Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 21, 2019 Zani i Nalte Gjuhë-letërsi, Studime 0
Në foto: Kristo Thanas, Imam Vehbi Ismaili, Fan S. Noli, Baba Rexhebi, Anthony Athanas, Boston, SHBA, 1959.
nga Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi
Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Kolegji Universitar Bedër
Abstrakt
Ecuria e shoqërisë shqiptare nga periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe këtej është shoqëruar me pasurimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që nga ana e vet i ka ndihur zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare në jo vetëm një aspekt. Mendimi kritik, i plotësuar nga metafizika hegeliane, i ndihmoi prijësit fetarë shqiptarë të përdornin ligjërimin e hollë libror, si stil, i cili në fillimet e veta u përdor nëpërmjet botimeve për të grishur mirëkuptimin kombëtar dhe i shoqëruar me butësi, për të cilën kishte aq fort nevojë. Ky lloj ligjërimi, që mbante gjallë shpresën dhe besimin për të ardhmen, duke iu qasur racionalitetit që pengon vendimet emocionale, grishi durimin e të gjithëve që punuan për vëllazërimin kombëtar, si një hap më tej në udhën e krijimit të ndërgjegjes kombëtare dhe në mbrojtjen e identitetit shqiptar. Filozofia e butësisë e durimit, fjalori gjegjës, fryma e ngjizur dhe konteksti i përdorimit të tij, flet për efikasitetin e stilit të komunikimit dhe nga ana tjetër, për begatimin shpirtëror të shqipfolësve, që arritën nëpërmjet tij të kompozonin ndërgjegjen kombëtare dhe jo pak ndikime të tjera prej këtij lloji komunikimi gjuhësor, i cili rezultoi shumë i suksesshëm. Ligjërimi i hollë libror u bë model dhe pasuroi edhe ligjërimin bisedor, duke arritur të dobësojë klaustrofobinë, që sëmurte masivisht te ne, duke i hapur udhë filoksenisë, si çelës për integrimet e pritshme.
Hulumtimet e imta, përqasjet mes tyre dhe analizat e gjetjeve do të plotësohen mes modeleve që e dokumentojnë risinë, të cilin e solli ligjërimi që iu bë krah formimit të qytetarit shqiptar dhe nga ana tjetër përsosi vetveten.
Të armatosur me këtë lloj mendësie dhe me ato mjete gjuhësore që duheshin, ligjërimi i hollë libror iu bë krah emigrantëve shqiptarë edhe në vendet ku jetuan, duke u shërbyer edhe aty në dobi të çështjes kombëtare.
Fjalë kyçe: vëllazërim, predikonjës, mendësi, klaustrofobi, këshillues, filokseni, mirëkuptim
Te llojet e ligjërimeve, të cilët përcaktohen nga rrethanat në të cilat realizohet kumtimi, si dhe nga qëllimi i tij, duket se ligjërimi i hollë libror ka një rol të veçantë në historinë tonë moderne. Meqenëse qëllimi diktohet nga nevoja, kuptohet se ai mjet i fuqishëm ka nxitur në njohjen dhe përvetësimin, më pas, të qëndrimit kritik të ndërthurur mes elementeve të filozofive Lindore dhe Perëndimore, i cili mbështetet te finesa e ligjërimit, që nga libror në fillimet e veta, fillon të bëhet pasuri edhe e komunikimit bisedor, të cilin e bën më shprehës dhe më kuptimplotë, duke ndikuar në mirëkuptimin mes pjesëmarrësve. Ai hap pas hapi e pasuroi përmbajtjen e komunikimit, duke luajtur rol parësor në forcimin e sedrës kombëtare dhe më pas të ndërgjegjes sonë kombëtare, si elemente që i ndihin paqes humane, vëllazërimit kombëtar e më tej.
Ligjërimi i hollë libror është njohur, vlerësuar dhe përdorur qysh më herët prej njerëzve tanë të letrave, por në vitet ‘20 të shekullit XX, nisi të zinte vendin që i takonte, duke iu afruar kësisoj formatimit të emërtimit brenda ligjërimit human. Organet e shtypit të Rilindjes Kombëtare, mbollën farën e këtij mendimi të shoqëruar me metafizikën hegeliane, që jetësonte ide dhe përvoja nga Lindja e Perëndimi, duke mbrojtur traditën e lashtë. Faik Konica në revistën e tij Albania, e vlerësuar si ‘enciklopedia e Rilindjes sonë Kombëtare’, grishte fillimin e punës për gjetjen e një alfabeti të përbashkët për shqipfolësit, si dhe për hedhjen e themeleve të gjuhës standarde shqipe, si domosdoshmëri për ecjen e kombit në rrugën e duhur, duke u kujdesur për mbrojtjen e traditës. Fryma e mbjellë vijoi të forcohej me shpalljen e pavarësisë dhe veçmas pas viteve ‘20 të shekullit që lamë pas. Në shkrimet e kohës punohej intensivisht për zhvillimin e aftësisë në të formuarit e një mendimi real nëpërmjet mirëkuptimit, butësisë, tolerancës (durimit), siç thuhet te manualet e Burbaki-ve, apo vepra e Jean-Paul Sartre-it. Duke ngritur institucionet kulturore, shpirtërore, arsimore e shkencore, që i paraprinë krijimit të shtetit, ato jo vetëm ndihmuan në shpalljen e pavarësisë kombëtare, por u bënë edhe model i institucioneve të reja shtetërore. Në fjalën e tij në Kongres, kleriku dhe udhëheqësi shpirtëror hodhi idenë e krijimit të institucionit kombëtar të myslimanëve shqiptarë, që do të mbronin vëllazërimin mes tri besimeve, që praktikoheshin historikisht ndër ta. Shumica e prijësve fetarë morën pjesë në Kongresin e Manastirit, siç ndodhi dhe me nënshkrimin e aktit të pavarësimit. Zijimi i gjithçkaje, që ishte vetëm pasqyrim pa predikim, në jo pak botime, i binte ndesh punës që po bëhej ndërkohë në institucione, veçmas në publicistikën e kohës. Megjithatë, kjo ishte detyrë së pari e gazetarëve dinjitarë, vërtet pak asokohe, por që nuk dinin të jepeshin. Në vitin 1924, te shkrimi Gazetarëve, Mithat Frashëri, që ishte shkrimtar dhe gazetar jo më pak se historian, veprimtar kombëtar, shtetar, përkthyes…, përcakton si të tillë:
“Çdo shkrimtar është një këshilltar; po gazetari është edhe më tepër akoma: një predikonjës, një njeri, fjalët e të cilit, të hedhura së sipri katedrës, mbeten e qëndrojnë. Edhe e shihni sa përgjegjësi ka ai që thotë ato fjalë.”
Dhe predikues (e vjetër – predikonjës) nuk mund të jetë një “njeri me hënë”, i vetëshpallur gazetar, që vetëm vepron pa u menduar e jo më pastaj të predikojë, pra të nxisë besim. Njëherazi ato botime janë fakte historike, që dëshmojnë për rolin që kanë luajtur në formimin e ndërgjegjes kombëtare, në forcimin dhe begatimin e shtetit të ri dhe, shumë më tepër se kaq, për vëllazërimin kombëtar, si parakusht i ngjizjes së ndërgjegjes kombëtare.
