Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Feb 19, 2019 Zani i Nalte Histori, Studime 0
nga Syrja bej Vlora
Abstrakt
Libri i Syrja bej Vlorës “Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës (1859-1909)” është një punim enciklopedik me vlera të padiskutueshme për historiografinë shqiptare. Kjo për faktin se: e para, përbën përpjekjen e parë në këtë drejtim, në një kohë kur institucionet tona shkencore nuk ishin themeluar ende, e dyta, informacioni që ofrohet për disa personalitete historike përbën një risi.
Në një shënim të faqes një të dorëshkrimit shqip të këtyre biografive, përkthyesi Jonuz Tafilaj shkruan se ato janë përgatitur si aneks i veprës së Syrja bej Vlorës të përkthyer më parë nga Ali Asllani.[1] Megjithatë, për nga volumi i tyre, këto biografi përbëjnë një libër më vete. Prandaj, duke pasur parasysh se ato nuk janë integruar më parë në asnjë version të librit tashmë të botuar të Syrja bej Vlorës, e sjellim për botim për herë të parë në revistën shkencore “Zani i Naltë”.
Ky dorëshkrim është shkruar në gjuhën osmane dhe, së bashku me përkthimin në gjuhën shqipe, gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit-Tiranë.[2] Ai ka 78 faqe në osmanisht dhe 120 faqe në gjuhën shqipe, të cilat janë përkthyer nga orientalisti Jonuz Tafilaj. Në inventarin e hartuar nga përgjegjësi i sektorit të dorëshkrimeve osmane në arkivin historik, orientalisti Haki Sharofi, shkruhet data e marrjes në dorëzim të këtij përkthimi (26 qershor 1963).[3] Ndërsa për kohën se kur është shkruar nga Syrja bej Vlora, ende nuk kemi asnjë të dhënë.
Megjithëse ky përkthim në dorëshkrim është në dialektin verior dhe përmbante një sasi të konsiderueshme gabimesh, ne jemi përpjekur që të ndërhyjmë vetëm aty ku ishte domosdoshmërisht e nevojshme. Kjo, sepse dialektet, së bashku me përkthimet e realizuara në një periudhë të caktuar, janë një pasuri e jashtëzakonshme dhe mbajnë vulën e kohës.
Në libër jepen të dhëna mbi personalitetet më të shquar të Shqipërisë së Jugut, e cila, nga pikëpamja administrative, në këtë periudhë, përfshihej në Vilajetin e Janinës. Aty flitet shkurtimisht, e ndonjëherë edhe më gjatë, për formimin, rolin dhe kontributin e emrave të njohur të botës shqiptare. Madje, nuk mungojnë edhe detaje, të cilat, duke pasur parasysh se janë shkruar si pjesë integrale e një libri me kujtime, nuk gjenden në asnjë libër tjetër. Kjo e pasuron dhe e bën më të bukur për lexuesin, por edhe më të vlefshëm si burim historiografik për studiuesit.
Pavarësisht nivelit të përkthimit dhe gabimeve, botimi i këtij libri pjesë-pjesë te “Zani i Naltë” mendojmë se është i nevojshëm. Kjo si homazh për autorin e harruar dhe anatemuar padrejtësisht, për përkthyesin e nderuar, orientalistin Jonuz Tafilaj dhe, në fund, për historiografinë dhe memorialistikën shqiptare.
Dr. Hasan Bello
I
E kam pa të udhës me përmendë n’aneksin e librit tim emrat dhe biografinë e disa personave prej Vilajetit të Janinës që kanë hyrë dhe janë naltësue si njerëz shteti në Perandorinë Osmane prej vitit 1859 deri në vitin 909, d.m.th. në një periodë prej pesëdhjet vjetësh. Pata qëllim që ky studim të jetë për ta një shkak ndjese dhe pak a shumë një shërbim për historinë t’onë. Vërtetë se një pjesë e tyne s’ka hap një udhë përparimi në Shqipni që të vlente me i lavrue kombit shqiptar ndjesitë kombtare e përparimtare; por në masë ajo pjesë, në këtë periodë pesëdhjetëvjetëshe, i ka ndijë kundra sundimit absolut otoman, i cili ndiqte një politikë të çdukjes të kombevet të perandorisë heterogjene. Kjo pjesë, edhe pse si solli një shërbim vendit të vet, çfaqi kudo e në ç’pozitë që qe kombësinë e saj dhe u ba dëshmuese e gjallë e ekzistencës së Shqipnisë.
Por n’anë tjetër ndër këto shqiptarë, shteti otoman pati dhe asi figurash që u përpoqën për lavrimin kulturor të kombit shqiptar dhe mbërritën me shartue ndër ta idenë kombëtare; zgjuan jo vetëm masën intelektuale, por edhe turmat injorante[4] të popullit dhe i dhanë dritë dhe fuqi Shqipërisë.
Përgjithësisht cilësia dalluese e këtyne bejlerëvet dhe e pashallarëvet qe me u provue djelmët e denjë të Dheut-nanë dhe me rujtë lidhjet e tyne, me pasuni e famë që gëzojshim me këtë dhe me kombin që jetonte mbi të.
Në këtë kohë bashkatdhetarët tanë orthodosë lidhën shpresat e tyne ngushtas me Athinën, morën prej aty çdo dritë e ndjesi fetare ma tepër se kombëtare, dhe kështu vonoj edhe për kohë të gjatë indipendenca e Shqypnisë e bashkë me këtë dhe përparimi i saj.
Shkollat greke në Shqipni qenë jasht çdo kontrolli. Aty u mësohej dhe u shartohej femravet orthodokse shqiptare çdo ndjesi që dëshrohej. Mësuesat që kishin marrë mbi vedi edukimin e atyne fëmivet u flitshin mbi madhninë e së kaluarës së Greqisë mbi qytetrimin e sotshëm të saj dhe mbi qëllimet që ajo kishte në t’ardhmen si trashëgimtare e Greqisë së Vjetër. Kështu, ata mësues punuen me përhapë greqizmin dhe pëlqyen me qujt nxënsat ma parë mongolë e tartarë, e jo shqiptarë.
Sundimi otoman e kundronte si një gjë të natyrshme matjen dhe ardhjen nga Athina të mësuesvet e t’inspektorëvet grekë dhe mbyllte sytë përpara fondevet që çoheshin prej andej dhe paguheshin ditën për diell. Nuk hetonte kurrënjë ai sundim se cilët ishin ata mësues që vijshin nga Athina dhe cili ishte qëndrimi i tyne mbrenda në shkollë; dhe as shihte mënyrën me hudhë një sy dhe me ba një shqyrtim mbi tekstet në përdorimin prej nxënsavet.
Shkollat greke në tokat osmane gëzojshin një autonomi të veçantë; valinjtë, prefektat e gjithë nënpunsat tjerë kompetent nuk i inspektojshin as mbrenda as jasht këto shkolla. Kështu, shkollat greke i futshin kazmat sa mujshin sovranitetit osman dhe si pasojë ndryshonin ndjesitë kombëtare shqiptare. E shkollat myslimane, këto ishin sa për emën, ishte e kotë me kërkue prej tyne një përmirsim të gjendjes shoqnore-kulturore të myslimanëvet. Drejtimi i këtyne shkollavet në nënprefektura u ishte besue disa mësuesvet të pa vlerë, që iu paguhej një rrogë mujore prej dyqind e njëzet e pesë groshësh, dhe mësimi i gjuhës shqipe ndër to ishte i ndaluem. Metoda e mësimit e t’edukimit, të zbatueme ndër këto shkolla, u jepshin këtyne trajtën e një instituti të hapun për me mësue njerzit në plogështi! Ishte e kot me prit prej këtyne shkollarëvet si fryt me ideale të nalta e shërbime patriotike. Nxënësi injorant[5] hynte e injorant[6] dilte prej tyne. Dhe ata që ishin të pasun çojshin në Stamboll djelmet e vet me të vetmen shpresë që djali të zente pozitë e të grumbullonte pasuni. Me fjalë ma të qarta, etënt e tyne dëshirojshin që djali të lidhej sa më fort me at ambjent ku kishte vendos me kaluar jetën. E mu për këtë arsye, ata zogj shqiptarësh që mbarojshin shkollat fillore, të mesme e të nalta zhvilloheshin pa kurrfarë ndjesije kombëtare dhe gjithë kujdesi i tyne ishte me rrënue në kurriz të shtetit. Me gjithë këtë, ndër këta pati dhe asish që i shërbyen vërtetë atdheut, që zgjodhi kombin dhe që i dha jetë Shqipnisë. Kurse orthodoksët, pa pas asnjë dobi prej grekësisë, pa gëzue pozita të nalta n’at shtet, begatën Athinën nëpër mes të mendimevet të veta, me shkolla, me universitete e në lloj lloj ngrehinash, prodhimi i të cilavet edhe sot paraqitet me zhdukë ekzistencën t’onë kombëtare dhe me helmatos zemrën e mendjen e shqiptarit me helmin që buron prej andej. Shqiptarët myslimanë të varfën dhe të pasur, të mirë e të keqij, as njeni prej tyne s’dha ndihma për jashta dhe fatin e ardhshëm t’atdheut të vet s’e lidhi me botën e huaj. Duhet t’a pohojmë si një të vërtetë t’hidhte se ortodoksët në një kohë shumë t’afërme filluen me njoftë kombësinë e tyne, me njoftë atdhenë dhe me dëshmue karshi këtij një lidhje të vërtetë. Mirë po, mirë a keq, prap bejlerët e pashallarët, qenë shkaktarët me rujtë ekzistencën e Shqipnisë dhe ma në fund ata mbrrijtën me shtjellë flamurin e pavarsisë së saj.
