Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 30, 2022 Zani i Nalte Studime 0
nga Edison Hoti
Vakëfi[1] luan një rol shumë të rëndësishëm në shoqëritë myslimane. Ai ka qenë burimi kryesor për shërbimet e ndryshme publike të ofruara për komunitetet besimtare por edhe më gjerë.
Tradicionalisht, krijimi i vakëfeve është ngulitur në kulturën e myslimanëve dhe është e përfshirë në të gjitha sferat e jetës. Vakëfi gjithashtu ka kontribuar në shërbim të njeriut në fusha të ndryshme të zhvillimit, siç ishin ndërtimi i objekteve të kultit, formimi i institucioneve arsimore, infrastrukturë, mjekësi, etj. Megjithatë, në kohët moderne, vakëfi ka parë një rol në rënie, pothuajse në të gjitha vendet myslimane. Fenomen i cili ngre një numër pyetjesh se çfarë faktorësh çuan në këtë rënie, duke theksuar kështu njëkohësisht arsyet e rënies së tij dhe nevojën për reformim.
Studimet konstatojnë se, transparenca me fondet është elementi kryesor në shtimin vakëfeve të reja. Është dinamika më jetësore e vakëfit. Nëse kjo mungon nuk mund të presim ndonjë rezultat domethënës, sado të mëdha qofshin përpjekjet.
Riformulimi i mënyrës së menaxhimit të vakëfeve dhe hartimi i një rrjeti të integruar, që studion problemet që hasen në praktikën e kohëve moderne në të cilat jemi, është gjithashtu element kryesor në zhvillimin e vakëfeve.
Planifikimi dhe udhëzimi legjislativ i vakëfit, padyshim është dinamika kryesore që tregon perspektivën dhe horizontin e zhvillimit të vakëfit, në varësi të natyrës së tij dhe kushteve me të cilat përbëhet ai vakëf.
Studimi arrin në përfundimin se kur myslimanët përkushtohen më tepër në praktikat vakëfnore, duke ecur me transparencë në organizmin e vakëfeve dhe fondeve që kanë të bëjnë me praktikat vakëfnore, njëkohësisht duke rritur interesimin në formimin e vakëfeve të reja, atëherë vërtetë mund të flasim për një ringjallje reale të praktikës së vakëfit. Vakëfi fiton vlerën e tij të munguar në shoqërinë myslimane, duke iu kthyer shërbimin e duhur atyre zërave të cilët përfitojnë nga vakëfi, duke u bërë kështu një magnet tërheqës i Mëshirës së Zotit mes njerëzve.
Vakëfi është një akt financiar bamirësie i themeluar nga pasuri të paluajtshme ose edhe të luajtshme, por gjithmonë për të shpenzuar të ardhurat e tyre në përmbushje të nevojave publike apo familjare, bazuar në preferencat dhe kushtet e vendosura nga vakëflënësi[2]. Pasi prona është krijuar si një Vakëf, ajo kurrë nuk mund të jepet si dhuratë, të trashëgohet apo shitet. Ajo i takon Allahut (xh.sh.) dhe prona vakëf mbetet e paprekur. Vetëm të ardhurat e lindura kanalizohen për përfituesit e saj. Ka vetëm një rast në të cilin bëhet përjashtim ku lejohet Istibdal-i[3] i vakëfit. Ky vendim merret nga autoritetet më të larta të menaxhimit të vakëfit, “Mexhlis-i”.[4]
Motivimi kryesor për një themelues vakëfi, për ta formuar atë, jepet qartë në Kur’an dhe Traditën Profetike. Në Kur’an, sure Al ‘Imran, thuhet: “Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në Xhenet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. Çfarëdo që jepni (për Zotin), Allahu atë e di.”[5]. Në suren Bekare, “të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne”.[6] Ose sipas nxitjes profetike, ku Profeti ynë (a.s.) urdhëron e thotë: “Kur vdes personi, mirësitë e të gjitha akteve të tij ndërpriten (bashkë me ndërprerjen e akteve), me përjashtim të sadakasë (lëmoshës, mirëbërësisë) që vazhdon të veprojë, të diturisë së lënë prej tij, nga e cila vazhdojnë të përfitojnë njerëzit, dhe të fëmijës së dobishëm, i cili lutet pas tij për të.”[7]. Dijetarët myslimanë kanë deklaruar se me sadakanë (lëmoshën, mirëbërësinë) që vazhdon të veprojë, e cila në terminologjinë përkatëse quhet sadakatu’l-xharije[8] (mirësi rrjedhëse), përgjithësisht bëhet fjalë për vakëfin.
