Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Oct 19, 2023 Zani i Nalte Studime 0
Abdullah Bulku
Abstrakt
Trashëgimia kulturore materiale është një ekzistencë që përbën një dimension të rëndësishëm të qenies së njeriut dhe të shoqërisë njerëzore përgjatë gjithë historisë. Në anën tjetër, njeriu, si krijesa më e lartë në këtë botë, që orientohet nga feja si dritë hyjnore, është një qenie me shumë dimensione dhe me aftësinë për të perceptuar dhe krijuar marrëdhënie me të gjitha ekzistencat e tjera. Kështu ruajtja e trashëgimisë kulturore materiale si një subjekt i rëndësishëm për perceptimin e njeriut dhe dimension i shoqërisë njerëzore përbën një problem thelbësor dhe të përbotshëm për qenien e njeriut.
Përpjekjet për të krijuar njeriun e ri, nën regjimin totalitar, gjatë shekullit të kaluar dhe konfuzioni, kriza e vlerave, e probleme të tjera të botës moderne, që kanë karakterizuar periudhën e tranzicionit, e kanë dëmtuar jo pak trashëgiminë kulturore materiale ashtu sikurse kanë ndikuar në zbehjen e aftësisë sonë perceptuese dhe njohëse në lidhje me këtë ekzistencë. Nëse përsiatja dhe reflektimi është pararendës i veprimit, atëherë lind nevoja për të përkufizuar kuptimin dhe rëndësinë që kjo ekzistencë ka për ne, në bazë të botëkuptimit që gjithsecili e percepton dhe e ndërton jetën e tij.
Në këtë punim jemi munduar të japim një qasje të përgjithshme për të kuptuar rëndësinë që ka ruajtja e trashëgimisë kulturore materiale në këndvështrimin islam. Fillimisht trajtohet koncepti i fesë, kulturës dhe marrëdhënia midis tyre. Në vijim trajtohen disa aspekte dhe dimensione që shpalosen nëpërmjet trashëgimisë kulturore materiale, të cilat janë: Njohja e historisë, shumëllojshmëria kulturore, identiteti kulturor dhe kujtesa kolektive. Këtë parime përbëjnë dimensione të rëndësishme të njeriut dhe shoqërisë si ekzistencë dhe ruajtja e tyre lidhet ngushtë me vetë-njohjen dhe emancipimin shpirtëror, intelektual dhe material të shoqërive në harmoni të plotë me natyrën e tyre dhe ekzistencat e tjera. Në pjesën tjetër jemi përpjekur të japim një qasje etike mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore materiale. Fillimisht është bërë një hyrje në lidhje me rrënjët etike të këtij problemi. Në vijim është prezantuar një qasje etike në këndvështrimin islam, duke iu referuar konceptit të përgjegjësisë së njeriut si mëkëmbës i Zotit në tokë.
Hyrje
Njeriu është një qenie e pajisur me natyrën për të bashkëvepruar me njerëzit, gjallesat dhe mjedisin përreth në mënyrë që të plotësojë nevojat e tij në bazë të qëllimeve të caktuara që lidhen me rolin dhe perspektivën e tij për jetën. Si pasojë e këtij bashkëveprimi lindin gjendje të tjera, të cilat prodhojnë veprime me marrëdhënie te reja për të vazhduar jeta dhe çdo qenie të plotësojë nevojat e saj. Nëse veprimet e kafshëve motivohen nga instinktet, të cilat janë reagime në lidhje me gjendje të jashtme, të programuara të vazhdojnë në të njëjtën mënyrë pa ndryshuar, veprimi i njeriut është shumë kompleks. Përveç nevojave apo instinkteve të tij, veprimi është pasojë e një perceptimi të brendshëm. Kjo e bën njeriun qenien më të lartë në univers dhe rolin e veprimin e tij të rëndësishëm në të. Me anë të këtij perceptimi dhe vetë-perceptimit dhe botës përreth, njeriu shpalos veprimtarinë me vullnetin e tij të lirë. Tërësia e këtyre veprimeve në bazë të një koncepti të caktuar në lidhje me njeriun dhe jetën e tij formojnë kulturën. Me kalimin e kohës këto kultura trashëgohen ndër breza dhe fitojnë një natyrshmëri në jetën e shoqërisë, duke krijuar një dimension të ri në qenien e njeriut. Kështu, edhe në kohën kur këto kultura humbin vitalitetin dhe rolin e tyre në vlerat që një shoqëri përfaqëson, ato vazhdojnë të ruajnë një vend dhe ndikim të rëndësishëm në jetën e saj.
Trashëgimia kulturore materiale është një nga format e kësaj kulture. Shenjat e saj janë në çdo vend, shoqëri dhe kulturë. Krahas qenësisë si ekzistencë materiale dhe përvojës që i përket së shkuarës, ato kanë një domethënie shpirtërore për njeriun në çdo kohë, si pjesë e pandashme e historisë dhe rrjedhimisht e qenies së tij. Kështu ruajtja e trashëgimisë kulturore materiale është një domosdoshmëri, duke qenë se përbën një dimension të pazëvendësueshëm të shoqërisë dhe njeriut si qenie sociale. Ruajtja e saj lidhet me ruajtjen e mjeteve me anë të të cilave jeta e njeriut merr kuptim dhe rrjedhimisht mundëson rrugëtimin e tij drejt përsosmërisë.
Marrëdhënia midis fesë dhe kulturës
Feja është një sistem vlerash hyjnore, që orienton njeriun të përsosë moralin e tij për të arritur qëllimin e krijimit dhe ardhjes në këtë botë. Ajo është entitet themelor në jetën e njeriut, duke qenë se është burimi hyjnor që i përgjigjet pyetjeve themelore në lidhje me ekzistencën dhe se si duhet t’i arrijë ato për të gjetur lumturinë e përjetshme. Feja ka qenë pjesë e pazëvendësueshme e shoqërive njerëzore dhe burim i qytetërimeve botërore, që në fillimet e njerëzimit e deri në ditët e sotme. Në lidhje me këtë fenomen Bergson thotë:
“Ashtu siç ka ndodhur në të shkuarën edhe sot mund të gjenden shoqëri pa dituri, art dhe filozofi por nuk mund të gjendet një shoqëri pa fe.”[1]
Fjala kulturë vjen nga latinishtja “colere” që do të thotë lëroj mbjell tokën, punoj dhe “cultura “ është sinonim i kësaj fjale.[2] Në lidhje me kulturën nuk ekziston një përkufizim i pranuar nga të gjithë shkencëtarët. Kultura është një term i ri, i zhvilluar pas rilindjes, për të cilën janë dhënë shumë përkufizime të ndikuar nga qëndrime të ndryshme filozofike dhe faktorë të ndryshëm social-politikë.[3] Si përkufizim klasik mund të thuhet se kultura është një tërësi komplekse që përfshin njohuritë, artin, moralin, doket e zakonet, si dhe të gjitha aftësitë të cilat i fiton njeriu, si pjesë e shoqërisë.[4]
Për fjalën kulturë në gjuhën arabe përdoret termi thekafeh që ka domethënien: talent, afinitet, art i hollë, art i bukur dhe emocionues, udhëheqja e potencialit logjik në pajtim me disa kritere, baraspeshë në forcën e të menduarit, përsosuri njerëzore, stolisje, edukim apo stërvitje e njeriut sipas vlerave të larta ku synohet përsosuria.[5] Krahas kuptimit leksikor duhet theksuar se ky term është importuar nga qytetërimi modern i zhvilluar pas rilindjes. Në terminologjinë islame, apo edhe në mendimin e Ibn Haldunit, nuk e gjejmë të përdorur një term të tillë.