Që një ligjërim i tillë ka pasur ndikim të madh në jetën shoqërore, dallohet duke parë disa shembuj nga përfaqësues tipikë të kulturës dhe publicistikës shqiptare. Le të niset nga fillimshekulli XX, nga Bostoni, Mass. i SHBA, ku doli gazeta e parë në shqip atje. Në numrin e fundit të Kombit ishte botuar një letër e Sotir Pecit, që i ftonte botuesit të ktheheshin në atdhe ‘për të punuar dobërisht’, ftesë e vendim që Fan Noli nuk e miraton. I kthen përgjigje ish-drejtuesit te revista Dielli në shkurt 1909, pa emër autori. Le të sqarojmë se pse autori nuk i nënshkruan artikujt e vet dhe se si njofton emrat e tij letrarë. Një numër të madh shkrimesh të botuara atje, madje, nuk i nënshkruan, gjersa rishfaqet në prill 1909 me pseudonimin Pesimisti. Pas këtij pseudonimi vijon të mos nënshkruhen shumë shkrime të tjera, deri sa nënshkruan në një shkrim me pseudonimin Diximus dhe po vetëm në një rast tjetër pas tij rishfaqet pseudonimi Hieronymus. Fan Noli ka përdorur jo pak emra letrarë për arsye nga më të ndryshmet, por pseudonimi Pesimisti dëshmon realisht për problemet dhe vështirësitë e shumta, që po kalonte në Boston, të cilin e metaforizon si Athina e shqiptarëve, sepse ata që kishin mbërritur atje si emigrantë ekonomikë, kishin filluar të integroheshin. Kur boton artikuj, që as nuk i nënshkruan fare, flitet për rëndimin e gjendjes së tij shpirtërore dhe nevojën për identitet, e cila e afron me vendime e gjendje, që vetë do t’i qortojë me të madhe pas disa vjetësh qëndrimi në SHBA. Pas këtij shkrimi ai boton përsëri pa emër, kësaj here te revista Dielli e Flamuri, ku në datën 14 shtator 1911, boton artikullin Kryengritje e përgjithshme në Shqipëri, nga i cili citohet më poshtë një fragment:
“E kemi thënë çë sa herë që një kryengritje e përgjithshme dhe e rregulluar mirë, i mbulon të gjitha hallet dhe mjerimet tona. Këtë e presim me gojë hapur nga vera që vjen, po më parë duhen qërruar tradhëtorët, të cilët kurdoherë janë pengimtarët më të këqij të zhvillimit kombëtar. Kur plasi për të parën herë kryengritja e bullgarëve të Maqedonisë, kapedanët e tyre s’bënin punë më të madhe, përveçse helmonin tradhëtorët. Me këtë mënyrë bullgarët arrijtën të shoqërojnë me veten e tyre gjithë fshatarët dhe të punojnë liruar gjithë qëllimet e tyre kombëtare. Për neve shqiptarët do të ish shumë më mirë po të vihej në udhë ky mendim praktik. Pse jo?” (Noli, 1987: 409)
Kjo lloj filozofie e dhunës, që duket nuk u la në Ballkanin inatçor, por u mor me vete deri në SHBA, gjalloi edhe më pas te vetëm disa individë si një lloj gjendjeje emocionale inatçore më shumë se mendësie vetjake, e cila mbolli përçarjen e besimtarëve ortodoksë shqiptarë, që kishin emigruar atje. Në kahun tjetër, qysh në vitin 1921, ortodoksi nga Korça, Ilo Mitkë Qafëzezi, ia nisi përkthimit të Kur’anit, nga i cili solli në shqip vetëm disa sure, duke dëshmuar se vëllazërimi mes besimeve jo vetëm nuk do të hepohej, por do të thellohej më tej:
“Muhamedanë dhe të Krështerë:
Le të bëjmë nga librat fetare, çështje të kulluara kombëtare. S’është nevoja të de(A)bëtojmë ndjenja të shpirtit. Nga këjo nuk’ e gjen fare dem Shqipërin’ e sotshme. Vetëm fanatizmi fetar duhet ndjekur edhe luftuar, gjer të shduket krejt nga zemrat e Shqipëtarëvet që e duan Shqipërin’ e Lirë ndë radhë qytetërimi. Tjetrazi, jemi të humbur…”
Toni i butë dhe grishja për vëllazërim mes dy besimeve kryesore fetare, nxjerr në pah nevojën për më tepër hapësirë për zemrën plot ndjenja që i arsyeton gjaku i njëjtë. Fjalët: lexo, libra, mëmëdhe, kombëtar, shpirt, Shqipëtarëvet, Shqipëri, zemër, Liri, qytetërim po viheshin në themelet e ligjërimit të ri që po bënte vend, duke u ardhur në ndihmë përdoruesve të kësaj gjuhe dhe njëherazi duke formësuar veten cilësisht.
Kësisoj grupimet e ngjizura pas Luftës së Dytë Botërore në Boston i binin ndesh grishjes për ‘vllaznim’ mes besimtarëve të një institucioni fetar dhe të asaj mes besimeve dhe degëve të tyre të ndryshme, të nisur nga binomi Fe-Atdhe, i cili mbizotëroi ndër shqiptarët gjithkund dhe në Shqipëri shumë më herët se të shpallej Pavarësia Kombëtare. Lidhja dhe bashkëpunimi u përforcua gjatë e pas Luftës së Parë Botërore dhe që dha rezultat deri me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Për pasojë, pas Luftës, në Kishën Ortodokse Shqiptare të Amerikës, u çel një përçarje, aq sa iu desh FBI-së të hetonte Peshkopin Fan Noli, i cili vijonte të ishte një nga më të afërtit dhe më të respektuarit e qeverisë komuniste të Tiranës. (Leustean, 2010: 149)
Sipas studimit të plotë të Nikolla Panos, të përfshirë si kapitull i 9-të brenda librit të Leusteanit, titulluar Kisha Ortodokse Shqiptare, Peshkopi Fan Noli, gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk e kishte fshehur simpatinë për lëvizjen e rezistencës komuniste, duke besuar se ajo do të themelonte një regjim, që do t’u futej reformave liberalizuese, menjëherë pas përfundimit të Luftës. Nikolla Pano nuk lë pa shtuar, se ky besim i Peshkopit shqiptar në SHBA, vijoi deri në fillim të viteve ‘50, kur atij iu desh të përshtaste një qëndrim kritik lidhur me situatën në Shqipëri.
Ndërkohë ishte ndarë nga jeta Faik Konica, një nga këshilluesit e spikatur të poliedrikut Fan Noli, kësisoj qëndrimi dashamirës i tij dhe i mbështetësve përfundoi në konfliktin brenda Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës (KOSHA), që solli brenda saj fraksionet pro dhe kundër komuniste. Kur kundërshtia u thellua, që përkoi me përkeqësimin e shëndetit të tij, Peshkopi pranoi ta vendoste kishën e tij nën juridiksionin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASH). Megjithatë, ai e tërhoqi kërkesën, shton Nikolla Pano në studim, duke vijuar të mos komunikonte me Kryepeshkopin Kisi në Tiranë.
