Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 27, 2020 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
Abstrakt
Feja te shqiptarët ka zënë një vend shumë të rëndësishëm përgjatë gjithë historisë. Shumë dijetarë myslimanë shqiptarë kanë kontribuar në mbajtjen gjallë të fesë islame dhe gjithashtu kanë kontribuar fuqimisht edhe për liri e pavarësi. Kjo ka qenë edhe një prej arsyeve që mes njerëzve, të cilët janë përpjekur për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë, gjejmë një numër të konsiderueshëm të përfaqësuesve të fesë islame. Një prej këtyre përfaqësuesve dhe dijetarëve të shekullit të XX-të ishte edhe Hafiz Ali Korça. Për kontributin që ai ka dhënë ndaj atdheut të tij, si në aspektin fetar, por edhe në aspektin kulturor e patriotik, do të duheshin vëllime të tëra që t’i përmendnim, por ne do të mjaftohemi vetëm me një vepër të tij, duke e analizuar dhe duke nxjerrë në pah mendimet fetare e patriotike. Libri, të cilin do të mundohemi ta analizojmë, është një vepër e shkurtër e tij me titullin “Bolshevizma a ç’katërrimi i njerëzimit”.
Jeta e Hafiz Ali Korçës
Hafiz Ali Korça lindi në Korçë, në vitin 1873. Ai u edukua në kryeqendrën më të famshme të edukimit, gjatë kohës që jetoi, në Stamboll dhe më pas u kthye për t’i shërbyer atdheut dhe popullit të tij, fillimisht në vendlindje e më pas në Tiranë, si dhe në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, derisa ndërroi jetë në Kavajë më 1957, si i internuar gjatë regjimit komunist.
Periudha kur Hafiz Aliu jetoi, studioi dhe veproi si mësues, edukator, atdhetar, personalitet fetar, botues, zyrtar shtetëror (ish-këshilltar i Ministrisë së Arsimit, si dhe drejtor i përgjithshëm i kësaj ministrie), qe nga më të rëndësishmet për kombin dhe popullin shqiptar në aspektin politik, kulturor dhe në veprimtarinë kombëtare, atdhetare e patriotike. Ishte koha e shkëputjes nga Perandoria Osmane dhe fillimi i një epoke të re me shumë sfida për shtetin e kombin shqiptar. Ai ka luftuar gjatë gjithë jetës së tij për pavarësinë kombëtare dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Aktiviteti dhe veprimtaria e tij fetare e atdhetare, për kohën, ishte një risi në mesin e popullit shqiptar, kryesisht për vetë bashkëfetarët e tij myslimanë, të cilët, lëvizjet dhe veprimtaritë e tij, fillimisht i shihnin me dyshim e skepticizëm, por si njeri vizionar që ishte, fjalët e tij, të thurura me një mjeshtëri të veçantë artistike e stilistike, si dhe të kuptueshme për kohën, lanë gjurmët e veta, duke u vërtetuar më vonë në praktikë dhe shumë prej librave të tij, të cilët përmbajnë larmi shkrimesh e temash, lexohen dhe merren si referencë edhe sot e kësaj dite.
Fatkeqësisht, figura e Hafiz Ali Korçës, madje për vetë kohën që ai sa ishte gjallë, u la në hije dhe u dëmtua më së shumti gjatë regjimit të dhunshëm të diktaturës komuniste në Shqipëri, nga sistemi famëkeq, që kërkonte të zhdukte “çdo gjë” fetare dhe kombëtare të popullit tonë.
Figura e tij fetare, si një dijetar i urtë e i devotshëm, një njeri shumë i dashur nga të gjithë shqiptarët në atë kohë, nga atdhetarët, nxënësit e tij, si dhe profesorët e ndryshëm, u zvetënua forcërisht nga diktatura e kuqe, duke bërë që të lihet në harresë brenda periudhës së “burgut” të quajtur Shqipëri.
Edukimi i tij jo si një hoxhë i thjeshtë, por si një dijetar i vërtetë, i pajisur me dituri të ndryshme fetare, atdhetare, letrare e shkencore, e bëjnë Hafiz Ali Korçën, një njeri me dhunti të veçanta për thithjen e diturive, si dhe transmetimin e tyre në popull.