Njëkohësisht besimtarët, aktin e formimit të vakëfit e shikojnë edhe si një lutje të fuqishme ndaj Zotit, duke pritur prej Tij furnizimin me begati e bereqet nga mirësitë e Tij në mënyrë të vazhdueshme, nga Ai i Cili është Pronari i mallit dhe i pasurisë.
Pra, formimi i vakëfit për themeluesin e tij është një mënyrë për të arritur devotshmërinë para Zotit.
Vakëfi ka luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e një qytetërimi të lulëzuar, që është i plotë në karakter, në moral dhe sjelljen racionale të njeriut. Ai krijoi një rilindje të plotë shkencore dhe kulturore. Është e pamohueshme që fondet e vakëfeve kanë kontribuar në zhvillimin e arsimit dhe lëvizjeve shkencore në Islam. Këto fonde kanë qenë burimi kryesor për shkolla, qendra shkencore dhe biblioteka, të cilat shtruan rrugën për trajnimin e shumë shkencëtarëve, hulumtuesve, shpikësve dhe intelektualëve. Në të vërtetë, vakëfi është një nga faktorët kyç për prosperitetin shkencor dhe kulturor në qytetërimin islam. Ai është gjithashtu një nga shtyllat themelore për shumicën e institucioneve publike.
Vakëfi është gjithashtu një fushë konkurrence mes besimtarëve, drejtuesve, biznesmenëve, apo edhe individëve të thjeshtë për të formuar institucione vakëfnore në shërbim të besimtarëve dhe duke e kthyer atë në një burim të pashtershëm të sevapeve për ahiretin e vakëflënësve.
Një specifikë shumë e veçantë dhe e rëndësishme mbi formimin e vakëfeve, sidomos në ditët tona, është kontributi në ekuilibrin social që këto institucione vakëfnore formojnë. Duke vendosur një lidhje të natyrshme fetare me epiqendër kënaqësinë e Zotit, mes të pasurve dhe të varfërve arrihet që, nga shtresa e pasur e shoqërisë të ofrohet mëshirë dhe përkujdesje, ndërsa nga shtresa e varfër mes tyre të kthehet në mirënjohje dhe respekt. Kjo tematikë sigurisht kërkon një hapësirë dhe dedikim më të madh në trajtimin e saj, por ne këtu po mjaftohemi me kaq.
Në të kaluarën, shumë shokë të Profetit (a.s.) të tillë si Osmani, Talha, Zubejri, Aliu, Ibn Omeri, Abdullah bin Amr bin Asi dhe Halid Bin Uelidi (r.a.), etj., patën formuar vakëfet e tyre, praktikë e cila tregon dhe thekson më tej rëndësinë e vakëfit.
Procesi i vakëfeve vazhdoi deri në periudhën osmane, në të cilën institucioni i vakëfit njohu një institucionalizim të mirëfilltë në këtë fushë. Në këtë institucionalizim dhe edukatë vakëfnore viset shqiptare zinin një vend të veçantë, madje rasti ynë si Shqipëri është një shembull shumë domethënës në këtë fushë. Këtu përmendim një rast interesant që e kemi hasur në arkivat tona në KMSH gjatë punës. Quhej “vakfi i Meq Medines”, sot diku pranë konvikteve të inxhinierisë së ndërtimit në Tiranë. Pra vakëfi i Mekës dhe Medinës. Të ardhurat që merreshin nga ai vakëf, shkonin për këto dy vende të shenjta, Meken dhe Medinën. Me të vërtetë shumë mbresëlënëse kjo praktikë, e cila njëkohësisht tregon edhe qytetarinë e institucionalizimin që vakëfi kishte arritur në atë kohë në vendin tonë.
Megjithatë, në fillim të shekullit 20, roli i vakëfit në Shqipëri dhe pothuajse në të gjitha vendet Islame hyri në një periudhë rënieje drastike. Vendi ynë e ka kaluar këtë periudhë ndoshta në formën më të egër të mundshme. Aplikimi i sistemit komunist dhe ateist në Shqipëri bëri një çrrënjosje të pamëshirshme ndaj çdo gjëje fetare. Kulmi arriti në vitin 1967 ku sistemi famëkeq ndaloi përfundimisht fenë, duke rrënuar objektet e kultit dhe sekuestruar të gjitha pronat vakëf të komuniteteve fetare. Edhe sot e kësaj dite, në më shumë se 30 vite demokraci, akoma fati i humbur i vakëfeve mbetet nëpër dyert e gjykatave me shumë dosje nëpër duar. Gjithsesi kjo histori famëkeqe që ka ndodhur, nuk duhet të nxisë pesimizmin, përkundrazi duhet t’i nxisë besimtarët e drejtuesit e tyre drejt formimit dhe ndërtimit të vakëfeve të reja.
