Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 19, 2022 Zani i Nalte Jurisprudencë 0
Prof. Asoc. Engjëll Likmeta[1]
Departamenti i të Drejtës Penale, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës
Qemal Likmeta[2]
Abstrakt
Ligjdhënësi Absolut epërsinë e njeriut mbi çdo krijesë tjetër e ka sanksionuar teksa i ka dedikuar shenjtërinë e jetës.
Qëllimi i këtij punimi është të nxjerrë në pah sesi familja ligjore islame, me anë të normave të saj me natyrë juridike – penale, vlerëson rëndësinë e së drejtës për të jetuar, si e drejtë themelore e njeriut, por edhe për të shpjeguar tagrin universal të unitetit absolut të Krijuesit të lavdëruar, si jetëdhënësi apo marrësi i parë dhe i vetëm i saj.[3]
Në interes të studimit do të jenë rregullimet ligjore të parashikuara në legjislacionin e brendshëm shqiptar dhe atë ndërkombëtar, si dhe në ligjin islam lidhur me të drejtën për të jetuar.
Autorët gjatë trajtimit të këtij punimi do të përpiqen që jo vetëm të parashtrojnë por dhe t’u japin përgjigjen e merituar pyetjeve se cilat janë parashikimet ligjore ku bazohet mbrojtja e sё drejtës sё jetës sipas ligjit islam? Cili është kuptimi i përgjithshëm mbi krimet? Si i kualifikon e drejta islame krimet kundër jetës? Cilat janë kushtet për lindjen e përgjegjësisë penale për këtë grup të veprave penale sipas kësaj familje ligjore të së drejtës?
Qëllimi i këtij punimi është të lëvrojë llojet e krimeve kundër personit në të drejtën penale islame, masat ndëshkuese ndaj autorëve të tyre. Më konkretisht, synohet të jepet një panoramë e qartë e llojeve të veprave penale që cenojnë jetën e njeriut, sikurse janë vrasja me dashje, vrasja nga pakujdesia, apo vetëvrasja, apo plagosja e rëndë me pasojë vdekjen.
Fjalët kyçe: jetë, islam, e drejtë, penal, krim.
…Në fe nuk ka dhunë.
Eshtë sqaruar e vërteta nga e kota…[4]
Natyrisht, që të Madhit Zot i shprehin madhërinë e lartësimin çka ka në qiej dhe çka në tokë, vetëm i Tij është i tërë pushteti dhe vetëm Atij i takon falënderimi, e Ai është i gjithëfuqishëm për çdo send.[5]
Padyshim, që së pari, falënderimet i përkasin Zotit të Lartë të Gjithësisë[6].[7]
Shpresojmë që përpjekja jonë modeste për të ndikuar sadopak në pasurimin e mendimit juridik në fushën e së drejtës penale islame do të jetë e mirëpritur nga lexuesi, studiuesit dhe në veçanti nga kritika.
Të drejtat themelore dhe liritë universale janë pjesë integrale e fesë islame.[8] Ato janë urdhëresa hyjnore dhe kanë karakter detyrues për komunitetin të cilit i drejtohen.[9] Në këtë kuptim, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut nuk mund të cenohen, injorohen, apo pezullohen tërësisht ose pjesërisht.[10]
Liritë, të gjithë parimet e etikës dhe të dinjitetit njerëzor, në shtetin islam, kanë të njëjtën vlerë, si për shtetasit myslimanë, po ashtu dhe për ata jomyslimanë.[11]
Liria mbi shprehjen e mendimit të lirë në të folur dhe në të shkruar[12], liria e besimit, zgjedhja e lirë e profesionit, liria e lëvizjes është e siguruar për të gjithë shtetasit, qofshin ato besimtar tё fesë islame apo jo.[13] Kjo e drejtë rrjedh nga përgjegjësia e plotë, që çdonjëri ka ndaj Zotit dhe ndaj vetvetes. Pra, nuk lejohet që liria individuale të kufizohet në çfarëdo mënyre qoftë ajo.[14] Madje, në parim, çdo kufizim i lirive tregon për devijim nga fjala dhe përmbajtja përballë vetvetes dhe Zotit Lavdiplotë.[15]
Përmbushja dhe respektimi i tё drejtave dhe lirive individuale sipas familjes ligjore islame vlerësohet si ibadet- adhurim, pasi Zoti i Lavdëruar e dëshiron drejtësinë dhe tё vërtetën dhe natyrshëm orienton shoqërinë njerëzore kah ato.[16]
Pra, krahas të tjerash, Islami si fe e sinqeritetit, tolerancës dhe mëshirës universale[17], njeh dhe garanton drejtësinë sociale.[18]
Mbrojtja e dinjitetit njerëzor është themeli i barazisë dhe lumturisë ndërnjerëzore e urdhëruar nga Zoti i Madhërishëm.[19]
Në Kur’an, në lidhje me privilegjin dhe epërsinë e njeriut mbi gjallesat e tjera, thuhet: “Ne, vërtet, nderuam bijtë e Ademit…i vlerësuam ata ndaj shumicës së krijesave që ne krijuam.”[20] Dhe se, “…mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar…”.[21] E parë në këtë aspekt, mund të themi se e drejta për të jetuar është një e drejtë e sublime, dhe se shenjtërimi i saj është bërë nga Absoluti – Ligjvënësi i botëve dhe Gjykuesi i Ditës së Gjykimit.[22]
Shkenca fetare – juridike islame[23], sikurse vetë e drejta dhe jurisprudenca bashkëkohore, kërkon respektimin e jetës sё njeriut si një kusht tё parë për ekzistencën e të gjitha lirive dhe të drejtave të tjera.[24]
Padyshim, që e drejta për të jetuar është e parashikuar si e drejta më e qenësishme në tërësinë e të drejtave themelore të njeriut në të gjithë familjet dhe sistemet ligjore.[25]
Ekzistenca e së drejtës për të jetuar është themelore për të bërë të mundur gëzimin e të drejtave dhe lirive të tjera të çdo qenie njerëzore.[26]
E drejta për të jetuar është parashikuar dhe zë një vend thelbësor në të gjithë mekanizmat ligjorë ndërkombëtarë.[27]
Deklarata Amerikane për të Drejtat e Njeriut parasheh që në nenin e parë të saj se çdo qenie njerëzore ka të drejtë për jetë.[28] Në nenin 3 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut sanksionohet paprekshmëria e jetës së çdo individi.[29]
E drejta jonë e brendshme, që në fillimet e ekzistencës së saj e deri më sot, ka rregulluar të drejtën për të jetuar.[30] Ndër vite, legjislacioni ynë penal ka përcaktuar se cilat janë sjelljet kriminale kundër personit dhe në veçanti krimet kundër jetës.[31]
Pikërisht, i gjithë ky kujdes i treguar nga ligjbërësi ynë dhe ai ndërkombëtar buron nga supremacia e së drejtës për të jetuar[32], që është sanksionuar edhe në librat e shenjtë.
E drejta islame e kualifikon sjelljen kriminale kundër personit, por jo vetëm, si një krim tё rёndё që cenon sigurinë publike.[33]
Kur’ani Fisnik dhe tradita e jetës së Profetit tё Zotit (paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshim mbi tё), si burime kryesore të familjes ligjore islame[34], i kushtojnë një rëndësi të madhe mbrojtjes së jetës.