Në këtë shkrim në lidhje me kulturën do t’i referohemi termit “Urf”[6]. Në enciklopeditë klasike të literaturës islame Urf-i përkufizon veprat të cilat feja dhe logjika e njeriut i konsideron të mira[7] dhe gjithashtu arritjen në një konsensus mes njerëzve për t’u konsideruar të tilla.[8] Urf-i gjithashtu është një term i cili korrespondon me kulturën apo traditat[9] në shkencën e jurisprudencës islame. Ai është një nga burimet që merret për bazë në nxjerrjen e gjykimeve në këtë shkencë. Ndërsa parimet fetare janë të pandryshueshme dhe të përbotshme, në gjykimet fetare merren parasysh karakteristikat e shoqërive apo situatave përkatëse për të arritur në qëllimet përfundimtare që synojnë këto parime.[10]
Duke iu referuar kuptimeve etimologjike të këtij termi[11] mund të thuhet se kultura është produkt i aktivitetit njohës shpirtëror dhe intelektual të njeriut që përfshin të gjithë qenien e tij. Ky aktivitet nuk është thjesht një prodhim i instinkteve apo reagimeve ndaj jashtësisë, por një akt i cili buron nga perceptimi i jashtësisë nga brendësia e qenies së tij.[12] Formimi i kulturës është një aktivitet që ka si burim kryesor parimet që burojnë nga shpallja hyjnore. Kështu prodhimi i kulturës krahas ndërtimit të kësaj bote sipas një rendi dhe harmonie të caktuar, është një aktivitet që e edukon njeriun drejt përsosmërisë morale, për t’u afruar më shumë me Zotin.
Kultura dhe feja janë dy ekzistenca me funksione të ndryshme që ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Në historinë e njerëzimit, në kultura të ndryshme, shikohen nuanca të fesë në jetën shoqërore, traditat, artin, arkitekturën, etj. Ndërsa kulturat i japin fesë gjuhën e tyre, fetë i japin një kuptim të fundmë çdo kulture.[13] Studiuesi Ali Bullaç, kur flet për formimin e kulturës në këndvështrimin islam rendit këto burime: fenë, mjedisin natyror dhe trashëgiminë historike e kulturore të shoqërisë. Feja është burimi parësor i njohurive që frymon te njeriu një perceptim dhe botëkuptim për jetën, ndërsa burimet e tjera janë ekzistenca të domosdoshme të cilat përcaktojnë natyrën, veçoritë dhe karakteristika të caktuara të shoqërive në përgjithësi apo edhe individëve në veçanti.[14]
Bashkëveprimi i fesë me kulturën është një proces i natyrshëm në jetën e një shoqërie. Feja nuk mund të shprehet pa kulturën, ashtu sikurse nuk mund të reduktohet në kulturë. Feja, si udhërrëfyese për njeriun, ofron një perspektivë për ndërtimin e jetës individuale dhe shoqërore. Si pasojë e jetësimit të fesë, lind fenomeni i bashkëveprimit të saj me kulturën. Kështu kultura e shoqërisë, nevojat e saj dhe komunikimi me kulturat e ndryshme janë elementet me të cilët feja bashkëvepron për të mundësuar komunikimin me njeriun për ta udhëzuar atë drejt së mirës. Për shembull, nëse do t’i referohemi qytetërimit islam, do të vëmë re se ai karakterizohej nga njohja e shumëllojshmërisë së kulturave në bazë të unitetit të parimeve që ato përfaqësonin. Ky realitet, ku parimet fetare ndërthureshin me kulturën dhe traditat e popujve përkatës shpaloset që nga normat juridike deri tek arti dhe arkitektura. Kjo qasje ishte një ndër arsyet që i mundësoi qytetërimit islam të zhvillohej, përhapej dhe të përfaqësonte vlera të cilat e bëjnë ndër qytetërimet më të larta.[15]
Bashkëveprimi midis fesë dhe kulturës është një proces kompleks dhe shumëdimensional. Një fenomen me të cilin njerëzit janë përballur në kohë të ndryshme gjatë historisë është kur kultura ka marrë rolin e fesë dhe anasjelltas. Kjo ka ndodhur kur nuk është njohur qartë kultura, feja dhe marrëdhënia midis tyre apo këto janë adaptuar për interesa të caktuara. Për shembull, në fetë lokale vihet re një mbizotërim i kulturës kundrejt fesë. Kështu feja i shërben mentaliteteve të caktuara dhe përdoret për t’i shërbyer klasave sunduese të shoqërisë.[16] Në rastin e mbizotërimit të fesë mbi kulturën ndodh kur kuptimi thelbësor i fesë, i cili është universal, reduktohet në një kohë dhe vend të caktuar dhe monopolizohet një interpretim i vetëm në kohë dhe vende të ndryshme.[17]
Pse duhet ruajtur trashëgimia kulturore materiale
Trashëgimia kulturore materiale
Me trashëgiminë kuptohet përcjellja dhe të trashëguarit e diçkaje nga e shkuara në të tashmen. Pra, të trashëguarit e pasurisë intelektuale dhe shpirtërore të brezave të mëparshëm, të shprehur në forma të ndryshme, quhet trashëgimi kulturore. Trashëgimia kulturore ndahet në atë jo materiale e cila konsiston në traditat, artet, historinë gojore, praktikat sociale, mjeshtërinë tradicionale, ritualet që janë praktikuar një shoqëri. Forma tjetër është trashëgimia kulturore materiale. Kjo trashëgimi konsiston në artefaktet materiale siç janë veprat artistike, ndërtesat, monumentet kulturore, etj.[18] Trashëgimia kulturore materiale është objekt studimi për shumë shkenca si arkeologjia, antropologjia, dhe sociologjia.
Trashëgimia kulturore dhe studimi rreth saj është një fushë relativisht e re studimi, ku fillesat i ka në shekullin e XVIII. Në literaturën islame nuk gjejmë një referencë të qartë për nocionin e trashëgimisë kulturore. Por duhet theksuar se trashëgimia kulturore ka qenë ruajtur nëpërmjet parimeve si: toleranca kundrejt shumëllojshmërisë kulturore, ruajtja e burimeve njohëse, promovimi i zhvillimit dhe ndalimi i shkatërrimit.[19]
Nëse kthehemi në historinë islame, që në kohën e Profetit Muhamed a.s., është konsideruar e obligueshme ruajtja e trashëgimisë kulturore materiale ku janë ruajtur ndërtesa apo objekte të kultit që i përkisnin besimeve të tjera.[20] Gjithashtu, në ligjet e luftës, ndër të tjera, ndalohej dëmtimi i trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendeve në të cilat luftohej.
Njohja e historisë
“Lexo”, është fjala dhe urdhri i parë që Zoti iu drejtua njeriut në Kur’anin Famëlartë. Njohja është akti më i lartë që e karakterizon qenien njerëzore, e cila kulmon me gjendjen më të lartë me përjetimin e njohjes së Zotit. Burimet e njohjes mund t’i ndajmë në dy grupe: shpalljet hyjnore dhe njohuritë që përfton njeriu nga vëzhgimi i “librit të natyrës” nëpërmjet të cilit shpalosen cilësitë dhe ligjet e Zotit në këtë botë.
Historia si objekt studimi përbën një nga burimet më të rëndësishme për njeriun në këtë botë. Së pari është e rëndësishme sepse jeta e njeriut nuk mjafton për të njohur të gjitha ligje natyrore në lidhje me jetën individuale dhe shoqërore.[21] Së dyti, sidomos në kohët moderne, ajo është një burim i rëndësishëm me anë të së cilës njeriu njeh shoqërinë, natyrën dhe ligjet e saj. Kështu njohja e historisë i mundëson njeriut vetë-njohjen; pra të njohë njeriun si qenie dhe natyrën e tij[22] ku kjo konsiderohet si grada më e lartë e diturisë në fetë dhe filozofitë e ndryshme.
Allahu i Madhëruar në lidhje me njohjen e historisë së popujve të mëparshëm i drejtohet njeriut duke thënë:
“A nuk kanë udhëtuar nëpër botë e të shohin si kanë përfunduar ata para tyre?”[23]
“Edhe Musanë e dërguam me argumentet tona: “Nxirre popullin tënd nga terri në dritë dhe tërhiqu vërejtjen për ditët e Allahut! “Në këtë ka, me të vërtetë, argumente për secilin durimtar mirënjohës.”[24]
“Prandaj sot do ta shpëtojmë vetëm trupin tënd që t’u shërbejë atyre që vijnë pas teje si argument. Megjithatë, shumë njerëz janë indiferent ndaj argumenteve tona.”[25]
Koncepti i historisë ka një përdorim të gjerë në literaturën islame. Një pjesë e Kur’anit Famëlartë përbëhet nga fragmente ngjarjesh nga historia. Këto fragmente në të cilat nxirren në pah karaktere, gjendje dhe marrëdhënie të caktuara midis njerëzve shoqërohen me përçimin e normave morale. Qëllimi në këto fragmente nga historia është që njeriu, duke njohur ‘ligjet e Zotit’ në shoqëri, të udhëzohet në ndërtimin e një jete të virtytshme individuale dhe shoqërore.
