Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Dec 01, 2021 Zani i Nalte Studime 0
nga Dr. Adil Kutlu
Abstrakt
Mund të flitet rreth një periudhe historike, nëpër të cilën kanë kaluar shoqëritë e sotme në formimin e vlerave kombëtare dhe shpirtërore që sot zotërojnë, si: gjuha, feja, kultura dhe arsimi. Shoqëritë përpiqen që t’u përçojnë brezave të rinj kulturat e përbashkëta me anë të rrugës së edukimit ku nga njëra anë u mësojnë atyre gjuhën, besimin, zakonet dhe letërsinë e tyre dhe nga ana tjetër përpiqen t’i edukojnë ata edhe në aspektin fizik, shpirtëror, social dhe profesional. Institucionet e edukimit vazhdimisht kanë pasur një funksion të rëndësishëm në realizimin e kësaj detyre.
Medresetë si institucione edukimi, zanafilla e të cilave daton 1000 vjet më parë, kanë filluar të hapen në trojet shqiptare paralelisht me përhapjen e Islamit te këto të fundit. Në këto medrese u formuan kuadro të cilët plotësuan nevojat e shoqërisë dhe qeverisë në fushën fetare, gjyqësore, organizative, të dijes, etj.
Në këtë punim janë trajtuar medresetë në Shqipëri dhe forma e aplikimit të edukimit fetar islam përgjatë historisë. Tema është trajtuar në tre kapituj të ndryshëm. Fillimisht trajtohen “Institucionet fetare islame në Shqipëri dhe edukimi fetar në kohën e Perandorisë Osmane”, duke vijuar me “Edukimi fetar islam në Shqipëri përgjatë viteve 1912-1964”, dhe “Edukimi fetar islam në Shqipëri pas viteve 1990”.
Materialet e përdorur në punim janë përftuar nëpërmjet ekzaminimit të librave dhe shkrimeve të ndryshme lidhur me temën. Krahas kësaj, nëpërmjet intervistimit të zyrtarëve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është mbledhur informacion rreth statusit zyrtar të medreseve.
Ky punim kontribuon në informimin rreth edukimit fetar islam në Shqipëri dhe të dhënat e arritura do të ndriçojnë rreth aktualitetit të vazhdueshëm mbi temën “Edukimi fetar në shkollat publike”.
Fjalë kyçe: Shqipëri, Islam, Medrese, Edukim fetar, Periudhë historike.
Institucionet fetare dhe edukimi fetar islam në Shqipëri në periudhën e Perandorisë Osmane
Institucionalizimi islam i osmanëve në trevat ku jetonin shqiptarë ka filluar në vitet 80’ të shek. XIV me hyrjen e princave shqiptarë nën mbrojtjen e osmanëve. Ndërsa në shekullin XV, në Maqedoni, ku shqiptarët myslimanë ishin një element aktiv prej një kohe të gjatë, u hapën mejtepe, medrese, librari dhe u ndërtuan disa objekte sociale islame, si xhami, teqe dhe faltore (Pirraku, 2003: 78).
Sipas Kiel, në fushatën, që Sulltan Bajaziti II ndërmori në Shqipëri në vitin 1492, e kishte shëtitur zonën dhe kishte dhënë urdhër për ndërtimin e disa institucioneve. Kieli transmeton nga Evlija Çelebiu se pas këtij urdhri u hodhën themelet e një xhamie, një mejtepi, një medreseje, një teqeje, një hamami dhe një xhamie të vogël në brendësi të kalasë në qytetin e Beratit (Kiel, 2012: 58).
Këto informacione na çojnë në përfundimin se institucionalizimi i osmanëve në territorin e Shqipërisë së sotme ka filluar të rritet në fundin e shekullit XV.
Udhëtari i famshëm Evlija Çelebi, pasi shëtiti në vitin 1660 zonën e Kosovës, 1662 veriun e Shqipërisë dhe Malin e Zi, ndërsa në vitin 1670 jugun e Shqipërisë, në veprën e tij “Sejahatname” ka dhënë informacione të detajuara për shumë gjëra (Turan, 2012: 665).