Për të kuptuar vakëfin dhe rolin e tij në Islam, mjafton që ne të gërmojmë në historinë e vakëfeve në Botën Islame, nga ku do të fillojmë të kuptojmë edhe arsyet për rënien e vakëfit në ditët e sotme, e më pas për të kuptuar nevojën e tij për reformim.
Historia dhe roli i krijimi të vakëfit në Islam
Në historinë islame mund të shohim imazhe të shkëlqyera dhe mësime të dobishme për statusin e vakëfit dhe ndikimin e tij në mbështetjen e zhvillimit të bashkësisë myslimane. Vakëfi zuri vend në kulturën e myslimanëve, u ngulit në të gjitha sferat e jetës dhe ka kontribuar në shërbimin e publikut në fusha zhvillimore nga me të ndryshmet. Vakëfi gjithashtu është bërë një burim financimi për myslimanët gjatë shekujve. Për shembull, për shkak të dhuratave të mëdha vakëfnore të bëra nga Profeti (paqja qoftë mbi të) dhe shokët e tij, vakëfet mbulonin pothuajse të gjitha nevojat e jetës gjatë periudhës së hershme të civilizimit islam, duke përfshirë shëndetin, arsimin, infrastrukturën bazë, aktivitetet e biznesit dhe marrëdhëniet tregtare, krijimin e vendeve të punës, ofrimin e ushqimit për nevojtarët dhe bagëtinë, sigurimin e strehimit për të varfrit, mbështetjen e sektorëve bujqësorë dhe industrialë.
Koncepti i mirëfilltë i vakëfit teorik dhe praktik u formua gjatë jetës së Profetit (a.s.). Sa herë që Profeti (a.s.) identifikonte një nevojë në shoqërinë e tij, ai (a.s.) ose e përmbushte atë duke themeluar vakëf ose inkurajonte shokët e tij për ta përmbushur atë nëpërmjet krijimit të vakëfeve prej tyre. Kështu, myslimanët e dinin më së miri rëndësinë e vakëfit dhe e konkretizuan atë gjatë jetës së Profetit (a.s.), sepse Profeti vetë krijoi shumë vakëfe. Nevoja për solidaritet financiar dhe bashkëpunim shoqëror midis myslimanëve doli në periudhën e hershme të historisë islame, për shkak të shumë kërkesave dhe nevojave për “shtetin islam” të sapolindur. Profeti (a.s.) dhe shokët e tij punuan shumë për të gjetur burime të ardhurash për të përmbushur këto nevoja.
Myslimanët e mëparshëm nxituan në dhënien e më të mirës që patën dhe të zgjedhin bamirësinë më të mirë për ndërtimin e vendeve adhurimore dhe institucioneve të tjera në shërbim të fesë e njeriut. Hz. Omeri (r.a.) pasi fitoi një pjesë toke në Hajber, erdhi te Profeti (a.s.) dhe pyeti se çfarë të bëjë me të. Profeti (a.s.) e këshilloi atë për ta bërë një “vakëf”. Në të vërtetë, pothuajse të gjithë sahabët e të Dërguarit të Allahut (a.s.), nga sahabët e Bedrit, Muhaxhirët dhe Ensarët kanë lënë vakëfe nga ajo që ata fitonin. Epoka e kalifëve ishte epoka më e mirë islame pas epokës së Profetit (a.s.), ku njerëzit morën pjesë në aktivizimin e vakëfeve dhe bamirësive të ndryshme.
Vakëfi në ndërtimin e qytetërimit islam
Vakëfi është një aspekt i rëndësishëm i historisë islame, një arritje e madhe për unitetin e umetit, një shprehje e thellë e mendimit dhe kulturës së myslimanëve. Është një lëvizje efektive e shoqërive islame dhe një fuqi e drejtpërdrejtë e tyre. Vakëfi është një nga aspektet më të rëndësishme të qytetërimit islam, është një themel që shpreh vullnetin e sensit të thellë mysliman dhe të solidaritetit me bashkësinë myslimane.
