Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Oct 22, 2020 Zani i Nalte Shkenca Islame, Studime 0
Mr. Sc. Bahri Curri, Kosovë
Abstrakt
Të drejtat e njeriut janë të patjetërsueshme dhe universale. Kjo do të thotë se brenda shtetit ligjor dhe demokratik të drejtat e njeriut duhet të respektohen për të gjithë njerëzit, pa dallim gjinie, ngjyre, vendi, feje, pasurie; qytetar i arsimuar, akademik apo jo i arsimuar, të gjithë duhet t’i gëzojnë të drejtat njerëzore në mënyrë të barabartë dhe pa asnjë lloj diskriminimi qytetar, të cilët jetojnë brenda juridiksionit të shtetit.
Shteti është shprehje e nevojës që ndien shoqëria për ekzistencën e një pushteti të organizuar, të pajisur me mjetet e duhura të shtrëngimit dhe të aftë për ta drejtuar vetë shoqërinë, duke i imponuar zgjidhjet, që atij i duken të arsyeshme, nëpërmjet normave juridike.
Personaliteti i individit në Shtetin Islam është i theksuar. Individi i gëzon të gjitha të drejtat që i garanton Islami, sepse atë që e garanton Islami e garanton edhe Shteti Islam. Gëzimi i të drejtave të individit konsiderohet garanci më e madhe për mbështetjen e Shtetit Islam, një ndërtesë e shëndoshë dhe e aftë për sendërtimin e qëllimeve të veta. Së këtejmi, Shteti kujdeset që individi t’i gëzojë të drejtat e veta ashtu siç kujdesen ata vetë për këto të drejta. Shteti absolutisht nuk ka interes që t’i uzurpojë këto të drejta, sepse ai është formuar për t’iu mundësuar individëve që të bëjnë jetë dinjitoze.
Gëzimi i të drejtave nuk kufizohet vetëm për myslimanët, por i përfshin edhe jomyslimanët dhimmitë. Në këtë kontekst hyjnë edhe detyrimet e ndryshme. Në kuadër të kësaj është edhe çështja e xhizjes.
Në Sheriat xhizja nënkupton një sasi të caktuar të pasurisë, e cila merret nga jomyslimanët, si taksë sigurie nën qeverisjen islame. Si kundërshpërblim do të jenë të sigurt për jetën e tyre, pasurinë e nderin dhe nuk do të detyrohen që ta pranojnë Islamin, as do të pengohen që t’i zbatojnë ceremonitë dhe liturgjitë e veta.
Fjalët kyçe: xhizje, dhimmiu, shteti islam, gjendja, liria.
1. Njeriu si qenie
Njeriu është qenie e ndërlikuar. Në shkencë, por deri diku edhe në jetë, ndeshemi me konceptet njeri, individ, personalitet, individualitet; dhe shpesh atyre u jepen kuptime të ndryshme. Koncepti njeri ka të bëjë me atributet e kësaj qenieje, si natyrore, ashtu edhe shoqërore.
Njeriu edhe pse është një qenie biologjike, dallohet nga të gjitha gjallesat e tjera, jo vetëm nga disa veçori biologjike e specifike për të si qëndrimi vertikal, ecja drejt, duart të përshtatura për punë, tru shumë kompleks i zhvilluar, por nga prania e vetëdijes, e cila është produkt shoqëror. Gjatë zhvillimit të vet historik ai është harmonizuar, njerizuar, socializuar. Kjo anë përbën tiparin themelor specifik të qenies njerëzore. Ajo zhvillohet si vetëdije në procesin e punës, të komunikimit ndërnjerëzor, të marrëdhënieve shoqërore që zhvillohen midis njerëzve. Pikërisht në këtë proces zhvillimi ai afrohet edhe si personalitet.[1]
Prandaj në kuadër të shoqërisë dhe në raport me marrëdhëniet shoqërore, njeriu ka obligime dhe të drejta.
2. Respektimi i të drejtave të njeriut
Të drejtat e njeriut janë të patjetërsueshme dhe universale. Kjo do të thotë se, brenda shtetit ligjor dhe demokratik, të drejtat e njeriut duhet të respektohen për të gjithë njerëzit, pa dallim gjinie, ngjyre, vendi, feje, pasurie; qytetar i arsimuar, akademik apo jo i arsimuar, të gjithë duhet t’i gëzojnë të drejtat njerëzore në mënyrë të barabartë dhe pa asnjë lloj diskriminimi qytetar, të cilët jetojnë brenda juridiksionit të shtetit.[2]
3. Shteti nevojë e shoqërisë
Shteti është shprehje e nevojës që ndien shoqëria për ekzistencën e një pushteti të organizuar, të pajisur me mjetet e duhura të shtrëngimit dhe të aftë për ta drejtuar vetë shoqërinë, duke i imponuar zgjidhjet që atij i duken të arsyeshme, nëpërmjet normave juridike. Termi “Shtet” përdoret në dy kuptime: në kuptimin e një organizate politike në shoqëri dhe në kuptimin politiko-gjeografik.
Shteti, si organizatë e sundimit politik, është një fuqi e organizuar, e cila, vullnetin e saj, ia imponon gjithë shoqërisë dhe disponon një aparat të tërë për zbatimin e këtij vullneti. Pushteti politik, që sigurohet nëpërmjet shtetit, nuk është qëllim në vetvete, por mjet për të vënë në zbatim një politikë të caktuar. Si organizatë e sundimit politik, shteti duhet:
Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe nocioni shtet definohet kështu: “Organizatë politike e klasës sunduese të një vendi, e cila ka për qëllim të mbrojë interesat e kësaj klase dhe rendin ekzistues, nga klasat e forcat kundërshtare brenda vendit dhe nga armiqtë e jashtëm.”[3]
Karakteristikat e shtetit i përmbledh edhe Dr. Uehbeh Ez-Zuhejli duke e definuar kështu: “Shteti në definimin modern është: Grumbull i madh njerëzish që banojnë në mënyrë të përhershme në një rajon të caktuar gjeografik dhe që i nënshtrohen një pushteti suprem apo një sistemi të caktuar politik.”[4]
Koncepti shtet është relativisht i ri dhe i takon kryesisht mendimit modern. Shteti, me gjithë strukturën e tij që përfshin: organizimin administrativ, institucionet ekonomike, sistemin ligjor, organizimin ushtarak dhe institucionet sociale, realizon dhe mbron të drejtat e të gjithëve që banojnë në të, pa dallim mes tyre.[5]
Sheriati Islam, duke qenë gjithëpërfshirës, nisur nga ajeti kur’anor:
مَا فَرَّطْنَا فِي الْكِتَابِ مِنْ شَيْءٍ
“Asgjë nuk kemi lënë pas dore nga Evidenca (Libri).”[6],[7]
parasheh domosdoshmërisht formimin e shtetit. Ibn Tejmije, duke e komentuar këtë, thotë: “Të udhëhequrit e njerëzve është prej detyrave më të mëdha të fesë, madje nuk plotësohen as nevojat e fesë e as të dynjasë përveçse me të (udhëheqje). Njerëzit nuk mund të plotësojnë nevojat dhe interesat e tyre pa u grumbulluar (bashkuar) për nevojat e njëri-tjetrit, duke u përkrahur reciprokisht, në vjeljen e dobive dhe largimin e dëmeve, ku dihet se njeriu duke vepruar individualisht nuk mund të vjelë të gjitha dobitë e tij, e as t’i largojë dëmet e tij.”[8]
Andaj formimi i Shtetit Islam është i domosdoshëm për t’i zbatuar Dispozitat e Sheriatit Islam.