“Shëndet të gjallëve e ndjesë të vdekurvet”
Syrja Vlora, prej Vlore
1. Ahmet Hilmi Pashë Bendo, prej Gjirokastre, mirmiranë (gradë pashë në hijerarkinë civile). Dervish Pashë Lofça kur ishte Vali në Janinë e mori në zyrë të vet Hilmi Efendinë dhe u rrit nën kujdesin e tij edukativ, u emënue nënprefekt në Vlorë, inspektor i drejtësisë në Manastir, dhe kështu u pasunu me kulturë. Shkruente bukur, fliste egër, dhe në përpjesëtim me kulturë e me zotësi që kishte rëndonte në të ma tepër vesi. I veshun prej gjithfarë vesesh, ishte trim, mizor e shpifës. Dervish Pasha këtë e përdorte si mjet të vetin për t’ia lëshue në shpinë këtij e atij, dhe ai bante keq sa dinte e sa mujte. Në relacione miqësije me familjen e Dinajvet, u ba i pasun; por një furtunë e papritur ia shpartalloj famën e rendësinë dhe s’i ngeli tjetër në jetë veçse kujtimit të të zezavet të tij.
2. Ahmed Hulusi Efendi, janinas, grada, Ula-senefi-Sani (një lloj grade në hijerarkinë civile-J.T.). I ati, Abdullah Efendi, tue qenë çifut u kthye në myslimanizëm. I biri i zgjuet jashtzakonisht e aktiv, zu një pozitë ma të naltë midis parësisë së Janinës, bani pasuni e fitoj nderime dhe përkrahi disa shqiptarë që shkuen në Janinë dhe ua dha dorën nevojtarëvet. Mbrapa ra në disgrac të valiut Tartar Osman Pashës, pa shumë dame prej tij. Por me gjithë këtë nuk iu përul, erdhi në Stamboll dhe në çdo kuvend foli ashpër kundra tij dhe përmendi kudo veset e mizoritë e tij që i cilësonte si një sadizëm. Dhe ma në fund, me përkrahjen që pati prej meje (Syrja Vlora) mbërrijti me pushue Tartar Osman Pashën dhe vetë me fitue gradën Rutbei-Ula. Punoj shumë në Janinë me përhapë mësimin e gjuhës shqipe ndër myslimanë dhe u përpoq me i shpëtue janinotët nga grekizma. Qe gjuhë-mprehte e guximtar. Njeri me dituni. Vajza e tij mbasi ai vet pat vdekë, u martue me ish-kryeministrin Talat Pashën; por mbas vdekjes së këtij e bija ra në skamje.
3. Ahmed bej Dino, prej Preveze, Ula-Senëfi-Sani (gradë në hijerarkinë civile-J.T.). Lindi në Sinop kur i ati, Vejsel Pasha ndodhej këtu si prefekt, i internum nga Stambolli. Por u rrit në Stamboll, mbaroj këtu drejtësinë dhe u emënue në zyrën e Këshilltarisë së Ministrisë së Drejtësisë. I kulturuem, i sjellshëm, e kuvendar, por i pa fat, mjerimet që iu vërsulën qenë shumë të randa për të. Pat miq, por jo i qëndrueshëm në miqësi.
4. Ahmed Izet Pasha prej familjes fisnike së Naslliçit. Përparoi shpejt ndër zyrë të nalta në kohën e sulltan Abdyl-Hamidit; megjith këtë e konsideronte vehten, se i ishte hangër e drejta, nga ky shkak kishte famë përtej meritimevet të tija. Pas shpalljes së konstitucionit megjithëse vonë, anoj kah Ittihatçijtë (pjestarët e partis “Bashkim e Përparim”-J.T.) dhe qe ngarkue prej tyne me shkelë Vlorën me katër-pesëqind aventurjera dhe me rrëzue qeverinë indipendente t’Ismail Qemal Beut. Mirë po në këtë kohë Rumelia kishte kalue prej një skaji në tjetrin ndër duer t’anmiqvet, Shqipëria ishte shpall shtet më vehte, kishte kalue administrimi i saj i mbrendshëm ndër duer të komisionit të Kontrollit të Gjashtë Mbretnijëvet të mbëdhaja, fati i saj po caktohej prej Konferencës së Londrës dhe ishte edhe nën kërcënim t’ushtivet serbo-greke e bullgaro-malazeze e ma në fund me Mbretëninë Otomane kishte pre çdo relacjon e as mjet komunikimi me të s’i kishte ngel ma. Ky ekspedicion i Ahmed Izet Pashës kundra Vlorës s’ishte tjetër veçse një lodër e rrezikshme, e cila mund të zhdukte e shpartallonte shtetin shqiptar, një përfundim ky jo larg probabilitetit. Por un (Syrja Vlora) pengova ushtarët e tij me zbarkue në tokë, dhe kështu Izet Pasha nga Brindizi u kthye në Stamboll. Ittihatçijt megjithë këtë dështim të tentativës së tij ia njoftën përherë vlerën, dhe e dërguen në Jemen. Izet Pashai këtë vend të gjanë ia lëshoi në dorë Imam Jahjajt, sipas instruksioneve që kishte marrë prej Ittihatçijvet ose tue hecë sipas gjurmëvet të politikës së tij, pa bujë e pa potere. Mbas këtij suksesi të madh Ittihatçijtë e mbajtën mbi krye Izet Pashën dhe ky për t’u tregue bir i tyne i denjë vrapoi menjëherë në Stamboll kur mori vesht se fuqitë tokësore e detare të Antantës po iu drejtoheshin kryeqytetit të Perandorisë dhe ju siguroj arratisjen Ittihatçijvet të cilët gjatë sundimit të tyne i kishin pi gjakun e marrë shpirtin popullit dhe shembë prej themelvet Mbrapa i këndoj “requiem’’- in sovranitetit kombëtar otoman me nënshkrimin e protokollit të Mondrosit, i cili u ba mbrapa bazë për traktatin e Sevr-it. Thuhet se sulltani i rrëzuem (Vahdetini-J.T.) nuk ia kishte fort besën, sepse e konsideronte si një regent t’Ittihatçijvet. Prandaj, sulltani e shtrëngoj me dhanë dorëhekjen në kabinetin e kryesumë prej tij, dhe mbas disa ditësh e zgjodhi Ministër të Mbrendëshëm. Në këtë kohë shkoj n’Ankara për t’i mësue Mustafa Kemalit, i cili në këtë kryeqendër t’Anadollit kishte nisë lëvizjen e vet çlirimtare, filozofinë e politikës, dhe për t’i dhanë këshilla se rruga që kishte kapë ai për mprojtje të kombit ishte një rrugë që nuk dilte, tue iu ba kështu vegël e Vahdetinit e frrotës së tij. Në Ankara qëndroi tetë muaj dhe aty panë fitoren kombëtare të Inonusë. Kjo fitore e hutoj dhe e tërhoqi prej vehtes, aq sa u betue me gojë e me shkrim përpara çlirimtarëve turq n’Ankara se nuk do të bashkëpunonte ma me qeverinë e Stambollit. Dhe kjo besë qe garanti për të t’i lirohej rruga për me u kthye në Stamboll. Por sa u kthye këtu pranoi postin e Ministrit të Jashtëm dhe u përpoq me ia paraqitë lëvizjen çlirimtare Kemaliste si një fantomë Kabinetevet t’Europës. Kështu, provoji se sukseset e Gaziut (Mustafa Kemalit) atij i ishin halë në sy.
