Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Feb 01, 2024 Zani i Nalte Editoriale, Histori, Studime 0
nga Dorian Demetja
Komuniteti i myslimanëve shqiptarë ka hyrë në vitin jubilar të 100 vjetorit të themelimit të Medresesë së Tiranës, e cila qysh nga fillimi dhe deri në ditët e sotme ka qenë dhe vazhdon të jetë një model i shkëlqyer e frymëzues për shoqërinë shqiptare. Historikisht, si pedagogët ashtu edhe nxënësit e Medresesë së Tiranës, janë vlerësuar për merita të veçanta dhe ndikimin pozitiv që kanë përhapur te të tjerët, duke u bërë në këtë mënyrë shembuj për t’u ndjekur nga pas.
Në Shqipëri, disa shekuj më parë, institucionet mësimdhënëse fetare kanë qenë pranë xhamive dhe në to mësohej kryesisht Kur’ani Famëlartë dhe njohuritë bazë të fesë islame. Kurse për medresetë, si institucione serioze të arsimit kombëtar fetar islam, mund të flasim vetëm pas Shpalljes së Pavarësisë.
Ideja e hapjes së medresesë shtronte nevojën e rishikimit të metodave, hartimit të programeve mësimore dhe përcaktimit të objektivave për edukimin e nxënësve me ndjenja fetare e kombëtare. Medreseja nuk u hap brenda një dite; u desh shumë mund, shumë bisedime, duheshin zgjidhur shumë çështje e nën çështje financiare, duhej siguruar personeli pedagogjik, ambienti i mësimit, literatura mësimore didaktike, etj. Ideatorët, flamurtarët e pastaj nismëtarët e kësaj lëvizjeje për ta çuar përpara problemin, u bënë ata që kishin marrë mësim në shkolla të përparuara të botës islame ose që kishin dhënë leksione ndër kësi shkollash si mësues e pedagogë. Autorë të veçantë prezantonin përvojën personale se si mund të themelohej një medrese në shërbim të Islamit, në shërbim të Atdheut.[1]
Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve në shkresën e datës 2 qershor 1923, i raporton Këshillit të Naltë të Sheriatit mbi ndërtimin e Medresesë:
“1) Sot për sot, pasi pasuria e Xhema’atit Mysliman nuk mund të përballojë shpenzimet që duhen për ndërtimin e Medresesë së Përgjithshme dhe për institutin në fjalë ekziston një nevojë e madhe dhe e ngutshme, mendojmë përsëri se, sa të përmirësohet gjendja financiare e xhema’atit, të merret këtu në kryeqytet me qira një godine e favorshme e të formohet në të medreseja.
2) Në këtë medrese të merren prej çdo prefekture nga 5 nxënës, duke u siguruar shpenzimet e tyre prej vakfit të prefekturave.
3) Mësimet të ndahen në 3 kategori – fillore, lice e universitet dhe periudha mësimore e secilës kategori të jetë 4 vjet.
4) Nxënësit që kanë mbaruar filloren në medrese të vendit, të pranohen në rendin e prapmë të kategorisë fillore.
5) Përveç atyre që do të vazhdojnë studimet me kursimet e vakëfeve të qarkut, të pranohen edhe nxënës të pasur që dëshirojnë të ndjekin mësimet në Medrese, me kusht që të paguajnë shumën e shpenzimeve që u përkasin. Presim vendimin e Këshillit të Naltë të Sheriatit që të nisim marrëveshjet me zyrat e qarkut.”[2]
Në vendimin e Këshillit të Naltë të Sheriatit nr. 52, të datës 4 qershor 1923 citohet: “Këshilli i Naltë i Sheriatit lexoi shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të datës 2 qershor 1923, nëpërmjet së cilës propozohet që të merret një vendim nga ana e Këshillit të Naltë të Sheriatit për pranimin e formimit të një Medreseje të Përgjithshme në Tiranë, sipas konditave të treguara në shkresën e sipërpërmendur, që kështu Drejtoria në fjalë të fillojë pa humbur kohë përgatitjet e duhura. Mbasi u pa i arsyeshëm e i pëlqyeshëm propozimi i lartpërmendur, u vendos pranimi i formimit të Medresesë së sipërtreguar prej tri klasash, e cila do të funksionojë sipas një programi e rregulloreje të posaçme dhe me këtë mënyrë autorizohet Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve për të bërë marrëveshjet e duhura me të gjitha prefekturat për sigurimin e nxënësve si edhe për shpenzimet e duhura, duke njoftuar Këshillin në përfundim.”[3]
Në bazë të vendimit nr. 34, datë 24.02.1924 të Këshillit të Naltë të Sheriatit, numri i nxënësve në Medresenë e Naltë ishte 24, të ndarë në 3 klasa, dhe si drejtor i saj ishte caktuar z. Qamil Bala, anëtar i Këshillit të Naltë të Sheriatit, si dhe mësues e figura të shquara si: H. Ali Korça, Haki Sharofi, Haxhi Mahmud Dashi, Sulejman Kadiu, Haxhi Tahiri, Rexhep Berati, Haki Tefiku, etj.
