Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 28, 2021 Zani i Nalte Psikologji, Studime 0
nga Dr. Ana Uka1
Departamenti i Shkencave të Edukimit, Kolegji Universitar “Bedër”, Tiranë
Abstrakt
Programet e prindërimit janë programe parandalimi apo ndërhyrjeje të zhvilluara për të përmirësuar apo ndryshuar performancën e prindërve përmes trajnimit, mbështetjes ose edukimit, dhe qëllimi i tyre kryesor është të ndikojnë në mirëqenien e fëmijëve, veçanërisht midis vendeve me të ardhura të ulëta. Programet e prindërimit kanë treguar të jenë efektive në uljen e numrit të faktorëve të rrezikut siç janë prindërimi joefektiv ose stresi i prindërimit dhe rritjen e zhvillimit të marrëdhënieve të qëndrueshme familjare dhe aftësive prindërore dhe mbështetjen për të parandaluar sfidat e zhvillimit të fëmijëve. Prandaj, hulumtimet tregojnë se efektet e programeve të prindërimit në përmirësimin e zhvillimit të fëmijëve janë pozitive në pjesën më të madhe të rezultateve. Qëllimi i këtij studimi ishte të eksploronte literaturën ekzistuese mbi programet e prindërimit me fokus në vendet në zhvillim për të identifikuar përfitimet, vështirësitë dhe udhëzimet për kërkime të mëtejshme. Duke pasur parasysh faktin se programet e prindërimit kanë efekte pozitive në një gamë të gjerë të aspekteve të lidhura me prindërit dhe fëmijët, implementimi i programeve të tilla si një mjet për të përmirësuar familjen dhe mirëqenien e fëmijëve është shumë i kufizuar në Shqipëri[1].
Fjalët kyçe: programe prindërimi, fëmijë, rezultate të zhvillimit, familja, Shqipëri
HYRJE
Prindërimi sot është shumë i ndryshëm dhe shumë më sfidues sesa dikur. Shumë prindër me synime pozitive akoma përdorin aftësi të pa-azhurnuara të prindërimit dhe mekanizma që thjesht nuk funksionojnë në mënyrë të vazhdueshme. Si rezultat, prindërit pësojnë çdo ditë zhgënjim, stres dhe madje faj. Në rastin e prindërve që vijnë nga kushte jo të favorshme socio-ekonomike, zhgënjimi i tyre shpesh shtohet nga pamundësia për të siguruar sa duhet për nevojat më themelore të fëmijëve të tyre, të tilla si ushqimi, strehimi dhe kujdesi i duhur mjekësor. Përkundër këtyre vështirësive, prindërimi i mirë ka të bëjë me përdorimin e teknikave të duhura që sjellin më të mirën te fëmijët, ndërsa u mësojnë atyre respekt, përgjegjësi dhe dhembshuri.
Para disa vitesh Shqipëria filloi një përpjekje katër vjeçare për të formuar atë që deri më tani nuk kishte ekzistuar në vendin tonë – një sistem plotësisht funksional dhe të qëndrueshëm të Shërbimeve të Kujdesit Social. Reforma e shërbimeve të kujdesit social është udhëhequr dikur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me mbështetje teknike nga UNICEF dhe burime financiare nga Bashkëpunimi Zviceran për Zhvillim.
Përmes kësaj reforme, Shqipëria duhej të formonte bazën e atyre shërbimeve për të përmbushur vizionin e saj afatgjatë – aftësinë për të mbrojtur dhe mbështetur qytetarët, sidomos ata që janë më në rrezik. Çdo qytetar duhet të ketë shanse të barabarta për të përmbushur potencialin e tij të plotë në jetë. Shërbimet e Kujdesit Social kanë qenë shumë të kufizuara në Shqipëri, kryesisht të ofruara nga OJF dhe agjenci të tjera jo-shtetërore. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, shërbimet ekzistuese sociale vazhdojnë të jenë të fragmentuara, rudimentare dhe ad-hoc në natyrë. Dhe, për fat të keq, nevoja për Shërbime të Kujdesit Social po rritet dita ditës. Edhe nëse vendi ynë mund të shënojë një rritje të ekonomisë, kjo nuk çon automatikisht në uljen e varfërisë, sepse mund të çojë gjithashtu në pabarazi në rritje, rritje të margjinalizimit dhe më shumë përjashtim social. Por familjet shqiptare sot po përballen me tronditje dhe rreziqe të tjera që kërcënojnë kohezionin social për shkak të zhvendosjes së strukturës demografike, migrimit të brendshëm dhe të jashtëm, ndryshimit të rolit të familjeve dhe rrjeteve informale.
