Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
May 16, 2020 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. Rëndësia e meditimit në Islam dhe teknikat e meditimit
Prim. dr. med. sc. Ali F. Iljazi, Kosovë
Njeriu mund të kalojë tërë jetën e tij pa meditim të thellë, për arsye se të jetuarit në esencë nuk kërkon meditim dhe kombinime mendore afatgjata. Mjafton të futesh në sistemet ekzistuese dhe t’i lëshohesh forcës inerte, të veprosh në drejtimin e lëvizjes së shumicës. Ngjashëm është me shahun. Njeriu mund të luajë shah dhe të arrijë në fazën përfundimtare, pa kombinime por vetëm si humbës.
Një potencial mendor kolosal fshihet nën aftësitë e pakontrolluara të mendimit, të cilat shpesh ruhen në disa familje dhe me kujdes transmetohen nga brezi në brez.
Kur është në pyetje ky lloj kapitali, siç është arti i meditimit, vërehet një kujdes i veçantë i mjeshtërve të këtij arti, siç është e kuptueshme edhe seleksionimi i atyre që lënë trashëgimi paratë dhe patundshmëritë. Në ndryshim nga “pasanikët” të sapo pjekur, të cilët nuk e arritën atë me aftësitë e tyre, njerëzit e urtë me spektër të gjerë, depërtues dhe ngadhënjyes të meditimit, instalojnë te gjeneratat e reja sisteme elastike, që janë të orientuara në përsosjen e shpirtit, trupit dhe mendjes.
Njerëzit me spektër më të varfër të teknikave të meditimit janë ata të cilët nuk janë tërësisht të sigurt në vërtetësinë e idesë së caktuar. Sot dallohen disa teknika të meditimit.
2. Familja në kontekstin e dinamikave globale
Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, Fakulteti i Shkencave Humane, Universiteti Bedër
Shteti i vogël, si quhej në Romën e lashtë familja, nuk është hiperbolizim, por një metaforë cilësuese. Çerdhja e ngrohtë rrit shtetasin apo shtetarin e ardhshëm, banorin që zmadhon turmën, apo qytetarin dinjitoz të vendit dhe shtetit të vet. Ndaj interesi për shtetin, ku jetohej në paqe me veten, mbështeti shtysën, që ky organizim të shihet me kujdes, të mbrohet, sepse brenda atij mjedisi duhet rritur pasardhësi, që do të trashëgojë pronën vetjake familjare. Gjendja pasurore shtjellohet te Surja en-Nisa (Gratë), ku trajtohen të drejtat e gruas dhe problemet e jetës familjare, përfshi marrëdhëniet bashkëshortore, por ku sqarohet e drejta për zotërim e gruas, që veç pasurisë së trashëguar, shton dhe dhuratën e kurorëzimit. Për lidhjet humane dhe socializuese brenda familjes shkon saktë fraza e M. Walzer se ajo që prek të gjithë duhet të vendoset nga të gjithë, gjendje që nuk ndeshet jashtë celulës hyjnore. Në ekonomitë e planifikuara socialiste shtypen dhe eliminohen motivet e fitimit, që i motivojnë njerëzit të mësojnë dhe të përmirësohen përmes garës. Prandaj tani që i jemi futur rrugës së kapitalizmit, duhet që ashtu si shteti edhe familja të shtojë funksionin mbështetës dhe rregullator. Brenda këtyre parametrave etiko-morale dhe ekonomiko-sociale lëviz e gjithë dinamika globale.
Fjalë kyçe: Sure, familje, socializim, kapitalizëm, global, dinamikë
3. Ebu Hamid El-Gazali – Autoritet i Islamit
MA. Dorian Demetja, Drejtoria e Kulturës dhe e Arsimit, KMSH
Imam Gazali është një dijetar i madh në botën islame dhe shquhet për kritikat e tij adresuar filozofëve. Ai i përket medh’hebit Eshari në itikad dhe medh’hebit Shafi në fikh. Ebu Hamid el-Gazali është i pranueshëm për të rinjtë dhe për të moshuarit, për teologët, juristët, filozofët, imamët dhe sufinjtë. El-Gazali, i njohur në mesjetë si Algazel, zë vend unik në historinë e mendimit fetar, me gjerësinë e mendimit, me origjinalitetin e ideve dhe me ndikimin e jehonën e madhe në botën islame dhe atë joislame. Si një personalitet i madh dhe me autoritet të pacenueshëm, Imam Gazali nderohet në përmasa botërore, sepse ndikimi i tij, veçanërisht në filozofi, ka qenë me shumë rëndësi te filozofët, jo vetëm ata myslimanë, por edhe tek ata hebrenj e të krishterë. Metodika e Gazalit në të shkruar rëndon akoma më tepër në peshë, kur shteti mysliman u shtri në vende e popuj të shumtë, me fe e filozofi të ndryshme, kur u duhej dhënë përgjigje besimeve dhe filozofive të tyre, kur duheshin ftuar në Islam popujt e tjerë. Vepra e tij nuk e ka humbur shkëlqimin e saj, përkundër gjithë kësaj krijimtarie botërore. Figura e Imam Gazalit është simbol i të gjitha lëvizjeve të rëndësishme intelektuale dhe fetare të asaj kohe.
