Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Dec 11, 2020 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. Shpirtshmëria Islame dhe etika kur’anore
Prof. Asoc. Atif Khalil
Universiteti Lethbridge, Kanada
Në zemër të shpirtshmërisë islame gjendet Kur’ani, i cili siguron burimin e bindjeve dhe praktikave të saj. Në shkallën që Islami tradicional si tërësi u gjallërua nga shpallja e tij qendrore, hem në formë, hem në frymë – që prej ligjit dhe adhurimit e deri te teologjia dhe artet – do të ishte veçse e natyrshme që kumbimet e saj t’i gjenim teksa përshkojnë edhe shpirtshmërinë e Islamit. Me të vërtetë, disa prej shprehjeve letrare më ndikuese të shpirtshmërisë islame, që shtrihen nga Ihja’ ‘ulum ed-din (“Rigjallërimi i shkencave fetare”) e Ghazaliut (vd. 1111) deri te Methnewi-i ma‘nawi (Dyvargësh të përshpirtshëm) i Rumiut (vd. 1273), morën formën e zbërthimeve të tekstit sakral, paçka se në ton të ndryshëm, ngjashëm me vepra mesjetare në hebraishte, të cilat shpesh rrënjëzoheshin në Teurat. “Gjithë çka flasim në kuvendimet dhe shkrimet tona”, – do të rrëfente Ibn ‘Arabiu (vd. 1240), – “vjen nga Kur’ani dhe thesaret e tij.” Po ashtu, kur Ebu Talib el-Mekki (vd. 996) deklaronte në Kutu’l-kulub (Ushqimi i zemrave) – mbi bazën e një thënieje të mëhershme, e cila shpesh i njihet Pejgamberit, se “njerëzit e Kur’anit janë njerëzit e Hakut dhe të zgjedhurit e Tij”, ai po shprehte një pikëpamje të ngulitur në sufizëm, të cilit ai po i jepte zë. Pasuria kuptimore e shpalljes islame do t’i jepte shkas shumë debateve që do të gjallëronin kulturën intelektuale të shpirtshmërisë islame dhe, matanë kësaj, shkollat teologjike të larmishme garuese të Islamit.
2. Në prag të censit të popullsisë dhe banesave, një rishikim i ‘Census 2011’
Ilir Akshija, M.D., M.Sc., Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Departamenti i Statistikave, Tiranë
Në vitin 2020 pritej të bëhej censi i popullsisë dhe banesave, organizuar nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), por që tashmë është shtyrë për në një moment tjetër. Në draft-pyetësorin gjendet edhe pyetja rreth përkatësisë fetare në rubrikën e temave jo-kryesore, ku vihet re edhe pyetja problematike e kategorizimit në ‘myslimanë’ dhe ‘bektashi’, ndërkohë që bektashinjtë janë myslimanë, gjë që çon në njëfarë mbivendosje, që mund të sjellë edhe hezitim në përgjigje ose mospërgjigje. Ky problem, teknik, nuk ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve fetare në Shqipëri, marrëdhënie, që mund të përmblidhen shumë mirë në lidhje me numrat në fjalët e H. Hafiz Sabri Koçit: “Ç’të duhet përqindja?”, kur pyetet për raportet numerike të besimeve fetare, aq sa me detyrën për një numërim profesional me përfitime, sidomos në planifikimin dhe shpërndarjen e burimeve njerëzore, etj.. Rishikimi i censit të vitit 2011 dhe problematikave të tij, në lidhje me këtë temë, sjellin rekomandime të vlefshme për numërimet në vazhdim.
Fjalëkyçe: H. Hafiz Sabri Koçi, census, Shqipëri, përkatësi fetare, mysliman, bektashi, emigracion
3. Përballimi i dhimbjeve kronike dhe atyre shpirtërore, parë në këndvështrimin e shkencës dhe fesë
Msc. Mehmet Disha, Drejtoria e Kulturës, KMSH
Njeriu, duke qenë se është krijuar që të ketë një natyrë ndiesore të luhatshme, sprovohet në shumë mënyra. Meqenëse njeriu është i përfshirë në dimensionin kohor, problematikat e tij fizike dhe shpirtërore variojnë sipas fazave jetësore, duke filluar që nga lindja, deri në plakje. Përvoja jetësore e forcon atë për qëllime të përsosjes dhe çdo dhimbje, pengesë, gur, gjemb dhe çdo udhë e stuhishme, është një projekt që e zhvesh njeriun nga të gjitha shtojcat e ngurta, nga çdo copëz teprie e kësaj bote, në mënyrë që njeriu, tanimë i pastruar, të mund të jetë përfundimisht vetvetja. Nëse njeriu është i gjithi i pastër, atëherë kjo i vlen atij për plotësimin e përsosurisë në këtë botë, që të mund të shkojë i mirëpërgatitur drejt amshimit.