Medreseja e Naltë në Tiranë u hap më 01.03.1924 me vendim të Kongresit të Parë të Myslimanëve Shqiptarë dhe me lejen e Ministrisë së Arsimit N. 105/1, datë 25.02.1924,[4] për të plotësuar nevojat për kuadro fetarë. Kjo shkollë islame u hap me një personel tërësisht shqiptarë, me programe e organizim bashkëkohor, të hartuara e administruara nga teologë shqiptarë dhe, shpenzimet për ecurinë e saj u përballuan nga të ardhurat e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Fillimisht, Medreseja filloi nga puna në ambientet e ndërtuara në shtëpinë e Haqim Maçit, lagjja Sulejman Pasha[5] (pranë xhamisë së Sulejman Pashës dhe godinës së vjetër të Komunitetit Mysliman). Ndërtesa e specifikuar për Medresenë e Tiranës u përurua më 20.12.1931 në prani të të gjithë elitës së kohës.[6] Inaugurimi i godinës së Medresesë së Tiranës u përshëndet nga kryetari i Komunitetit Mysliman të asaj kohe Dr. Behxhet Shapati dhe figura të tjera të shquara si Mehdi Frashëri, ku ndërmjet të tjerash do të citonte: “Ky qe një sihariq për tërë botën islame shqiptare. Përparimi i vrullshëm për ne shqiptarët është një nevojë e jetës. Medresetë do të jenë foleja e prijësve të fesë islame në Shqipëri, e duhet të konformohen me frymën e shekullit brenda të cilit jetojmë.”[7]
Sipas informacioneve që kalojnë në revistën e parë zyrtare të Komunitetit Mysliman Shqiptar “Zani i Naltë”, të muajit prill 1927, gjendeshin 12 medrese në qytetet: Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Kavajë, Durrës, Tiranë, Krujë, Shijak, Peqin, Elbasan, Korçë dhe Berat.[8] Në kuadrin e riorganizimit të rrjetit arsimor fetar në Shqipëri, në Kongresin e Tretë të Myslimanëve Shqiptarë më 1929, u vendos të suprimohen të gjitha medresetë e qyteteve të lartpërmendura dhe të mbetej vetëm ajo e Tiranës, e cila do të quhej “Medreseja e Përgjithshme”.
Brenda disa vitesh, Medreseja e Përgjithshme e Tiranës formoi fizionominë e vet si një institucion serioz, ku merrej një formim i shëndoshë fetar dhe kombëtar. Ajo që në fillim punoi në bazë të një plani mësimor të nivelit bashkëkohor. Plani mësimor i grup-lëndëve të kulturës së përgjithshme u gërshetua me grup-lëndët që karakterizonin shkollat e mesme shtetërore, licetë klasikë, siç ishin gjuha dhe letërsia që merreshin gjatë gjithë periudhës së studimit dhe kishin përparësi ndaj lëndëve të tjera. Medresistët, duke shfrytëzuar festat fetare e kombëtare, zhvillonin një veprimtari të gjerë jashtëshkollore – shkencore e artistike dhe e prezantonin para një publiku të gjerë.[9] Nga bankat e Medresesë së Naltë kanë dalë figura të shquara të shkencës shqiptare si historiani Vexhi Buharaja, akademiku Shaban Demiraj etj. Disa nga maturantët e parë të kësaj Medreseje që u diplomuan në vitin 1932, pasi kryen studimet e larta, punuan po këtu me përkushtim si mësues apo drejtues të saj.
