Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Apr 09, 2022 Zani i Nalte Studime 0
nga Msc. Brunilda Basha
Master of Science (Built Environment), KAED, IIUM, Malajzi
Abstrakt
Mbishkrimet dhe ndërtesat kanë një rëndësi të madhe historike. Në disa raste ato pasqyrojnë informacione të panjohura më parë, apo një panoramë të larmishme të aktivitetit njerëzor. Në raste të tjera rigjallërojnë historinë, duke risjellë fakte të prekshme për gjeneratën e re dhe përcjellin një atmosferë të kulturës, e cila mungon shumë ditët e sotme.
Në kohën kur Perandoria Osmane arriti kulmin e lulëzimit të saj, gjatë shekujve XV-XVI, arti osman në Shqipëri ishte shumë i ngjashëm me atë në Shkup apo Edirne. Ndërkohë, në shekullin XVII, ndikimi i qeverisë qendrore osmane filloi të zbehej, kështu që kontributi i vendasve në ndërtesat islame në Shqipëri filloi të rritej. Në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, përzierja e elementeve osmane arriti kulmin e saj, me shfaqjen e një stili të veçantë shqiptaro-islam. Ky lloj stili përbënte një sintezë të elementëve fetarë dhe shekullarë, qoftë osman dhe vendas, qoftë perëndimor.
Ndërthurja e këtyre tipareve, në dukje homogjene, reflekton në fakt historinë dhe natyrën e Shqipërisë, si një kryqëzim i Lindjes dhe Perëndimit. Këto vepra të fundit, siç i quan Machiel Kiel (2011), janë konsideruar si produkt i “shekullit të artë të kulturës islame në Shqipëri”. Në këtë rast bëhet fjalë për “epokën e artë” në kuptimin e zhvillimit në fushën e arkitekturës.
Ky punim synon të analizojë se si Islami është përhapur në trojet shqiptare dhe se si ndërtesat, faltoret, përvetësuan elemente islame duke u përshtatur plot harmoni me arkitekturën vendase dhe elementët e saj. Për këtë është shqyrtuar literaturë mbi Islamin në Shqipëri dhe mbi arkitekturën islame. Pas kësaj është marrë si rast studimi xhamia e Et’hem Beut në Tiranë, për të shpalosur faktet e një marrëdhënie të arkitekturës vendase dhe evropiane islame. Në këtë punim, gjithashtu, përçohet një përshkrim i detajuar i xhamisë në fjalë nga ana historike e arkitekturore. Punimi ka për qëllim, gjithashtu, të promovojë përmirësimin e arkitekturës islame në Shqipëri dhe rëndësinë e saj në zhvillimin e arkitekturës shqiptare. Në të njëjtën kohë, shpresohet të shndërrohet në një burim reference për kërkime dhe studime të ardhshme në çfarëdo lloj fushe.
Fjalët kyçe: Islam, xhami, arkitekturë islame, art osman, komuniteti mysliman.
1. Hyrje
Shqipëria është një vend i vogël malor, në pjesën jugperëndimore të Gadishullit të Ballkanit, me një sipërfaqe pak a shumë sa të Maryland-it. Shtrihet pranë brigjeve të detit Adriatik dhe gjirit të Otrantos, që lidh Adriatikun me brigjet e detit Jon. Më shumë se dy e treta e sipërfaqes në Shqipëri është e mbuluar me hapësira malore të ndërthurura me lëndina lumore. Një reliev i tillë ka ndikuar në ngujimin e shumicës së popullsisë (Walbank, Frank W, 2001). Gjatë historisë së saj, Shqipëria ka qenë shënjestër luftërash dhe konkurrence për pushtet mes fuqive të ndryshme. Grekët, romakët, venedikasit dhe osmanët kanë kaluar, ose kanë qëndruar, duke lënë shenjë me kulturat dhe traditat e tyre, po ashtu edhe me rrënojat e tyre. Megjithatë, Shqipëria ka qenë një ndër vendet më të pasura me traditë dhe kulturë në të gjithë Ballkanin. Gjuha shqipe mendohet ta ketë origjinën nga gjuha antike ilire (Illyrian), e cila ka qenë një gjuhë e ndarë nga gjuhët e tjera indo-evropiane (Omoniglot.com, 2010).