Fjalë kyçe: fe, dhimbje, përballim shpirtëror, lutje
4. Roli i familjes në ngritjen e imunitetit shoqëror
Prof. asoc. dr. Zija Abdullahu, Fakulteti i Studimeve Islame, Prishtinë, Kosovë
Struktura shoqërore i përngjan strukturave të gjallesave të tjera, të cilat kanë nevojë për sigurimin e imunitetit, që të vazhdojnë jetën e tyre, imunitet i cili do t’i mbrojë nga çdo shkatërrim i brendshëm apo sulm i jashtëm. Në të njëjtën mënyrë është e domosdoshme që edhe struktura shoqërore të ketë imunitet për ta mbrojtur vetveten.
Për një imunitet të tillë shoqëria ka nevojë në çdo kohë dhe vend. Prandaj ky imunitet duhet të jetë i nivelit sa më të lartë. Në këtë imunitet bëjnë pjesë dhe luajnë rol shumë faktorë siç është ai; politik, ekonomik, shëndetësor e shkencor. Ndër këta faktorë rol të rëndësishëm luan edhe ai familjar, të cilit Islami i ka kushtuar një rëndësi të veçantë, sepse familja, siç e dimë, është qelizë dhe bërthamë e shoqërisë, dhe sa më e shëndoshë të jetë familja aq më tepër ngrihet imuniteti i saj dhe anasjelltas.
Për ngritjen e imunitetit shoqëror, përmes familjes, Islami i rregulloi marrëdhëniet brenda individëve të familjes, duke ia caktuar secilit rolin, detyrat, përgjegjësitë dhe të drejtat e tij. Madje, Islami tregoi kujdes ndaj familjes që para se të formohet ajo, përmes rregullave që ka vendosur në zgjedhjen e bashkëshortëve të njëri-tjetrit, e që duhet të jetë në bazë të virtyteve sa më të larta, e jo të aspektit material apo të ndonjë interesi kalimtar. Këtë lidhje e ngjyrosi me shenjtëri të bazuar në mëshirën e Zotit, e që fut në zemrat e tyre respekt ndaj njëri-tjetrit. E vazhdoi me përgjegjësitë dhe respektin që duhet ta kenë anëtarët e familjes mes tyre, siç janë përgjegjësitë e prindërve ndaj fëmijëve, dhe anasjelltas, duke e zgjeruar rrethin familjar edhe me përgjegjësitë dhe marrëdhëniet me farefisin.
Me vendosjen e këtyre normave dhe përgjegjësive Islami ia caktoi familjes rolin kyç në ngritjen i imunitetit shoqëror dhe mbrojtjen e saj nga rënia, duke e ngritur atë në nivel sa më të lartë.
Fjalët kyçe: Shoqëri, imunitet, familje, arsimim, mëndeshë, lidhshmëri
5. Një familje e ndërtuar si model mbi vlerat islame
Ma. Dorian Demetja, Drejtoria e Kulturës, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
E dimë shumë mirë se zhvillimi i njerëzimit është projektuar dhe ndodh vetëm mbi strukturën familjare, sepse ky është një nga ligjet e Zotit. Prandaj këtu bëhet fjalë për modelin e ndërtimit dhe funksionimit të familjes dhe jo për konceptin e saj. Thuajse të gjithë sociologët, pavarësisht rrymave të mendimit filozofik, janë të unifikuar në domosdoshmërinë e njësisë familjare. Kjo është sanksionuar me konsensus ndërkombëtar si në Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, ashtu edhe në Kodet e Familjes, që aplikohen në sistemet juridike të të gjithë shteteve në botë. Debati ideor zhvillohet në prizmin e ndërtimit, funksionimit dhe efikasitetit të modeleve alternative, që ofrojnë zhvillimet shoqërore në kohë të ndryshme.
