Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Dec 29, 2021 Zani i Nalte Editoriale 0
Drejtor i Medresesë së Shkodrës dhe Tiranës
Kryetar i Komunitetit Mysliman
Kryetar i Komitetit Bamirës Mysliman
Esat Myftia ka qenë një drejtues i shquar arsimor, fetar, bamirës e kulturor në shkallë kombëtare, ka pasur merita të shumta dhe me veprimtarinë e tij të gjithanshme ka dhënë një ndihmesë të vyer e të efektshme në këto fusha.
Ai ishte vazhdues i denjë i familjes së njohur e të përmendur të Këlliçëve të Tabakëve e të Myftive të Shkodrës, që lidhet ngushtë me ngjarjet e lavdishme historike të këtij qyteti të Shqipërisë, me veprimtarinë atdhetare të Lidhjes së Prizrenit, me mbledhjet e gjera qytetare për të drejtat kombëtare e njerëzore e me komisionin humanitar për ndihmën e refugjatëve ulqinakë. Ajo kishte lidhje me zhvillimin arsimor e kulturor të Shkodrës e më gjerë nëpërmjet medresesë e funksionit të lartë të myftiut të vilajetit të Veriut të vendit e në qytete të tjera si familje tradicionale hoxhallarësh prej disa brezash. Ndër ta spikaste Jusuf Tabaku, si përfaqësuesi më në zë i kësaj familjeje.
Esat Myftia ishte nipi i Jusuf Tabakut, djali i Abdurrahmanit, lindur më 2.8.1911, në Shkodër. Mësimet e para arsimore e fetare i mori nga xhaxhai i tij, Abdullahu, edhe ky i përmendur për veprimtari e funksione të rëndësishme. Më pas vazhdoi e përfundoi medresenë e re të Shkodrës në vitet 1925-29, si student i dalluar. Në mjedisin familjar me tradita arsimore, kulturore e atdhetare, që fëmijë u edukua për të qenë gjithmonë në kontakt me informacionin shkencor, kulturor e fetar e për të punuar për mësimin e gjuhëve të huaja të lindjes e të perëndimit, duke arritur të zotërojë mirë e me baza gramatikore e me një leksik të pasur, me lehtësi komunikimi e përkthimi gjuhët: arabe, turke, perse, frënge e italiane. Ai i shfrytëzoi këto mundësi gjatë gjithë jetës, në shkollë, në punë e në kohën e lirë për formimin e mëtejshëm, për të mësuar e edukuar nxënësit e studentët e tij, për të bashkëpunuar me kolegët, për të drejtuar vartësit e për ushtrimin e detyrave fetare, humanitare e shtetërore.
Veprimtaria e Hafiz Esatit shtrihet në katër drejtime kryesore: në atë arsimore, fetare, humanitare e kulturore.
Në drejtimin arsimor Hafiz Esati ka qenë mësues besimi në shkollën fillore të Dudasit në vitet 1938-43, drejtor i medresesë së Shkodrës në vitet 1944-47 dhe të Medresesë së Përgjithshme të Tiranës në vitet 1952-54. Si mësues besimi në shkollën fillore, ai e vlerësonte edukimin e fëmijëve, përgatitjen e bënte në përshtatje me moshën, mësimin e konkretizonte dhe e bënte interesant me fakte e dukuri nga jeta e përditshme. Shkodra kishte traditë të vjetër për hapjen e medreseve si të Bushatllinjve, të Pazarit, si dhe atë të viteve 1925-29. Në një tubim të madh popullor Hafiz Esati shtroi si problem shumë të rëndësishëm domosdoshmërinë e rihapjes së medresesë, për të cilën mbajti një fjalim, që u duartrokit nxehtësisht nga pjesëmarrësit, duke lënë mbresa të thella dhe duke krijuar emocione, ngjalli entuziazëm dhe gjeti miratim të problemit të shtruar.
Caktimi i tij si drejtor i Medresesë së Shkodrës në vitet 1944-47, ishte një nderim i veçantë për të, për moshën e tij të re, por njëkohësisht edhe një detyrë me përgjegjësi, si një punë e bukur, por edhe e vështirë, një besim i madh, por që kërkonte një angazhim serioz.
Medreseja i filloi mësimet në vitin 1944 me një klasë përgatitore dhe në vitin 1946-47, përveç këtyre dy klasave dhe me një klasë të dytë, duke arritur 53 nxënës nga qyteti e nga fshati, nga të cilët 23 konviktorë. Nxënësit ishin nga rrethet Shkodër, Koplik, Lezhë, Pukë, Kukës dhe nga Ulqini.