Turqit osmanë mësynë gjatë shekullit XIV dhe kështu, Shqipëria u bë pjesë e perandorisë për më se katër shekuj. Gjatë kësaj kohe, shumica e popullsisë pranoi Islamin. Pas shekujsh, si pre e perandorive të ndryshme, më në fund Shqipëria fitoi pavarësinë në vitin 1912.
Shteti modern shqiptar u themelua nga mbetjet e Perandorisë Osmane, ku rrethohet nga të gjitha anët me shqipfolës (Draper & Stark, 1997).
Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u shndërrua në një shtet komunist për 40 vite me radhë, nën udhëheqjen e Enver Hoxhës. Regjimi komunist përfundoi në fillim të viteve ‘90 dhe që atëherë vendi ka kaluar në një periudhë tranzicionale të një forme demokratike me një ekonomi tregu. Sot, pas vitesh nën ateizëm, konsiderohet si një vend me shumicë myslimane (Vokshi, M. 2008).
Për sa i përket arkitekturës dhe zhvillimit të saj, Shqipëria karakterizohet nga larmia e stileve falë ndikimit të huaj, që e bën atë të pasur në shumëllojshmëri, në kohë të ndryshme. Monumenti më i vjetër arkitekturor daton, që nga mijëvjeçari i parë (p.e.s.) dhe ka qenë i ndërtuar nga ilirët. Nga mesi i mileniumit të parë para erës sonë deri nga mesi i mileniumit të parë pas erës sonë, grekët dhe romakët ndërtuan struktura ende të dukshme në natyrën rurale dhe urbane. Në Mesjetë kemi një mbizotërim të natyrës së krishterë në veri të Shqipërisë, ndërsa stili arkitekturor islam dhe osman mbizotëroi më së shumti në jug.
Objektet arkitekturore islame janë të ngjashme me modelet osmane, duke krijuar kështu një fizionomi vendase. Më e ndërlikuara ndër të tjera është Xhamia e Plumbit në Shkodër, e ndërtuar gjatë viteve 1773-1774 nga Mustafa Pashë Bushati.
Vëllimi qendror i mbuluar me çatitë trekëndëshe, më të ulëta në qoshe, prania e portikut dhe tre dritare(ve) të njëpasnjëshme, janë karakteristikat kryesore të kësaj xhamie.
Etapat e zhvillimit të xhamive, që nga kohët e hershme, tregojnë për ndryshimin e rolit të tyre përgjatë historisë. Stilit arkitekturor i përdorur më së shumti në xhami, duket se është ndikuar nga përdorimi dhe vetëdijesimi për rëndësinë e fesë në këtë kontekst.[1]
2. Islami në Shqipëri
Kontakti i parë me Islamin, në Shqipëri, është vërtetuar se ka qenë në fillim të shekujve të mesjetës. Falë pozitës gjeografike të Shqipërisë, ajo është përshkruar shpeshherë nga misionarë turq dhe arabë, të cilët kalonin për qëllime tregtare, fetare apo ushtarake (Zekaj, 2010). Shumica e besimtarëve myslimanë në Shqipëri janë sunit. Komuniteti Mysliman është i njohur nga shteti dhe nga vetë komuniteti. Sipas një sondazhi të vitit 2009, drejtuar nga një gazetë (Gazeta Tirana) shënohej një numër prej 568 xhami sunite dhe 70 teqe dhe makame bektashiane.
