Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Apr 18, 2022 Zani i Nalte Studime 0
nga Msc. Xhorxhina Seferi, Departamenti i Shkencave Islame, Universiteti Bedër
Abstrakt
Menjëherë pas çlirimit nga pushtuesi fashist, në Shqipëri u vendos regjimi komunist, i cili bazohej në diktaturën e proletariatit dhe në luftën e klasave. Qeveria e drejtuar nga Enver Hoxha në vitet e para të pasçlirimit u paraqit si qeveri me vizion, e cila kishte hartuar projekte për zhvillimin arsimor, kulturor, ekonomik dhe shoqëror të vendit. Në fillimet e tij shteti komunist nuk u afirmua në publik si shtet ateist, por si shtet laik. Megjithatë kjo nuk do ta pengonte shtetin që të fillonte luftën për zhdukjen e feve si ideologji kundërshtare. E zhvilluar në një shoqëri të mbyllur dhe me nivel të ulët kulturor, propaganda komuniste arriti të denigrojë klerikët dhe të cenojë integritetin e shërbesave fetare. Në vitin 1967 u zhvillua haptazi, në mënyrë intensive e të programuar, propaganda kundër besimeve fetare, e cila tregoi nevojën e regjimit për uniformitet politik e social. Në këtë studim rreth politikave të PPSH-së kundër besimeve fetare, jemi ndalur te vendosja e regjimit komunist në Shqipëri, marrëdhënia e tij me komunitetet fetare, masat e para kundër besimeve fetare, metodat e përdorura në luftën kundër fesë, fushata propagandistike dhe mjetet kryesore të propagandës, te qëndrimi i klerit e deri te ndalimi i veprimtarisë fetare në vend.
Fjalë kyçe: Besime fetare, PPSH, Propagandë, Masa ligjore, Ndalimi i fesë, Ateizëm, Komunizëm, Regjim, Komunitete fetare, Shqipëri.
Vendosja e regjimit komunist në Shqipëri dhe marrëdhënia e tij me komunitetet fetare
1.1. Etapa fillestare e regjimit komunist
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare mbylli një etapë të rëndësishme historike, gjatë së cilës u arrit të çlirohej vendi nga okupatorët nazifashistë dhe të rivendosej pavarësia e atdheut. Me përfundimin e luftës pritej edhe një zhvillim demokratik i vendit. Mirëpo lufta pati një veçori që do të ndikonte në zhvillimet pas saj. Organizatat nacionaliste, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, për shkak të qëndrimit të mbajtur gjatë luftës dhe të largimit jashtë vendit të krerëve të tyre, nuk do të ishin faktorë në zhvillimet pas lufte. Në pushtet kishin ardhur forcat që bënë luftën, të cilat qenë bashkuar në Frontin Nacionalçlirimtar, ku Partia Komuniste kishte një peshë të rëndësishme.[1]
Pas çlirimit nga pushtuesi fashist vendi ka përjetuar një gjendje krize tejet të vështirë. Shqipëria ishte, në çdo aspekt, vendi më i prapambetur në Evropë. Industria kishte pësuar dëme të mëdha, infrastruktura thuajse ishte shkatërruar e gjitha, klasa punëtore ishte e paktë në numër dhe shumica e popullsisë ishte analfabete. Populli kishte nevojë për strehë, veshmbathje, bukë dhe rreziku i sëmundjeve ishte shumë i lartë. Sipas historiografisë shqiptare mund të përmenden dy shkaqe kryesore të kësaj gjendjeje krize: Prapambetja e trashëguar nga e kaluara dhe dëmet e mëdha në ekonomi e në njerëz që shkaktoi lufta. Në nivelin ekonomik dhe social, që paraqiste vendi në atë kohë, por edhe sipas doktrinës së Marksit, nuk parashikohej vendosja e regjimit komunist në një vend me nivel kaq të ulët zhvillimi.
Marksi, i cili është themelues i komunizmit shkencor, deklaronte se idetë e tij do të ishin të suksesshme nëse do të viheshin në jetë në vendet e zhvilluara kapitaliste. Pra, për një vend si Shqipëria nuk mendohej vendosja e rendit komunist, por Partia Komuniste për shkak të disa zhvillimeve politike, që ndodhen gjatë luftës, arriti të vinte e vetme në pushtet. “Duke e filluar veprimin e tij me 1941, me një grumbull ndjekësish të tij dhe me një grusht këshilltarësh jugosllavë, Enver Hoxha kishte vënë duart mbi pushtetin më 1944, duke vënë në jetë mësimet e Stalinit.”[2]
Me 18 mars 1946 Kuvendi Popullor ngarkoi liderin e Partisë Komuniste, Enver Hoxha, që të formonte qeverinë e parë pas lufte. Me 24 mars Kuvendi miratoi programin dhe Kabinetin qeverisës me përbërjen e mëposhtme: Enver Hoxha kryeministër, ministër i Mbrojtjes Kombëtare dhe ministër i Jashtëm; Koçi Xoxe zëvendës kryeministër dhe ministër i Brendshëm; Haxhi Lleshi e Tuk Jakova, ministra pa portofol; Manol Konomi, ministër i Drejtësisë; Nako Spiru, ministër i Ekonomisë dhe kryetar i Komisionit të Planit, Spiro Koleka, ministër i Punëve Botore; Ramadan Çitaku, ministër i Financave; Sejfulla Maleshova, ministër i Arsimit; Medar Shylla, ministër i Shëndetësisë.[3]
Karakteristikë e regjimit ishte lufta e ashpër e zhvilluar brenda radhëve të udhëheqjes së lartë të PPSH, me eliminimet dhe dënimet maksimale të kundërshtarëve, sipas modeleve dhe metodave staliniste të kohës. Lufta brenda llojit ishte mjaft e ashpër dhe ajo ka sunduar sidomos pas vitit 1947 e në vazhdim, deri në rënien e regjimit komunist në Shqipëri.[4] Ligjet ekzistonin, por ato nuk zbatoheshin njëlloj për të gjithë qytetarët e Republikës. Për rrjedhojë kalohej në veprime arbitrare nga njerëzit e pushtetit. Dënimet arbitrare filluan të shtrihen ndaj kujtdo që shfaqte pakënaqësi, ose kundërshtonte hapur një vendim partie.[5]
1.2. Masat për rimëkëmbjen e vendit
Menjëherë pas lufte, Partia Komuniste e Shqipërisë përcaktoi si detyrë prioritare ndërtimin e një sistemi politik, që do t’i përshtatej natyrës dhe qëllimeve të saj. Në këtë kuadër, rëndësi të veçantë kishte organizimi i shtetit, që do të përdorej si mjet për kryerjen e reformave që duhet të çonin në normalizimin e shpejtë të jetës dhe në zhvillimin ekonomik, por edhe për të shtypur klasat kundërshtare dhe rezistencën e tyre. Ndërtimi ekonomik dhe shtypja e klasave kundërshtare përbënin qëllimin kryesor të PKSH dhe përmbajtjen e funksioneve të shtetit që po ndërtohej. Në rrethana të tilla, shteti demokratik, që doli nga lufta, dalëngadalë do të merrte tiparet e një diktature të majtë të tipit Stalinist.[6]
Meqenëse vendi ndodhej në kushte shumë të vështira ekonomiko-shoqërore, shteti fillimisht i dha përparësi problemeve më emergjente siç ishin: Rindërtimi i infrastrukturës së dëmtuar, sigurimi i nevojave të domosdoshme për jetesë dhe ndërmarrja e reformave që do të shpejtonin normalizimin e jetës në vend.
1.2.1. Reforma agrare
Ndër reformat e marra nga qeveria ishte edhe reforma agrare. “Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, me 29 gusht 1945, miratoi dhe shpalli ligjin mbi reformën agrare.”[7] Në bazë të ligjit shpronësoheshin çifligjet e shtetit, pronat bujqësore të konfiskuara, çifligjet dhe pronat e mëdha private si dhe ato të enteve fetare. Sipas ligjit pronarëve u mohohej çdo e drejtë mbi pronën përveç së drejtës për ta përdorur atë.
