Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Feb 12, 2024 Zani i Nalte Kurani dhe shkenca 0
Kurra hfz. doc. dr. Xhevad Shoshiq
Hyrje
Tefsiri voluminoz dhe gjithëpërfshirës i Kurtubiut El-Xhami’ li ‘ahkami’l- Kur’an, i cili ofron gati tekstin e kompletuar interpretues për kuptimin e drejtë të Fjalës së Allahut, meriton vëmendje dhe respekt të posaçëm. Gati të gjitha metodat dhe burimet e komentimit të Kur’anit, të së ashtuquajturës periudhë klasike, nga koha e Pejgamberit (a.s.) e deri në shekullin e shtatë pas Hixhretit, do t’i gjejmë në tefsirin e tij.
Përveç vëzhgimeve të hollësishme sheriato-juridike, ky tefsir i dhuron vëmendje të mjaftueshme transmetimeve tradicionale, shkaqeve të zbritjes së Shpalljes, ajeteve të shfuqizuara dhe shfuqizuese, kiraeteve[1], gramatikës, morfologjisë dhe stilistikës së gjuhës arabe, e jo rrallëherë do të takohemi me poezinë arabe të cilën El-Kurtubiu e shfrytëzon në argumentimin e rregullave gramatikore dhe zbulimin e prejardhjes etimologjike të fjalëve jo të zakonshme kur’anore.
Edhe pse El-Kurtubiu në tefsirin e tij, në masë të madhe, u mbështet në veprat e tefsirit të autoriteteve të mëhershëm nga lëmi e tefsirit, linguistikës arabe dhe së drejtës islame, siç ishin Ibn ‘Atijjeh, Ebu Xha’fer en-Nehhas, El-Mauerdi, Et-Taberi, Ibnu’l-’Arabi, etj., shpirti i tij shkencor shpërfaqet në komente të ndryshme, analiza gjuhësore, rishikime kritike, qëndrime dhe mendime të argumentuara.
Duke u bazuar në veçoritë e përmendura, është e vështirë të gjendet një mufesir serioz, i cili, në librat e tij, të mos i referohet Tefsirit të El-Kurtubiut. Fakti se dijetarët e mëdhenj të shkencës së tefsirit, si Ibn Kethiri, Ebu Hajjani dhe Esh-Sheukani, kanë qenë të mahnitur me El-Kurtubiun, dhe se në veprat e tyre, në masë të konsiderueshme, e kanë shfrytëzuar tefsirin e tij El-Xhami’ li ‘ahkami’l- Kur’an, flet mjaftueshëm se për çfarë gjeniu të interpretimit kur’anur bëhet fjalë.
Biografia
Emri i plotë i Kurtubiut ka qenë Ebu Abdullah Muhammed b. Ahmed b. Ebu Bekr b. Ferh El-Ensari El-Hazrexhi El-Kurtubi. Data e saktë e lindjes së tij nuk është e njohur. Dihet se ka ndërruar jetë më 9 Shevval 671. H., ose 28. prill 1273, në Egjipt. Emërtimin El-Kurtubi e ka marrë sipas vendit të lindjes – Kurtubi (Kordoba).[2]
Lindi gjatë kohës së qeverisjes së dinastisë së muehidëve, më saktësisht gjatë kohës së kalifit Ja’kub b. Jusuf ‘Abdu’l-Mu’min (vdiq në vitin 595/1163). Për mbikëqyrjen dhe edukimin e tij u kujdes babai i tij, Ahmedi. Në burimet historike dhe biografike nuk ka detaje për fëmijërinë e tij. Dihet se babai i tij i është vrarë në njërën nga betejat e kryqëzatave ndërkohë që lëvronte me disa myslimanë në tokën e tij në afërsi të Kordobës.[3]