Në trevat shqiptare në organizimin e institucioneve arsimore islame, të përhapura paralel me përhapjen masive të Islamit, u praktikua modeli arsimor osman. Xhamitë dhe mesxhidet, përveçse një vend adhurimi, që në vitet e para të Islamit kanë kryer funksione të ndryshme, kanë qenë vendet ku është mësuar feja islame, edhe në Shqipëri përveçse për adhurim janë përdorur edhe për qëllime edukimi. Gjithashtu në Shqipëri gjendeshin shumë mejtepe, të ngjashme me shkollën fillore, pjesë e sistemit arsimor osman. Këto institucione të hapura në vendbanimet e popullsisë myslimane dhe kryesisht pranë xhamive, u kthyen në qendra të edukimit të brezave.
Gjithashtu mund të flitet për aktivitetet edukative të teqeve. Edhe në teqe jepej mësim, por nuk ishte i detyrueshëm. Bazat themelore të fesë islame duheshin mësuar, si nga pikëpamja e përvetësimit të parimeve të besimit, adhurimit dhe moralit, ashtu edhe nga pikëpamja e vënies në jetë të praktikave fetare si abdesi dhe namazi.
Medresetë, të cilat ishin elementi më i rëndësishëm i sistemit arsimor osman, kanë vazhduar aktivitetin arsimor në shumë prej qyteteve të përfshira në kufijtë e sotëm të Shqipërisë. Sipas informacioneve që na jep Evlija Çelebi, qytetet ku gjendeshin medrese dhe numri i tyre është i tillë: Delvina 3, Gjirokastra 3, Përmeti 1, Roshniku 1, Berati 5, Vlora 3, Kavaja 2, Peqini 3, Elbasani disa, Pogradeci 1 (Çelebi, 2011: 643-720), Shkodra 7 dhe Bushati 1 (Çelebi, 2010: 123, 128).
Mendohet se sistemi i zbatuar në medresetë e Shqipërisë nga sistemi i medreseve osmane kishte të njëjtin program me medresetë e tjera të Perandorisë Osmane, ku bënin pjesë shkencat fetare dhe natyrore. Medresetë si një shembull i arsimimit, për shekuj me radhë kanë edukuar personalitete të nderuara, të nevojshëm për jetën fetare, administrative dhe shpirtërore të shoqërisë.
Siç u përmend më lart, ngaqë medresetë nuk i përballonin nevojat e kohës, në kohën e Sulltan Mahmutit II reformat në arsim u përshpejtuan dhe fillimisht në vitin 1838 u hap rushdija e parë, e cila ishte vazhdim i sibjan mektebi dhe e ngjashme me shkollën tetë-vjeçare (Demirel, 2012: 510-511).
Këto modele të reja shkollash u hapën fillimisht në Stamboll dhe me kalimin e kohës filluan të hapen nëpër qendrat e mëdha të perandorisë. Në muajin mars të vitit 1855 filloi puna për hapjen e pesë rushdijeve, sipas rëndësisë së qytetit, në Tirhalë, Shkodër, Janinë, Delvinë dhe Manastir (Aydın, 2014: 54-55). Pas rushdijeve, me Ligjin për Arsimin e Përgjithshëm të vitit 1869, u vendos për hapjen e një niveli të ri në arsim, të quajtur “idadi”, si një arsim i mesëm (Aydemir, 2009: 33). Në 1869 me zbatimin e Projektligjit për Arsimin, shkollat fillore, tetëvjeçare dhe të mesme ishin përhapur në të gjithë perandorinë (Görür, 2015: 313).
Në kohën e Abdulhamidit II (1876-1908) u hodhën hapa të rëndësishëm në fushën e arsimit dhe u hapën shkolla nëpër tërë perandorinë. Për këtë qëllim që prej vitit 1879 në çdo vilajet u formuan Drejtoritë e Arsimit të Vilajeteve dhe Kuvendet e Arsimit, duke e bërë arsimimin më sistematik dhe më të kontrolluar. Shkollat u ndanë në iptidai (shkollë fillore), rushdije (tetë-vjeçare), idadije dhe Sulltani (të mesme). Këto u përhapën edhe më shumë në zonat nën administrimin e Perandorisë Osmane. Si pasojë e projekteve të bëra në fushën e arsimimit në kohën e Abdulhamidit II, u vu re një rritje e arsimimit të popullsisë në të gjithë perandorinë.