Në pamje të parë shpronësimi nuk dukej si një vepër antifetare, por si domosdoshmëri për zbatimin e ligjit, i cili nuk i shpronësonte të gjitha tokat në pronësi të komuniteteve fetare, por i linte atyre 20 ha tokë.[8] Në të vërtetë regjimi komunist e shfrytëzoi këtë reformë për të dobësuar komunitetet fetare. Xhamitë, manastiret, teqetë dhe objektet e tjera të komuniteteve fetare siguronin të ardhura nga tokat që zotëronin dhe këto të ardhura përdoreshin nga komunitetet përkatëse. Me miratimin e ligjit për Reformën Agrare komunitetet fetare pësuan një goditje të rëndë.
Dekretligji nr. 253, i 27 majit 1946, që bën disa ndryshime të Ligjit e Shtojcë-Ligjeve të Reformës Agrare, e ul sipërfaqen e pronave të komuniteteve fetare sipas të cilit: “Teqevet, manastirevet dhe komuniteteve fetare të Prefekturave, u lihen gjer në 10 ha tokë. Dhe, në rastet kur në sipërfaqet që përfitojnë pronarët nga ky dekretligj përfshihen edhe pemishtet, vreshtat dhe ullishtat, sipërfaqja e tokës që jepet zbritet në proporcion me vleftën e kulturave”.[9]
Kjo reformë dhe një sërë masash të tjera në fushën fiskale të shtetëzimeve, e kufizuan shumë bazën ekonomike të fesë. Procesi i kooperimit të mjeteve të punës së prodhimit në bujqësi, sidomos tatimfitimi mbi ndërtesat, që filloi në vitin 1955 me efekte prapavepruese, ishin një goditje tjetër që iu dha më vonë pozitës ekonomike të institucioneve e udhëheqjes fetare.[10]
1.2.2. Reforma arsimore
Pas çlirimit, shteti tregoi një angazhim të veçantë në fushën e arsimit, kjo për arsye se u përball me shumë probleme, ndër të cilat ishte edhe analfabetizmi. Një arsye tjetër pse shteti u angazhua për përmirësimin e arsimit ishte ajo e edukimit me ideologjinë komuniste të brezit të ri.
Këshilli i Ministrave hartoi platformën mbi reformën arsimore dhe me 17 gusht 1946 Kuvendi Popullor miratoi ligjin mbi Reformën Arsimore. Në ligj përcaktohej sistemi arsimor me gjithë strukturën dhe hallkat e tij. Ai përbëhej nga arsimi parashkollor, arsimi i përgjithshëm, ai profesional dhe arsimi për të rritur. Arsimi i përgjithshëm do të ishte 11-vjeçar. Hallkat e tij ishin: Arsimi fillor katërvjeçar, arsimi unik shtatëvjeçar dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm katërvjeçar.[11]
1.2.3. Lëvizja për “emancipimin” e gruas
Një tjetër lëvizje që u ndërmor nga partia komuniste ishte edhe lëvizja për emancipimin e gruas. Në themel të kësaj lëvizjeje qëndronin motivet politike e ideologjike. Shtysë për krijimin e kësaj lëvizjeje u bënë normat e vjetra të kanunit që vepronin me forcë në disa zona të vendit dhe e mbanin gruan të shtypur e të diskriminuar. Zakonet e vjetra bënin që ajo të ishte inferiore në raport me burrin. Kjo pozitë shfaqej në çdo fushë, por ishte akoma më e dukshme në familje, ku ajo ishte e shtypur dhe trajtohej si skllave. Duke marrë shtysë nga realiteti PPSH-ja organizoi një lëvizje shoqërore në të gjithë vendin. Kjo lëvizje pati qëllim eliminim e normave të kanunit, të praktikave dhe zakoneve të vjetra patriarkale që e diskriminonin gruan dhe që pengonin përfshirjen e saj në jetën shoqërore, politike e kulturore.
Kjo lëvizje filloi të kishte sukses dhe nëpërmjet saj u arrit sensibilizimi i opinionit shoqëror. Pothuajse të gjitha shtresat e shoqërisë filluan të dënojnë mentalitetet dhe zakonet që kishin sjellë diskriminimin e gruas. Lëvizja u përqendrua në luftën kundër mentaliteteve e zakoneve të vjetra dhe në krijimin e kushteve për emancipimin e saj në fusha të ndryshme të jetës.
Aktivë të partisë nëpër rrethe të ndryshme të vendit e përkrahën këtë lëvizje dhe filluan të shprehen se: “Do të ngremë në vende me përgjegjësi gratë që nga skuadër komandante gjer në kryetarë kooperative”, “Do të prishim fejesat e lidhura në moshë të mitur dhe do të bëjmë luftë të pandërprerë kundër rasteve të tilla”, “Do të ndryshojmë veshjen e grave brenda 6 mujorit të parë të këtij viti dhe do të marrim masa për ndryshimin e marrëdhënieve në familje, sidomos ato ndërmjet burrave dhe grave”.[12]
Një jehonë të veçantë pati protesta e pionierëve të shkollës 8-vjeçare të Progonatit në Kukës, që prishën publikisht fejesat e bëra nga prindërit e tyre në moshë të vogël dhe deklaruan se: “Nuk do të ngrohemi, në qoftë se drutë do ti bijen në krahë nënat tona dhe nuk do të pijmë ujë në qoftë se do ta sjellin ato në krahë”.[13]
Për drejtuesin e PPSH-së filluan të vinin letra nga mbledhje të aktivit të grave nga konferenca të bashkimit të grave të Shqipërisë nga rrethe të ndryshme të vendit. Ato fillimisht shprehnin mirënjohje për të, më pas tregonin shqetësimet e tyre dhe premtonin se do të jepnin kontributin e tyre në ndërtimin e shoqërisë socialiste dhe do të luftonin derisa të arrinin rolin e merituar në familje dhe në shoqëri.
Aktivi i grave të rrethit të Dibrës në një letër shprehej: “Ne si gra do të përpiqemi me punë konkrete që të sigurojmë rritjen e personalitetit tonë dhe barazi të plotë në shoqëri dhe në familje. Do të ngremë zërin kundër kujtdo që merr nëpërkëmbë të drejtat tona, do të kërkojmë ndihmën e të gjithë komunistëve dhe të organizatës së partisë të katundit për t’i çue deri në fund porositë tuaja që të djegim me zjarr e t’u këputim kokën të gjithë atyre që marrin nëpërkëmbë këto të drejta.”[14]
Në kuvendet dhe mbledhjet që u zhvilluan, u dënuan praktikat dhe zakonet e vjetra që lejonin keqtrajtimin e gruas dhe nëpërmjet kësaj lëvizje filloi të ndryshojë pozita e gruas, si në familje ashtu edhe në shoqëri. “Për t’i siguruar grave kushte lehtësonjëse u hapën 15 menca në lagje. 500 gra u ngritën në përgjegjësi që nga kongresi i 5-të i Partisë dhe në vazhdim”.[15] PPSH-ja gjithashtu kërkonte nga organizatat e partisë, ato të masave dhe organet e pushtetit që: “Të mos lejojnë asnjë lëshim në këtë çështje dhe për këtë qëllim të forcojnë punën edukative e politike duke krijuar kudo një atmosferë mbytëse ndaj këtyre zakoneve që poshtërojnë gruan.”[16] Ishte kjo lëvizje që bëri të mundur “emancipimin” e gruas dhe që i dha shtysë aktivizimit të saj në jetën shoqërore e kulturore të vendit. Sipas PPSH-së zhvillimi i gruas ndikoi drejtpërdrejt në forcimin e familjes dhe në zhvillimet ekonomike e politike të vendit.
1.3 Marrëdhënia e regjimit të ri komunist me komunitetet fetare
Në Shqipëri, megjithëse shumica e popullsisë ishte myslimane, në të jetonin edhe të krishterë. Fillimisht shteti komunist nuk u afirmua në mënyrë të hapur si shtet ateist, por si shtet laik. Rrjedhimisht edhe metodat e luftës kundër fesë ishin jo të drejtpërdrejta. Shteti nuk ndërhyri në përcaktimin e pozitës juridike të komuniteteve fetare, por politikave fetare iu dha mundësia të mbështeteshin në legjislacionin zogist. Statuti themeltar i vitit 1946 dhe Kushtetuta e 1950 sanksiononin lirinë e besimit dhe ndarjen e shtetit nga feja.