Egoizma e tij s’e la Izet Pashën me njoftë realitetin; kështu mohoj besën e dhanun, dhe iu shmangë një udhe të drejtë që do t’ishte e denjë për një marshall si ç’ishte ai. Meritat e tij personale dhe vlerat ushtarake qenë shumë ma të nalta se gati tanë ushtarakëvet të tjerë që patën zanë shkambin ma të naltë të shtetit si kryeministra. E gabimet e tij qenë tamam këtu sepse ai besonte se mund t’a shihte me qartësi t’ardhmen, dhe egoizma e tij u provua me servilitetin ndaj Ittihatçijve. Fjalët që tha për të Gaziu duhet t’ia kenë pre shpresat për të tashmen dhe do të jenë, për t’ardhmen e tij një dënim i madh i vepravet që zhvilloi.
5. Adem bej Safijuddin Libohova, prej Libohove. Grada Ula-Eveli. Është djali i madh i Maliq Pashë Libohovës, dhe dhëndrri i Fatime Hanëmit, së bijës së Veli Pashës, të birit të Tepelenliut (Ali Pashë Tepelenës). Trashëgoi si nga i ati ashtu dhe nga vjehrra një shumë të hollash prej ma se njëqindmij lirash; por i prishi këto ndër dëfrime dhe u qiti fundin, aq sa hodhi në skamje e në vuajtje familjen. Por në kohë të fundit ia ngjiti dorën ish-kryeministri Ferit Pashë Vlorës, dhëndrri i tij dhe e shpëtoi nga vujtja. Nuk dinte as të këndojë as të shkruaj dhe as që i solli ndonjë shërbim Mbretnisë; por se si e bindi dhëndrrin e vet dhe u emënua antar i Këshillit të Naltë, në Seksionin e Janinës!, në vend të Teki Beut, vëllaut të vjerrit të vet. Jo me ndreqë financat e shtetit, por s’kishte as ma të voglin zotsi me rregullue punët e veta. Gjithmonë jetën e kaloi në rehati pa u lëkund prej tallazevet të saj dhe vdiq.
6. Adem bej Margëlliçi, Ula-Evveli. Prej një familjes së mesme margalliçjote, në krushqi me të ndjerin Abedin Pashë Dinon. E mbajti Abedin Pasha shpesh afër vedit në Ministri të Regjisë, e naltësoj ndër grada dhe me nderna e të mira që i bani prej afërmënisë që kishte me të. Bani një jetë pa trazime megjithëse gjithmonë afër…(?), me vështirësi fliste gjuhën turke. Ma tepër qe i heshtun se sa gojtar, jo gjykimtarë i punëvet të veta, dhe i pa kulturë. Vdiq në Stamboll, mbasi me kohë kishte pre marrëdhëniet me vend-lindjen e vet.
7. Etëhem Efendi “Defterdari”, prej Lorosi, grada Bala. Tue qenë një nënpunes i vogël finance mbrrijti me u ba defterdar (drejtor finance) me “Rytbei Bala”. Në Izmir bleu një çiflik të madh. U ndihmoj bashkatdhetarëvet të vet, por dhe dijte me rujtë interesat e veta. Në Kuvend ishte i gatshëm me u gjegjun, pse prej natyre ishte i pajisun me një veti perspikaciteti. Ecte ngadalë, qe dhe guximtar.
8. Edip Pasha, prej Janine, gjeneral Divizioni. Mbaroi akademinë ushtarake, dhe përparoi për hirë të zotsisë së tij. U ba gjeneral Divizioni dhe si antar i Komisionit Ushtarak t’Inspektimit pati përkrahjen e Sarajit (sulltanit). Në një kohë qe Vali e Komandant në Shkodër; shoj një kryengritje greke në ishullin e Siamit. Qe i egër në fjali, por i drejtë në punë. Egoist, desht me ia imponue tjervet vullnetin; ishte dhe i bindun në vyrtytet e tija personale. Qe krejt i dizenteresuem për çështje kombëtare, sepse kishte këputë me shqiptarë çdo mardhënie. Me fjalë ma të shkurtë kërkonte me shpërblye të drejtën e bukës që hante.
9. Ismail Pasha. (Në tekst mungon faqja 6. Si mbas përshkrimit që jepet në faqen 7, kuptohet se flitet për një Ismail Pashë, i cili e ka pasë gjysh Ali Pashë Tepelenën). Mbasi u këndue Mevludi dhe u shpërndanë të ftuemet, mue (thotë Syrja Vlora) më ndali atë natë me bijtë në shpi të vet. Më përkëdheli me fjalët e veta t’ambëla, dhe un mora guxim e pyeta mbi ndonjë veçansi të jetes s’Ali Pashës dhe Ibrahim Pashës. Mi jepte të gjegjun me gëzim çdo pyetje dhe më mbushte shpirtin me kënaqsi.
Më foli kështu: Ali Pashë Tepelena qe gjyshi i jem, e Ibrahim Pashë Vlora baba i nanës s’eme e i gjyshes s’ate. I pari u rrethua prej ushtrisë osmane dhe i dyti mbeti i mbyllun në kala të Janinës prej 1225 h deri në 1235 h (1810-1820). Mbaje mend se i kam pa të dy ndër ditët e mbrame të jetës së tyne. Ali Pasha qe injorant, turqishten e fliste me vështirësi e me gabime. Me mue shprehej në shqip. Ibrahim Pasha, përkundrazi, qe i urtë e i dijshëm, fliste bukur, këndonte e shkruante. Kohët e mjerimit të vet i kalonte herë me të lutuna fetare e herë me lexime, e sidomos me lexime të Divanit të Hafizit, me ndihmën e të cilit donte me zbulue fatin e vet t’ardhmen.
Ali Pasha, i shtym prej ndjesivet shemrake (rivaliteti), që ushqente ndaj tij e burgosi Ibrahim Pashën; me gjithë këtë për personin e dijen e tij kishte nderim dhe besim ndër mendimet e tija t’arsyeshme (logjike). Disa herë Ali Pasha më pat çue mue te Ibrahim Pasha për me marrë vesht se ç’mendonte për të e për politikën e tij. Ibrahim Pasha megjithse i dëshpëruem dhe i urrejshëm ndaj Ali Pashës, nuk vente gojë kundra tij, por dhe rrugë si kallxonte për sa synonte politikën që ndiqte ai (Ali Pasha). Ibrahim Pasha ishte simpatik e burrë i kandëshëm dhe prandaj për të kisha një dashuni të veçantë. Dhe ai më thonte se më donte ma shum se djalin e vet dhe më nxiste me mësue.
Ali Pasha kishte shpresë me shti në dorë, vonë ose herët, Hurshid Pashën dhe kështu me i shpëtue lakut në të cilin kishte ra. E Ibrahim Pasha, përkundrazi, vetë ishte mërzit nga jeta dhe s’mendonte me kthye prap dikur dhe një herë në shkambin e lumtunisë së tij të përparshëme dhe ishte mendenbushun për fatin tragjik të bramë t’Ali Pashës!
Por sa preu fjalën e pyeta Ismail Pashën për moshën që kishte atëherë. Qeshi dhe më përkëdheli, e mandej më tha: Moshën që ke ti sot. Mbas këtij hesapi Ismail Pasha duhej të kishte kalue moshën tetëdhjet vjeç në kohën që un pata me të këtë bashkëfjalim. Megjithë këtë arsyetim ishte i qartë dhe i shkathtë në trup, edhe pse i thatë. Mbas katër pesë vjetësh vdiq dhe u varros ndër varrezat e Edirnekapës, aty ku ishin të varrosun dhe krenat e preme t’atit e të gjyshit të tij.
