Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Dec 08, 2020 Zani i Nalte Filozofi 0
nga MSc. Melsen Kafilaj, Universiteti i Tiranës
Abstrakt
Një nga specifikat kryesore të mendimit Konfucianist krahas prakticitetit është edhe dedikimi i tij institucional. Konfuci vetë, por edhe dishepujt e tij, i kanë kushtuar një kujdes të veçantë kultivimit të etikës administrative ose, nëse flasim me terma bashkëkohorë, “etikës publike”. Duke qenë se e keqja pavarësisht mjedisit ku vepron është kudo e njëjtë, mendojmë se pedagogjia e tij universale do të jetë një medikament i mirë edhe për kurimin e gangrenizimit të administratës publike shqiptare. Synimi i këtij punimi është jo vetëm ti evidentojë ato problematika por edhe ti trajtojë përmes këtij botëkuptimi ideor. Konfuci, shqetësohet për ndjenjën e Drejtësisë dhe ai e lidh këtë nocion me Etikën dhe të Mirën Publike. Çështja shtrohet si do të jetë ky raport etikë-drejtësi brenda institucioneve dhe në çfarë shkalle cilësie do të jenë shërbimet e përfituara nga individi apo trupi politik (Populli) prej administratës publike. Ky punim është i konceptuar në dy pjesë. Në pjesën e parë ofrohet një hyrje në kontekstin social-historik në të cilin u ngjiz ky botëkuptim dhe jepen disa konsiderata rreth rolit dhe kontributit të tij social. Ndërsa në pjesën e dytë trajtohet koncepti Konfucian mbi administratën publike në paralelizëm me administratën publike shqiptare për mënyrën e rekrutimit, organizimit, funksionimit, etj., si dhe konkluzionet përkatëse.
Fjalët kyçe: Edukim, Etikë Konfucianiste, Administratë Publike, Drejtësi, e Mirë Publike, etj.
Hyrje
“E admiroj Konfucin. Ai qe individi i parë i cili nuk e pranoi frymëzimin hyjnor të fliste përmes gojës së tij”. Me këtë konsideratë të Volterit po e nisim prolegomenën e kësaj trajtese shkencore, e cila i dedikohet pikërisht këtij mendimtari dhe edukatori të madh! Dhe ta mendosh që i madhi Volter ishte tepër dorështrënguar me lëvdatat?! Një pohim me vlerë do të shtoja, po të merret parasysh fakti se, ndryshe nga mësuesit e tjerë të Antikitetit, si Pitagora, Platoni, Buda apo Krishti, që krijuan një doktrinë me nuanca religjioze, Ai ndërtoi një filozofi me natyrë pragmatike dhe karakter racional, e cila ndikoi konstruktivisht në konturimin e qytetërimit kinez. Gjithashtu, vetë Kofuci, gjatë gjithë jetës së tij, nuk e lidhi vetveten me ndonjë hyjni apo të deklamohej si “Profet”. Madje-madje ai ua ndalonte rreptësisht dishepujve të tij që ta konsideronin si një shenjt. “Jo se ai e mohonte Zotin si parim universal por gjithë filozofinë e tij ai e kanalizoi në shërbim të Njeriut dhe ideologjisë së Humanizmit” [Renxue] (Qizhi 2016, f. 315)
Konfuci, ose quajtur ndryshe Mjeshtri Kung, lindi në vitin 551 para Krishtit në shtetin e Lu-së, sot Provinca e Shandung-ut. Në Kinë, mbiemri i familjes vjen përpara emrit personal të individit kështu që mbiemri i familjes së tij ishte Kung. Emrin e lindjes e kishte Kiu ndërsa atë të kortezisë Çong Ni. Megjithëse biografia e tij është disi e mjegullt dhe e thurur në trajtë legjendash, për të ka më shumë informacion sesa për çdo filozof tjetër kinez. Kjo edhe për faktin se Konfuci është parë si ideali kombëtar i popullit kinez dhe për të ka mjaft anale e shënime. Thuhet se i ati e la jetim 3 vjeç, u martua në moshën 19 vjeçare, pati një djalë dhe një vajzë (për këtë të fundit, ka pak dijeni) dhe ju dhanë funksione shtetërore qysh në moshën 29-vjeçare. Pra, ai i ngjiti shkallët e jetës shumë shpejt. Po ashtu edhe ato të edukimit. Siç na jepet edhe përmes Analekteve (Lun Yu) ai e nisi kohën e studimeve në moshën 15-vjeçare dhe që prej atij çasti nuk ju nda më kurrë dije-nxënies. Ai nuk vinte nga ndonjë familje e pasur dhe ju desh që edukimin e vet ta formësonte falë dëshirës, vullnetit, këmbënguljes dhe disiplinës së tij të hekurt. Ja sesi shprehet ai në lidhje me këtë fakt: “Unë nuk linda i pajisur me njohuri. Jam thjesht dikush i cili ju vu me durim dhe përkushtim studimit të teksteve të Antikitetit, duke kërkuar të kuptoja sa më tepër prej tyre.” (Hsü 1932, f. 2-3)