Për të arritur qëllimin e tij regjimi veproi me dinakëri, duke mos ndërmarrë masa në mënyrë të hapur kundër besimeve fetare. Shqiptarët e shihnin besimin të ndërthurur ngushtë me vlerat e zakonet familjare dhe shoqërore. Në këto kushte, regjimi komunist vendosi t’i dobësonte në mënyrë graduale institucionet fetare. Ai fillimisht vendosi t’ia nënshtronte këto institucione shtetit, t’i përdorte për aq kohë sa ato përkrahnin programin e qeverisë dhe në fund t’i zhdukte. Këtij plani të PPSH-së iu deshën 23 vite që të realizohej plotësisht.
Gjatë Luftës Çlirimtare regjimi i ardhshëm komunist i kishte zbatuar dhe ruajtur me kujdes planet e tij. Në Kongresin e Përmetit, të mbajtur në maj 1944 për formimin e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe për hedhjen e bazave të pushtetit socialist, Enver Hoxha nderoi në mënyrë të veçantë “klerin” që ndodhej në radhët e delegatëve, partizanëve dhe patriotëve.[17] Më vonë edhe kushtetuta i jepte garanci për të drejtat civile dhe për ushtrimin e lirë të fesë.
Pavarësisht asaj që kishte prezantuar deri tani, regjimi i ri komunist filloi t’i dobësonte institucionet fetare gjatë viteve 1944-1946, duke e përjashtuar nga ligji edukimin fetar dhe duke mbyllur shkollat e mbetura private fetare. Gjithashtu u ndaluan botimet fetare dhe të rinjtë nxiteshin për të mos marrë pjesë në veprimtaritë fetare. Në vitet e para të ndërtimit të shtetit, komunistët nuk caktuan ndonjë dokument ligjor autentik në lidhje me pozitën juridike të fesë në shoqëri. Me këtë veprim u la të kuptohej se shteti i qëndronte besnik standardeve të njohura në marrëdhëniet e fesë me shtetet demokratike. Por, kur erdhi koha e përshtatshme ato e zbatuan me përpikëri njërën nga pikat e programit të tyre që ishte lufta kundër fesë.
1.4. Dekretligji për komunitetet fetare i vitit 1949
Ligjin Zogist për komunitetet fetare shteti komunist e konsideroi të mirëqenë dhe me disa ndryshime të vogla e mbajti në fuqi deri në fund të vitit 1949. Pas kësaj kohe, me pretekstin se në Shqipëri ishin krijuar realitete të reja politike, ekonomike e sociale, të lindura nga Lufta ANÇ, ai e abrogoi atë dhe hartoi një kuadër të ri më të plotë ligjor për fenë.[18]
Me 26.11.1949 doli dekretligji nr. 743 “Mbi komunitetet fetare”, miratuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë.[19] Dekretligji i Komuniteteve fetare i vitit 1949, i përbërë nga 37 nene dhe formuluar në përputhje me kushtetutën, sanksiononte ndërhyrjen e shtetit në çështjet e brendshme të komuniteteve fetare. Ky dekretligj në përputhje me nenin 16 të Statutit të Republikës Popullore të Shqipërisë, në nenin nr. 1 parashikonte se të gjithë shtetasve u garantohej liria e ndërgjegjes dhe besimit. Në nenin nr. 2 deklarohej se besimet dhe komunitetet fetare ishin të ndara nga shteti, ndërkohë që në nenin nr. 6 thuhej se komunitetet fetare ishin të lira të organizoheshin dhe të ushtronin shërbimet fetare në bazë të dogmave dhe statuteve të tyre, nëse këto nuk binin në kundërshtim me ligjet e shtetit, me rendin publik dhe zakonet e mira. Sipas nenit nr. 9 çdo komunitet fetar duhet të kishte një Kryesi, që do të ishte përgjegjëse përpara shtetit dhe lidhjet ndërmjet qeverisë dhe komuniteteve fetare do të bëheshin përmes kryesisë së Këshillit të Ministrisë.
Përmes këtij dekretligji shteti vinte nën kontroll zgjedhjen e drejtuesve të komuniteteve fetare duke i dhënë kështu qeverisë të drejtë absolute të vendoste për drejtuesit e këtyre komuniteteve. Në nenin nr. 13 thuhej se kryetarët e komuniteteve fetare dhe të sekteve fetare pasi të zgjidheshin ose të emëroheshin duhet të aprovoheshin nga Kryesia e Këshillit të Ministrisë. “Gjithashtu shteti me propozim të Kryesisë së Këshillit të Ministrisë mund të pezullonte nga shërbimi ose të pushonte kryetarët e komuniteteve fetare dhe të gjithë funksionarët e tjerë që ishin në shërbim të tyre, nëse nuk respektonin kriteret e përcaktuara në dekretligj.”[20] Përveç këtyre, dekretligji përcaktonte për kryetarët e komuniteteve fetare, si dhe për të gjithë funksionarët e tjerë fetarë që fillonin detyrën pa qenë aprovuar zgjedhja e tyre nga shteti, që të dënoheshin me privim të lirisë deri në 3 vjet.[21]
Komuniteteve fetare i kërkohej të edukonin besimtarët me dashurinë ndaj partisë dhe pushtetit. Kjo tregohej qartë në këtë nen: “Komunitetet fetare me aktivitetin e tyre duhet të zhvillojnë tek besimtarët ndjenjën e besnikërisë ndaj pushtetit të popullit dhe të Republikës Popullore të Shqipërisë si dhe përforcojnë bashkimin kombëtar.”[22] Në nenin nr. 4 theksohej se ishte i ndaluar çdo provokim dhe urrejtje fetare ndërsa, në nenin nr. 3 ndalohej përdorimi i kishës dhe i fesë për qëllime politike edhe formimi i organizatave politike me baza fetare.
Dekretligji izolonte veprimtarinë fetare brenda vendit, sepse sipas tij lidhjet me komunitetet homologe jashtë vendit cenonin sovranitetin e shtetit. Kjo tregohet në nenin nr. 25 ku thuhej se komunitetet fetare mund të kishin lidhje me komunitete fetare, institute, organizata dhe persona zyrtarë, që kishin qendrën ose banimin jashtë shtetit, vetëm me autorizimin e mëparshëm të Këshillit të Ministrisë dhe me anë të ministrisë së Jashtme.
Komunitetet fetare ose degët e tyre (urdhra, shoqata, misione fetare, etj.), që kishin qendrën e tyre jashtë shtetit, nuk mund të hapnin në Republikën Popullore të Shqipërisë degë të tyre (urdhra, misione, institute mirëbërësie, etj.), dhe ato që ekzistonin duhet të mbylleshin brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij Dekretligji.[23]
Të gjitha komunitetet fetare duhet të vinin në dijeni Kryesinë e Këshillit të Ministrisë për letrat pastorale, qarkoret me karakter të përgjithshëm dhe çdo botim publik që botohej prej tyre. Këshilli i Ministrave mund të ndalonte shpalljen, shtypjen dhe shpërndarjen e letrave, qarkoreve dhe botimeve të mësipërme në qoftë se ishin në kundërshtim me ligjet e shtetit.[24] Meqenëse buxhetet e komuniteteve fetare aprovoheshin nga Këshilli i Ministrave, shteti e kontrollonte drejtpërdrejt edhe veprimtarinë e tyre financiare.[25] Komunitetet fetare nuk mund të shkëmbenin ndihma materiale dhe dhurata me vendet e huaja, veçse me autorizimin e Këshillit të Ministrave.[26]
Dekretligji i ndalonte komunitetet fetare të hapnin spitale, jetimore dhe institute të tjera analoge. Për më tepër, institucionet e lartpërmendura që mund të ekzistonin deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Dekretligji, shtetëzoheshin bashkë me pasuritë e tyre të luajtshme dhe të paluajtshme pa u shpërblyer dhe kalonin nën administrimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ose të Drejtorisë për Kujdesin Social.[27] Pasurive të zhdukura të komuniteteve fetare, ose pasurive që u hiqej njohja i kalonin shtetit.[28] Çdo bashkësi fetare duhej të rishikonte statutin e vet, duke e përshtatur atë me nenet e dekretligjit dhe brenda tre muajve duhej ta paraqiste në Këshillin e Ministrave për miratim.
Pas analizimit të këtij dekretligji dalim në përfundimin se ai hapi rrugë për zhvillimin e propagandës antifetare, krijoi terren të përshtatshëm për të rritur varësinë e fesë ndaj shtetit dhe krijoi kushte për instrumentalizimin e institucioneve fetare.