Kurtubiu, qysh në fëmijëri, arriti të bëhej hafiz i Kur’anit. Kishte prirje për gjuhën dhe poezinë arabe. Edukimin e mori në xhamitë e Kordobës, duke dëgjuar ligjërata prej autoriteteve më të shquar të asaj kohe. Qarqet edukative ishin të organizuara edhe në qendra të tjera të Andaluzisë së atëhershme. Në vise rurale ishin hapur shkollat fillore, kurse në qytete shkolla të larta dhe biblioteka. Institucione të tilla kanë qenë kultivuese të diturisë jo vetëm për Andaluzinë, por edhe për pjesë të tjera të Evropës së atëhershme, duke parë se, studentë nga vendet evropiane, kishin ardhur në qytete të Andaluzisë dhe kishin studiuar shkenca të ndryshme. Nuk dihet me saktësi se cilat shkolla ndoqi Kurtubiu, por mund të thuhet se klima fetare, shoqërore dhe kulturore favorizoi zhvillimin e tij intelektual dhe shoqëror.[4]
Kurtubiu përfitoi nga dituria e shumë mësuesve. Më të përmendurit janë: Ebu Xhafer Ahmed b. Muhammed el-Kajsi, i njohur si Ibn ebi Huxhxhe (vdiq në vitin 643 h.) dhe Rebi’ b. Abdurr-Rrahman b. Ahmed b. Abdurr-Rrahman b. Rebi’ el-Esh’ari (vdiq në vitin 633 h.), ekspertë në lëmin e kiraetit dhe linguistikës arabe, dhe të dy ishin nga Kordoba. Përveç mësuesve, ai kishte në dispozicion edhe vepra të shkruara, që janë ruajtur në bibliotekat e vendit, nga fusha të ndryshme shkencore: tefsir, hadith, gjuhë arabe, poezi, histori, letërsi, etj. Falë mundit dhe interesimit të gjithanshëm shkencor, Kurtubiu u bë një dijetar i ri i diapazonit të gjerë dhe kërkues i madh. Me kalimin në Egjipt, penda e tij do të shndritë me fuqinë e plotë; aty e shkroi veprën e tij jetësore – tefsirin El-Xhami’ li ‘ahkami’l-Kur’an.[5]
Kur erdhi në Egjipt, sigurisht pas rënies së Kordobës në duart e të krishterëve, në vitin 633 h., Kurtubiu fillimisht qëndroi në Aleksandri, pastaj kaloi në Kajro dhe, nga fundi i jetës së tij, u vendos në qytetin El-Munja, ku edhe vdiq.[6]
Kurtubiu jetoi në kohën e dinastisë së muehidëve. Me shfaqjen dhe punën e reformatorit mysliman, Berberit, Ahmed b. Abdullah b. Tumart (1078-1130), i njohur me emërtimin El-Mehdi, u arrit deri te bashkimi i fiseve të ndryshme marokene. Ky ishte fillimi i shfaqjes së dinastisë së muehidëve, themeluesi i së cilës ishte Abdul-Mu’min b. Ali (vdiq në vitin 1163). Kështu u formua kjo perandori, e cila, nën komandën e tij, prej vitit 1144 deri në vitin 1147, do ta shkatërronte deri në themele dinastinë qeverisëse të murabitëve, ndërsa prej vitit 1145 e deri në vitin 1150 ushtria e tij do të çlironte tërë pjesën myslimane të gadishullit spanjoll. Pas kësaj, çlirimet e tij do të zgjeroheshin në Algjeri, Tunizi dhe Tripoli, duke bërë të mundur që i tërë bregdeti i Atlantikut, deri në Egjipt, së bashkë me Andaluzinë, të bashkohej në një perandori.