Ismail beu, pa u ba ende pashë atëherë, i cili i dha sihariqin ma i pari Kryeministrit që ishin shpartallue e zhbi Jeniçerët dhe u emënue në roje të rrethevet të Dikilitashit, pati disa nëpunësina në Stamboll. Në vitin 1255 h (1839) prej Ministrisë së Tersanes si vali n’Izmir, prej ku mbas një vjeti u emënua Ministër i Karantinës. Në vitin 1262 h (1845) tue iu njoft meritat e tij personale, si një burrë shteti i zoti n’administrim të vendit dhe tue u çmue besnikrija e tij ndaj sulltanit, u dërgue në 1263 h (1846) si prefekt në Tërhallë, po n’atë vjet u emënue prefekt në Viza e me titull Veziri prefekt në Trabzon, në 1264 h (1847) prefekt n’Edrene; në 1265 h (1848) prefekt në Janinë, prej ku mbrrijti me lirue me intervenimin e tij parësin e Toskërisë që ishte e internueme dhe i dha fund periodës s’errtë të Tanzimatit. Dhe një herë ma vonë qe vali në Janinë, por asnjë herë nuk desht t’a vizitonte varrin e gjyshit të vet në Manastir të Pandelimanit dhe të shihte Tepelenën, vend-lindjen e tij[7]. Sa herë që Ismail Pasha kujtonte vuajtjet e familjes së tij mjerohej dhe mallkonte shkaktarët. Shqipen e fliste shumë qartë, dhe në konak të vet mbante shërbëtorë shqiptarë. Kudo që qe vali punoj me të drejtë dhe në publik u njoft si një vali ndër ma të mirët. Prej natyre qe shumë i butë, i drejtë dhe i prinun me ba mirë. Kur bisedonte i kandej m’e përcjellë gjithmonë me kallxime ngjarjesh dhe me shëmbuj. Fjalët i kishte të lidhuna dhe ishte shumë i qartë ndër shprehje. Ç’quhej për sjelljet e fjalët ma t’ambla e dije fisnike. Qe një vezir inteligjent dhe bamirës ndaj ata që fati i kishte lëshue dorët. Megjithse ndër turq s’ashtë zakoni me përdorë mbiemën familjejet dhe kujtimi i emnit të familjes së tij ngjallte përshtypje të tmerrshme ndër turq, ai nderohej me u qujtë “Tepedelenli-Zade” (Birë i Tepelenasit). Konaku i tij qe një qendër ku u mblidhshin të pasun e të varfër, dhe kuvendi që bahej n’at konak qe me ia pas zili. Mbas mjerimit që i ngjau t’et, Qeveria ia ktheu pasuninë e konfiskueme, e cila qe mjaft e madhe; por vuajti dhe ai vetë për shkak se i hyni grindja me të birin, Asaf Beun e me të bijën e Shefika Hanëmi. Pjesën ma të shumtën e pasunisë së tij e trashëgoj i biri i vogël Qamil beu. Mbas vdekjes se tij dolën një grumbull trashëgimtarësh në pasuninë që la ky, të gjithë si të afërm të tij dhe pretenduen me gëzue atë mori pasunije, asht një çudi e fatit se ndër këta trashëgimtarë doli edhe një zezak, të cilit si dihej farefisi me një akt-trashëgimi falco në dorë dhe tue pretendue se ishte djali i Mahmud beut të birit të Muftar Pashës mujti me shti në dorë arbitrarisht, mbasi Mahmud beu s’kishte lanë djalë, me gjithë kundërshtimet e pjesmarrësvet të familjes. Kurse unë dhe të bijt e dajës së Ismail Pashës kishim të drejtë n’atë pasuni, por ndryshimi i kohëvet dhe i pozitës nuk na la mundësinë me ndjekë këtë padi (dava).“Rahmetull’llahi alejhi rahmeten vasiaten”.
10. Ismail Pasha “Mahir”-“Maktule”[8] prej Konice, gjeneral divizioni. Qe i lidhun ngushtë me Sarajin. U ngarkue me ndjekë Xhon-Turqit në Selanik, dhe këta mandej e vranë mbas shpalljes së konstitucionit, një natë në befasi. Dorasi qe një oficer me emën Abdylkadër, që u ba ma mbrapa vali i Ankarasë, dhe i varun mandej prej Mustafa Kemalit, si pjesmarrës në një komplot për vrasjen e tij. Po të gjykojmë me dorë në zemër, dënimi që iu dha prej Xhon-Turqvet nuk qe aspak me vend, për shkak se ai e kishte për detyrë me iu bindë urdhnit t’eprorëvet të tij dhe me shkue kundra kryengritësavet. Por dënimi që pësoj ma në fund Abdylkadëri qe një shuplakë e Zotit dhe një hakmarrje e krimit të tij. Në kryengritjen që plasi në Lisam në vjetin 1904 u ndodh në krye t’ushtrisë që shkoj me shtrue kryengritsat dhe këtu ia doli punës me sukses, tue rivendosë kështu n’atë ishull influencën e shtetit. Megjithse jo i shkollës, por ushtarak i karrierës, u dallua i zoti si n’artin ushtarak ashtu dhe si orator, deri sa mbrrijti të bahet gjeneral divizioni, adjudant i sulltanit dhe anëtar në Komisionin Ushtarak t’Inspektimit. Pati një emën të çquem dhe një famë; u përdor dhe ndër shum funksione private. Ishte i pashëm në trup, impozant me uniformën ushtarake dhe i shkathtë. Bija e tij e madhe, Fitnet Hanëmi, u martua me Mit’hat bej Selimin, djalin e Salih beut, nga parësi e Delvinës. Pak para luftës së përgjithshme erdhën të dy në Vjenë, burrë e grua, mbasi Mit’hat beu kishte fitue në një loteri nja dymijë lira dhe kishte, dëshrue me pa Europën me gjithë të shoqen.
Mbas pak ditëvet që ndejën në Vjenë shkuen në Semering. Një ditë policia e Vjenës më kërkojë në telefon dhe më lajmëroi se Mit’hat beu ishte zanë me fjalë me të shoqen dhe e kishte vra këtë e mandej dhe vedin. Policia m’u lut të çohej një nënpunës nga Legata për të regjistrue teshat që kishte lanë. Aso kohe ndodhej në Vjenë dhe Faik Konica, i cili ishte daja i gruas së vrame. Policia e Vjenës kreu në këtë rast veprimet e nevojshme. E ngrata grua shkoj pa fajin e vet në moshën pa mbushë edhe njëzet vjeç, viktimë e çmendurisë ose e zemërimit të burrit të vet. Kjo tragjedi e pa pritun i shtoj një tjetër mjerim familjes së saj, e cila zaten ishte në zi nga vrasja e babës së saj (Ismail Pashës).
11. Ismail bej Vlora, prej Vlore, Rytbei-Bala (grada që kishte). Ka lindur në Vlonë në konakun e familjes Vlora në vitin 1255 h (1839). I ati, Mahmud bej Vlora veçse një mjerimi kurrgja të mirë nuk i la trashëgim të birit, dhe e ama e ndershme Hadije Hanëmi, e bija e Tahir Beut të Kapllan Pashës, pari e Gjirokastrës, nuk i prue t’et në shpi kurrfarë pasunie!
