Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 22, 2021 Zani i Nalte Shkenca Islame, Studime 0
nga Ma. Dorian Demetja, Drejtoria e Kulturës, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
Abstrakt
E dimë shumë mirë se zhvillimi i njerëzimit është projektuar dhe ndodh vetëm mbi strukturën familjare, sepse ky është një nga ligjet e Zotit. Prandaj këtu bëhet fjalë për modelin e ndërtimit dhe funksionimit të familjes dhe jo për konceptin e saj. Thuajse të gjithë sociologët, pavarësisht rrymave të mendimit filozofik, janë të unifikuar në domosdoshmërinë e njësisë familjare. Kjo është sanksionuar me konsensus ndërkombëtar si në Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, ashtu edhe në Kodet e Familjes, që aplikohen në sistemet juridike të të gjithë shteteve në botë. Debati ideor zhvillohet në prizmin e ndërtimit, funksionimit dhe efikasitetit të modeleve alternative, që ofrojnë zhvillimet shoqërore në kohë të ndryshme.
Familja është një institucion hyjnor, origjina e së cilës të çon deri në krijimin e çiftit të parë njerëzor, i cili ishte burimi i shoqërisë njerëzore. Në Kur’an thuhet:
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra.”[1] Dhe në një vend tjetër thuhet: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.”[2].
Ashtu siç Krijuesi caktoi Ademin dhe Nuhun si zanafillës të individualitetit njerëzor dhe besimit të kulluar, po ashtu, Allahu i Gjithëditur, përzgjodhi mes njerëzisë familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit, si përfaqësueset më të mira të modelit të familjes. Ato janë familje tërësisht besimtare, që shërbejnë me përkushtim për fenë e Zotit dhe që janë përkujdesur e kanë lënë pasardhës të kapur fort pas besimit të pastër. Ismaili, Is’haku, Jakubi, Jusufi dhe Isai, qenë disa nga Lajmëtarët e dalluar, pasardhës të këtyre dy familjeve të nderuara[3]. Përmes ajeteve kur’anore, që përshkruajnë copëza domethënëse nga jeta e këtyre dy familjeve, Allahu na orienton në rrugën më të mirë të modelimit, hap pas hapi, të një familjeje të shëndetshme.
Sipas Islamit familja qëndron mbi bazën e lidhjeve të forta të partnerëve bashkëshortorë për të rritur dhe edukuar fëmijë me moral të pastër e të orientuar drejt në jetë. Megjithatë, sot, në sajë të lirisë dhe të drejtave të njeriut, jeta e tyre po ndryshon dhe po priret gjithmonë drejt jetës së lirë private, duke u shkëputur nga edukata familjare dhe pastërtia e saj morale. Në sajë të kësaj lirie edhe bashkëshortët, burrë e grua, po priren për të bërë jetë të pavarur, duke u dhënë pas pasioneve të shfrenuara, gjë që ka çuar e po çon gjithnjë e më shumë drejt shkatërrimit të familjes.
Jeta e njeriut, si individ, apo edhe në familje e shoqëri, duke anuar gjithmonë nga ana materiale dhe sigurimi i saj në rrugë nga më të ndryshmet, të drejta e të padrejta, ka lënë pas dore vlerat morale. Civilizimi modern që duam të jetojmë ka sjellë me vete edhe mjaft probleme sociale që nga mbrojtja e fëmijëve, e jetimëve, tradhtia bashkëshortore dhe shpërbërja e familjes, dhuna ndaj femrës, trafikimi, prostitucioni, droga, etj., e deri te mbrojtja e kujdesi për të moshuarit. Këto janë dilema që vërehen sot në Shqipërinë tonë dhe Islami mund të bëhet faktor i rëndësishëm për qartësimin e tyre, sepse ofron besnikëri ndaj marrëdhënieve ndërnjerëzore, ndershmëri, mirësjellje dhe sinqeritet, jo vetëm në familje, ndërmjet pjesëtarëve të saj, por edhe midis anëtarëve të shoqërisë, pa dallim gjinor, duke respektuar të drejtat e secilës gjini. Morali që kultivohet sot në shoqërinë tonë është shkëputur plotësisht nga cilësitë fetare, duke humbur karakteristikat e vlerave shpirtërore si humanizmi, dashuria, vëllazëria, bamirësia, etj.