4. Të drejtat e individit në Shtetin Islam
Personaliteti i individit në Shtetin Islam është i theksuar. Individi i gëzon të gjitha të drejtat që i garanton Islami, sepse atë që e garanton Islami e garanton edhe Shteti Islam. Gëzimi i të drejtave të individit konsiderohet garanci më e madhe për mbështetjen e Shtetit Islam, një ndërtesë e shëndoshë dhe e aftë për sendërtimin e qëllimeve të veta. Së këtejmi Shteti kujdeset që individi t’i gëzojë të drejtat e veta ashtu siç kujdesen ata vetë për këto të drejta. Shteti absolutisht nuk ka interes që t’i uzurpojë këto të drejta, sepse ai është formuar për t’iu mundësuar individëve që të bëjnë jetë dinjitoze.
Gëzimi i të drejtave nuk kufizohet vetëm për myslimanët, por i përfshin edhe jomyslimanët dhimmitë. Në këtë kontekst hyjnë edhe detyrimet e ndryshme. Në kuadër të kësaj është edhe çështja e xhizjes. [9]
1.1. Xhizja para Islamit
Historia e xhizjes është histori e vjetër, aq e vjetër sa edhe kolonializmi, luftimi i popujve dhe pushtimi i tokave të tyre për të thithur të mirat e tyre. Në kohët e vjetra, si dhe në Mesjetë, xhizje kishte emra të ndryshëm, por që të gjitha emërtimet synonin një gjë të vetme: Të detyruarit popullin, tokën e të cilit e kanë pushtuar, që të paguajë tatim për kokë banori.[10]
Ky sistem mbeti në Egjipt deri kur erdhën myslimanët dhe e çliruan.[11]
“Simon, çka të thotë mendja, mbretërit e dheut, prej kujt e mbledhin taksën ose tatimin? Prej fëmijëve të vet apo prej të huajve?” Kur iu përgjigj: “Prej të huajve”, Jezusi i tha: “Pra, fëmijët qenkan të lirë!”[12]
Pra, vendosja e xhizjes ishte e zakonshme në ato kohëra. Madje edhe në kohët moderne ngadhënjimtari e detyron humbësin që të paguajë tatim të veçantë.[13]
1.2. Xhizja në Islam
Tatimi dhe forma e xhizjes nuk është shpikur nga myslimanët, e as që filloi kjo lloj takse nga ata, por ajo ekzistonte shumë më herët dhe u bë e njohur te myslimanët, sepse në Shtetin Islam u zbatua për një kohë të gjatë, dhe nëpër shekuj të tërë deri në kohën e fundit të Perandorisë Osmane.[14]
Islami nuk ndaloi normat shoqërore dhe zakonet njerëzore që i paraprinë ardhjes së tij, por vendosi një standard më të lartë, përmbi dyshimet e të tjerëve. Islami u ofron tiparet e veta civilizuese popujve që bien nën sundimin tij. Duke e ngritur xhizjen për ta bërë atë jo vetëm një pagesë të komunitetit që të pushtuarit ia paguajnë fitimtarit, por si një marrëveshje detyruese mes popullit mysliman dhe popujve që eventualisht bien nën sundimin islam. Xhizja u bë një kontratë apo marrëveshje mes dy palëve, e mbrojtur dhe e bekuar nga urdhrat dhe dekretet e Allahut, e pasqyruar në garanci, respekt dhe pajtim sipas marrëveshjes.[15]
Islami bëri reduktim të madh si në kushtet e obligueshmërisë ashtu edhe në të amnistuarit nga pagesa e saj, e të mos flasim për sasinë. Burimet flasin se kjo taksë para Islamit paguhej shumëfish më tepër se sa shuma e caktuar në Sheriatin Islam.
Sidoqoftë fokusimi ynë është për rregullat e xhizjes në Sheriatin Islam, për detajet e së cilës do të flasim pak më vonë.
Në fundvitin e tetë të hixhretit, Pejgamberi (a.s.) bëri çlirimin e Mekës. Deri në këtë kohë ai nuk e kishte marrë tatimin e xhizjes nga askush. Mirëpo disa muaj pas çlirimit të Mekës, Pejgamberit (a.s.) i zbriti ajeti, i cili legjitimoi tatimin e xhizjes.
1.3. Xhizja në kontestin aktual
Sot ne nuk kemi nevojë të merremi me trajtimin e xhizjes në formën e funksionimit dhe procedimit të tij në shoqërinë njerëzore, sepse këtë e kanë trajtuar mjaft mirë dijetarët e mëhershëm islamë. Për momentin është i papraktikueshëm përderisa s’kemi shtet të mirëfilltë islam. Por me paraqitjen e shkaqeve, mund të zbatohet edhe xhizja.
Edhe pse kjo xhizje trajtohet me drejtësi e mirësi, megjithatë disa gabimisht e shohin këtë si një formë padrejtësie, shtypjeje dhe poshtërimi që u bëhet popujve dhe njerëzve që hyjnë nën sundimin islam. Padyshim se ata të cilët mbajnë këtë qëndrim, kanë shpërfillur privilegjet e mëdha të atyre që janë të detyruar me xhizje në Islam.[16] Madje, këta persona besojnë se Islami është i ngjashëm me regjimet e tjera, që i kanë paraprirë atij. Mirëpo, Islami është një regjim unik sa i përket çështjes në fjalë apo dhe çështjeve të tjera. Islami është plotësisht i pastër nga padrejtësia dhe zullumi që përbënin normën me të cilën zakonisht trajtoheshin të detyruarit me xhizje, siç do të bëhet e qartë në vijim.
Një person mund të thotë: A i kanë kuptuar myslimanët këto parime madhështore? A e kanë respektuar ata dhimmen e Pejgamberit të tyre përgjatë historisë? Në vijim do të sjellim tre dëshmi nga perëndimorët, të cilët theksuan të vërtetën e zbatuar rregullisht në historinë tonë madhështore:
Welldiorant thotë:
“Njerëzit dhimmitë: të krishterët, zaradishtët, çifutët dhe sabianët gëzonin një shkallë tolerance gjatë sundimit Umejed që kurrë s’mund të asimilohet në vendet e krishtera sot. Ata ishin të lirë t’i zbatonin ritualet e veta. Ata i mirëmbanin kishat e tyre dhe sinagogat, dhe obligimi i vetëm ishte se ata duheshin të mbartnin një ngjyrë të veçantë dhe të paguanin taksën për secilin person në proporcion me të ardhurat e tij. Kjo shumë shtrihej mes 2 dhe katër dinarëve, dhe u ngarkohej vetëm jomyslimanëve që ishin të aftë për luftë. Kurse, priftërinjtë, gratë, fëmijët, skllevërit, të moshuarit, të paaftit, të verbrit dhe të varfrit qenë liruar nga kjo taksë; në vend të kësaj, dhimmitët u liruan nga shërbimi ushtarak. Ata, po ashtu, u liruan nga dhënia e zekatit, që është 2.5% e të ardhurave vjetore, dhe qeveria ishte e detyruar t’i mbronte ata.”