12. Abedin Bej Efendiu, pari e Janinës, i cili qe burri i Nekije Hanëmit, së motrës s’Ismail Kemal Beut dhe … i jem, e mori në shpi të vet Ismail Kemal Beun, e rriti dhe e edukoj, e ma vonë me ngritjen e Hajredin Pashës, të vëllait t’Abedin Begut mbaroj mësimet e mesme ndër shkolla myslimane dhe ma në fund hyni në shkollën Dhosimea të Janinës, ku mësoi në një mënyrë të përsosun greqishten dhe frëngjishten. Abedin Beu nuk kishte fëmi. Kështu e shoqja e tij, e cila ishte tezja e Ismail Kemal Beut, u kujdes për këtë si një nan e vërtetë dhe ndihej e kënaqur kur përpiqej me i sigurue të nipit një jetë të qetë e të lumtun. Kur erdhi së dytit herë si vali në Janinë Ismail Rahmi Pashë Tepelena, me lutjen e Abedin Beut, të cilin e kishte nip, e mori Ismail Begun nën mbrojtje dhe e çoj në Stamboll kur u largue nga Janina. Ismail Kemal Beu qëndroj për një kohë të gjatë në shpi t’Ismail Pashë Tepelenës, i cili e vuni atë në një zyrë në Portë të Naltë. Në këtë kohë ra në Stamboll kolera nga e cila vdisnin në ditë nga njëmijë e pesqind vetë. Gjithkënd e kishte kap tmerri për jetën e vet. Atëherë Ismail Kemal Begun e mori ungji i tij Mustafa Pashë Vlora që ndodhej në Stamboll dhe e largojë në një skaj të largët të qytetit në një shpi që kishte zanë me qira, për t’u kujdes me ia rujtë jetën. Në vitin 1281 h (1864) Mid’hat Pasha u emënue vali i Tunës (Danubit) e Mustafa Pasha, babai em ndihmës valiut. Mustafa Pasha e mori Ismail Kemalin në Rusçuk dhe aty e vu mymegjis (një lloj K/sekretari që korrigjon shkresat e sekretarëvet) në Seksionin e Korrespondencës. Mid’hat Pasha, Mustafa Pasha e Ismail Kemal begu jetuan së bashku tri vjet. Nip e ungj pranuen propozimin që iu ba Ismail Kemal Beut për me marrë të bijën e Mid’hat Pashës. Por hesapet e banuna në shpi nuk ujdisën me ato të çarshisë. Pse Ismail Kemal Beu kishte zanë dashuni me zonjushën Kleoni, të bijën e Syrmeliut, notable grek, banues në Rusçuk. Dhe kjo e donte Ismail Kemal Begun. Një natë prej netësh grabitë Kleonin prej shpisë së prindvet dhe martohet me të legalisht. Kjo martesë shkakton idhnim në mes t’ungjish e të nipit, në sa një ditë Ismail Kemal Beu shtrëngohet me u largue shpije. Fletorja “Tuna” që botohej aso kohe në Rusçuk tërhiqte urrejtjen e publikut me artikujt e saj që ishin përplot të mbushun mbi veprat reformonjëse të Mid’hat Pashës që zhvillonte n’atë krahinë të Perandorisë. Ndër redaktorë të kësaj fletore ishte dhe Ismail Kemal Beu, i cili dalë-kadalë filloj të fitojë famë. Në vitin 1285 h (1868) Mustafa Pasha u emënua prefekt në Resmo dhe Mid’hat Pasha Kryetar i Këshillit të Naltë. Si njeni ashtu dhe tjetri tash ma ia kishin falë fajin e dashurisë Ismail Kemal Begut dhe Mid’hat Pasha e kishte marrë me vedi në Stamboll dhe emënue në Këshill të Naltë ndër mes të ndihmësavet të Sekretarëvet të parë. E kur Mid’hat Pasha erdhi në seli të kryeministrit, Ismail Kemal Begun e emënoj prefekt në Tollçi me detyrë të shtume si kryetarë i Komisionit të Tunës, dhe u largua Ismail Kemal begu këtij posti vetëm atëherë kur Mid’hat Pasha u internue në Bagdad me funksion të valiut. Mid’hat Pasha u ba së dytit herë Kryeministër. Këtë rradhë Ismail Kemal beu emënohet Kryesekretar i Seksionit të Jashtëm të Kryeministrisë. Mbrapa Mid’hat Pasha arratiset në Europë dhe Ismail Beu internohet në Kutahje. Ky internim i zgjati shumë Ismail beut, dhe vuajtjet e tij qenë të mëdhaja. Akif Pashë Tetova afër Eskishehrit kishte një çiflik. Për ta ndihmue Ismail Kemalin ia lëshoj në dorë këtij administrimin e çiflikut. Por Ismail Kemal beu, i shkatruem ndër çashtje llogarishë, e zemëroj Akif Pashën me llogaritë e ç’rregullta të çiflikut. Në Dukat të Vlonës Ismail Beu kishte disa druj shimshiri (fr.buis), të cilat ia shiti një të quejtuni Leiman prej Hamburgu, për një shumë dymijëlirash të verdha, të cilën shumë ia dërgoj ai nëpër dorë t’emë. Por kjo shumë nuk i mjaftoj, sepse kishte një familje të madhe me mbajtë dhe sepse ishte mësue me shkrrye paren.
Në Eskishehir u ngatrrue dhe në një ndërmarrje druri. Aqif Pashë Tetova e harroj zemërimin e parë ndaj Ismail Kemal begun dhe ia ngjiti prapë dorën ndihmëtare të tijnë. Kur mandej Aqif Pashë Tetova erdhi në Stamboll si Ministër i Drejtësisë e ma vonë u emënue si Kryetar i Këshillit të Shtetit, me intervenimin e këtij u fal Ismail Kemal beu nga internimi dhe u emënua prefekt i Galipolit. Prej Galipolit Ismail Kemal beu u transferua si prefekt në Bollu, mbrapa shkoj si vali në Bejrut, dhe prej këtu si ndihmës vali në Siri. Por këtu, nëpër rrenat e propaganda që përhapshin aventurierët që e kishin rrethue u trondit Saraji dhe në vilajet filloj një gërgule, prej një skaj në tjetër, nga një administrim i dobët i vendit, nga ky shkak u pushue prej këtu edhe u kthye në Stamboll ku u emënue në Komision të Naltë të Administratës si anëtar. Në Stamboll, në këtë fazë të funksionit u njoftë Ismail Beu me njerzit e Sarajit perandorak; sidomos fitoj tepër fort simpatinë e Haxhi Ali Pashës, shambelan i parë i sulltanit dhe aq iu afrue Sarajit sa që sulltani filloj me kërkue prej tij mendime! Në një kohë sulltan Abdyl-Hamidi II i dha randësi vilajetit të Tarabullus-Garbit (Tripoli) dhe dëshironte me çue atje një vali të zotin. Me ndërmjetsimin e Haxhi Ali Pashës, sulltani dërgoj në Tripoli Ismail Kemal Begun. Me urdhën të sulltanit iu vu në dispozicion një vapor i shtetit për t’a shpue në Tripoli, për të mos shkue me ndonjë vapor poste italian. Prap këtë herë, një tufë aventurierësh të stërvitun ndër intriga ishin pregatitë për t’a përcjellë Ismail Kemal Begun për në Tripoli. Ismail Kemal Beu u tremb prej këtyne dhe prej mashtrimevet e kërcënimevet t’Arap Izet Pashës. Kështu, i friksuem prej gjithë kësaj rrjete intrigash që kurdisej rreth tij, Ismaij Kemal Beu befas u arratis prej Stambolli n’Evropp!! Si kam ndigjue unë personalisht prej vetë Haxhi Ali Pashës, sulltani s’kishte ndonjë shkak me pasë mendime të këqija kundër jetës së s’Ismail Kemal Beut.
Ismali Kemal beu, tue qenë vetë shqiptarë, kishte frikë nga urrejtja kundra tij e shqiptarëvet në shërbim të pallatit dhe nga një hakmarrje nga ana e tyne. Arap Izet Pasha, tue pasë marrë vesht se sulltani kishte da m’e emenue Ismail Kemal begun Kryeministër dhe tue qenë i sigurtë se ky s’do të bahej vegël e qëllimevet e tija, e frikësoj, i shtyem prej ambicjevet të rivalitetit që ushqente kundra tij dhe kështu u ba shkak që t’arratisej n’Europë. Si mbas informatavet të tij, italianët kishin shti në dorë një koncension. Për me ndërtue në Tripoli një liman. Izet Pasha kishte përkrahë italianët në këtë ndërmarrje, tue i sigurue vehtes një shumicë interesash. Mirëpo Ismail Kemal Beu hyni në marrveshje me një grup francezësh dhe dau me ndreqë limanin e Tripolit me anë të këtij grupi. Dhe ky qe shkaku ma i fortë që e shtyeni Izet Pashën me i ndejë kundra Ismail Kemal Beut.