Mësimet e para për fenë, Hafiz Ali Korça i kishte marrë në Korçë, nga babai i tij Iljaz efendiu, ku në moshën 12 vjeçare kishte mësuar Kur’anin përmendësh dhe ishte bërë hafiz. Më pas, për njohuri fetare të mirëfillta, ai shkoi në Stamboll, ku zgjeroi horizontin e njohurive të tij.
Si poliglot që ishte, në Stamboll ai mësoi gjuhën arabe dhe perse, ndërsa bazat e gjuhës osmane i kishte marrë që në Korçë. Gjithashtu, në Stamboll mësoi edhe gjuhën frënge. Për shkak të njohurive të tij në frëngjisht, kur Princ Vidi erdhi në Durrës, më 7 mars 1914, Dervish Hima dhe Hafiz Ali Korça mbajtën nga një fjalim në frëngjisht dhe Princ Vidi iu kthye atyre në të njëjtën gjuhë.
Këtë kulturë të gjerë të cilën e përfitoi në Stamboll, pas kthimit në Shqipëri ai donte ta përçonte edhe në mesin e popullit shqiptar. Një nga lëvizjet më të mëdha në këtë drejtim, të nxitura prej tij, është përpjekja dhe mbështetja e madhe që ai dha për hapjen e shkollave shqipe në të gjitha trojet shqiptare.
Veprimtaria dhe kontributi i tij fetar
Hafiz Ali Korça pasi fitoi dhe titullin “hafiz”, vijoi studimet islame në Stamboll, duke ia përkushtuar gjithë jetën e tij fesë islame. Në këtë mënyrë, gjithë jetën e tij, ai e sakrifikoi për të vërtetën hyjnore, Islamin, si edhe për atdheun e popullin e tij.
Për të vënë në praktikë studimet dhe dituritë e mëdha që kishte marrë, ai, kontributin e tij më të madh, krahas ligjëratave të ndryshme fetare, që ka mbajtur nëpër xhami të ndryshme në Shqipëri, e ka dhënë me shkrimin ose përkthimin e materialeve studimore islame të dorës së parë. Nisja e përkthimit të disa ajeteve dhe sureve të Kur’anit nga ana e tij (botuar në vitin 1926) nga gjuha arabe në shqip, ishte një nga arritjet(sipërmarrjet) më të mëdha për prezantimin në shqip të Kur’anit.
Vlerësimi i tij, si figurë e lartë fetare islame, u vu re qartazi kur u zgjodh si një nga anëtarët dhe Fetva Emini i Këshillit të Naltë të Sheriatit, nga viti 1918-1924.
Ai, gjithashtu, ka shërbyer si mësues për një kohë të gjatë në Medresenë e Tiranës.
Botimet e tij fetare si “Mevludi” (1900), “303 fjalë të Imam Aliut” (Korçë, 1910), “Fe Rrëfenjësi, morali” (1914), “Jusufi me Zelihanë” (Elbasan, 1923), dhe “Historia e shenjtë dhe të katër halifetë” (Tiranë, 1931), ishin ndër librat më të dashur për besimtarët myslimanë të asaj kohe. Po ashtu, nuk mund të lëmë pa përmendur hytbet (ligjëratat) e shumta të mbajtura prej tij në xhami, si dhe shumë prej tyre të botuara në revistat e mirënjohura “Zani i Naltë”, “Kultura Islame” etj., të cilat lexoheshin me ëndje të madhe nga të gjithë shqiptarët e asaj kohe.
Veprimtaria dhe kontributi i tij në aspektin atdhetar
Për shkak të mendimit të tij të lirë atdhetar, përkrahjes së bashkimit kombëtar, kundërshtimit fuqishëm të bolshevizmit, komunizmit e ateizmit, duke e konsideruar si një “kuçedër të zezë” për popullin shqiptar, për fat të keq atë dhe familjen e tij, e ndoqi gjithmonë fati i zi i burgosjeve dhe i përndjekjeve, duke filluar nga osmanët e deri te bashkëkombësit e tij pas formimit të shtetit shqiptar, e në fund edhe nga sistemi i errët e i egër komunist.