Në Kur’anin Famёlartё është sanksionuar rëndësia e jetës së njeriut teksa thuhet se: “Nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve…”[35]
Mbrojtja juridiko-penale e jetës është rezervuar në shumë prej dispozitave të ligjit hyjnor.
Urtësia e legjislacionit islam qëndron në faktin se ka paracaktuar sanksione tё rrepta, duke ndëshkuar rёndё e pa lëshime shkelësit e tyre.[36]
2.1 Kushtetuta
Në këndvështrimin e së drejtës pozitive të vendit tonë, e drejta e jetës është ngritur në nivelin e një parimi kushtetues.[37] Ky parim shpreh garancitë e nevojshme ndaj së drejtës për të jetuar. Sipas këtij parimi, në asnjë rast, asnjë ligj nuk mund të privojë nga kjo e drejtë. [38] Madje, shteti është ai që duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbikëqyrur dhe kontrolluar respektimin e së drejtës kushtetuese të jetës.[39]
2.2 Konventa Europiane
Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut parashikon të drejtën e mbrojtjes ligjore të jetës së çdo njeriu. Në të sanksionohet heqja e dënimit me vdekje.[40]
Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut ligjëron cenimin e kësaj të drejte të çmuar vetëm nëse ajo është pasojë e përdorimit të dhunës së paligjshme, si dhe në rastet për të kryer një arrestim të rregullt ose për të penguar arratisjen e një njeriu, ligjërisht të burgosur, ose për të kundërshtuar në përputhje me ligjin një turbullirë ose një kryengritje.[41]
Jurisprudenca e Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut mban qëndrimin se rastet e heqjes së jetës duhet t’i nënshtrohen kontrollit shumë të saktë, për të vërtetuar nëse, në mënyrë të paramenduar, është përdorur forca vdekjeprurëse.[42]
2.3 Konventa Për të Drejtat në Islam
Deklarata e Kajros për të Drejtat e Njeriut në Islam, si një udhëzues i përgjithshëm në fushën e të drejtave të njeriut, duke pranuar Sheriatin si burimin themelor të saj, mundëson një panoramë të perspektivës islame rreth të drejtave të njeriut.[43]
Deklarata e Kajros mbi të drejtat e njeriut në Islam sanksionon në nenin dy të saj se: “Jeta është dhuratë e Zotit dhe e drejta në jetë është e garantuar për të gjitha qeniet njerëzore…”.[44] Deklarata e Kajros mbi të Drejtat e Njeriut në Islam përcakton faktin se mbrojtja e së drejtës së jetës, është një detyrë e posaçme e individëve, shoqërisë si dhe shteteve, nga çdo ndërhyrje e paligjshme, e parashikuar shprehimisht edhe nga ligji islam.[45]
Veçantia e kësaj deklarate qëndron në faktin se ligjërohet cenimi i së drejtës së jetës vetëm në rastet e parashikuara me ligj, sikurse ndodh dhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Kështu, Deklarata e Kajros mbi të Drejtat e Njeriut në Islam sanksionon faktin se: “të gjitha të drejtat dhe liritë e parashikuara në këtë Deklaratë i nënshtrohen Sheriatit Islam”[46]. S’ka dyshim se e drejta e jetës konsiderohet në teorinë e legjislacionit islam një prej pesë apo gjashtë “gjërave të domosdoshme” për të cilat Zoti, i Drejti nё Udhëzim, zbriti Sheriatin me qëllim ruajtjen e tyre.[47] Duhet theksuar se, sheriati islam është një e drejtë me premisa fetare, që njëkohësisht rregullon edhe marrëdhëniet e tjera shoqërore në bashkësinë islame, që nuk janë thjesht të karakterit fetar. Ai përfshin tërë rrugën jetësore të njeriut.[48] Burimi kryesor i tij është Kur’ani, që është baza e pakundërshtueshme edhe e së drejtës penale islame.[49]
Po çfarë do të kuptojmë me vepër penale në islam? Cilat janë llojet e krimeve në islam? Kur lind përgjegjësia penale në islam?
Në këtë trajtesë, sa njerëzore dhe modeste, do të mundohemi t’i japim një zgjidhje të argumentuar dilemave që mund të ‘shqetësojnë’ lexuesin e gjerë.
Legjislacioni penal është një nga bazat më të rëndësishme të së drejtës islame, pasi me anë të tyre bëhet e mundur vënia në zbatim e mesazhit islam.[50]
E drejta penale islame pranon parimin e përgjegjësisë penale individuale dhe, përveç dënimit në këtë botë, parasheh edhe dënimin nga Ndëshkuesi në botën e përtejme.[51]
Qëllimi kryesor i së drejtës islame, dhe asaj penale në veçanti, është pengimi i praktikimit të sjelljeve kriminale, çrregullimeve[52], veprave të turpshme, mashtruese, si dhe reduktimi i tyre në një pakicë të parëndësishme.[53]
Përgjegjësia penale si njё nga institutet kryesore tё sё drejtës penale luan njё rol vendimtar pёr mbrojtjen dhe forcimin e rendit juridik por edhe tё drejtave, lirive, apo interesave tё qytetarëve.[54] Mendimi juridik i penalistëve tё së drejtës sё sheriatit ёshtё nё sinkroni tё plotë me atё tё atyre laikë nё lidhje me lindjen e pёrgjegjёsisё penale.[55] Kështu, sipas legjislacionit të së drejtës islame, një njeri do të konsiderohet i përgjegjshëm nё pikëpamje penale, vetëm nëse është në gjendje normale psikike dhe në bazë të vullnetit të tij të lirë kryen një vepër që ёshtё e kundërligjshme.[56]
Penalisti i së drejtës islame Dr. Aude e përkufizon përgjegjësinë penale si “…mbartje të individit për efektet e shkaktuara nga aktet e ndaluara që ai i kryen duke qenë i lirë dhe i vetëdijshëm për kuptimin dhe pasojat nga aktet në fjalë”.[57]
Me krim në traditën e legjislacionit islam nënkuptohet çdo vepër e ndaluar. Me kёtё tё fundit, nënkuptohet çdo veprim që Ligjvënësi e ka ndaluar të kryhet për shkak të dëmit që ajo sjell në besim, në vetë njeriun, në mendjen, nderin apo në pasurinë e tij.[58]
Jurisprudenca islame, sikurse edhe ekspertët bashkëkohorë të së drejtës penale, kanë mendime të ndryshme në aspekt të përkufizimit të veprave penale. Përkufizimi i el-Mauerdit, duket se është më afër të kuptuarit bashkëkohor: “Vepra penale, në të drejtën islame, janë vepra të ndaluara juridikisht, të cilat Zoti i ka vendosur dhe të cilat ndëshkohen me dënimin e hadd-it ose ta’zir-it.”[59]
Gjykoj se për efekt të cilësimit juridik të këtyre veprave penale, në pikëpamje të anës objektive, nuk ka rëndësi mënyra e kryerjes së tyre. Një mendim i tillë gjendet i bazuar në librin e shenjtë. Kështu, në suren A’raf, i Gjithëdijshmi tregon: “…Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë…”[60]
Ligji penal islam ,për ta trajtuar aktin si vepër penale, kërkon në çdo rast që ai veprim/mosveprim të jetë i ndaluar me ligj, kurse kryerësi i tij të jetë person i aftë mendërisht dhe të ketë arritur pjekurinë ligjore, që nënkupton se ai duhet të ketë arritur moshën madhore. Pra, sipas ligjit penal islam, tri elementët thelbësorë për lindjen e përgjegjësisë penale janë:
Në funksion të nevojës parësore për të mbrojtur rregullin shoqëror, jurisprudencës islame, krimet kualifikohen në dy grupe kryesore.
