet edhe jeta e nënës, atëherë dijetarët e lejojnë me kushte specifike. Në këtë fazë edhe Allahu i Madhërishëm heq dorë nga e drejta e Tij e agjërimit, nga haku i agjërimit që njerëzit detyrohen të agjërojnë për Allahun, heq dorë në favor dhe në të mirë të shëndetit të fetusit, por edhe të shëndetit të nënës. Pra gruaja shtatzënë ka të drejtë që të mos agjërojë për të ruajtur shëndetin e fëmijës në bark dhe shëndetin e saj.
Ndërsa faza e dytë ka të bëjë pas lindjes së tij. Ndodh që disa njerëz i vrasin fëmijët për arsye të ndryshme, siç e cekëm më lart që kanë mbytur fëmijët e tyre pas lindjes për shkak se kanë lindur vajza e jo djem. Por ka edhe të atillë që i mbysin edhe nga frika e varfërisë, gjë që është e ndaluar në Islam. Allahu, në Kur’an, thotë:
وَلَا تَقۡتُلُوٓاْ أَوۡلَٰدَكُمۡ خَشۡيَةَ إِمۡلَٰقٖۖ نَّحۡنُ نَرۡزُقُهُمۡ وَإِيَّاكُمۡۚ إِنَّ قَتۡلَهُمۡ كَانَ خِطۡٔٗا كَبِيرٗا
“Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh.”[10]
Pra ka drejtë, jo vetëm për të jetuar, por edhe që të bëjë një jetë të denjë e fisnike derisa të bëhet i zoti i vetvetes dhe të marrë përgjegjësi.
E drejta e trashëgimisë dhe e pronësisë
E drejta e trashëgimisë dhe e pronësisë si e drejtë e natyrshme dhe bazike ndër të drejtat e njeriut, edhe fëmija, që para lindjes, me rastin e dhënies së shpirtit në barkun e nënës, e zotëron të drejtën e trashëgimisë, si dhe t’i vihen në pronësi të mira të ndryshme materiale.
E drejta e kujdesit para lindjes dhe gjatë lindjes
Islami obligon prindërit për kujdes të veçantë për fëmijën para lindjes, gjegjësisht gjatë shtatzënisë, më konkretisht e ngarkon babanë për shpenzimet e nevojshme, qoftë gjatë shtatzënisë, lindjes dhe ushqyerjes me qumësht gjiri, ku Allahu xh.sh. thotë:
وَإِن كُنَّ أُوْلَٰتِ حَمۡلٖ فَأَنفِقُواْ عَلَيۡهِنَّ حَتَّىٰ يَضَعۡنَ حَمۡلَهُنَّۚ فَإِنۡ أَرۡضَعۡنَ لَكُمۡ فََٔاتُوهُنَّ أُجُورَهُنَّ
“Në qoftë se ato (gratë) janë shtatzëna, atëherë furnizoni ato derisa ta heqin barrën e tyre (të lindin), e nëse ato u japin gji fëmijëve tuaj, atëherë jepuani atyre shpërblimin që u takon!”[11]
Procesi i lindjes është një moment i ndërlikuar dhe i vështirë, shpesh edhe i rrezikshëm. Andaj edhe është e drejtë e fëmijës që t’i sigurohet një lindje e sigurt dhe pa pasoja, qoftë për të apo edhe për nënën e tij. Duhet që të merren të gjitha masat e mundshme për një përgatitje të tillë.
E drejta ceremoniale pas lindjes
Islami na mëson për disa gjëra që duhet t’i bëjmë me fëmijët tanë pas lindjes së tyre, si t’i këndohet ezani në veshin e djathtë, ndërsa ikameti në veshin e majtë. Po ashtu t’i fërkohet me gisht qiellza e gojës me një copëz hurme të zbutur.