Objekti i parë fetar, pra faltorja e parë, është ndërtuar në vitin 1389, në Berat, dhe është i modelit selxhuk. Pas rënies së Perandorisë Osmane, popullsia myslimane në Shqipëri ka pësuar përndjekje të shumta. Persekutimi më i madh ka qenë në vitin 1967, kur regjimi komunist ndaloi praktikimin e fesë në çfarëdolloj forme. Gjatë viteve të regjimit komunist, që zgjati deri më 1991, shumica e hoxhallarëve dhe dervishëve u ekzekutuan, u burgosën, u persekutuan, apo u detyruan të linin vendin. Faltoret e tyre u shkatërruan dhe librat, apo literaturat e ndryshme, u dogjën e u zhdukën. Shteti komunist promovoi dhe sponsorizoi ideologjinë e vet përmes propagandës për ta çrrënjosur Islamin nga shqiptarët.
Me ardhjen e demokracisë, në vitin 1990, në Evropën Lindore liria e (praktikimit të) fesë u rikthye përsëri. Shqiptarëve u lejohej sërish të praktikonin fenë e tyre dhe të rigjallëronin identitetin e tyre të humbur. Sfidat që prekin myslimanët në Shqipëri janë pak a shumë të ngjashme me sfidat e myslimanëve të tjerë në Ballkan. Vendet e Ballkanit gjithashtu karakterizohen nga një popullsi myslimane vendase; nga një sistem politik tranzicional i dalë nga një formë socializmi autokratik, apo qeveri komuniste, dhe nga eksperienca e tyre me myslimanë të huaj, të cilët krijuan mundësi për vendasit, duke përçuar edukim fetar tek ata, duke ndërtuar xhami, duke bërë investime në sferën publike dhe të ngjashme. Xhamia ka qenë vendi më i rëndësishëm për shumicën e myslimanëve.
3. Zhvillimi i arkitekturës islame në Shqipëri
Me ardhjen e Islamit, arkitektura islame është zhvilluar paralelisht me ngjarjet kohore. Kur flasim për arkitekturë islame, nuk nënkuptojmë vetëm xhamitë, por edhe ndërtesa (të tjera), si shkolla fetare, librari, kështjella, etj. Në Shqipëri, arkitektura islame është ndikuar nga arkitektura e Perandorisë Osmane. Arkitektura islame në Shqipëri përfshin xhamitë, namazgjatë, faltoret, medresetë, teqetë, tyrbet dhe të tjera ndërtesa të ngjashme. Kontaktet e para të shqiptarëve me Islamin janë përkatësisht të hershme.
Fillimet e arkitekturës islame filluan kryesisht në kështjella, si për shembull, xhamia e parë në Berat brenda mureve të kalasë, në vitin 1389, dhe xhamia Fet’hije (e Kuqe) e ndërtuar në vitin 1417.
Xhamitë brenda kalasë janë të thjeshta, sepse fillimisht kanë qenë projektuar vetëm për garnizonet. Ndërsa monumentet islame kanë filluar në periudhën e dytë të Bajazitëve. Bajaziti i II-të, apo Bajaziti i Shenjtë, njihet për paqen, që arriti të vendoste mes Perëndimit dhe Venedikut, në mënyrë që tregtia të vazhdonte akoma për shumë kohë.
Ai urdhëroi që të zbritej nga kalaja dhe të ndërtohej në qytet ajo që njihet me emrin varosh. Varoshi është menjëherë përtej rrethinave të kalasë dhe sipas përkatësisë fetare, në çdo varoshi ka një xhami ose kishë.
Sipas profesor Sulejman Dashit, arkitekt dhe restaurues, veprat e artit islam shqiptar janë një produkt i artit islam si xhami, medrese, por edhe kisha, manastire dhe ndërtesa që gjenden në të gjithë Ballkanin, në troje të banuara nga shqiptarët, pavarësisht nëse janë jashtë kufijve të Shqipërisë. Falë pozitës së saj gjeografike, Shqipëria, e cila ndodhej në kufijtë mes qytetërimit lindor dhe perëndimor, pati mundësinë të shfrytëzonte zbulimet më të fundit të teknologjisë së ndërtimit.