Rushdijet dhe idaditë e Shqipërisë, të cilat ishin pjesë e sistemit arsimor osman, mendohet se kanë zbatuar të njëjtin program me zonat e tjera. Po të flisnim shkurtimisht rreth lëndëve fetare që jepeshin në këto shkolla, sipas Zenginit, në programin e rushdijes, e cila jepte mësim në nivelin e një shkolle tetë-vjeçare, që nga fillimi i saj u është dhënë vend lëndëve fetare, por në vitet e para të formimit të idadive nuk u la hapësirë në programin e tyre për lëndët fetare. Lëndët fetare në idadi filluan të jepeshin në kohën e Abdulhamitit II. Në brendësi të lëndëve fetare, përgjithësisht, përfshiheshin temat e besimit dhe adhurimit. Përveç lëndëve të leximit të Kur’anit dhe Texhuidit (rregullat e leximit të Kur’anit), në program përfshihej edhe lënda e moralit. Në vitet e para, ngaqë nuk gjendeshin librat mësimorë fetarë, janë përdorur ilmihalet (libra ku përshkruhen bazat e besimit, adhurimit dhe moralit), por në vitet në vazhdim u përgatitën libra të veçantë mësimorë (Zengin, 2015: 42).
Ndërsa reforma vazhdonte dhe medresetë në Shqipëri u lanë siç ishin, projektet u përqendruan mbi shkollat të cilat kishin sistem arsimi të ngjashëm me Evropën. Ndërsa medresetë, të cilat vazhduan aktivitetin e tyre, me kalimin e kohës mbetën si institucione ku jepeshin vetëm disa dije fetare.
1. Edukimi fetar në Shqipëri gjatë viteve 1912-1964
Ashtu siç ishte edhe në kohën e Osmanëve, edhe pasi Shqipëria shpalli pavarësinë, medresetë vazhdonin funksionin e tyre, veçse këto medrese as nuk kontrolloheshin dhe as nuk kishin mbështetje nga ana edukative. Ato nuk kishin një plan-program, vazhdonin të jepnin mësimdhënie me plan-programin e shumë viteve më parë. (Basha, 2011: 174) Sipas informacioneve që kalojnë te revista Zani i Naltë, në muajin prill 1927 gjendeshin 12 medrese në qytetet Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Kavajë, Durrës, Tiranë, Krujë, Shijak, Peqin, Elbasan, Korçë dhe Berat, të cilat vazhdonin funksionin e tyre (Vuçiterni, 2015: 275).
Për shkak të mendimit se medresetë që gjendeshin nuk u përgjigjeshin nevojave të kohës u pa e nevojshme për të hapur medrese me një stil të ri. Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve iu propozua nga Këshilli i Naltë i Sheriatit formimi i një medreseje të re në Tiranë. Kështu, më 2 qershor të vitit 1923, në Kongresin e Parë të Myslimanëve Shqiptarë u mor vendimi për formimin e Medresesë së Naltë në Tiranë (Basha, 2011: 93). Në numrin e tretë të revistës Zani i Naltë të vitit 1923, në nenin 9 të rregullores së medresesë përcaktohej se medreseja do të përbëhej nga tre kategoritë vijuese: “Kategorija fillestare e medreses asht 3 vjet mesatarja 5 dhe nalte 4 vjet” (Kruja, 2014: 87).
Vendimi për hapjen e Medresesë së Tiranës u pranua edhe nga ana e qeverisë Shqiptare të asaj kohe. Administrimi dhe organizimi arsimor i medresesë u bë sipas pikës 60 të statusit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Sipas shprehjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve, myslimanët shqiptarë nuk kishin mundësi ekonomike për të ngritur një ndërtesë të re, prandaj u pa e përshtatshme të merrej me qira një ndërtesë në kryeqytet dhe kështu medreseja të fillonte aktivitetin e saj edukativ. Medreseja e Tiranës e filloi vitin e parë shkollor në ndërtesën e marrë me qira. Dhe vazhdoi aktivitetin e saj përgjatë pesë viteve nën emrin Medreseja e Naltë. Sipas vendimit të marrë në Kongresin III të Myslimanëve Shqiptarë të mbajtur në vitin 1929 u mbyllën të gjitha medresetë, me përjashtim të medresesë së Tiranës. Për shkak të mbylljes së medreseve në qytetet e tjera, emri i medresesë së kryeqytetit u ndryshua duke u emërtuar si Medreseja e Përgjithshme (Basha, 2011: 93). Sipas nenit 57 të statutit të Kongresit III medreseja e përgjithshme përfshin vetëm 2 kategori, atë të shkollës fillore dhe të mesme (Basha, 2011: 215).