E drejta e emërtimit
E drejtë e fëmijës është që të ketë një emër të mirë dhe kuptimplotë. Madje çdo prind është përgjegjës për përzgjedhje të një emri të bukur. Profeti a.s. thotë:
حق الولد على الوالد أن يحسن اسمه ويحسن أدبه
“E drejtë e fëmijës që e detyron prindin është ngjitja e emrit të mirë dhe edukimi i mirë.”[12]
Prandaj duhet emërtuar me emër të bukur, meqë emri i tij mund të aludojë për vlerat e së ardhmes së tij. Profeti a.s., gjithashtu, thotë:
إنَّكُمْ تُدْعَوْنَ يَوْمَ القِيامَةِ بأسْمائكُمْ وأسماءِ آبائِكُمْ فأحْسِنُوا أسْماءَكُمْ
“Ju do të thirreni në Ditën e Gjykimit me emrat tuaj dhe me emrat e prindërve tuaj, andaj zgjidhni emra të bukur në emërtim!”[13]
Prandaj është e rëndësishme që të zgjidhet një emër i mirë për fëmijën dhe të shmanget zgjedhja e emrave të shëmtuar e me kuptime të shëmtuara.
E drejta e synetimit
Islami bën thirrje për synetimin e fëmijëve djem që është në pajtim edhe me fenë e pastër të Ibrahimit a.s. Kjo është një natyrshmëri e pastër e praktikuar më herët, por që sot edhe shkenca mjekësore bën thirrje për një veprim të tillë, i cili është shumë i dobishëm e i shëndetshëm.
E drejta e akikas
Për fëmijën e lindur preferohet që të bëhet akika, që është therja e një dashi për lindjen e tij në shenjë falënderimi ndaj Allahut për këtë dhuratë të çmueshme. Gjë e cila mundësisht të bëhet në ditën e shtatë, ose të katërmbëdhjetë, apo të njëzetë e njëtë, e nëse jo, atëherë kurdo që mundet.
E drejta e ushqyerjes me qumësht gjiri
E drejta e të ushqyerit është e drejtë jetike themelore e fëmijës, e veçanërisht e qumështit të gjirit, për shkak se kjo ka rëndësi të madhe për zhvillimin e fëmijës në të gjitha aspektet, fizike apo mendore qofshin ato. Dhënia e gjirit, përveç zhvillimit fizik, forcon imunitetin dhe siguron për fëmijën ushqimin e duhur të cilin gjiri i nënës e prodhon sipas nevojave të fëmijës në çdo orë e në çdo ditë. Andaj dhe Allahu i lartësuar e detyron të ushqyerit e fëmijës me gji për dy vjet të plotë, dhe thotë:
وَٱلۡوَٰلِدَٰتُ يُرۡضِعۡنَ أَوۡلَٰدَهُنَّ حَوۡلَيۡنِ كَامِلَيۡنِۖ لِمَنۡ أَرَادَ أَن يُتِمَّ ٱلرَّضَاعَةَۚ
“Nënat, ato që duan ta plotësojnë dhënien e gjirit, janë të detyruara që t’u japin gji fëmijëve të vet dy vjet të plota!”[14]
Për këtë arsye nuk i lejohet që ta zëvendësojë atë me ushqim artificial, përderisa e ka qumështin e gjirit. Por nëse nuk i mjafton qumështi i gjirit, atëherë ia shton atë edhe me artificial, e jo t’i zëvendësohet.
Për këtë edhe organizata të shumta botërore, që nga mesi i shekullit të kaluar dhe në këto dy dekada që po jetojmë, thërrasin drejt të ushqyerit natyral të fëmijës me gji.
E drejta e shtetësisë, përcaktimit etnik, fetar e politik
Këto të drejta të fëmijës përcaktohen sipas përcaktimit të prindit, derisa fëmija të arrijë moshën e pjekurisë e që më vonë ai ka të drejtë që të ripërcaktohet për këto gjëra, apo t’i vazhdojë ato. Profeti a.s. ka thënë:
“Çdo fëmijë lind me natyrshmëri të pastër (islame), e më pas prindërit janë ata që e bëjnë atë çifut, apo të krishterë…”[15]
E drejta e kujdesit shëndetësor
Fëmija ka të drejtë për kujdes shëndetësor, vëmendje ndaj të gjitha kërkesave dhe nevojave të tij për një jetë të denjë e të shëndetshme.