Kronikani osman, Evlija Çelebiu, ka shkruar se kur udhëtoi përmes Shqipërisë, ai vuri re se në Berat, Gjirokastër dhe Shkodër, secili qytet ishte i ndarë mjeshtërisht dhe kishte arkitekturën tipike vendase. Një tjetër element arkitekturor i artit islam në Shqipëri dhe që e bën atë të veçantë dhe ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit e nga kryeqendrat e tjera të Perandorisë Osmane, është kulla e sahatit, që qëndron krah për krah xhamisë kryesore të qendrës së qytetit. Kjo kullë sahati shërbente si një kohërrëfyese për të gjithë qytetin, për kohët e faljes etj. Kulla e parë e sahatit në Perandorinë Osmane u ndërtua në vitin 1555, ndërkohë në Elbasan dhe Berat ekzistonte prej kohësh. Kullë sahati ka pasur edhe në Shkodër, Peqin, Elbasan, Berat, Kavajë, Tiranë, Libohovë dhe Gjirokastër. Këto kulla kanë qenë një element karakteristik i qyteteve në fjalë. Teknologjinë për të ndërtuar kulla me sahat aq të përpiktë, Shqipëria e mori nga mundësitë e shumta për të pasur marrëdhënie diplomatike me perëndimin.
Objekti i parë islam u ndërtua në vitin 1389 në Berat në stilin selxhuk. Një tjetër xhami e hershme është edhe ajo e Iljaz bej Mirahorit në Korçë, e ndërtuar më 1494, pasi Perandoria Osmane mori nën kontroll të gjithë vendin. Një ndër xhamitë më të vlerësuara në Shqipëri është ajo e Krujës, rreth 30 kilometra në veri të kryeqytetit. Xhamia është e pozicionuar në themelet e Kështjellës së Skënderbeut dhe është ndërtuar në vitin 1779. Brenda ka tavane prej druri të pikturuara, që duken si një grup kubesh të mbështetura mbi një kënd paralelesh. Një tjetër ndërtesë është dhe xhamia e Peqinit, e ndërtuar në vitin 1822, në të cilën është ndërthurur edhe një kullë sahati në minaren e vetme të saj (P. Ward, 1992). Sipas studiuesit Roald Hysa (2008), stili osman është dominues në xhamitë në Shqipëri për shkak të qëndrimit të tyre në këtë vend për më se 500 vjet, por megjithatë vërehen edhe shumë elementë dhe tipare vendase të pranishme në ndërtesat në fjalë sipas vendit dhe kohës. Kjo mund të vërehet qartë në arkitekturën e atyre pak xhamive që mbijetuan, deri në krijimin e shtetit shqiptar si: Xhamia e Et’hem Beut në kryeqytet, xhamia Mbret në Elbasan, xhamia e Beqarëve dhe e Plumbit në Berat, Muradijes në Vlorë, Mirahorit në Korçë, etj.
Xhamitë në Shqipëri janë dy llojesh: lloji i parë është monumental, ku njësi të ndryshme janë në harmoni me njëra-tjetrën. Stili klasik osman i këtij lloji e ka origjinën nga arkitektura bizantine ku në qendër të xhamisë ngrihet një kupolë e rrumbullakët dhe një portë e madhe me tri kupola të vogla, si dhe minaret e holla pranë hyrjes.
Lloji i dytë janë xhamitë drejtkëndëshe me çati tradicionale dhe tavanet prej druri të pikturuar, tipike të Ballkanit. Arti dekorativ i brendshëm është më shumë i pranishëm në xhamitë me kupolë, ndërsa thurja dhe gdhendja e drurit është e pranishme në modelet me tavane të drunjtë.