Sociologu Will Durant shkruan: “Jeta në qytetet e civilizuara nuk e lejon njeriun as të mendojë për martesën, ndërkohë që pasionet seksuale rriten, ndërsa konditat e bëjnë kënaqësinë tepër të afërt… Kështu pastërtia, që dikur është konsideruar virtyt, është bërë objekt i përbuzjeve dhe poshtërimeve. Në një atmosferë të tillë tretet edhe turpi, i cili dikur i ka stolisur të gjitha bukuritë e njeriut, ndërsa njerëzit krenohen me mëkatet e tyre, nën mbulesën e barazisë me mashkullin, femrat hyjnë në lidhje të pakufishme jashtëmartesore, ndërsa marrëdhëniet e ndaluara paramartesore bëhen diçka e zakonshme.”[4]
Besimi në Zotin është themeli i jetës së njeriut dhe pikërisht ky besim do të bëhet faktor shumë i rëndësishëm për t’i larguar njerëzit nga jeta e shthurur, do të përmirësojë moralin shoqëror dhe do ta ruajë atë të pastër. Sado që feja me ligj është e ndarë nga shteti, ajo është integrale në shoqëri, luan rolin e saj në jetën e përditshme, e shoqëron njeriun në lindje e në vdekje, në gëzime e hidhërime. Kjo nuk duhet të përdoret thjesht si garniturë e jashtme vetëm për ceremonitë e ndryshme, por duhet të bëhet pjesë aktive në jetën e përditshme të njeriut.
Feja islame shumë shpesh fokusohet te rëndësia e familjes dhe e konsideron atë si kala mbrojtëse përballë jetës së shthurur, sepse është vendi ku natyra njerëzore mund ta shprehë veten në mënyrën më të mirë, mund t’i realizojë dhe kthejë në praktikë vlerat e larta si: dashuria, respekti, dhembshuria, sakrifica, besnikëria dhe bindja. Sistemi i familjes islame i vendos të drejtat e burrit, gruas, fëmijëve dhe të të afërmve në një ekuilibër të përsosur dhe këto marrëdhënie, nga aspekti juridik dhe moral, janë të shpjeguara deri në detajet më të imëta.
Rreth një e treta e normave juridike, që përfshihen në Kur’an, i referohen familjes dhe përcaktojnë rregullat e funksionimit të saj. Struktura familjare në fenë islame është e ndërtuar mbi baza të shëndosha, me qëllim të suksesit dhe vazhdimësisë së saj. Këto baza janë:
E para: Besimi. Me anën e besimit dhe legjislacionit Islam, secili nga bashkëshortët i di të drejtat dhe obligimet e veta dhe ka para vetes një program të qartë për zgjidhjen e problemeve të tyre. Burri dhe gruaja plotësojnë njëri-tjetrin dhe respektimi i përbashkët i vlerave të martesës dhe besnikëria mes bashkëshortëve janë elementet kryesore që e fuqizojnë paqen dhe harmoninë në jetën bashkëshortore. Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë:
“Vërtet besimin më të plotë e ka ai besimtar që ka moralin më të lartë dhe sillet mirë me familjen e tij.”[5]
E dyta: Martesa me pëlqim të dyanshëm, sepse vetëm një martesë e tillë do të jetë e suksesshme. Islami e ndaloi imoralitetin dhe ndërmori masa të ashpra për ndalimin e tij, sepse imoraliteti është sulm i hapur ndaj sistemit të familjes dhe shenjtërisë së saj. Kështu, Islami hapi dyert për formimin e familjeve, duke iu përgjigjur natyrës së njeriut me të cilën Allahu i krijoi njerëzit. Kur’ani shpjegon se martesa ishte traditë e pejgambereve në ajetin vijues:
“Vërtetë, edhe para teje Ne kemi sjellë të dërguar, të cilëve u kemi dhënë gra dhe pasardhës.”[6]
E treta: Përgjegjësia e përbashkët. Martesa obligon përgjegjësi të caktuara, të cilat i përkufizon legjislacioni Islam. Këtu përfshihen të drejtat e burrit, të drejtat e gruas dhe përgjegjësitë që kanë për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve. Hulumtimet e shumta shkencore vërtetojnë se shumica e atyre që kanë devijuar dhe janë zhytur në rrugën e kriminalitetit, janë ata që nuk kanë pasur rastin të shijojnë ngrohtësinë familjare, si dhe nuk kanë pasur rast të edukohen me vlerat dhe ndjenjat e jetës së familjes së shëndoshë. Feja islame ka për qëllim të krijojë familje të shëndosha në shoqëri. Këto familje të shëndosha nuk mund të shkatërrohen lehtë dhe nuk bien lehtë nën ndikimin e streseve shoqërore dhe morale. Familjet e ngritura mbi vlera të larta si besimi, besnikëria, dashuria e sinqertë, bindja e vetëdijshme dhe morali i bukur, janë garancia më e madhe e shoqërisë.