Ismail Beu por sa u hodh n’Europë, puna ma e parë e tij qe me i dërgue sulltanit një memorandum për të pranue një regjim konstitucjonal, dhe me këcye në krye të partisë së Xhon-Turqvet që punojshin jasht po për të njëjtin qëllim. Ky bashkpunim i Ismail beut me Xhon-Turqit në fillim tmerroj sulltanin; por ky tmerrim nuk i zgjati shumë, pse në krye të partisë Xhon-Turke erdhi Ahmed Riza beu dhe Ismail Kemal beut natyrisht iu desht të largohej. Sulltani porsa u sigurue se Ismail Kemal Beu nuk do të mund të bashkpunonte me Xhon-Turqit, u përpoq me ba për vedi me përkëdhelje Ismail kemal Beun. Por Ismail Kemal Beu nuk u influencue prej këtyne përkëdheljevet dhe s’u vu vesh premtimevet të sulltanit. Atëherë sulltani u shtrëngue me dhanë porosi të rrepta gjithë kohë për me ndejë në përgjim kundra ndonjë turbullimi eventual që mund të nxirrte Ismail Kemal Beu. Me nxitjen e Tatar Osman Pashës, vali i Janinës dhe t’Esad Pashës, Komandant Xhandarmërie, të cilët dhe këta kishin marrë instruksionet perandorake, populli pregatiti e dërgoj protestime kundra Ismail Kemal Beut, tue e dënue veprën e tij. Bile, këta dy pashallarë po për këtë qëllim erdhën edhe në Vlorë dhe mbas shumë shtypjesh e kërcënimesh ia imponuen popullit me ba protestime të tilla. Me thanë të vërteten, Ismail Kemal Beu në kohën që ndej n’Europë s’pati relacione me Shqipninë dhe s’u muarr me ndonjë politikë serioze. Ishte në kujdesë të jetesës bile kishte mërzit miqt me vajtje-ardhje ndër ta dhe tue u kërkue të holla. Por sa u ç’pallë konstitucioni otoman, erdhi në Vlonë dhe xu selinë si deputet i Beratit në Parlamentin Otoman. Divergjenca që pati me Xhon-Turqit në Paris dhe qëndrimi i tij larg për të mos u ba vegël e padrejtësivet dhe t’atrocistetevet të tyne e pengunë me mëvehtësinë në pozitë të ndritun në Parlament, bile dhe me hye në kabinet dy-tri herësh. Ittihatçijtë e poshtër kryen një vepër kriminale kundra këtij plaku të ndershëm, tue i dhanë një shpullë dhe hodhën në shesh një shpifje kinse ky ishte qenë ndër relacione intime me sulltan Abdylhamidin II në ngjarjen 31 marsit (13 prill 1909). Kështu, deshën t’i vënë njollë nderës e dinjitetit të tij. Prandaj, Ismail Kemal Beu në tanë kohën që ndej në Stamboll, jetoj gjithmonë i shtypun e i kërcënum! Në sesionin e dytë të Parlamentit u zgjodh deputet në vendin t’em dhe si u sqarua gjendja politike e Shqipnisë, erdhi në Vlorë, ngrehi flamurin e pavarsisë, dhe kështu i bashkoj emënit të vet një kujtim të paharrueshëm.
13. Ismail Pashe Vila, Frashnjot, Mirmiranë. Qe një pashë analfabet, një kohë të gjatë qe si Serqerde (komandat, shënim i përk.) në kufi tip burri. Në Berat, në Vlorë e në Gjirokastër ku shërbej si Nënprefekt e Prefekt, mbajti kudo rend e qetësi, dhe la mjaft kujtime të mira dhe një pasuni të konsiderueshme. Me vulgaritetin si ndër sjellje ashtu dhe ndër fjalë, kishte fitue dashurinë e katundarëvet, por n’anë tjetër u kishte shti tutën cubavet. Qe naiv sa me folë çdo kriminel ose ba keq që mohonte fajin tue u betue para tij, dhe një administrator injorant, por i mbatun. Kur donte me ba një punë, peshonte mirë interesat e veta! Turqishten e flitte keq. Vullnetin e tij ua impononte valijvet dhe kishte ba që të njihej ndër notabelt ma influent të Toskënisë. Ishin detyrue, ky dhe i vëllai Halim Pasha, me mbajt dy-tre mijë bashibuzuk (vullnetarë) në kufi dhe për kaq mereshin rrogat e ushqimet kurse efektivisht s’kishin veçse gjysmën e tyne, kaq kishte kujdes me sigurue interesat e veta materjale.
14. Ismail bej Janina, prej Janine, grada Bala. Qe i njoftun me mbiemnin “Gjiriti”. Në relacione krushqie me Mustafa Naili Pashën prej Pojani, një herë kryeministër, dhe dhëndri i madh i tij, qëndroj larg bashkatdhetarëvet të vet dhe nuk u familjarizua me ta. Mbas nënpunësivet të ndryshme që pati në Drejtësi, mbrrijti me u ba antar i Gjykatës së Diktimit (Kasacionit). Qe dhe këshilltar i vilajetit të Gjiritit, prej ku u emënue me gradën drejtor i Liceut Mbretnor. Vdiq tue qenë në këtë nënpunësi në vitin 1315 (1897). Qe i butë me natyrë, me u ba të mdhajvet vizitë ishte zakon i tij, sidomos ndër raste kur këtyne u bojshin ngjarje në krye; dinte gjuhë të hueja. Me një fjalë, qe një ndër njerëz shteti i rregullt dhe për t’u kujtue me të mirë.
15. Ismail Efendi, Talat-aga-Zade, Janinas, grada Ula-Eveli. Tue qenë si Kryesekretar (Korrektor) i Vilajetit të Janinës, prej këtu mbrrijti me hye në rradhë të njerzvet të shtetit otoman dhe me pasë një pozitë të naltë në Janinë.
Në vitin 1296 h (1879) erdhi në Vlorë bashkë me Mustafa Asim Pashë Gjiritin vali i Janinës; shkon në skelë me pa detin dhe vrapon, fut grushtat në detë dhe merr me pi ujë. S’e kishte dijtë deri atëherë se ujët e detit ishte i njelmë, pse kishte kujtue se asht ujë që pihet si ai i liqenit të Janinës. Mbrapa, në saj të një eksperience e të stërvitjes mbërrijti në një shkallë pjekurie në pikpamje kulture, tue mësue gjithçka. Me sjelljet e tij të njerëzishme dhe me punët e mira e të rregullta fitoi simpatinë e valijvet. Mbas pushtimit të Janinës nga Grekët emigroi me krejt popullin mysliman në Turqi. Këtu u ba shtetas i Republikës Turke tue pre kështu marrëdhëniet me Shqipnin.
16. Islam Pasha, prej Bitinckës së Devollit, gjeneral brigade. U dërgue si rekrut në mes t’ushtarëvet që u morën prej Shqipnie mbas Tanzimatit në Anadoll, në Hixhaz e në Jemen, dhe vetëm me trimninë e tij të ndërlindun u ba oficer. Në çdo ndeshje tregoi bravura të çqume dhe mbërrijti, megjithse analfabet, me u naltesue deri në gradën e gjeneralit të brigadës. Arnaud Islam Pasha qe i gjatë e i thatë në trup. Kur qe n’Allasonjë bashkë me marshall Ahmed Ejup Pashën, hapi 23 varre në një skaj të sheshit të luftës porsa pan se kjo do të pëlsite shpejt. Ejup Pasha tue kalue andej-pari rastësisht, u tremb përpara këtyne varrevet të hapuna dhe e pyeti se ç’ishin. Islam Pasha i ishte gjegje: Lufta po fillon, qe nevoja me pregatitë vendet e dëshmorëvet. Atëherë Ejup Pasha, çudi e zemërim tue nderue naivitetin e pleksinë e tij ia prêt me një tallje të vogël: Pashë a nuk do të qe ma mirë me hapë llogore në vend të këtyne varrevet. Në luftën e 1897-ës u ndodh si gjeneral i brigadës së dytë të të pestit divizion. Në këtë luftë u dallue për trimni. Mbas disa kohe u nxuer në pension, dhe u kthye në vendlindjen e tij në Bitinckë, ku dhe vdiq. Qe fisnik, i drejtë në punë dhe në fjalë, i sinqertë dhe një ushtar i zellshëm e durimtarë ndër mundime ushtarake.
17. Asaf bej, Tepedelenli-Zade (biri i Tepelenasit) grada Bala. Mbasi Tepelenasvet u qenë pre kokat e kunorzueme prej mjerimesh, Asaf beu nuk mbet i harruem, shteti e mori nën sqetull dhe e mëshiroi. Ky u ç’vesh prej ndenjavet kombëtare dhe harroj mjerimet që kishte trashigue prej të parëvet të vet dhe padrejtësitë e krimet që qene krye kundra tyne; u rrit me një fjalë, me edukatën e një zotnie Stambolli. Me gradën e Pashait shërbeu ndër disa prefektura si prefekt, ma në fund në Yskydar me gradë rutbei-bala, ku qendroi deri sa vdiq. Ndër nëpunsina ku ndodhi u dallue si një administrator i zoti dhe i drejtë. Fitoi dashamirësinë e gjithkujtë dhe meritoi që emni i tij të kujtohet për mirë. Pat besimin e njerzvet të naltë të shtetit. Nuk pati kulturë, por me gjithë këtë, si i lindun e i rritun në Stamboll, qe i kandshëm e simpatik në kuvend. Nuk ka trashëgimtar as të pasunisë as të emnit të tij. Në këtë u shue e mbramja e dritë e llambës së Tepelenasvet. Qe njeri që kërkonte gjithmonë me kalue jetën në qetsi e në gëzim, pse dhe vetë qe një njeri alegro.