Në grupimin e parë (El-Hudud) bëjnë pjesë ato krime ndëshkimi i të cilëve është i mirëpërcaktuar[62], ndërsa në grupimin e dytë (El-Kisas) bëjnë pjesë ato krime që ndëshkohen sipas parimit të reciprocitetit.[63]
Jurisprudenca islame përfshin veprat kundër jetës dhe trupit, kundër familjes dhe moralit si dhe krimet kundër pasurisë në grupimin e parë të krimeve.
Në veprat penale kundër jetës përfshihen edhe vrasjet.[64]
Forma e fajësisë[65], dashje dhe pakujdesi, dhe qëllimi, si elementë tё anës subjektive tё figurës sё veprës penale nё legjislacionin bashkëkohor penal, janë kritere që shërbejnë edhe pёr kualifikimin e veprave penale kundër personit nё Islam.[66]
Dijetari islam z. Bedevi nё librin e tij “Pёrmbledhje e fikhut”, dallon llojet kryesore të vrasjeve në: vrasje e qëllimshme, vrasje e ngjashme me të (si me qëllim) si dhe vrasja pa dashje apo gabimisht.[67]
Ajetet kur’anore[68] dhe hadidhet [69]që flasin për vrasjen janë të shumta.[70]
3.1 Veprat penale kundër jetës
3.1.1 Vrasja me dashje
Normat e parashikuara në Kur’an ndalojnë vrasjen e njeriut pa të drejtë[71]. Pra, urdhri hyjnor ndalon cenimin e jetës së njeriut pa u mbështetur në ligj.[72] Kështu, në Kur’an, Zoti i Gjithëpushtetshëm shprehet: “Dhe mos ia merrni jetën njeriu, gjë që Allahu e ka ndaluar ta bëni, përveçse kur e kërkon e drejta”.[73] Po ashtu, në një tjetër sure, në Kur’an, urdhërohet se në çdo rast njeriu duhet ta respektojë njeriun.[74]
Në suren Maide, Gjykuesi dhe i Paanshmi, Mbreti i Sovranitetit Absolut thotë: “…kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit.”.[75] Pra, cenimi i jetës sё njeriut kualifikohet si krim kundër njerëzimit.[76]
Në këtë kuptim, akti kriminal që cenon jetën e individit të pafajshëm konsiderohet si një faj i rëndë si rrjedhojë e të cilit duhet të lindë doemos përgjegjësia penale.[77]
Në Kur’anin Famёlartё, në suren en-Nisa’, sanksionohet, ndër të tjera, edhe ndalimi në mënyrë kategorike i veprës penale të vrasjes me dashje. Ajeti kur’anor, numër 92 -93, parashikon se: “…Zoti është ligjdhënësi më i drejtë. Kush mbyt një besimtar me qëllim, dënimi i tij është zjarri, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Zoti është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe ka përgatitur një dënim të madh”.[78] Në këtë rast përcillet kërcënimi i ashpër dhe i sigurt për autorin e vrasjes me dashje, duke e kualifikuar si një gabim të madh, që i bashkëngjitet mohimit të Zotit.[79]
Urtësia e legjislacionit islam ekspozohet nё dënimin e rёndё dhe tё përjetshëm tё autorit tё veprave penale kundër jetës tё kryera me dashje.[80] Kështu, distancimi nga sjelljet kriminale që cenojnë jetёn e njeriut dhe jo vetёm ёshtё njё prej cilësive të robërve të devotshëm pasi vrasja, si akt kriminal, ёshtё njё prej shtatё gjёrave shkatёrruese tё pёrcjella nga tradita profetike.[81] Pikёrisht, kjo e fundit, nё funksion tё paprekshmërisë dhe mbrojtjes sё jetёs, thekson se: “Asgjësimi i kësaj bote ёshtё mё i lehtë pёr Allahun sesa vrasja e besimtarit”.[82] Dëshmitari Universal, lidhur me kёtё, nё Kur’an thotё: “… Edhe ata që pos Allahut nuk lusin ndonjë zot tjetër dhe nuk e mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë…”.[83]
Mendojmë se në këtë rast, kryerësit e veprës penale nuk përfshihen në grupin e njerëzve të afërt, të dashurve të Zotit.
Kur’ani i ligjëron këta si subjekte të vrasjes së kryer me dashje. Me qëllim parandalimin e sjelljes kriminale tё vrasjes, Zoti Krijues e ka përsëritur ndalimin e saj në disa sure kur’anore.
Në suren el-En’am, i Gjithёdituri parashtron në formën e urdhëresave ndalimin nga vepra penale e vrasjes së fëmijëve, për shkak të varfërisë, si dhe të njeriut, pa shkak të arsyeshëm. Kështu, në ajetin kur’anor numër 151 të sures el-En’am, Gjithёpёrcaktuesi thotë: “…që të mos vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë,… që të mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e ligji).”[84]
Zoti, Gjithёmbikqyrёsi, parashikon masën ndëshkuese në rastin e vdekjes së një personi. Kështu, Llogarimarrёsi shprehet: “O besimtarë! Është caktuar për ju kisasi (ligji i barazisë në ndëshkim) për vrasje: I liri për të lirin, skllavi për skllavin dhe femra për femrën… E kushdo që pas kësaj (faljes), e kapërcen kufirin, do të marrë një dënim të dhembshëm… Në ligjin e barazisë në ndëshkim ka siguri për jetën tuaj, o mendarë, në mënyrë që ju të përmbaheni!”[85]
Bazuar në interpretimin literal të ajetit të mësipërm kur’anor shohim se në të vërtetë detyrimi për të zbatuar dënimin për krimin e vrasjes lind që në momentin që personi është besimtar, kjo pasi, që në fillim të ajetit, i Lartёsuari i drejtohet me fjalën “O besimtarë!…”.[86]
Jemi tё mendimit se, sipas së drejtës penale islame, kjo masë është detyruese për çdo individ, pavarësisht pozitës së tij, si dhe është përcaktuese në vendosjen e drejtësisë. Gjithashtu, vlerësojmë se thirrja e Gjithёzotёruesit: “…o mendarë…”[87] nënkupton si subjekt të veprës penale të vrasjes vetëm personat të cilët kanë një gjykim të shëndoshë dhe janë të përgjegjshëm.