Kohët e fundit, falë përpjekjeve të përbashkëta të organizatave të shoqërisë civile si Unicef, Save the Children, Terre Des Home, apo World Vision dhe strukturave të ofrimit të shërbimeve sociale, në nivel lokal apo vendor, në partneritet me “Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë”, janë prezantuar një sërë strategjish për t’i shërbyer zhvillimit të programeve për mirëqenien e fëmijëve dhe të familjes, ku fokusi më i madh është në programet e prindërimit.
Praktikat e prindërimit parashikojnë rezultate të rëndësishme për fëmijët, dhe programet e prindërimit janë mjete potencialisht efektive për të mbështetur prindërit në promovimin e rezultateve optimale për fëmijët (Smith et al, 2002). Programet e prindërimit janë programe parandalimi apo ndërhyrjeje të zhvilluara për të përmirësuar ose ndryshuar efektshmërinë prindërore nëpërmjet trajnimit, mbështetjes ose edukimit, dhe qëllimi i tyre kryesor është të ndikojnë në mirëqenien e fëmijëve, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta. Nëpërmjet këtyre programeve mund të theksohet rëndësia e edukimit dhe stimulimit të mjediseve shtëpiake për zhvillimin dhe arsimimin e djemve dhe vajzave njësoj; për të promovuar kërkesën për zhvillimin e hershëm të fëmijëve dhe shërbimet e mbrojtjes sociale; dhe, për të inkurajuar bashkëpunimin me autoritetet lokale dhe shoqërinë civile në mobilizimin e burimeve (Unicef, ECCD Programme). Programet e prindërimit gjithashtu kanë rezultuar efektive në minimizimin e faktorëve të rrezikut, siç janë stresi i prindërve dhe përmirësimi i zhvillimit të marrëdhënieve të qëndrueshme familjare e kompetencave të prindërve, si dhe mbështetjes për të parandaluar sfidat e zhvillimit të fëmijëve.
Qëllimi i këtij studimi është të eksplorojë literaturën rreth programeve të prindërimit me fokus në vendet në zhvillim për të identifikuar përfitimet, vështirësitë dhe udhëzimet për hulumtimet rreth kësaj fushe në të ardhmen. Duke pasur parasysh faktin se programet e prindërimit kanë efekte pozitive në një gamë të gjerë të rezultateve të lidhura me prindërit dhe fëmijët, zhvillimi dhe implementimi i programeve të tilla, si një mjet për të përmirësuar mirëqenien e familjes dhe fëmijëve, është shumë i kufizuar në Shqipëri.
Strategjia dhe programet e prindërimit në Shqipëri
Shqipëria ka pësuar ndryshime të konsiderueshme pozitive në mirëqenien e fëmijëve në vitet e fundit. Megjithatë, shumë fëmijë janë ende të ekspozuar ndaj rreziqeve të migracionit, trafikimit dhe abuzimit ose në konflikt me ligjin. Varfëria, papunësia, përjashtimi social, shkelja e të drejtave të tyre dhe pamundësia e shërbimeve në Shqipëri janë identifikuar si shkaqet kryesore të emigracionit. Kthimi i detyruar është shtuar gjatë viteve të kaluara, ku të kthyerit përballen me sfida të mëdha, si ajo për tu ri-integruar në sistemin arsimor dhe ajo e rimëkëmbjes ekonomike. Kushtet e tyre sociale dhe ekonomike shpesh janë më të vështira sesa para largimit të tyre. Për të përmirësuar këtë situatë, programet e prindërimit ndihmojnë prindërit të krijojnë një veprimtari që gjeneron të ardhura, inkurajojnë fëmijët të ndjekin shkollën ose aktivitetet pas shkollës dhe ofrojnë trajnime profesionale për të rinjtë. E gjitha kjo realizohet nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me komunitetet, shoqërinë civile, organizatat, si p.sh. Save the Children apo Terre Des Home dhe strukturat shtetërore për tu dhënë fëmijëve qasje në sistemin arsimor dhe shërbimet sociale. Ky bashkëpunim mundëson rritjen e kapaciteteve të këtyre aktorëve me trajnime, në mënyrë që ata të mund të ndihmojnë në mënyrë adekuate fëmijët e kthyer dhe familjet e tyre për t’u integruar.