Rihapja e Medresesë së Tiranës pas çlirimit të vendit
Rihapja e Medresesë së Tiranës pas çlirimit të vendit, u pa me shumë prioritet nga stafi drejtues i KMSH-së, e për këtë, u mor vendim që Medreseja të rifillojë mësimin e rregullt pas disa riparimeve të bëra, për shkak të dëmtimeve nga luftimet. Me të njëjtin vendim u vendos Hafiz Ismet Dibra drejtor i këtij institucioni.[10] Këshilli i Përhershëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me vendim nr. 9, datë 23.05.1945 vendosi që Medreseja e Përgjithshme të çelë dyert e saj më 01 qershor 1945.[11]
Ishte merita e Medresesë së Përgjithshme, e trupit mësimdhënës, veçanërisht e drejtorit të saj, Hafiz Ismet Dibrës, si dhe e kolegëve të tij: Jonuz Buliqit, sheh Qazim Hoxhës, Haki Sharofit, H. Ibrahim Dalliut, H. Ali Korçës, etj., të cilët, me punën e tyre intensive e të palodhur, me shkrimet e veprat e botuara dhe me patriotizmin që i karakterizonte, përgatitën breza studentësh, të cilët u bënë përçues të denjë të Islamit, duke ia rritur njëkohësisht nderin edhe kombit.
Nga regjimi komunist, ashtu si feja e besimi në përgjithësi, edhe Medreseja e Tiranës pati goditje me ashpërsi në rritje, duke nisur me reformën arsimore të vitit 1946, e cila ia kufizoi ndjeshëm lëndët fetare, ndërsa lëndët e kulturës së përgjithshme ia detyroi si të një shkolle profesionale. Pushteti komunist i imponoi me vendim të veçantë një plan-program mësimor, që prekte thellë fizionominë dhe përmbajtjen e saj. Ministria e Arsimit gradualisht u përpoq që programi i shkollës të shkojë drejt laicizmit. “Mbledhja e Ministrisë së Arsimit më 16 tetor 1946, vendosi që shkolla fillore pranë Medresesë të mbyllej, kurse numri i klasave të mesme të reduktohej në 4.”[12]
“Medreseja e Tiranës ishte një institucion, ku merrej paralelisht mësimi i kulturës së përgjithshme dhe të asaj fetare, pa lënë në një anë edukatën e shëndoshë qytetare-fetare. Mësimi në këtë shkollë i pajisi nxënësit me njohuri elementare shkencore, shprehi e aftësi për të argumentuar se çdo gjë në jetë nuk ka ardhur në mënyrë të rastësishme e me evolucion, por me krijim. Këtë e provuam pas viteve ’50, kur shteti gradualisht filloi ndërhyrjen jo vetëm me shkurtimin e fondeve, por edhe me sjelljen e kuadrove laikë të kulturës së përgjithshme, duke larguar ata që ishin emëruar nga Komuniteti Mysliman, me pretendimin se ‘kishin biografi të keqe’. Lënda që binte ndesh me pikëpamjet fetare ishte Darvinizmi.”[13]
Regjimi komunist, shumë drejtues e mësues të Medresesë së Tiranës i përndoqi, i burgosi dhe i dënoi me egërsi. Më 11 dhjetor 1946 arrestohet drejtori i Medresesë Hafiz Ismet Dibra me një arsyetim si kundërshtar politik i regjimit komunist. Edhe nxënësit e Medresesë patën presione të ndryshme, duke i thirrur ata qëllimisht për ushtar apo duke i orientuar që arsimin ta vazhdojnë në shkolla të tjera shtetërore.
Nxënësit filluan të largohen nga Medreseja nga presionet e ndryshme dhe në qershor të vitit 1951 do të merrnin diplomën e Medresesë së mesme vetëm 11 maturantë, sepse e larta nuk po funksiononte më. Në vitin 1955 Medreseja e Tiranës kishte 60 nxënës. Në vitin 1961 numri i frekuentuesve zbret dhe Medreseja e Tiranës kishte 47 nxënës.[14] Në vitin 1964 kishte vetëm 5 maturantë dhe, po atë vit, Medreseja e Përgjithshme e Tiranës mbyllet plotësisht.