Pas vdekjes së Abdul-Mu’minit, në fron ishin ndërruar pasardhësit e tij, nga të cilët më i njohuri ka qenë Ebu Jusuf Jakub El-Mensur (1184-1199). Pas ardhjes në pushtet të djalit të tij Muhammed En-Nasirit, në vitin 1212, kishte ndodhur beteja gjykuese në lindje prej Kordobës, e quajtur El-Ukab, në të cilën, aleatët e të krishterëve, me në krye Alfonsin VIII, i kishin shkaktuar humbje të madhe ushtrisë myslimane, pas së cilës pasoi edhe rënia e dinastisë së muehidëve. Spanja ndodhej në gjunjë para pushtuesve. Kordoba ra në vitin 1236, kurse Sevilja në vitin 1248. Dy shekuj pas kësaj vijmë deri te dobësimi i Grënadës, në të cilën kishte qeverisur dinastia e Nasridëve, si pasojë e grindjeve dhe kacafytjeve të emirëve të tyre, e që e përshpejtoi rënien e shpejtë të Grënadës në vitin 1492. Pas kësaj, qeverisja e myslimanëve në Spanjë mori fund dhe pasoi me largimin e myslimanëve nga Gadishulli, ndërsa popullata e mbetur u asimilua dhe konvertua me dhunë.[7]
Në Egjipt dhe Siri myslimanët po ashtu kishin zhvilluar luftëra kundër ushtrive të kryqëzatave. Të udhëhequr nga udhëheqësi ushtarak Salahuddin Ejjubi (1138-1193) myslimanët i shkaktuan humbje të rënda ushtrisë franceze. Në vitin 1187 u çlirua Tiberijada dhe, po në të njëjtin vit, pas luftës në Hittin, u çlirua edhe Kudsi (Jerusalemi i sotëm). Nga fundi i vitit 1189, francezët gati sa nuk ishin dëbuar nga territori i shtetit të tyre. Menjëherë pas kësaj, sundimtarët e Evropës perëndimore u bashkuar dhe e dërguan “ushtrinë e tretë të kryqëzatave” (1189-1192), që rezultoi në rikthimin e qyteteve që kishte çliruar Slahuddini, nën pushtetin e sundimtarëve francezë, duke përfshirë edhe Kudsin (Jerusalemin e sotëm).
Konfliktet e para mes francezëve dhe myslimanëve kanë ndodhur në tokën egjiptiane, gjatë kohës së sundimit të El-Kamil Muhammed (1218-1238). Në luftën kundër francezëve, nga viti 1219 deri në vitin 1221, El-Kamili e kishte çliruar Dimjatin, të cilin e kishin zënë më herët.
Kur në fron erdhi pasardhësi i El-Kamilit, Es-Salih Nexhmud-din Ejjub (1240-1249) mbreti francez Louis IX dërgoi “ushtrinë e gjashtë të kryqëzatave” duke e marrë përsëri Dimjatin. Synimin e kryqtarëve për marrjen Egjiptit e ndaloi murtaja, e cila e shkatërroi ushtrinë franceze në prill të vitit 1250.
Pas vdekjes së Es-Salihut, në vitin 1249, qeverisja kaloi në duart e memlukëve. Memluku i katërt Malik Edh-Dhahir Bejparsi (1260-1277) e filloi serinë e luftërave të cilat i dhanë goditjen vendimtare qëllimeve kryqtare. Përveç kësaj, është mëritë e Bejparsit që Mongolët nuk arritën të depërtojnë në Egjipt dhe ta merrnin atë, duke pasur parasysh disfatën e rëndë që iu shkaktoi tek Ajni Xhalutë, me 3 shtator 1260.[8]
Jeta kulturore dhe shkencore në Andaluzi përjetoi zgjerim në kohën e shtetit të muehidëve (514-668 v.h.). Kjo është periudha e lindjes dhe arritjes kulmore fizike, shpirtërore dhe intelektuale të Kurtubiut.