Për të mos lejuar ndarjen e kishës në Amerikë, kundërshtarët e Fan Nolit iu drejtuan Patriarkanës së Stambollit, që t’u dërgonte një Peshkop, i cili të ishte antikomunist. Mark Lipa i Dioqezës Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili mbërriti në SHBA në dhjetor 1950, mundi të fitonte besimin e vetëm 3 nga 12 famullitë e Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës (angl. AOCA).
Për të siguruar statusin e saj kanonik, Peshkopi Mark Lipa u bashkua me Kishën Ortodokse Shumëkombëshe të Amerikës si Kryepeshkopata Ortodokse Shqiptare. Të dy dioqezat kishtare ortodokse të mbetura nën juridiksionin e Peshkopit Lipa dhe Patriarkanës së Kostandinopojës (Stambollit) vijuan të funksiononin si Dioqeza Ortodokse Shqiptare në Amerikë.
Studiuesi Pano njofton me autoritet shkencor në punimin e tij serioz, se Peshkopi Fan Noli iu drejtua përsëri për ndihmë KOASH-it në vitin 1965. Nga shtrati i vdekjes, ai kërkoi që At Stefan Lasko (Stephen Lasko) të shenjtërohej Peshkop i AOCA. Autoritetet gjegjëse në Shqipëri e miratuan kërkesën e Peshkopit Fan Noli, por ngritja në detyrë e Peshkopit Lasko, ngjalli kundërshtime të forta brenda AOCA, deri sa u zgjidh në vitin 1969, me njohjen prej tij të grupimeve. (Leustean, 2010: 149) Sipas të dhënave, përçarja e komunitetit ortodoks shqiptar në SHBA vijoi deri në vitin 2008, por ndërkohë marrëdhëniet midis dy grupeve ishin përmirësuar. (Leustean, 2010: 149)
Një tjetër pamje, që fakton ecurinë dhe rolin e këtij lloj ligjërimi, është dokumentuar në një ligjëratë të Fan Nolit, mbajtur vetëm disa muaj para ngjarjeve të lëvizjes së qershorit, që ndodhën edhe për shkak të ligjërimeve johumane që do zinin vend, sidomos në ligjërimet e mbajtura në Parlamentin e Shqipërisë (atëherë Kuvent Themeltar). Në fjalën e botuar në mesin e shkurtit 1924, bie në sy se ajo ka zbutur marrëdhëniet ndërpolitike mes deputetëve të Kuvendit. Të gjithë e miratojnë kërkesën e Kryepeshkopit të KOASH, i cili do të flasë për figurën e presidentit të SHBA. Fjala e deputetit Fan Noli dokumenton kahjen pro-perëndimore të shoqërisë shqiptare në përgjithësi, e përfaqësuar në Kuvent Themeltar, kurse lloji i ligjërimit të përdorur atje dëshmon për ndikimin e tij në krijimin e ‘njeriut fisnik të iluminizuar’, për të cilin kishte nevojë jo vetëm çasti, por sidomos ardhmëria. Ligjërimi human ishte ndërkallur deri në shkrimet liturgjike të cilat po silleshin në gjuhën shqipe nga personalitete, jo vetëm të fetarisë shqiptare, por, njëherazi, edhe të jetës kulturore e shtetërore te ne.
Ligjërimi i Fan Nolit është botuar me titullin: Fjala memoriale e Imzot Nolit për Uillsonin në Kuvent Themeltar. Panegjirika i shkon figurës së Presidentit të 28-të të Amerikës, Uoodrou Uilson (Woodrow Wilson), amerikanin e madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e fortë të Shqipërisë së vogël e të dobët, por që ishte në të drejtën e saj. Nga foltorja e parlamentit pluralist, ai i fton shqiptarët të vajtojnë për Uillsonin, udhëheqësin e vendit:
“Titulli ‘Amerikan’ mjafton që ta bëjë popullin tonë të marrë pjesë në çdo vajtim të Amerikës, se që të gjithë e dimë sa të mira kemi parë prej saj. Që më 1900 Amerika ka qenë kurbeti më i madh i shqiptarëve. Që më 1914, kur Shqipëria u shkel prej të huajve, Amerika u bë vendi ku shqiptarët shkonin për të shpëtuar jetën e tyre e për të fituar bukën e fëmijës. Për të njëzet e pesë vjetët e fundme Amerika ka qenë për shqiptarët një fushë pune dhe një shkollë: Një fushë pune ku fitonin aq para sa ishin të zotët, dhe një shkollë ku mësonin respektin e kanunit, disiplinën, vlerën e organizimit dhe detyrat kundrejt Atdheut, kështu që ktheheshin në Shqipëri krejt të transformuar dhe njerëz me idera të ra.”
Amerika zemërmadhe i lejoi emigrantët shqiptarë të themelonin institucionet e tyre shpirtërore dhe kulturore. Atje lindi KOASH, që më pas u përcoll në Atdhe dhe gazeta e revista e shoqatës panshqiptare Vatra, jep fakte që numërojnë se ajo dërgon Kryqin e Kuq që t’i lehtësonte vuajtjet e Shqipërisë, por dhe hap shkolla, sepse sipas tij, ‘një nga të vetëmat, në mos e vetëmja, shkollë moderne që kemi është ajo e Amerikës: Shkolla Teknike’.
Nuk duhet harruar që kjo fjalë u mbajt jo vetëm nga deputeti, por edhe nga Kryepeshkopi i KOASH, ndaj domethëniet e fragmentit janë të thella, por edhe dokumentimi i qasjes drejt Perëndimit prej parlamentit rishtar:
“Veç titullit ‘Amerikan’, Uillsoni ka për mirënjohjen tonë edhe një titull tjetër, atë të idealistit dhe të “Profetit” të vëllazërimit ndërkombëtar dhe të paqes së përbotshme. Presidenti Uillson ishte idealist se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Amerika është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për të bërë dollarë nuk e njohin Amerikën aspak. Fakti që një idealist si Uillsoni u zgjodh dy herë President, arrin për të provuar tezën tonë.”
Më poshtë Fan Noli gjykon se Presidenti Uillson ishte një hap para gjykimit të shoqërisë së kohës, e cila nuk e kuptoi, siç ndodh rëndom me gjenitë. Pasi u kthye nga Franca, senati i SHBA-ve refuzoi të ratifikojë Paqen e Versajës, të kryesuar prej Paktit të Lidhjes së Kombeve, për pasojë Presidenti, ‘nga zenithi më i lartë ku ka ëndërruar të hipë në histori të botës një njeri, u rrukullis dhe u rrëzua përdhe’, por jo figura e tij:
“O, çfarë rënie qe ajo, O qytetarë! / Ahere ju e unë të gjithë ramë, / Dhe tradhti e gjaktë mbretëroi mbi ne.”
“O, what a fall, O citizens! / Then you and I and all fell down, / And bloody treason reigned over us”.