Masat me karakter administrativ, kulturor dhe propagandistik të regjimit komunist kundër fesë
2.1. Masat e para të regjimit kundër fesë
Meqenëse fillimisht shteti komunist nuk u prezantua si shtet ateist, por si shtet laik, dhe format e luftës kundër fesë nuk ishin të drejtpërdrejta. Në luftën kundër fesë u përdorën metoda nga më të ndryshmet dhe u morën masa sipas kushteve në të cilat ndodhej vendi. “Në këtë luftë vendin qendror e zunë mjetet politike, e në radhë të parë, akuzat për bashkëpunim me armikun.”[29]
Për t’i vënë fre ndikimit fetar, kleri jo vetëm që u kufizua nëpër xhami e kisha, por edhe në ato mjedise shteti ndërhynte shpesh. Në përpjekje për të shtypur kritikat që mund të vinin nga klerikët, shteti komunist në fillim vuri censurë mbi shtypin fetar, pastaj e ndaloi fare me pretendimin se “nuk ka letër”. Edhe për të botuar kalendarin e thjeshtë që botonte çdo vit Komuniteti Mysliman, i cili tregonte kohën kur duhet të fillonin e të mbaronin 5 lutjet e ditës, kur fillonte muaji i ramazanit, kur binin festat fetare etj., duhet të merrej leje nga qeveria.[30]
Me 2 mars 1946, në Drejtorinë e Shtypit dhe Propagandës pranë Ministrisë së Shtypit, Propagandës e Kulturës Popullore, u krijua një komision, i cili ngarkohej për t’u dhënë leje qarkullimi librave të botuar deri në atë kohë në Shqipëri si edhe atyre të importuara nga jashtë.[31] Pas dy vitesh, me 2 mars 1948, Gjykata e Rrethit të Tiranës, ndaloi qarkullimin e mbi 155 titujve, të cilët, sipas Gjykatës, kishin përmbajtje ideologjike të dëmshme për popullin dhe ishin kundra frymës së re Demokratike. Sipas tyre, qarkullimi i atyre botimeve nuk i sillte dobi popullit, por përkundrazi nxiste urrejtje dhe përçarje.[32]
Propaganda që zhvilloi shteti komunist jo vetëm që arriti të denigrojë klerikët, por cenoi edhe zhvillimin e shërbesave fetare. Gjithashtu bëri të mundur edhe nisjen e procesit të ngritjes së Enver Hoxhës në simbol. Ai ishte një udhëheqës që vinte nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe përqendrimi në duart e tij i postit të kryetarit të partisë, të kryeministrit, të komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, të kryetarit të Frontit Demokratik, të ministrit të jashtëm, bënte që kulti i personit të tij në praktikë të ishte e pakontestueshëm.
Procesi i nënshtrimit të organizmave fetare ndaj shtetit ka një datë të përpiktë, 26 qershorin e vitit 1951, kur Kisha Katolike pranoi statutin e saj të ri, komunitetet e tjera fetare u nënshtruan edhe më shpejt. Kështu, besnikëria e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u sigurua qysh me 25 gusht të vitit 1949, kur Sinodi i Shenjtë shfuqizoi Imzot Kristofor Krisin dhe në vend të tij zgjodhi “Kryepeshkopin e kuq” Paisi Vodica. Kongresi i III i KOASH-it, që miratoi statutin e ri (shkurt 1950), ishte vetëm një akt formal dhe tribunë për trumbetimin e këtij nënshtrimi pa kushte. Dy muaj më vonë u miratuan edhe statutet e Komunitetit Mysliman dhe atij Bektashian.[33] Nënshtrimi i komuniteteve fetare nuk ishte një proces i lehtë për arsye se u shoqërua nga një përndjekje e anëtarëve të lartë të klerit.
2.2. Lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare
Meqenëse në shumë rrethe të vendit ishte intensifikuar lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare, sekretari i parë i PPSH-së, Enver Hoxha, e pa të nevojshme të jepte disa orientime në mënyrë që kjo luftë të bëhej pa gabime dhe të kishte sukses. Fillimisht ai theksonte se feja ishte opiumi i popullit, për këtë arsye duhej punë intensive që kjo të kuptohej nga çdo njeri.
Sigurisht, feja ka të bëjë me botëkuptimet, me ndërgjegjen, vepron me koncepte të cilat me shekuj klerikët jo vetëm i kanë kthyer në dogma filozofike, por për t’i rrënjosur këto dogma në ndërgjegjen e njerëzve, i kanë shoqëruar ato edhe me disiplina konkrete, me organizime të veçanta e i kanë lidhur me ngjarjet e jetës së njeriut. Feja çdo gjë është munduar ta lidhë me ndodhitë e jetës së njeriut dhe ka bërë që ky (njeriu) çdo mendim, çdo veprim të tij ta lidhë me fenë, me besimin idealist, mistik etj. Luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë si kundër vetë dogmave fetare, pikëpamjeve filozofike idealiste e mistike të saj, ashtu edhe kundër disiplinave fetare, që kanë hyrë deri në zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë, por që ndonjëherë i zbatojnë pa ditur, pa treguar kujdes, shpesh nga forca e zakonit.[34]
Kishat dhe xhamitë ishin vendet ku klerikët grumbullonin besimtarët për të mbajtur gjallë besimin. Prishja e kishave, xhamive, teqeve dhe manastireve ishte e vështirë, sepse shteti në këtë mënyrë dilte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë pjesë të popullit që besonte. Edhe pse disa prej tyre ishin prishur me iniciativën e masës pa ngjallur asnjë reaksion, disa të tjera ishin kthyer në depo ose kishin mbetur pa hoxhë ose prift dhe praktikisht nuk funksiononin. Ai bënte gjithashtu thirrje që institucioneve fetare duhej t’u hiqej e gjithë toka, ndonjë rrënjë ulliri ose të ardhura të tjera që mund të kishin akoma. Mungesa e rezistencës, sidomos në fshat, ndaj këtyre veprimeve shihej si rezultat i punës ateiste që bënte partia, por edhe i mungesës së hoxhallarëve, priftërinjve dhe librave fetarë.
Lufta kundër fesë, duhet bërë me këmbëngulje, sidomos kundër zakoneve, traditave, mënyrës së jetesës, interpretimit të fenomeneve, sepse nëpërmjet kësaj rruge klerikët kishin mundur, për shekuj me radhë, të futin helmin e fesë dhe këtë helm ta përzienin me ngjarjet e përditshme të jetës së njeriut. Në jetën e njeriut, që nga lindja e tij deri në vdekje, kanë depërtuar ritet fetare, pagëzimi, vënia e kurorës, synetllëku etj., si krimbi brenda mollës së kuqe. Duke i analizuar e duke i njohur mirë këto, lufta kundër fesë do të bëhet e studiuar e sistematike, ideologjike, politike e organizative, pa pushim e pa pushim. Për të luftuar konceptet fetare ne duhet të përgatitim leksione teorike të bazuara në marksizëm-leninizmin, të thjeshta, reale, t’ua përshtatim vendit, njerëzve, zakoneve dhe nivelit tonë intelektual. Të mos kopjojmë gjëra që nuk i përshtaten realitetit tonë. Të mos hyjmë në gjëra dhe në mendime që nuk janë të nevojshme për gjendjen tonë.[35]
Gjatë historisë së popullit shqiptar ka pasur klerikë patriotë, që edhe pa e mohuar besimin e tyre, kanë qenë të lidhur me popullin dhe me idenë e çlirimit kombëtar, por në asnjë kohë feja si fe nuk ka qenë një faktor përparimtar, bile nuk ka dhënë as ndihmën më të vogël në çlirimin kombëtar. Pra, sipas drejtuesit të PPSH-së ky ishte një argument tjetër me baza historike që lufta kundër fesë duhej zhvilluar në mënyrë intensive.
