Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Dec 16, 2021 Zani i Nalte Sociologji, Studime 0
Dr. Genti Kruja, Departamenti i Shkencave Islame, Universiteti Bedër
Msc. Mehmet Disha, Drejtoria e Kulturës, KMSH
Abstrakt
Familja është bërthama e shoqërisë. Edukimi dhe arsimimi i një individi dhe sidomos i femrës, sjell ndërtimin e institucionit të familjes së shëndoshë, të cilat përbëjnë edhe shoqërinë ideale.[1] Por a ekziston një shoqëri ideale? Sipas Islamit po. Dhe kjo tashmë po vërtetohet edhe me anë të studimeve shkencore, të cilat së fundmi, kanë vërtetuar se familjet që janë të brumosura me besimin islam, kanë një nivel minimal të problemeve familjare dhe sidomos të konfliktit familjar, prindër-fëmijë, marrëdhënie midis motrash dhe vëllezërish, apo më pak përplasje brezash.[2]
Nga dita kur njeriu vjen në ekzistencë, si një qenie ende e vogël, zhvillohet vazhdimisht si një barrë në supet e prindërve. Lidhur me këtë, është krejt e pamundur të përcaktohet e vlerësohet thellësia e dhembshurisë së prindit ndaj fëmijës, kufiri i shqetësimeve që heqin ata.
Kështu, përsosmëria e një kombi dhe një shoqërie nis nga familja, nga foleja familjare e ngritur nga bashkëshortët. Nisur nga kjo, edukimi duhet filluar nga familja. Po qe se familja nuk është ngritur mbi parime edukative, as shoqëria nuk mund të mendohet të jetë me edukatë. Familja është institucioni ku individi merr jetë. Duke qenë e tillë, ajo ka forcën e saj të edukimit, arsimimit dhe krijimit të kushteve materiale për jetën. Por veçoritë e edukatës familjare varen edhe nga përbërja e familjes, organizimi i brendshëm, niveli arsimor, kultura e saj, si dhe nga tradita e edukatës së saj familjare.[3]
Shqipëria pas viteve ‘90 ka hyrë në një tranzicion të gjatë në të gjitha aspektet. Kemi një emigracion të rreth 1/4 së popullsisë së përgjithshme në shumë vende të botës. Kemi një migrim, shpërngulje brenda vendit, nga zonat e thella dhe fshatrat në qytet, nga qytetet në kryeqytet, ku familja shqiptare pëson përplasje kulturash dhe subkulturash, duke bërë zhvlerësim, apo ndryshim të vlerave të trashëguara familjare. Kjo ka sjellë përplasje midis brezave dhe zgjerim të hendekut midis tyre. Individualizmi, materializmi, smira dhe zilia janë bërë shtysa të thellimit të problemeve të rinisë së sotme shqiptare, e cila, për më tepër, është në një krizë besimi, që sjell të gjitha burimet e sëmundjeve sociale.
Sot shohim se janë përhapur pafund dukuri negative, si droga, alkooli, bixhozi, dhuna dhe vese e dukuri të tjera negative dhe ata që preken më shpesh nga këto fenomeneve janë fëmijët dhe të rinjtë. E në këtë kontekst, roli i prindërve është shumë i rëndësishëm.
Në një fjalë të njohur thuhet kështu: “Edukojeni fëmijën 20 vjet para se të lindë”, kjo fjalë e lindur nga gjuhët e popujve, tregon qartë rëndësinë e edukimit të vetë prindit, sepse detyrat e tij ndaj familjes fillojnë që para se të lindë fëmija.
Në mënyrë të veçantë, në ditët tona, meqë prindërit janë zhytur me gjithçka në punët e kësaj bote, i kanë lënë pas dore fëmijët, sidomos adoleshentët, për sa i përket komunikimit me ta.