Vërejmë, se po ashtu në rast të kalimit të masës së ndëshkimit për veprën penale të vrasjes, Sunduesi sanksionon një dënim të fortë. Vetë fjala e Tij e shprehur në Kur’an “…do të marrë një dënim të dhembshëm…”[88] nënkupton një dënim të ashpër dhe të rreptë për fajtorin, në rastin e kalimit të kufirit ligjor të përcaktuar në rastin e vrasjes.[89]
Gjykojmë se, paragrafi i fundit i ajetit kur’anor në fjalë është në vetvete, një thirrje e drejtpërdrejtë, masë për parandalimin e veprimit kriminal të vrasjes. Në përcaktimin e kësaj mase ndëshkuese, gjegjësisht vrasjen e vrasësit, ka urtësi të madhe për njerëzit, sepse me këtë mbrohet jeta e njeriut. Kjo, ngase fajtori kur e di se do të vritet, tërhiqet nga krimi i vrasjes, e në këtë mënyrë mbrohet jeta e njeriut.[90]
Dënimet plotësuese me natyrë civile, që lindin në rastin e një vrasjeje me dashje, janë privimi prej trashëgimisë dhe testamentit. [91] Ёshtё e kuptueshme se ato pasojnë dënimet kryesore që janë ndëshkimi reciprok, detyrimi për shpërblimin e të vrarit, apo falja.[92]
Tradita profetike ndalon vrasjen e njeriut pavarësisht besimit të tij. Kështu, sipas një hadithi autentik ndalohet vrasja e njeriut që nuk i përket besimit islam pasi transmetohet se i Dërguari i Zotit (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë me të) ka thënë: “Kush e vret një jomysliman që ka marrëveshje me myslimanët dhe ka garanci për siguri nga Zoti dhe i Dërguari i Tij, e ka sfiduar garancinë e Zotit, dhe nuk do ta nuhasë aromën e Xhenetit, kurse aroma e tij nuhatet në largësi prej shtatëdhjetë vjetësh.”[93] Po ashtu në një tjetër hadith transmetohet se : “Gjëja e parë për të cilën do të gjykohen njerëzit në ditën e gjykimit, janë vrasjet.”[94]
Kur’ani Fisnik dallon qartë faktin se, përgjegjësia penale është individuale. Normat kur’anore sanksionojnё se: “…çdo njeri është peng i veprës së vet…”.[95] Madje, në një tjetër ajet tё librit tё shenjtё tёrhiqet vёmendja se çdokush do të penalizohet a shpërblehet në bazë të veprime të realizuara nga vetë ai[96].
Sipas studiuesit të shquar së drejtës islame, Ibn Kethirit[97], e drejta penale islame (katër shkollat juridike islame)[98] mban qëndrimin se një grup njerëzish duhet të dënohen me vdekje në rast të kryerjes së veprës penale të vrasjes në bashkëpunim. Madje, një qëndrim i tillë është konsideruar i pëlqyeshëm nga të gjithë dijetarët islamë.[99]
Theksojmë se, për efekt të cilësimit juridik të veprës penale të vrasjes në bashkëpunim, e drejta penale islame kërkon që të vërtetohet në çdo rast qëllimi kriminal i bashkautorëve në momentin e kryerjes së veprës penale, e shprehur me veprimet e dënueshme me anë të të cilave realizohet krimi i vrasjes.
3.1.2 Vetëvrasja
Nisur nga interesi i lartë për të mbrojtur të drejtën e jetës, e drejta penale islame e ndalon vetëvrasjen dhe kërcënimin ndaj saj në mënyrë të prerë. Kështu, Zoti Mёkatshues tërheq vëmendjen teksa thotë në Kur’an: “…dhe mos e mbytni veten tuaj…”.[100] Ndërmarrja e një veprimi të tillë ndëshkohet me zjarr.[101] Po ashtu janë një sërë hadithesh të cilat mbështesin ndëshkueshmërinë e veprimit kriminal të vetëvrasjes.[102] Dënimi ndaj autorit tё njё krimi tё tillë do tё shtrijё efektet e tij edhe nё botёn tjetër. Ndaj nga tradita profetike ёshtё pёrcjellё se: “Robit tim, i cili vetvetiu nxitoi (vrau veten), ia kam bёrё tё ndaluar Xhenetin.”[103]
3.1.3 Vrasja që ngjason si e qëllimshme
Sipas ligjit penal islam vrasja konsiderohet e ngjashme me të qëllimshmen, kur personi madhor kryen vrasjen e një personi me një mjet që zakonisht nuk shërben si mjet i duhur për realizimin e veprës penale të vrasjes, si p.sh. goditja me gurë të vogël, me grusht, shkop të lehtë, kamxhik, etj.[104] Kjo lloj vrasjeje quhet gati si e qëllimshme, sepse ajo është mes të qëllimshmes dhe të paqëllimshmes ose të gabueshmes, pasi goditja është e qëllimshme, ndërsa vrasja jo. [105] Për këtë arsye ajo cilësohet si e tillë. Meqë nuk është plotësisht e qëllimshme, në rast të kryerjes së saj, e drejta penale islame nuk parashikon për subjektin dënimin me vdekje, pasi ligji penal islam thekson ruajtjen e gjakut e jo derdhjen e tij pa leje, duke përjashtuar këtu vetëm raste të veçanta.[106]
3.1.4 Vrasja nga pakujdesia
Vrasja e kryer nga pakujdesia parashikohet në Kur’an.[107] Në një ajet kur’anor, Pendim-Pranuesi thotë: “Nuk lejohet që besimtari të vrasë besimtarin, përveçse gabimisht…”[108]
Vrasja e njeriut hyn nё kategorinë e akteve tё ndaluara nё mënyrë absolute nga ligji islam. Ajo nuk mund tё shёrbejё si njё mjet pёr realizimin e objektivave dhe qёllimeve tё tij.[109] Madje, besimi islam argumenton se, besimi qё individi gёzon ёshtё njё pengesё serioze dhe reale pёr tё shkaktuar veprime tё kundёrligjshme, pёrfshirё kёtu edhe krimet kundёr personit.[110]
Vrasje e kryer nga pakujdesia kualifikohet edhe vrasja e qëllimshme e bërë nga personi i sëmurë mendërisht, apo nga ai që nuk ka arritur moshën e duhur për lindjen e përgjegjësisë penale.[111]
Detyrimet kryesore që rrjedhin nga kryerja e një krimi të tillë janë agjërimi dy muaj rresht, si dhe shpërblimi i viktimës së krimit. Themi kështu, se në kushtet e reja të zhvillimit shoqëror ekonomik dhe social të mbarë shoqërisë anekënd globit, detyrimi i lirimit të një besimtari të robëruar nuk gjen më zbatim. Njëkohësisht, duhet theksuar se, ndër normat e besimit islam, gjallërohet dhe nxitet instituti i faljes, si pjesë integrale e vlerave mё tё përsosura morale tё njeriut. [112]
Përfundime
Jurisprudenca islame dhe ligji penal islam nuk bazohen në një ligj të vetëm strikt të kodifikuar, që mund të krahasohet me standardet bashkëkohore.