2.3. Fushata propagandistike
KQ i PPSH-së, si rrugë për zhdukjen e praktikave fetare, shihte luftën që duhej zhvilluar me frymën patriotike dhe revolucionare. Për shembull, çështjet e praktikave fetare myslimane, sipas PPSH-së, gjatë 14 shekujve ruanin karakterin e unitetit arab, të dominimit arab me anën e fesë. “Disiplina e fesë myslimane kërkon që çdo mysliman, i çdo kombësie që të jetë, duhet të falet në gjuhën arabe, Kur’anin ta mësojë dhe ta këndojë vetëm në arabisht. Myslimanët falen kudo njëlloj, numri i të falurave çdo ditë është njëlloj, marrja avdes është njëlloj. Gjithashtu njëlloj janë deri në përcaktimin e datave të tyre agjërimi, festat e bajrameve, matemi etj.”[36] Sipas regjimit këto praktika duheshin thyer në mënyrë që t’i tregohej të gjithë atyre që besonin sa absurde ishte të ruaje dhe të zbatoje zakone të tilla, që nuk kishin asnjë lidhje me jetën. Partia kishte si qëllim të shpjegonte origjinën dhe qëllimin e tyre, të vërtetonte se si nën petkun e perëndisë, fshihej ligji i otomanëve, i pushtuesve turq dhe i shërbëtorëve të tyre.
Sipas Enver Hoxhës, asgjë nuk i lidhte shqiptarët me fenë dhe praktikat e saj, për arsye se ligjet e fesë i shihte si ligje të të huajve dhe pushtuesve, por që ishin të veshura me petkun e fesë e të sheriatit. Bindja ndaj këtyre ligjeve e zakoneve, nënkuptonte të ishe i lidhur shpirtërisht me të huajt dhe nuk ishte e mundur që të mendoje dhe të veproje drejt politikisht, kurse nga ana tjetër të mendoje shtrembër ideologjikisht.
Sipas propagandës ateiste të regjimit komunist, feja ishte frenuese për zhvillimin e vendit dhe duhej zhdukur përfundimisht, sepse deformonte realitetin dhe e fuste njeriun në errësirë. Klerikët, me përjashtim të katolikëve, cilësoheshin si injorantë, sepse nuk ishin të pasur me libra fetare dhe fetë që predikonin i mbështesnin më shumë në ruajtjen e disiplinave fetare. Shteti jo vetëm që e kishte ndaluar mundësinë për botimin e librave, por kishte mbyllur edhe të gjitha shkollat fetare duke zhdukur mundësinë e përgatitjes së kuadrit të ri klerik. Myslimanët kishin vetëm disa sure të Kur’anit që i transmetonin gojarisht, Ortodoksët kishin avantazhin që ungjillin e kishin në shqip, ndërsa katolikët, sidomos klerikët e tyre, ishin më të pasur me libra dhe atje ku gjenin mundësi vazhdonin ta zhvillonin fenë katolike si filozofi.
Sipas regjimit komunist, besimet e kota fetare nuk gjendeshin vetëm te klerikët, të cilët i propagandonin dhe i ruanin të gjalla, por besimet fetare ekzistonin edhe në popull. “Prandaj, pa e ngadalësuar për asnjë çast propagandën kundër fesë, të kemi kurdoherë parasysh se kemi të bëjmë me popullin. Veprimet e pamatura, të ekzaltuara duhet të evitohen, çdo veprimi i duhet përgatitur me kujdes terreni politik.”[37]
Feja në propagandën ateiste të regjimit komunist shihej si reaksionare, shtypëse, idealiste, qoftë në zhvillimin e dogmave e në përmbajtjen e tyre, qoftë në liturgjinë e ngarkuar, qoftë në praktikat dhe në disiplinat fetare. Një armë historike kundër fesë dhe klerikëve ishte edhe fakti se feja myslimane shihej si ideologji e pushtuesve turq, feja ortodokse si ideologji e shovinistëve grekë dhe feja katolike, me qendër Vatikanin, si ideologji e pushtuesve italianë.
Drejtuesit e regjimit komunist e dinin mjaft mirë se të zaptoje xhamitë dhe kishat me një urdhër ishte punë e lehtë, por më e vështirë ishte përgatitja e besimtarëve shpirtërisht dhe ideologjikisht për të kuptuar kotësinë e ekzistencës së këtyre institucioneve, zhdukja e fesë nga zakonet e jetës dhe heqja dorë me bindje nga praktikat e saj. Nëse veprohej në këtë formë, për ta nuk do të kishte rëndësi xhamia apo kisha, prifti apo hoxha. Shumë kisha dhe xhami po braktiseshin dhe po rrënoheshin dhe meremetimi i tyre ishte i panevojshëm, sepse sipas qeverisë kishte ndërtime më të dobishme për të bërë.
Partia ishte e vendosur për të mos lejuar përdorimin e masave administrative për zhdukjen e institucioneve fetare, të zakoneve dhe të besimeve. Për zgjidhjen e këtyre problemeve ato shihnin vetëm një rrugë: Punë politike, ideologjike dhe bindje. Vazhdimisht përsërisnin se zakonet prapanike dhe besimet fetare nuk zhdukeshin menjëherë, por me një punë të gjerë e të vazhdueshme, duke përdorur forma të përshtatshme për çdo familje dhe individ veç e veç. Enver Hoxha shprehej: “Mos lejoni, shokë, që njerëz të ekzaltuar të prekin ndjenjat e popullit. Në asnjë mënyrë nuk duhet të acarohemi me popullin për majën e një minareje, e cila në rast se nuk rrëzohet sot, do të rrëzohet mot, kur populli të bindet për kotësinë e besimeve fetare.”[38]
2.4. Mjetet kryesore të propagandës
Qëndrimi ndaj fesë për komunistët ishte çështje parimore. Çdo komunist duhej të ishte ateist, sepse botëkuptimi fetar ishte i papajtueshëm me botëkuptimin marksist-leninist, i cili përbënte edhe bazën ideologjike të PPSH-së. Regjimi komunist ka përdorur disa mjete për realizimin e propagandës antifetare ndër të cilat mund të përmenden: Shtypi, radioja, institucionet kulturore, shkolla, etj. Këto mjete ndihmuan në zhvillimin e propagandës dhe ushqyen lëvizjen e masave.
2.4.1. Shtypi
Në mënyrë që të çrrënjoseshin me sukses besimet fetare, PPSh-ja urdhëronte që shtypit t’i kushtohej një vëmendje dhe kujdes akoma më i veçantë. “Shtypi qëndror e lokal duhet të vazhdonte të trajtonte luftën kundër fesë pasi ai ishte nga mjetet kryesore për zhvillimin e propagandës. Në mënyrë të veçantë duhet t’i kushtonte më shumë vëmendje përgjithësimit të eksperiencave pozitive, të përkrahte iniciativat e reja të masave dhe të propagandonte afirmimin e normave dhe zakoneve të reja. Çështjet e ndryshme që shtypi ngrinte për luftën kundër fesë duhet të bëheshin objekt bisede për masat. Kjo metodë pune konsiderohej një mjet i rëndësishëm për përhapjen e ideve materialiste dhe luftimin e ideve idealiste mistike.”[39]
Megjithëse literatura antifetare ishte në qarkullim, PPSH-ja kërkonte që të zgjeroheshin tematikat dhe tirazhet e librave dhe botimeve të ndryshme me karakter shkencor popullor, të librave artistike me tema antifetare dhe botimeve ku shpjegohej shkrirja e fesë me zakonet e jetës së përditshme.[40] Tematikat më të rëndësishme në faqet e shtypit komunist me përmbajtje të propagandës ateiste rezultojnë: Feja si opium për popullin, feja si ideologji antishkencore, reaksionare, antipatriotike, edukimi ateist dhe letërsia ateiste, arti dhe letërsia ateiste në luftën kundër fesë, etj.[41] Rol të rëndësishëm në zhvillimin e propagandës luante edhe radio. Nga radio Tirana kërkohej përmirësimi i përmbajtjes ideo-politike dhe ateiste-shkencore i emisioneve që kishin të bënin me kulturën e jetës.[42]
2.4.2. Shkolla
Një rol të madh në formimin e botëkuptimit shkencor materialist ka luajtur edhe shkolla. Sipas PPSH-së, pavarësisht rezultateve pozitive të arritura, kishte akoma shumë për t’u bërë në këtë drejtim. “Studentët që përfundonin shkollën kishin akoma boshllëqe edhe ata që përfundonin fakultetet pedagogjike e kishin të vështirë të bënim me nxënësit dhe masën propagandë të argumentuar e bindëse antifetare. Për këtë arsye nga Ministria e Arsim Kulturës kërkoheshin udhëzime për përmirësimin e gjendjes. Edhe nga komitetet e partisë kërkohej që me arsimtarët e disa lëndëve të bëhej një punë më e mirë nëpërmjet seminareve dhe formave të tjera në mënyrë që të ishin më të përgatitur për të bërë propagandë bindëse antifetare.”[43]
2.4.3. Institutet e kulturës
Nga institutet e folklorit, historisë, gjuhësisë, etj., kërkohej të bënin studime me karakter shkencor dhe të shpjegonin rolin reaksionar të fesë në të gjitha fushat.