Familja është elementi themelor i shoqërisë. Ajo është shtylla më e rëndësishme e saj. Sa të respektuar të jenë pjesëtarët e familjes ndaj të drejtave dhe detyrave të njëri-tjetrit, aq e shëndoshë është edhe shoqëria. Në perspektivën islame, familja është një institucion i frymëzuar nga Zoti. Ajo nuk është zhvilluar nëpërmjet proceseve eksperimentale të evolucionit njerëzor e as rastësisht gjatë rrjedhës së kohës. Kjo është një e vërtetë e kumtuar nga mësimet hyjnore të shpallura nga Zoti.[4] Kur’ani e shpreh qartë këtë në ajetin e mëposhtëm: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (Nisa’:1).
Shkolla e parë e fëmijëve, që e kanë shpirtin të shkëlqyer si pasqyrë e që regjistron shpejt si aparat fotografik, është shtëpia, kurse edukatorja e parë, është nëna. Përgatitja e nënave si edukatore është baza më e rëndësishme për ekzistencën dhe vazhdimësinë e një populli. Sidomos, në edukimin e fëmijëve, në zhvillimin emocional dhe intelektual të tyre, apo edhe në zgjidhjen e problematikave që fëmijët hasin gjatë fazave të ndryshmeve të zhvillimit sipas karakteristikave të moshës, roli i nënave është më i rëndësishmi.[5]
Arsimimi është tjetër gjë, edukimi tjetër. Shumica e njerëzve mund të bëhen arsimtarë, por janë të paktë ata që mund të bëhen edukatorë!
Nëna është elementi më i rëndësishëm i familjes që përgatit një komb. Nëna është dora e shenjtë që e gatuan një komb si dhe ngritësja e folesë familjare, që përbën qelizën e parë të shoqërisë, ngritësja e një foleje ku reflektohen gëzimet dhe lumturia e fëmijëve. Nëna është një heroinë dhembshurie.
Çdo njeri është përgjegjës për fushën e vet të përgjegjësisë dhe për ata që ka nën vete. Kështu, prindërit kanë një detyrë shumë të madhe ndaj fëmijëve të tyre.
Në Islam, prindërit kanë një rëndësi shumë të madhe, ata janë bërthama e familjes. Në ajetet e Kur’anit dhe hadithet profetike bëhet e qartë se kënaqësia e Zotit është në respektin dhe bindjen ndaj prindërve.
Prindërit janë të parat qenie që duhet t’i respektojë njeriu. Kush e lë mangët respektin për ta, konsiderohet se ka kundërshtuar Zotin.
Në Kur’an në disa vende shohim se respekti ndaj prindërve citohet direkt pas besimit në Zot.
Kur’ani thotë: “Ejani t’ju lexoj çfarë ju ka urdhëruar Allahu: që të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); që të silleni mirë me prindërit.” (En’am, 151)
“Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë me mund dhe me mund e lind.” (Ahkaf, 15)
“Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë” (Lukman, 14)
“O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën, kur do të jepet llogari!” (Ibrahim, 41)
“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as ‘uh!’, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: ‘O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!’” (Isra’, 23-24)
Janë këto disa nga ajetet dhe argumentet kur’anore, ndërsa ato profetike mund t’i rendisim në këtë mënyrë:
Profeti Muhamed a.s. thotë: “Xheneti është nën këmbët e nënave tuaja.”[6]
“Turp për atë (e përsërit 3 herë) që megjithëse ka jetuar me të dy prindërit, apo me njërin, nuk ia del të hyjë në Xhenet.”[7]
“Kënaqësia e Zotit, është te kënaqësia e nënës dhe babait. Pakënaqësia e Zotit është te pakënaqësia e nënës dhe babait.”[8]
“Babai është porta qendrore e Xhenetit. Në daç hiq dorë prej saj, në daç ruaje dhe gëzoje atë.”[9]
Ndërsa kur Abdullah ibn Mesudi e pyeti Profetin: “Cila është puna më e dashur te Zoti i Lartësuar? Profeti tha: “Sjellja mirë me prindërit.”[10]
Nisur nga këto, respekti për ta është jo vetëm një detyrim njerëzor, por edhe një obligim fetar.