Duke u nisur nga ky qëndrim, në historinë e mendimit islam është formuar dhe zhvilluar etika në lidhje me historinë. Fjala ‘tarih’ që në gjuhën arabe përkthehet si histori ka hyrë më vonë nga greqishtja e vjetër. Ibn Halduni në veprat e tij për të shprehur historinë përdor termin ‘ibar’. Duke iu referuar kuptimeve etimologjike dhe përdorimeve të këtij termi në lidhje me historinë ai shërben si një urë lidhëse midis historisë dhe urtësisë. Pra studimi i historisë është një fushë që edukon njeriun për të kuptuar ligjet morale në historinë e njerëzimit.[26] Mësimi i saj i saj nuk përbën thjesht tregimin e ngjarjeve nga e shkuara por është një shkencë e kulturës me anë të së cilës studiohen shoqëritë. Sipas Ibn Haldunit, me studimin e aspektin të brendshëm të historisë mund të arrihet njohja e natyrës, zhvillimeve dhe origjinave e shkaqeve që shkaktojnë gjendje të caktuara në shoqëri.[27]
Në qytetërimin islam historia ishte një burim maturie e vizioni dhe material i dobishëm për formimin e shkencave praktike. Të frymëzuar nga parimet hyjnore, mendimtarët myslimanë i këshillonin sundimtarët që të mësonin nga eksperienca e së shkuarës, duke iu referuar ngjarjeve që kanë ndodhur në kohë dhe regjime të caktuara, në mënyrë që të ndërtonin qasjet dhe teoritë e caktuara politike.[28]
Kështu nën dritën e këtyre parimeve mund të thuhet se trashëgimia kulturore materiale është burim njohjeje dhe objekt studimi për historinë. Qenësia e saj është një dimension i rëndësishëm i shoqërisë dhe i njeriut si qenie sociale me një përvojë të shkuar. Ruajtja e saj është një element i rëndësishëm i procesit të vetë-njohjes së njeriut për të kuptuar qenien e tij, raportin me qeniet tjera dhe për të mundësuar zhvillimin shpirtëror, intelektual dhe material të shoqërisë.
Shumëllojshmëria kulturore
Historia e njerëzimit përbëhet nga një larmi vlerash të shprehura nga shoqëri të caktuara në kontekste të ndryshme. Çdo shoqëri ka arritur t’i shprehë vlerat kulturore sipas natyrshmërisë së saj. Këto vlera kulturore, të njëjta apo të ndryshme, përbëjnë një element të përsosjes së mozaikut kulturor që është formuar përgjatë historisë së njerëzimit. Kështu shumëllojshmëria kulturore përbën një parim të rëndësishëm të marrëdhënieve ndërmjet shoqërive.
Larmishmëria në thelb është një parim i Zotit në krijim, i cili reflekton edhe te krijimi i njeriut. Allahu i Madhëruar thotë:
“O njerëz, Ne ju kemi krijuar juve prej një mashkulli dhe një femre dhe u kemi bërë popuj e fise që ta njihni njëri-tjetrin. Më fisniku tek Allahu është ai i cili më së shumti i ruhet Atij; Allahu, me të vërtetë, është shumë i dijshëm dhe i informuar mirë.”.[29]
“Nga argumentet e tij është edhe krijimi i qiejve dhe tokës, llojllojshmëria e gjuhëve tuaja edhe e ngjyrave tuaja; këto janë, njëmend, mësime për ata që dinë.”[30]
Ashtu si në krijimin e universit, larmishmëria ndërmjet njerëzve dhe mirësitë të cilat i ofron njeriut, tregohet si një shenjë për madhështinë dhe përsosmërinë e krijimit të Zotit dhe është një shenjë me anë të së cilës njeriu duhet të njohë Atë. Larmishmëria në gjuhë, ngjyrë, tradita, fe, prirje dhe aftësi ka për qëllim njohjen dhe bashkëpunimin duke qenë se lind nevojën e njerëzve për njëri-tjetrin për të plotësuar nevojat dhe përgjegjësitë e tyre.[31]Si rrjedhojë, mund të thuhet se shumëllojshmëria kulturore në parim përputhet me natyrën e krijimit të njeriut dhe universit.
Allahu i Madhëruar në një ajet tjetër thotë:
“Dhe sikur të kishte dashur Allahu, Ai do t’ju kishte krijuar vetëm një popull, por Ai do t’ju sprovojë me atë çka u jep, prandaj bëni gara për vepra të mira! Te Allahu do të ktheheni të gjithë dhe Ai do t’ju informojë për atë çka keni kundërshtuar.”.[32]
Shumëllojshmëria kulturore është një sprovë për njeriun. Ndryshimet që i karakterizojnë grupet shoqërore me të cilat ato identifikohen kthehen në shkaqe me të cilat njerëzit largohen apo armiqësohen. Gjatë historisë shumë luftëra të padrejta janë bërë në emër të fesë apo kulturës, etj. Megjithëse këto ekzistenca nuk promovojnë diçka të tillë, mosnjohja e tyre dhe epërsia e dëshirave dhe pasioneve mbi shpirtin dhe mendjen ka çuar në përfundime të tilla. Njohja dhe pranimi i larmishmërisë zhvillon te shoqëria modestinë dhe largimit nga fanatizmi. Kështu, si shumë shenja të tjera në krijimin e Zotit edhe larmishmëria shërben si mjet për përsosjen e moralit të njeriut.
Shumëllojshmëria kulturore ndihmon grupet shoqërore për t’u mbrojtur nga teprimet e mundshme.[33] Një prej shfaqjeve të saj është fanatizmi fetar, kulturor apo kombëtar. Krahas vlerave që këto kanë në vetvete, te Zoti nuk ka vlerë përkatësia ndaj një grupi të caktuar por afërsia te Zoti ku gjykimi mbi këtë të fundit i përket diturisë së Tij. Shembuj të shumëllojshmërisë kulturore i gjejmë në qytetërimin islam ku promovimi i një tolerance shpirtërore dhe intelektuale, që reflektonte në fenomene si harmonia, bashkëjetesa dhe respektimi i të drejtave të popujve me përkatësi fetare dhe kulturore të ndryshme dhe pranimin e promovimin e diturive të ndryshme siç ishte edhe filozofia greke. Kjo tolerancë kundrejt shumëllojshmërisë kulturore ndikoi në zhvillimin, jetëgjatësinë dhe pranimin e këtij qytetërimi nga popujt e tjerë.
Promovimi i shumëllojshmërisë kulturore nuk duhet të çojë në zbehjen dhe shuarjen e identitetit të një shoqërie. Kjo qasje haset në rryma si postmodernizmi, sipas së cilës të vërtetat janë njëkohësisht të shumta dhe relative. Edhe pse në pamje të parë kjo qasje eliminon përplasjet kulturore dhe promovon paqen, në thelb njeriu nuk gjen paqen me qenien e tij, sepse ai gjithmonë kthehet te nevoja për kuptim dhe siguri në lidhje me kuptimin e jetës dhe rrjedhimisht për një shoqëri që i ndërton vlerat mbi bazën e këtij perceptimi.[34]
Kështu mund të thuhet se shumëllojshmëria kulturore përbën një dimension të rëndësishëm të qenies së njeriut dhe shoqërisë. Ai lind nevojën e një komunikimi të thellë dhe njohës mes grupeve shoqërore. Si rrjedhojë, sjell njohjen e vetes dhe të tjerëve dhe rrjedhimisht të përbashkëtave dhe veçorive që janë shprehje e pasurive të vlerave apo mungesës së tyre. Kështu me komunikimin e kulturave shoqëria, në bazë të një etike të caktuar, shkëmben vlera që duke u sintetizuar me kulturën përkatëse i shton vlerat e saj dhe rrjedhimisht ndihmon shoqërinë në rrugëtimin e saj drejt përsosmërisë morale.