Në udhëtimin e tij drejt mënyrës më të mirë për tek e vërteta, Gazali u dha në fund pas sufizmit. Ai e konsideron atë parësor në rrugën e shërimit, duke treguar njëkohësisht se arsyeja dhe shkenca janë armë e vegla për myslimanin në drejtim të shërbimit ndaj Islamit. Imam Gazali vendosi në mënyrë të shkëlqyer baraspeshën ndërmjet shpirtërores dhe fizikes, duke i konsideruar ato si lidhje të ngushta dhe të pashkëputshme me njëra-tjetrën. Sipas mendimit unanim të dijetarëve myslimanë, Imam Gazali konsiderohet ripërtëritës i fesë së shekullit kur jetoi. Me të drejtë atij i janë dhënë epitetet Autoritet i Islamit (Huxhxhet’ul-islam), Stoli e fesë (Zejn’ud-din), Ripërtëritësi i fesë (Muxheddid’ud-din).
4. Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës
Hysen Kobellari
Vetëm përmendja e emrit “Thesar” zgjon te njeriu ndjenja nga më të çuditshmet, nga më interesantet… Veçanërisht kur ndërthuren vlera të vërteta monetare me vlera të veçanta artistike. I tillë është i mirënjohuri “Thesari avar i Vrapit të Tiranës”. Ky thesar është një prej koleksioneve shumë të rëndësishëm që ekspozon sot Muzeu Metropolitan i Nju Jorkut në SHBA. Koleksioni i rrallë përbëhet prej objektesh të punuara në ar dhe argjend.
Thesari u zbulua në lindje të fshatit Vrap të Tiranës nga vëllezërit besimtarë myslimanë Murat e Ali Biceri dhe vëllezërit Met e Mustafa Mema në vitin 1901 në arën, e cila ishte në pronësi të Met Memës… Mendohet se thesari i përket shekullit të VI dhe se ka qenë pronë e avarëve të Obrait, ose të njohur si bullgaro-sllavët, që për njëfarë kohe sulmuan dhe pushtuan provincat romake të Dalmacisë, Prevalitanisë, Dardanisë dhe Ilirisë…
Interesant është fakti se një pjesë e këtij thesari është gjetur në fshatin Lëngëz të Ersekës, Kolonjë, nga një familje e fshatit me mbiemrin Qiriazi, në vitin 1890, buzë një përroi dhe është paraqitur në vitin 1981 në Galerinë e famshme në Sotheby në Londër, ndryshe edhe i njohur si Thesari i Ersekës, i ardhur nga një krahinë jugore e Shqipërisë. Të dyja këto koleksione janë shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin dhe mendohet se vijnë nga i njëjti burim. Megjithatë misteret mbeten mistere, sepse kanë të fshehtat e tyre, të cilat kurrë nuk mund të zbulohen plotësisht…
5. Qasja filozofike e Avicenës ndaj Kur’anit nën dritën e komentit të tij mbi Suren Ihlas
Daniel de Smet & Meryem Sebti, CNRS, Paris, Francë
Avicena (Ibn Sina, v. 428/1037), një ndër filozofët më të shquar në botën Islame, tregoi një interes të madh për Kur’anin dhe për fenë Islame në përgjithësi. Ndonëse në shumicën e punimeve të tij ai citon ajete nga Kur’ani, mënyra se si i përdor dhe i interpreton ato, deri më tani, nuk është studiuar tërësisht. Studimet bashkëkohore e konsiderojnë kryesisht Avicenën si një Aristotel Arab, mendimet e të cilit reflektojnë një shpjegim Aleksandrian, Neo-Platonik të Aristotelit. Ashtu sikurse kjo është e vërtetë, elementet islame në shkrimet e Avicenës janë shmangur krejtësisht dhe shpeshherë thjesht si lëshime dytësore dhe sipërfaqësore ndaj ambientit të tij religjioz dhe kulturor.