Fëmija duhet të jetë jashtëzakonisht i respektueshëm e i bindur ndaj prindërve; edhe prindërit, duke i dhënë jetës shpirtërore të fëmijës po aq rëndësi sa edhe trupit dhe shëndetit të tyre, duhet t’ia dorëzojnë atë sa më parë edukimit të të urtëve më të aftë.
Profeti, njërit që e pyeti se: “Kush ka më shumë të drejtë për shoqërinë dhe kujdesin tim?”, i tha: “Nëna jote.” –Po pastaj? “Nëna jote.” –Po pastaj? “Nëna jote.” –Po pastaj? “Babai yt.”, – i tha.[11]
Mungesa e respektit ndaj prindërve është e ndaluar dhe është prej mëkateve të mëdha te Zoti, përveçse në rastet kur ata të kërkojnë të bësh diçka kundër Islamit, por edhe atëherë duhet të sillesh me dashamirësi, porosi kjo e vetë Zotit në Kur’an.[12]
Prindërit duhet të jenë më të ndjeshëm dhe të tregojnë më tepër interes ndaj fëmijëve të tyre, pra duhet të njohin mirë jo vetëm qëllimet e edukimit të fëmijëve, por edhe ndryshimet individuale dhe jetën e tyre shpirtërore.
Në Kur’an thuhet: “Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote.”[13] Kështu fëmijët janë stoli për syrin dhe ushqim për zemrën. Duke i parë këto stoli, njeriu mund të ndiejë në praktikë lumturinë. Mirëpo, kujdesi është një ndërlikim i shumanshëm.
Dallimi eventual kulturor mes djalit dhe vajzës, ose edhe mes prindërve dhe fëmijëve, si njëri prej problemeve të ditëve tona, mund të sheshohet dhe zgjidhet me masa edukative gjer në periudhën e adoleshencës. Po u lanë për më vonë, ndikimi i masave edukative mund të bëhet i pavlerë.
Fëmija është si ekrani i hapur i folesë familjare, si altoparlanti i zërave të ndryshëm të atij mjedisi. Nga ky ekran dhe altoparlant mund të vëzhgojmë edhe skajet më intime të shtëpisë si dhe të dëgjojmë edhe pëshpëritjet më të fshehta!
Kështu ne jemi të mbjellat dhe të korrat e paraardhësve tanë; edhe brezat që do të vijnë, do të jenë fryti i përpjekjeve tona. Ne duhet të shohim mirë se ku i kemi mangësitë; të përpiqemi për t’u ringjallur shpirtërisht për sa i përket ndjenjës së detyrës dhe përgjegjësisë.
Këtu na duhet të hapim një parantezë për të shpjeguar një detaj të rëndësishëm për sa i përket edukimit të fëmijëve: Ashtu siç në Islam, Zoti qartëson se nuk ka detyrim në fe,[14] duke lënë kështu hapësirë për vullnetin e lirë njerëzor, që i përfton njeriut të drejtën e përzgjedhjes, po në këtë mënyrë, edhe te fëmijët luhet i njëjti ekuilibër, për sa i përket edukimit të tyre. Në Kur’an përmenden shembuj ku bijtë e profetëve kanë kundërshtuar mesazhet dhe këshillat e etërve të tyre dhe profetët, si rrjedhojë e kësaj gjëje, vetëm sa u kanë folur, i kanë thirrur, janë përpjekur e stërmunduar, edhe pse e dinin se vullneti i fëmijëve të tyre po shkonte drejt zgjedhjes së gabuar, por kurrsesi nuk i kanë detyruar për asgjë, sepse arsyetimi dhe vullneti logjik janë bazë e edukimit të vërtetë; mjafton të përmendim këtu të birin e Nuhut a.s, i cili refuzoi të hipte në anije dhe u përla nga dallgët, e po njësoj janë edhe bijtë e Jakubit, të cilët thurën komplote kundër vëllait të tyre të vogël.