Këtë veprim ata e ndërmorën për të “zhdukur” kontributin e tij fetar dhe kombëtar, duke mos lënë hapësirë që idetë përparimtare të kalibrit të tij intelektual, për kombin dhe popullin tonë, të zbatoheshin në praktikë.
Ai luftoi gjithmonë me armë, me dituri dhe me penë për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, si dhe për bashkimin e shqiptarëve kundër shovinistëve grekë e serbë, dhe jo për ndonjë ideal të veçantë si ai i komunistëve.
Duke iu kundërvënë bolshevizmit dhe duke parandjerë ardhjen e një “reje të zezë” për Shqipërinë dhe shqiptarët, ai e godet fort atë qysh para instalimit të diktaturës komuniste, kur shprehet:
Bolshevizma s’pajton kurrë
Me dinin e Muhammedit
Çelët do ta kenë luftën
Gjer ditën e Kijametit.
Ndërsa për vuajtjet e veta, në pak rreshta, ai i përmend shumë bukur në një nga strofat e shkruara në manifestin e tij të rëndësishëm “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”, ku thotë:
Për Shqipërinë u përpoqa
rezikova jetën t’ime
Nuk rëfehet se sa hoqa
se shteti m’i njihte krime.
Veprimtari tjetër e rëndësishme atdhetare e Hafiz Ali Korçës është pjesëmarrja e tij në Kongresin e Dibrës, më 23 korrik 1909, ku merrnin pjesë edhe shumë atdhetarë të tjerë të shquar, si: Aqif Pashë Elbasani, Abdyl bej Ypi, Dervish Hima (të cilit Hafiz Ali Korça i ka dedikuar një poezi në kohën që ndërroi jetë). Fjala e Hafiz Ali Korçës në këtë kongres ishte kryesorja, ndërsa për vendimet e tij kanë folur gjerë e gjatë Abdyl Ypi në librin e tij “Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça” (1918), si dhe Haki Sharofi në librin “Kongresi i Dibrës”, të lënë dorëshkrim, por të botuar në vitin 2009, në Tiranë, nga djali i tij, Islam Sharofi.
Për veprimtarinë e tij të shquar patriotike dhe për përkrahjen që ai jepte për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe, kanë shkruar edhe gazetat e njohura të kohës në gjuhën osmane në Stamboll, si gazeta “Sabah” (30 maj 1311 [1894]) dhe gazeta “Aksham” (9 korrik 1318 [1903]).
Veprimtaria dhe kontributi i tij në aspektin arsimor
Për përkrahjen dhe nismat e Hafiz Ali Korçës në aspektin arsimor, kontributet e tij janë të shumta, shumica e të cilave janë shkruar në histori.
Në vijim po përmendim vetëm disa nga kontributet e tij në praktikë në këtë aspekt:
Ai ka qenë ndër mësuesit e parë në Mësonjëtoren e Parë Shqipe të Korçës ku ka bashkëpunuar ngushtë me Pandeli Sotirin;
Ka qenë përkrahës i Kongresit të Manastirit dhe Kongresit të Elbasanit; në vitin 1916 ka qenë drejtor i arsimit për Tiranën, Durrësin dhe Shqipërinë e Mesme;
Ka marrë pjesë në themelimin e Normales së Elbasanit;
Ka qenë ndër themeluesit dhe nismëtarët e ndryshimit të mësimdhënies në Medresenë e Naltë të Tiranës, etj.
Veprimtaria dhe kontributi i tij në aspektin publicistik, kulturor dhe letrar
Shkrime të ndryshme për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë, Hafiz Ali Korça i ka botuar në organe të ndryshme në Shqipëri, Turqi dhe Iran.
Ai gjithashtu është autor dhe përkthyes i mbi 13 librave dhe shumë shkrimeve të ndryshme nëpër gazeta dhe revista, në shqip e gjuhë të huaja, dhe të gjithë këto vepra e shkrime janë botuar sa ishte gjallë.