Adam Mitz, në librin e tij The Islamic Civilization, thotë:
“Secili nga dhimmitët e paguante xhizjen në proporcion me të ardhurat që kishte. Xhizja ishte e ngjashme me taksën e mbrojtjes kombëtare, pasi ajo paguhej vetëm nga burrat e aftë për luftë, ndërsa të paaftët, priftërinjtë e kleri u liruan, përveç nëse kishin pasuri.”
Thomas Arnold, në The Preaching of Islam, thotë:
“Qëllimi i ngarkimit të kësaj takse të krishterëve, siç theksohet nga disa hulumtues, nuk ishte një formë ndëshkimi për mospranimin e Islamit. Ata e përdornin atë në dhimmitët e mbetur, d.m.th. qytetarët jomyslimanë të Shtetit Islam besimet e të cilëve i parandaluan t’i bashkëngjiteshin shërbimit ushtarak, në vend të mbrojtjes së sigurt të tyre nga shpata myslimane.”[17]
Kështu, nëpërmjet dëshmimit historik të jomyslimanëve objektiv, Islami qartazi pastrohet nga akuzat e ngarkuara atij nga të padrejtit dhe joobjektivët.
2. KONTRATA EDH-DHIMMETU (عقد الذمة)
2.1. Definicioni i edh-dhimmetu (الذمة)
Fjala edh-dhimmetu (الذمة) gjuhësisht do të thotë: Marrëveshje, që nënkupton sigurinë, garantimin dhe dorëzaninë. Definicioni i kësaj marrëveshjeje te fakihët është: Të qëndruarit e jomyslimanëve në vendet tona (myslimane) dhe të mbrojturit e tyre në shpagim të xhizjes që japin dhe nënshtrimi i tyre.[18] Pra është marrëveshja që sundimtari, apo zëvendësi i tij, e bën për të qëndruar ithtarët e librit, dhe të tjerët, pra jomyslimanët, në Shtetin Islam, duke mbajtur fenë e tyre, por me dy kushte:
Nëse këtë marrëveshje e bën dikush tjetër, josundimtari apo jo zëvendësi i tij, atëherë sundimtari ka të drejtë ose ta shfuqizojë këtë marrëveshje ose ta pranojë atë.[20]
2.2. Baza për këtë marrëveshje
Fjala e Allahut të Lartësuar:
قَاتِلُوا الَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَلَا بِالْيَوْمِ الْآخِرِ وَلَا يُحَرِّمُونَ مَا حَرَّمَ اللَّهُ وَرَسُولُهُ وَلَا يَدِينُونَ دِينَ الْحَقِّ مِنَ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ حَتَّىٰ يُعْطُوا الْجِزْيَةَ عَنْ يَدٍ وَهُمْ صَاغِرُونَ
“Luftoni ata që nuk besojnë Allahun e as botën tjetër, nuk e konsiderojnë të ndaluar (haram) atë që e ndaloi Allahu dhe i Dërguari i Tij, nuk besojnë fenë e vërtetë, prej atyre të cilëve u është dhënë libri, derisa ta japin xhizjen në dorë e duke qenë të mposhtur.”[21]
Hadithi që transmeton El-Mugirete në Ditën Nehavend, duke thënë:
فأمرنا نبينا، رسول ربنا صلَّى اللهُ عليه وسلَّم : أن نقاتلكم حتى تعبدوا الله وحده أو تؤدوا الجزية
“Na ka urdhëruar Pejgamberi ynë, Pejgamberi i Zotit tonë, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, që t’ju luftojmë juve derisa: O të adhuroni Allahun, o të paguani xhizjen.”[22]
Kjo marrëveshje është e vazhdueshme, e papërcaktuar me kohë përderisa nuk ka shkaqe për prishjen e saj. Marrëveshja vlen për personin, me të cilin lidhet derisa është gjallë, ndërsa pas vdekjes së tij kalon tek trashëgimtarët.
2.3. Çka obligon kjo marrëveshje?
Kjo marrëveshje ndalon vrasjen e tyre, pra nënkupton sigurinë e jetëve të tyre, e të pasurisë dhe nderit të tyre si dhe largimin e çdo dëmtimi të tyre.[23] Edhe Aliu r.a. thotë:
إنَّما بذلوا الجِزيةَ لتَكونَ دماؤُهم كدمائنا وأموالُهُم كأموالِنا
“Ata paguan xhizjen që të konsiderohet gjaku i tyre si gjaku ynë, pasuria e tyre si pasuria jonë.”[24]
Andaj edhe është formuluar rregulli i përgjithshëm te fakihët: “Edhe atyre u takon ajo që na takon neve, edhe ata detyrohen sikur se detyrohemi ne.”[25]
2.4. Dispozitat që kanë të bëjnë me dhimmitët
Dispozitat islame ndaj dhimmitëve aplikohen në dy aspekte:
Aspekti i parë: Parimet financiare. Nuk u lejohet atyre që të veprojnë financiarisht në kundërshtim me parimet islame, si kontrata e kamatës, dhe kontratat tjera të ndaluara.
Aspekti i dytë: Ekzekutimi i ndëshkimeve. Edhe ndaj tyre bëhet ekzekutimi i dënimeve, nëse ata bëjnë ndonjë shkelje ligjore. Është e ditur se Pejgamberi (a.s.) ka ekzekutuar rrexhmin[26] ndaj dy hebrenjve të martuar që kishin bërë imoralitet.[27]
Ndërsa, sa u përket çështjeve fetare, bindjeve dhe adhurimeve, që kanë të bëjnë me martesën dhe shkurorëzimin ata kanë liri të plotë.
Kjo duke pasuar parasysh rregullin e fikhut: (اتركوهم و ما يدينون) “Lëri ata dhe gjykimin me fenë e tyre.”[28]
E nëse kërkojnë gjykimin tonë, atëherë gjykojmë sipas Islamit, ose e refuzojmë gjykimin, ngase Allahu thotë:
فَإِن جَاءُوكَ فَاحْكُم بَيْنَهُمْ أَوْ أَعْرِضْ عَنْهُمْۖ وَإِن تُعْرِضْ عَنْهُمْ فَلَن يَضُرُّوكَ شَيْئًاۖ وَإِنْ حَكَمْتَ فَاحْكُم بَيْنَهُم بِالْقِسْطِۚ إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ الْمُقْسِطِينَ
“Në qoftë se vijnë te ti (për ndonjë gjykim), gjyko mes tyre ose hiqju tyre. Nëse prapsesh prej tyre (nuk gjykon), ata nuk mund të të sjellin ty kurrfarë dëmi. Po nëse gjykon mes tyre, gjyko drejt; Allahu i do të drejtit.”[29]
Kjo e tëra ishte sa i përket kushtit të parë. Ndërsa sa i përket kushtit të dytë, xhizjes.