Ky drejtor, me formimin e tij, me mobilizimin dhe mbështetjen personelit arsimor të përgatitur e me autoritet për lëndët e kulturës së përgjithshme e fetare si: Haxhi Muhamet Bekteshi, Hafiz Abdulla Neziri, Hafiz Xhevdet Zyla, Osman Met Osja, Hysni Bushati, Sheuqet Kraja, Eljaz Rraboshta, Eljaz Bekteshi e Asim Rusi, arriti t’i japë fizionomi kësaj shkolle nga hiçi me sistemin e lokalit, plotësimin e bazës materiale, pajisjen e nxënësve me tekste, krijimin e konviktit, të cilat së bashku siguronin kushte për punë normale dhe përparim të nxënësve.
Meritë e kësaj shkolle është edhe se pranë saj u arsimua edhe një grup prej rreth 15 nxënësish të rritur, të cilët fillimisht kishin marrë njohuri fetare nga dijetarë e hoxhallarë të veçantë e të përmendur të qytetit. Ishin këta nxënës të rinj e të rritur që do të bëheshin në pjesën dërrmuese mësues e hoxhallarë të ardhshëm, edukatorë e propagandues të fesë, përhapës të arsimit e të kulturës. Ndër ta ishte dhe shquhej edhe Hafiz Sabri Koçi (kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë 1990-2003).
Organizimi i provimeve dhe i ceremonive përfundimtare të viteve shkollore dëshmon se shkolla përparonte nga viti në vit, rriste emrin e mirë të saj. Një organ i shtypit të kohës për këtë shkruante: “Instituti që keni formue asht konform me qytetnimin e kulturën e sotme dhe në përpikmëri me edukatën e naltë islame. Medreseja juej ka plotësisht pamjen e një shkolle me karakteristika moderne, këtu mësohet dituni fetare e dijeni moderne, shkencë.”[1]
Kjo shkollë nuk vazhdoi gjatë, ajo u mbyll bashkë me shkolla të tjera të këtij profili, si rrjedhim i politikës shtetërore ateiste-komuniste në fushën e arsimit.
Caktimi më vonë i Hafiz Esatit si drejtor i Medresesë së Përgjithshme të Tiranës, ishte një vlerësim edhe më i madh për punën, aftësitë dhe cilësitë e veçanta e të përgjithshme të tij. Ai do të ishte një pasardhës i personaliteteve të shquara arsimore, kulturore, patriotike e demokratike që kishin qenë drejtorë të kësaj shkolle.
Krahas drejtorit, ai kreu edhe detyrën e profesorit të lëndës së historisë islame, për të cilën hartoi mësime të veçanta, të mbështetura në një bibliografi të pasur, me kronologji historike, me krahasime, me analizë e nxjerrje konkluzionesh për ngjarje e teza filozofike.
Në drejtimin fetar Esat Myftia pati një larmi detyrash që gjithnjë vinin duke u ngritur e që e ngarkonin me përgjegjësi më të madhe.
Fillimisht, duke qenë nxënës në medrese, në moshën 16 vjeçare, u caktua imam i xhamisë së Tabakëve, ku për 2 vjet u priu besimtarëve në kryerjen e riteve fetare nga 1927-29. Në vazhdim, ai, me këtë detyrë punoi në xhaminë e Ajasmës, duke u bërë person i nderuar në këtë rajon të lashtë e me tradita të Shkodrës.
Në vitin 1952 merr ixhazetin (diplomën) për hafiz, gjë që zgjeron nivelin e tij fetaro-kulturor dhe rrit autoritetin e tij në masat e popullit. Më vonë, në vitin 1964, Hafiz Esati emërohet vaiz në xhaminë e Parrucës, ku predikoi tema javore me një nivel të lartë teoriko-praktik para besimtarëve.
Kulmin e karrierës fetare, Hafiz Esati e arriti në vitin 1967, kur u emërua kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në këtë detyrë të lartë drejtuese ai shfaqi aftësitë e tij drejtuese, pjekurinë intelektuale e fetare, karakteristikat e tij të admirueshme njerëzore.
Nga kjo detyrë e lartë, pas vetëm disa muajsh, po në vitin 1967 dha dorëheqjen për arsye të vdekjes tragjike të djalit të vetëm.
Në drejtimin humanitar Hafiz Esati, në fund të vitit 1943, në kushtet e vështira të Luftës së II Botërore, duke parë gjendjen e keqe ekonomike të disa hoxhallarëve të qytetit dhe të fshatit dhe nevojat e mjaft qytetarëve të veçantë në qytetin e Shkodrës, ka qenë nismëtar kryesor në një grup qytetarësh shkodranë për krijimin e një komisioni ndihmash, që më pas u kthye në “Komitet Bamirës Mysliman”. Ky komitet drejtohej nga një kryesi, kryetar i së cilës u zgjodh Hafiz Esati, në të cilën bënin pjesë shumë veprimtarë si: nëpunës, tregtarë, intelektualë, klerikë, studentë universitarë, artizanë, qytetarë e fshatarë të nderuar. Komiteti hartoi një rregullore në të cilën përcaktoheshin detyrat e kompetencat në fushat e ndryshme të veprimtarisë humanitare.