Nga krijimtaria e Hafiz Ali Korçës, pa dyshim, nuk mund të lëmë pa përmendur shkrimet e tij në gjuhën osmane e perse, që i dërgonte për botim në gazetat kryesore të asaj kohe në Turqi dhe Iran, si p.sh.: në gazetën “Ittifak” (Bashkimi) në Stamboll, ndërsa gazeta “Aksi Sada” në Stamboll i kërkonte shkrime Hafiz Ali Korçës, siç thoshte “për të zbukuruar shtyllat e gazetës”.
Nga veprimtaria e pasur publicistike e Hafiz Ali Korçës mund të përmendim përkthimet e mrekullueshme të librave “Gjylistani dhe Bostani”, “Rubaijjati” dhe “Jusufi me Zelihanë”, me anë të të cilëve bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj Saadiu dhe Omer Khajjami.
Të flasësh për një figurë shumëdimensionale si ajo e Hafiz Ali Korçës, duhet një kohë e gjatë për të studiuar dhe kuptuar jetën dhe veprimtarinë e tij, por, megjithatë, ai do të mbetet gjithmonë një nga emblemat më të njohura vizionare të kombit shqiptar. Gjithashtu, gjykojmë se veprimtaria e tij fetare dhe kombëtare do të jenë, dhe duhet të jenë, baza për mendimin fetar e kombëtar të shqiptarëve në përgjithësi, e të myslimanëve në veçanti.”[1]
Analiza e veprës
Qëllimi i shkrimit të veprës
Hafiz Ali Korça ka jetuar në vitet e fillimit të periudhës së regjimit komunist shqiptar. Duke parë rrezikun që vinte prej kësaj ideologjie, vendosi të shkruajë këtë vepër, siç e thekson edhe në pjesën e parë të librit nën titullin “Qëllimi i shkrimit”, për të informuar popullin për rreziqet që sillte ky sistem. Duke pasur parasysh të gjitha rreziqet që mund të sillte vendosja e një regjimi totalitar ateist në Shqipëri, ai e shihte si detyrë morale që të paralajmëronte bashkatdhetarët për rrezikun që u kanosej. Ai e ilustron këtë me një shembull të qartë e kuptimplotë. Shembulli është pikërisht kështu: “Mizën e dheut e pyetën, ku po shkon? tha: “në Qabe”. I thonë: “a me këto këllqe do të shkosh?”. Iu përgjigj: “a po shkoj me këtë qëllim të mirë, edhe në mos e degdisça (mbërritsha) sevapi i haxhillëkut më shkruhet.”[2]
Edhe ai, duke e vendosur veten e tij në pozitën e mizës së dheut, të përmendur më sipër, theksonte se qëllimi i tij ishte shkruarja e këtij libri. Pastaj, nëse botohej apo jo, ose nëse mbarohej së shkruari apo jo, nuk ishte në dorën e tij. Ai shpresonte në marrjen e sevapeve në fund, për shkak të qëllimit të mirë që kishte pasur kur kishte filluar të shkruante këtë vepër. Kjo na sjell ndërmend hadithin e Profetit: “Me të vërtetë veprat varen sipas qëllimit. Çdokujt i takon ajo që ka pasur për qëllim. Ai, i cili ka emigruar për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, emigrimi i tij konsiderohet i tillë. Ndërsa kush ka emigruar për qëllim të kësaj bote, apo sepse dëshiron të martohet me një grua, ai përfiton nga emigrimi vetëm atë që ka pasur për qëllim”.[3]
Hafizi do të citonte se e ndjente veten të detyruar si bir i këtij atdheu, që të kontribuonte për të mirën e vendit të tij sipas mundësive që kishte. Kjo tregon ndërthurjen që i bënte Hafiz Ali Korça binomit fe-atdhe, gjë që do të vihet re edhe në faqet në vijim të librit.