Trashëgimia kulturore materiale është një element që shpreh kultura të ndryshme të cilat reflektojnë shumëllojshmërinë kulturore që karakterizon historinë e njerëzimit. Larmishmëria dhe shumësia e vlerave të shprehura në mënyra të ndryshme përbëjnë një dimension të rëndësishëm në jetën e shoqërive njerëzore. Qenësia dhe ruajtja e kësaj trashëgimie në jetën e shoqërisë si pasuri e së shkuarës përbën një element njohës dhe udhërrëfyes për komunikimin dhe përvetësimin e vlerave që shpalosin këto shoqëri.
Identiteti kulturor
Njeriu është një qenie me natyrë sociale. Ai ka nevojën e shoqërizimit dhe përkatësisë për të plotësuar kërkesat shpirtërore dhe intelektuale. Identiteti kulturor nënkupton vetëdijen e përfaqësuesve të një grupi e cila u mundëson atyre të vetë-përcaktohen, t’i përcaktojnë grupet e tjera dhe të mbajnë qëndrime lidhur me to. Gjuha, besimi, traditat, arti dhe vlerat që lidhen me to përbëjnë elementë e identitetit kulturor.[35]
Çdo ‘unë’ është dhe ka nevojë të jetë pjesë e një ‘ne’. Kështu që njeriu për të zhvilluar personalitetin e tij ka nevojë për një identitet ku potencialet individuale të kombinohen me krijimin marrëdhënieve me shoqërinë.[36] Në anën tjetër ky identitet nuk duhet të mbizotërojë duke penguar zhvillimin e potencialeve shpirtërore dhe intelektuale të individit.[37]
Në këndvështrimin islam koncepti i “urf-it “ pra kultura apo traditat e një vendi ka një rëndësi të veçantë. Kur’ani Famëlartë është një libër universal, për të gjithë kohët dhe popujt por ai ka zbritur në “gjuhën “ e njeriut të një kohe të caktuar. Kështu Imam Shatibiu thekson se për komentuesin e Kur’anit një ndër fushat që duhet njohur janë traditat e arabëve të kohës kur është zbritur Kur’ani në lidhje me fjalët, veprat apo zakonet e ndryshme.[38]
Në çdo fe apo filozofi kultura dhe traditat janë një element i rëndësishëm që merret parasysh në përcaktimin e ligjeve. Në Jurisprudencën Islame tradita është një nga burimet e nxjerrjes së gjykimeve. Ajo shpreh një marrëveshje të caktuar të një shoqërie për një kohë relativisht të gjatë në lidhje me çështje të caktuara. Roli i traditës ndryshon në bazë të situatës. Ajo është një prej burimeve të gjykimit në bazë të së cilës ndryshojnë edhe gjykimet fetare.[39]
Në jetën e Profetit Muhamed a.s. mund të shikohen tre qëndrime në lidhje me traditat të cilat janë refuzimi, pranimi dhe përmirësimi. Traditat që binin krejtësisht në kundërshtim dhe parimet islame u refuzuan siç ishin disa lloje të martesave apo adhurimeve. Një pjesë e traditave u pranuan siç ishin traditat e shpërndarjes së ushqimit nga hashimitët për vizitorët e Qabes. Një pjesë e traditave u përmirësuan, duke u pastruar nga pjesa qe binte në kundërshtim me parimet islame.[40]
Kështu mund të thuhet se në këndvështrimin islam, identiteti kulturor është pjesë e përbërëse e shoqërisë dhe një dimension i rëndësishëm i saj. Njohja dhe bashkëveprimi i saj nën dritën e parimeve të caktuara etike është një domosdoshmëri për emancipimin dhe zhvillimin shpirtëror e intelektual të shoqërisë.
Njeriu ka një lidhje të natyrshme dhe të ngushtë me natyrën e vendit dhe kulturën të cilën jeton. Ibn Halduni shpjegon se si natyra fizike përcakton veçoritë fizike dhe psikike të njeriut dhe në anën tjetër potencialet e tij në formimin e kulturës.[41] Ai thekson se si pasojë e lidhjes së natyrës së njeriut me natyrën e kulturës ka një lidhje të ngushtë midis qenies së tij dhe kulturës së prodhuar. Në anën tjetër çdo bashkësi njerëzore në bazë të kulturës dhe perceptimit të saj për qytetërimin ndërton jetën në këtë botë. Trashëgimia kulturore materiale e shprehur nëpërmjet teknologjisë, qytetit, urbanistikës, arkitekturës shpreh vlerat e përvetësuara nga shoqëria në bazë të këtij perceptimi.[42] Ajo është një mishërim i botëkuptimit mbi jetën dhe e natyrës e veçorive unike që e karakterizojnë një shoqëri. Ruajta e saj lidhet ngushtë me njohjen e identitetit dhe një përvoje të shoqërisë mbi të cilën ndërtohet ekzistenca e saj.
Krahas kësaj duhet theksuar se gjatë historisë, shoqëritë njerëzore kanë komunikuar vazhdimisht me njëra-tjetrën. Faktorët e këtij komunikimi kanë qenë si pasojë e qytetërimit që është realizuar nëpërmjet edukimit, shkencës artit ashtu edhe e mosmarrëveshjeve, pushtimeve, etj. Kështu origjina e trashëgimisë kulturore materiale mund të jetë e ndryshme dhe të shprehë ndikimin e një qytetërimi të caktuar. Por, krahas faktorëve të jashtëm, një kulturë nuk mund të mbijetojë, të përvetësohet dhe të ketë një rol në jetën e një shoqërie nëse nuk ka një pajtueshmëri shoqërore.[43] Nëse një kulturë ka bashkekzistuar me një shoqëri do të thotë se ajo është pranuar dhe ka fituar një natyrshmëri në jetën e saj. Kështu mund të thuhet se trashëgimia kulturore materiale buron nga një perceptim i brendshëm dhe qëllimi i formimit të saj është deklarimi i një identiteti nga shoqëria që është një nevojë e qenies së njeriut. Pavarësisht origjinës apo larmishmërisë që e karakterizon, ruajtja e trashëgimisë kulturore materiale lidhet ngushtë me identitetin kulturor të një shoqërie.
Kujtesa kolektive
Çdo shoqëri ka nevojë për bashkëpunim dhe elemente unifikimi për formimin e kulturës dhe zhvillimin e saj në nivele më të larta. Kujtesa apo memoria e përbashkët është një element i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit. Ajo bashkon shoqërinë për të ruajtur dhe promovuar vlerat e përbashkëta. Në këtë kontekst Durheimi (Durkheim) përdor termin ‘kujtesë sociale’ si një element themelor në ruajtjen e gjallërisë së shoqërisë. Sipas tij çdo shoqëri ka një lidhje të pamohueshme me të shkuarën dhe promovon një ndjenjë të vazhdimit të saj.[44] Nxënësi i tij Mauris Halbauk (Maurice Halbewachs) i cili përdor termin ‘kujtesë kolektive’ thekson se ka një lidhje të kujtesës sonë me shoqërinë. Sipas tij çdo kujtesë individuale formohet në komunikimin me të tjerët ku shoqëria në fjalë ka imazhe të përbashkëta unifikuese.[45] Kështu kujtesa kolektive mundëson lidhjen midis brezave dhe rigjallërimin e vlerave që përcaktojnë identitetin e shoqërisë në të tashmen. Ajo është një element që mundëson bashkimin e shoqërisë dhe zhvillimin e saj në kultura më të larta. Në këtë kontekst mund të përmendet se shumë shoqëri të vogla dhe të pafuqishme kanë ruajtur identitetin e tyre nëpërmjet trashëgimisë kulturore të përbashkët. Ajo ka prodhuar një ndërgjegje kolektive nëpërmjet eksperiencës historike të përbashkët.