Ndërtesa e bërë për Medresenë e Tiranës përfundoi në vitin 1931. Përgatitja e ndërtesës për mësimdhënie ishte një lajm shumë i mirë për myslimanët shqiptarë.
Medreseja e Tiranës brenda disa vitesh u bë një institucion serioz, që ndihmoi formimin e identitetit kombëtar dhe fetar te nxënësit. Pa dyshim që ky zhvillim erdhi si pasojë e përpjekjes së kuadrove të medresesë. Medreseja, qysh nga fillimi i edukimit, zbatoi një program bashkëkohor. Në programin që ndiqte medreseja iu dha përparësi disa lëndëve që lidheshin me kulturën e përgjithshme si gjuha dhe letërsia, ashtu siç ndodhte edhe në shkollat shtetërore (Basha, 2011: 99).
Cilësia e mësimdhënies në medrese nuk lidhej vetëm me një shkak apo me disa lëndë, por lidhej me të gjitha lëndët që gjendeshin në program dhe kjo gjendje sillte si rezultat rritjen e nivelit shkencor dhe atij kulturor-fetar të nxënësve.
Shqipëria kaloi periudha pushtimi, luftërash, përpjekjesh, trazirash dhe në nëntor 1944 (Basha, 2011: 356) arriti të shpëtonte nga pushtimet dhe më pas, më 14 Mars 1946 u shpall kushtetuta e re. Në kushtetutë nuk bëhej dallimi i racës, fesë dhe statusit të askujt dhe të gjithë ishin të barabartë para ligjit. Në kushtetutë nuk u vendos theksi në regjimin e shtetit dhe fillimisht shteti i ri respektoi lirinë e besimit, por me kalimin e kohës filloi të zbatohej një shtypje ndaj fesë dhe temave që lidhen me të (Basha, 2011: 443).
Në kohën kur në vend filluan të çeleshin shkolla të veçanta fetare, shtetarët e rinj menduan që detyrën e përgatitjes fetare mund ta vazhdonin këto institucione dhe kështu u ndalua dhënia e mësimeve fetare në shkollat shtetërore. Ministria Kombëtare e Arsimit në vitin 1946 shpërndau një deklaratë për reformat e reja ku shpjegohej se ajo ishte kundër xhamive, kishave dhe mësimeve fetare. Për t’i kaluar këto pengesa klerikët fetarë zgjodhën shpjegimin e fesë njerëzve të tjerë në jetën e tyre personale, por edhe kjo lloj forme u ndalua në shkurt 1947 nga Ministria Kombëtare e Arsimit (Basha, 2011: 452).
Më pas, Ministria e Arsimit vendosi ta mbyllte kursin e ulët në medrese, duke e cilësuar si të paligjshëm. Me zbatimin e këtij vendimi të marrë nga Ministria në Medresenë e Përgjithshme mbeti vetëm pjesa katër-vjeçare e shkollës së mesme. Pas kësaj u kërkua nga mësuesit e medresesë kthimi i medresesë në shkollë të mesme fetare, duke pasur parasysh edhe nevojat e saj, dhe u kërkua përgatitja e një sistemi drejtues në përshtatje me shkollat e mesme në vend (Basha, 2011: 461, 462).
Ministria Kombëtare e Arsimit në vitin edukativ-arsimor 1946/1947 kërkoi ndryshimin e menjëhershëm të programit të medresesë, duke zbatuar programin e shkollave të mesme shtetërore profesionale. Komuniteti Mysliman i doli kundër kësaj kërkese, duke parë rregullimin e programit, i cili do të përshtatej me mësimdhënien në medrese. Duke marrë për bazë raportin e lëshuar nga Këshilli i Përgjithshëm i Shtetit më 16.10.1950, si pasojë e nevojave të shtetit, medreseja u transferua nga një ndërtesë në një ndërtesë tjetër. Për shkak të sistemit të edukimit që duhej të ishte bashkë me konviktin, ndërtesa e re nuk i përgjigjej nevojave të medresesë (Basha, 2011: 490, 491).