Ky komitet e zgjeroi shpejt ndikimin e vet në aspekte bamirësie, arsimore e kulturore, sportive e argëtuese. Arriti të anëtarësojë vullnetarisht një masë të paparë njerëzish, rreth 2.000 anëtarë, që paguanin kuotë mujore 100-200 fr. shq. të kohës.
Ai ndihmoi me rroga e shpërblime hoxhallarë e nëpunës fetarë, për ndërtime, meremetime e zbukurime të xhamive, të varrezave e të mjediseve të tyre, si dhe për mirëmbajtjen e pasurive të tjera të Vakëfit; dha ndihmë ekonomike në të holla, në veshmbathje, në ushqime e në orendi për martesat e vajzave të varfra, për jetimët, për nevojtarët, për pajisjen e nxënësve me libra e uniformë shkollore e për vepra të tjera filantropike në raste fatkeqësish familjare.
Komiteti Bamirës hapi medresenë dhe konviktin, rregulloi ndërtesën për botime të veçanta për propagandimin e fesë dhe i shpërndau ato në popull falas, organizoi ceremoni për festat fetare dhe konferenca tematike lidhur me probleme të rëndësishme edukuese, fetare e morale, nxiti bashkëpunimin e veprimtarëve të vet në revistën “Kultura Islame”, përkrahu ndërtimin e shesheve sportive dhe zhvillimin e veprimtarive të larmishme në to, mbështeti veprimtaritë kulturoro-artistike. Për këto veprimtari bashkëpunoi me organizatën e “Rinisë Muslimane”, që drejtohej nga sportisti i talentuar dhe mësuesi i ri dhe energjik, Qazim Dervishi.
Edhe revistat “Kultura Islame” dhe “Njeriu” vunë në dukje rëndësinë e këtij komiteti bamirës. Krijimi, veprimtaria dhe arritjet e këtij Komiteti në një kohë të shkurtër bënë bujë në të gjithë vendin dhe ndikuan që nisma të tilla me karakter humanitar, kulturor, arsimor e shpirtëror të gjenin zbatim edhe në Tiranë, Durrës e qytete të tjera të Shqipërisë.
Në disa periudha të jetës së tij, ai u mor vetëm me librin, me sistemimin, me studimin dhe propagandimin e tij. Kështu, pas mbylljes së medresesë së Shkodrës më 1947, deri në fund të jetës punoi si nëpunës i specializuar në fondin e orientalistikës së Bibliotekës së Shtetit në Shkodër.
Hafiz Esati, pas vitit 1967, mijëra libra të konfiskuar nga shteti i studioi dhe i regjistroi në regjistrat e inventarit sipas rregullave të shërbimit bibliotekar bashkëkohor. Ai hartoi skedat topografike, krijoi skedat lëndore (sistematike), skedat alfabetike dhe skedat universale, të cilat u shumëfishuan me daktilografi. Skedat përveç të dhënave të zakonshme, kishin edhe përmbajtje të shkurtër të librit.
Ai hartoi gjithashtu tre fjalorë doracak arabisht-shqip, frëngjisht-arabisht dhe fjalë ndërkombëtare-shqip, përpiloi një metodë për mësimin e arabishtes, bëri një studim për fjalët arabe, turke e perse, që kanë hyrë në gjuhën shqipe, përgatiti një përmbledhje me thënie profetike (hadithe), me fjalë të urta arabe dhe me tregime të shkurtra orientale për edukim moral, punoi një libër për mësime besimi (Ilmihal) me veçori origjinale në krahasim me libra të botuar më parë të kësaj natyre, përfundoi tekstin shkollor “Historia e Shenjtë Islame”, që është më voluminoz, më analitik e më përgjithësues se ai që është në përdorim, përktheu kapitullin “Ja Sin” të Kur’anit dhe grumbulloi një numër të madh ligjëratash.[2]
Kështu, veprimtaria e Hafiz Esatit përfshin detyra të ndryshme, gjithnjë në rritje si imam, vaiz, mësues besimi, nëpunës biblioteke, drejtor medreseje në Shkodër e në Tiranë, kryetar i Komitetit Bamirës Musliman në Shkodër dhe kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të cilat i kreu me përkushtim, ndershmëri, kompetencë, inteligjencë, me bashkëpunim e tolerancë mendimi e besimi.[3]
[1]. Luli, Faik; Dizdari, Islam; Bushati, Nexhmi, “Në kujtim të brezave”, Shkodër, 1997: 573; “Rreth vizitës së Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Eminencës së tij Hafiz Haxhi Aliut”, revista “Kultura Islame”, viti VI, nr. 10-11 (70-71), tetuer-nanduer, 1945: 149-153.
[2]. Po aty, f. 581.
[3] Botuar në Enciklopedinë “100 personalitetet shqiptare të kulturës islame”, botim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Tiranë 2012.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...