Pas largimit nga posti i lartë, Presidenti i la Shqipërisë një mbrojtëse besnike, Lidhjen e Kombeve, që ishte sajesa e tij, gjersa Shqipëria u qas në Lidhjen e Kombeve në dhjetor 1920, dhe u bë e aftë të mbronte veten me bijtë e vet. Emocionohesh kur lexon grishjen për të nderuar një Mik të Madh si një detyrim kombëtar përmes mirëkuptimit, pa dallim bindjesh, krahine apo shtrese shoqërore:
“Një herë në Parlamentin anglez Edmund Burke ka thirrur me dëshpërim: “Alas, the age of chivalry is gone” (Ajme, koha e kalorësisë shkoi). Presidenti Uillson e përgënjeshtroi këtë asercon (pretendim) dhe provoi në shekullin e njëzetë që ka një vend, i cili edhe prodhon kalorës bujarë për të mbrojtur jetimët, të vejat dhe të shtypurit. Qysh ta qajmë e ta vajtojmë këtë kalorës pa frikë edhe pa njollë, ‘chevalier sans peur ni reproche!’ (U eklipsua Dielli i të vegjëlve dhe i të mjerëve). U rrëzua përdhe dushku i madh mbi degët e të cilit kishin ndërtuar folenë e tyre ëndërronjësit idealistë dhe nga ky oshëtim me rënkim pylli i errët i dheut, dhe u zhduk vizioni i një bote më të mirë njerëzore. (Po zemrat përpjetë!) “Sursum corda!”
Duke bërë të vetën frymën kritike, që mban gjallë besimin për të ardhmen më të mirë, ai jep bindjen e vet se çka është mbjellë me dashuri, do të rritet e shëndetshme, duke shtuar:
Amerika, ajo nënë bujare që i ka dhënë botës Uillsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ay, kalorës të cilët të kenë mbi shqytin e tyre kryefjalën e Virgjilit “regere parvons, debellare superbos”, (kalorës të cilët të mbrojnë të vegjëlit dhe të përunjin kryelartët), kalorës të cilët të vazhdojnë dhe të mbarojnë veprën e paqes, e vëllazërimit e mirëdashjes ndërkombëtare. (Duartrokitje të përgjithshme) (Ombashi, 2002; 2014)
Është fillimviti 1924, por me gjithë ndryshueshmërinë e botëkuptimeve, kulturave, klasave shoqërore dhe interesave personale, folësi merr, sipas raportuesit të lajmit, Duartrokitje të përgjithshme, çka dëshmon se ligjërimi i hollë po fitonte përkrahës, të paktën në elitën e kohës.
Fryma pozitive nxiti lucidët e kohës që të ftonin masën e lexuesve që të mos e shihnin tjetrën si të kundërt të vetes, por përkundrazi. Në një shkrim publicistik, Mithat Frashëri rreket të informojë lexuesin përmes ligjërimit human se Bektashizmi i shton vlerë kulturës së besimeve në Shqipëri, por edhe identitetit kombëtar në veçanti.
Personaliteti i kulturës shqiptare fton lexuesin e specializuar, duke kërkuar mirëkuptimin e tij, që të mos lexojë gramatikisht e as vetëm kuptimisht, por edhe semiotikisht, duke e ndjerë fillimisht dhe pastaj duke nxjerrë kuptimin në kontekstin e tekstit, që e quan shpirt të teksteve fetare:
“Kjo panteizmë beson se fuqia e perëndishme ekziston në të gjithë rruzullin, e pandarë prej natyrës dhe shfaqja m’e lartë e kësaj fuqie është njeriu. Prandaj bektashizmi beson se, për të zgjidhur të gjitha çështjet metafizike, duhet marrë parasysh njeriu. Dhe Lajmëtarin e konsideron një nga këto shfaqje të larta të formës njerëzore. Parajsën dhe skëterrën njeriu i ka vetë në dorë. Në këtë mënyrë, bektashisma përmblidhet në katër fjalë: Dituria, Besnikëria, Ligji dhe Sekti.” Reformat e Bektashizmës në Shqipëri[1]
Raporti që njeriu ka me lirinë, në përgjithësi, dhe atë të besimit e mendimit në veçanti, e ndihmon autorin të sqarojë lexuesin, duke e informuar shkencërisht atë, pa fshehur rolin e këtij tarikati të fesë islame në kulturën dhe identitetin shqiptar:
“Si produkt i racës ariane u përhap dhe në Shqipëri, sidomos në një kohë kur Sulltan Mahmuti, bashkë me prishjen e Jeniçerëve, persekutoi dhe të parët e bektashizmës. Pjesa shqiptare erdhi në Shqipëri, ku gjeti pasonjës të vjetër dhe ngriti teqetë. Çdo sekt i persekutuar është anëtar i lirisë. Prandaj bektashizma në Shqipëri kurdoherë është shfaqur tolerante e liridashëse dhe me të dalë në shesh të letrave shqiptare, i adaptoi me kënaqësi, ndërsa teqetë i bëri fole të kulturës kombëtare.”
Nuk i shpëton grishjes për mirëkuptim midis besimeve, duke ftuar për dialog, që e afron dituria kur shprehet se me parimin “Dituri” bektashizmi pranon çdo kulturë shkencore, me fjalën “Ligj” kupton respektimin e ligjeve të shtetit dhe se çdo njeri e lë të lirë të adoptojë çdo udhë për të arritur të vërtetën. Pasardhësi i frashërllinjve të shquar, duke besuar te dituria dhe ligji arrin të sugjerojë edhe shtigje, që nxisin nismat në shërbim të çështjes kombëtare:
“Bektashizma, po të mund të bëjë organizatë, me të cilën të vërë në aktivitet klasën kulturore të sektit të saj, do të kurorëzojë me një sukses të shkëlqyer iniciativën, që kish marrë qysh në krye të nacionalizmës shqiptare.” Kokojka (Frashëri, 2017: 548)
Fara e shëndetshme e kësaj fryme u rrit shpejt falë butësisë dhe durimit. Vetëm disa vjet më pas, gjithnjë në periudhën e ndritshme të gazetarisë shqiptare, arrihet një kulm, diçka për të cilën as që mund të mendohej se mund të arrihej te një komb tjetër. Bariu i KOASH mban fjalën kryesore në varrimin e Prijësit të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Fjalët kryesore të përdorura janë fjalë çelësa për të ndërtuar fjali, që ishin në koherencë të asaj, e cila synonte durim dhe vetëm durim pas durimit si mendësi e traditës, për të cilën kishte aq shumë nevojë.
Që Haxhi Vehbi Dibra ishte një personalitet i përkushtuar, si në aspektin shpirtëror, ashtu dhe kombëtar, këtë konstatim e përforcon edhe vlerësimi që i bëri me fjalën e përmortshme Visarion Xhuvani (1890-1965), Kryepeshkopi i parë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (1929-1937).