Duke vazhduar procesin e edukimit nën kushte të vështira, në vitin 1964 medreseja u mbyll përfundimisht (Basha, 2011: 539). Ndërkohë, në vitin 1967 u ndaluan të gjitha fetë dhe veprimtaritë e tyre.
Do të ishte me vend të flisnim pak mbi zhvillimin e lëndës fetare në shkollat shtetërore të hapura pas vitit 1912 në Shqipëri.
Përgjatë periudhës së pushtimit Austro-Hungarez, gjatë Luftës I Botërore, u hapën një numër i madh shkollash dhe në programin e tyre u mendua vendosja e lëndës së besimit fetar. Në të gjitha programet mësimore të këtyre shkollave, kjo lëndë i ishte lënë në dorë komuniteteve fetare për t’u zhvilluar dhe për t’u shpërndarë sipas klasave (Bello, 2012: 66-67).
“Ministria e Arsimit, më 15 gusht 1920 thirri Kongresin Arsimor të Lushnjës, ku morën pjesë disa nga arsimtarët më të njohur të vendit tonë. Lidhur me zhvillimin e lëndëve fetare nëpër shkollat shqiptare, Kongresi Arsimor i Lushnjës, vendosi që programet dhe orët e mësimit të besimit t’u liheshin autoriteteve të secilës fe, ndërsa të drejtën e kontrollit për zbatimin e këtyre orëve ta kishte Ministria e Arsimit… Në mbledhjen e zhvilluar më 9 tetor 1921, Komisioni mori vendimin që orët e mësim-besimit të ndaheshin në këtë mënyrë: në rendin II-të të fillores mësim-besimi të bëhej 3 orë në javë, çdo orë do të kishte dy lëndë mësimi nga një gjysmë ore secila. Në rendin III-të, IV- e V- nga 3 orë në javë, në këtë mënyrë merrte fund edhe mësimi i besimit nëpër shkollat fillore” (Bello, 2012: 67-70).
2. Edukimi fetar islam në Shqipërinë e pas viteve ’90
Si pasojë e trysnisë, shtypjes dhe zbatimit të ligjeve antifetare gjatë diktaturës komuniste, feja arriti ta ruajë praninë e saj mes njerëzve, edhe pse shprehja dhe praktikimi i saj ka qenë i fshehtë. Me heqjen e ndalimit të fesë, në mesin e njerëzve vërejmë shfaqjen e një interesimi serioz për fenë, ku mjaftojmë të përmendim vetëm hapjet ngazëlluese të kishave dhe xhamive. Vërejmë se te riçelja e Xhamisë së Plumbit në Shkodër më 16 nëntor 1990, tek ajo e Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë më 18 janar 1991, kanë pasur praninë e masave të tëra njerëzish që shprehin një gëzim të pashoq. Po ashtu, edhe Komuniteti Mysliman, i cili qe mbyllur në vitin 1967, u ri-institucionalizua edhe njëherë për të vijuar veprimtarinë e tij në vitin 1991 (Zaimi & Kruja, 2014: 9).
Me ri-institucionalizimin e Komunitetit Mysliman edhe njëherë, në vitin 1991 u rihap sërish Medreseja e Tiranës, e cila u ndoq prej hapjes së Medresesë së Shkodrës. Ndërsa në vitet pasardhëse u çelën medrese në Durrës, Kavajë, Berat, Gjirokastër, Kukës, Peshkopi dhe Korçë. Në vitin 1995, një tjetër medrese u hap në Cërrik/Elbasan (Spahiu, 2015).
2.1. Statuset zyrtare të medreseve në Shqipëri
Sipas pikës së parë të nenit 7 të ligjit “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, thuhet: “Arsimi parauniversitar është laik”, dhe ndërsa shprehet kësisoj, në pikën e dytë të të njëjtit nen, shkruhet: “Përjashtim bëjnë ato institucione arsimore që themelohen nga bashkësi fetare të njohura me ligj, sipas përcaktimeve të nenit 42 pika 4 të këtij ligji” (Ligji nr. 69/2012, neni 7/1, 7/2).