Më vonë dizenjuesit iu afruan më shumë artit vendas popullor. Kjo vihet re sidomos në arkadat, varëse rrobash të gjera, dekoret, ngjyrat e jashtme etj. Në faltoret në Tiranë, për shembull, vihen re dekorime luleje sidomos në peizazhet e pikturuara, në shtyllat dhe muret e brendshme dhe në tavane. Të gjitha këto zbukurime janë shumë të përafërta me motivet popullore tipike të arkitekturës vendase. Disa nga këto lloj motivesh me lule gjenden edhe te zbukurimet e jashtme të xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë për të cilën do të flitet më poshtë.
Sipas një studimi, shënohen rreth 1127 xhami në të gjithë vendin, por duke filluar nga viti 1945 shumica e hapësirave, apo ndërtesave të xhamive u shndërruan në një tjetër funksion, si për shembull xhamia e Tabakëve, Dine Hoxha dhe e Kokonozit, ndërsa xhamitë e tjera u dogjën dhe u shkatërruan dhe në vend të tyre u ndërtuan shkolla, parqe apo ndërtesa banimi (Hysa, 2008).
Takoel tregon se gjatë kësaj kohe xhamitë u shndërruan në stalla lopësh, ndërsa kishat në stadiume volejbolli. Pra, gjatë viteve ‘45-‘67 u ndaluan xhamitë dhe përdorimi i tyre u zëvendësua me diçka tjetër. Pas 23 vjet ndalimi, me ardhjen e demokracisë, xhamitë të cilat i shpëtuan prishjes, u rihapën dhe planimetria e qytetit filloi të ndryshonte.
4. Xhamia e Et’hem Beut
4.1 Sfondi i xhamisë
Figura 1: Pamja e jashtme e xhamisë
Xhamia e Et’hem Beut (fig. 1) është ndërtesa më e vjetër e Tiranës. Themeluesi i xhamisë, Mulla Beu, ishte një feudal nga Petrela, nipi i Sulejman Pashës. Ka gjasa që ndërtimi i xhamisë të ketë filluar në vitin 1793 gjatë sundimit të Selimit III. Mulla Beu vdiq në vitin 1808. Djali i tij, Haxhi Et’hem Beu, e përfundoi ndërtimin e xhamisë në vitin 1238 hixhri (1822/23), siç shkruhet në derën (hyrjen) e xhamisë (Kiel, M. 2012). Gjithashtu, aty gjendet edhe data e vdekjes se Mulla Beut. Et’hem Beu dhe gruaja e tij, Belkize, janë varrosur në varre të mbuluara me mermer në hyrje të xhamisë, në të dyja anët. Të dy varret janë ruajtur mjaft mirë deri në vitin 1967. Në fillim të viteve ‘70 gurët me mbishkrimet e varrit të Et’hem beut u hoqën për të mos u rikthyer më kurrë. Gjatë kohës së monizmit në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë xhamitë u mbyllën. Më 18 janar 1991, pavarësisht kundërshtimeve të autoriteteve komuniste, mijëra njerëz morën pjesë në ceremoninë e hapjes së xhamisë së Et’hem beut.
Xhamia është e vendosur në Sheshin Skenderbej, në qendër të qytetit. Bashkë me kullën e sahatit ajo përbën një pikë referimi me domethënie për arkitekturën e Tiranës. Xhamia gjendet pranë objekteve të rëndësishme si ministritë dhe Bashkia e Tiranës. Kulla e sahatit ndodhet rreth 20 metra në të majtë të xhamisë, në anën jug-lindore të saj.
4.1.1 Analizë e planit hapësinor të xhamisë së Et’hem Beut
Xhamia përbëhet nga një hapësirë e zakonshme për falje, me kupolë (10.5 m2) dhe një korridor të gjerë në pjesën e hyrjes, me një tavan të sheshtë dhe një çati druri të mbuluar me tjegulla, ndërsa në anën e djathtë ndodhet minarja e gjatë dhe e hollë. Dizajni i xhamisë ka një plan drejtkëndor me përmasa 17.50 x 15.00 m dhe me një sipërfaqe të përgjithshme prej 260 metrash katrorë. Ka tre hapësira kryesore faljeje. Dy janë për meshkujt dhe një për femrat. Zona e meshkujve gjendet në katin përdhes dhe në pjesën e hyrjes, ndërsa zona e femrave gjendet në katin e sipërm.