Në trashëgiminë islame mund t’i referohemi termit “asabijet” të Ibn Haldunit si një koncept i përafërt me kujtesën kolektive për nga natyra dhe qëllimi i tij. Koncepti i “asabijetit” nga studiuesit modern është kuptuar si ndjenjë e përbashkët, vetëdije kolektive, ndjenjë bashkëpunimi, shpirti i shoqërisë, etj. Arnold Toynbee e përkufizon si forma e parë shpirtërore e shoqërisë, meqenëse prej saj kanë lindur të gjithë institucionet politike dhe shoqërore.[46]
Sipas Ibn Haldunit kujtesa kolektive apo solidariteti grupor (sipas studiuesit Muhsin Mahdi), është dinamika kryesore që mundëson ndryshimin dhe zhvillimin e kulturës. Si pasojë e saj njerëzit kanë pranuar përgjegjësi dhe detyrime të përbashkëta dhe janë tubuar rreth një ideali të përbashkët, duke shfaqur forcën edhe epërsinë e tyre.[47] Mbijetesa dhe fuqia e një shoqërie qëndron në fuqinë e solidaritetit grupor. Forma primare e tij që shpreh konsensusin veprimor të anëtarëve të grupit është lidhja fisnore. Gjatë evoluimit të një shoqërie sunduese kjo dinamikë ndryshon dhe zhvillohet, duke filluar që nga solidariteti natyral, ai i formuar me anë të perceptimeve racionale dhe me anë të ligjeve hyjnore të cilat përkojnë me qeveritë primitive, racionale dhe ligjore .[48] Ndër llojet e solidaritetit Ibn Halduni thekson se ai që buron nga feja është më i fuqishëm, duke qenë se feja është më gjithëpërfshirëse dhe krijon më shumë imazhe të përbashkëta.[49]
Kujtesa kolektive është një dimension i pandashëm i çdo shoqërie. E shkuara e përbashkët përbën një dinamikë kryesore që mundëson ruajtjen e ekzistencës dhe zhvillimin e shoqërisë dhe solidaritetin ndërmjet individëve. Kështu kujtesa kolektive është një element që lidhet me mënyrën se si njeriu ndërton vetëdijen për të shkuarën, për të kuptuar të tashmen dhe për të hedhur hapa më të sigurt në të ardhmen e panjohur.
Trashëgimia kulturore materiale është një nga format ku shprehet më mirë kujtesa kolektive e një shoqërie, duke filluar nga materialet dhe objektet kulturore deri te qyteti i cili është organi më i mirë i kujtesës që ka arritur të krijojë njeriu.[50] Kjo trashëgimi ka një rol themelor për njohjen dhe vlerat që përcjellin në hapësirën fizike të një shoqërie, duke qenë se paraqitja e tyre në tre dimensione dhe mundësia e përjetimit dhe njohjes me të gjitha shqisat nuk mund të zëvendësohet me asnjë formë tjetër. Në aspektin psikologjik, objektet kulturore shprehin një identitet të caktuar, krijojnë një lidhje të nën-ndërgjegjshme me njeriun dhe përcjellin mesazhe të caktuara për ta.[51] Ata lidhen me ndjenjën e përkatësisë te njeriu, duke krijuar një rehati në aspektin psikologjik me anë të cilës njeriu ndjehet si në shtëpinë e tij.[52] Kështu trashëgimia kulturore, si reflektim i dimensionit social të qenies së njeriut, përbën një rol aktiv në jetën tij. Ajo plotëson nevojat që lidhen me përkatësinë dhe identitetin në shoqëri dhe i siguron njeriut një gjendje më të qetë në aspektin psikologjik.
Xhorxh Oruell (George Orwell) thotë se ai i cili kontrollon të tashmen arrin të kontrollojë të shkuarën.[53] Trashëgimia kulturore materiale, si pjesë e së shkuarës, megjithëse ka ekzistuar, mund të manipulohet, harrohet nëse nuk ruhet. Kështu ruajtja e saj është një problematikë e së tashmes, sepse marrëdhënia e shoqërisë me të dhe vlerat e saj formojnë të ardhmen. Një fenomen i tillë mund të shikohet në historinë e njerëzimit ku një nga aktet që pushtuesit kanë kryer në vendet e zaptuara ka qenë zhdukja e objekteve kulturore.
Po ashtu në kohët moderne shpikja e traditave është një mënyrë për të zhdukur identitetin e një shoqërie dhe sunduar mbi të. Studiuesit Hosbaum dhe Ranger thonë se traditat e shpikura përdoren si mjete të fuqisë për të legjitimuar institucione dhe krijuar një kohezion social për ti përshtatur njerëzit me sistemin e krijuar.[54] Ndërsa traditat e shpikura projektohen prej ideologjive të caktuara duke përdorur fragmente të caktuara nga e shkuara, traditat dhe zakonet e një populli si produkt përvojës historike që formësohen dhe zhvillohen në mënyrë të natyrshme kanë një lidhje qenësore me identitetin e një shoqërie dhe përbëjnë një dinamikë të rëndësishme në nën-vetëdijen e saj. Megjithatë, edhe pse vendosen në një shoqëri me vlera të ndryshme, traditat e shpikura krijojnë paqartësi në perceptimin e një shoqërie për identitetin e saj dhe ndikojnë sjelljet e njerëzve duke pasur si qëllim vlerat e synuara nga këto tradita.
Kështu ruajtja e trashëgimisë kulturore materiale është një nga format për të ruajtur kujtesën kolektive. Qenësia e saj në të tashmen përbën një burim njohjeje, inspirimi dhe një dinamikë që krijon një kohezion social që shoqëria të ruajë ekzistencën, të promovojë vlerat e saj dhe të bashkëveprojë e unifikuar drejt zhvillimit dhe të mirave të përgjithshme.
Etika e ruajtjes së trashëgimisë kulturore materiale
Mbi rrënjët etike të problemit
Çdo gjë që ekziston ka thelbin, natyrën dhe vendin e saj në raport me ekzistencat e tjera, sipas një rendi të caktuar. Për të bashkëvepruar në mënyrë të drejtë dhe përdorur rolin dhe aftësitë e tij në mënyrë të virtytshme, njeriu duhet të orientojë jetën dhe udhëzojë veten e tij sipas një etike të caktuar. Kështu njohja e vetes, rolit të tij në ekzistencë dhe raportit që ka me trashëgiminë kulturore materiale është hapi themelor që i mundëson njeriut të sillet në mënyrë të drejtë me të.
Trashëgimia kulturore materiale është pjesë e natyrës dhe ambientit që e rrethon njeriun. Ajo është një dimension tjetër i jetës së njeriut që formohet si pasojë e një marrëdhënie të gjatë dhe bashkëveprimit të tij me natyrën. Si pasojë e këtij bashkëveprimi dhe raportit që këto dy ekzistenca kanë me njeriun, ruajtjen e trashëgimisë kulturore materiale mund ta trajtojmë nën këndvështrimin e disa koncepteve dhe parimeve që trajtohet ruajtjen e natyrës.
Njeriu gjatë gjithë historisë, ka pasur një marrëdhënie komplekse me natyrën dhe trashëgiminë kulturore. Kushte të caktuara kulturore e social-politike kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në shkatërrimin e trashëgimisë kulturore natyrore dhe materiale që ka ndodhur masivisht gjatë historisë. Në kohët moderne, krahas këtyre faktorëve, zhvillimi material i shkëputur nga etika dhe “sundimi i së resë mbi të vjetrën” janë faktorë të rëndësishëm që kanë ndikuar në dëmtimin e shkatërrimin kësaj trashëgimie dhe humbjen e kuptimit dhe vendit të saj në perceptimin tonë mbi jetën. Për ta kuptuar këtë çështje, duhet të zbresim në themelet e problemit, për të kuptuar filozofinë dhe etikën që ka lejuar zhvillimin e tij. Sejjid Nakib el-Attas thotë se në themel të këtij problemi qëndron humbja e edebit[55] dhe rrjedhimisht e disiplinës së marrëdhënieve midis njeriut dhe ekzistencave të tjera. Në rastin konkret kjo lidhet me zhveshjen e natyrës nga barra religjioze dhe ekzistencës së saj hyjnore që i lejoi njeriut përdorimin e saj për përfitime vetjake.[56] Gjithashtu Seyyid Husseyn Nasr thekson se një problem i tillë lidhet me shekullarizimin e natyrës, shkencave që e studiojnë atë dhe absolutizimin e nevojave dhe të drejtave të njeriut.[57]
Kështu metoda e bashkëveprimit të njeriut me natyrën dhe trashëgiminë kulturore duhet të përcaktohet në bazë të qëllimit të ekzistencës dhe konceptin në lidhje me njeriun dhe jetën e tij dhe marrëdhënien e tij me qeniet e tjera. Njohja dhe përcaktimi i shkencës në bazë të së cilës do të zhvillohet lidhja e njeriut me to është një burim themelor që duhet përdorur për arritjen e qëllimeve të synuara. Sipas S. H. Nasr-it ringjallja e metafizikës me bazë shpalljen hyjnore dhe integrimi i parimeve transcendentale në ri-përkufizimin e shkencave është një hap themelor për të arritur harmoninë midis njeriut dhe natyrës.[58] Në këtë mënyrë njeriu, duke përcaktuar rolin e tij në krijim, gjen harmoninë me vetveten dhe qeniet e tjera, si dhe siguron mjetet për arritjen e përsosmërisë morale.