Sipas vendimit nr. 1 dt. 22.08.1964 të Këshillit të Përgjithshëm, Medreseja e Tiranës hëpërhë mbyllet për arsye të forta buxhetore dhe se tani për tani ka kuadro të bollshëm.[15] Një goditje e fortë iu dha Komunitetit Mysliman, kur më 27 dhjetor 1965 konfiskohet nga shteti pa asnjë shpjegim godina e Medresesë së Tiranës, duke iu kaluar në dispozicion Fakultetit të Mjekësisë, dega Stomatologji, gjendje e cila vazhdoi edhe pasi vendi kaloi në një regjim demokratik.[16] Kjo frymë ateiste vazhdoi deri në vitin 1990.
Ringritja e Medresesë së Tiranës me fillimin e proceseve demokratike
Etja për të mësuar nga feja ishte shumë e madhe, dhe për këtë, u hapën fillimisht kurse pranë xhamive dhe qendra islame, ku mësoheshin kryesisht elementët bazë të fesë islame. Mbi të gjitha, u hapën 10 medrese, të cilat, pas ligjërimit të Komunitetit Mysliman nga organet shtetërore e juridike, edhe ato u njohën nga Ministria e Arsimit si shkolla të mesme, me të drejta konkurrimi për të vazhduar studimet e larta brenda apo jashtë vendit.
Në shkresën e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë të datës 10.10.1991, me numër 1 të protokollit, drejtuar Myftinisë Tiranë, H. Sabri Koçi citon: “Me vendimin e marrum nga ky Komunitet, është vendosur që në qytetin e Tiranës do të ngrihet shkolla e mesme MEDREZE e emërtueme ‘Haxhi Mahmud Dashi’. Personeli që do të japi mësim në kulturën e përgjithshme, do i sigurohet paga nga ana e këtij Komuniteti simbas orëve dhe normave në fuqi për arsimin e përgjithshëm.”
Në vitet e para, medresetë u përballën me vështirësi të mëdha e serioze që i kapërcyen gradualisht, duke filluar nga mungesa e ndërtesave, e mjeteve didaktike-mësimore, kuadri i kualifikuar mësimdhënës, programet e deri te tekstet mësimore aq të nevojshme. Kërkesa për bazë materiale për shkollat fetare, si banka, katedra, tabela të zeza, etj., dërguar Bashkësisë së qytetit të Tiranës nga H. Sabri Koçi, tregon fare qartë mungesën dhe nevojën e madhe në këtë drejtim.[17]
Puna e përditshme në medrese paraqiste shumë probleme që duheshin zgjidhur, në mënyrë të veçantë gjetja e kuadrit për lëndët e kulturës së përgjithshme dhe sidomos për lëndët fetare e gjuhën arabe. Problemi i lëndëve të kulturës së përgjithshme u zgjidh më shpejt. Për lëndët fetare, medresetë u mbështetën te ish-nxënësit e Medresesë së Naltë të Tiranës, të cilët, megjithëse në moshë, ishin të gatshëm për të zhvilluar mësim. Medresistët, kishin kryer apo jo studime të larta, me përmbysjen e diktaturës, kontribuuan pa rezerva e dhanë ndihmesën e tyre për medresetë e Shqipërisë, rihapjen e xhamive në vend ose u morën me punë të tjera në shërbim të Islamit. Por këtu ndihmuan dhe mjaft kuadro të ardhur nga Kosova dhe Maqedonia. Në një shkresë të Bashkësisë Islame të Kosovës, drejtuar Kryesisë së KMSH nga kryetari Dr. Rexhep Boja, bëhet e ditur caktimi i pesë personave që do të shërbejnë për nevojat mësimore në medresetë e Shqipërisë.[18]
Për ringritjen e Medresesë së Tiranës “Haxhi Mahmud Dashi”, ish-mësuesi i saj z. Ali Hoxha thotë: “Në datën 16.10.1991 Medreseja e Tiranës hap dyert për nxënësit e vitit të parë të arsimit të mesëm. Nismëtarët e rihapjes së Medresesë së Tiranës ishin njëkohësisht edhe mësuesit e saj, Ibrahim Balla, Mehmet Sinella, Xhavit Alimehmeti, Ali Hoxha, Selim Stafa, Xhemal Balla dhe Ismet Tancica. Si përgjegjës për punët e shkollës, zgjidhet fillimisht z. Ibrahim Balla, i cili emërohet drejtor i medresesë një vit më pas nga Komuniteti Mysliman.” Medreseja e Tiranës “Haxhi Mahmud Dashi” u hap fillimisht pranë xhamisë së Kokonozit me një klasë, ku paradite bënin mësim nxënësit nga rrethinat e Tiranës dhe pasdite nxënësit me banim brenda qytetit. Në shtator të vitit 1995, nxënësit fillojnë të bëjnë mësim në godinën e vet historike të Medresesë së Tiranës.