Po në të njëjtin ligj, në pikën e katërt të nenit 42, shprehet: “Institucionet arsimore private, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare, ose që themelohen apo administrohen nga bashkësitë fetare, hapen dhe mbyllen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit, mbështetur në kërkesën e përfaqësuesve të bashkësive fetare. Kriteret dhe procedurat e hapjes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave” (Ligji nr. 69/2012, neni 42/4).
Sipas burimeve që kemi siguruar prej Komuniteti Mysliman të Shqipërisë (KMSH), lejimi i medreseve me Vendim të Këshillit të Ministrave me statusin e shkollave jopublike ka nisur në vitin 1995. Në vendimin Nr. 654, të datës 29.11.1995, shprehet se u është dhënë leje e përkohshme për kryerjen e veprimtarisë arsimore medresesë “Mahmud Dashi” në Tiranë, medresesë “Hafiz Ali Korça” në Kavajë, medresesë “Liria” në Cërrik, medresesë “Hoxha Tahsim” në Gjirokastër dhe medresesë së Shkodrës me emërtimin eponim (Spahiu, 2015).
Ndërsa, sipas vendimit nr. 560, i datës 26.8.1996, të Këshillit të Ministrave, u jepet leja (licenca) për kryerjen e veprimtarive mësimore medresesë “Mahmud Dashi” në Tiranë, medresesë “Hafiz Ali Korça” në Kavajë, medresesë “Liria” në Cërrik, medresesë “Hoxha Tahsim” në Gjirokastër dhe medresesë “H. Sheh Shamija” në Shkodër. Pesë medreseve të tjera, asaj “Mustafa Varoshi” në Durrës, medresesë “Vexhi Buharaja” në Berat, medresesë “Sulejman Laçi” në Kukës, medresesë “Raif Kadimi” në Peshkopi dhe medresesë së Korçës me të njëjtin emër, u kërkohet që të mos marrin nxënës të rinj, por u lejohet kryerja e veprimtarive arsimore gjer në maturimin (diplomimin) e nxënësve të marrë para hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7952, të datës 21.6.1995 (Spahiu, 2015).
Megjithëse medresetë kryejnë veprimtarinë e tyre arsimore prej vitit 1991, dhënia e lejeve, të përkohshme apo të vazhdueshme në periudhën 1995-1996, tregon se ato i kanë kryer veprimtaritë e tyre bazuar në lejen fillestare përfundimtare, që u është dhënë prej autoriteteve.
Medresesë “Vexhi Buharaja” në Berat i rijepet leja e funksionimit me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 248 datë 28.05.1999. Në të njëjtën mënyrë edhe medresesë “Mustafa Varoshi” në Durrës i rijepet leja e funksionimit me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.653 datë 29.12.1999, ndërsa për sa i përket medresesë “Abdullah Zëmblaku” në Korçë, me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 602, datë 04. 12. 2002 i jepet licenca për arsimin e mesëm, kurse për kryerjen e veprimtarive arsimore të arsimit 9-vjeçar u është dhënë licenca me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 1067, datë 21.10.2009 (Spahiu, 2015).
Sot, medresetë e Gjirokastrës, Kukësit, Beratit dhe Peshkopisë nuk i vazhdojnë veprimtaritë e tyre. Sipas burimeve të KMSH-së, Medreseja e Gjirokastrës, megjithëse është e licencuar, për shkak të pamundësive financiare, nuk i vijon veprimtaritë e saj arsimore qysh prej vitit 2009, kurse medreseja e Kukësit dhe e Peshkopisë, ngase nuk janë të licencuara, kanë reshtur së kryeri veprimtarinë e tyre që në vitin 1996, me përjashtim të nxënësve që ishin në proces mësimi gjer në maturimin e tyre (Spahiu, 2015).
Medresetë vijojnë veprimtaritë e tyre arsimore edukative në qytetet e Tiranës, Shkodrës, Elbasanit dhe Durrësit. Sipas informacioneve të përftuara prej burimeve të KMSH-së, sponsorizimi i tyre bëhet prej Fondacionit “Sema”. Sponsorizimi i medresesë së Shkodrës bëhet nga fondacioni “Istanbul”, ndërsa medreseja e Durrësit financohet prej Fondacionit “Mirësia”. Për sa i përket strukturës administrative të medreseve, ato administrohen sipas protokolleve të parashikuara prej Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe fondacioneve respektive, ndërkohë që drejtorët e shkollave përzgjidhen nga KMSH, fondacionet mbështetëse kanë të drejtën e emërimit të një koordinatori (Spahiu, 2015).