18. Eqerem bej Vlora, prej Vlore; grada Ula-Sani. Është djali im i madhi. Nana e tij asht Mehri hanëmi, e bija e Selim Pashë Toptanit, prej Tirane. Lindi në 28 Nenduer 1885, datë e cila koicidon me ngjarjen e lumnueshme të pavarsisë së Shqipërisë. Mësimet fillore i mori prej mësuesash të zgjedhun e të dërguem prej shkollës së naltë Terezjane të Vjenës dhe prej mësuesash të sjellun ndërgut prej France, Stambolli e prej, Italie. Shkollën e mesme e kreu në Graz të Austrisë, në të famshmen Kolegje të Sehultzit e mësimet e nalta i plotësoj n’Universitetin e Terezjanun. Ka një tok veprash të botueme shqip, frëngjisht e gjermanisht. Eqeremi qe i pari në Shqipni që vu përpara publikut[9] flamurin kombëtar, që dha në Berlin e në Vjenë konferenca rreth përmirësimit të gjendjes së Shqipnisë dhe me qëllim të pregatisë fushatën për pavarsinë e saj dhe ngriti zanin me anë të shtypit të huaj për revendikimet kombëtare shqiptare. U pranua antar nderi ndër shumë institucione kulturore dhe veprat e tij politike që botoi mbi Shqipnin u lanë objekte diskutimesh ndër Parlamente t’Italisë e t’Austrisë. Në Stamboll qe ndihmës-këshilltarë.[10] Prej Sulltanit qe nderue me gradën “Ula-Sani”. Ndër shokë ka fitue besim dhe njihet prej tyne për serioz. Në ç’palljen e pavarsisë qe zgjedhë si delegatë në sanxhakun e Vlonës. Por aso kohe ishte tue luftue në Kuç kundra grekëvet. Me zgjedhje universale qe shënue nën-kryetar i Senatit, në kohë të Princ Widit qe emënue këshilltar në Ministrinë e Jashtme. Në luftën e përgjithshme u ndodh në Korfuz. Këtu e mashtruen Italianet dhe e çuen në Romë prej ku e internuen në Sardenjë, ku u mbajt tri vjet e tri muaj nën vëzhgim të policisë e ku kalojë një jetë mërgimi, larg miqsh e dashamirësh. Dhe mbas armpushimit u mbaj larg atdheut për një kohë gjashtë muajshe, dhe me njëmijë ndërmjetësime mundi me kthye në Vjenë. Në të dytin sesion të Parlamentit u zgjodh deputet dhe mandej, me shumicë dërmuese votash, senator i Vlonës, ndjenjat kombëtare i ka rujtë të pastra dhe ideali i tij ka qenë me i shërbye atdheut. Jep shpresë me qenë një trashgimtar i mirë, dhe lus Zotin që t’i jap jetë të gjatë. Prej natyre asht mizantrop, dhe si në sjellje ashtu ndër fjalë i dëshprum. S’asht i alegrivet nuk përgojon mbas sysh kërkënd, fjalën e ka fjalë dhe i qëndrueshëm në vullnet e në mendim.
19. Ilhami bej, Libohova, grada Ula-Eveli. Kur babai i tij Adem beu u jepte krah pa kursim miljonavet që kishte trashgue dhe i biri Ilhami beu nuk i linte gja mangut t’et në këtë rrugë prodigaliteti, thue se at e bir konkurojshin njani me tjetrin se cili mund të prishte më shumë pare. Ilhami beu qe njeri i shkollës, kishte mësue gjuhë të hueja, i butë në sjellje, por i dhanun së tepri mbas luksit dhe salltanetit. Në një anë vazhdonte në një zyrë të Ministrisë së Jashtme, dhe n’anë tjetër shkonte vinte në Portën e Naltë me cilësi sekretar-korrektor. Por jeta që donte të bante s’ishte e denjë për një sekretar që merrte një rrog prej pesëqind groshëvet në muej, por për një princ ose lord që zotëronte miliona. Për këtë shkak u largue prej Stambolli me detyrë Kryekonsulli një herë në Korfuz e mandej në Napoli, desht të prezantonte vehten si i vetmi trashëgimtar i titullit Tepedelenli (Tepelena) dhe për hirë të këtij titulli kaloi një jetë luksoze deri sa u qiti fundin të hollavet që i kishin ngelë dore tue u shtrëngue me u kthye në Stamboll dhe në vendin që kishte më parë. Në një kohë e mori nën mbrojtje i kunati, i ndjeri Ferid Pasha që qe ba Kryeministër. Deziluzionet s’e lanë të qetë, dhe doli në pension me një rrogë katër pesqind groshësh, tue kalue tashti një jetë mizerje. Në luftën e Ballkanit, pa vu në hesape moshën dhe jetën e vet të kahershme, u shkrue vullnetar dhe nxorri pallën kundra armiqëvet t’atdheut. Ma në fund flaku titujt e dekoratit dhe u fut në një teqe. Prej princit u ba Dervish, dha këtu n’ekztase e në qetesi la pompën e madhnive të kësaj bote tradhëtare, vdiq e shkoj!
20. Emin Pasha, prej Skrapari, grada Mirmiran. Tue qenë një xhandar i thjesht, dalëkadalë, por gjithmonë mbas një shërbimi të jashtëzakonshëm, kalojë nëpër grada të ndryshme u ba në Gjirid (Kretë) Allaj-Bej (Komandant xhandarmërie) dhe mandej mori gradën Mirmiran. Qe një katundar krejt analfabet. Por në këtë, mbrenda një kohe gjysëm shekulli, u ndodh ndër të tana ngjarjet që u zhvilluan aty, brodhi fusha e male, kudo ia doli punës në krye dhe njofti të mirët e të këqinjt, të vegjlit e të parët e ishullit. Cubat tmerroheshin vetëm me të ndëgjuem t’emnit të tij e jo ma me prezencën e tij. Atyne që meritojshin ndihmë u ndihmonte dhe i merrte në shërbim të vet. Me vjet qëndroi në Kretë në krye të bashibuzukëvet shqiptarë dhe u ba vërtetë një strehë për ata që kishin nevojë. Megjithse i rreptë n’administrim, si eprorëvet ashtu dhe të nënshtruemvet të tij dijnte me iu marrë zemrën dhe me kondendue gjithsejcilin si mbas rrethanavet në të cilat ai ndodhej.
Në turqishten e çaltë që kishte mësue, përdorte fjalë shqip, por nuk ndjente kurrë farë përshtypje për injorancën e tij. Vdiq në Kretë (në qytetin Hania), dhe la kujtimet e njeriut më të mirë.
21. Emin Efeni, Margëllicas, Grada-Senefi Sani. Edukuem ndër duer të Dinollarëvet, Emin Efendiu qe vërtetë i zoti dhe një ndër nënpunës për t’u admirue. Një kohë të gjatë punoi pranë Abedin Pashë Dinos, ku u provue i aftë e mbrapa u ba prefekt, e kudo ia shtoj vehtes nderën e dinjitetin. Në punë qe aktiv dhe i rregullt. Në shkrim kishte një stil që s’i kritikohej. Qe prej një familjeje të mesme të Margëlliçit, fisnik, gjeneroz e i kulturuem.
22. Adnan Surla, Janinas, grada Ula-Senefi-Sani. Në Stamboll u muer me sarafllëk (saraf, këmbyes të hollash) dhe dalë-kadalë u pasunue. Mbrapa gjeti mënyrën se si me u fut nën sqetulla t’Abdyl Gani Agës, Darussavade-Agasë (një funksjon si prefekt i Stambollës, sh.i.p) dhe me pasë përkrahjen e tij sa u nderue me gradën “Ula”. Adhurues i kombësisë së vet, me gjithë këtë njeri i drejtë. Dhe ky si shumë shokët e tij ia la Universitetit t’Athinës një pjesë të pasunisë së tij. Ishte një tip që, si thotë proverbi, me lëmoshën që merrte n’Ajo-Sofje hiqte një jetë pompoze në Bajezid, d.m.th. gjithçka merrte prej aty-këtej e derdhte n’Athinë!!