Stili i shkrimit
Një veçori tjetër që vihet re në këtë vepër, është se Hafiz Aliu i shoqëron shkrimet e tij me vjersha nga ana e tij personale, duke e përdorur shumë vjershën në këtë libër. Edhe këto poezi ai nuk i ka të huazuara, por të shkruara vetë. Kjo tregon edhe një tjetër aftësi të tijën, aftësinë poetike. Jo shumë e dinë(Të paktë janë ata që e njohin) që Hafiz Ali Korça ishte edhe një poet i mirë. Të gjithë e njohin për shkrues e ligjërues fetar. Një tjetër aspekt ky që mbetet për t’u analizuar.
Bolshevizma s’pajton kurrë
Me dinin e Muhammedit
Çelët do ta kenë luftën
Gjer ditën e Kijametit.[4]
Shkrimet e tij i shoqëron po ashtu me ajete të Kur’anit Famëlartë dhe hadithe të Profetit a.s. Por, vihet re diçka, kur e jep kuptimin e ajetit në gjuhën shqipe, nuk e merr nga një përkthim i mirëfilltë Kur’ani, por e përkthen dhe i jep kuptimin vetë. Kjo tregon se Hafiz Ali Korça e ka njohur shumë mirë gjuhën arabe, sepse të jesh në gjendje të përkthesh një libër hyjnor, siç është Kur’ani, do të thotë që zotëron një arabishte të mirë e të pasur, por gjithashtu edhe një shqipe shumë të mirë, e cila i përkiste dialektit toskërisht.
Libri është një vepër e shkurtër, i cili përbëhet prej vetëm 35 faqesh, ku dhe përmasat e faqeve në botimin që kemi në dorë, janë të vogla në krahasim me librat e tjerë standardë. Është një libër i shkurtër, por domethënës. Ndoshta autori ka menduar se, nëse do të shkruante një libër me tepër voluminoz, njerëzit nuk do ta merrnin mundimin ta lexonin, por kështu siç e ka shkruar, të shkurtër dhe me kuptim, njerëzit do ta kishin me të lehtë për ta lexuar.
Përmbajtja e librit
Libri është ndarë në dhjetë çështje të ndryshme. Do mundohemi që për çdo çështje të caktuar të japim një ide se për çfarë bëhet fjalë, që lexuesi të krijojë një përshtypje të përgjithshme se çfarë përmban i gjithë libri.
Çështja e parë
Libri si fillim nuk ka ndonjë hyrje, por fillon me çështjen e parë, të cilën e shtjelluam më lart.
Çështja e dytë
Çështja e dytë vjen nën titullin “Bolshevizma dhe Myslimanizma”. Këtu autori bën pothuajse një koment të ajetit:
وَلَوْ بَسَطَ اللَّهُ الرِّزْقَ لِعِبَادِهِ لَبَغَوْا فِي الْأَرْضِ
“Sikur Allahu t’i shtonte mjetet e jetesës për robërit e Vet, ata do ta mbushnin Tokën me mbrapshti.”[5]
Një nga parimet bazë të komunizmit ka qenë barazia në aspektin e pasurisë. Të gjithë njerëzit duhet të jenë të barabartë në pasuri. Por autori, kur sjell këtë ajet dhe i bën shpjegimin, konstaton se kjo është e gabuar, sepse edhe vetë ajeti që përmendet e thotë një gjë të tillë. “Sikur Allahu do t’u jepte të gjithë robërve të Tij pasuri të njëjtë, në tokë do të kishte kryengritje e çrregullime. Për këtë arsye, Allahu e ka caktuar pasurinë ndryshe për çdokënd, sepse nëse do të ishte njëlloj, të gjithë do të ishin të fuqishëm, të gjithë nuk do të kishin nevojë për njëri-tjetrin dhe do të bënin si të donin e do të bëheshin çrregullime. Kurse kështu siç i ka shpërndarë Allahu, ia ka lënë në dorë çdo njeriu që të punojë dhe të fitojë sa të dojë, që të rritet ekonomikisht, në dije dhe në mjeshtëri. Ndërsa në komunizëm, si ai që punonte shumë, si ai që punonte pak, meritonin të njëjtin shpërblim.