Pjesa kryesore e faljes për meshkujt ka një plan në formë katrore, ku pjesa e brendshme është 7.75 metra katrorë. Sipër zonës kryesore të faljes gjendet një mbajtëse në formë tetëkëndëshe dhe sipër një kupolë me diametër 8 metër, e mbuluar me material plumbi. Mjedisi i brendshëm është i ndriçuar nga disa dritare te vogla të vendosura në dy rreshta. Nga ana e brendshme, kupola dhe tavani janë të pikturuara në mënyrë harmonike. Zona e dytë e faljes për meshkujt është në hyrje, siç quhet ndryshe veranda dhe ndodhet brenda xhamisë. Është në formë L-je, e cila të orienton drejt pjesës kryesore të faljes.
Teksa ngjitesh nga holli i faljes, nëpërmjet një dere të vogël, gjenden shkallët në formë spiraleje në një bosht pingul. Vendi i faljes për femra mund të arrihet me anë të këtyre shkallëve. Zona e faljes për femra është e vogël dhe mund të mbajë vetëm një radhë (saf). Është e vendosur si gjysmë kati në hollin kryesor. Ka disa rafte librash, ndërsa dyshemeja është e shtruar me tapet.
Hyrja për në zonën e abdesit dhe tualeteve është e vendosur në bazament tek e cila arrihet nëpërmjet shkallëve të vendosura pranë hyrjes.
Jashtë xhamisë, te hyrja kryesore, gjenden dy varre. I pari është i Et’hem Beut, i cili ishte i biri i Mulla Beut, themeluesit të xhamisë. Varri ndodhet në anën e majtë të hyrjes kryesore të xhamisë dhe është i dëmtuar. Varri i dytë është i Belkizës, gruas së Et’hem Beut. Varri i dytë është në kushte më të mira në krahasim me atë të bashkëshortit. Ndodhet në anën e djathtë të hyrjes kryesore, në krah të kundërt me varrin e Et’hem Beut.
4.1.2 Tiparet arkitektonike të xhamisë së Et’hem Beut
Xhamia nuk është ndërtuar gjatë një periudhe të vetme. Historia e ndërtimit të saj përshkruhet në dy mbishkrime të gjata. Pjesa më e vjetër e ndërtesës është holli me kupolë i ndërtuar në vitin 1208 H (1793/94). Tri dekada më pas është ndërtuar portiku i jashtëm. Portiku është një korridor i gjatë, asimetrik në drejtim të boshtit të hollit dhe planit të vet.
4.1.2.1 Kolonat
E gjithë fasada e xhamisë është e përbërë nga 15 harqe, e përforcuar nga kolona të larta guri 2.90 metër secila dhe me diametër po aq. E stilizuar me shkronja të ndryshme me lartësi 0,60 metra dhe bazë 0,45 metra, e mbajtur nga një çati druri. Disa nga këto arkada, rreth katër prej tyre, gjenden në fasadën veriore, shtatë të tjerat në fasadën lindore dhe tri të fundit në pjesën perëndimore.
Figurat 2: Kolonat rreth fasadës së xhamisë
4.1.2.2 Katet
Sistemi i kateve është i përbërë nga pllaka betoni. Kati përdhes është i ngritur nga toka me rreth 1 metër. Pjesa e brendshme është e mbuluar me qilim, ndërsa pjesa e jashtme është me pllaka mermeri me forma të parregullta. Kati nëntokë, pra kati ku gjenden banjat, është i veshur me pllaka porcelani 0.3 m x 3.4 m, secila me ngjyrë të bardhë.