3. XHIZJA NË SHERIATIN ISLAM
3.1. Definicioni i xhizjes
Në kuptimin etimologjik xhizja përfitohet nga rrënja (ج ز ي) xhezeje që ka kuptimin shpërblim.[30] Pra shprehje e prejardhur nga fjala (الجزاء) el-xhezau.[31] Arabët, zakonisht, e thonë frazën (جزى ، يجزي) xheza – jexhzi, që do të thotë “kompensim” apo “shpërblim”, nëse personi e shpërblen një tjetër për shërbimin e dhënë nga i fundit. “Xhizja” është një term në gjuhën arabe “el-xhizjetu” i përftuar në formën fi’letu nga (المجازاة) muxhazat, që është emri “kompensim”, që do të thotë “një shumë parash e dhënë në këmbim të mbrojtjes”.[32]
Ibën el-Mutarriz tha: “Xhizja përfitohet nga (الإجزاء) el-ixhzau që ka kuptimin mjaftueshmëri, ngase kjo “mjaftueshmëri” është si zëvendësim nga dhimmiu për mbrojtjen e tij[33] dhe mospranimin e Islamit.”[34]
Në kuptimin terminologjik Zuhejli thotë: Xhizja është sasia që merret nga dhimmiu për mbrojtjen e tij nga vrasja.[35] Pra, është një sasi e caktuar e pasurisë që i caktohet atij që hyn në përgjegjësinë e myslimanëve (dhimmitë) dhe marrëveshja e myslimanëve me ithtarët e librit.[36] Ndërsa Dr. Jusuf El-Kardaui e ka definuar kështu: “Xhizja është një tatim vjetor i vogël për nga sasia, që obligohet për qytetarët meshkuj të rritur në moshë dhe të aftë për punë. Sasia e saj (xhizjes) varet nga niveli i pasurisë së tyre.”[37]
Në Sheriat xhizja nënkupton një sasi të caktuar të pasurisë, e cila merret nga jomyslimani si dëshmi materiale e lojalitetit të tyre ndaj shtetit dhe kënaqësisë së tyre, meqë jetojnë nën qeverisjen islame dhe nën strehën e tij. Si kundërshpërblim do të jenë të sigurt për jetën e tyre, pasurinë e nderin dhe nuk do të detyrohen që ta pranojnë Islamin, as do të pengohen që t’i zbatojnë ceremonitë dhe liturgjitë e veta.[38] Prandaj, nuk do të obligohen që të marrin pjesë në luftë me myslimanët, e që në kohën tonë ngjason me situatën, në të cilën disa shtete marrin një shumë të caktuar nga obliguesit ushtarakë si kompensim për lirimin e tyre nga shërbimi ushtarak.[39]
3.2. Baza sheriatike për ligjësimin e xhizjes
Fjala e Allahut të Lartësuar:
قَاتِلُوا الَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَلَا بِالْيَوْمِ الْآخِرِ وَلَا يُحَرِّمُونَ مَا حَرَّمَ اللَّهُ وَرَسُولُهُ وَلَا يَدِينُونَ دِينَ الْحَقِّ مِنَ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ حَتَّىٰ يُعْطُوا الْجِزْيَةَ عَنْ يَدٍ وَهُمْ صَاغِرُونَ
“Luftoni ata që nuk besojnë Allahun e as botën tjetër, nuk e konsiderojnë të ndaluar (haram) atë që e ndaloi Allahu dhe i Dërguari i Tij, nuk besojnë fenë e vërtetë, prej atyre të cilëve u është dhënë libri, derisa ta japin xhizjen në dorë e duke qenë të mposhtur.”[40]
Shënojnë Buhariu[41] dhe Tirmidhiu[42] transmetimin nga Abdurrrahman bin ‘Auf:
أنَّ النَّبيَّ صلَّى اللَّهُ عليهِ وسلَّمَ أخذَ الجزيةَ من مجوسِ هَجَرَ
“Pejgamberi (a.s.) ka marrë xhizjen nga zjarrputistët e Hexher[43].”
Transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka marrë xhizjen nga zjarrputistët e Bahrejnit, Umeri r.a. e ka marrë atë nga persët, Uthmani r.a. e ka marrë atë nga berberët.[44]
3.3. Urtësia e ligjësimit të xhizjes
Realizimi i jetesës së përbashkët në mënyrë paqësore mes myslimanëve dhe të tjerëve. Mundësia që jomyslimanët të shohin realitetin e Islamit dhe parimet e tij dhe ta njohin të vërtetën dhe akiden e pastër.[45] Islami obligoi xhizjen për dhimmitët (jomyslimanët në Shtetin Islam), sikurse obligoi zekatin për myslimanët (edhe pse me dallime në sasi e mënyrë) që deri diku t’i barazojë të dy grupet, ngase myslimanët dhe dhimmitët jetojnë nën një flamur dhe disponojnë me të gjitha të drejtat dhe përfitojnë nga institucionet e njëjta shtetërore. Prandaj dhe u obligua xhizja në favor të myslimanëve, por edhe në favor të jomyslimanëve që jetojnë në Shtetin Islam, ngase bëhet mbrojtja dhe ruajtja e tyre si dhe largimi i dëmeve nga ata.[46]
3.4. Nga kush merret xhizja?
Xhizja merret nga të gjithë, pavarësisht a janë ithtarë të librit apo jo, a janë arabë apo joarabë.[47]
Ky është mendimi i Malikut, Euza’iut dhe fakihëve të Shamit. Shafiu thotë: Merret xhizja nga ithtarët e librit, qofshin arabë apo joarabë, në këtë kategori iu bashkëngjiten edhe zjarrputistët nga adhuruesit e idhujve në përgjithësi. Ndërsa Ebu Hanife thotë: Prej arabëve nuk pranohet tjetër përveç Islamit apo shpata, (bazuar në ajetin 16 të sures Fet’h[48]). Që, nënkupton se sipas hanefive xhizja merret nga zjarrputistët joarabë, por nuk merret nga zjarrputistët arabë.[49]
Në Kur’an (ajeti 29 i sures Teube) vërtetohet se xhizja merret nga ithtarët e librit, ndërsa në Sunet vërtetohet marrja e xhizjes nga zjarrputistët, e në bazë të kësaj merret edhe nga të tjerët.
Zjarrputistët janë idhujtarë që nuk kanë libër të shpallur, marrja e xhizjes nga ata është argument se merret xhizja nga të gjithë idhujtarët pa dallim. Vetë fakti se Pejgamberi (a.s.) nuk e ka marrë xhizjen nga idhujtarët arabë nuk është argument për “mosmarrjen”, ngase ata që të gjithë janë bërë myslimanë para se të shpallej ajeti i xhizjes, i cili ka zbritur pas Betejës së Tebukut, në atë kohë që Pejgamberi (a.s.) veç e kishte përfunduar tashmë luftimin e arabëve meqë ata ishin besatuar me Islam.
Pejgamberi (a.s.) po ashtu nuk e ka marrë xhizjen as nga hebrenjtë, të cilët e luftuan Pejgamberin (a.s.), ngase ende nuk ishte zbritur ajeti i xhizjes. Ndërsa e ka marrë xhizjen nga të krishterët arabë dhe nga zjarrputistët. Po të ishte gjendur në atë kohë ndonjë idhujtar, sigurisht që do ta merrte xhizjen edhe prej tyre.[50]
Nga kjo del se xhizja merret nga:
Gjatë procesit të xhizjes, sigurisht që kjo çështje trajtohet me drejtësi, liri dhe mëshirë. Po ashtu kjo është një kontratë e përhershme, ngase Islami është i përhershëm, ndërsa kjo xhizje paguhet në vend të Islamit për mbrojtjen e tyre.