Për të sqaruar qasjen e Avicenës ndaj Kur’anit dhe për të vërtetuar natyrën e studimit të tij filozofik të tekstit të Kur’anit, po përgatisim një përkthim të pajisur me bibliografi të gjashtë artikujve të tij të shkurtër rreth tefsir-it. Si një rezultat paraprak i studimit tonë, artikulli që po lexoni shtron pyetjen e lidhjes ndërmjet metafizikës së Avicenës dhe Kur’anit, bazuar në komentin e tij mbi suren Ihlas.
6. Psikologjia nga perspektiva islame
Kontributet e myslimanëve të hershëm, dhe sfidat te psikologët myslimanë
Amber Haque, Shkolla e Shkencave Sociale dhe Humane,
Instituti i Dohas për Studime Pasuniversitare, Katar
Myslimanët e hershëm shkruanin gjerësisht për natyrën njerëzore dhe e quanin Ilm’ul-nefsije ose vetë-njohja. Në shumë raste, veprat e tyre duket se janë ide origjinale për ditët moderne, praktika dhe teori psikologjike. Ajo çka është interesante është se ajo çka shkruanin dijetarët ishte një ndërlidhje me filozofinë islame dhe idetë fetare.
Ky punim përfshin kontributet kryesore të dijetarëve të shquar të hershëm myslimanë në psikologji dhe përshkruan sfidat me të cilat përballen myslimanët e sotëm në përshtatje me teoritë perëndimore. Gjithashtu ofron disa rekomandime për indigjenizimin e psikologjisë për shoqëritë myslimane të interesuara për të kërkuar perspektivën islame mbi sjelljet njerëzore.
Fjalët kyçe: Psikologjia islame; dijetarë të hershëm myslimanë; historia e psikologjisë; psikologë myslimanë; psikologji indigjene.
7. Hafiz Sabit ef. Zajmi (1893 – 1975)
Feti Tunuzliu, Mitrovicë, Kosovë
Sabit Zajmi thërriste për emancipimin e femrës shqiptare, për të drejta të barabarta për shkollimin e saj krahas me mashkullin, drejt një shoqërie të emancipuar. Përveç në tubime familjare dhe fetare, këto predikime i artikulonte edhe në shkrimet e veta. Në shërbim të atdhetarizmit, si pjesë e inteligjencës islame të kohës, Sabit Zajmi propagandoi para dashamirëve dhe para xhematit që pjesëtarët e popullit, shumicë shqiptare, të mos i lënë vendbanimet e tyre për t’u shpërngulur për në Turqi.
Ai i ka tubuar gjithmonë myslimanet për t’i këshilluar. Përveç gjuhës arabe ka njohur edhe gjuhën perse e turke dhe letërsinë, ndërkohë që edhe vetë shkruante. Njëkohësisht ka qenë njohës i shkëlqyeshëm i feraizit (të drejtës trashëgimore të sheriatit). Çdo pëllëmbë e vendit tonë ka qenë e kënaqur me të. Sa personalitet i gjithanshëm ka qenë tregon ajo se ka qenë myderriz bashkëkohor.
8. Tefsiri i Sure-i Duhasë
Kjo Sure ka zbritun në Meqqe edhe permban njimdhet’ Ajete
Hazreti Muhammedi dëshronte me e pa atdhen e dashun të tij Meqqen dhe krejt Arebinë të dëlirtë prej puteve, dhe kombin e vetë e gjithë njerzín donte me e pa të pajosur me besime të sakta edhe me morale ëngjëllore, edhe me të vertetë brënda në njizet vjet krejt sinisija Arabi dyk e qenë nji shkretëtirë errësire dhe egersire me anen e ligjit Perandior, me anën e atij Kuranit të madhnushim e t’urushim u bë nji lulishtë njerzimi e qytetrimi, e kështû u bë nji shembëll lulzimi per gjith botët q’asi kohe ishin egersuar.
Sep 13, 2024 0
Jan 30, 2023 0
Oct 22, 2019 0
Apr 12, 2019 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...