Në sajë të këtyre bashkëpunimeve janë zhvilluar strategji programesh në rang kombëtar, të cilat mbulojnë periudha zakonisht 2-vjeçare. Disa nga këto programe kanë për synim promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe adoleshentëve për edukim, mbrojtje dhe mbijetesë në një vend që i mbron ata nga të gjitha format e shfrytëzimit dhe dhunës. Gjithashtu ato mbështesin parimin se dhuna ndaj fëmijëve nuk do të pranohet më si metodë disiplinore dhe mënyrë komunikimi në shoqërinë shqiptare. Qasja e tyre fuqizon dhe mbështet fëmijët për të rritur ndjeshëm pjesëmarrjen në jetën shkollore dhe komunitare dhe ndikon në vendimet përmes lenteve të të drejtave të fëmijëve.
Sipas Save the Children, në kuadër të mbrojtjes së fëmijëve, ekzistojnë programe që promovojnë zhvillimin e një sistemi funksional me fokus në mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve përmes qasjeve të bazuara në komunitet dhe forcimit të familjes. Janë krijuar rrjete mbrojtëse dhe hapësira për fëmijë dhe të rinj për të zvogëluar rreziqet e shfrytëzimit e abuzimit dhe forcimin e rezistencës së tyre. Komunitetet janë më të vetëdijshëm në lidhje me të drejtat e fëmijëve, prindërimin pozitiv dhe ruajtjen e sigurisë së fëmijëve, si rezultat i aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe programeve të mbështetjes së prindërve.
Një program tjetër, i cili është në proces pilotimi, është një program ndërhyrjeje i kujdestarisë për përkrahjen e fëmijëve në institucionin rezidencial publik, që synon de-institucionalizimin e fëmijëve përmes bashkëpunimit dhe zhvillimit të kapaciteteve të strukturave lokale dhe partnerëve të tjerë për të hartuar e ofruar shërbime alternative të kujdesit cilësor për fëmijët dhe familjet e tyre.
Si ndikojnë programet e prindërimit në mirëqenien e fëmijëve dhe familjes?
Hulumtimet tregojnë se pjesëmarrja e prindërve në programet e prindërimit ndikon pozitivisht dhe përmirëson shumë rezultate që lidhen me prindërit (p.sh. vetë-efikasiteti) dhe fëmijët (p.sh. sjellja pozitive e fëmijës) (Barlow & Coren, 2018). Programet e prindërimit ofrohen me qëllim përmirësimin dhe pajisjen me njohuri, aftësi dhe mirëkuptim të prindërve; uljen e stresit prindëror; përmirësimin e praktikave të prindërimit; dhe, në këtë mënyrë, përmirësojnë dhe rezultatet emocionale dhe të sjelljes së fëmijëve. Këto programe zakonisht u ofrohen prindërve për një periudhë 8-12 javë, për rreth 1-2 orë çdo javë, të organizuara në jo më pak se 2 seanca deri në 20 seanca në total (Barlow & Coren, 2018).
Duke u mbështetur në qasje të larmishme teorike, programet e prindërimit përdorin një sërë teknikash, duke përfshirë diskutimet, role-play, shikimin e videove të shkurtra dhe detyrat. Duke përdorur një manual, ose program mësimor, programet mund të ofrohen në mënyrë individuale, ose në grupe prindërish, në ambiente të ndryshme, duke përfshirë klinikat spitalore, qendrat e shërbimit të shëndetit mendor, qendrat shëndetësore, shkollat dhe qendrat e besimit, si xhamitë, kishat, etj.
Evidencat nga studimet cilësore tregojnë se prindërit përfitojnë shumë kur marrin pjesë në programe të tilla (Kane, Wood, & Barlow, 2007), dhe një numër i studimeve sistematike kanë ekzaminuar rezultate objektive si për prindërit ashtu edhe për fëmijët. Programet e prindërimit kanë për synim trajtimin e problematikave të ndryshme, që lidhen me prindërimin dhe zhvillimin e fëmijëve. Sipas disa studimeve të bëra nga Barlow dhe kolegët e tij, këto programe rezultojnë pozitive në trajtimin e problemeve të ndryshme për fëmijët e moshës 0-3 vjeç (Barlow & Parsons, 2005), çrregullimin e sjelljes te fëmijët e moshës 3-12 vjeç (Furlong et al., 2012), çrregullimit të hiperaktivitetit dhe deficitit të vëmendjes si për prindërit ashtu edhe për fëmijët (Zwi, Jones, Thorgaard, York, & Dennis, 2012), dhe prindërve adoleshentë (Barlow et al., 2011). Madje një studim tjetër i Barlow-t dhe kolegëve të tij (2012) tregon se programet e prindërimit rezultuan efektive në përmirësimin e funksionimit psikosocial vetëm të prindërve (Barlow, Smailagic, Huband, Roloff, & Bennett, 2012).