Ata që obligohen me xhizje duhet të plotësojnë këto kushte:
Edhe pse shafitë dhe hanbelitë nuk i shohin si kushte kushtin numër 4 dhe 5, ku nuk e shohin anulimin e xhizjes me këto arsyetime.[51]
Kjo do të thotë se xhizja nuk merret nga:
3.5. Anulimi i xhizjes
3.5.1. Anulimi i xhizjes me Islam
Me rastin e pranimit të Islamit nga dhimmiu, bie obligimi i xhizjes,[53] madje edhe në qoftë se ka kaluar viti.[54] Për këtë dëshmon hadithi i Ibn Abasit r.a., të cilin e shënon Ebu Davudi:
ليس على المسلم جزية
“Për muslimanin nuk ka xhizje.”[55]
Në rast se dhimmiu paguan xhizjen paraprakisht për dy vjet, e pastaj e pranon Islamin, do t’i kthehet xhizja për një vit.
3.5.2. Mosmarrja e xhizjes për shkak të vështirësive
Pejgamberi (a.s.) ka porositur për kujdesin ndaj dhimmitëve dhe të mos ngarkohen me gjëra që nuk i përballojnë.
Transmetohet nga Ibn ‘Umeri r.a.:
كان من آخرِ كلامِ النَّبيِّ صلَّى اللهُ عليه وسلَّم احفظوني في أهلِ ذمَّتي
“Gjëja e fundit që tha Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: Kujdesuni ndaj dhimmive.”[56]
Nëse i bashkohet xhizja për dy vjet, do të përzihet dhe me skadimin e vitit të dytë hiqet xhizja nga viti i parë.[57]
Dhimmitët gjithmonë janë trajtuar drejtësisht, duke pasur parasysh gjendjen e tyre financiare, sa që në rast pamundësie janë liruar nga pagesa e xhizjes, siç ka vepruar edhe vetë ‘Umeri r.a. në disa raste.
Pra përgjithësisht, anulimi i xhizjes bëhet:
3.6. Sasia e xhizjes
3.6.1. Llojet e xhizjes
Fillimisht duhet të sqarohet se xhizja është dy llojesh, dhe varësisht nga lloji ndryshon edhe sasia e xhizjes dhe mënyra e vjeljes. Këto dy lloje janë:
3.6.2. Sasia e xhizjes në xhizjen detyrimore
Këtu do të bëhet fjalë vetëm për sasinë e xhizjes së llojit të dytë (detyruese). Përderisa Kur’ani nuk e ka specifikuar sasinë e xhizjes, atëherë këtë e definon Suneti. Edhe pse disa dijetarë kanë disa divergjenca në këtë sasi, për shkak të argumenteve dhe ixhtihadit.[60]
Në Sunet, sikur se shënojnë autorët e Suneneve,[61] transmeton Muadhi r.a. se me rastin e dërgimit të tij në Jemen nga Pejgamberi (a.s.) e ka urdhëruar që të marrë nga çdo i rritur në moshë nga një dinar, ose kundërvlerën e tij në el-meafir[62].
أنَّ النبيَّ صلَّى اللهُ عليهِ وسلَّم لما وجَّهَه إلى اليمنِ ، أمرَه أن يأخذَ من كلِّ حالمٍ دينارًا أو عدْلُه من المعافرِ
Pastaj Umeri r.a. shtoi mbi këtë sasi, ku e bëri 4 dinarë për pronarët e arit, kurse 40 dërhemë për pronarët e argjendit, për çdo vit.
Pra Pejgamberi (a.s.) e dinte gjendjen dhe kishte parasysh dobësinë e banorëve të Jemenit, ndërsa Umeri r.a. e dinte gjendjen dhe fuqinë e banorëve të Shamit.[63]
Edhe Buhariu transmeton se i është thënë Muxhahidit: Çfarë është kjo, kur banorët e Shamit obligohen me 4 dinarë, ndërsa banorët e Jemenit me vetëm një dinar? Ai u përgjigj: Kjo është bërë duke shikuar gjendjen e tyre.[64]
Lidhur me këtë kemi mendime të ndryshme:
* Andaj dhe Ebu Hanife e mori këtë, që u tha më lart, për bazë, si dhe është një transmetim nga Ahmedi, dhe tha: Për të pasurin caktohet 48 dërhemë, për mesatarin 24 dërhemë, ndërsa për të varfrin 12 dërhemë. Pra duke caktuar edhe kufirin minimal dhe maksimal.
* Shafiu, dhe një transmetim nga Ahmedi, mendon: Vetëm kufiri minimal është i caktuar, e që është një dinar. Ndërsa kufiri maksimal është i papërcaktuar, por kjo mbetet në kompetencën dhe ixhtihadin e udhëheqësve.
* Maliku, dhe një nga transmetimet e shumta të Ahmedit, thotë: Nuk ka caktim as për kufirin minimal, as për atë maksimal, por e tërë çështja i lihet në dorë udhëheqësve që ta caktojnë xhizjen ndaj personit, që përshtatet me gjendjen e tij, dhe nuk duhet të ngarkohet përtej mundësive të tij.[65]
Sipas hanefijve dhe hanbelijve, gjendja e këtyre shtresave të pagesës së xhizjes ndahet si në vijim:
I pasuri: Është personi që zotëron mbi 10 mijë dërhemë. (Paguan 48 dërhemë çdo vit).
Mesatari: Është personi që zotëron mbi 200 dërhemë. (Paguan 24 dërhemë çdo vit).
I varfri: Është personi që zotëron nën 200 dërhemë. (Paguan 12 dërhemë çdo vit).[66]
4.1. Me çka është paguar xhizja?
Në Shtetin Islam ka ekzistuar edhe sistemi monetar në bazë të të cilit janë bërë edhe transaksionet tregtare dhe pagesat e ndryshme. Monedhat, të cilat kanë qarkulluar në Shtetin Islam, janë dinari dhe dërhemi. Dinari është monedhë ari, ndërsa dërhemi është monedhë argjendi.[67]
Pagesa e xhizjes është bërë nganjëherë me dinarë, e nganjëherë me dërhemë, e në disa raste edhe me produkte të tjera si rroba, etj.
Xhizja kur është caktuar me kompromis (xhizja paqësore), atëherë pagesa si zakonisht është bërë me dinarë, duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit kur e dërgoi Muadhin në Jemen.
Ndërsa në rastin kur xhizja është caktuar pa kompromis (xhizja detyrimore), atëherë pagesa është bërë me dërhemë, duke u bazuar në vendimin e Umerit r.a., vendim i marrë në mesin e gjithë atyre sahabeve të mëdhenj e të ditur.
Andaj, është në interes të dihet pesha e këtyre monedhave në gramë dhe vlera e tyre në valutën moderne, sot në euro.[68]
4.2. Vlera e dinarit në euro
Sipas El-Meusu’atu el-Fikhijjetu el-Kuvejtijjetu (Enciklopedia Kuvajtiane e Fikhut) pesha standarde e dinarit të ligjshëm sheriatik është bazuar në dinarin e shtypur në kohën e Abdulmelik bin Meruan dhe ka peshën 4,25 gramë ari.[69] Po kështu e përmend edhe Dr. Jusuf el-Kardaui në librin e tij Fikh ez-Zekati.[70]
Dinari, bazuar sot në faqet online, të specializuara për çmimin e arit dhe argjendit në tregun botëror, si (http://www.livepriceofgold.com/) llogaritet se në Kosovë një gram ar kushton 35,74 euro.[71]
Kjo do të thotë se një dinar sot kushton 151,895 euro, gjegjësisht 152 euro. Nga kjo përllogaritje:
4,25 gramë x 35,74 euro = 151,895 euro.