Muhammed b. Tumart (1078-1130), themeluesi i dinastisë së muehidëve dhe dijetar i njohur i asaj kohe, u përpoq për ngjalljen e lëvizjes shkencore, duke përkrahur të gjitha aktivitetet shoqërore të cilat nxisnin zhvillimin e shkencës dhe jetës kulturore në përgjithësi.[9] Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe pasardhësit e tij politikë e shtetërorë. Posaçërisht kanë qenë të interesuar për zhvillimin e gjuhës arabe, letërsisë dhe poezisë. Kanë themeluar shkolla, biblioteka, institute dhe universitete, kurse mbledhja e koleksioneve private të dorëshkrimeve të vlefshme, dokumenteve dhe librave, ka qenë fisksim si i elitës qeveritare, ashtu edhe i njerëzve të thjeshtë. Janë zgjeruar dhe përhapur shkenca të ndryshme, siç janë: tefsiri, e drejta islame, hadithi, kiraetet, gramatika e gjuhës arabe, stilistika, letërsia, poezia, historia, filozofia, etj. Shumë emra të dijetarëve të asaj kohe duhet të përmenden, si Davud b. Sulejman El-Ensariu (522-621 h.) dhe Muhammed b. Muhammed El-Jahsabiu (561-631) nga fusha e hadithit; Muhammed b. Abdullah El-Abderij (vdiq në vitin 567 h.) dhe Ebu Bekr Muhammed b. Ahmed El-Andalusij (vdiq në vitin 599) nga tefsiri; Ahmed b. Alij El-Ensarij, i njohur si El-Hassar (vdiq në vitin 609 h.) dhe Muhammed b. Hasan b. Halef El-Ensarij, i njohur si Ibnul-Haxh (vdiq në vitin 609 h.) nga kiraeti; Is’hak b. Ibrahim El-Xhaberij (vdiq në vitin 609 h.) dhe Muhammed b. Muhammed b. Seid El-Ishbilij, i njohur si Ibn Zerkun (vdiq në vitin 621 h) nga fikhu; Muhammed b. Alij b. Harufa (vdiq në vitin 609) dhe Abdullah b. Muhammed b. Sa’dun El-Ezedij (vdiq në vitin 622 h.) nga linguistika arabe; Ebu Bekr b. Tufejl (vdiq në vitin 581 h.) dhe Ebul-Uelid b. Rushd (vdiq në vitin 594) nga filozofia, e shumë të tjerë.[10]
Kur Kurtubiu u vendos në Egjipt, në pushtet ishte dinastia Ejjubije. Biografët i karakterizonin prijësit e kësaj dinastie si njerëz të virtyteve morale dhe shumë të interesuar për shkencën dhe letërsinë. Vetë Salahuddin Ejjubi ishte dashamirës i shkencave islame. Së bashku me fëmijët e tij ai i vizitonte xhamitë në të cilat mbanin ligjëratat dijetarët më të shquar të kohës. Pasardhësit e tij, si El-Aziz Uthmani (vdiq në vitin 595 h.) dhe El-Kamil Muhammed b. Melik El-Adil (vdiq në vitin 635 h.), janë interesuar për të drejtën islame, hadithin, gramatikën e gjuhës arabe dhe disiplina të tjera shkencore. Kanë ndërtuar xhami, shkolla dhe biblioteka me qëllim që të avancohej jeta fetare, arsimore dhe kulturore në shtet. E njëjta gjendja ka vazhduar edhe në kohën e sulltanëve Memlukë të cilët kanë qeverisur në Egjipt pas dinastisë Ejjubije.
Prej dijetarëve të asaj periudhe mund të përmendim: Ebul-Hattab Umer b. Hasan El-Andalusij (vdiq në vitin 633 h.) dhe Zekijuddin Abdul-Adhim El-Mundhirij (vdiq në vitin 656 h) nga hadithi; Ibnul-Munir Ahmed b Muhammed (vdiq në vitin 683 h.) dhe Ebu Abdullah Muhammed b. Sulejman El-Mukaddesi El-Hanefij (vdiq në vitin 608 h.) nga tefsiri; Ebu Umer Uthman b. Umer El-Malikij, i njohur si Ibnul-Haxhib (vdiq në vitin 646 h.), dhe Ebu Muhammed Abdullah b. El-Barrij El-Mukaddesij El-Masrij (vdiq në vitin 582 h.) nga linguistika arabe; Ebu Muhammed El-Kasim b. Firruh Esh-Shatibij (vdiq në vitin 590 h.) dhe Ali b. Muhammed Es-Sehauij (vdiq në vitin 643 h.) nga kiraeti; Ebul-Hassan Alij b. Muhammed, i njohur si Ibnul-Ethir (vdiq në vitin 630 h.) dhe Abdurrahman b. Ismail El-Mukaddesij (vdiq në vitin 665 h.) nga historiografia, etj.[11]
Ishte kjo kohë e shfaqjes së veprave të ndryshme të shkruara, enciklopedive dhe arritjeve shkencore nga fusha të ndryshme. Në këtë periudhë edhe Kurtubiu e shkroi komentimin e madh të Kur’anit El-Xhami’ li ‘ahkami’l- Kur’an.