Sigurisht, një fole familjare pa synim, e ngritur mbi dëshira, pasione, qejfe, zili apo smira, jo vetëm që nuk do të premtojë të ardhme, por do të mbetet në trup të popullit si një element potencial negativ. Po qe se femra dhe mashkulli nuk kanë lidhje me Zotin, ka shumë pak gjasa që fëmijët që do të vijnë prej tyre të jenë të vetëdijshëm, të ndjeshëm, të ekuilibruar e të bartin ndjenjën e përgjegjësisë.
Allahu i Lartësuar, nëpërmjet Kur’anit, na përkujton lutjet e Zekerijas dhe Ibrahimit, për të na mësuar se prindërit, që në krye të herës dhe vazhdimisht, duhet t’i luten me sinqeritet Zotit për fëmijët. Lutjet duhet të jenë si për zhvillimin shpirtëror individual e familjar, ashtu edhe për përparimin ekonomik e civilizues. Lutjen dhe përgjërimin me ndjenjat më të sinqerta të profetit Zekerija drejtuar Allahut, Kur’ani e përshkruan kështu:
“Aty Zekerija iu lut Zotit të vet e tha: Zoti im, dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Pa dyshim, Ti je dëgjues i lutjes!”[7]
Po ta vëmë re me kujdes, profeti Zekerija nuk kërkoi vetëm një pasardhës çfarëdo, por “të mirë”! Ai donte të thoshte: Më fal një pasardhës të mirë që ta bëjë Allahun të kënaqur, të atin të lumtur e që të bëhet një njeri i dobishëm për shoqërinë! Edhe Hz. Ibrahimi me të birin, Hz. Ismailin, kur po ndërtonin Qaben, i luteshin Zotit kështu:
“Zoti ynë! Na bëj të dyve (babë e bir) të bindur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të bindur ndaj Teje! Na trego ritet e adhurimit dhe pranoje pendimin tonë, se, padyshim, Ti je Pranuesi i pendimeve, Mëshirëploti!”[8]
Të njëjtën esencë imani përmbante edhe lutja e gruas së nderuar të Imranit për foshnjën ende të palindur (Merjemen):
“Zoti im! Këtë që është në barkun tim, vendosa ta kushtoj vetëm për shërbimin Tënd. Pra, pranoje këtë prej meje!”[9]
Si këta, edhe në tekste të tjera të shenjta mund të vërehet se kërkohen breza të pastër si fryte të krijimit të familjes. Pra, në të gjitha këto lutje është vënë theksi mbi breza të pastër, të pafajshëm, të pamëkatë, besimtarë e të bindur.
Roli i familjes mbetet i paplotësuar, nëse nuk realizon rritjen e fëmijëve të vet, me edukatë islame, si dhe me arsim e kulturë të përgjithshme. Prindërit duhet të synojnë rritjen dhe formimin e personalitetit të shëndoshë të fëmijës, si nga ana fizike ashtu edhe nga ana mendore e shpirtërore, për ta bërë atë të aftë si besimtar, qytetar, por dhe për mbrojtjen e vendit të tij. Zoti (xh.sh.) në Kur’an urdhëron e thotë:
“O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri…”[10]
Ky ajet i Kur’anit përmbledh një dispozitë me rëndësi edukative, me normat morale të fesë islame, për fëmijën që në moshë të njomë. Në arsimimin dhe edukimin e fëmijës, familja është vatra më e parë, shkolla më e parë, mjedisi më i parë. Pa diskutim, kohën që veçojnë prindërit për mësimin dhe edukimin e fëmijëve, duhet ta parapëlqejnë ndaj kohës që veçojnë për disa detyra personale, individuale. Në rritjen e fëmijëve, mësimi mbi Allahun, shtresimi në zemrat i idesë së besimit mbi Allahun sipas moshës dhe nivelit kulturor të fëmijëve, kanë prioritet jo vetëm në begatimin moralo-shpirtëror të prindërve, por edhe në shumë detyra vetjake të tyre.
Ndikim më të madh kanë shembulli dhe qëndrimi i prindërve në marrëdhënie me fëmijët sesa efekti i fjalës edukuese. Çdo nënë e baba mysliman, në mënyrë mjaft të natyrshme, mendojnë t’i edukojnë fëmijët në formën e përkryer të asaj shoqërie ideale, të cilën përpiqemi ta përfytyrojmë dhe përvijojmë sipas Kur’anit. Mirëpo, nëse këto ndjenja të tyre nuk reflektohen në jetën praktike dhe nuk thellohen me adhurime të tilla si namazi, agjërimi, haxhi, zekati, ose, në edukimin e mirë të tipareve të caktuara morale e fetare si ndershmëria, drejtësia, dashuria, vëllazëria, etj., rezultati do të jetë i dobët ose i paqenë. Pa le kur prindërit bëjnë të kundërtën e atyre që thonë apo këshillojnë! Prindërit që dëshirojnë që fjalët e tyre të arrijnë te fëmijët, më së pari duhet t’i jetojnë vetë thellësisht.