Përgjegjësia e njeriut si mëkëmbës i Zotit
Trashëgimia kulturore materiale është pasuri e cila formohet si pasojë e bashkëveprimit të njerëzve, shoqërisë dhe natyrës për një kohë relativisht të gjatë. Ajo ka një marrëdhënie të ngushtë me njeriun dhe shoqërinë në mënyra, kohë dhe vende të ndryshme. Kjo lidhje midis njeriut dhe kësaj trashëgimie mund të analizohet me anë të rolit të njeriut si “halife” (mëkëmbës i Zotit) në tokë. Kjo çështje shpjegohet kështu në Kur’anin Famëlartë:
“Dhe kur u tha Zoti yt engjëjve: ‘Unë në tokë po caktoj një mëkëmbës!’ Ata i thanë: – A po bën aty dikë që do të bëjë turbullira e gjakderdhje, kurse ne Ty të madhërojmë e të lavdërojmë dhe të lartësojmë? Unë di – tha Ai – atë çka ju nuk e dini.”[59]
Fjala “halife “ vjen nga rrënja ha-le-fe që do të thotë të ardhurit më pas. Kjo fjalë ka kuptimin e mëkëmbësit dhe atij që zëvendëson dhe pason të parët. Në Kur’anin Famëlartë përdoret në disa kuptime por në rastin konkret flitet për rolin e njeriut në univers si drejtues, i cili, me anë të virtyteve dhe fuqive intelektuale, do të ndërtojë qytetërimin në përputhje me parimet hyjnore.[60]
Për ta kuptuar më mirë këtë koncept duhet ta shikojmë në marrëdhënien dhe bashkekzistencën e njeriut me qeniet e tjera. Ndër nivelet e krijimit në këtë botë, njeriu është qenia më e lartë e krijuar. Ai është qenia me aftësinë për t’i reflektuar të gjithë emrat e Zotit. Kështu duke iu nënshtruar Zotit njeriu arrin të përfaqësojë rolin e Tij në tokë. Çdo gjë në natyrë përfaqëson cilësi të Zotit dhe është shenjë e Tij për njeriun. Kështu qëllimi i krijesave në univers është t’i shërbejnë njeriut që është qenia më e lartë në qëllimin e tij që është njohja e Zotit.[61]
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin famëlartë:
“Ne u kemi ofruar amanetin qiejve, Tokës dhe maleve, ato ngurruan ta bartin atë dhe u frikësuan ta pranojnë atë, por, njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu është zullumqar (për vete) dhe i padijshëm.”[62]
Duke iu referuar këtij ajeti mund të thuhet se njeriut si mëkëmbës dhe qenia më e lartë në tokë, i është dhënë besimi i sundimit, emane (amaneti), të sundojë sipas vullnetit dhe dëshirës së Zotit. Vetëdijesimi i njeriut për këtë përgjegjësi që i është ngarkuar për të jetuar në mënyrë të virtytshme dhe realizuar idealin e vetvetes mundëson përmbushjen e vullnetit të Zotit nëpërmjet veprave të njeriut, të kryera me vullnetin e tij të lirë.[63]
Ndërsa njeriu është sundues në raport me qeniet e tjera, duhet kuptuar që në zanafillë ekzistenca e çdo gjëje, përfshirë edhe vetë njeriun, është e mundshme dhe është pronë dhe pasuri e Zotit. Në lidhje me këtë çështje Allahu i Madhëruar thotë:
“Vetëm të Allahut janë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë. Allahu ka përfshirë çdo send. “[64]
Zoti është realiteti i vetëm dhe çdo gjë e krijuar është reflektim i cilësive të Tij. Në anën tjetër, duke iu referuar konceptit të kohës, nëse në këtë botë ajo konceptohet si lineare dhe ndahet në të shkuar, të tashme dhe të ardhme, në thelb koha reale shpalos në formë të vazhdueshme veprat e Zotit[65] Kështu, çdo gjë në krijim apo çdo gjë që prodhohet nga marrëdhënie e njeriut me të, i përket Zotit dhe është pasuri e Tij e cila i është dhuruar qenies së njeriut dhe rrjedhimisht të gjithë njerëzimit në këtë botë për t’u kujdesur dhe menaxhuar. Çdo njeri apo shoqëri që jeton në një kohë dhe vend të caktuar ka vetëm detyrën e përkujdesjes ndaj tyre. Njeriu si mëkëmbës është përgjegjës për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe balancën[66] dhe t’i shmanget çdo vepre që promovon shkatërrimin.[67] Kështu ai duhet të ruajë trashëgiminë kulturore materiale, si një kontribut i dhënë nga njerëzimi në të shkuarën dhe ta përcjellë atë, duke e përmirësuar dhe zhvilluar atë për brezat që do të vijnë në të ardhmen.
Në marrëdhënien e tij me Zotin si Krijues njeriu është “abd “, rob i Tij; ai përpiqet që me çdo vepër dhe adhurim të arrijë qëllimin e krijimit, njohjen e Zotit e për rrjedhojë lumturinë e përjetshme. Lloji dhe natyra e këtyre adhurimeve përcaktohet në bazë të kontekstit dhe përgjegjësive që njeriu ka në një shoqëri. Kështu roli i dijetarit është të edukojë, roli i drejtuesit të vendosë drejtësi, etj.[68] Në rastin konkret mund të thuhet se ruajtja e trashëgimisë kulturore materiale është një adhurim dhe një përgjegjësi me natyrë eskatologjike për njeriun.[69] Ajo lidhet ngushtë me rrugëtimin e njeriut drejt përvetësimit të virtyteve, me llogaridhënien e njeriut në botën tjetër dhe arritjen e lumturisë së përjetshme. Ndërsa çdo individ mban përgjegjësi në raport me rolin që ai ka në një shoqëri, ruajtja e trashëgimisë kulturore materiale, mbi të gjitha, është një përgjegjësi morale e shoqërisë si një ekzistencë që mundëson bashkëveprimin e individëve për të kontribuar në të mirën e përbashkët.