E drejta e mbrojtjes
Islami ia ka siguruar fëmijës të drejtën e mbrojtjes dhe është një nga të drejtat më të rëndësishme që duhet t’i jepet fëmijës. Fëmija duhet që të mbrohet nga neglizhenca, keqtrajtimi, abuzimi, ngacmimi, bulizmi, etj… Ndjenja e sigurisë është shumë e rëndësishme për të krijuar një familje të suksesshme. Islami është fokusuar gjithashtu në mbrojtjen e fëmijëve nga luftërat dhe fatkeqësitë.
E drejta e shprehjes dhe pjesëmarrjes
Islami i ka dhënë fëmijës të drejtën për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në një opinion, kështu që ai duhet të dëgjohet.
E drejta e edukimit
Prindërit e kanë detyrim që t’i edukojnë fëmijët e tyre. Po flasim për edukim islam, edukim moral, edukim shoqëror; edukim të mirëfilltë. Prandaj fillimisht kërkohet që prindërit të marrim edukatë e të parapërgatiten e pastaj këtë edukim t’ua përcjellin edhe fëmijëve të tyre, sepse, prindërit janë përgjegjës para Allahut për edukimin e fëmijëve. Fëmija duhet që të edukohet me parimet e Islamit, të mësohet si të sillet me mirësjellje me të tjerët, të mësojë përmendësh Kur’anin Fisnik, të mësojë të falet dhe si të marrë abdes.
E drejta e shkollimit
Po ashtu, prej të drejtave të fëmijës pas lindjes është edhe e drejta e shkollimit. Fëmijët kanë të drejtën e shkollimit, sepse këtë të drejtë ua ka rezervuar Allahu qysh para 15 shekujsh. Të kenë shkollim e përgatitje të duhur në të gjitha fushat e jetës, si dhe përgatitjen profesionale, aty ku fëmija e sheh veten të denjë, ashtu edhe përgatitjen fetare. Pra ka të drejtë për arsimim, duke përdorur metoda moderne dhe të ndryshme
E drejta e ushtrimit të drejtësisë
Prej të drejtave të fëmijëve është edhe e drejta e ushtrimit të drejtësisë me ta. Prindërit e kanë për detyrë që të mbajnë drejtësi mes fëmijëve. Të mos bëjnë dallime mes fëmijëve për nga mosha ose gjinia, sepse kanë përgjegjësi para Allahut. Profeti a.s. thotë:
“Kini frikë Allahun dhe mbani drejtësi mes fëmijëve tuaj.”[16]
Përveçse nëse ndonjë fëmijë ka nevoja të veçanta e specifike. Me një fjalë tjetër duhet të mbahet drejtësi në dhënie, drejtësi në edukim, drejtësi në dashuri, drejtësi në respekt e kështu me radhë.
E drejta emocionale
Fëmija ka të drejtë që të përjetojë ndjenjën se dikush e do atë, dhe është i dashur e i dëshiruar nga dikush si nga prindërit, familja e më gjerë. Pra, kjo e drejtë emocionale, që nënkupton ta duash fëmijën, ta afrosh atë, ta ndiesh kënaqësinë e të pasurit fëmijë, kënaqësinë e kësaj dhurate që ta ka dhënë Allahu. Profeti a.s. thotë:
“Ai i cili nuk mëshiron, nuk do të mëshirohet.”[17]
Kjo është e një rëndësisë të veçantë, sikurse edhe përqafimi e loja. Profeti a.s. ka urdhëruar që fëmijët të përkëdhelen, të puthen, të përqafohen dhe të afrohen, pasi kjo konsiderohet mëshirë për ta.
E drejta e përkujdesjes
Fëmija pas lindjes, duke qenë se është një qenie dobët, ka të drejtën e përkujdesjes për të, të cilën ia ka garantuar Islami. Dhe këtë përkujdesje paraprakisht ua ngarkon prindërve, të drejtë të cilën ua ka rezervuar fillimisht atyre. Ngase fëmija është nga mishi dhe gjaku i tyre, andaj edhe kujdesen më së miri për të, po ashtu edhe i përballojnë më lehtë vuajtjet e mundimet e përjetuara gjatë rritjes së tij. Mirëpo në rast se ndahen prindërit, atëherë nëse fëmija është në moshën e hershme e drejta e përkujdesjes i takon nënës, e më pas kur të rritet, apo nëse nëna e divorcuar martohet, atëherë fëmija kthehet te babai. E në rast se prindërit mungojnë, atëherë këtë përkujdesje e merr përsipër shteti.