Referenca
Aydemir, S. S. (2009). Antalya İdadisi, Adıyaman Üniversitesi Sosyal Bilimler Enstitüsü Dergisi, Yıl : 2 Sayı:2, 33-48.
Aydın, M. (2014) II. Abdülhamid Döneminde Manastır Vilayetinde Rüşdiye Okullarının Gelişimi, History Studies, Volume 6 Issue 5,. 51-84.
Aydın, M. Ş. (2011). Açık Toplumda Din Eğitimi (Yeni Paradigma İhtiyacı). Ankara: Nobel Yayınları.
Basha, A. M. (2011). Rrugëtimi i Fesë Islame në Shqipëri (1912-1967). Tiranë.
Bello, H. (2012). Përpjekjet e klerit mysliman shqiptar për vendosjen e mësim-besimit në shkollat shtetërore përgjatë viteve 1920-1924. Revistë shkencore dhe kulturore Zani i Naltë, Viti I, Nr. 1, 66-72.
Çelebi, E. (2010). Günümüz Türkçesiyle Evliya Çelebi Seyahatnamesi. (6. Kitap). (1 Cilt). Haz.: Seyit Ali Kahraman). İstanbul: Yapı Kredi Yayınları.
Çelebi, E. (2011). Günümüz Türkçesiyle Evliya Çelebi Seyahatnamesi. (8. Kitap). (2. Cilt). Haz.: Seyit Ali Kahraman). İstanbul: Yapı Kredi Yayınları.
Demirel, F. (2012). Osmanlı Eğitim Sisteminin Modernleşmesi Sürecinde Hiyerarşi, Uludağ Üniversitesi Eğitim Fakültesi Dergisi, 25 (2), 507-530.
Görür, E. D. (2015). İnas Rüşdiye Mektepleri: Yanya Hamidiye İnas Rüştiye Mektebi Örneği, Uluslararası Sosyal Araştırmalar Dergisi, Cilt: 8 Sayı: 36, 311-322.
Kiel, M. (2012). Arkitektura Osmane në Shqipëri 1385-1912. Klodian Smajlaj, (Përkthyes), Mileniumi i Ri, Tiranë.
Kruja, G. (Ed.). (2014). Regulloren mbi medresen e Myslimanve. Zani i Naltë, Vëllimi i Parë, Vitet 1923-1924/-1925, Tiranë: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, 86-89.
Ligji nr. 69/2012, neni 42/4.
Ligji nr. 69/2012, neni 7/1, 7/2.
Pirraku, M. (2003). Roli i Islamit në integrimin e Shqipërisë etnike dhe të kombit shqiptar. M. Ahmeti (Ed.), Rreth përhapjes se Islamit ndër shqiptarët in (pp. 75-98). İstanbul: Gelenek.
Spahiu, B. (2015). Intervistë mbi “Informacion mbi Medresetë” (Adil Kutlu, Intervistuesi). Tiranë: (21.08.2015).
Turan, N. S. (2012). Albanıa in The Notes by Evliya Çelebi in The 17th Centur, The 2nd International Balkan Annual Conference (IBAC), vol.2, 662-680.
Vuçiterni, S. (2015). Nji pergjigje Z. Hafis Xhaferit. Zani i Naltë Vëllimi i Dytë, Vitet: 1926-1927-1928, Botues: Komuniteti Mysliman i Shqiprisë, Bashkësia Islame e Kosovës, Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, 274-277.
Zaimi, A. & G. Kruja (Ed.). (2014). Katalog i veprimtarisë vë Komunıtetit Mysliman të Shqıpërisë. Tiranë: Komunıteti Mysliman i Shqıpërisë.
Zengin, Z. S. (2015). Başlangıçtan Cumhuriyet Dönemine Din Eğitimi, Mustaf Köylü-Nurullah Altaş (Ed.), Din Eğitimi içinde, Ankara:15-30.
Feb 28, 2021 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...