Çdo gjë që ekziston ka një kuptim dhe rol të rëndësishëm që njeriu të arrijë qëllimet e larta transcendentale. Allahu i Madhëruar thotë:
“Dhe ia mësoi Ademit emërtimet e të gjitha sendeve e pastaj ua prezantoi engjëjve dhe u tha: ‘Më informoni për emrat e tyre, nëse flisni të vërtetën!’”[70]
Universi është libri kozmik i shenjave që përfaqësojnë Emrat e Zotit. Kështu njohja e tyre çon në njohjen e cilësive të Zotit, e cila në këtë ajet lidhet me njohjen e sendeve në thelb dhe cilësitë e Zotit që ato përfaqësojnë. Njeriu si qenia më e lartë dhe mëkëmbës i Zotit ka potencialin për të zbuluar misteret në natyrë, ligjet që karakterizojnë marrëdhëniet e tyre me qeniet e tjera dhe të kontribuojë duke i përdorur ato për qëllimin për të cilin janë krijuar. Kështu ai do të arrijë të reflektojë në dimensionin e tij njerëzor cilësitë e Zotit dhe të përfaqësojë rolin e tij si mëkëmbës. Në këtë kontekst mund të thuhet se përgjegjësia e njeriut për t’u kujdesur ndaj natyrës dhe trashëgimisë kulturore materiale është gjithashtu me natyrë teleologjike. Ajo shpalos Shenjat e Zotit dhe ligjet e Tij në historinë e njerëzimit. Ruajtja dhe njohja e tyre përbën një hap të rëndësishëm për ta orientuar njeriun në kuptimin e realitetit të gjërave me qëllim njohjen e Zotit.[71]
Njeriu si mëkëmbës i Zotit në tokë ka përgjegjësinë të veprojë në përputhje me vullnetin hyjnor, sipas një etike, duke i dhënë të drejtën e saj çdo gjëje në mënyrë që të arrijë të ruajë rendin dhe harmoninë në ekzistencë. Kështu trashëgimia natyrore apo kulturore nuk mund të konsiderohet e paprekshme dhe e mbyllur ndaj zhvillimit. Njeriu në bazë të parimeve hyjnore dhe qëllimeve të amshueshme mund ta përdorë atë për qëllime pozitive[72] për të plotësuar nevojat e tij më të larta. Kështu, në këndvështrimin islam ndërsa njeriu nuk duhet të dominohet nga natyra, sjellja e tij kundrejt saj duhet të balancohet në harmoni me natyrshmërinë dhe rolin e saj në krijim dhe jo vetëm sipas përfitimeve të tij. Në rastin e trashëgimisë kulturore materiale “ndërtimi i të resë mbi të vjetrën”, ku ndërtimi i jetës së shoqërisë sipas një botëkuptimi të caktuar bëhet në mënyrë të natyrshme, duke respektuar përvojën, kulturën dhe identitetin e saj, është një parim i rëndësishëm për zhvillimin kulturor dhe rrugëtimin e saj drejt një shoqërie të virtytshme.
Përfundime
Si përfundim, mund të thuhet se trashëgimia kulturore materiale është një ekzistencë dhe dimension i rëndësishëm i shoqërisë njerëzore. Qenësia e saj në jetën e një shoqërie përbën një burim përsiatje dhe reflektimi mbi të shkuarën dhe rrjedhimisht mbi qenien e njeriut në procesin e vetë-njohjes dhe përvetësimit të virtyteve të larta dhe krijimit të një shoqërie të virtytshme.
Trashëgimia kulturore materiale është një dimension i shumëllojshmërisë kulturore, e cila shpalos ligjet e krijimit të Zotit në tokë dhe është një aspekt i rëndësishëm i shoqërisë njerëzore. Në ditët e sotme ruajtja dhe respekti ndaj saj, përbën një çështje me rëndësi që ndërton ura komunikimi midis shoqërive dhe mundëson njohjen, marrëdhënien e ndërsjellë dhe bashkëjetesën e tyre, duke ruajtur paqen dhe ndërtuar një jetë akoma më të virtytshme në këtë botë.
Sfidat dhe problemet e ndryshme të botës moderne; ndër to edhe pasojat negative të globalizmit kanë sjellë edhe njëherë në vëmendje nevojën për të njohur dhe ruajtur identitetin kulturor si një përvojë unike e çdo shoqërie. Trashëgimia kulturore materiale përbën një nga format më të rëndësishme të shprehjes së këtij identiteti. Gjithashtu ajo është një ekzistencë që shpreh më së miri kujtesën kolektive, e cila përbën një dinamikë themelore për të siguruar mbijetesën dhe elementët e nevojshëm që orientojnë një shoqëri në rrugëtimin e emancipimit në sfidat e saj drejt qytetërimit.
Rrugëtimi shpirtëror i njeriut në bazë të një botëkuptimi të caktuar për jetën, përcakton horizontin e veprimtarisë së tij në raport me veten dhe ekzistencat e tjera. Në këtë kontekst, koncepti i përgjegjësisë për njeriun, si mëkëmbës i Zotit në tokë, përbën një parim të rëndësishëm që e orienton njeriun të ruajë balancën ndërmjet ekzistencave të ndryshme në natyrë. Kështu ruajtja e trashëgimisë kulturore materiale është një detyrë morale dhe fetare me anë të së cilës njeriu përpiqet të ndërtojë një botë më të bukur; ku ka një rend dhe harmoni ndërmjet të gjithë ekzistencave, me qëllim që të arrijë kënaqësinë e Zotit dhe lumturinë e përjetshme.
Bibliografia
[1]. Cebeci, Suat “Milli Kimlik Bağlamında Din – Kültür İlişkisi” Akademik İncelemeler Dergisi, 2008, Volume 3, Issue 2, f. 1-11, f. 8.
[2]. Pajaziti, Ali, “Fjalor i sociologjisë”, Logos-A, Shkup 2017:336.
[3]. Bullaç, Ali, “Historia, shoqëria dhe tradita”, Logos-A, Shkup 2003: 203-205.
[4]. Pajaziti, po aty, f. 336-337.
[5]. Bullaç, po aty, f. 202.
[6] Fjala “Urf” vjen në kuptimin e njohjes dhe është e kundërta e “nekr” që lidhet me mosnjohjen dhe mohimin e diçkaje. Ajo shpreh tërësinë zakoneve dhe marrëveshjeve të pranuara dhe miratuara nga njerëzit brez pas brezi. Ky term gjen një përdorim në shumë fusha të jetës si me shtetin, politikën, jurisprudencën dhe shprehjet që shënjojnë një kuptim të caktuar. Në këtë shkrim termin “urf” do ta përkthejmë si kulturë apo traditë.
[7]. Ragib Isfahani, H. (1991). Al-mufradat fi gharib al-Quran. Edited by Seyed Gilani M. Beirut: Dar al-Marifa, f. 168.
[8]. Xhurxhani, Ali bin Muhamed “Muxhem et-tarifat”, Darul Fadilah 2004, f. 125.
[9]. Vlen të theksohet se duke iu referuar përdorimit të koncepti i traditës në Kuranin Famëlartë, ai ka dallim me konceptin e zakoneve. Tradita është koncept më gjithëpërfshirës ndërsa zakonet lidhen vetëm me veprimet në përgjithësi. Gjithashtu, zakonet mund të jenë të mira ose të këqija ndërsa ky koncept përdoret për emërtimin e traditave të mira.
Eyüpoğlu, Osman; Okuyan, Mehmet “Kur’an’ın Sosyo-Kültürel Koşulları Dikkate Alışı: Ma‘rûf Kavramı Örneği”, Ondokuz Mayıs Üniversitesi İlahiyat Fakültesi Dergisi, Yıl 2008, Cilt 26 , Sayı 26-27, s. 175 – 213, f. 24-25.
[10]. Şaban, Z., & Esasları, İ. H. İ. (1990). çev. İbrahim Kafi Dönmez, 10, f. 175-179.
[11]. Nga folja arefe, jearifu – të njohurit dhe të kuptuarit e diçkaje në thelb në sajë të një përpjekje shpirtërore dhe intelektuale. Masdari (burimi, origjina) i saj është “irfan” dhe “marifet” që në Kur’anin Famëlartë dhe Traditën Profetike lidhen me njohjen e Zotit si një ideal në procesin e arritjes së përsosmërisë morale. Shiko: Ünal, Ali “Kuranda temel kavramlar”, Beyan yayinlari, 1986, f. 313.
[12]. Ozakpënar , Jëllmaz “Kultura dhe qytetërimi”, Logos-A, Shkup 2003, f. 15-17.
[13]. Kruja, Genti, “Shqiptarët Përballë Sfidave Të Mirëkuptimit Ndërfetar”, Prizmi, Tiranë 2008, f.34.
[14]. Bullaç, po aty, f. 216-226.
[15]. Ramadan, Tariq “Radical Reform: Islamic Ethics and Liberation”, Oxford University Press; 1st Edition (November 17, 2008), f. 184-185.
[16]. Freyer, Hans “Sociologjia e fesë “, Logos-A, Shkup 2015; f. 105-106
[17]. Ramadan, Tariq, po aty, f. 184.