Besohet se mësimdhënien ai nisi ta ushtronte në moshën 30-të vjeçare ndërsa idetë e veta anembanë vendit t’i shpërhapte në moshën 57-vjeçare, moshë në të cilën kishte arritur edhe pjekurinë e duhur intelektuale. “Në këtë veprimtari fisnike ai ka meritën sepse qe njeriu i parë në Kinë që e kthehu mësimdhënien në një profesion, duke e popullarizuar në këtë mënyrë kulturën dhe edukimin”. (Yu-Lan 1952, f. 48) Theksojmë se në këtë kohë edukimi ishte një luks që i lejohej vetëm klasës aristokratike dhe derës mbretërore. Konfuci, e përmbysi këtë mendësi duke e “liberalizuar” edukimin në shkallë të gjerë dhe duke pranuar në kurset e tij madje edhe studentë që vinin nga shtresat e ulëta shoqërore. Në mësimdhënie nuk duhet të ketë dallim klasor. Ky ishte parimi i tij prej mësuesi iluminist.
“Sado e vogël të ishte shuma që studentët e tij mund të përballonin, ai nuk kthehu askënd kurrë pas vetëm për këtë shkak. I vetmi kriter ishte që ata që i paraqiteshin për studentë të kishin një dëshirë të zjarrtë për të mësuar dhe një shkallë të caktuar aftësish”. (Legge 1907, f. 61) Kjo sepse Konfuci e shikonte edukimin si një mjet themelor për “barazi shansesh” dhe ai besonte se nëpërmjet tij do të zbutej gradualisht hendeku social. Gjithashtu brenda konceptit të tij mbi edukimin, ai mendonte se transmetimi i vlerave dhe virtyteve do të ishte një mënyrë efikase edhe për ruajtjen e harmonisë dhe rendit shoqëror. Pra, një edukim në të dyja rrafshet; si në atë horizontal edhe në atë vertikal. Konfuci jo vetëm që ndryshoi konceptin për edukimin por është e mahnitshme të konstatosh sesi një shpirt i vetëm shërbeu si Individ-Institucion për krijimin e Shkollës së të Lexuarve (Yu) dhe traditës për përfshirjen e tyre brenda administratës publike kineze. Një influencë e fuqishme ideore e mbërritur madje deri në ditët tona.
Konteksti historik
Për të gjykuar objektivisht në lidhje me një botëkuptim filozofik të caktuar është e nevojshme të merret gjithmonë në shqyrtim konteksti social-historik në të cilin ai është ngjizur dhe ka evoluar. Ajo çka duhet të marrim parasysh në lidhje me mendimin Konfucianist është fakti se ai u ngjiz në një kohë të paqëndrueshme politikisht në Kinë dhe të mbushur plot dhunë, trazira dhe revolta shoqërore. Ishte koha e shteteve ndërluftuese dhe kaosi e kishte qarkuar vendin rreth e rrotull. Madje në njërin rast edhe vetë jeta e filozofit u vu në rrezik. Por ndryshe nga ata që largoheshin dhe i sugjeronin që të strehohej në mal dhe ta gjente paqen aty, mjeshtri i mësuar tashmë që të përballej me problemet ju gjegjej: “Unë jam Njeri dhe nuk mund ta përjashtoj vetveten nga shoqëria e njerëzve për të bashkëbanuar me bishat”. (Giles 1910, f. 6)
Eksperienca e mëparshme kishte treguar se edhe pse ndodhnin revolucione, ai që ndryshonte gjithmonë ishte veçse emri i monarkut pasardhës që do të zinte fronin dhe jo gjendja sociale e popullit. Këtë gjendje e ilustron mjaft bukur në vargje poeti kombëtar kinez, Du Fu:
“Që nga koh’ e tij vendi,
një gëzim s’ka parë.