“Flet Im-Zot Vissarioni
Disa pjesë nga fjala e Im-Zot Vissarionit, ish-Kryetari i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipnis.” (Zani i Naltë, 1937/4)
Qysh në krye duhet sqaruar se realisht Shkëlqesia e Tij, Imzot Xhuvani, vijoi të ishte Kryetar i Sinodit të shenjtë të KOASH, ndonëse ai kishte dhënë dorëheqjen nga posti i lartë i Kryepeshkopit, meqë Patriarkana e Stambollit nuk pranoi që Imzot Xhuvani të ishte në krye të Sinodit të Shenjtë, detyrë që iu dha zyrtarisht Imzot Kristofor Kisit në prill 1937, i cili njëherazi u zgjodh edhe Kryepeshkop i KOASH. (Leustean, 2010:144)
Kryepeshkopi pohon për lidhje institucionale me Haxhi Vehbiun, duke i dhënë meritën si njeri ‘që u dha dorën të Krishterëve tue u thanë se e ndjekim, po, besimin, që na kanë lanë trashigim të parët, porse kudo, në jetën t’onë, jemi vllazën të pandarshëm’. Ai kishte punuar për të gjithë vendin e jo për një krahinë apo një pjesë, duke luftuar sëmundjet e provincializmit, klaustrofobisë e sektarizmit, gjithnjë i udhëhequr prej filoksenisë, që nxit të thyesh ‘pengesat e mos marrjevet pjesë’ në nderimin e njeriut me ideale të shenjta dhe duke mos e lënë besimin në dorë të politikës:
“Unë sod po e thyej pengesën e mos marrjevet pjesë, nga ana e jonë, në ceremonina të tilla: na jemi vllazën. Myslimanizmi Shqiptar duhet të jetë krenar që pati në gjirin e vet burra si i ndjeri: uroj nga zemra që të vazhdojë të ketë të tillë. Aj po ju len juve, shokë të Klerit Mysliman, idealin e tij që po forcohet dita ditës: Haxhi Vehbiu asht nga ata që i pjellë rrallë koha, Aj tashti prehet i sigurt se misioni i tij atdhetaro fetar qëndron ndër duer të mira si të juejat.”
Për t’u bërë më bindës jep fakte të tjera të imta që plotësojnë figurën e tij ‘vetëm si nji Shqiptar i mirë’, që la trashëgim për KMSH karakterin e burrit: “Sa i nalt e sa i math ishte edhe në çdo rast prezantimi miku i Ynë i dashtun, Haxhi Vehbi Dibra! Kur ecte, kur bisedonte, kur qëndronte në mest të miqëve dhe misafirve i bante të gjithë pa ndryshim feje ta duan e ta respektojnë; nuk bani kurrë dimagogji as rekllamë, por vetëm detyrën e tij Fetaro Kombëtare si nji Muhamedan i mirë si u tha prej të tjerëve, por edhe si nji, vetëm si nji Shqiptarë i mirë, por edhe si nji fillosof i zoti i punëve shoqnore, n’as nji tallas nuk u përul dhe për as nji mik nuk u kursye, dhe n’as nji politikë nuk u trazue, si asht fare lehtë ose natyrale për çdo Kryefetar dhe sidomos në kohnat e brumëzimit të parë social-fetar-politikë dhe patriotikë në Shqipni; jo se ishte miku i jonë personal, por pse ishte edhe nji njeri i tillë, edhe neve e pamë t’arsyeshme me mos u kërsye por me kuxue dhe me çqetsue pak kët mbëledhje të hirëshme me fjalë tona, në kët vend shumë të ndershëm ku prehen eshtnat e të dashtunve t’onë vllezër në kombësi, sa do që për të parën herë ndofta, jo vetëm në Shqipni, por ndofta edhe në të gjithë botën, për të parën herë flet nji Kryeprift Kristijan Orthodhoks në varrin e nji Kryehoxhe Muhamedan Mysliman. Nuk ka ma trashigim të çmueshëm se karakteri i këti burri për bir e bij të tij që i le mbrapa njerz të meritueshëm.” (Zani i Naltë, 1937/4: 109-111)
E kishte dëshmuar burrninë kur kishte dhënë Fetvanë për Deklaratën e Pavarësisë, kur po e nënshkruante në Vlorë. Fetva (arab. fatwa) del si propozim i zgjidhjes së ndonjë çështjeje juridike, interpretimi i Ligjit të Sheriatit, përkatësisht vendimi formal juridik i mbështetur në Kur’an, në Hadith dhe në fikh; fetvaja paraqet vendimin formal juridik lidhur me ndonjë çështje sociale, që ka të bëjë me trashëgiminë, martesën apo me shkurorëzimin e bashkëshortëve myslimanë; fetvanë e jep myftiu i autorizuar ose ndonjë njohës i mirë i Ligjit (arab. ulema); gjyqtari (kadiu) merr parasysh fetvanë e myftiut, por vetë merr vendimin përfundimtar. (Myrtezai, 2007: 128) Propozimi juridik ftonte për profilizim ideor dhe politik të parisë myslimane të shtetit të sapongritur, që i vuri themelin e një shteti laik, ku komunitetet fetare do të përfaqësoheshin sipas parimit të së drejtës latine ‘pares inter pares’. Revista Zani i Naltë, nr. 4, 1937, opinionin e saj mbi këtë veprim të Vehbi Dibrës, në lidhje më Shpalljen e Pavarësisë, e përshkruan në këtë mënyrë:
“Goja e tij e ambël e bekoi për herën e parë Veprën e Shenjtë të ngritjes së Flamurit. Flamuri i jonë i dashur do të valojë gjithmonë, pse se pati fati e lumnuëshëm qi t’a fillojë tallazin e parë me bekimin dhe uratën e një fetari të vërtetë.”
Sqarojmë se në mjaft raste, si në Dosjen 24 AQSH, Haxhi Vehbi Dibra, Kryetari i parë i Pleqësisë së Kuvendit të Vlorës (Hysa, 2012), shënohet edhe si Sherif Ef. (Efendi) Dibra: 24 AQSH, F. 145, V. 1912, D. I-4, f. 9.
Prijësit myslimanë e kishin ngulitur në vetëdijen kombëtare binomin “Për Atdhe dhe Fe”, duke u bërë pendë me prijësit françeskanë të Shkodrës. Për këtë personalitet të historisë sonë kombëtare, ashtu si dikur Frang Bardhi, që për Skënderbeun zgjodhi të citonte vetëm personalitete, për fat të mirë ka folur një tjetër gegë me shenjë.
Ka thënë At Zef Pllumi për Hafiz Ali Krajën:
“Hafiz Ali Tari (Kraja) ishte njeri i madh për kohën e padyshim njeni ndër hoxhët ma të dijtun. Kishte përfundue studimet universitare në Kajro – Egjipt – dhe njihej si një teolog mysliman, që dinte shumë gjuhë dhe ishte gojëambël. Në vitin 1939 ishte caktue edhe ai në delegacionin për të çue kunorën prej Shkodre dhe, siç e tregon vetë Hafizi, nuk shkoi për meritë të Atë Anton Harapit. Kujtohej shpesh fjala e mbajtun prej tij me rastin e vdekjes së Atë Gjergj Fishtës.”