[18]. https://plato.stanford.edu/entries/ethics-cultural-heritage/
[19]. Alshehaby, Fatimah, (2020). Cultural Heritage Protection in Islamic Tradition. International Journal of Cultural Property, 27(3), 291-322, f. 27.
[20]. Një nga shembujt që mund të përmendet, është statusi i privilegjeve të krishterëve nga Profeti Muhamed për murgjit e Manastirit të Shën Katerinës. Ky dokument përbehej nga disa klauzola të cilat mbulonin të gjitha aspektet e të drejtave të njeriut, ku ndër të tjera ndalonte dëmtimin e objekteve të kultit dhe çdo lloj padrejtësie mbi pronësitë e asaj popullate. Shiko: Kruja, po aty, f.115-116; Alshehaby, f. 23.
[21]. Şulul, Kasim, “İslam düşüncesinde tarih felsefesi”. Dîvân: İlmî Araştırmalar, 2001, f. 6.
[22]. Sinani, Gjergj, “Filozofia e historisë”, Shtëpia Botuese e Librit Universitar, Tiranë 1999, f. 10.
[23]. Nahi, Hasan “Kur’ani i Madhërishëm”, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, Tiranë 2006, Rrum 30:9.
[24]. Kur’ani, Ibrahim 4:5
[25]. Kur’ani, Junus 10:92.
[26]. Mahdi, Muhsin, Ibn Khaldûn’s philosophy of history: A study in the philosophic foundation of the Science of culture, Routledge; June 2017, f. 63-73
[27]. Mahdi, po aty, f. 158-159.
[28]. Mahdi, po aty, f. 139-140.
[29]. Kur’ani, Huxhurat 49:13.
[30]. Kur’ani, Rrum 30:22.
[31]. Kutub, Sejjid “Fi dhilalil Kuran”, V.6, Daru Shuruk, Kajro 1968, f. 106-107.
[32]. Kur’ani, Maide 5:48.
[33]. Ramadan, Tariq “The quest for meaning: developing a philosophy of pluralism”, Penguin UK 2012, f. 68-69.
[34]. Ramadan, po aty, f. 26-27.
[35]. Pajaziti, po aty, f. 253.
[36]. Gulubovic, Zagoricka “Unë dhe tjetri: Shqyrtime antropologjike rreth identitetit individual dhe kolektiv”, Logos-A, Shkup 2019, f. 35.
[37]. Gulubovic, po aty, f. 14.
[38]. Tan, Zeki “Kur’an’ın Anlaşılmasına Katkısı Açısından Kur’an Öncesi Mekke Toplumu”, 8. Tefsir Akademisyenleri Buluşması, İstanbul, Türkiye, 1 – 03 Temmuz 2011, f. 5.
[39]. Şimşirgil, Ahmet Ekrem;Ekinci, Buğra “Ahmet Cedet Pasa ve Mecelle”, KTB yayinlari, Istanbul 2008, f. 116-124; 123-124.
[40]. Bullaç, po aty, f. 291-301.
[41]. Mahdi, po aty, f. 191.
[42]. Në qytetërimin islam ndërtimi i qyteteve, urbanistikës dhe arkitekturës bëhej në bazë të parimeve të frymëzuara nga Kurani dhe jeta e Profetit. Parimi i qendror ishte ai i Unitetit hyjnor që shpreh ‘ndërlidhjen e gjërave, integrimin e shumësisë në unitet dhe varësinë e plotë ontologjike të të gjitha qenieve nga i Vetmi, si dhe përkushtimin total të individit ndaj Vullnetit të të Vetmit’. Kështu çdo gjë ishte frymëzim, burim reflektimi dhe motivimi për të ndërtuar jetën në bazë të urdhrave të Zotit.
Shiko: Nasr, Sejjid Husein “Islami në botën moderne: I sfiduar nga Perëndimi, i kërcënuar nga fundamentalizmi, besnik ndaj traditës”, Logos-A 2017, f. 139.
[43]. Okten, Sadettin “Coca-cola në filxhanin tim”, Logos-A Shkup-2015, f. 207-212.
[44]. Mizstal, Barbara “Durkheim on collective memory”, Journal of Classical Sociology, 2003, f.2;15.
[45]. Hasanov, Behram “İbn Haldun’un Asabiyet Kavramında ‘Kolektif Hafıza’ Boyutu”, Bakü Devlet Üniversitesi İlahiyat Fakültesi’nin Ilmi Mecmuası, 2014, nr: 21, f. 199-210, f. 4.
[46]. Geçit, Bekir “İbn Haldun’da Siyasal Gücün Kullanılmasında ‘Asabiyet’in Önemi”, Beytulhikme an international journal of philosophy, V.8(2), 2018, f. 4-6.
[47]. Mahdi, po aty, f. 261-163.
[48]. Mahdi, po aty, f. 261-163.
[49]. Hasanov, po aty, f. 5-6.
[50]. Berisha, Drilona. “Kujtesa kolektive nëpërmjet arkitekturës në qytetin e Prishtinës”, (2021), f. 7.
[51]. Këtu mund të shtojmë se ato që sot quhen arte minore ku bëjnë pjesë objektet si veshjet, endjet e qilimave, orenditë shtëpiake ishin arte të rëndësishme në qytetërimin islam. Përveç funksionit të tyre praktik estetika në bazë të cilës krijoheshin dhe arti i shprehur në to ishte një burim reflektimi dhe kujtimi për njeriun në lidhje me të vërtetat e jetës së tij. Shiko: Nasr, po aty, f. 126.
[52]. Graham, Briam; Howard Peter, “The Ashgate Research Companion to Heritage and Identity”, Ashgate Publishing Ltd 2012, f. 51.
[53]. Graham, po aty, f. 20.
[54]. Mizstal, po aty, f. 13.
[55]. Sipas el-Attasit ‘edebi’ është reflektimi i urtësisë që buron nga njohja transcendentale. Urtësia është njohja që i mundëson njeriut vënien e çdo gjëje ne ekzistencë në vendin e saj. Kështu me vendosjen e edebit në marrëdhënien midis qenieve të caktuara në krijim veprimi i njeriut prodhon drejtësinë si virtyti më i lartë.
[56]. Nakib el Attas, Sejjid Muhamed “Islami dhe shekullarizmi”, Logos-A, Shkup 2006, f. 135.
[57]. Nasr, Seyyed Hossein “Man and Nature: The Spiritual Crisis in Modern Man”, Mandala paperbacks 1990, f. 6.
[58]. Nasr, po aty, f. 119.
[59]. Kur’ani, Bekare 2:30.
[60]. Ünal, po aty, f. 570-575.
[61]. Beka, Rezart “Halifullah: njeriu si mëkëmbës”, Erasmus 2007, f. 35-41.
[62]. Kur’ani, Ahzab 33:72.
[63]. Vullneti hyjnor në krijim përmbushet me anë të ligjeve natyrore dhe atyre morale. Me anë të ligjeve natyrore vullneti hyjnor përmbushet në mënyrë të detyrueshme te krijesat në bazë të disa ligjeve dhe një harmonie të caktuar. Ndërsa me anë të ligjeve morale përmbushet nëpërmjet njeriut i cili ka vullnetin e lirë për të vepruar. Shiko: Beka, po aty, 53-55.
[64]. Kur’ani, Nisa’ 4:26
[65]. Mir, Mustansir “Ikbali: Nje jeteshkrim intelektual” Logos-A, Shkup 2009; f. 154.
[66]. Haque, Munawar “Ethics and fiqh for everyday life: an Islamic perspective”, IIUM press, 2010, f. 136-137.
[67]. “Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos lë mangët atë që të takon nga kjo botë, dhe bëj mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty, e mos bëj të këqija në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit”. Shiko: Kur’ani, Kasas 28:77.
[68]. Shah Haneef , Sayed Sikandar “Principles of Environmental Law in Islam”, Arab Law Quarterly, V. 17, Nr. 3 (2002), f.6-7.
[69]. Robinson, Simon “The Spirituality of Responsibility: Fethullah Gulen and Islamic Thought”, Bloomsbury Publishing 2017, f. 89.
[70]. Kur’ani, Bekare 2:31.
[71]. Robinson, po aty, f. 90.
[72]. Robinson, po aty, f. 90.
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...