6. Efektet e programeve të prindërimit në performancën e prindërve dhe zhvillimin e fëmijëve: rasti i Shqipërisë
Dr. Ana Uka, Departamenti i Shkencave të Edukimit, Kolegji Universitar “Bedër”, Tiranë
Programet e prindërimit janë programe parandalimi apo ndërhyrjeje të zhvilluara për të përmirësuar apo ndryshuar performancën e prindërve përmes trajnimit, mbështetjes ose edukimit, dhe qëllimi i tyre kryesor është të ndikojnë në mirëqenien e fëmijëve, veçanërisht midis vendeve me të ardhura të ulëta. Programet e prindërimit kanë treguar të jenë efektive në uljen e numrit të faktorëve të rrezikut siç janë prindërimi joefektiv ose stresi i prindërimit dhe rritjen e zhvillimit të marrëdhënieve të qëndrueshme familjare dhe aftësive prindërore dhe mbështetjen për të parandaluar sfidat e zhvillimit të fëmijëve. Prandaj, hulumtimet tregojnë se efektet e programeve të prindërimit në përmirësimin e zhvillimit të fëmijëve janë pozitive në pjesën më të madhe të rezultateve. Qëllimi i këtij studimi ishte të eksploronte literaturën ekzistuese mbi programet e prindërimit me fokus në vendet në zhvillim për të identifikuar përfitimet, vështirësitë dhe udhëzimet për kërkime të mëtejshme. Duke pasur parasysh faktin se programet e prindërimit kanë efekte pozitive në një gamë të gjerë të aspekteve të lidhura me prindërit dhe fëmijët, implementimi i programeve të tilla si një mjet për të përmirësuar familjen dhe mirëqenien e fëmijëve është shumë i kufizuar në Shqipëri.
Fjalët kyçe: programe prindërimi, fëmijë, rezultate të zhvillimit, familja, Shqipëri
7. Psikologjia dhe feja, dy qasje ndaj shëndetit pozitiv mendor
Amber Haque PhD, School of Psychology & Social Work, Doha Institute for Graduate Studies, Katar
Historikisht, psikologjia dhe feja kanë punuar veçmas në drejtim të përmirësimit të shëndetit mendor në mesin e njerëzve. A mund të funksionojnë psikologjia dhe feja së bashku dhe të korrin rezultate më të mira për klientin? Sa e rëndësishme është feja për njerëzit dhe sa të rëndësishme janë vlerat fetare për psikologët? Cila është marrëdhënia midis fesë dhe shëndetit mendor? Si merren shkollat e sotme të psikologjisë me klientin fetar? Si është e integruar feja në psikoterapi? Këto dhe çështje të tjera të lidhura janë adresuar në këtë punim. Është konstatuar se psikologët janë të detyruar të punojnë brenda sistemit të vlerës së klientit dhe se kjo qasje do të arrinte një rezultat terapeutik më pozitiv.
.
8. Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Përsiatje mbi studimin monografik të Prof. Rahim Ombashit Historik i shtypit periodik shqiptar (Sprovë për një poetikë historike)
Dr. Agron Tufa
Duke lexuar dorëshkrimin e këtij studimi monografik të profesor Rahim Ombashit, me nëntitull Sprovë për një poetikë historike, m’u forcua mendimi mbi rolin e jashtëzakonshëm prijëtar, që revistat dhe periodikët kanë luajtur në jetën shpirtërore, politike e shoqërore të botës shqiptare.
Historia e revistave nis të numërojë që nga viti 1665, nga momenti i daljes së Journal des scavans, të cilën është bërë zakon ta quajnë si të parën revistë në botë. Mandej revistat kanë ruajtur funksionin e përhapjes se ideve (në formën e dijeve shkencore, krijimtarisë letrare, pikëpamjeve bashkëkohore të fiksuar në memuare, ditare, letra e refleksione), duke shtruar kështu perspektivën, si një projeksion i së ardhmes, krejt në akord me kuptimin e origjinës franceze të fjalës journal, që do të thotë «ditar, i përditshëm».