4.3. Vlera e dërhemit në euro
Sipas El-Meusuatu el-Fikhijjetu el-Kuvejtijjetu (Enciklopedia Kuvajtiane e Fikhut) pesha standarde e dërhemit të ligjshëm sheriatik është bazuar në dërhemin e shtypur po ashtu në kohën e Abdulmelik bin Meruan dhe ka peshën 2,975 gramë argjend.[72]
Madje edhe Abdulmeliku për këtë peshë bazohet në veprimin e Umerit r.a. Këtë e cek edhe Dr. Jusuf el-Kardaui,[73] madje thotë se njohja e peshës së njërës monedhë na ndihmon që ta njohim peshën e monedhës tjetër. Përderisa për dinarin s’ka shumë mospajtime rreth peshës së tij, atëherë pajtimi i të gjithë dijetarëve është se pesha e dërhemit është 7/10 e dinarit.[74] Pra, 7/10 e dinarit (që ka peshën 4,25 gramë) është 2,975 gramë.[75]
Dërhemi islam, bazuar sot në faqet online, të specializuara për çmimin e arit dhe argjendit në tregun botëror, si (http://www.livepriceofgold.com/) llogaritet se në Kosovë një gram argjend kushton 0,51 euro.[76]
Kjo do të thotë se një dërhem sot kushton 1,51725 euro, gjegjësisht 1 euro e 52 centë (ose respektivisht 1,785 euro, pra 1 euro e 79 centë). Nga kjo përllogaritje:
2,975 gramë x 0,51 euro = 1,51725 euro. Ose:
3,5 gramë x 0,51 euro = 1,785 euro.
Dijetarët e Fikhut Islam, si në të kaluarën ashtu edhe në kohën bashkëkohore, kanë dallime në përcaktimin e peshës në gramë të dërhemit islam. Kjo për shkak të divergjencave të ndryshme gjatë tërë historisë së shtypjes së kësaj monedhe në vende të ndryshme.
Edhe Pejgamberi (a.s.) ka thënë se për masë peshe të monedhave (uezn) të merret masa e Mekës, ndërsa për matje (mikjal) të merret masa e Medinës.
Andaj unë e pashë të arsyeshme që edhe për masë të dërhemit të mbështetem tek Enciklopedia Kuvajtiane e Fikhut, sikurse për dinarin. Nuk po e mohojmë as mendimin tjetër, të cilin e mban Dr. Ibrahim Selkin[77] se dërhemi peshon 3,5 gramë,[78] dhe për këtë dhe do të bëjmë përllogaritjen sipas të dy varianteve.
4.4. Vlera aktuale e xhizjes në euro[79]
Pas njohjes së peshës së dërhemit në gramë dhe vlerës së gramit të argjendit, atëherë lehtësohet edhe përllogaritja dhe njohja e vlerës së xhizjes sot në euro, valutën bashkëkohore.
Pasaniku
Duhet të ketë nisabin 10000 (dhjetë mijë) e më tepër dërhemë për të paguar xhizjen 48 dërhemë në vit.
10000 dërhemë x 2,975 gramë = 29750 gramë x 0,51 euro = 15172,5 euro.
48 dërhemë x 2,975 gramë = 142,8 gramë x 0,51 euro = 72,828 euro.
Pra pasaniku duhet të ketë 15173 euro e më shumë për të paguar xhizjen në shumën 73 euro në vit.
Varianti tjetër:
10000 dërhemë x 3,5 gramë = 35000 gramë x 0,51 euro = 17850 euro.
48 dërhemë x 3,5 gramë = 168 gramë x 0,51 euro = 85.68 euro.
Pra pasaniku duhet të ketë 17850 euro e më shumë për të paguar xhizjen në shumën 86 euro në vit.
Mesatari
Duhet të ketë nisabin 200 e më tepër dërhemë për të paguar xhizjen 24 dërhemë në vit.
200 dërhemë x 2,975 gramë = 595 gramë x 0,51 euro = 303,45 euro.
24 dërhemë x 2,975 gramë = 71,4 gramë x 0,51 euro = 36,414 euro.
Pra mesatari duhet të ketë 304 euro e më shumë për të paguar xhizjen në shumën 37 euro në vit.
Varianti tjetër:
200 dërhemë x 3,5 gramë = 700 gramë x 0,51 euro = 357 euro.
24 dërhemë x 3,5 gramë = 84 gramë x 0,51 euro = 42,84 euro.
Pra mesatari duhet të ketë 357 euro e më shumë për të paguar xhizjen në shumën 43 euro në vit.
I varfri
Duhet të ketë nisabin më pak se 200 dërhemë për të paguar xhizjen 12 dërhemë në vit.
200 dërhemë x 2,975 gramë = 595 gramë x 0,51 euro = 303,45 euro.
12 dërhemë x 2,975 gramë = 35,7 gramë x 0,51 euro = 18,207 euro.
Pra i varfri duhet të ketë më pak se 304 euro për të paguar xhizjen në shumën 18 euro në vit.
Varianti tjetër:
200 dërhemë x 3,5 gramë = 700 gramë x 0,51 euro = 357 euro.
12 dërhemë x 3,5 gramë = 42 gramë x 0,51 euro = 21,42 euro.
Pra i varfri duhet t’i ketë më pak se 357 euro për të paguar xhizjen në shumën 22 euro në vit.
Tabela 1 (ku vlera e një dërhemi është 2.975 gramë)
Kategori | Valuta islame | Lloji | Pesha në gram | Nisabi i xhizjes | Totali i peshës në gramë | Çmimi i gramit sot | Vlera e nisabit në euro | Xhizja në dërhemë | Totali në gramë | Vlera e xhizjes në euro |
I pasuri | Dërhem | Argjend | 2.975 | +10000 | +29750 | 0.51 € | +15172.50 € | 48 | 142.8 | 72.828 € |
Mesatari | Dërhem | Argjend | 2.975 | +200 | +595 | 0.51 € | +303.45 € | 24 | 71.4 | 36.414 € |
I varfri | Dërhem | Argjend | 2.975 | -200 | -595 | 0.51 € | -303.45 € | 12 | 35.7 | 18.207 € |
Tabela 2 (ku vlera e një dërhemi është 3.5 gramë)
Kategori | Valuta islame | Lloji | Pesha në gram | Nisabi i xhizjes | Totali i peshës në gramë | Çmimi i gramit sot | Vlera e nisabit në euro | Xhizja në dërhemë | Totali në gramë | Vlera e xhizjes në euro |
I pasuri | Dërhem | Argjend | 3.5 | +10000 | +35000 | 0.51 € | +17850 € | 48 | 168 | 85.68 € |
Mesatari | Dërhem | Argjend | 3.5 | +200 | +700 | 0.51 € | +357 € | 24 | 84 | 42.84 € |
I varfri | Dërhem | Argjend | 3.5 | -200 | -700 | 0.51 € | -357 € | 12 | 42 | 21.42 € |
4.5. Dallimi në pagesë mes xhizjes dhe zekatit
Këtu po sjellim një shembull praktik të dallimit në pagesë mes xhizjes së dhimmiut dhe zekatit të myslimanit. Sidomos për të sqaruar kritikat e padrejta ndaj Islamit, gjoja se jomyslimanët, më shumë të krishterët, janë detyruar që të pranojnë Islamin për shkak të lartësisë së xhizjes. Dilemë kjo e përhapur edhe te ne shqiptarët.