Çështja e tretë
Në këtë pjesë, të titulluar “Bolshevizma, nga dolli?”, autori analizon historikun se si ka filluar të dalë në pah komunizmi. Flet se prej kujt lindi kjo lëvizje. Autori thekson se ideatori i gjithë kësaj fryme ishte Karl Maksi. Nga shumë dëme që solli ky sistem, njëri prej tyre ishte edhe eliminimi i njerëzve të fesë. Ata ishin edhe njerëzit më të ditur të asaj kohe.
Çështja e katërt
Çështja e katërt vjen me titullin: “Ç’katërrimi i Bolshevizmës”. Në këtë pjesë tregon për dëmet që i solli ky sistem Rusisë së asaj kohe. Të gjitha këtyre dëmeve i vuri emrin kiamet. Autori thekson se, për t’i përmendur të gjitha këto kiamete në aspekte të ndryshme të jetës si: kiamet ekonomik, politik, njerëzor, etj., duhen libra të tërë.
Në tre çështjet e radhës, saktësisht në të pestën, të gjashtën dhe të shtatën, Hafiz Aliu përmend shkatërrimet njerëzore, shkatërrimin e drithit dhe kiametin e bagëtisë, ku jep shifra, të cilat ishin para revolucionit dhe më pas shifrat pas ndodhisë së revolucionit. Për shifrat do ua lëmë lexuesve të shfletojnë librin nëse janë të interesuar për to.
Çështja e tetë
Pas gjithë këtyre shkatërrimeve, autori përmend edhe një shkatërrim të fundit, por jo për nga rëndësia. Përmend shkatërrimin e fesë. Nga dëmet që komunizmi i solli fesë janë:
U dënuan shumë dijetarë (ulema të fesë).
Fenë e ndaloi nëpër shkolla, kështu disa njerëz u detyruan të emigronin jashtë.
Xhamive filluan t’i marrin taksa tepër të larta.
Çështja e nëntë
Kjo çështje vjen nën titullin: “A mund të përhapet Bolshevizma?”. Autori në këtë çështje shqyrton mundësinë nëse kjo ideologji mund të shtrihet nëpër vende të tjera të botës jashtë Rusisë, apo jo? Këtu autori thekson se Islami nuk ka nevojë për një ideologji të këtillë, sepse principet e Islamit janë të mjaftueshme dhe shumë herë më të mira se kjo ideologji.
Çështja e dhjetë
Çështja e dhjetë titullohet: “Vallë shtetet e huaja ç’po bëjnë?”. Autori thekson se gjithë vendet e botës e kanë kuptuar se kjo ideologji nuk është e mirë, dhe se i janë afruar më shumë feve, duke gjetur gjëra më të mira, duke iu mbështetur atyre. Autori i jep një përshkrim tjetër historik kësaj ideologjie, duke thënë se ka ardhur në periudha të ndryshme, por që është shuar pastaj më vonë.
Përfundimi
Pas analizës së kësaj vepre, që u munduam të jepnim më lart, vëmë re që autori del kundër kësaj ideologjie, duke mos përmendur asnjë të mirë që mund të vijë prej saj dhe duke theksuar se feja islame nuk përputhet në asnjë aspekt me të.
BIBLIOGRAFIA
Ali, Korça, “BOLSHEVIZMA A ÇKATËRRIMI I NJERËZIMIT”, Logos A., 2006.
Hasan, Nahi, “Kurani i Madhërishëm”, Mileniumi i Ri, Tiranë, 2006.
Webliografi
http://www.dritaislame.al/hafiz-ali-korca-nje-jete-ne-sherbim-te-fese-dhe-kombit/
[1]. http://www.dritaislame.al/hafiz-ali-korca-nje-jete-ne-sherbim-te-fese-dhe-kombit/
[2]. Korça, Ali, “Bolshevizma a çkatërrim i njerëzimit”, Tiranë, 2006, f. 11.
[3]. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[4]. Vjershë e cituar që në fillim të librit, në faqen para përmbajtjes, e shkruar nga vetë autori.
[5]. Kur’an, Shura, ajeti 27.
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...