Në të vërtetë, rritja e vakëfeve në botën myslimane mund t’i atribuohet një numri faktorësh. Besimi i tyre dhe dëshira e fortë për bamirësi janë faktorë kyç që kanë çuar shumë njerëz që të bëjnë të paktën një pjesë të pronës së tyre si një vakëf.
Studiuesit e qytetërimit islam janë befasuar nga efekti i madh që ka pasur vakëfi në jetën e myslimanëve, si në teori ashtu edhe në praktikë.
Një lexues i historisë islame do të zbulojë lehtë se vakëfi përfaqësonte elementë të rëndësishëm në ndërtimin e shoqërisë dhe individit.
Vakëfi gjithashtu luajti një rol të madh në arritjet shkencore dhe kulturore të vendeve islame. Mund t’i përmendim disa nga këto arritje kryesore si më poshtë:
– Shpërndarja e njohurive, ndërtimi i shkollave, xhamive, bibliotekave publike, katedrave për të mësuar përmendësh Kur’anin e Shenjtë edhe duke paguar për shpenzimet e nxënësve.
– Formimi i laboratorëve astronomikë, laboratorëve të shkencës dhe spitaleve arsimore; për të mësuar mjekësinë, infermierinë dhe farmakologjinë.
– Ndërtimin e veprave publike në shërbim të njerëzve sipas nxitjes që Feja Islame bën, si ura, rrugë, çezma, puse uji, shtëpi për njerëzit në nevojë, etj.
– Vakëfi ka kontribuar gjithashtu në ruajtjen e parimeve të Islamit, avancimin e shoqërisë islame dhe përhapjen e Islamit.
– Parandalimin e prishjes morale të individit, familjes dhe mbarë shoqërisë në tërësi.
Vakëfi gjithashtu ndihmon në organizimin e jetës shoqërore dhe ngre statusin e njerëzve të varfër, forcon të dobëtit, punëson të papunët dhe mbron jetën e nevojtarëve. Ai plotëson zgjerimin, përparimin dhe zhvillimin e umetit, duke mbështetur projekte në këto drejtime kuptimplote dhe mbi hulumtimet shkencore.
Megjithatë, pavarësisht rolit vendimtar që ka vakëfi, mund të themi se ka rreth tre shekuj që vakëfi ka humbur shkëlqimin e tij në botën myslimane dhe roli i vakëfit ka rënë ndjeshëm. Ne na duhet të shqyrtojmë arsyet e rënies së vakëfit dhe mënyrat për të reformuar dhe kthyer mbrapsht këtë rënie.
Arsyet e rënies në krijimit e vakëfeve të reja dhe ringritja po nga të njëjtat shkallë
Është fakt që vakëfi ka një rënie të ndjeshme në kohën tonë. Kjo është e kuptueshme dhe e ndjeshme nga të gjithë, si nga ata që janë të angazhuar drejtpërsëdrejti me vakëfet, por edhe nga ata besimtarë prej të cilëve pritet të japin më shumë kontribut në drejtim të formimit të vakëfeve të reja.
Për fat të keq, roli i vakëfit është zbehur shumë nga shoqëria myslimane dhe sot, ne si shoqëri, jemi në nevojë urgjente të kësaj praktike.
Ndoshta dobësia jonë, ndoshta egërsia përçarëse e armiqve, ndoshta të dyja bashkë, këtë nuk mund ta themi me siguri, por një gjë duket shumë qartë, që akoma vakëfet në botën islame janë në gjendje të mjerueshme. Pronat aktuale vakëf janë akoma pjesë e përtacisë, neglizhencës dhe joproduktivitetit në pothuajse të gjitha shoqëritë myslimane. Për më tepër, kjo bën që, si rrjedhojë, roli i vakëfit në shoqëritë myslimane të bjerë në mënyrë drastike.
Autoritetet studiuese vakëfnore të kohëve të sotshme, njëzëri japin alarmin dhe deklarojnë se: “Ne duhet të ndryshojmë një çast e më parë një pjesë të kulturës negative që godet bashkësinë myslimane dhe të ringjallim konceptin vakëf përsëri në shoqërinë tonë.”.
Në të gjitha studimet dhe hulumtimet që janë bërë nga ekspertë të ndryshëm, në lidhje me praktikën e vakëfit, është arritur në përfundimin se tre janë elementët kryesorë të cilët formojnë dinamikën e vakëfit.