Po e shtrydhin pa mëshirë,
ca qeveritarë” (Fu 1962, f. 113)
Në këto kushte, shtrohej si nevojë imediate jo vetëm vendosja e paqes por edhe gjetja e një mënyre të zgjuar, pragmatike dhe efektive qeverisjeje në të ardhmen. Duke e konstatuar këtë fakt, Konfuci ia doli mbanë të krijonte me sukses jo vetëm një etiketë shoqërore por edhe një urë komunikimi moral mes liderit dhe trupit politik, ku të dyja palët angazhoheshin konstruktivisht në shërbim të kohezionit social dhe të Mirës Publike. Kjo gjetje e qëndrueshme ideore ishte etika Konfucianiste, gur-zhadi i botëkuptimit kinez dhe kontributi i tij i dytë madhor vleror mbi kryet e këtij civilizimi të lashtë e krenar. “Studiuesi i Universitetit të Stockholmit, Wei-Bin Zhang ka plotësisht të drejtë kur konstaton se Konfucianizmi është filozofia e organizimit social, e ndjenjës së Përbashkësisë dhe e dijes praktike”. (Beckmann, Johannsson, Snickars & Thord 1998, f.294)
Për Konfucin, edukimi dhe etika ishin të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe kjo diadë duhet të reflektohej jo vetëm në marrëdhëniet familjare e sociale por edhe në aspektin politik, pra në raportet mes Qeverisësit dhe të qeverisurve. Ato ishin në funksion të një qëllimi të vetëm; të përmbushjes së misionit dhe obligimit ndaj Shpirtit Publik. Ne do të përqendrohemi te një aspekt esencial i etikës Konfucianiste; te kanalizimi dhe ushtrimi i saj si etikë administrative, në kuadër të qëllimit të mësipërm. “Konfuci qe ndoshta më tepër një politikan sesa një filozof i moralit. Kjo për vet faktin se qëllimi i etikës së tij ishte krejt shoqëria si një shtet i organizuar dhe ashtu si të gjithë politikanët atdhedashës ai shqetësohej për jetën publike të kohës së tij. Krahas të qenit një teoricien politik, për një kohë të shkurtër ai qe gjithashtu një burrë shteti dhe administrator i zoti edhe në praktikë”. (Faber 1873, f. 1) Është e rëndësishme të ravijëzohet se me Konfucin mendja kineze arriti apogjeun e zhvillimit të saj. Pas tij nuk arriti ndonjë tjetër kaq lart.
Etika administrative Konfucianiste përballë administratës publike shqiptare
Kinezët, janë ndoshta i vetmi popull në botë, të cilët vërtetë e besojnë verbërisht se dija është më e çmuar se rubinët. (Cheng 1947, f. 52) Në fakt, filozofi anglez Bertrand Russell duhet të shtonte edhe pjesën tjetër se këtë kërkesë të vazhdueshme për dijen atyre ua nguliti thellë në vetëdije Konfuci. Ishte ai që me alkiminë e vet ideore transformoi gjithçka. Dhe substanca bazë e këtij reaksioni ishte Edukimi. Një proces i cili duhet të nisë fillimisht nga vetvetja e më pas të përdoret në funksion të ndriçimit social. Për Konfucin, nuk mund të ketë virtyt (Tê) pa edukim. Siç shprehet ai vetë tek Analektet: “Pa qenë më parë të mençur, si mund të jenë ata njerëz të virtytit?” (Waley 1956, f. 102) Për rrjedhojë është edukimi ai që jo vetëm pajis me njohuri por edhe laton karakterin, duke i kthyer virtytet në një bazament etik.