Po marrim shembull gjendjen e pasanikut që disponon 10 mijë dërhemë (15172.5 euro):
Nëse është mysliman, ai nga kjo sasi duhet të paguajë në vit 250 dërhemë (379,31 euro) zekat. Ngase 2.5 % e 10 mijë dërhemëve është 250 dërhemë.
Nëse është jomysliman dhimmij, ai nga kjo sasi duhet të paguajë 48 dërhemë (72.828 euro) në vit.
Pra, nga sasia e njëjtë, si mysliman do të paguajë 380 euro zekat në vit, ndërsa si dhimmij vetëm 73 euro xhizje në vit.
PËRFUNDIM
Njeriu si qenie e ndërlikuar, me gjithë veçoritë e tij që e dallojnë nga gjallesat tjera, ka edhe vetëdijen se është produkt shoqëror dhe zhvillohet me komunikimin shoqëror.
Ai ka të drejta dhe obligime në shoqërinë ku jeton dhe vepron.
Për të mbajtur rendin dhe funksionalizuar shoqërinë, paraqitet shteti si nevojë e saj.
Shteti Islam realizon synimet e Sheriatit Islam, ku u jep të drejtat jo vetëm myslimanëve, por edhe të tjerëve.
Historia e xhizjes është histori e vjetër, aq e vjetër sa edhe kolonializmi, luftimi i popujve dhe pushtimi i tokave të tyre për të thithur të mirat e tyre.
Tatimi dhe forma e xhizjes nuk është shpikur nga myslimanët, e as që filloi kjo lloj takse nga ata, por ajo ekzistonte shumë më herët dhe u bë e njohur te myslimanët, sepse në Shtetin Islam u zbatua për një kohë të gjatë dhe nëpër shekuj të tërë deri në kohën e fundit të Perandorisë Osmane.
Këtë lloj tatimi Islami megjithëse e gjeti ashtu dhe e pranoi, e modifikoi në favor të njerëzve, qofshin myslimanë apo jomyslimanë.
Xhizja nuk është burim pa të cilin nuk mund të ketë buxhet Shteti Islam, ngase burim kryesor është zekati i myslimanëve, kontributet dhe të hyrat e tjera si dhe pasuritë natyrore të shtetit.
Xhizja është një tatim i thjeshtë, formal, i vogël dhe pothuajse pa ndikim në buxhetin e shtetit.
Xhizja paguhet si kompensim për mospjesëmarrjen në ushtri dhe si tatim për të gjitha të mirat dhe shërbimet e shtetit që i gëzon në mënyrë të barabartë si myslimani ashtu edhe jomyslimani.
Xhizja është tatim vjetor për kokë me kushte të caktuara.
Në fund të jetës së Pejgamberit (a.s.) u ligjësua xhizja; ai e aplikoi për disa qytete dhe fise që i plotësonin kushtet e saj.
Xhizja mund të jetë me marrëveshje dhe pa marrëveshje. Ajo pa marrëveshje ka sasi të kufizuar dhe ndahet në tre kategori. Pasaniku paguan 48 dërhemë në vit, mesatari 24 dërhemë dhe i varfri 12 dërhemë.
Xhizje nuk paguan gruaja, fëmija, robi, i sëmuri kronik, i varfri i paaftë për punë, murgu që nuk përzihet me njerëz. Pastaj edhe jomyslimani, i cili merr pjesë në ndonjë mënyrë në ushtrinë e Shtetit Islam.
Xhizje paguan mashkulli i shëndoshë mendërisht dhe fizikisht si dhe që është i aftë për punë.
Xhizja sot nuk praktikohet, por nëse shfaqen kushtet ajo mund të zbatohet.
Akuzat për padrejtësi ndaj jomyslimanëve në Shtetin Islam me aplikimin e xhizjes ndaj tyre, janë të pavenda. Këtë e dëshmojnë edhe studiuesit e mirëfilltë perëndimorë.
Ue lil-lahi el-hamd!
LITERATURA[80]
[1]. Prof. Dr. Bashkim Selmani; Njeriu si qenie njerëzore i cili drejton dhunën kundër vetes apo të tjerëve…, f. 1, http://www.centrum.mk/wp-content/uploads/2015/07/Bashkim-Selmani-1.pdf.
[2]. Faruk Binakaj; Shteti dhe të drejtat e njeriut, http://telegrafi.com/shteti-dhe-te-drejtat-e-njeriut/.
[3]. Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, 1980, f. 1925.
[4]. Dr. Uehbeh ez-Zuhejli; El-Fikh el-Islamijj ue Edil-letuhu, Dar el-Fikr, Damask, botimi i dhjetë, 2007, vëll. 8, f. 6317.
[5]. Shiko më gjerësisht shembullin e funksionimit të një shteti islam, shembull Perandoria Osmane: Historia Osmane dhe Institucionet, Prof. Dr. Mehmet Maksudoglu, Alsar, botimi i parë, Tiranë, Tetor 2013, faqe: 601-696.
[6]. En’am, 38.
[7]. Përkthimet e ajeteve kur’anore janë marrë nga: KUR’AN-i Përkthim me komentim në gjuhën shqipe; Përktheu dhe komentoi Sherif Ahmeti.
[8]. Ibn Tejmije, Es-Sijasetu esh-Sher’ijjetu fi Islah err-Rra’i ue err-Rra’ijjeti, f. 232.
[9]. Përmbledhur dhe përshtatur nga: Maksudoglu, “Vepër e cituar”, f. 605-608; si dhe: Ibn Tejmije, “Vepër e cituar”, f. 232-240; si dhe: Ez-Zuhejli, “Vepër e cituar”, f. 6314-6316.
[10]. Tal’at Riduan; Tarih el-Xhizjeti, http://www.m.ahewar.org/s.asp?aid=453767&r=0,.
[11]. http://www.jewishvirtuallibrary.org/jsource/judaica/ejud_0002_0012_0_11083.html.
[12] Mateu, 17:24-25.
[13]. Dr. Munkidh bin Mahmud es-Sekkar; El-Xhizjetu fi el-Islam, http://www.saaid.net/Doat/mongiz/14.htm.
[14]. Tal’at Ridvan; Tarih el-Xhizjeti.
[15]. Dr. Munkidh bin Mahmud es-Sekkar; El-Xhizjetu fi el-Islam.
[16]. Po aty.
[17]. Po aty.
[18]. Ez-Zuhejli, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 5879.
[19]. Es-Sejjid Sabik; Fikh es-Sunneti, Sheriketu Menar el-Duuelijjeti, 1995/1416 h., vëll. 3, f. 162.
[20]. Ez-Zuhejli, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 5879.
[21]. Teube, 29.