Problemet e arsimit fetar dhe sidomos ai i medreseve, kanë qenë gjithnjë në qendër të veprimtarisë së Komunitetit Mysliman. Për ato janë bërë analiza dhe janë dhënë raporte të vazhdueshme. Në raportin e vitit 1993 theksohet: “Janë hapur e funksionojnë këto dy vjet 10 medrese në Tiranë, Shkodër, Durrës, Kavajë, Berat, Dibër, Korçë, Elbasan, Gjirokastër dhe Kukës. Në këto medrese ka mbi 1000 nxënës dhe 132 mësues… Punë shumë e mirë është bërë nga myftinitë e rretheve për hapjen e funksionimin e kurseve në xhami, ku vazhdojnë mësimet me mijëra fëmijë të moshave të ndryshme, djem e vajza…”[19]
Në planet mësimore të medreseve u përfshinë lëndët e kulturës së përgjithshme të shkollave të mesme të përgjithshme dhe lëndët fetare: Kur’an, Besim, Fikh (Jurispudenca Islame), Tefsir (Komentimi i Kur’anit) Hadith (Tradita profetike), Histori islame, si dhe gjuhët e huaja arabisht e anglisht. Për sa i përket strukturës administrative të medreseve, ato administrohen sipas protokolleve të parashikuara prej Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe fondacioneve përkatëse që i sponsorizojnë.
Sot, falë kujdesit të vazhdueshëm të KMSH-së dhe kontributeve financiare të shoqatave bamirëse e fondacioneve, tashmë Medresetë (të shtrira në qytetet Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Elbasan) kanë siguruar godina të reja e të bukura, mjedise të përshtatshme bashkëkohore për mësim dhe fjetje, laboratorë, biblioteka, palestra, kënde sportive, materiale didaktike e mjete informacioni të fjalës së fundit. Objektivi kryesor i medreseve ka qenë dhe mbetet brumosja e nxënësve me njohuritë e moralin islam, me ndjenja kombëtare e me vizion të qartë për të ardhmen, pajisja me dije të thella e të qëndrueshme që do t’u shërbejnë atyre për të përballuar sfidat e jetës në shoqërinë e sotme demokratike. [20]
Nxënësit e medreseve aftësohen të mësojnë mirë e të njohin thelbin e ajeteve, leximin dhe këndimin përmendësh të Kur’anit, komentet e dijetarëve për ligjet islame dhe hadithet, po kështu të kryejnë praktikat e adhurimeve e detyrimeve fetare. Këto shkolla, në shërbim të ngulitjes e të thellimit të njohurive që marrin nxënësit në klasë, organizojnë javë shkencore, panaire shkencore, projekte në programet mësimore shumë të efektshme për cilësinë. Ata paraqiten mirë edhe në Olimpiadat e MASH për lëndët matematikë, fizikë, kimi, biologji e informatikë, madje shumë mirë në olimpiadat dhe projektet ndërkombëtare.[21]
Stafi mësimor i Medresesë së Tiranës punon shumë që nxënësit t’i shfrytëzojnë aftësitë e tyre jo vetëm për vete, por edhe për familjen, shoqërinë e mbarë kombin. Për këtë qëllim zhvillohen edhe veprimtari praktike orientuese, që nxënësit e Medresesë së Tiranës të dinë të tërheqin në rrugën e drejtë të Islamit edhe persona të tjerë të afërm ose të njohur. Me gjithë vështirësitë e kohës, Medreseja e Tiranës e ruan profilin e saj, duke ofruar për nxënësit arsimin dhe edukimin e duhur të ndërthurur me frymën fetare e kombëtare, mision të cilin vazhdon ta kryejë me përkushtim edhe sot. Aktualisht, Medreseja e Tiranës e vazhdon aktivitetin e saj me 328 nxënës, 201 prej të cilëve janë vajza dhe 127 djem.
