Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 13, 2020 Zani i Nalte Editoriale 0
Më 16 nëntor 1990, në Xhaminë e Plumbit, Shkodër, H. H. Sabri Koçi mbajti hutben e parë pas 23 vitesh Hafizi vuajti në lëkurën e tij persekutimin komunist për 20 vjet e 4 muaj burgim.
Ne u bëmë vendi i parë dhe i vetëm në botë që sanksionuam me Kushtetutë ateizmin. Kleri u persekutua, hoxhallarë e priftërinj u martirizuan. U edukua e gjithë shoqëria me frymën antifetare.
Komunizmi ateist tentoi të prishë ADN-në e shqiptarit, edukoi një brez të tërë pa ndërgjegje, me ideale vetëm materialiste, bëri shpirtin e njeriut akull, denatyroi esencën e njeriut, humanizmin.
Eksperimenti unik në botë për të krijuar “njeriun e ri” zgjati 23 vite. -16 nëntor 1990, dita më e bukur e jetës sime, thoshte Hafiz Sabriu. Ndoshta, për të lindurit pas viteve 1990 kjo thënie e Hafizit mund të duket paksa e çuditshme.
I nisa këto radhë për të folur për lirinë, lirinë e besimit, dhe, siç e do zakoni, në kësi rastesh duhet t’i referohesh së tashmes përgjithësisht. Pa diskutim ashtu është, por është shumë e rëndësishme të mos harrojmë të shkuarën. Të mos i njohim tragjeditë e së shkuarës thjesht si çështje teatrale, si ngjarje që kanë ndodhur dikur dhe nuk përsëriten.
Rendet autoritare, sidomos komunizmi, nuk e durojnë dot besimin në Zot, dorëzimin e njeriut të Zoti i Gjithësisë si e vetmja fuqi absolute. Gjithsesi, edhe pse 23 vjet ngricë shpirtërore, shumë shqiptarë kishin mbrujtur brenda tyre dashurinë për Zotin, ruajtën ndezur brenda shpirtit të tyre një zjarr që nuk lejoi ngricën komuniste të ftohte besimin e tyre në Zot.
Kjo gjë u vërtetua në muajin nëntor 1990, xhumaja e parë dhe mesha e katolikëve, mbajtur në qytetin e Shkodrës. Në atë falje të xhumasë së 16 nëntorit morën pjesë mbi 55 mijë vetë. Ky ishte një tregues se besimi në Zot nuk shuhet dot me ligj. Edhe pse shkaktoi dëme të jashtëzakonshme, sërish etja e shpirtit për Zotin e tij ishte shtuar.
Në këtë 30-vjetor liri besimi në Shqipëri, mund të themi pa asnjë dyshim se fetë dhe të gjitha komunitetet fetare kaluan më shpejt dhe më me sukses atë periudhën kohore të quajtur tranzicion, sesa çdo aspekt tjetër social.
U ringritën objektet e kultit, u rihapën dhe konsoliduan institucionet arsimore me frymë fetare. Tradita e tolerancës fetare vazhdoi aty ku e kishim lënë, mirëkuptimi dhe vëllazëria nuk janë vënë në diskutim asnjëherë. Edhe me cytje, të brendshme apo të jashtme qofshin, gjëra krejt normale në një sistem të hapur, nuk kanë mundur dot të lëkundin kolonat e vëllazërisë e tolerancës. Komunitetet fetare, ai mysliman që unë kam privilegjin të përfaqësoj, dhe komunitetet e tjera që drejtohen nga vëllezërit e mi të nderuar, kanë qenë kontribuuese për paqen sociale në ditë të mira dhe në ditë të vështira.
Gjendja shpirtërore e këtyre viteve që po jetojmë është e volitshme për kapërcime edhe të disa hijeve jo fort të këndshme në shoqërinë tonë.
Etosi harmonik i shoqërisë sonë nuk është rastësi. Nuk është arritur thjesht nëpërmjet institucionalizimit të programuar, më respekto, të të respektoj, ndryshe shkojmë para ligjit! Ka pasur momente në historinë e kombit tonë ku ligji nuk ka pasur shumë fuqi, por kjo gjë kurrë nuk ka çuar në një konflikt midis dy shqiptarëve për shkak të besimit.
Ky aspekt është një nga pasuritë më të mëdha që kemi kultivuar e mirëmbajtur këto 30 vite si shoqëri, aq sa shpeshherë na e përdorin si “mall” për eksport. Në këtë 30-vjetor është rasti të sjell në kujtesë se pasojat e “njeriut të ri” nuk janë venitur ende. Ka minoranca të kamufluara nën petkun e laicizmit dhe lirisë që keqpërdorin pikërisht këto dy koncepte.
Nuk mund të rrimë pa sjellë në vëmendje se ekziston një diskriminim i pakuptimtë, në disa aspekte, ndaj gruas myslimane në Shqipëri. Mbulesa fetare! Përdoret shpesh një gjuhë pezhorative ndaj këtij obligimi fetar dhe zgjedhje të lirë për gruan myslimane. Një tjetër aspekt, shenjtëria e Profetit Muhamed (a.s.), hera-herës, nuk respektohet gjithashtu.
Profeti ynë i dashur, ashtu sikurse të gjithë profetët, të cilët ne i pranojmë, kanë bashkëjetuar me ateistë, me laikë, me besimtarë të besimeve të ndryshme nga besimi që vetë ata predikonin. Por, profetët nuk kanë fyer kurrë kënd, edhe pse janë fyer në mënyrat më të ulëta. Edhe ne si ndjekës të tyre këtë gjë përpiqemi të bëjmë.
Të qenët të paqtë, është burim frymëzimi profetik për ne. Pluralizmi në Shqipëri është i ri, fenomene të tilla janë guralecë që ngadalësojnë këtë mekanizëm gjigant të ecë me shpejtësinë e duhur përpara.
Shumë është arritur këto 30 vite, por sigurisht edhe shumë mbetet për t’u bërë në kësi çështjesh, për t’u tejkaluar. Ne kemi barrën për të kuruar sa mundemi pasojat që ka lënë te një brez i tërë doktrina e “njeriut të ri”, kemi gjithashtu përgjegjësinë për të qenë edukatorë të mirë dhe shembull i mirë për brezin e ri që po rritet.
Duhet që gjithsekush nga ne ta shohë këtë si përgjegjësi te vetja e tij, të mbrujtim vlerat më të pastra fetare, patriotike dhe edukative te rinia jonë! Të ushqejmë vazhdimisht ndjenjat e respektit për njëri-tjetrin, pavarësisht besimit apo bindjeve të gjithsecilit! Data, muaj apo vite që shënojnë ngjarje të rëndësishme në histori, duhet të na shërbejnë si momente reflektimi për çdo njërin nga ne. Kështu, ne do të mund të jemi vlerësues ndaj vlerave të tilla si liria, toleranca dhe harmonia midis njëri-tjetrit.
* Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë
** Botuar në gazetën Panorama, dt. 13 nëntor 2020
http://www.panorama.com.al/rikthimi-te-liria-per-te-besuar/
Sep 18, 2021 0
Jan 23, 2021 0
Nov 10, 2020 0
Nov 16, 2017 0
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...