[22]. Shënon Buhariu, 3159.
[23]. Abdulhamid Mahmud Tuhmaz; Fikhu Hanefi III E Drejta Penale, Fondacioni i Rinisë Islame, Zürich, Shkurt 2012, vëll. 3, f. 147.
[24]. Ez-Zejle’ij, Nasb err-Rrajeti, vëll. 3, f. 381.
[25]. Sabik, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f. 163.
[26]. Dënimi me vdekje duke i mbytur me gurë.
[27]. Sahih Muslim, 1699.
[28]. Sabik, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f. 163.
[29]. Maide, 42.
[30]. Ahmed bin Muhammed bin Ali el-Fejjumi; El-Misbah el-Munir, Mektebetu Lubnan, Bejrut-Liban, 1990, f. 39.
[31]. Sabik, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f. 163.
[32]. Ebu Abdullah Muhammed bin Ahmed el-Ensarij el-Kurtubij; El-Xhami’u li Ahkam el-Kur’an, Dar el-Fikr, Bejrut, 1995/1415 h, vëll. 8, f. 49.
[33]. Ebu el-Fet’h Nasir bin Abdussejjid bin Ali el-Mutarriz; Kitab el-Mugarrib fi Tertib el-Muarrib, Dar el-Kitab el-Arabij, Bejrut-Liban, f. 81.
[34]. Dr. Munkidh bin Mahmud es-Sekkar; El-Xhizjetu fi el-Islam.
[35]. Ez-Zuhejli, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 5879.
[36]. Sabik, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f.163.
[37]. El-Kardaui, Jusuf, Gajru el-Muslimine fi el-Muxhteme’i el-Islamij, f. 25.
[38]. Ez-Zuhejli, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 5888-5890. Këtu autori flet gjerësisht për të drejtat dhe obligimet e dhimmive, por nuk i kemi sjellë këtu për shkak që të mos zgjatet shumë punimi.
[39]. Tuhmaz, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f. 147; Ez-Zuhejli, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 5879-5880 dhe 5883; El-Kurtubij, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 44-45.
[40]. Teube, 29.
[41]. Sahih Buhari, nr. 3156.
[42]. Sahih Tirmidhi, nr. 1587.
[43]. Hexher është një qytet në Gadishullin Arabik.
[44]. Iruau el-Galil, 5/90.
[45]. Ez-Zuhejli, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 5879.
[46]. Sabik, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f. 164. Ez-Zuhejli, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 5879-5880 dhe 5883.
[47]. Fet’h el-Bari 6/259.
[48]. Fet’h, 16: “T’i luftoni ata ose të dorëzohen (ta pranojnë fenë islame). – تُقَاتِلُونَهُمْ أَوْ يُسْلِمُونَۖ”.
[49]. Sabik, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f. 164-165; Ez-Zuhejli, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 5880-5881; Tuhmaz, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f. 148-149; El-Kurtubij, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 45-46.
[50]. Po aty, në formë të përmbledhur.
[51]. Sabik, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f.166-167; Ez-Zuhejli, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 5881-5882; El-Kurtubij, ““Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 47.
[52]. Ez-Zuhejli, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 5882; Tuhmaz, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f. 149-150; El-Kurtubij, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 45-46.
[53]. Sabik, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f. 168
[54]. Tuhmaz, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f. 150.
[55]. Sunen Ebi Davud, 3053.
[56]. El-Kamil fi ed-Duafai, 4/192.
[57]. Tuhmaz, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f. 151.
[58]. Ez-Zuhejli, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 5887.
[59]. Po aty, f. 5883.
[60]. El-Kurtubij, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 46-47.
[61]. Sunen Ebi Davud, 3038, dhe transmetues të tjerë.
[62]. El-Meafir: Lloj i rrobave në Jemen, emërtuar sipas Meafiretu që është një lagje e Hemedanit.
[63]. Shiko më gjerësisht: Ebu el-Hasen Ali bin Muhammed bin Habib el-Basrij el-Bagdadij El-Mauerdi; El-Ahkam es-Sultanijjetu ue el-Uilajat ed-Dinijjetu, Dar el-Kutub el-Ilmijjeti, botimi i parë, Bejrut-Liban, 1985/1405 h., f. 181-186.
[64]. Sabik, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f. 167.
[65]. Ez-Zuhejli, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 5883-5884; Tuhmaz, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f. 149-150; El-Kurtubij, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 46-47; Sabik, “Vepër e cituar”, vëll. 3, f. 167.
[66]. Ez-Zuhejli, “Vepër e cituar”, vëll. 8, f. 5884.
[67]. Ibn Haldun, El-Mukaddime, Vëllimi i Parë, Fjala e Bukur, Prishtinë, 2012, f. 432-434.
[68]. Më gjerësisht: El-Meusu’atu el-Fikhijjetu el-Kuejtijjetu, Ministria e Vakëfeve dhe Çështjeve Islame në Kuvajt, botimi i dytë, vëll. 20, 1990/1410 h, f. 249, si dhe vëll. 21, 1992/1412 h, f. 29.
[69]. El-Mevsuatu el-Fikhijjetu el-Kuvejtijjetu, vëll. 21, 1992/1412 h, f. 29.
[70]. El-Kardaui, Dr. Jusuf, Fikh ez-Zekati, Dirsaetun Mukarenetun li Ahkamiha ve Felsefetiha fi Dav’i el-Kur’an ve es-Sunneti, Muessesetu err-Rrisaleti, botimi i 24, Bejrut-Liban, 1999/1420 h., vëll. 1, f. 259.
[71]. Live Price of Gold – Gold Price Live: Ounce, Gram and Kilogram, http://www.livepriceofgold.com/ (datë 30.01.2017, ora 11:14) Çmimi është për Republikën e Kosovës.
[72]. El-Mevsuatu el-Fikhijjetu el-Kuvejtijjetu, vëll. 20, 1990/1410 h, f. 249.
[73]. El-Kardaui, Fikh ez-Zekati, vëll. 1, f. 259.
[74]. Po aty, f. 256.
[75]. Ibn Haldun, “Vepër e cituar”, f. 432-434.
[76]. Live Price of Gold – Gold Price Live: Ounce, Gram and Kilogram, http://www.livepriceofgold.com/ (datë 30.01.2017, ora 11:14) Çmimi është për Republikën e Kosovës.
[77]. Jo sikur veprojnë disa që për peshën në gramë të dërhemit kanë marrë për bazë mendimin e Ibrahim Selkinit (3.5 gramë), ndërsa për dinarin kanë marrë mendimin e Enciklopedisë Kuvajtiane të Fikhut. Natyrisht që kjo shkakton edhe një çekuilibër në shumë-llogaritje, ngase e njëjta Enciklopedi tregon edhe peshën e dërhemit islam, e jo vetëm të dinarit islam.
[78]. Dr. Mufti Ibrahim Selkini; El-Fikh el-Islamij Ahkam es-Saumi ue ez-Zekati ue el-Haxhxhi, Universiteti i Damaskut, Damask, 2007, f. 248.
[79] 30 janar 2017.
[80] Në këtë radhitje të literaturës, të parin e kemi vendosur Kur’anin për shkak të shenjtërisë së tij, ndërsa të dhënat tjera i kemi radhitur sipas alfabetit.
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
May 07, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...