Transparenca me fondet, është elementi i parë që ndikon në motivimin e besimtarëve në formimin e vakëfeve të reja. Nëse ky element mungon, sado e madhe qoftë përpjekja, nuk do të ketë ndonjë rezultat domethënës. Në qoftë se myslimanët kanë organizim të mirë, administratorë të vakëfeve (myteveli[9], me terminologjinë islame) me integritet e moral të lartë, atëherë do të shikojmë që donatorët do të jenë më dashamirës dhe kontribuues në dhurimin dhe formimin e vakëfeve të reja.
Riformulimi i mënyrës së menaxhimit të vakëfeve dhe hartimi i një rrjeti të integruar që të studiojë problemet që hasen në praktikën aktuale në të cilën gjendemi, është gjithashtu element kryesor në zhvillimin e vakëfeve. Duke lehtësuar ngërçet praktike të së shkuarës dhe duke nxitur praktika të reja në mënyrën e menaxhimit të vakëfeve, realisht mund të shpresojmë në rigjallërimin e praktikave të menaxhimit të vakëfeve. Menaxhimi i duhur dhe përkujdesja e vakëfeve mund të bëhet një burim vërtetë i madh i të ardhurave për myslimanët.
Planifikimi dhe udhëzimi legjislativ i vakëfit. Ky element i tretë është komplet një dinamikë e veçantë. Një dinamikë që ka të bëjë me perspektivën e vakëfit. Sa më shumë që e zhvillojmë këtë, aq më shumë kjo do të bëhet e ndjeshme ndaj progresit. Prandaj është e nevojshme të planifikojmë mënyrat e menaxhimit të vakëfit si dhe investimet e aseteve të tij, duke i dhënë hapësirën e duhur ekspertëve të fushave financiare, juridike dhe të njohjes së dinamikave të pronave. Përpjekjet për të rinovuar mekanizmat e investimeve vakëf ndihmojnë në lulëzimin, zhvillimin, kthimin dhe rritjen e financimit nga vakëfet.
Sipas studiuesve në fushën e vakëfeve dhe financave islame, çdo përpjekje për të ringjallur vakëfet kërkon riformulim te konceptit menaxhues. Përveç kësaj, ringjallja e vakëfeve kërkon një rrjet të integruar të çështjeve shkencore teologjike dhe problemeve që hasen gjatë monitorimeve në terrenin praktik të vakëfit.
Përveç të gjithave, mënyra më e rëndësishme për t’u përballur me sfidën e rënies së vakëfit është përhapja e vetëdijes fetare në mesin e kombit, duke ringjallur ndjenjën fetare të solidaritetit. Ringjalljen e këshillave të jurisprudencës islame në mesin e besimtarëve, duke transmetuar rrugën e të qenët njerëz të mirë, të dobishëm për shoqërinë tonë, duke aplikuar sheriatin në menaxhimin e vakëfeve dhe duke studiuar një plan efektiv ekonomik, që do të kujdeset për vakëfet e myslimanëve, e duke zbatuar format ekonomike më të volitshme për zhvillimin maksimal të tyre. Dhe, më në fund, të dyja palët, si vakëflënësi ashtu edhe menaxheri i vakëfit do të harmonizohen në zhvillimin maksimal të vakëfeve, duke formuar kështu modelin vakëf të ëndërruar mes nesh.
Në fund të fundit, a nuk vërtitet filozofia e vakëfit rreth formimit të një individi të mirë që është reformuar në vetvete, në marrëdhënie me të tjerët, në lidhjet dhe aktivitetet e tij? Kështu, roli i vakëfit nuk është i kufizuar vetëm në ofrimin e shërbimeve të nevojshme për individin apo nevojën e një grupi shoqëror, por edhe për vendosjen e lidhjeve të tyre përkatëse, duke vlerësuar marrëdhëniet e tyre dhe duke racionalizuar ndërveprimet midis tyre.
Përveç kësaj, vakëfi ofron një model të vazhdueshëm për dhënien dhe zhvillime të mëtejshme. Duke u kujdesur së pari për ekzistencën e institucioneve vakëf, më pas duke mbrojtur e investuar fondet e vakëfeve, pastaj duke bërë shpërndarjen e fitimit sipas kushteve të dhënies nga vakëflënësi e duke parë nevojat e komunitetit të besimtarëve dhe më së fundi promovimin e profesionistëve me sjellje dhe vlera etike profesionale, vakëfi rifiton dimensionet e tij në shoqërinë myslimane.