Pikërisht themelimin e këtij bazamenti etik te çdo individ kërkon edhe Konfuci. Nëse ne e kultivojmë atë në vetvete do të jemi gjithashtu të aftë ta transmetojmë edhe në familje por edhe si anëtarë të shoqërisë në të cilën bëjmë pjesë. Këtë etikë ai e kanalizon gjithashtu edhe në qeverisje, administratë dhe çështjet publike. Por para se të japim disa elementë kyç prej etikës administrative Konfucianiste, le ta definojmë më parë termin “administratë publike”. Sipas Fjalorit Politik të Oxford-it, administrata publike ka të bëjë me institucionet e burokracisë shtetërore: strukturat organizative, që përbëjnë bazën e marrjes dhe të zbatimit të vendimeve si edhe rregullat sipas të cilave kryhen shërbimet publike. Ajo funksionon në nivel qendror dhe vendor. (Mc Lean 2001, f. 2) Në të tillë mënyrë, pra me dy nivele funksiononte edhe Perandoria Kineze. Një perandori gjigande me shtrirje të gjerë dhe me burokraci të madhe e të konsoliduar. Koka dhe administrata qendrore ndodhej në kryeqytet ndërsa duart, apo administrata vendore e saj përbëhet nga katër kuarterët (sifang) apo ndryshe mbretëritë më të vogla, të lidhura me një rrjet të gjerë nëpunësish me të. Por çfarë “të veçante” na predikon Konfuci parimet e të cilit jo vetëm u pranuan, por edhe u asimiluan duke u kthyer në një pjesë esenciale të manualeve të administratës publike kineze?! Sqarojmë fillimisht se mendimi politik i Konfucit ka natyrë elitiste. Por në vend të një elitizmi aristokratik, të parasë apo atij ushtarak që ishte prezent në Kinën e atyre ditëve, ai promovon elitizmin intelektual. Kjo shënon një kthesë ideore në mënyrën e konceptimit të statusit të fisnikërisë, ku tashmë një rol të rëndësishëm për përcaktimin e tij e zë pesha vlerore dhe jo vetëm linja e gjakut. Nga ana tjetër do të ravijëzoja, kjo është gjithashtu një mënyrë e zgjuar politike nga ana e Konfucit për “hapjen” e rregullave të lojës dhe posteve administrative që dikur kapeshin pa kurrfarë ekzaminimi nga individë të paaftë por që kishin një titull të trashëguar përpara mbiemrit të tyre. Ai është pro një lideri me forcë të madhe morale (Tê), të kulturuar (Wen) dhe i aftë për të ushtruar drejtësinë (Yi) dhe ndjek gjithmonë udhën e duhur (Tao). Këtë ideal ai e mishëron te koncepti i Chun tzu-së.
Por çdo të thotë chun tzu, lind pyetja? Nëse e përkthejmë në mënyrë literale këtë hieroglif do të thotë “biri i udhëheqësit”, por në filozofinë Konfuciane ai nënkupton një individ me forcë të madhe moralo-intelektuale dhe superioritet karakteri”. Ky individ mund të jetë gjithsecili prej nesh që ka dëshirën, vullnetin dhe aftësinë për tu bërë i tillë. Tre Sinologët e mëdhenj anglezë Legge, Soothill dhe Walley e përkthejnë respektivisht këtë hieroglif me termat: njeriu superior, njeriu i virtytshëm dhe xhentëllmen. Për efekt të natyrës dhe kontekstit shqiptar të referimit ne kemi përzgjedhur si më të përshtatshëm për përdorim termin “njeri i virtytshëm” të Soothill[1]. Njeriu i virtytshëm është “vula” e etikës Konfucianiste. Por, për të parë më në detaje sesi janë mishëruar këto parime etike në administratën publike kineze ne i jemi referuar “Manualit të Shangait”. Ky manual përfshin një tërësi rregullash dhe sjelljesh në lidhje me mënyrën e rekrutimit, organizimit dhe funksionimit të administratës publike kineze ngritur mbi bazën e etikës Konfuciane. Parimi i parë për rekrutimin e punonjësve në këtë administratë është ai i Meritokracisë. Një shtet i vlerëson me të vërtetë anëtarët e tij kur meritat e tyre akademike i shpërblen me përgjegjësi dhe detyra publike në mekanizmin e vet institucional. Dhe kinezët e kanë të gdhendur me germa ari këtë mësim, sepse, siç shprehet filozofi britanik dhe burri i shtetit Edmund Burke, nuk ka kualifikim më të mirë për një qeveri sesa virtyti dhe dituria që ajo ka në gjirin e saj. Ndryshe nga “rekrutimi” në administratën publike shqiptare, i cili bëhet me emërime nga lart, konkurse fiktive, nepotizma dhe allishverishe të tjera, në administratën publike kineze përzgjedhja jo vetëm që kishte kritere të forta dhe standard etik por ishte e drejtë dhe dinjitoze. Për ta ilustruar këtë fakt, po japim një shembull konkret. Duke pasur parasysh dy këshilla të Konfucit si: “Shpërble dhe ngri lart më të mirët” dhe “Është e gabuar t’u besosh njerëzve të vegjël përgjegjësi të mëdha”, në këtë administratë kriteret për përzgjedhjen e më të mirëve kalonin në disa faza dhe ishin mjaft selektive në aspektin vleror. Një meritokraci si në rekrutim ashtu edhe në shpërblim me ngritje detyre. Mjaft t’ju përmend faktin se për gradën më të ulët të ofiqit publik, atë të Baçelorit, ndiqeshin këto etapa dhe pjesën tjetër po e lë në dorën tuaj që ta përfytyroni.