Hafiz Ali Kraja ishte suksesor (pasues) i idesë së Gazaliut, se politika del në krye dhe çmohet si e para e dijeve humane, ndaj iu qas idesë se politikanët përcjellin cilësitë hyjnore, duke mbajtur rendin dhe drejtësinë, pa të cilat nuk ka as familje, as komb e as shtet.
Te vepra e tij filozofike A duhet feja, që e shkroi kur ishte 33 vjeçar, rreket të argumentojë se ndërgjegjet e formuara prej burimesh jofetare, të sjellin detyrimisht konflikt:
“Njeriu nga natyra është narcisoid dhe kur gjen rast dhe mbetet i lirë prej vërejtjeve të ligjit ose disiplinës, ai vepron sipas ëndjes së vet. Pra, për ta ndaluar dhe për ta ruajtur prej të këqijave, e vetmja fuqi është disiplina fetare.” (Kraja, 2016)
Në mënyrë të natyrshme, te pika e gjashtë e punimit, që e ka ndërtuar si dialog me shekullaristët, ai del në përfundimin se morali fetar ka një burim filozofik, prandaj nuk i humb vlera e vet e diturisë. Për më tepër, morali u ofron shqiptarëve atë për të cilën ëndërrojnë: mirëkuptim brenda vetes, paqe e lumturi, duke i larguar nga kundërshtitë e pafundme lëndore. (Kraja, 2016: 68)
Me këtë lloj formimi filozofik, kulturor dhe kombëtar, më 30 dhjetor 1940, ai i drejtohet poetit gegë me një ligjërim të lartë, duke përdorur vetën e dytë të ligjërimit bisedor:
“Poet kombëtar, o Patër Gjergj! Një orator, tue dashtë me folë mbi veprat Tueja, rrin shtang e hutohet, sepse ata janë shumë, janë aq të mëdhaja e të madhnueshme, sa asht vështirë me caktue se mbi cilën aso veprash duhet me folë. Vepra Yte o Poet, ka për të formue nji faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptar, pse, në aktivitetin që ke zhvillue ndër konferencat politike ndërkombëtare, nuk kje tjetër veçse me i sigurue kombit tonë të drejtat, qi ai i ka jetike e si ma i vjetri komb në Ballkan.”
E vlerëson së pari për kontributin për të gjithë patriotik, mbi atë fetar që është vetëm për një pjesë të popullit shqiptar, duke e këtilluar ‘poet kombëtar’, sepse vepra e tij në përgjithësi, por veçmas ajo poetike, kishte këshilluar për plotësimin e ndërgjegjes kombëtare. Kësisoj e ka vlerësuar edhe një tjetër prelat i Kishës Katolike, At Zef Valentini, që e përqas me vlerat universale:
“Fishta asht nji Homer shqiptar. Ai nuk asht vetëm nji poet i madh kombëtar. Ai asht nga ma të mëdhajt në botë. E randsishme asht që ai të njihet prej saj.”
I bindur se kryeveprat letrare janë kujtesë kombëtare që jeton në jashtëkohësi, shpreh bindjen se psikika e kombit të lashtë forcohet me tiparet e zbuluara nga poeti i madh, duke iu bërë krah rinisë shqiptare në rrugën e së ardhmes. Ai shkon më tej përmes fjalës së tij të ndjerë:
“Gjithashtu edhe populli mbarë, i fushave dhe i maleve, anë e kand në Shqipni sot nep besën, se Lahuta e jote në shpirtin e tyne do të sundojë sa të jenë stinë e mote. Trima e gra, djelm e vajza, me fjalën shqiptare të napin besën, se vllaznimin kombëtar, që ti çfaqe në Lahutë, do ta mbajnë me forcë të madhe…
Me ty, patër Gjergj, kombi shqiptar mburret, naltësohet dhe madhnohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet; djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot në faqe përcjellin me mallnjim e dhimbje në jetën e pasosun.”
Në ato vite besohej gjerësisht se lexohej me zemër, kësisoj vepra të tilla këshillonin për vëllazërim kombëtar, pa të cilin hapat në rrugën e formimit të ndërgjegjes dhe të ringritjes ekonomike do të rëndoheshin dhe do të ngadalësoheshin. Kultura e shkruar do t’i dëshmonte botës së qytetëruar se po kapej koha e humbur jo vetëm me luftëra me të tjerët, por edhe mes vetes.
Ky formim i marrë në atdhe, në familje dhe në bankat e Medresesë së Lartë të Tiranës, do ta shoqërojë imam Vehbi Ismailin, prijësin e myslimanëve të SHBA, që të mbante fjalën e përmortshme për ‘kolosin’, ‘simbolin’ kombëtar, historianin shkencëtar e patriot dhe me vlera universale Fan Noli, i cili themeloi KOASH-in, por jo vetëm aq:
“Hirësi! Si fetar unë i lutem Perëndisë që t’ju falë parajsën e merituar dhe neve shqiptarëve, të gjithëve, të na japë durim për humbjen tuaj të pazëvendësueshme, e të na bëjë trashëgimtarë të denjë të amaneteve tuaja e pasues të zellshëm të jetës Suaj!”
Jetë e një fetari, kushtuar çështjes dhe kulturës shqiptare. (Ombashi, 2002; 2014)
I mbrujtur me filozofinë e qëndrimit kritik, që përmes termit kyç ‘durim’ përcjell pozitivizëm të ngritur mbi metafizikën hegeliane, nuk mund të mos theksonte se, duke i shërbyer binomit Atdhe-Fe, Fan Noli ishte e do të mbetej i të gjithëve.
Në këtë linjë është edhe fjala e Baba Rexhepit, që e thekson rolin udhëheqës të ‘Hirësisë së Tij, Kryepeshkop Fan Nolit, për të gjithë shqiptarët e Amerikës’, duke qenë një njeri i rrallë:
“Shqipëria humbi një bir të shquar, Kisha Kombëtare humbi themeluesin dhe kryetarin e saj të ndritur, komuniteti shqiptar në Amerikë humbi prijësin e pashoq. Në personin e Fan Nolit përfshiheshin cilësitë e rralla të një njeriu të rrallë. Cilësitë e një patrioti të palodhur. Cilësitë e një fetari të devotshëm. Cilësitë e një shkrimtari të jashtëzakonshëm.”