E drejta islame është më shumë një ligj hyjnor i frymëzuar dhe zbritur nga Zoti, i Gjithёdituri[113], qё ka pёr qёllim tё garantojё mirëqenien e bashkёsisё njerёzore pa dallim[114] dhe thuajse i bazuar në mënyrë ekskluzive në interpretimet e mëvonshme të ndjekësve të të Dërguarit tё Zotit (Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi tё).[115]
Parimet dhe elementet thelbësorë tё saj nuk kanë asnjë lloj ndryshimi apo diference me shpalljet (Tevrati, Inxhili) dhe argumentet e mëparshme tё Zotit.[116] Sikurse tё gjitha besimet Abrahamike,[117] Islami orienton kah rruga e drejtё, dialogu dhe dituria.[118]
Paqja mbretëron dhe drejton zemrën, mendjen dhe shpirtin e besimtarit islam.[119]
Parimet themelore islame janë nё funksion të mbrojtjes së jetёs dhe dinjitetit të njeriut, duke mbizotëruar paqja, siguria, mëshira dhe falja[120]. Natyrisht, këta janë elemente tё rёndёsishёm qё shërbejnë si gur themeli pёr arritjen dhe lulëzimin e njё harmonie dhe bashkëjetese fetare paqësore nё vendin tonë.[121]
Padyshim qё, sipas porosisë qiellore, mirësjellja, butësia, bujaria, devotshmëria, si dhe morali i lartё janë disa prej veçorive qё karakterizojnё dhe duhet tё shoqёrojnё kurdoherё sjelljen e anëtarëve tё komunitetit mysliman kudo nё vend dhe mё gjerё[122].[123] Islami, sikurse çdo besim tjetër fetar, ёshtё pёr tё nxitur frymën e bashkëpunimit, respektimit dhe paqes nё çdo shtet.[124]
Popullsia islame, kudo qoftё, anekënd globit, ka detyrimin pёr tё respektuar dhe vlerёsuar çdo qenie njerёzore, pavarësisht besimit tё tij, dhe pёr mё tepёr pёr tё ngritur, zhvilluar dhe forcuar me ta marrëdhënie shumё tё mira, duke u mbështetur nё drejtësi dhe kulturë.[125] Në këtë kontekst, edhe sipas besimit islam në vendin tonë, e drejta dhe sistemi i drejtësisë janë elementë të qenësishëm për të siguruar në çdo rast rendin juridik dhe shoqëror, madje dhe vetë kënaqësinë njerëzore të bashkësisë sonë.[126]
Aspektet e ligjit penal islam janë ndoshta nё dukje ndryshe me konsensusin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.[127] Themi këtë, pasi panorama më e shpeshtë që mund tё ju vijë në mëndje kur përmendet ligji penal islam, është ashpërsia e dënimeve qё mendojmë se e karakterizon. [128]
Jurisprudenca islame ka argumentuar se, rregullimi i dispozitave mbi sjelljet kriminale kundёr jetёs, dhe jo vetёm, ёshtё liri e vullnetit hyjnor nisur nga shkalla e lartё e rrezikshmërisë shoqërore tё objektit qё këto akte cenojnë, pasi shpeshherё njeriu, pёr nga natyra e tij, ёshtё tejet liberal nё zbatimin dhe dhënien e drejtësisë.[129]
Ligji penal islam ka përparësi të tij mbrojtjen e bashkësisë njerëzore në raport me individin, por kjo nuk nënkupton mosrespektimin dhe njohjen e të drejtave individuale.[130]
Politika penale e ndjekur në kuadrin e familjes ligjore islame konsiston nё ndëshkimin përfundimtar tё elementeve kriminalë pёr shkak tё veprimtarisë sё tyre tё kundёrligjshme.[131] Sipas kulturës juridike penale islame sjellja e ndaluar nga Zoti dhe Profeti i Tij përbën një akt kriminal. Ndryshe nga vendet e tjera ku krim përbën çdo veprim për të cilin është përcaktuar një ndëshkim, në ligjin penal islam çdo krim është i ndëshkueshëm por jo çdo ndëshkim është i përcaktuar.[132]
Krimet kundër personit përfshijnë vrasjen dhe dëmtimet trupore.[133]
Tradita profetike pranon konceptin e bashkëpunimit, sikurse e drejta laike, nё rastin kur si pasojё e akteve tё kundёrligjshme tё disa personave ёshtё cenuar jeta e njeriut.[134]
Instituti i shpërblimit tё gjakut njihet nё tё drejtën penale islame, pёr njё kategori tё caktuar tё veprave penale kundёr jetёs, kryesisht ato tё realizuara nga pakujdesia.[135]
Feja islame si një fe e kulluar që rrjedh nga burimet e pashtershme hyjnore, me anë të normave të saj, këshillon pa asnjë përjashtim të gjithë njerëzit se respektimi i rregullave juridike dhe së drejtës është një kriter i panegociueshëm të cilit nuk mund t’i shmanget asnjë anëtar i shoqërisë njerёzore.[136]
Zoti i Lartë dhe i Madhërishëm me urtësinë e butësinë e Tij nё librin qiellor i tërheq vëmendjen shoqërisë njerëzore që të ndalojnë dhe largohen nё çdo rast nga aktet kriminale, si sjellje aspak tё denja pёr bashkёsisё njerёzore, teksa sanksionon: “…Dhe mos anoni nga ata qё bëjnë tё këqija, pёr ndryshe do t’ju përcëllojë zjarri…”[137] “Padyshim, ata qё kanë bёrё tё këqija, do tё kenë pjesën e tyre tё dënimit, tё ngjashme me pjesën e shokëve tё tyre (tё mëparshëm)…”[138]
Vendi ynë, Shqipëria ёshtё vlerёsuar me tё drejtё njё dëshmi e gjallë dhe kampion i respektimit tё lirisë fetare[139], por ne ende sot duhet tё punojmë pareshtur sё bashku me partnerët tanë ndёrkombёtarё pёr tё fuqizuar përpjekjet pёr parandalimin e veprave penale kundёr personit, por jo vetёm, si dhe dёnimin e autorëve tё tyre me qёllim rritjen e sigurisë juridike tё vendit, rajonit dhe globit tonë.[140]
Shpresojmë shumё se, normat e udhëzimet hyjnore do tё udhëheqin shoqërinë e dashur njerёzore drejt paqes, prosperitetit dhe mirëqenies, si vlera tё çmuara tё besimit dhe moralit tё lartё islam.
E lusim Zotin Fuqiplotë, me përulësi dhe thjeshtësi, qё tё jemi tё udhëzuar gjithmonë nga veprimet e drejta, sikurse ajeti kur’anor thekson: “Zoti, im, betohem nё tё mirat qё m’i dhurove, kurrë nuk do tё vihem nё ndihmë tё kriminelëve.”[141]
Bibliografia
Faqe web
[1]. Profesor me kohë të plotë, Departamenti i të Drejtës Penale, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Profesor me kohë të pjesshme, Fakulteti i Sigurisë dhe Hetimit, Akademia e Sigurisë.
[2]. Hulumtues dhe besimtar islam.
[3]. El-Ghazali, M., Nëntëdhjetë e nëntë emrat e bukur të Zotit, shtëpia botuese “Ajan”, Tetovë, 2018, f. 67-159.
[4]. Kur’An-i, Suretu El Bekare, I.R.C. Dubai, U.A.E., f. 65.
[5]. Po aty, Suretu Et Tegabun, f. 766.
[6]. Tahsimi, H., Shtyllat themelore të Tarikatit Tixhani, Organizata “Drita Hyjnore”, Sekti Tixhani, Nr. 2, Shtypshkronja Gutenberg, Tiranë, 1941, f. 7.
[7]. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tefsiri i sureve të shkurtra të Kuranit, Tiranë, 2019, f. 11.
[8]. Kraja, A., A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar, botim i dytë, Tiranë, 2016, f. 61-69.
[9]. Çobani, E., Të drejtat dhe liritë themelore të Njeriut, Tiranë, 2002, f. 211.
[10]. Po aty.
[11]. Hoxha, Q., Ligjërata islame, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tiranë, 2016, f. 29.
[12]. Sytari, M., NUN, Pasha Lapsin, shtypshkronja “Volaj”, Shkodër, 2013, f. 75.
[13]. El- Gazali, M., Komenti tematik i Kur’anit famёlartё, Tefsir, shtёpia botuese “Logos – A, Shkup, 2007, f. 471-706.