Nga teatrot, estradat, grupet amatore e profesioniste të shtëpive të kulturës në rrethe, kërkohej që, herë pas here, t’i jepnin më shumë vend demaskimit të riteve e zakoneve fetare dhe në mënyrë të veçantë propagandimit e afirmimit të normave e zakoneve të reja socialiste.
Kinostudioja “Shqipëria e Re”, duke trajtuar problemet e lidhura me luftimin e zakoneve prapanike dhe fetare, në të njëjtën kohë, duhej të propagandonte dhe të përhapte zakonet dhe normat e reja socialiste.
Ministria e Arsim Kulturës dhe institucionet që vareshin prej saj duhet të shihnin mundësitë për ngritjen e ekspozitave me fotografi e materiale që demaskonin fenë.
Gjithashtu inteligjencës i kërkohej përfshirja në mënyrë aktive për të bërë studime mbi problemet e ndryshme të fesë nëpër rrethe, pleksjen e saj me traditat e zakonet e popullit dhe grumbullimin e fakteve konkrete që të përdoreshin për demaskimin e fesë. Me ta herë pas here duhet të organizoheshin ekipe e brigada kulturale për të shkuar në fshatra dhe t’i diskutonin këto probleme.[44]
2.5. Metodat e përdorura në luftën kundër fesë
Lufta kundër fesë ishte luftë që u zhvillua në gjirin e popullit dhe të partisë dhe kërkonte që t’i kushtohej kujdes i veçantë metodave që do të përdoreshin në zhdukjen e fesë. Në letrën e drejtuesit të PPSH-së porositej që puna me njerëzit e çdo besimi “…të jetë një përpjekje bindjeje e vazhdueshme dhe me durim të madh, të cilën mos e lejojmë të kthehet në ofenduese. Me këta njerëz partia duhet të sillet, si të thuash, si doktori i mirë që bën të gjitha përpjekjet për të shëruar të sëmurin…”,[45] “Besimet e kota fetare nuk do t’i gjejmë vetëm tek klerikët. Këta janë ata njerëz profesionistë që i propagandojnë, që i ruajnë të gjalla, që bëjnë spekullime dhe mashtrime të poshtra, por ato egzistojnë edhe në popull. Prandaj, pa e ngadalësuar për asnjë çast propagandën kundër fesë, të kemi kurdoherë parasysh se kemi të bëjmë me popullin. Veprimet e pamatura, egzaltuese, duhet të evitohen. Çdo veprimi i duhet pregatitur me kujdes terreni politik.”[46] Edhe në Kongresin e V-të të PPSh-së të mbajtur në nëntor të vitit 1966, kupola e lartë partiake shqiptare deklaroi edhe një herë këmbënguljen e saj për të vazhduar objektivat e përcaktuara qysh më parë në fushën ekonomike dhe atë shoqërore.[47]
2.5.1. Metoda e bindjes së masave
Organizatat e partisë, që pas ardhjes në pushtet, zhvilluan punë intensive edukative me popullin. Meqenëse mbyllja e institucioneve fetare u bë brenda një kohe të shkurtër e të shpejtë, pati edhe raste ku u veprua më shumë në mënyrë administrative se sa duke përdorur metodat bindëse. Partia theksonte se: “Para se gjithash duhet luftuar kundra kuptimit të ngushtë të problemit, shikimit të cekët të çështjeve, konceptit të gabuar se feja është kisha, xhamija, prifti, hoxha, ikona etj. dhe po u zhduken këto u zhduk edhe feja si botëkuptim.”[48]
Një pjesë e klerit dhe e besimtarëve në dukje u përpoqën të përshtaten me gjendjen e krijuar nga regjimi komunist, por sërish ruanin përmbajtjen e vjetër. Një pjesë e klerikëve predikonin se nuk ishte e domosdoshme të shkoje në kishë e xhami, por njeriu mund të falej edhe në shtëpinë e tij. Sipas partisë kishte tentativa të shumta konformizmi nga kleri dhe besimtarët për të vendosur barazi mes normave të moralit komunist dhe predikimeve fetare. Qëllim të ruajtjes së fesë kishin edhe shprehjet të cilat përsëriteshin nga besimtarët: “Ne po të mbajmë ramazan dhe të bëjmë bajram nuk e dëmtojmë gjë partinë, neve do të festojmë festat kombëtare dhe ato fetare”, “Ai që është për fenë është edhe për Atdhenë” ose pyetjet që janë bërë: “A nuk është e mundur që të kemi në të djathtën partinë dhe në të majtën fenë?”, “A nuk e lejon kushtetuta lirinë e besimit?”.[49] Nga situata e krijuar partia arrinte në përfundimin se nëse dobësohej lufta kundër fesë, besimet fetare nuk do të zhdukeshin. Për këtë arsye, propaganda ateiste shkencore ishte e gjithanshme dhe mjaft intensive.
2.5.2. Metoda e punës së diferencuar sipas shtresave të popullit
Rinia: Në aksionin ideologjik rinia luajti një rol të rëndësishëm, meqenëse ishte pjesa më e pastër dhe e zhveshur nga besimet fetare. Ajo luajti një rol mjaft të rëndësishëm në vënien në jetë të vendimeve të kongresit të 5-të të partisë. Në të gjithë rrethet e vendit të rinjtë zhvilluan një luftë të gjerë fillimisht mes njëri-tjetrit nëpërmjet kritikës dhe autokritikës nën parullën: “Të ndreqim shtëpinë tonë dhe krahas kësaj të ndihmojmë edhe të tjerët.”[50] Nëpërmjet fletë rrufeve në bazë klase, reparti, shkolle dhe ndërmarrjeje kritikoheshin nxënësit besimtarë dhe feja në të gjitha drejtimet. Komitetet e partisë dërgonin të rinj të qendrave të punës dhe të shkollave në fshatra. U kombinua që të rinjtë që punonin nga një muaj në kooperativat e zonave malore, të merreshin edhe me propagandën ateiste shkencore.
Nga aksioni që zhvillonin të rinjtë dilte në pah rëndësia e porosisë së vazhdueshme të Enver Hoxhës, që duhej pasur besim në forcën e rinisë dhe se rinia duhet të mobilizohej mirë. Sipas tij, me rininë duhet të arrihej të luftoheshin besimet dhe zakonet fetare si dhe të parandalohej trashëgimia e tyre në brezat e ardhshëm.
Gruaja: Gruaja ishte nga shtresa e popullsisë që ruante më shumë besimet fetare. Ajo kishte qenë e shtypur, por në luftën ideologjike që zhvilloi partia merrte pjesë gjerësisht në mbledhjet e popullit dhe ndihmoi në demaskimin e fesë, duke përdorur fakte nga jeta e saj. Puna për emancipimin e gruas kishte një rëndësi mjaft të madhe për partinë, sepse emancipimi i saj do të ndikonte pozitivisht edhe për zhdukjen e zakoneve fetare nga ndërgjegjja e saj. Sipas partisë feja ka qenë armike e gruas, sepse ka ndikuar në mohimin e të drejtave dhe në përçmimin e saj.