9. Vepra “Inkoherenca e filozofëve” e Gazaliut
Prof. Frank Griffel, Universiteti Yale, SHBA
Marrëdhënia mes filozofisë Greke dhe, më së shumti, asaj Aristoteliane dhe Neoplatonike në filozofinë (felsefe) Arabe dhe në drejtime të ndryshme të teologjisë Islame (kelam) është e ndërlikuar, saqë nuk mund të shpjegohet lehtësisht. Që me fillimin e filozofisë (felsefe) në shekullin e III/VIII, mendimtarët filozofë ishin të angazhuar në bashkëbisedime me teologët, ndonëse në shumicën e rasteve kemi pak evidenca për shkëmbimet midis këtyre grupeve. Për shembull, El-Kindi (v. 250/865), shfaq një interesim të etur për kelam-in në një shtrirje ku ndodhen lidhje midis Mu’tezilizmit dhe mësimeve të veta (Adamson 2007, 55, 104-105). Në rastin e disa Filozofëve Aristotelianë të Bagdadit, ne kemi evidenca për shkëmbime të drejtpërdrejta, si debati i famshëm në vitin 326/938 midis filozofit Ebu Bishr Metta bin Junus (v. 328/940) dhe gramatikanit Ebu Said el-Sirafi (v. 368/979), i cili ishte i trajnuar në kelam-in Mu’tezilit, referuar studimit të logjikës (Endress 1986), ose letra e ‘Isa bin Zurʾes (v. 398/1008) drejtuar një Mu’teziliti bashkëkohës (Starr 2000). Ebu Bekr Zekerijjaʾ el-Razi (v. 313/925) ishte i angazhuar në shkëmbime të drejtpërdrejta me Mu’tezilitët e kohës së vet mbi pyetjet e metafizikës dhe kozmologjisë (Rashed 2000). Për shembull, el-Farabi (v. 339/950-951) ishte veçmas mjaft i vetëdijshëm për mësimet e kelam-it dhe u dha pyetjeve përgjigje verbale (Daiber 1983). Disa prej çështjeve filozofike, si ajo mbi vullnetin e lirë njerëzor, janë çuditërisht të ngjashme me ato të mbrojtura prej Mu’tezilitëve (Griffel 2009, 139). Në rastin e Ibni Sinës (Avicenna, v. 428/1037), ne tashmë kemi studime të vlefshme analitike, që dokumentojnë bashkëveprimin e ndërlikuar midis filozofisë (felsefe) dhe kelam-it të hershëm (p.sh., Wisnovsky 2004).
10. Dervish Hatixheja dhe kontributi i saj
Dr. Ilirjana Kaceli, Kolegji Universitar Bedër
Dervish Hatixheja ka jetuar në Tiranë rreth viteve 1800. Në këto vite Tirana po përballej me epideminë e kolerës, një sëmundje e rëndë, e cila sillte humbje të mëdha jetë njerëzish në popullisnë e qytetit. Dervish Hatixheja u përpoq t’i mjekonte dhe ndihmonte njerëzit e prekur nga kjo sëmundje. Populli i Tiranës për të mirat që ajo kishte bërë, por edhe për të respektuar punën dhe kontributin e saj, filluan ta thërrisnin me emrin Dervish Hatixhe. Ky emër zakonisht nuk përdorej për gratë, por duke e parë kujdesin që tregonte, punën që kreu, dashurinë që tregonte për njerëzit e thirrën atë me emrin dervish.
Sot në Tiranë ka një rrugë që mban emrin e saj. Aty në anë të saj ndodhet edhe një teqe – që mban emrin e saj. Kjo teqe është ruajtur me kujdes nga familja e saj dhe brez pas brezi vizitohet shpesh nga njerëz të moshave të ndryshme.
Me këtë punim duam të japim të dhëna për figurën e Dervish Hatixhesë por edhe për të kaluarën dhe të sotmen e kësaj figure bamirësie, shembulli të besimit të virtytshëm të fesë islame. Duke e vlerësuar veprën dhe kontributin e saj, nëpërmjet hulumtimeve të kryera dhe përfundimeve të nxjerra.
Fjalë kyçe: Dervish Hatixhe, Tiranë, Teqe
Fëmija âsht emanet në dorë të prindëve, zemra e pastër e tij âsht nji esancë fisnike, pa kurrë farë forme e stolije; por se kapabël me marrë çdo formë qi parashtrohet; po j’u tregue e po j’u mësue e mira, po u stërvit me të mira formohet me të mirën; fiton stimë e admirim; kalon nji jetë të lumtun. Prindënit e tij, mësuësit dhe edukatorët fitojnë lavd dhe kënaqen me veprën e tyne.”
Përkundrazi, në qoftë se fëmija lêhet mbas doret e në kokë të vet, ka me ndjekë gjurmët e të këqive e ka me u bâ edhe vetë i keq. Edhe responsabiliteti i këtij faji u përket prindënvet, tutorëve e kujdestarëve. Prandaj detyra e babës âsht me i mbrojtë fëmít nga veset e me i u dhanë nji edukatë të mirë.
Oct 22, 2019 0
Apr 11, 2019 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...