[14]. Duhet tё kihet në konsideratë se privimi nga liria (burgimi), për shkak të akteve kriminale, ёshtё njohur nga legjislacioni islam. Me tё nënkuptohet kufizimi i individit – autor i veprave penale ndaj tё mirave, dobive dhe kënaqësive tё kësaj bote.
[15]. Ramadani, S., E drejta islame, burimi dhe zhvillim, Logos-A, Shkup, 2007, f. 172-173.
[16]. El- Gazali, M., Komenti tematik i Kur’anit Famёlartё, Tefsir, shtëpia botuese “Logos – A, Shkup, 2007, f. 583-672.
[17]. Gylen, F., Drejt një qytetërimi botëror me Dashuri dhe Tolerancë, shtëpia botuese “Prizmi”, Tiranё, f. 92-98.
[18]. Kudri, M., Kodi social dhe moral në islam, shtëpia botuese “Furkan”, Shkup, 2018, f. 43.
[19]. Topbash, O., Tasavvufi ose mistika islame nga besimi në mirësi, Botime Progresi, Shkodër, 2016, f. 399.
[20]. Ibn Kethir, I., Kandili Ndriçues, në versionin e shkurtuar të Tefsirit të Ibn Kethirit, Vol. IV, Junus – El-Isra’, Botues Fondacioni i Rinisë Islame, Zurich, 2009, f. 621.
[21]. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, Kurani i madhërishëm dhe kuptimet e tij në gjuhën shqipe, shtypshkronja “Mileniumi i ri”, Botim i shtatë, Tiranë, 2010, f. 148.
[22]. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tefsiri i sureve të shkurtra të Kuranit, Tiranë, 2019, f. 110.
[23]. Karčić, F., Studime për tё drejtën e sheriatit dhe institucionet, shtëpia botuese “Logos A”, Shkup, 2015, f. 16-17.
[24]. Nowicki, M., Rreth Konventës Europiane të të drejtave të njeriut, Botim i Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, Botimet “Morava”, Tiranë, 2003, f. 94.
[25]. Peppo, E., Mbrojtja juridiko-penale e personit njerëzor, Disertacion për mbrojtjen e gradës shkencore “Doktor”, Instituti i Studimeve Europiane, Universiteti i Tiranës, Tiranë, 2017, f. 79-81.
[26]. Biba, D., Të Drejtat e Njeriut dhe Konstitucionalizmi – një perspektivë shqiptare, Disertacion për mbrojtjen e gradës shkencore “Doktor”, Universiteti Tiranës, Departamenti i së Drejtës Publike, Fakulteti i Drejtësisë, Tiranë, 2017, f. 200-201.
[27]. Peppo, E., Mbrojtja juridiko-penale e personit njerëzor, Disertacion për mbrojtjen e gradës shkencore “Doktor”, Instituti i Studimeve Europiane, Universiteti i Tiranës, Tiranë, 2017, f. 79.
[28]. Gruda, Z., Mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Universiteti i Prishtinës dhe Këshilli për mbrojtjen e të drejtave e të lirive të njeriut, Prishtinë, 2000, f. 90.
[29]. Të drejta e njeriut, Përmbledhje aktesh ndërkombëtare, Botim i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, shtëpia botuese enciklopedike, Tiranë, 1993, f. 2.
[30]. Elezi, I., E drejta penale – pjesa e posaçme, Botimet ERIK, Tiranë, 2009, f. 33-35.
[31]. Elezi, E., & Elezi, E., Historia e së drejtës penale, SHBLU, Tiranë, 2010, f. 75-215.
[32]. Fondacioni Slynn – Londёr, Zbatimi i tё drejtave tё njeriut nё praktikё, Gent grafik, Tiranё, 2016, f. 107.
[33]. Sabuni, M., Sqarime tё shkёlqyeshme tё komentimit tё dispozitave Kur’anore, shtëpia botuese “Furkan”, Shkup, 2008, f. 581.
[34]. Fromont, M., Sistemet e huaja më të mëdha të së drejtës, shtëpia botuese “Papirus”, Tiranë, 2009, f. 15.
[35]. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, Kurani i madhërishëm, Botimi i dhjetë, shtypshkronja “Milenium i ri”, Tiranë, 2012, f. 166.
[36]. Sabuni, M., Sqarime tё shkёlqyeshme tё komentimit tё dispozitave Kur’anore, shtëpia botuese “Furkan”, Shkup, 2008, f. 581.
[37]. Anastasi, A., E drejta kushtetuese, shtëpia botuese “PEGI”, Tiranë, 2001, f. 59.
[38]. Po aty.
[39]. Po aty.
[40]. Nowicki, M., Rreth Konventës Europiane të të drejtave të njeriut, Botim i Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, Botimet “Morava”, Tiranë, 2003, f. 93.
[41]. Për një rend publik europian, “Vendime të zgjedhura të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut”, Botim i Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, Grafika ARS sh.p.k., Tiranë, 2001, f. 28.
[42]. Nowicki, M., Rreth Konventës Europiane të të drejtave të njeriut, Botim i Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, Botimet “Morava”, Tiranë, 2003, f. 39.
[43]. Likmeta, E., Mbrojtja juridiko-penale e pronësisë, Disertacion për gradën shkencore “Doktor”, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, Departamenti i së Drejtës Penale, Tiranë, 2014, f. 20.
[44]. Çobani, E., Të drejtat dhe liritë themelore të Njeriut, Tiranë, 2002, f. 212.
[45]. Deklarata e Kajros mbi të Drejtat e Njeriut në Islam, Tekst i plotë. Për mё shumё: www.fmreview.org/Human-Rights/cairo, marrё online datë 11.02.2014.
[46]. Po aty.
[47]. Kardaui, J., Doktrina e shtetit në Islam, Furkan ISM, Shkup 2012, f. 73.
[48]. Ismaili, H., Sejdiu, F., Historia e shtetit dhe e së drejtës, pjesa e përgjithshme, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Juridik, Prishtinë, 2002, f. 212.
[49]. Shegani, A., E drejta penale e krahasuar, “Darmisa” Fier, 1999, f. 37.
[50]. Sabik, S., Legjislacioni i traditës së Profetit A.S., ‘Fikhus – Sunneh’, Vol. 1, I.SH.M.Q.I, Tiranë, 2011, f. 6.
[51]. Ismaili, H., Sejdiu, F., Historia e shtetit dhe e së drejtës, pjesa e përgjithshme, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Juridik, Prishtinë, 2002, f. 226.
[52]. El- Gazali, M., Komenti tematik i Kur’anit Famёlartё, Tefsir, shtëpia botuese “Logos – A, Shkup, 2007, f. 699.
[53]. Sinani, A. Veprat penale dhe dënimet. Pёr mё shumё shih:
http://www.radioislame.com/index.php?frame_rd=artikulli.php?id=4957 marrё online datë 11.02.2014.
[54]. Muçi, Sh., E drejta penale – pjesa e përgjithshme, shtëpia botuese “Dudaj”, Tiranë, 2012, f. 120.
[55]. Sulejmani, Sh., E drejta penale islame – pjesa e përgjithshme, Shkup, 2012, f. 133.
[56]. Po aty.
[57]. Po aty, f. 140.
[58]. Sabik, S., Legjislacioni i traditës së Profetit A.S., ‘Fikhus – Sunneh’, Vol. 3, I.SH.M.Q.I, Tiranë, 2011, f. 11.
[59]. Sinani, A. Veprat penale dhe dënimet. Pёr mё shumё shih:
http://www.radioislame.com/index.php?frame_rd=artikulli.php?id=4957 marrё online datë 11.02.2014.