Dr. Muhammed Husejn Edh-Dhehebi, në veprën e tij El-Xhami’ li ‘ahkami’l- Kur’an, thotë për Kurtubiun: “Ka qenë – Allahu e mëshiroftë – rob i mirë i Allahut, dijetar i shquar, i pa interesuar në jetën e kësaj bote, i merakosur me brenga të Ahiretit, i matur në fjalët dhe qëndrimet e tij; ecte në të njëjtat rroba, kurse në kokë mbante sarëk; jeta e tij ishte e mbushur me ibadet dhe krijimtari shkencore; njerëzve u la vepra shumë të vlefshme…”[12]
Historiani i mirënjohur mysliman, biograf dhe dijetar i hadithit, Shemsuddin Edh-Dhehebi, duke e lavdëruar Kurtubiun, shprehet: “Imam Kurtubiu zotëronte dituri të respektueshme dhe aftësi gjithëpërfshirëse shkencore.”[13]
Edhe pse për figurën morale dhe shkencore burimet biografike nuk paraqesin kurrfarë hollësie, për aktivitetin e tij kërkimor afatgjatë dhe erudicionin e theksuar shkencor flasin mjaftueshëm veprat e tij shkencore, të cilat ofrojnë një kontribut të madh për zhvillimin e shkencave islame.
Vepra më e rëndësishme e Kurtubiut gjithsesi është komentimi i tij i Kur’anit. Emërtimi i plotë i kësaj vepre është: El-Xhami’ li ‘ahkami’l- Kur’ani uel-mubejjin lima tedammenehu mines-sunneti ue ajil-Furkan. Përveç Tefsirit, Kurtubiu shkroi edhe këto vepra:
Përveç atyre që u përmendën, Kurtubiu është autor edhe i veprave të mëposhtme:
Kurtubiu, në tefsirin e tij, fokusohet në aspektin normativ të tekstit kur’anor, por, duke marrë shembull nga paraardhësit e tij, Ibn Atijjeh, Et-Taberi, Mekij b. Ebi Talib, etj., është marrë edhe me disiplina të tjera të komentit, si: kiraetet, shkaqet e zbritjes së Kur’anit, poezia arabe, hadithi, semantika e Kur’anit dhe gramatika e stilistika arabe. Kjo do të thotë se Kurtubiu i përkiste atyre mufesirëve të cilët, në tefsirin e tyre, anonin drejt harmonizimit të qasjes tradicionale dhe racionale të komentimit të Kur’anit. Tradita kishte shërbyer si “busull” në qëllime të ndryshme dhe si burim i çmuar i qëllimeve komentuese, kurse ana racionale kishte dhënë impuls të çmuar në të kuptuarit e hapur, të gjerë dhe të detajuar të tekstit kur’anor.
Në planin tradicional, Kurtubiu diku kënaqet me citimin e haditheve të Pejgamberit (a.s.), duke mos hyrë në komentim; ndonjëherë, krahas haditheve, përmend mendimet e tabiinëve, duke preferuar tekstin e hadithit si argument të pakundërshtueshëm në përftimin e normave juridike dhe caktimin e kuptimit juridik të fjalës tematike ose të ajeteve. U përpoq, kur ajo ishte e mundur, për të harmonizuar mendime të ndryshme të komentuesve, duke zbuluar kuptimin e lidhjes së përbashkët të tyre, e cila, në bazë të kritereve të përcaktuara, kishte argumentim më të fortë.