“Për gradën e I-rë të Mandarinit (punonjësit të administratës publike) ishin të lirë të aplikonin të gjithë, me përjashtim të 3 profesioneve: aktorëve, berberëve dhe varkëtarëve. Procedura që ndiqej për përzgjedhjen e tyre është si më poshtë. Fillimisht kandidatët potencial ekzaminoheshin dhe selektoheshin nga qeveritarët e shteteve të tyre respektive. Pasi aprovoheshin dhe e kalonin këtë etapë, ata i nënshtroheshin një ekzaminimi të dytë dhe një provimi publik, ku nga 500 aplikantë po themi, atë e merrnin shumë pak veta, maksimumi 10 deri në 15 persona. Ata mbylleshin në dhomëza të vogla dhe ju liheshin mbi skribani 3 teza dhe bojë e letër mjaftueshëm që ta mbyllnin provimin për një afat kohor prej një nate e dy ditësh. Që të mos përfitonte dhe të infiltrohej në administratë përmes kopjimit ndonjë mediokër (në ato kohëra “moda e kopjimit” ishte që të bënin libra të vegjël me pjastra bakri dhe t’i fusnin në shollën e këpucës) para se të hynin në provim, ata i nënshtroheshin një inspektimi fizik të përpiktë. Ekzaminimet bëheshin me paanshmërinë më të madhe. Kush kapej me kopje jo vetëm që diskreditohej moralisht por atij i digjej njëherë e përgjithmonë e drejta për të aplikuar në administratën publike duke e shkatërruar kështu për gjithë jetën”. (Clarke 1872, f. 39-40)
Ndëshkimi i ashpër rridhte nga fakti se një njeri pa integritet moral nuk mund të ketë kurrsesi një integritet profesional. Gjithashtu, kjo mënyrë “jo-etike” jo vetëm që cënonte drejtësinë por do ta dëmtonte gjithashtu shoqërinë kineze në të ardhmen. Ky ishte arsyetimi i një burokrati kinez obligimi kryesor i të cilit ishte devotshmëria ndaj Shpirtit Publik dhe e Mira e Përgjithshme. Një drejtësi për hir të Drejtësisë-do të shtoja. Etapa e tretë i referohet riekzaminimit të të përzgjedhurve çdo 3 vjet nga një inspektor publik i ngarkuar posaçërisht për këtë qëllim. Një procedurë efikase e cila “qëronte” nga administrata pothuajse çdo individ që e kishte kapluar Shpirti i Vegjetimit dhe nuk shfaqte performancën e duhur institucionale. Theksojmë se ndryshe nga shembulli i mësipërm, në administratën tonë jo vetëm që “infiltrohen” njerëz vulgar dhe pa integritet moral e profesional prej politikës, por më e keqja akoma është kur këta inaptokratë të pashembullt vënë mbi krye, të “dirigjojnë” edhe udhën. Në kësisoj rastesh ndodh ajo që thotë Konfuci: “Druri i shtrembër i vënë mbi të drejtin jo vetëm që do ta prishë stivën por do ta bëjë edhe popullin të pakënaqur.” (Waley 1956, f. 91)
Parimi i dytë është ai i Interesit Publik mbi atë privat. Konfuci por edhe dishepujt e tij mësonin se përmbushja me devotshmëri e Interesit Kombëtar është një akt drejtësie dhe njeri i virtytshëm është pikërisht ai individ dhe anëtar shoqërie që i dedikohet këtij qëllimi të lartë. Ja sesi shprehet vetë Konfuci tek Analektet: “Kur një veprim ndërmerret për një qëllim privat quhet përfitim. Kur ky veprim përfitimi bëhet në emër të Shpirtit Publik, quhet drejtësi. Përfitimi publik i shoqërisë duhet të jetë detyrimi i pakushtëzuar i çdo individi në shoqëri.” (Yu-Lan 1952, f. 15) Pikërisht, duke përvetësuar këtë parim Konfucianist administrata publike kineze trumbeton me të madhe se ai individ që nuk udhëhiqet nga ndjenja e Detyrës (chung) dhe nuk është i përgjegjshëm ndaj Shpirtit Kombëtar, gjithashtu nuk është i denjë për të zënë një post publik. “Ndërsa njeriu i virtytshëm mendon për detyrën dhe sanksionet ligjore, njeriu vulgar mendon veçse për favoret që mund të përfitojë nga kapja e këtij posti”. (Beckmann, Johannsson, Snickars & Thord 1998, f. 301) Të shohësh një njeri të keq dhe ta lejosh ende të punojë në zyrë pa e lëvizur prej andej, ky është një gabim i rëndë, na porosit Konfuci.