E drejta e zhvillimit dhe rendimentit të mirë
Prej të drejtave të fëmijëve është edhe e drejta e ngritjes së rendimentit apo efektshmërisë së fëmijës, sepse, në kohën që po flasim, zhvillimi është shumëdimensional, kështu që duhet të integrohen aftësitë e fëmijës. Profeti a.s. thotë:
“Mësojani fëmijëve tuaj notin dhe shigjetimin!”[18]
Shto këtu edhe shumë vlera të kohës sonë, që mund ta ngrenë rendimentin dhe aftësinë me kurse të ndryshme e në shkathtësi të ndryshme.
E drejta për furnizim e shpenzime
Islami e detyron prindin, veçanërisht familjen, që të sigurojë për fëmijën furnizimet dhe shpenzimet e duhura, në mënyrë që ai të gëzojë një jetë shoqërore të lumtur e dinjitoze. Prandaj, duhet që të sigurohen ushqimi, veshmbathja, strehimi, një vend për edukim dhe të gjitha nevojat e tjera të fëmijës. Ky furnizim duhet të vazhdojë dhe është i detyrueshëm për kryefamiljarin derisa fëmija të arrijë moshën e pubertetit. Deri atëherë kur fëmija do të jetë moshë-rritur dhe i zoti i vetes, i cili përmbush të gjitha nevojat e veta dhe që mund të punojë e të sigurojë të ardhura të përshtatshme.
E drejta për lojë, argëtim e zbavitje
Loja, argëtimi e zbavitja janë të drejta ligjore, që i takojnë fëmijës, me të cilat detyrohen prindërit që t’ia sigurojnë fëmijës. Fëmija duhet që një kohë të caktuar ta kalojë dhe të ndjejë veten komod me lojëra e zbavitje si me prindër, me vëllezër e motra dhe me familjarë tjerë. E tëra kjo në suaza të duhura e në korniza të lejuara etike.
Kujdesi për jetimët
Disa fëmijë mbesin jetimë që në ditët e para të jetës së tyre, duke humbur njërin apo të dy prindërit. Por për të mos mbetur pa përkujdesjen e duhur e të merituar, Islami i detyron të gjithë myslimanët që të kujdesen për këta fëmijë, t’iu sigurojnë atyre të gjitha nevojat e tyre dhe t’u sigurojnë e mundësojnë atyre një jetë të denjë.
Burime:
[1]. Ibrahim, 14:34.
[2]. Shura, 42:49.
[3]. Nahl, 16:58.
[4]. Tekuir, 81:8-9
[5]. Transmeton Ibn Maxhe, nr. 2974. Albani e konsideron hadith sahih.
[6]. Kehf, 18:46.
[7]. Isra’, 17:70.
[8]. Transmeton Muslimi, nr. 1466.
[9]. Transmeton Tirmidhiu, nr. 1084, dhe Ibn Maxhe, nr. 1967. Albani e konsideron hadith hasen.
[10]. Isra’, 17:31.
[11]. Talak, 65:6.
[12]. Bejhekiu, “Shuab el-Iman”, 6/2901.
[13]. Es-Sujutij, “El-Xhamiu es-Sagir”, nr. 2533.
[14]. Bekare, 2:233.
[15]. Transmeton Buhariu, nr. 1385.
[16]. Transmeton Buhariu, nr. 2587.
[17]. Transmeton Buhariu, nr. 6013.
[18]. Es-Sujutij, “El-Xhamiu es-Sagir”, nr. 5460.
Nov 30, 2022 0
Jan 19, 2022 0
Sep 18, 2021 0
Dec 02, 2020 0
Feb 12, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...