4.1.2.3 Muri
Nga rasti i marrë në studim kuptohet se sistemi i murit, i përdorur për të ndërtuar xhaminë, është një sistem me blloqe të dyfishta. Blloqet janë të vendosura në shtresa e të lidhura me llaç. Muret e brendshme janë mjaft të trashë, duke krijuar një hapësirë për librat në çdo dritare. Muret, rreth 2,5 metra nga toka, janë të suvatuara dhe të lyera me gëlqere, ndërsa pjesa e sipërme është e pikturuar me motive floreale nga artistët e asaj kohe.
4.1.2.4 Kulmi dhe tavani
Kulmi është elementi kryesor, që i jep xhamisë një identitet shqiptar. Po të mos ishte për minaren ajo nuk do të dallohej nga ndërtesat e tjera. Është e ndërtuar me pllaka balte në formë katrani. Mbulon hyrjen e xhamisë, ndërsa sipër pjesës kryesore të faljes, në formën tetëkëndore, gjendet kupola. Ajo ka një diametër prej 8 metrash, e mbuluar me plumb. Kurse tavani është ndërtuar thjesht me dërrasa të vëna njëra pas tjetrës.
4.1.2.5 Shkallët
Shkallët e jashtme janë prej pllakash mermeri në formë të rregullt. Përbëhen prej katër shkallësh, që të çojnë në një gjysmë sferë, si hyrëse e pjesës së brendshme të xhamisë. Shkallët, që të çojnë te hapësira e faljes së grave janë shumë të ngushta dhe në një formë spirale, që mundëson kalimin e një personi të vetëm. Shkallët janë të ndërtuara me betonim të thjeshtë dhe nuk është përdorur material shtesë. Secili hap është shumë i lartë dhe krijon pak vështirësi në ngjitje, madje nuk kanë as mbajtëse anësore për personat e moshuar. Shkallët të çojnë gjithashtu edhe drejt minares (ose shkallët kanë dy dalje njëra, që të çon te hapësira e faljes për femra dhe tjetra të çon lart te minarja e xhamisë).
4.1.2.6. Dyert
Dyert përbëhen prej portave dhe dritareve. Xhamia ka tre porta kryesore. Njëra te hyrja qendrore e xhamisë, me ngjyrë kafe, përbëhet nga dy kanate dhe një kornizë drejtkëndore, e cila e kufizon në skajet e saj. E dyta është një portë më e vogël në pjesën e brendshme të xhamisë, që të çon për te hapësira e faljes. Është prej druri dhe me një panel prej xhami, ndërsa mbi të muri është i dekoruar me motive lulesh. Porta e tretë është në pjesën e brendshme të hapësirës së faljes. Ajo të çon për te vendfalja e femrave. Është njëkanatëshe dhe me një hark të vogël përkulur në krye.
Ndërsa dritaret janë të vogla, të vendosura në lartësi të ndryshme në dy rreshtat e xhamisë. Dritaret më të vogla janë të vendosura në muret e brendshme të xhamisë, ndërsa ato të mëdhatë e me hark rrethojnë nga lart hyrjen nga tri anët.
4.1.2.7. Minarja
E gjithë minarja është ndërtuar me gur gëlqeror dhe e gdhendur në pjesën e brendshme dhe të jashtme. Lartësia e saj është gati 33,44 metra dhe me një diametër prej 1.40 metrash. Minarja ka formën e një shtylle sferike dhe me diametrin, që zvogëlohet me rritjen e lartësisë. Në pjesën e jashtme është e përbërë nga 15 kanale urash.
Ballkoni i rrumbullakët mbështetet mbi një mbajtëse të ngulur diku në një platformë. Për të mbërritur atje duhet kaluar nga hapësira e faljes përmes portës së vogël dhe të ngjitësh shkallët prej 90 hapash në formë trekëndore të mbështetura mbi një bosht pingul të vendosur në mes. Kangjellat janë prej druri të punuar me dorë.