Përkundër parimit të mësipërm, administrata publike shqiptare jo vetëm që është kthyer në një “zgjua militantësh” dhe është “fisnorizuar” por gjithashtu të gjithë këta klientë financiarë dhe politikë të Partisë janë “shpërblyer” me poste publike në të dyja nivelet administrative. Për rrjedhojë, duke mos e pasur aspak në refene Interesin Kombëtar ata janë të uritur, duke kërkuar të zhvasin e përfitojnë personalisht sa më shumë prej postit të rregulluar publik. Në këto kushte,vlen ajo shprehja jonë popullore: “Gjej shesh e bëj përshesh” dhe “Lër të jem mirë vet, pa nuk u djegërka gjithë vendi.” Është pikërisht ky “sua shushunjash” që i ka thithur lëngun vital administratës publike shqiptare të paktën qysh nga koha e ndërtimit të shtetit të parë shqiptar në 1912 dhe nuk e lë ende të bëjë përpjetë. Ndërsa në administratën publike kineze kishte rrezik që të “fluturonte” edhe koka gjatë procesit të llogaridhënies, këtu kultura e pandëshkueshmërisë është në maksimum dhe askush nuk ka frikë prej askujt, përderisa “të gjithë e kanë mirë me Shefin”… E trishtueshme por fatkeqësisht e vërtetë.
Një parim tjetër i asimiluar nga administrata publike kineze prej etikës Konfucianiste është edhe parimi i kutit matës. Por si ta kuptojmë këtë parim lind pyetja? Ai i përket etikës së komunikimit në administratë dhe operon në dy nivele: a) në raportet epror-vartës dhe b) në raportet mes punonjësit të administratës dhe kërkuesit të shërbimeve prej saj, pra popullit. Në raportin epror-vartës ai thekson bindjen ndaj autoritetit më të lartë nga njëra anë por edhe ekzaminimin e urdhrit nga ana tjetër, sepse një urdhër pavarësisht autoritetit të eprorit që e lëshon, nëse nuk është në përputhje me arsyen dhe të mirën publike punonjësi i administratës publike ka obligimin moral që të mos i bindet urdhrit dhe të mos e zbatojë atë. Siç shprehet edhe Konfuci; “Nga njeriu i virtytshëm pritet qëndrueshmëri por jo një besnikëri e verbër.” (Waley 1956, f. 200). Ndërsa në raportin e dytë, pra marrëdhënien punonjës administrate – popull aplikohet Rregulli i Artë i Konfucit por në formën e tij negative: “Atë që nuk të pëlqen te eprorët e tu mos e zbato mbi ata që ke nën vete.” (Legge 1907, f. 34) Mbaj mend që ti je caktuar aty për ti shërbyer popullit tënd dhe duhet ta tregosh dashamirësi dhe respektin ndaj tij si në komunikim ashtu edhe në përgjegjshmëri ndaj shërbimit të ofruar. “Duke u shërbyer njerëzve, ji i drejtë.” (Waley 1956, f. 110) Vetëm duke ushtruar dashamirësinë dhe drejtësinë ti vë kështu në praktikë zbatimin e Mien-it (esencës së virtytshmërisë).