Vlen të përmendim këtu, në lidhje me tematikën tonë, që një shtysë shumë e madhe dhe efikase në formimin e vakëfeve nga biznesmenë myslimanë do të ishte edhe njohja e donacionit drejt komuniteteve fetare nga shteti si zbritje nga taksat e tyre. Praktikë e cila gjendet në disa shtete, islame ose joislame, por kjo lloj praktike shumë e vlefshme dhe shumë efikase rezulton akoma të jetë e panjohur në vendin tonë.
Përfundim
Vakëfi është një akt unik i paraqitur nga Islami. Ai ka luajtur rol të rëndësishëm socio-ekonomik, kulturor dhe fetar gjatë gjithë historisë së qytetërimit islam. Në të kaluarën, mbledhja e një numri të madh të vakëfeve krijoi pasuri të madhe për komunitetin mysliman. Megjithatë, për shkak të arsyeve dhe ngjarjeve të ndryshme historike, roli i vakëfeve, si një mjet i dobishëm për zhvillimin socio-ekonomik, në përgjithësi është dëmtuar, është lënë pas dore dhe shpesh është harruar. Pa dyshim, siç u përmend edhe më lart, studiuesit mund të shohin se si vakëfi ka kontribuar në mirëqenien e njerëzve në fusha të ndryshme të zhvillimit, të tilla si arsimi, shëndetësia dhe shërbime të tjera. Por, sidoqoftë, në kohën e sotme, roli i vakëfit ka rënë ndjeshëm, dhe për këtë gjithsecili ka përgjegjësinë për të bërë më shumë në ringritjen e institucionit dhe kulturës vakëfnore.
Këtu përmendëm shkurt arsyet e rënies së vakëfit dhe nevojën tonë për ta reformuar atë. Komunizmi fillimisht dhe demokracia pa krye më pas, patën një ndikim rrënjësor në dëmtimin e strukturës së vakëfit në vendin tonë edhe në shumicën e vendeve myslimane. Gjithashtu dhe menaxhimi i dobët i tyre çoi në rënien e vetë vakëfit. Kështu, ringjallja e vakëfeve kërkon që të gjithë ata të cilët mund të menaxhojnë vakëfet apo fondet, të forcojnë transparencën, të bëjnë riformulimin e menaxhimit të vakëfeve dhe një planifikim të mirëfilltë që ka të bëjë me perspektivën e vakëfit. Një rrjet të integruar praktik që monitoron çështjet dhe problemet që has vakëfi në epokën moderne.
Shënim
Ky studim jep disa kontribute praktike mbi hulumtimin e praktikave të vakëfit, duke identifikuar faktorët që kanë kontribuar në rënien e vakëfit dhe mënyrat për ta ringritur atë, duke u nisur nga praktika e përditshmërisë me vakëfet.
Unë shpresoj që ky dorëshkrim të vlejë si një diskutim dhe nxitje, së pari për mua dhe kolegët e mi, të cilët merren në përditshmërinë e tyre me praktikën vakëfnore, por sigurisht edhe për këdo që është i interesuar për një këndvështrim modest mbi vakëfin.
[1]. “Vakëf” – Ruajtja e një pasurie dhe shpenzimi i përfitimeve të saj në rrugë të Allahut (xh.xh.).
[2]. “vakëflënësi” – personi i cili formon vakëf.
[3]. “Istibdal” i vakëfit- Istibdal është një fjalë arabe që rrjedh nga fjala “Bedel” që do të thotë të ndryshosh ose zëvendësosh. Në thelb, Istibdal do të thotë të shesësh atë që mungon ose një pronë vakëfi që ka humbur të ardhurat e saj për të blerë atë që është më e mirë.
[4]. “Mexhlis” – është autoriteti më i lartë i menaxhimit të vakëfit.
[5]. Kur’an, Al ‘Imran, 3:92.
[6]. Kur’an, Bekare, 2:3.
[7]. Muslim, Uasijje, 14.
[8]. “Sadakatu’l-xharije” – ose mirësi rrjedhëse, e vazhdueshme, quhet lënie për pëlqim të Zotit, e një vepre që kryen shërbim të vazhdueshëm, të pandërprerë.
[9]. “Myteveli” – person përgjegjës, sipërmarrës mbi kujdesin dhe menaxhimin e vakëfit.
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...