[60]. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, Kurani i madhërishëm dhe kuptimet e tij në gjuhën shqipe, shtypshkronja “Mileniumi i ri”, Botim i shtatë, Tiranë, 2010, f. 154.
[61]. Zimeri, J., Lirimi nga përgjegjësia penale sipas sheriatit. Pёr mё shumё shih: www.jusufzimeri.com/?p=670 datë 11.02.2014.
[62]. Dënimet zbatohen vetëm nga autoritetet drejtuese ligjzbatuese si Imami, zëvendësi i tij, etj. Për më shumë shih: Bedevi, A., Përmbledhje e fikhut, shtëpia botuese “NuN”, Shkup, 2018, f. 497.
[63]. Sabik, S., Legjislacioni i traditës së Profetit A.S., ‘Fikhus – Sunneh’, Vol. 3, I.SH.M.Q.I, Tiranë, 2011, f. 11.
[64]. Sulejmani, Sh., E drejta penale islame – pjesa e përgjithshme, Shkup, 2012, f. 74-75.
[65]. Profesor Sabuni e kualifikon vrasjen nisur nga elementi i anës subjektive – forma e fajësisë. Ai dallon tre lloje tё vrasjeve: me paramendim, me gabim, si dhe me gjysmë paramendim. Sabuni, M., Sqarime tё shkёlqyeshme tё komentimit tё dispozitave Kur’anore, shtëpia botuese “Furkan”, Shkup, 2008, f. 517.
[66]. Bedevi, A., Përmbledhje e fikhut, shtëpia botuese “NuN”, Shkup, 2018, f. 520.
[67]. Po aty.
[68]. Në terma teknikë me ajet kur’anor kuptohet ndarja më e shkurtër e teksit kur’anor, d.m.th. fraza apo paragrafi.
[69]. Me hadith duhen kuptuar tradita profetike, thëniet e veprat e të të Dërguarit të Zotit (Paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshim mbi tё) për çështje jetësore nga praktika.
[70]. Ibn Kethir, I., Kandili Ndriçues, në versionin e shkurtuar të Tefsirit të Ibn Kethirit, Vol. II, Ali Imran – El-Maide, Botues Fondacioni i Rinisë Islame, Zurich, 2008, f. 358.
[71]. Në këtë rast duhet kuptuar zbatimi i ligjit islam me përpikëri nga organet ligjzbatuese, duke u bazuar në sistemin e drejtësisë penale islame dhe aspak nga dëshirat apo motivet e individëve të caktuar, pasi ndryshe do të binin në premisat e veprës penale të vetëgjyqësisë.
[72]. Ibn Kethir, I., Kandili Ndriçues, në versionin e shkurtuar të Tefsirit të Ibn Kethirit, Vol. IV, Junus –- El-Isra’, Botues Fondacioni i Rinisë Islame, Zurich, 2009, f. 588.
[73]. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, Kurani i madhërishëm dhe kuptimet e tij në gjuhën shqipe, shtypshkronja “Mileniumi i ri”, Botim i shtatë, Tiranë, 2010, f. 285.
[74]. Ibn Kethir, I., Kandili Ndriçues, në versionin e shkurtuar të Tefsirit të Ibn Kethirit, Vol. II, Ali Imran – El-Maide, Botues Fondacioni i Rinisë Islame, Zurich, 2008, f. 536.
[75]. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, Kurani i madhërishëm dhe kuptimet e tij në gjuhën shqipe, shtypshkronja “Mileniumi i ri”, Botim i shtatë, Tiranë, 2010, f. 113.
[76]. Gylen, F., Drejt njё qytetёrimi botёror me Dashuri dhe Tolerancё, shtёpia botuese “Prizmi”, Tiranё, f. 229.
[77]. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, Kurani i madhërishëm dhe kuptimet e tij në gjuhën shqipe, shtypshkronja “Mileniumi i ri”, Botim i shtatë, Tiranë, 2010, f. 325.
[78]. Po aty, f. 93.
[79]. Ibn Kethir, I., Kandili Ndriçues, në versionin e shkurtuar të Tefsirit të Ibn Kethirit, Vol. II, Ali Imran – El-Maide, Botues Fondacioni i Rinisë Islame, Zurich, 2008, f. 358.
[80]. Sabuni, M., Sqarime tё shkёlqyeshme tё komentimit tё dispozitave Kur’anore, shtёpia botuese “Furkan”, Shkup, 2008, f. 514.
[81]. Bedevi, A., Përmbledhje e fikhut, shtëpia botuese “NuN”, Shkup, 2018, f. 518.
[82]. Sabuni, M., Sqarime tё shkёlqyeshme tё komentimit tё dispozitave Kur’anore, shtёpia botuese “Furkan”, Shkup, 2008, f. 514.
[83]. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, Kurani i madhërishëm dhe kuptimet e tij në gjuhën shqipe, shtypshkronja “Mileniumi i ri”, Botim i shtatë, Tiranë, 2010, f. 366.
[84]. Po aty, f. 148.
[85]. Po aty, f. 27.
[86]. Po aty.
[87]. Po aty.
[88]. Po aty.
[89]. Sipas profesorit tё nderuar, z. Muhamed Sabuni, akti kriminal i vrasjes pasohet nga tri dёnime kryesore tepёr tё rёnda pёr autorin e saj që konsistojnё nё: – hidhërimin dhe zemërimin e Zotit, dёnimin e rёndё qё do e shoqёrojё fajtorin nё botёn e pёrtejme si dhe pёrjetёsimin e tij nё ferr. Pёr mё shumё shih: Sabuni, M., Sqarime tё shkёlqyeshme tё komentimit tё dispozitave Kur’anore, shtёpia botuese “Furkan”, Shkup, 2008, f. 514.
[90]. Ibn Kethir, I., Kandili Ndriçues, në versionin e shkurtuar të Tefsirit të Ibn Kethirit, Vol.I, El-Fatiha – El-Bekare, Botues Fondacioni i Rinisë Islame, Zurich, 2007, f. 434.
[91]. Sulejmani, Sh., E drejta penale islame – pjesa e përgjithshme, Shkup, 2012, f. 230.
[92]. Po aty, 227-229.
[93]. Ibn Kethir, I., Kandili Ndriçues, në versionin e shkurtuar të Tefsirit të Ibn Kethirit, Vol. III, El-En’am – Et-Teube, Botues Fondacioni i Rinisë Islame, Zurich, 2008, f. 179.
[94]. Ibn Kethir, I., Kandili Ndriçues, në versionin e shkurtuar të Tefsirit të Ibn Kethirit, Vol. II, Ali Imran – El-Maide, Botues Fondacioni i Rinisë Islame, Zurich, 2008, f. 358.
[95]. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, Kurani i madhërishëm dhe kuptimet e tij në gjuhën shqipe, shtypshkronja “Mileniumi i ri”, Botim i shtatë, Tiranë, 2010, f. 576.
[96]. Po aty, f. 481.
[97]. Drejtues i shquar i besimit islam, dijetar dhe njohës i jurisprudencës islame, që ka botuar një sërë veprash, jetoi rreth viteve 701-774, sipas Hixhretit, dhe viti 1302-1373 sipas kalendarit Gregorian.
[98]. Në të drejtën islame ekzistojnë katër shkolla juridike kryesore Hanaefi, Maliki, Shafi’i, Hanbeli.