Një gjë krejtësisht ndryshe ndodh në administratën tonë publike. Duke qenë se institucionet janë të mbushura me militantë, ky i fundit nuk e vret shumë mendjen për integritetin moral dhe kulturën e argumentit. Ai nuk do t’ia dijë as për Shpirtin Publik as edhe për Interesin Kombëtar. Prioritet i tij është përfitimi vetiak dhe këtë ai e ka të qartë si uji dhe vdekja. Atij nuk i intereson edhe aq shumë se çfarë natyre dhe përmbajtjeje ka urdhri i ardhur nga lart. Militanti “hedh firmën” dhe e zbaton atë verbërisht. Ai bën “thjesht çdo Partia” dhe për këtë ndihet i shpërblyer dhe i kënaqur. Ndërsa sa për raportin e dytë, të gjithë kemi qenë në ndonjë rast dëshmitarë të pasjellshmërisë në komunikim, vrazhdësisë, toneve të larta të zërit por edhe sorollatjeve të shpeshta që na kanë bërë punonjësit e administratës sonë thjesht se ata “nuk kanë qenë në humor të mirë”, kanë pasur “ngarkesë në punë” apo qoftë edhe për teka e kapriçio të tyre të çastit.” Në lidhje me këtë fakt Konfuci do hidhërohej dhe do ti shpotiste me një satirë krudo: “Zyrat e shtetit të mbushura me mediokër dhe vajet pa shpirt nëpër vdekje nuk i honeps dot dhe s’dua që ti shoh me sy.” (Waley 1956, f. 100)
Dhe parimi i fundit por jo më pak i rëndësishëm që administrata publike kineze ka përthithur nga etika Konfuciane është ai i zëvendësueshmërisë. Vetë Konfuci pohonte: “Nëse ke energji puno, nëse jo, lirojua vendin të rinjve më energjikë e më të talentuar se ty dhe ripërkushtoju librave.” Mjeshtri e dinte se me kalimin e moshës energjitë, rendimenti dhe aftësitë bien. Plus shto faktin tjetër që ai e kishte shumë zët Shpirtin e Vegjetimit. Ky i fundit, sipas Konfucit e dëmton të Mirën e Përgjithshme duke i “paralizuar” institucionet e administratës publike. Ndaj edhe ai sugjeron këshillën e mësipërme. Kinezët, si një popull me kokë praktike që janë jo më kot çdo 3 vjet bënin inspektime dhe provime publike brenda administratës, për të eleminuar kështu në këtë mënyrë “vegjetimin institucional” dhe “squlljen administrative”. Dhe ata ishin të suksesshëm me këtë metodë. Administrata publike rifreskohej çdo tri vjet “me frymë e gjak të ri” dhe ajo i rikthehej kështu funksionimit të saj normal.
Por çfarë po ndodh sot në administratën ende Anadollake shqiptare, lind pyetja? “Siç e konstaton edhe Fan S. Noli kur flet për 5 Anarkitë, ky vend vuan nga anarkia e idealeve dhe kolltukofagia te shqiptarët është “diçka normale”. (Kulla 2003, f. 290) Shqiptari lufton me çfarëdolloj mjeti, i ndershëm apo i pandershëm qoftë vetëm e vetëm që të mos ia cënojnë interesin vetjak dhe poltronën e tij të ngrohtë e të rehatshme. Në administratën e sotme shqiptare ke ende individë “qysh nga koha e Zemanit” që janë “mykur” në pozicionin administrativ dhe nuk i ka shkulur ende njeri prej aty. Kjo për faktin e thjeshtë se inspektime dhe provime publike në Shqipëri nuk bëhen tamam dhe këta matrapazë të Interesit Publik e gjejnë gjithmonë mënyrën për të “mbijetuar”; qoftë përmes mikut, kulturës së ryshfetit apo liderit partiak. Konkurset publike edhe kur bëhen në shumicën e rasteve janë fiktive, pasi emërimet për pozicionet që jepet provimi janë paracaktuar qysh më parë “thjesht me një telefonatë nga lartë”. Është interesante të konstatosh se Inaptokracia (Sundimi i të Paaftëve) është fosilizuar në sistem dhe përgjithësisht ky i fundit rekruton dhe riciklon pothuajse gjithmonë mediokrin, duke e lënë përherë “pas dere” njeriun e virtytshëm, të formuar dhe me kod moral. Në këto kushte, shpresa vritet dhe besimi publik te performanca e administratës në vend bie. Bashkë me të bie gjithashtu edhe cilësia e shërbimeve që kjo administratë ofron. Pa një reformë reale dhe të vërtetë, e udhëhequr kjo nga vullneti i mirë, dashamirësia kombëtare dhe interesi publik, kam frikë se administrata shqiptare do të vazhdojë të jetë “e gangrenizuar” si më parë dhe të vuaj ende të njëjtat pasoja që ka vuajtur përgjatë këtyre 107 viteve shtet-bërje.