Sa i përket komentimit racional, Kurtubiu mendonte se me koment mund të merret çdo person që përmbush kritere të përgjithshme siç janë, p.sh., njohja e disiplinave pa të cilat nuk mund të kuptohet drejtë mesazhi Kur’anor. Për të vërtetuar saktësinë e qëndrimit të tij, Kurtubiu bazohet në ajete që nxisin njerëzit drejt kuptimit, të menduarit dhe mësuarit të Kur’anit. Një nxitje e tillë do të ishte absurde, mendon Kurtubiu, nëse do të gjykohej interpretimi i mesazhit kur’anor të bazuar në njohjen njerëzore. Përmbajtja e disa sahabëve krahas interpretimeve të kuptimeve të tekstit kur’anor nuk është e detyrueshme për myslimanë të tjerë, posaçërisht nëse kihet parasysh se shumë prej sahabëve dhe tabiinëve, me diturinë, kuptimin dhe komentimin e tyre të Kur’anit, ishin ndriçues të njerëzve, duke zbuluar mesazhet dhe kuptimet e tij. Nëse kuptimi i mesazheve kur’anore do të kufizohej në atë që është thënë në transmetimet nga Pejgamberi (a.s.) dhe sahabët e tij, kjo do të thotë se askush nuk ka të drejtë të flasë rreth Kur’anit përveç asaj që ka dëgjuar dhe lexuar. Komentimi racional mund të kontestohet në dy raste: Rasti i parë – kur komentimi i Kur’anit është paracaktuar me qëndrime njerëzore, paragjykime, nevoja dhe qëllime ideologjike, siç është rasti i shumë lëvizjeve ideologjike dhe sekteve fetare, ndërsa rasti i dytë – kur komentimi i Kur’anit bazohet në kuptimin sipërfaqësor gjuhësor, pa pasur parasysh transmetime tradicionale në lidhje me komentimin e fjalëve kur’anore jo normale dhe vështirë të kuptueshme, ose pa njohje të stilit të shprehjes kur’anore siç është: thukëtia, përmbysja e fjalëve, rënia e fjalive kuptimi i të cilave nënkuptohet, etj. Para së gjithash, komentimi i Kur’anit duhet patjetër të fillojë me transmetim, aty ku është e domosdoshme, me qëllim të shmangies së gabimeve dhe lëshimeve të mundshme në interpretimin e kuptimeve. Më pas, hapet mundësia për ixhtihadin njerëzor. Janë të shumta fjalët kur’anore të cilat nuk mund të kuptohen në mënyrë të drejtpërdrejtë pa transmetim, kështu që nuk duhet të anohet drejt komentimit ezoterik (të brendshëm) para se të shqyrtohet ana ekzoterike (e jashtme) e tekstit kur’anor, shpjegon Kurtubiu.[14]
Kurtubiu, në tefsirin e tij, në mënyrë të vazhdueshme është marrë me analizën gramatikore dhe semantike të fjalëve kur’anore, duke i kombinuar qëndrimet linguistike të Basrës dhe Kufës. Është përpjekur që, parimet gramatikore, t’i argumentojë me vargje të poezisë arabe, pastaj me tekste kur’anore, e aty-këtu me tekste të hadithit, duke mos hyrë në hollësi të analizës gramatikore të fjalive të plota dhe natyrës së tyre stilistike.
Krahas analizave gramatikore, Kurtubiu trajtoi edhe kiraetet, duke shpjeguar aspektin morfologjik, sintaksor ose semantik të divergjencës së tyre.