[99]. Ibn Kethir, I., Kandili Ndriçues, në versionin e shkurtuar të Tefsirit të Ibn Kethirit, Vol. I, El-Fatiha – El-Bekare, Botues Fondacioni i Rinisë Islame, Zurich, 2007, f. 432.
[100]. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, Kurani i madhërishëm dhe kuptimet e tij në gjuhën shqipe, shtypshkronja “Mileniumi i ri”, Botim i shtatë, Tiranë, 2010, f. 83.
[101]. Ibn Kethir, I., Kandili Ndriçues, në versionin e shkurtuar të Tefsirit të Ibn Kethirit, Vol.II, Ali Imran – El-Maide, Botues Fondacioni i Rinisë Islame, Zurich, 2008, f. 273.
[102]. Ibn Kethir, I., Kandili Ndriçues, në versionin e shkurtuar të Tefsirit të Ibn Kethirit, Vol.II, Ali Imran – El-Maide, Botues Fondacioni i Rinisë Islame, Zurich, 2008, f. 273-274. Sabik, S., Legjislacioni i traditës së Profetit A.S., ‘Fikhus – Sunneh’, vo. 3, I.SH.M.Q.I, Tiranë, 2011, f. 14.
[103]. Bedevi, A., Përmbledhje e fikhut, shtëpia botuese “NuN”, Shkup, 2018, f. 519.
[104]. Sabik, S., Legjislacioni i traditës së Profetit A.S., ‘Fikhus – Sunneh’, vo. 3, I.SH.M.Q.I, Tiranë, 2011, f. 21.
[105]. Po aty.
[106]. Po aty.
[107]. Bedevi, A., Përmbledhje e fikhut, shtëpia botuese “NuN”, Shkup, 2018, f. 521.
[108]. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, Kurani i madhërishëm dhe kuptimet e tij në gjuhën shqipe, shtypshkronja “Mileniumi i ri”, Botim i shtatë, Tiranë, 2010, f. 93.
[109]. Gylen, F., Drejt njё qytetёrimi botёror me Dashuri dhe Tolerancё, shtёpia botuese “Prizmi”, Tiranё, f. 252.
[110]. Sabuni, M., Sqarime tё shkёlqyeshme tё komentimit tё dispozitave Kur’anore, shtёpia botuese “Furkan”, Shkup, 2008, f. 508-514.
[111]. Sabik, S., Legjislacioni i traditës së Profetit A.S., ‘Fikhus – Sunneh’, Vol. 3, I.SH.M.Q.I, Tiranë, 2011, f. 22.
[112]. Sabuni, M., Sqarime tё shkёlqyeshme tё komentimit tё dispozitave Kur’anore, shtёpia botuese “Furkan”, Shkup, 2008, f. 510-514.
[113]. Al Awabdeh, M., History and prospect of Islamic Criminal Law with respect to the Human Rights, Dissertation zur Erlangung des akademischen Grades Dr. jur., 16 Märs 2005, f. 119.
[114]. EL- Gazali, M., Komenti tematik i Kur’anit Famёlartё, Tefsir, shtёpia botuese “Logos – A, Shkup, 2007, f. 111.
[115]. Al Awabdeh, M., History and prospect of Islamic Criminal Law with respect to the Human Rights, Dissertation zur Erlangung des akademischen Grades Dr. jur., 16 Märs 2005, f. 119.
[116]. El- Gazali, M., Komenti tematik i Kur’anit Famёlartё, Tefsir, shtёpia botuese “Logos – A, Shkup, 2007, f. 39.
[117]. Brownback, S., Religion as an instrument for peace, Conference, 18-19 November, 2019, Albania, President of the Republic of Albania in coordination with U.S. Department of State, f. 23.
[118]. El- Gazali, M., Komenti tematik i Kur’anit Famёlartё, Tefsir, shtёpia botuese “Logos – A, Shkup, 2007, f. 203-247.
[119]. Spahiu, B., Religion as an instrument for peace, Conference, 18-19 November, 2019, Albania, President of the Republic of Albania in coordination with U.S. Department of State, f. 57.
[120]. Sytari, M., NUN, Pasha Lapsin, shtypshkronja “Volaj”, Shkodër, 2013, f. 8-220.
[121]. Janullatus, A., Religion as an instrument for peace, Conference, 18-19 November, 2019, Albania, President of the Republic of Albania in coordination with U.S. Department of State, f. 61.
[122]. El- Gazali, M., Komenti tematik i Kur’anit Famёlartё, Tefsir, shtёpia botuese “Logos – A, Shkup, 2007, f. 280.
[123]. Bulku, S., Zemrat e ndriçuara, shtypshkronja albPaper, Tiranё, 2008, f. 214-305.
[124]. Frendo, G., Religion as an instrument for peace, Conference, 18-19 November, 2019, Albania, President of the Republic of Albania in coordination with U.S. Department of State, f. 65.
[125]. El- Gazali, M., Komenti tematik i Kur’anit Famёlartё, Tefsir, shtёpia botuese “Logos – A, Shkup, 2007, f. 114.
[126]. Hoxha, Q., Ligjërata islame, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tiranë, 2016, f. 31.
[127]. Lippman, M., Islamic Criminal Law and Procedure: Religious Fundamentalism v. Modern Law, 12 B.C. Int’l & Comp. L. Rev. 29 (1989), http://lawdigitalcommons.bc.edu/iclr/vol12/iss1/3.
[128]. Po aty.
[129]. El- Gazali, M., Komenti tematik i Kur’anit Famёlartё, Tefsir, shtёpia botuese “Logos – A, Shkup, 2007, f. 106-107.
[130]. Po aty, f. 26-27.
[131]. Kudri, M., Kodi social dhe moral në islam, shtëpia botuese “Furkan”, Shkup, 2018, f. 24-26.
[132]. Al Awabdeh, M., History and prospect of Islamic Criminal Law with respect to the Human Rights, Dissertation zur Erlangung des akademischen Grades Dr. jur., 16 Märs 2005, f. 24.
[133]. Po aty, f. 25.
[134]. Bedevi, A., Përmbledhje e fikhut, shtëpia botuese “NuN”, Shkup, 2018, f. 523.
[135]. Po aty, f. 530-531.
[136]. Topbash, O., Tasavvufi ose mistika islame nga besimi në mirësi, Botime Progresi, Shkodër, 2016, f. 148-325.
[137]. Bulku, S., Melhemet e zemrёs, shtypshkronja albPaper, Tiranё, 2007, f. 217.
[138]. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, Kurani i madhërishëm dhe kuptimet e tij në gjuhën shqipe, shtypshkronja “Mileniumi i ri”, Botim i shtatë, Tiranë, 2010, f. 570.
[139]. Brownback, S., Religion as an instrument for peace, Conference, 18-19 November, 2019, Albania, President of the Republic of Albania in coordination with U.S. Department of State, f. 19.
[140]. Norlen, Tova C.. “The Impact of COVID-19 on Salafi-Jihadi Terrorism.” Connections: The Quarterly Journal 19, no. 2 (2020): 11-23.
[141]. El- Gazali, M., Komenti tematik i Kur’anit Famёlartё, Tefsir, shtёpia botuese “Logos – A, Shkup, 2007, f. 712.
Feb 12, 2024 0
Nov 30, 2022 0
Sep 18, 2021 0
Dec 02, 2020 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Jan 23, 2024 0
Jan 08, 2019 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...