Po përcjell këtu një rrëfim që i atribuohet imam Adhamit, Ebu Hanifes:
Në atë kohë, na ishte një djalë që i bënte dëm mjalti dhe, me gjithë këshillat për të mos ngrënë, djali vazhdonte të hante. Ndërkaq, një ditë, e marrin djalin për dore, e çojnë te Imami dhe i thonë: “Këtij djali i bën dëm mjalti, por ai, megjithëse e këshillojmë, vazhdon të hajë!” Imam Adhami u thotë: “Merreni djalin e shkoni dhe sillmani pas 40 ditësh!” Pas dyzet ditësh e çojnë përsëri djalin te imami, i cili e merr djalin para vetes dhe e këshillon të mos hajë mjaltë. Djali ngrihet nga vendi, ia puth dorën të atit dhe i thotë: “Baba, nuk kam për të ngrënë më mjaltë!” Atëherë, të pranishmit e pyesin imamin: “O imam, pse nuk e këshillove djalin kur e prumë për herë të parë por na bëre të prisnim dyzet ditë?!” Dhe ja ç’përgjigje u jep imam Adhami:
“Atë ditë që ma prutë djalin, unë kisha ngrënë mjaltë. Po qe se do të përpiqesha ta bëja djalin të hiqte dorë nga një gjë që e kisha bërë vetë, ka shumë mundësi që të mos dukesha i besueshëm para tij dhe fjala ime të mos zinte vend. Gjatë këtyre dyzet ditëve, unë jo vetëm që s’hëngra më mjaltë, por e hodha atë krejtësisht nga trupi. Në këtë gjendje desha ta këshilloj djalin!”
Te fëmijët nuk ka ndikim vetëm familja, por edhe faktorë të tjerë të mjedisit social e kryesisht mediat, që mund të sjellin shumë pasoja negative, nëse nuk kontrollohen mirë emisionet dhe mesazhet e tyre. Po kështu në mjediset shoqërore, në rrugë e kudo, ndeshemi me fenomene të ndryshëm, si sharje, fyerje, fjalor banal, mungesë respekti e sjellje të tjera të papëlqyeshme. Për të përballuar me sukses këtë ndikim negativ, familja ka rolin dominues nëpërmjet ndërhyrjeve aktive për të bërë sqarimet e nevojshme mbi dallimin e së mirës nga e keqja dhe për të mos i lënë të bëhen viktimë e këtyre ndikimeve të këqija.
Është detyrë e prindërve që t’ua thellojnë besimin fëmijëve të tyre dhe t’i ruajnë ata nga fjalori i pahijshëm e shoqëria e keqe, që i tërheq ata drejt veseve negative, si gënjeshtra, vjedhja, dëmtimi i pronës së tjetrit, etj. Të ushqyerit e besimit islam te fëmijët bëhet kryesisht me shembullin e prindit. Një familje me edukatë islame është e preokupuar që fëmija të asimilojë çdo veprim në shërbim të besimit islam. Formimit të koncepteve morale elementare, si dhe të adhurimit të fesë islame, duhet t’u jepen rëndësi që në moshën kur fëmija përgatitet për të shkuar në shkollën fillore, që më vonë ai të bëhet i vetëdijshëm për veprimet që kryen.
Pavarësisht se ka shumë punë për të bërë, është një e vërtetë që në shoqërinë e lirë të sotme, nëpërmjet të moshuarve, por edhe nëpërmjet studimeve, ka depërtuar në familjet e tyre besimi islam, duke luajtur një rol të madh për edukimin e brezit të ri. Ky depërtim i ndjenjave dhe mësimeve fetare ka zënë vend edhe te shumë të rinj, që ka ndryshuar shumë mentalitetin e tyre në drejtim të realitetit islam në vendin tonë. Edhe ne tashmë si brez i mesëm, duke dhënë orientimet e duhura, shpresojmë që këta të rinj, me krijimin e familjeve të reja, do të japin një kontribut të çmueshëm në forcimin e besimit islam në vendin tonë.
[1]. Nisa, 4:1.
[2]. Rrum, 30:21.
[3]. Al ‘Imran, 3:33-34.
[4]. Will Durant, “Mrekullitë e Filozofisë”.
[5]. Tirmidhi.
[6]. Rra’d, 13: 38.
[7]. Al ‘Imran, 3:38.
[8]. Bekare, 2:128.
[9]. Al ‘Imran, 3:35.
[10]. Tahrim, 66:6.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
May 07, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...