Konkluzione
Çfarë duhet të bëjmë, shtrohet pyetja? Siç edhe e analizuam më sipër, Konfuci na e ofron “të gatshme” recetën ideore për ti shpëtuar kësaj sëmundjeje recidive. Ai thekson se ilaçi për të shëruar të këqijat e një populli është Edukimi. Ky edukim është i lidhur ngushtë me virtytin. Një edukim i mirë prodhon qytetarë të mirë dhe anëtarë më të denjë për shoqërinë e së Nesërmes. Dhe qytetarët e mirë e të virtytshëm do të jenë gjithashtu elementë konstruktiv në kuadër të kohezionit social, administrimit publik dhe të një qeverisjeje më të mirë. Ai duhet të ndodhë në të dy nivelet; vertikal (si edukim i Liderit) dhe horizontal (si edukim i popullit). Ai duhet të nisë nga vetja, pastaj duhet të shpërndahet në kuadër të ndriçimit social. Konfuci ka meritë jo vetëm se qe i pari që e kthehu edukimin dhe mësimdhënien në një profesion, duke i popullarizuar, por gjithashtu ai shërbeu edhe si individ-institucion për ndryshimin e konceptit mbi edukimin dhe krijimin e traditës së rekrutimit të njerëzve me merita vlerore prej administratës publike kineze.
Konfuci e lidh nocionin e tij të etikës me drejtësinë dhe Shpirtin Publik. Ai shqetësohet për dy gjëra kryesore: 1) A është i drejtë dhe i duhur veprimi që kryhet? dhe 2) A i shërben apo jo ky apo ai veprim Interesit Publik? Aq konçize dhe praktike është kjo etikë saqë ajo asimilohet menjëherë duke u kanalizuar si etikë administrative dhe parimet e saj bëhen bazë e manualeve administrative kineze. Për një studim më të detajuar të saj i jemi referuar Manualit të Shangait. Konfuci e përdorte mjaft mjetin e analogjisë. Të njëjtën gjë kemi praktikuar edhe ne përgjatë këtij punimi duke vënë përballë njëra-tjetrës administratën publike kineze ndaj asaj shqiptare. Dallimet dalin vetvetiu qartazi përmes këtij krahasimi.
Nga një sërë parimesh Konfuciane që kanë modeluar administratën publike kineze, ne kemi nxjerrë si më të rëndësishme 4 prej tyre:1) Parimi i Meritokracisë, 2) Parimi i Interesit Publik mbi atë Privat, 3) Parimi i Kutit Matës dhe 4) Parimi i Zëvendësueshmërisë. Parime për të cilat besojmë dhe shpresojmë që të implementohen një ditë edhe në administratën publike shqiptare, duke e transformuar atë rrënjësisht dhe duke e bërë po aq efiçente sa edhe ajo kineze. Vetëm në këtë mënyrë mund të restaurohet besimi te mendja publike dhe të ripërtërihet shpresa se gjërat po fillojnë të funksionojnë edhe në këtë vend. Le ta rreshtim këtu këtë punim me një tjetër mëndje publike si ajo e politologut të Harvardit, Walter Lippmaan: “Kërkohet gjithashtu dije për ta kuptuar dijen. Filozofia shndërrohet në asgjë kur audienca është e shurdhët.”
Referencat
Beckmann, M. & Johannsson, B. & Snickars, F. & Thord, R. (1998). Knowledge and networks in a dynamic economy. Heidelberg: Springer.
Clarke, F, J. (1872). Ten Great Religions: An Essay in Comperative Theology. Boston: James R. Osgood & Co.
Cheng, H, T. (1947). China moulded by Confucius. London: Stevens & Sons.
Faber, E. (1873). A Systematical Digest of the Doctrines of Confucius. London: The Presbyterian Mission Press.
Fu, Du. (1962). Përse më dhëmb zemra. Vjersha të zgjedhura. Tiranë: Naim Frashëri.
Giles, L. (1910). The moral sayings of Confucius. New York: E. P. Duton & Co.
Hsü, L. (1932). The Political Philosophy of Confucianism. New York: E. P. Duton & Co.
Kulla, N. (2003) Antologji e Mendimit Shqiptar 1870-1945. Tiranë: Plejad.
Legge, J. (1907). The Prologomena to the Chinese Classics of Confucius & Mencius. London: Oxford University.
Mc Lean, I. (2001). Oxford, Fjalor Politik. Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit.
Qizhi, Zh. (2016). Historia e Kinës. Tiranë: Dituria.
Soothill, E, W. (1910). The Analects or the conversations of Confucius with his disciples and certain others. London: Oxford University.
Waley, A. (1956). The Analects of Confucius. London: G. Allen & Unwin.
Yu-Lan, F. (1952). A History of Chinese Philosophy. Princeton: Princeton University.
[1]. Shënim: Megjithëse është përdorur si term më i përshtatshëm ai i profesor Soothill-it të Oxfordit, pothuajse të gjitha maksimat e përdorura në këtë punim janë shkëputur nga përkthimi i “Analekteve” prej Arthur Waley-t.
Dec 05, 2018 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Jun 26, 2021 0
Jan 20, 2020 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...