Më 17.03.2015, me numër dekreti 8997, ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Bujar Nishani, i ka akorduar Medresesë së Tiranës titullin “Për merita të veçanta civile” me motivacionin:“Si një shkollë e arsimit fetar në Shqipëri, e cila, duke u bërë pjesë e arsimit tonë, përgatiti për disa dhjetëvjeçarë në një nivel të lartë një plejadë teologësh myslimanë, të cilët luajtën një rol parësor në ripërtëritjen e moralit tonë kombëtar.”
[1]. Faik Kasollja, Hoxhallarët, kategori e respektuar e shoqërisë shqiptare, revista “Zani i Naltë”, nr. 8 (161), korrik-gusht-shtator 2014, f. 21-22.
[2]. AQSH, fondi 482, viti 1923, dosja 76, fleta 37.
[3]. AQSH, fondi 482, viti 1923, dosja 3, fleta 74.
[4]. Ceremonia e shpërdamjes së diplomave maturantëve të medreses, revista “Zani i Naltë”, nr. 3-4, nëntor-dhjetor 1932, f. 460.
[5]. Medreseja e Përgjithshme (Universite) e Komunitetit Mysliman, revista “Zani i Naltë”, nr. 5, shkurt 1924, f. 146.
[6]. Inaugurimi i ndërtesës së Medresesë, revista “Zani i Naltë”, nr. 5, janar 1931, f. 111.
[7]. Gjykimet e fundit të z. Mehdi Frashëri mbi Fenë Islame, revista “Zani i Naltë”, nr. 6, shkurt 1932, f. 154-158.
[8]. Salih Vuçiterni, Nji pergjigje Z. Hafis Xhaferit, revista “Zani i Naltë”, nr. 9, prill 1927, f. 275.
[9]. Ali M. Basha, Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1912-1967), Tiranë 2011, f. 93.
[10]. Shyqyri Hysi (Dr.), Muslimanizmi në Shqipëri në periudhën 1945-1950, Tiranë 2006, f. 147.
[11]. AQSH, fondi 482, viti 1945, dosja 3, fleta 9.
[12]. Shyqyri Hysi (Dr.), Muslimanizmi në Shqipëri në periudhën 1945-1950, f. 156.
[13]. Xhemal Balla, Hafiz Mustafa Doraci (1894-1974), Tiranë 2011, f. 31.
[14]. Roald A. Hysa, Persekutimi i klerit mysliman nën regjimin komunist (1945-1967), Tiranë 2022, f. 84.
[15]. AQSH, fondi 482, viti 1964, dosja 6, fleta 1.
[16]. Myzafer Kazazi (Prof. Dr.), Tirana kryeqytet, ndryshimet urbane dhe objektet e kultit musliman, revista “Drita Islame”, nr. 15, shtator 1999.
[17]. Kërkesë për bazë materiale për shkollat fetare – Bashkësisë së qytetit të Tiranës, datë 31.03.1993, arkivi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
[18]. Shkresë, Kryesisë së Bashkësisë Islame Shqiptare, shkëlqesisë së tij Sabri ef. Koçi – Tiranë, datë 11.05.1992, nr. 195/92, arkivi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
[19]. Raport mbi aktivitetin e punës së Komunitetit Mysliman, Tiranë 29.04.1993, arkivi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
[20]. Hiqmet Patozi, Medreseja e Naltë e Tiranës, ëndrra e besimtarëve islamë, revista “Zani i Naltë”, nr. 10 (163), janar-shkurt-mars 2015, f. 105.
[21]. Hiqmet Patozi, po aty.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...