4.1.2.8. Burimi
Uji është një element i rëndësishëm në jetën e komunitetit mysliman. Nuk është vetëm një element jetik, por edhe një element shumë i rëndësishëm për pastërtinë dhe higjienën. Kështu, kudo në Tiranë ka pasur burime uji (abdes’hane në formë shatërvani), në çdo xhami, apo dhe në qendrat kryesore të kryeqytetit. Të tillë ka pasur edhe xhamia e Et’hem Beut. Burimi gjendet në një qoshe të xhamisë, i ndërtuar me gurë cilindrikë me një diametër gati 1 metër. Në ditët e sotme ka vetëm një funksion simbolik, pasi nuk qarkullon ujë dhe nuk përdoret më.
4.1.2.9 Dekorimi dhe zbukurimi
Muret, tavanet dhe kupola janë të dekoruara me motive gjethesh të gjelbra dhe lulesh në pjesën e brendshme dhe të jashtme të xhamisë. Ky lloj stili dekorimi është i zakonshëm, mirëpo panorama përfundimtare është një mrekulli. Brenda, hapësira e faljes shpaloset në një mënyrë të veçantë. E gjithë hapësira e mureve dhe e kupolës nga brenda është e dekoruar me motive të veçanta, të cilat nuk gjenden asgjëkund. Ngjyra e fushës është një e hirtë e ëmbël, duke krijuar mjeshtërisht kontrast me ngjyrën e kuqe të kaftë dhe të gjelbër të të gjithë panoramës. Pikturime të ndërlikuara të shumëllojshmërisë së luleve me pikturimet e qyteteve të mrekullueshme dhe të xhamive të bukura krijojnë një panoramë të ngjashme me ndërtesat e vjetra në Turqi, Maqedoni dhe Bullgari. Mihrabi qëndron përballë hapësirës së faljes, i punuar më gdhendje në kafe të errët dhe shkallët me ngjyrë druri. Të gjitha orenditë e tjera si ora dhe kornizat janë të gjitha prej druri dhe janë të vendosur në mënyrë të shpërndarë nëpër xhami.
5. Përfundimi
Si përfundim, mund të themi se xhamia e Et’hem Beut është shembulli më i mirë i arkitekturës tipike islame në Shqipëri. Ndër të tjera është një dëshmi e periudhës klasike, gjatë së cilës ndërtesat kanë qenë të vogla, por të mbledhura me një stil të ndikuar nga qytetërimi i Perandorisë Osmane dhe aftësia e projektuesve për të ndërthurur këtë stil me stilin tipik vendas. Kombinimi i hapësirës për falje dhe verandës së gjerë me disa kolona dhe e rrethuar nga minarja e hollë nga njëra anë dhe nga kulla e sahatit nga ana tjetër, është vlerësuar si një ide origjinale shqiptare. Mbi të gjitha, kombinimi i elementeve shekullarë dhe fetarë, përfshirë këtu elemente osmane, vendase dhe perëndimore, kanë formësuar pjesën qendrore dhe bërthamën e qyteteve në Shqipëri. Kombinimi i këtyre elementeve në pamje të parë heterogjene, reflekton ndërkohë historinë e Shqipërisë, si një urë lidhëse e Lindjes me Perëndimin.
Bibliografi
[1]. Ky studim është bërë i mundur me ndihmën e fondit përkrahës për kërkime (lloji B), sponsorizuar nga Qendra e Menaxhimit të Kërkimeve (Research Management Centre, IIUM), Jalan Gombak, 53100 Kuala Lumpur. Metodologjia kërkimore e përdorur për këtë studim mbështetet në disa metoda. Shqyrtimi i literaturës është përdorur për të vërtetuar hipotezën në fjalë. Procesi i vëzhgimit është kryer në terren. Studimi i rastit të xhamisë së Et’hem beut në Tiranë, është marrë si shembull jo vetëm për të treguar rolin e kësaj xhamie në zhvillimin e arkitekturës urbane të qytetit, por edhe për të treguar elementet arkitekturorë dhe rëndësinë e tyre në arkitekturën islame. Të gjitha të dhënat janë të dokumentuara në format fotografik dhe video.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...