Është e nevojshme të kuptojmë se qëndrimet e prindërve, të mbajtura brenda ekuilibrave, janë efecientë në edukimin e fëmijëve brenda kornizave familjare, të cilat, më vonë, ndikojnë edhe në qëndrimet vetjake të fëmijëve ndaj vendimeve që nuk janë pjesë e mjedisit familjar. Qëndrimi i prindërve, sipas disa studimeve, është efikas dhe duhet të përfshihet edhe në proceset mësimore të sistemit të arsimit parashkollor, të ulët dhe në atë të mesëm, pasi kjo gjë ndikon në krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm për edukimin e fëmijëve, ndikon edhe në formimin e tyre të brendshëm si dhe në aspiratat e tyre.[15]
Kështu, etika e edukimit, në planin e sotëm të rrezikshmërive të keqedukimit, na shfaqet me një tjetër nevojshmëri, dhe këtu shfaqet nevoja e prindit për të qenë më vigjilent ndaj veseve dhe udhëve çorientuese që u kanosen sot fëmijëve dhe adoleshentëve, si edhe më i përkushtuar në gjetjen e metodave bashkëkohore që do ta ngrenë nivelin e edukimit familjar në gradën e nevojës bashkëkohore.
Shtëpitë tona duhet të kenë pamjen e një shkolle, një vendi edukimi, në mënyrë që, duke ua ngopur fëmijëve zemrën e shpirtin, të mos lejojmë që të bëhen robër e skllevër të dëshirave të ulëta.
Kështu vetë prindi është shembulli më i mirë për fëmijën e tij. Sidomos kur edhe prindërit e fëmijës i kanë prindërit e tyre, pra gjyshërit, atëherë fëmija do ta ketë shembullin, sjellja e prindërve të tij ndaj nënës dhe babait të tyre do të jetë shembulli më i mirë për të. Pastaj vjen edukimi në shkollë, edukimi nga gjyshërit dhe sidomos edukimi fetar.[16]
Mënyra më me ndikim në procesin e mësimit dhe edukimit është tregimi dhe komunikimi me qëndrim, sjellje e gjeste. Rregullimi i përshtatshëm i jetës në shtëpi është më me ndikim në komunikimin e një ideje dhe në edukimin e fëmijës.[17]
Që fëmijët tanë të mund të rriten me një edukatë të lartë, është kusht që edhe mjedisi ku rriten dhe edukohen të jetë i një niveli të lartë. Sigurisht, çdo fëmijë formësohet sipas mjedisit dhe në një kuptim konsiderohet fëmija i atij mjedisi. Në krye të elementëve të mjedisit në fjalë vjen familja, pastaj shkolla, shokët, miqtë e rrethi shoqëror.
Po qe se ju nuk keni bërë dot një vlerësim të mirë të këtij mjedisi, atëherë rritet rreziku i infektimit me viruse që dëmtojnë rëndë moralin, edukatën dhe sjelljen. Prandaj mjedisin, duke filluar që nga familja e duke vazhduar me çdo etapë të rrugës dhe njësi të jetës, duhet ta bëjmë të përshtatshëm për rritjen dhe edukimin e përsosur të fëmijës.
Familja shqiptare sot, edhe pse është fatkeqësisht në një krizë morali, ajo ruan disa tipare pozitive, siç është ndjekja e fëmijës nga prindi për shkollimin më të mirë për të e të tjera përpjekje për ta parë fëmijën e vet sa më mirë, duke sakrifikuar shumë gjëra për të.
Kështu një fjalë e urtë thotë: “Po qe se fëmija është i çmuar, edukimi i tij është më i çmuar!”