Gjetjet e marra nga rishikimet sistematike ofrojnë rezultate të përziera dhe mbështetje modeste për përdorimin e programeve të prindërimit të organizuar në grup për të përmirësuar zhvillimin emocional dhe të sjelljes së fëmijëve nën moshën 3 vjeç. Studiuesit sugjerojnë se nuk ka prova të mjaftueshme për të arritur në ndonjë përfundim final lidhur me rolin që programe të tilla mund të luajnë në parandalimin parësor të problemeve të sjelljes te fëmijët e vegjël. Për më tepër, ka pak informacion mbi efektivitetin afatgjatë të këtyre programeve (Barlow & Coren, 2018). Por, disa studime tregojnë se trajnimi i prindërve mund të ketë një efekt pozitiv në sjelljen e fëmijëve me ADHD dhe mund të jetë efektiv gjithashtu në uljen e stresit prindëror dhe përmirësimin e besimit prindëror. Sidoqoftë, ata sugjerojnë se aktualisht të dhënat në dispozicion në lidhje me sjelljet specifike të ADHD janë jopërfundimtare dhe se ka mungesë të të dhënave lidhur me disa rezultate të tilla, si arritjet në shkollë dhe efektet negative. Megjithatë, këto studime ofrojnë disa evidenca që programet e prindërimit mund të jenë efektive në përmirësimin e një numri aspektesh të bashkëveprimit prind-fëmijë dhe ky efekt është edhe afatgjatë edhe afatshkurtër.
Cilët janë faktorët që pengojnë në zhvillimin dhe implementimin e programeve të prindërimit në Shqipëri?
Mund të evidentohen një sërë shkaqesh e faktorësh që i pengojnë shumë fëmijë dhe familje nga marrja e shërbimeve nëpërmjet programeve të prindërimit. Disa prej tyre janë: gjendja e rëndë ekonomike; mospajisja e prindërve me siguracione shëndetësore; probleme shëndetësore dhe aftësia e kufizuar; niveli i ulët arsimor i prindërve; largësia e institucioneve që ofrojnë këto programe nga qendrat e banuara; emigracioni i prindërve; lëvizjet demografike të popullsisë; mentaliteti; gjakmarrja; probleme sociale; abuzimi me fëmijët dhe dhuna në familje; divorci; puna e pakualifikuar dhe e pamjaftueshme me prindërit për t’i nxitur dhe ndihmuar të marrin pjesë në këto programe; moszbatimi i akteve ligjore e nënligjore në fuqi; rrethanat familjare, ekonomike dhe sociale të prindërve romë e egjiptianë, informacioni i limituar rreth programeve ekzistuese të prindërimit, lista të gjata të pritjes, etj.
Së pari, perceptimi i prindërve për disa ndërhyrje të konsideruara jo me cilësi të lartë e ul entuziazmin e tyre për pjesëmarrje. Së dyti, edhe nëse prindërit janë entuziastë për programin e ndërhyrjes, pengesat praktike mund të kufizojnë qasjen në shërbime. Programi mund të jetë i shtrenjtë apo të jetë në një vendndodhje të largët (Latifi et al., 2015). Prandaj, varfëria dhe të qenët i pasiguruar shoqërohen ndjeshëm me nevojat e paplotësuara për shërbime mjekësore dhe psikologjike (Chiri & Warfield, 2012). Për më tepër, transporti drejt dhe nga programi mund të jetë i kushtueshëm dhe të marrë kohë. Duke pasur parasysh shpërndarjen e pabarabartë gjeografike të burimeve të lidhura me shëndetin, kjo është veçanërisht rasti për familjet që jetojnë në zonat rurale (Latifi et al., 2015). Për më tepër, këto programe, siç janë programet e prindërimit, shpesh ofrohen gjatë orareve zyrtare, që nuk përputhen me oraret e prindërve që punojnë. Prandaj, pjesëmarrja në këto programe shpeshherë përbën një sfidë për prindërit. Një pengesë tjetër është edhe kujdesi alternativ ndaj fëmijëve gjatë kohës që prindërit duhet të marrin pjesë në këto programe.