Më poshtë, prej fjalës së Baba Rexhepit, lexojmë se Fan Noli pati një influencë të madhe në historinë e kulturës shqiptare, sepse ‘ishte një thesar diturie’. E veçon mbi të gjithë që njihte, sepse, sipas tij, dilte në ballë të veprimtarëve shqiptarë në fushën e kulturës. Shton si vlerë edhe përkthimet në gjuhë të ndryshme, por nxjerr në pah vlerat e ‘përkthimit’ prej tij të Rubairave të Omar Khajamit në gjuhën shqipe, që i vlerëson si më të bukurat e bëra në çdo gjuhë tjetër. Vepra ishte përkthyer nga origjinali persisht edhe nga Hafiz Ali Korça, por duke e njohur atë gjuhë të poezisë, Babai i Teqesë Bektashiane të Detroitit, dallon ‘shqipërimin’ nolian që nuk e cilëson kësisoj:
“Faik Konica, shok dhe bashkëpunëtor i orës së parë i Fan Nolit në gazetën Dielli dhe në federatën Vatra, kështjellë graniti e shqiptarizmit në mërgim, shkroi këto:
“Fan Noli na dha neve historinë më të mirë të Skënderbeut, heroit tonë kombëtar…”
Por ndihmesa e tij për dhe në gjuhën shqipe shkëlqeu në përkthimin e veprave liturgjike. Duke parapëlqyer që të vlerësojë mikun para vetes, si element i etikës islame, jep citimin e Faik Konicës për to:
“Përdorimi i gjuhës në Liturgji është një nga përparimet më të mëdha të Fan Nolit. Ditën në të cilën ai përdori për herën e parë gjuhën shqipe në Liturgji, atë ditë u shënua një kthesë me rëndësi në historinë e Rilindjes Shqiptare…”
Kryepeshkopi Fan Noli u përpoq kurdoherë për vëllazërimin e shqiptarëve dhe për përparimin e tyre dhe të kombit. (Dela Roka, 1994) Bashkoi dashurinë e Krishtit me dashurinë e Atdheut. Zoti dhe Shqipëria ishin idealet më të larta e më të shenjta në gjithë jetën e tij. Fan Noli u çmua dhe u nderua nga gjithë shqiptarët, por ai u çmua dhe u nderua edhe nga të huajt, si njeri i letrave, si udhëheqës fetar, si diplomat i hollë, si orator i mprehtë, si njeri me sjellje fisnike.
Kur shërbente si delegat i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, Fan Noli tregoi një zotësi aq të rrallë dhe një sjellje fisnike aq të shquar, sa fitoi simpatinë dhe respektin e shumicës së madhe të delegatëve. Dhe një ditë, kur delegati i Greqisë u shpreh në një mënyrë jo korrekte përkundrejt delegatëve të tjerë për qëndrimin që mbanin në favor të Shqipërisë, Lord Cecili i tërhoqi vërejtjen me këto fjalë:
“Ju delegatët e Greqisë, para se të flisni, duhet të merrni mësim nga delegati i Shqipërisë.”
Fan Noli dihej prej të gjithëve në SHBA që rrihte majtas, por kjo nuk e pengoi mërgimtarin politik që ta përcillte me fjalët ku shpresohej dhe besohej se Shqipëria do të bëhej një ditë e lirë dhe demokratike:
Me këtë besim në zemër, por, njëkohësisht, me shpirt të trishtuar përulemi tani me respekt të thellë përpara trupit të tij, duke i paraqitur nderimet e fundit, të bindur se eshtrat e tij, të cilat do të çlodhen në tokën e bekuar e të lirë të Amerikës, ku ai zhvilloi veprimtaritë më të shquara, do të vendosen një ditë në Panteonin e pionierëve të Rilindjes Shqiptare, në një Shqipëri të lirë e demokratike, ashtu siç e ëndërronte dhe dëshironte Kryepeshkop Fan Noli. (Ombashi, 2002; 2014)
Përmbledhje
Gjithçka që erdhi në jetën kulturore dhe fetare shqiptare, veçmas me fillimet e Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, u përgatit me dashuri dhe kujdes nga prijësit, çka siguronte se do të jepte prodhim të mbarë. Kongresi i Alfabetimit i vitit 1908 tregoi se diversiteti i panevojshëm gjuhësor, mund të ndalej. Duke miratuar alfabetin latin, u dëshmua kahja pro perëndimore, ku Rilindja Evropiane kishte vënë në krye besimin te njeriu dhe, njëherazi, qasjen me filozofinë lindore të evolucionit. Pozicioni komod midis Lindjes dhe Perëndimit, solli në letrat shqipe fjalët: Atdhe-Fe, hak (e drejta), mirësi, shpirt, Shqipëri, Shqipëtar, pari, pamvarësi, besë, optimizëm për të ardhmen, fanatizëm, mbrothësi, mirëkuptim, butësi, durim, tërther (N. Veqilharxhi: për sakrifikoj), përulësi, falje, zemër, libër, besim, besimtar, besnikëri, Rilindje Kombëtare, liri demokratike, fletore, mirëdashje, kryelartë, kalorës, burrni, mbarësi, falje, civilizim, filozofi, folklor, etni, traditë, epos, Homer, prijetar, liturgji, bashkëpunëtor, vëllazërim, mysliman, i krishterë, bektashi, franceskan, jezuit, ortodoks, Haxhi, Hafiz, At, Peshkop, Kryepeshkop, diplomat, orator, republikë, fisnik, blu, flamur i bardhë, qytetërim… të përcjella me grishjen për shpresë dhe besim për të ardhmen e kombit dhe atdheut. Konteksti historik dhe kulturor, në të cilin ato u nyjëtuan, ndillnin urtësi gjatë marrëdhënies midis shqiptarëve, duke e përmirësuar realitetin kulturor, social dhe jo vetëm. Përkthimi i Biblës dhe pjesëve të Kur’anit, u pasua nga sjellja në shqip e kryeveprave të letërsisë botërore, kulturës e shkencës. Publicistika, veçmas botimet e revistave, nxitën diskutime mbi neo-shqiptarizmin, që predikonte ecjen përpara pa e dëmtuar traditën. Fjalët, togfjalëshat, emrat, nofkat, emërtimet dhe shprehjet: kryengritje, helmim, hakmarrje, politikë, gjykim politik/ideologjik, dhunë revolucionare, prefekt, kryeplak, bashki, konservatorizëm, inat, halle, kështjellë, forcat tona, socializëm, kapitalizëm, materializëm, bej, aga, imperializëm, internacionalizmi proletar, proletkult, kolektiv, kolektivizim, kooperativë, mjerime, duhen qërruar tradhëtorët, pengimtarët më të këqij të zhvillimit kombëtar, lufta e klasave, mikroborgjezi, borgjez, autokritikë, egoizëm, moral proletar, zakone prapanike, fletërrufe, emancipim i gruas, aksionist, satrapi Zog, regjim antipopullor, i arratisur, vullnetar, pas(a-u)nik, varfanjak, Xhem komunisti, atentatori, zbor, kleçkë/njollë në biografi, rrethi familjar, dosje, tesër partie/rinie, anëtarësim, kulak, prapanik, fetar, shamia e kuqe, njësiti gueril, ylli i kuq me pesëcepa, organizata bazë, byro, rrethim, rruga “Komuna e Parisit”, “Shkolla e Kuqe”, oxhak, opingë…, të vendosura në kontekstet gjegjëse të kohës marrin vlerën e koncepteve, që grishnin dhe nxisnin urrejtje, prishnin vëllazërimin e lënë amanet nga të moçmit, duke krijuar konflikte ideologjike dhe klasa antagoniste, përmes ligjërimit riosh, i zëvendësoi hap pas hapi butësia e përcjellë nëpërmjet llojit të duhur të ligjërimit, që e kërkonte koha. Kur fjalë kyç doli politika/ideologjia, ajo zhvleftësoi gjithçka tjetër duke zyrtarizuar largimin ekstrem deri në mohimin e së kaluarës, që u shoqërua me arsimim të mangët të mbështetur mbi trekëndëshin revolucionar mësim-punë prodhuese-edukim fizik dhe ushtarak. Njëherazi ligjërimi i butë libror, i marrë si metodë e praktikë komunikimi me shkrim dhe me gojë, pengoi sa mundi kuptimet e figurshme të fjalëve oxhak, opingë, bujk, bej, borgjez, bankier, klerik, bolshevik, proletar, komunist, ateist… duke u përpjekur të pengonte përhapjen e ideologjisë bolshevike, e cila gjeti strehë te shtresa e mesme e sapokrijuar, e cila, kryesisht mes qëndrimeve emotive, iu bë krah përçarjes sociale, ligjëroi dhunën dhe hakmarrjen klasore, mbolli urrejtjen që mezi priste ardhjen e pesimizmit apokaliptik. Në anë të kundërt me iluzionet e përhapura prej saj, kultura e komunikimit fituar mes ligjërimit të butë libror ftonte dhe shpresonte për mirëkuptim, që i parapriu vëllazërimit kombëtar, si bazë për ecurinë e dëshiruar, veçmas në krijimin e ndërgjegjes kombëtare. Ndikimi ishte i dyfishtë. Ligjërimi i butë libror ndihmoi në forcimin e sedrës vetjake dhe në krijimin e ndërgjegjes kombëtare, si dhe të pranimit të qëndrimit kritik pasuruar me filozofinë e evolucionit, por, nga ana tjetër, kjo lloj kujtese kolektive dha ndihmesën e vet në pasurimin e këtij lloji të komunikimit me anë të gjuhës.