Te komentimet juridike, Kurtubiu përdori të gjitha instrumentet në dispozicion të tefsirit, duke përfshirë analizën gramatikore të fjalëve të caktuara në ajete tematike, si dhe rikonstruksionin sintaksor në dritën e aplikimeve të ndryshme të kiraeteve.
Përfundim:
El-Xhami’u i Kurtubiut, pa kurrfarë dyshimi, bën pjesë në arritjet më të rëndësishme në kulturën dhe historinë e përgjithshme. Rëndësi e veçantë e këtij tefsiri, përveç atyre që kemi përmendur në këtë punim, është edhe mundësia e ofrimit të prezantimit të përmbajtjes së tij. Komentimet janë të ndara në të ashtuquajtura mes’ele (çështje, pyetje tematike). Numri i mes’eleve (ndonjëherë mbi njëzet) është i renditur sipas përmbajtjes dhe mesazhit të ajetit. Në një mes’ele, për shembull, shqyrtohet aspekti gramatikor i ajetit tematik, në tjetrën ai normativ, në të tretën semantik, në të katërtën ai i kiraetit, në të pestën ai i besimit, në të gjashtën tradicional, etj. Çdonjëri nga këto aspekte, të cilat shfaqen në tefsirin e Kurtubiut, paraqet fushën e posaçme shkencore me rëndësi për kërkim shkencor. Do të përmendim se aspekti i kiraetit të Tefsirit të Kurtubiut ka qenë temë kërkimore e temës sonë të disertacionit me titull: Kiraetet në tefsirin El-Xhami’ li ‘ahkamil-Kur’an. Besoj dhe shpresoj që ky lloj studimi të jetë lëndë e interesimit të hulumtuesve tanë të ri.
Përktheu nga gjuha boshnjake:
Dr. Azmir Jusufi, Prizren
[1]. Mënyrat e ndryshme të leximit të Kur’anit Fisnik, prej të cilave shtatë janë të konfirmuara dhe tre janë plotësuese, pra në total dhjetë, janë të përcjella nga Profeti (a.s.) dhe janë transmetuar brez pas brezi në tekstin kur’anor të grumbulluar nga Osman bin Affani (r.a.), e deri në ditët tona. (shën. red.)
[2]. Ebu Bekr Abdur-Rahman es-Sujuti, Tabakat el-mufessirin, Darul-kutub el-ilmijje, Bejrut, pa vit botimi, vëll. II, f. 69-70.
[3]. Shih: El-Xhami’ li ahkam el-Kur’an, Dar el-Hadith, Kajro, bot. II, 1996, vëll. IV, f. 282.
[4]. Shih: El-Kasabi Mahmud Zalat, El-Kurtubi ue menhexhuhu fi et-tefsir, Darul-kelam, Kuvajt, 1981, f. 9-10.
[5]. Po aty, f. 12.
[6]. Po aty, f. 12.
[7]. Më shumë për ndodhitë e përmendura shih: Filip Hiti, Istorija Arapa od najstarijij vremena do danas, Veselin Maslesa, Sarajevë, 1988, f. 493-497.
[8]. Po aty, f. 583-590.
[9]. Muhammed Uthman, Asr el-murabbitin ue el-muuahiddin fi el-Magrib uel-Andas, Laxhnetu et-te’lif ue et-terxhume ue en-neshr, Kajro, pa vit botimi, f. 65.
[10]. Shih: El-Kurtubi ue menhexhuhu fi et-tefsir, op. cit., f. 65-81.
[11]. Po aty, f. 83-98.
[12]. Dr. Muhammed Husejn edh-Dhehebi, Et-Tefsir uel-mufessirun, Mektebetu el-Uehbeti, Kajro, bot. IV, 1989, vëll. II, f. 437-438.
[13]. Cituar sipas: Muhammed b. Alijj Ed-Davudi, Tabekat el-mufessirin, Daru el-kutub el-ilmijje, Bejrut, pa vit botimi, vëll. II, f. 69.
[14]. Shih: El-Xhami’ li ahkam el-Kur’an, op. cit., vëll. I, f. 47-50.
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...