Të gjitha këto pengesa bashkohen për të krijuar një hendek të konsiderueshëm ndërmjet disponimit të programeve të prindërimit dhe pjesëmarrjes në to. Pjesëmarrja në këto programe është veçanërisht e pabarabartë mes familjeve me prejardhje të ndryshme sociodemografike, përfshirë racën/përkatësinë etnike, arsimin dhe profesionin. Gjithashtu, përveç mospërputhjes së programeve brenda vendeve të ndryshme, edhe qasja në këto programe ndryshon midis vendeve. Ndërsa profesionistët janë në mungesë në vendet e zhvilluara, ato janë akoma më të paktë në numër në vendet në zhvillim. Në fakt, 90% e burimeve globale të shëndetit mendor disponohen nga vendet e zhvilluara. Ndërkohë, studimet tregojnë se rreth 80% e personave në nevojë për pjesëmarrje në programe ndërhyrjeje, nga vende me të ardhura të ulëta apo të mesme, raportojnë të mos kenë marrë pjesë në asnjë program (Fairburn & Patel, 2014).
Diskutime dhe konkluzione
Si përfundim, këto përmbledhje shërbejnë si evidencë e rëndësishme për të treguar se programet e prindërimit mund të jenë efektive në terma afatshkurtër në përmirësimin e aspekteve të funksionimit psikosocial të prindërve (si p.sh., depresioni, ankthi, stresi, zemërimi, faji, besimi dhe marrëdhënia e shëndetshme intime). Programet e ndërhyrjes së prindërimit në grup me fokus bihejvioral dhe njohës janë cilësuar si metoda me kosto efektive të përmirësimit të problemeve të sjelljes së fëmijëve, shëndetit mendor të prindërve dhe aftësive prindërore në afat të shkurtër për prindërit e fëmijëve të moshës 3-12 vjeç (Furlong et al., 2012). Gjetjet gjithashtu tregojnë se programet e prindërimit mund të ulin stresin e prindërve dhe të përmirësojnë sjelljen e përgjithshme te fëmijët, veçanërisht të fëmijëve me ADHD. Nuk është e qartë nëse trajnimi i prindërve realizohet më mirë në grup ose individualisht dhe nëse rezultatet mund të ndryshojnë nga karakteristikat e grupit të shënjestruar. Evidencat në lidhje me nevojat e grupeve specifike të prindërve, si p.sh. të prindërve adoleshentë dhe prindërve me aftësi të kufizuara intelektuale, duken premtuese, me disa dëshmi të rezultateve të përmirësuara për prindërit dhe fëmijët, por kërkime të mëtejshme janë akoma të nevojshme në këtë fushë.
Më shumë kërkime janë të nevojshme për të vlerësuar përfitimet që mund të kenë baballarët nga pjesëmarrja në këto programe dhe për të ekzaminuar efektivitetin krahasues të programeve të ndryshme dhe për të identifikuar mekanizmat me të cilët programe të tilla sjellin përmirësime në funksionimin e prindërimit dhe zhvillimit të fëmijëve.
Së fundmi, në Shqipëri janë bërë shumë përpjekje dhe janë ndërmarrë iniciativa të shumta, por kryesisht nga shoqata dhe organizata të shoqërisë civile, të cilat, nëpërmjet programeve të prindërimit, ju kanë ardhur në ndihmë prindërve dhe fëmijëve, sidomos atyre që vijnë nga familje me kushte jo të favorshme socio-ekonomike dhe ku trajtimi ka qenë kryesisht afatshkurtër. Ndërkohë që nevojitet mobilizimi i të gjitha instancave shtetërore, kryesisht ato të Shërbimeve të Kujdesit Social, sektor i cili, qoftë edhe në bashkëpunim me organizata jo-qeveritare, mund të ofrojë programe prindërimi për t’iu ardhur në ndihmë afatgjatë të gjithë prindërve dhe fëmijëve në nevojë, pa dallim race, feje, etnie apo niveli socio-ekonomik.
REFERENCA
[1] Realizimi i këtij studimi vjen si nevojë e mobilizimit të studiuesve kritike në të gjithë Evropën për hulumtime mbi mbështetjen e familjes në kuadër të projektit CA18123 – Rrjeti Evropian i Mbështetjes së Familjes (EuroFam-Net) të programeve COST.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...