Duhet ta dimë se fëmija është amaneti i Zotit për ne. Dashuria dhe interesimi që ndiejmë ne për fëmijën është një paradhënie dhe stimul për ne me qëllim që të kujdesemi për atë amanet.
Ndjenjat që ushqejmë për fëmijët që po rrisim, mendimet, fjalët, jeta ndiesore, sjelljet tona duhet të kenë gjithmonë për synim të bëhen shembull. Nëse duam që ata të rriten në mënyrë të të shëndetshme, jemi të detyruar t’i kushtojmë jashtëzakonisht vëmendje kësaj veçorie. Duhet të themi gjithmonë të drejtën, duke u shmangur nga gënjeshtra. Nëse duam që ata të mos thonë fjalë të papërshtatshme, nuk duhet të përdorim në shtëpi asnjë fjalë të papërshtatshme dhe në kujtesën e tyre nuk duhet të shkruhet asnjë fjalë e tillë. Nëse kërkojmë që fëmijët tanë të bëhen të vyer, që të jetojnë të ndershëm, duhet të bëjmë çmos që shembullin e kësaj ata ta marrin në shtëpi, duke u bërë ne shembujt e tyre. Ndërsa për heronj të kenë Profetin Muhamed a.s., Hz. Omerin, Halid bin Uelidin e shumë sahabe të tjerë në vend të falsiteteve si Spiderman-i, Superman-i e Babagjyshi i përrallave pa moral.
“Sa të respektuar të jenë pjesëtarët e familjes ndaj të drejtave dhe detyrave të njëri-tjetrit, aq e shëndoshë është shoqëria”[18]; apo “Në krye të elementëve të mjedisit në fjalë vjen familja. Pastaj, shkolla. I treti, shokët dhe miqtë. I katërti, rrethi shoqëror i mësimeve dhe i studimit.”[19] Është pikërisht kjo filozofi që udhëheq jo vetëm arsimimin, por edhe edukimin e nxënësve në medresetë e vendit tonë.
Kështu sipas një studimi të bërë para disa javësh midis disa shkollave të Tiranës me një anketim mbi 1244 nxënës të shkollave si “Petro Nini Luarasi”, “Qemal Stafa”, “Fan Noli”, “Dora D’ Istria”, “Myslym Keta”, “Shyqyri Peza”, shkolla e Mesme Artistike “Jordan Misja”, si dhe “Medreseja” e Tiranës, ku kjo e fundit u përzgjodh, jo vetëm se kanë nxënës nga gjithë trevat shqiptare, por edhe ngaqë kanë kohën e pas-mësimit të programuar sipas standardeve të disiplinës.
Problemet prindër-fëmijë në Medresenë e Tiranës janë ndjeshëm më e ulëta, në krahasim me atë të gjimnazeve dhe shkollave të tjera. Morali i shëndoshë dhe me përmbajtje fetare, që përjetohet e praktikohet nga mësuesit dhe nxënësit medresistë, shërben si faktor i rëndësishëm për shoqërizimin e nxënësve adoleshentë me modelet e sjelljes humane më të fisme, jo vetëm në marrëdhënie me prindërit dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, por edhe me gjithë shoqërinë.
Studiuesit mendojnë se disa elementë të mekanizmave shoqërues, që realizohen nëpërmjet moralit e edukatës fetare dhe disiplinës së tyre, mund të praktikohet edhe në shkollat e tjera të Shqipërisë, me qëllim që të neutralizohen ndikimet negative të shoqërisë së sotme.
Lusim Zotin që të na bëjë të denjë të jemi pjesë e shoqërisë së pastër, të skicuar shumë mirë në katalogun dhe udhëzuesin hyjnor në Kur’an dhe Traditën Profetike.*
Bibliografia
Kurani i madhërishëm, përktheu kuptimet e tij nga gjuha arabe: Prof. Hasan I. Nahi., Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam 2011 – 1432.