Baza e hedhur nga prijësit fetarë shqiptarë shërbeu si themel i shëndoshë për ecurinë e mëtejshme të kësaj prirjeje komunikimi masiv, e cila, me kohë, u përhap më gjerë si mendësi intelektuale, që nxiste për më shumë grurë sesa heroizma. Ajo u bë kulturë e kohës sipas së cilës u ngritën sjellja e individit dhe institucionet politike. Në përhapjen e ligjërimit libror të butë ndihmuan fjalorët shpjegues shqip të kohës dhe kur u vyshk nga furtunat e kohës ideologjike moniste, u ndalua, u përçmua apo u përjashtua ligjërisht nga përdorimi në Atdhe, sepse filloi mbjellja e fjalorit politik revolucionar, që do të rriste mendësi e praktika revolucionare, atë e morën me vete dhe mundi të mbijetojë te mërgimtarët, kryesisht në SHBA, Itali, Gjermani e gjetiu, të cilët binomin Atdhe-Fe, si dëshmi e ndritur e ligjërimit të butë libror, e mbajtën gjallë.
Bibliografi
– “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”, botimet KMSH, Tiranë, 2012.
– AQSH, F. 882, d. 5, v. 1919, f. 30. Bashkëpunimet e Vehbi Dibrës në lidhje me emërimet në Qeverinë Shqiptare dhe gjyqin e sheriatit.
– Bello, Hasan. Shkëputja e Shqipërisë nga Kalifati Osman dhe përpjekjet e bëra për autoqefalin e xhamisë shqiptare, në: “Gjurmime albanologjike-SSHH, nr. 40, IAP, Prishtinë, 2011: 139; 145;
– Caushi Sulo, Ilira. Klerikët e harruar të pavarësisë, në: “Pavarësia e Shqipërisë dhe sfidat e shtetit shqiptar gjatë shek. XX”, UT- IH, Tiranë, 2007, f. 86.
– Ceriq, Mustafa. Kritika e fetarisë së kulluar, “Univers”, Tiranë, 2018/19:308-321.
– Xhelili, Qazim. Vehbi Dibra-personalitet dhe veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, albin, Tiranë, 1998, f. 21, 200.
– Dibra Haxhi, Ismet. Flet drejtori i Medresesë, “Zani i Naltë”, nr. 4, Tiranë, 1937, f. 105. Shih: Parashkresë e përkohshme për organizimin e Sherisë në Shqipëri, Shkodër, 1917.
– Dela Roka, Roberto Moroco. (1994) Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920 – 1944, (Përktheu nga origjinali Luan Omari), SHB, “Elena Gjika”, Tiranë.
– Fjalori Enciklopedik Shqiptar 2, ASHSH, Tiranë, 2008, f. 1260.
– Isufi, Hajredin. (2008) Feja dhe Flamuri: Dom Nikollë Kacorri, Pegi, Tiranë: 349.
– Kraja, Hafiz Ali. (2016) A DUHET FEJA A e pengon bashkimin kombëtar, Tiranë.
– Leustean, Lusian N. (2010) Eastern Christianity and the Cold War, 1945-91, London and New York.
– Morina, Qemajl. Mbi fenë, atdheun dhe kombin, “Takvimi” nr. 39, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, 1998.
– Myrtezai, Ekrem. (2007) Fjalori i terminologjisë fetare, BIK, Prishtinë.
– Noli, Fan S. (1987) Vepra 2 – Publicistika (1905-1925), Tiranë.
– Ombashi, Rahim. (2002; 2014) Po vjen Noli…, Korçë; Tiranë.
– Xhelili, Qazim. Vehbi Dibra, hoxhë dhe patriot i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në: “Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët”, KBIK, Prishtinë, 1995, f. 394;
– Xhelili, Qazim-Kadiu, Arian. Vehbi Dibra-Figurë komplekse e personalitetit të shquar mysliman dhe Lëvizjes Kombëtare, “Perla”, nr. 3-4 (31), Tiranë, 2003, f. 44-63.
– Xhuvani, Visarion. (1887-1965), Kryetar i parë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, shih: Fjalori enciklopedik shqiptar 3, ASHSH, Tiranë, 2009, f. 2961.
– Zani i Naltë. (1937) Flet Im-Zot Visarioni, Nr. 4, Tiranë, 1937: 109-111.
– Zekaj, Ramiz. (2002) Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shek. XX, ISHMQI, Tiranë: 290.
Revista-gazeta
– Hysa, Mahmud. (2012) Haxhi Vehbi Dibra – Kryetar i parë i Pleqësisë së Kuvendit të Vlorës, “Kosova Sot”, nr. 4569, Prishtinë, 19 maj.
– Izeti, Metin & Ismaili, Adnan. (2016/17) Modernizimi dhe sfidat e diskursit fetar, Univers AIITC, Tiranë.
– Nuro, Kujtim. Toleranca dhe harmonia e fesë islame te shqiptaret- faktor i rëndësishëm për çështjen kombëtare, në:” Univers” nr. 1, ISHMQI, Tiranë, 2001, f. 125-126.
Webliografi
https://orientalizmi.wordpress.com/tag/fehim-zavalani/
– Ahmeti, Nuridin. Vehbi Ef. Dibra në lëvizjen kombëtare shqiptare.
[1]. Gazeta e Re, 11 prill 1929.
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...