Të moshuarit: Kjo shtresë e popullsisë, si patriotë të vendit, e ka përkrahur lëvizjen kundër fesë madje është bërë edhe mbështetje e saj. Organizatat dhe komitetet e partisë kanë zhvilluar mbledhje dhe kuvende të veçanta, në të cilat kanë marrë mendimet e të moshuarve dhe kanë bërë punë sqaruese me ta. Por, të moshuarit ishin edhe mjaft fanatikë. Shumë prej tyre ngrinin shqetësime dhe pyetje në lidhje me punën që i prishte feja partisë. Partia bënte thirrje që: “Nën drejtimin e saj organizata e frontit demokratik duhet të marrë si aksion me rëndësi punën e veçantë me të moshuarit, duke trajtuar problemin me kujdes të madh pa rënë në konflikte, por pa bërë edhe lëshime që na dëmtojnë.”[51]
2.5.3. Metoda e punës së diferencuar sipas krahinave, fshatrave, lagjeve, familjeve
Në çdo rreth të Shqipërisë kanë ekzistuar disa fe por, mes tyre kishte ndryshime për arsye se në një rreth një fe kishte gjetur më shumë përkrahës sesa në një tjetër. Në një pjesë të krahinave të veriut si: Shkodër, Lezhë dhe Mirditë, historikisht feja katolike ka pasur influencë të madhe. Kjo duket edhe nga numri i kishave që kanë ekzistuar në këto zona. “Në Shkodër numri i kishave arrinte në 67, në Lezhë dhe Mirditë nga 24. Në disa krahina të jugut si: Sarandë, Gjirokastër, një pjesë e Korçës, Kolonjës, Vlorës, Fierit, Beratit, Lushnjes, Durrësit etj. feja orthodhokse ka patur një influencë më të madhe. Në Korçë ka patur 132 kisha të mëdha e të vogla, në Gjirokastër 86, në Sarandë 21, në Kolonjë 90, në Vlorë 31, në Fier dhe Lushnje nga 40 etj.”[52] Ndërsa feja myslimane ka qenë më e përhapur në zonat e Elbasanit, Gramshit, Librazhdit, Dibrës, Kukësit, Tiranës, Burrelit, etj. “Kështu në Dibër kishte 122 xhami, në Burrel 70, Librazhd 50 etj. Në Tepelenë, Përmet, Skrapar, Krujë e rrethin e B. Currit influencë më të madhe kanë patur dërvishët (shehlerët) si sekt i fesë myslimane.”[53]
Ndryshimet e përhapjes së një feje më shumë se sa një tjetre në rrethe të ndryshme të vendit ishin tregues se në secilin rreth duhej punë e diferencuar ateiste-shkencore. Partia porosiste organizatat dhe komitetet e saj që të tregonin kujdes të veçantë ndaj minoritetit. “Në rrethin e Sarandës nga popullata minoritare që përbënte 41.3 % të popullsisë së rrethit, rreth 2500 frymë prej vitit 1932-1943 kishin marrë edukatë sistematike fetare në shkollë duke filluar nga klasa e dytë fillore. Vetëm në rrethin e Sarandës kishte 70 kuadro që kishin mbaruar shkollën në Greqi dhe 38 prej tyre edhe me vendosjen e regjimit komunist punonin në sektorin e arsimit.”[54] Partia theksonte dhe porosiste që me ata që kishin marrë edukatë fetare dhe sidomos me të gjithë ata që kishin dhënë edukatë fetare duhej një punë e veçantë për t’i larguar nga feja dhe për t’i përgatitur për edukimin e një brezi të ri ateist.
2.5.4. Metoda e zbatimit të vijës së masave
Regjimi komunist porosiste që: “Diskutimi i gjërë në popull e ballafaqimi i mendimeve, koncepteve materialiste me ato fetare duhej përdorur gjerësisht dhe rëndësi e veçantë i duhej dhënë aktivizimit të organizatave të masave”.[55] Nga eksperienca e deriatëhershme i duhej dhënë rëndësi aktivizimit të organizatave të masave, sepse ato kishin luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e opinionit të masave për aksionet ideologjike. Çdo organizatë, sipas profilit të saj, duke ndërmarrë aksione konkrete, duhej të thellonte luftën kundër besimeve fetare.
2.6. Karakteristikat e luftës kundër fesë
Lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare në vendin tonë është zhvilluar në kuadrin e thellimit të revolucionit ideologjik. Ajo ishte një luftë e thellë klasore, mes dy ideologjive, që zhvillohej për të çrrënjosur botëkuptimin fetar, me qëllim që ta zëvendësonte më pas atë me botëkuptimin materialist marksist-leninist.
Kjo luftë që po zhvillohej në të gjithë vendin dallohej nga këto karakteristika kryesore:
Revolucioni intensiv ideologjik, që po zhvillohej, ishte rezultat i punës 23 vjeçare të partisë komuniste. Që në fillimet e saj partia edukoi anëtarët e saj dhe masat me frymën e ateizmit. Ndërsa pas çlirimit të vendit mori disa masa të rëndësishme, ndër të cilat mund të përmendim: Ndarjen e fesë nga shteti dhe nga shkolla, kufizimin e vazhdueshëm të institucioneve fetare, kufizimin e mundësive për përgatitjen e kuadrit fetar, ndalimin e botimit të literaturës fetare, etj. Të gjitha këto luajtën një rol të rëndësishëm në luftën kundër fesë. Partia, si kryesore për arritjet e deriatëhershme shihte edhe punën e saj për të përhapur arsimin, kulturën dhe njohuritë shkencore në të gjitha fushat, në mënyrë që të zhdukej injoranca. Regjimi komunist, duke parë rezultatet pozitive të masave që kishte marrë kundër besimeve e zakoneve fetare, arrinte në përfundimin që KQ dhe partia e kishin studiuar mirë gjendjen shpirtërore të masave dhe parullën e luftës e kishin hedhur në momentin e duhur. Edhe letra e 27 shkurtit, që Enver Hoxha kishte dërguar, kishte luajtur një rol ndihmues, sepse ai kishte dhënë orientime të rëndësishme për zhvillimin me sukses të luftës kundër fesë, paragjykimeve dhe zakoneve prapanike.
2.7. Numri i faltoreve dhe i klerikëve të Komunitetit Mysliman sipas qarqeve në 1965
Komuniteti Mysliman[57]
Qarku | Faltore | Klerikë |
Tiranë | 127 | 140 |
Durrës | 76 | 80 |
Shkodër | 118 | 144 |
Kukës | 90 | 94 |
Peshkopi | 165 | 125 |
Elbasan | 150 | 176 |
Korçë | 163 | 168 |
Berat | 61 | 70 |
Gjirokastër | 37 | 42 |
Vlorë | 65 | 70 |
Total | 1052 | 1109 |
Tarikatet nën varësinë e Komunitetit Mysliman[58]
Tarikatet | Faltore | Klerikë |
Halveti | 90 | 68 |
Rufai | 35 | 27 |
Kadiri | 33 | 20 |
Sadi | 8 | 6 |
Tixhani | 7 | 5 |
Total | 173 | 126 |
Në Shqipëri, ashtu siç duket edhe nga të dhënat, vetëm Komuniteti Mysliman bashkë me tarikatet, që ishin nën varësinë e tij, posedonte 1225 faltore dhe 1235 klerikë që shërbenin në këto faltore. Komuniteti bektashian posedonte 76 faltore dhe 150 klerikë,[59] ndërsa pjesa tjetër rreth 944 faltore i përkisnin komunitetit katolik. Gjatë viteve 1945-1966 këto objekte kulti u shkatërruan ose u morën ne dorëzim nga shteti. Në fillimin e vitit 1967 në Shqipëri ishin funksionale vetëm 7 xhami dhe një numër i vogël kishash, ndërsa pak muaj më vonë, në po këtë vit, ndodhi shkatërrimi i plotë i objekteve fetare dhe persekutimi i hoxhallarëve, priftërinjve dhe baballarëve.
2.8. Xhamitë e prishura ose të tjetërsuara
Xhamitë që kanë funksionuar, por që janë prishur ose janë tjetërsuar nga organizatat e masave për t’i kthyer në shtëpi kulture, depo etj. janë klasifikuar si vijon sipas rretheve dhe qyteteve: [60]
Shkodër (qytet):
Shkodër (rreth):
Elbasan (rreth):
Të gjitha xhamitë e sipërpërmendura kanë funksionuar.
Korçë (rreth):
Tiranë (rreth):
BIBLIOGRAFIA
BURIME TË ARKIVAVE
AQSH, F. 890, v. 1945, D. 1.
AQSH, Fondi i Ministrisë, v. 1946, D. 97.
AQSH, D. 470, v. 1966.
AQSH, F. 14, v. 1967, D. 6.
AQSH, F. 14, v. 1967, D. 37.
AQSH, F. 14, v. 1967, D. 53.
AQSH, F. 14, v. 1967, D. 189.
AQSH, F. 14, v. 1967, D. 190.
AQSH, F. 14, v. 1967, D. 417.
AQSH, F. 14, v. 1967, D. 422.
AQSH, F. 490, v. 1966, D. 470.
AQSH, F. 490, v. 1965, D. 1007.
AQSH, Nr. 420 protokolli, v. 1967.
Dekretligji Nr. 743, Mbi komunitetet fetare, 26.11.1949.
GAZETA
Gazeta Zyrtare, nr. 50, Tiranë, 4 qershor 1946.