Breitborde, Mary-Lou, and Louise Boyle Swiniarski. “Family education and community power: New structures for new visions in the educational village.” Educational Studies 28.3 (2002).
Dauber, Susan L., and Joyce L. Epstein. “Parents’ attitudes and practices of involvement in inner-city elementary and middle schools.” Families and schools in a pluralistic society (1993).
Dhami S, Sheikh A., The Muslim family: predicament and promise., West J Med. 2000.
Ismail Dogan, Sosyoloji – Kavramlar ve Sorunlar, Sistem yay., Stamboll, 1998.
Grolnick, Wendy S., and Maria L. Slowiaczek. “Parents’ involvement in children’s schooling: A multidimensional conceptualization and motivational model.” Child development 65.1 (1994).
Mr. Rejhan Neziri, “Familja në Islam”, Kreuzlingen, Janar 2006.
Neitzel, Carin, and Anne Dopkins Stright. “Parenting behaviours during child problem solving: The roles of child temperament, mother education and personality, and the problem-solving context.” International Journal of Behavioral Development 28.2 (2004).
Xhemal Balla, Edukimi proces i formimit të njeriut si qenie njerëzore, Botim i KMSH, Tiranë 20018.
[1]. Ismail Dogan, Sosyoloji – Kavramlar ve Sorunlar, Sistem yay., Stamboll, 1998, f. 198-200.
[2]. Dhami S, Sheikh A., The Muslim family: predicament and promise, West J Med. 2000, f. 352–356.
[3]. Xhemal Balla, Edukimi proces i formimit të njeriut si qenie njerëzore, Botim i KMSH, Tiranë 20018., f. 96.
[4]. Mr. Rejhan Neziri, Familja në Islam, Kreuzlingen, Janar 2006.
[5]. Neitzel, Carin, and Anne Dopkins Stright. “Parenting behaviours during child problem solving: The roles of child temperament, mother education and personality, and the problem-solving context.” International Journal of Behavioral Development 28.2 (2004)., f. 166-179.
[6]. Nesai, Xhihad, 25; Albani, Sahihu ue Daifu Suneni’n-Nesai, v. 7, f. 176.
[7]. Muslim, Birr: 9.
[8]. Tirmidhi, Birr, 3/1899.
[9]. Tirmidhi, Birr, 3/1901.
[10]. Buhari, Meuakit, 1/108; Muslim, Iman, 1/62.
[11]. Buhari, Edeb: 2; Muslim, Birr 1.
[12]. Shih Kur’an, 31:14-15.; “Tefhimu’l-Kur’an”, 4/229.
[13]. Kur’an, 18:46.
[14]. Kur’an, 2:256.
[15]. Dauber, Susan L., and Joyce L. Epstein. “Parents’ attitudes and practices of involvement in inner-city elementary and middle schools.” Families and schools in a pluralistic society (1993); f. 53-71.
[16]. Grolnick, Wendy S., and Maria L. Slowiaczek. “Parents’ involvement in children’s schooling: A multidimensional conceptualization and motivational model.” Child development 65.1 (1994); f. 237-252.
[17]. Breitborde, Mary-Lou, and Louise Boyle Swiniarski. “Family education and community power: New structures for new visions in the educational village.” Educational Studies 28.3 (2002); f. 305-318.
[18] Gylen, Fethullah, “Kriteret ose Dritat e Rrugës – ese, gjykime, aforizma”, Shtëpia Botuese “Prizmi”, Tiranë, 2003: 159.
[19] Gylen, Fethulah, “Nga fara te lisi”, Shtëpia Botuese “Prizmi”, Tiranë, 2008: 77.
* Kumtesë e mbajtur në Konferencën e III Ndërkombëtare të Studimeve Islame ISCON III “Islami dhe sfidat e familjes në shoqërinë bashkëkohore”, organizuar nga Departamenti i Shkencave Islame në Universitetin Bedër në mars 2020.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...