Gazeta Zyrtare, nr. 29, Tiranë, 10 prill 1948.
Zëri i Popullit, 8 shkurt 1967.
LITERATURA
Basha, M Ali. Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1912-1967), Tiranë: 2011.
Benanti, Franko, Lufta ime me e gjatë në Shqipëri 1943-1948, Tiranë: Naimi, 2012.
Beqja, Hamit, Lufta për shkollën ateiste shqiptare, Tiranë: ShBLSh, 1984.
Moroco, Roberto dela Roka, Kombësia dhe Feja në Shqipëri 1920-1924, Tiranë: 1994.
Moroco, Roberto dela Roka, Kombi dhe Feja në Shqipëri (1920-1944), Tiranë: Elena Gjika.
Dervishi, Kastriot, Historia e Shtetit Shqiptar 1912–2005, Tiranë: “55”, 2006.
Duka, Valentina, Histori e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë: Kristalina – KH, 2007.
Foucault, Michel, Disiplinë dhe ndëshkim: Lindja e burgut, Tiranë: Odeon, 2010.
Historia e Popullit Shqiptar, vëll. IV, Tiranë: Toena, 2009.
Hoxha, Enver, Vepra 35, Në luftën kundër besimeve fetare ka vetëm një rrugë, 7 Prill 1967.
Hoxha, R. Artan, “Marrëdhëniet midis Regjimit Komunist dhe Kishës Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë në vitet 1945–1967”, Tiranë: 2014.
Hysi, Shyqyri. Histori e Komuniteteve Fetare Shqiptare, Tiranë: Mësonjëtorja, 2006.
Hysi, Shyqyri. Muslimanizmi në Shqipëri në periudhën 1945-1950, Tiranë: Mësonjëtorja, 2006.
Jacques, Edwin, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, Tiranë: Kartë e Pendë, 1998.
Kagjini, Peço, Konferenca e Tiranës e Prillit 1956, Tiranë: 1999.
Llarja Haxhia, Nertila, Kisha Katolike dhe Shteti Komunist në Shqipëri (1944-1990), Shkodër: Botimet Fishta.
Paja, Sokol, “Roli i mediave në propagandën ateiste në periudhën totalitare”, Tiranë: 2018.
Pllumi, Zef, Rrno vetëm për me tregue, Botimi II, Tiranë: “Hylli i Dritës”, 1997.
Pllumi, Zef, Rrno vetëm për me tregue, Botimi II, Tiranë: “55”, 2006.
Qazimi, Azem, Komunitetet fetare në Shqipërinë komuniste, Tiranë.
Qendra e studimeve albanologjike, Studime historike 1-2, Tiranë: 2009.
[1]. Historia e Popullit Shqiptar, vëll. IV, Tiranë: Botimet Toena, 2009, f. 161.
[2]. Franko Benanti, Lufta ime më e gjatë në Shqipëri 1943-1948, Tiranë: Naimi, 2012, f. 193.
[3]. Historia e Popullit Shqiptar, vep. e cit., f. 176.
[4]. Hamit Kaba, Lufta për pushtet në udhëheqjen e PKSh 44-60, Studime historike, nr. 1-2, Tiranë: 2009, f. 292.
[5]. Peço Kagjini, Konferenca e Tiranës e Prillit 1956, Tiranë: 1999, f. 18.
[6]. Historia e Popullit Shqiptar, vep. e cit., f. 169.
[7]. Po aty, f. 185.
[8]. Po aty.
[9]. Gazeta Zyrtare, nr. 50, Tiranë, 4 qershor 1946, f. 5.
[10]. Ali M. Basha, Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1912-1967), Tiranë: 2011, f. 433.
[11]. Historia e Popullit Shqiptar, vep. e cit., f. 219.
[12]. AQSH, F. 14, v. 1967, D. 417, fl. 14, Letra e telegrame përshëndetje e angazhime drejtuar shokut Enver Hoxha, nga aktivë partie, ku është shqyrtuar problemi për emancipimin e gruas, 3.3.1967.
[13]. Po aty, fl. 3.
[14]. AQSH, F. 14, v. 1967, D. 422, fl. 2, Letra e telegrame drejtuar KQ të Partisë dhe shokut Enver Hoxha, nga konferenca, plenume dhe aktivë të organizatës së gruas në rrethe, me anën e të cilave premtojnë se do t’i kryejnë me nder detyrat e kryera nga partia, Dibër, 7.4.1967.
[15]. AQSH, F. 14, v. 1967, D. 6, fl. 10, Raport mbajtur në konferencën e 16 të partisë të Tiranës për dhënie llogari dhe zgjedhjet me rastin e bashkimit të qytetit me rrethin, në të cilin flitet për tema të ndryshme, 8.5.1967.
[16]. Po aty.
[17]. Edwin Jacques, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, Tiranë: Kartë e Pendë, 1998, f. 491.
[18]. Sh. Hysi, Muslimanizmi në Shqipëri në periudhën 1945-1950, vep. e cit., f. 58.
[19]. A. Qazimi, vep. e cit., f. 21.
[20]. Dekretligji nr. 743 “Mbi komunitetet fetare”, neni 18.
[21]. Po aty, neni 34.
[22]. Po aty, neni 12.
[23]. Po aty, neni 26.
[24]. Po aty, neni 15.
[25]. Po aty, neni 16.
[26]. Po aty, neni 27.
[27]. Po aty, neni 24.
[28]. Po aty, neni 29.
[29]. A. Qazimi, vep. e cit., f. 11.
[30]. Ali M. Basha, Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1912-1967), vep e cit., f. 435.
[31]. AQSH, Ministria e Shtypit, Propagandës e Kulturës Popullore, v. 1946, D. 97, fl. 1.
[32]. Gazeta Zyrtare, nr. 29, Tiranë, 10 prill 1948, fl. 8.
[33]. A. Qazimi, vep. e cit., f. 24.
[34]. AQSH, F. 14, v. 1967, D. 190, fl. 2, Letër e KQ të PPSH drejtuar komiteteve të Partisë të rretheve mbi luftën kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare, 27 shkurt 1967.
[35]. Po aty, fl. 6.
[36]. Po aty, fl. 4.
[37]. Po aty, fleta 8.
[38]. Enver Hoxha, Vepra 35, Në luftën kundër besimeve fetare ka vetëm një rrugë, 7 prill 1967, f. 226.
[39]. AQSH, F. 14, v. 1967, D. 190, fl. 34, Raport informativ mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa të mëtejshme për thellimin e saj, 7.7.1967.
[40]. Po aty.
[41]. Sokol, Paja, Roli i mediave në propagandën ateiste në periudhën totalitare, Tiranë: 2018, f. 72.
[42]. AQSH, Po aty.
[43]. Po aty.
[44]. AQSH, F. 14, v. 1967, D. 190, fl. 35, Raport Informativ mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa të mëtejshme për thellimin e saj, 7.7.1967.
[45]. AQSH, F. 14, v. 1967, D. 190 , fl. 8, Letër e KQ të PPSH drejtuar komiteteve të Partisë të rretheve mbi luftën kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare, 27 shkurt 1967.
[46]. AQSH, Po aty, fleta 9.
[47]. Valentina Duka, Histori e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë: Kristalina – KH, 2007, f. 296-297.
[48]. AQSH. F. 14, v. 1967, D. 190, fl. 28, Raport informativ mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa të mëtejshme për thellimin e saj, 7.7.1967.
[49]. Po aty, fleta 29.
[50]. Po aty, fleta 30.
[51]. AQSH. F. 14, v. 1967, D. 190, fl. 31, Raport Informativ mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa të mëtejshme për thellimin e saj, 7.7.1967.
[52]. Po aty, 32.
[53]. Po aty.
[54]. Po aty, fleta 33.
[55]. Po aty.
[56]. AQSH. F. 14, v. 1967, D. 190, fl. 14, Raport Informativ mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa të mëtejshme për thellimin e saj, 7.7.1967.
[57]. AQSH, F. 490, v. 9.7.1965, D. 1007.
[58]. Po aty.
[59]. Po aty.
[60]. AQSH, F. 490, v. 1966, D. 470, fl. 2, Informacion të sektorit të komunitetit fetar, mbi kufizimin e veprimtarisë së besimeve dhe ankesat e komiteteve fetare.
* Artikull i botuar në numrin 33 të revistës “Zani i Naltë”.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...