23. Ajetullah bej Libohova, Libohovit, grada, Ula-Senefi-Sani. Është djali i tretë i Neki bej Libohovës, e dhandrri i em. Mbasi kreu mësimet e veta në Liceun Mbretnore të Stambollit (Mektebi Sulltani), plotësoj studimet në fakultetin e Drejtësisë t’Universitetit të Lozanës. I njef vërtetë mirë gjuhët turqisht, greqisht, frëngjit e gjermanisht. Punoj në zyrën e Këshillis së Shtetit në kohë të sundimit otoman, dhe një kohë qe sekretar në Legatën Mbretnore t’Athinës. Ka gradën “Ula-Senefi-Sani”. Në qeverinë e Princ Widit mori mbi vedi administrimin e një banke angleze në Durrës. U ndodh ndër shumë shërbime kombëtare me uniformë ushtarake dhe mori pjesë në një kompani vullnetarësh që qe formue nga të rinjt kur në Durrës u bastis shpia e Esat Pashës dhe krisi pushka. Ajet beu tue marrë parasysh çdo sakrificë u fut në shpi të tij dhe e bindi Esat Pashën mos me u mbrojtë por me u dorzue. Me këtë xhest Ajet beu shpëtoj shokët nga një rrezik i vërtetë. E mu për këtë arsye Esat Pasha u armiqsu me të, aq sa kur mori frenat e qeverisjes në dorë, nuk e la me ardhë në Shqipëni! Sot ndodhet në Romë si sekretar i Legatës së qeverisë indipendente të Hixhazit, me autorizimin e qeverisë s’onë kombëtare; dhe shpesh gjeron punët e Legatës kur mungon Ministri-Titullar. Simpatizohet e nderohet prej eprorëve të vet e përgjithësisht prej qeverisë së Hixhazit. Njihet prej shokësh për karakterin e tij bujar e për ndjenjat e tij bamirëse.
24. Buhuraqi Khaneu, Janinas, gradë Ula Senefi-Sani. Në kohën e sundimit otoman fitoi në Janinë pasuni e pozitë. Kur Grekët shkelën Janinën, mblodhi plaçkat, iku dhe shkoi në Milano. Është një sarraf që ban punën gjithmonë me parsi të Shqipnisë, nuk shikon vetëm interesin e vet, por përpiqet me kondendue dhe ata, me të cilët ka rasën me punue.
25. Pertev bej Konica, grada Ula-Eveli. Pertev beu i Zejnel beut nuk qe dhe aq injorant sa me u qujtë kara-xhahil (si me thanë në shqip“injorant në kulm”, sh.i.p), dijte pak të këndojë e të shkruaj; qe fort i kandshëm në shoqni, guximtar e trim dhe i zellshëm ndër punë zyrtare. Qe nënprefekt në Tomoricë e në Loras, Prefekt në Prevezë e në Dede-Agaç, dhe prej sejcilës ndër këto nëpunsina u largua mbas një grindjeje që pati. Në Kostomoni, tue qenë Prefekt në një Prefekturë u xu me valinë e Kostomonisë ish-Kryeministrin Abdurrahman Pashën dhe një herë me valinë e Janinës Ahmed Hifzi Pashën; në Prevezë burgosi një kopshtar italian, sa i dha shkas një demonstrate morale nga ana e italianëve. Me një fjalë qe njoftë për njeri i rrezikshëm! Me i thye zemrën miqëve, me u dhanë mbas dëfrimevet, por dhe mbas thashethemevet dhe me rrojtë larg mërzitjes, qenë veset karakteristike të shpirtit të tij! Mbas mjerimit që i ra në krye me vrasjen e të vëllait të tij Ismail Mahir Pashës ra në qetsi. Vdiq në Stamboll. Qe ambicioz dhe i pa besë. Për të realizue dëshirat e tij ma të vogla bante miqt armiq dhe përpara armiqvet ulte kryet. Me fjalë të tjera, për të tërhjekë dobinë nga vetja dhe për t’u ba dam të tjerëve bahej armik i njerëzve të ndershëm dhe u thyente zemrën miqve. Kushdo që u shoqnue me të, ia pa damin. Qe një njeri “Zot ruejna sherrit (damit së keqes të tij)”. “Zoti e pastë falë”.
26. Besim Omer Pasha, mjek, prej Narte, gjeneral. Vetëm emëni i Besim Omer Pashës asht i tanë një jetëshkrim i shkëlqyeshëm. Mund të thuhet se s’ka njeri qe s’e njef doktorin e aftë dhe që s’ka ka dëgjue famën e tij të ndritun. Ky mjeshtër i përsosun, i cili ka gërshetue një famë emnit të vet me një mori botimesh të vlefshme që mbushin një bibliotekë dhe me zotësinë e tij praktike me shkencën e mjeksisë, asht i njoftun njëkohësisht dhe me moralin e tij të pastër, me kujdesin e tij atnuer për të dobtët e të mjerët, me pak fjalë i veshun prej natyre me të gjitha virtytet e një njeriu fisnik. Për hirë të moderacionit ndër sjellje, ia siguroi vetes një nderë e një pozitë, ia kushtoi veten qindramija njerzvet që kishin varë tek ai shpresën e jetës së tyne, pregatiti me mijra dishepuj. Qe një mjeshtër i përsosun dhe i ç’quem në mes të kolegevet të tij. Vërtetë se Besim Omer Pasha u shkri në elementin turk dhe preu marrëdhëniet me vend-lindjen e tij, por gjaku që përshkoj dejet e tij qe gjak shqiptari dhe inteligjenca e zotësia e tij qenë virtytet e një shqiptari. Ai gjithmonë u njoft si Janinas dhe emni i tij përban njenin emën ndër të rrallë të vargut të njerzvet të mëdhej shqiptar që fati historik i hodhi në prehen të Perandorisë Osmane.
27. Pertev Pasha, Psara, Janinot, gjeneral shtat-madhërie. Sa alegro qe i ati i tij Mustafa Pasha aq i zymtë qe i biri Pertev Pasha. U martue me të bijën e Behxhet beut prej Pojani që qe me graden “bala”, por për shkaqe të justifikueshme u ndanë, ngjarje kjo që i përtrini një plagë në zemër të tij dhe e helmoj krejt gjatë karrierës së tij ushtarake. Prej Akademisë Ushtarake Pertev beu doli me gradën e kapitenit të Shtat-madhëris, dhe pati një pozitë të çqueme ndër shokë për hirë t’iteligjencës së ndritun që kishte. Ndër ma të parët oficera turq vajti në Gjermani, dhe u kthye në Turqi me një kulturë të përsosun ushtarake dhe me gjuhën gjermane të mësueme ma së miri. Por sa erdhi, iu dha si shok Van Dergoltz Pashës, këtij mjeshtri ushtarak gjerman në za dhe s’u nda një herë me thanë prej tij, në sa ndahet hija prej trupit. Pertev Pashaj deri sa u ba gjeneral nuk drejtoi vetë pavarsisht ndonjë grup ushtarak por për hir të kulturës së gjanë ushtarake të mësuesit të vet Van Dergoltz Pashës punoj në zyrë të Shtat-madhërisë për riorganizim t’ushtrisë, vetëm në luftë të përgjithshme u ndodh në krye të një armate, dhe u tregue i zoti e patriot. Koha për të ishte e çmueshme, e nuk e bjerrte me punë të kotë. Me krejtë kuptimin e fjalës qe i bindun ndaj superiorëvet e i shkueshëm me kolegët e vet; shum xhentil, me veti të nalta që i sigurojshin një pozitë nderi të konsiderueshme. Jeton ende në Stamboll në pension.
28. Tahsim Pasha, Hasan-Mesare, “Puca”, General i I-rë Divizioni. Djali i Elmaz bej Pucës, një familje e ndershme nga katundi i Mesares së Përmetit, Hasan Tahsim beu, qe së pari portjer-kapter pranë Fuad Pashës e mbrapa adjudant i ish-Kryeministrit Mahmud Nedim Pashës. Shkallë-shkallë mbrrijti me u ba Allaj-beg (komandant i xhandarmerisë) në Janinë, post që e kishte dëshirue gjithmonë. Ato kohë çeta hajdutësh kishin dalë nëpër Janinë dhe s’kishte mbetur këtu as qetsi as siguri. Hasan Tahsim beu e pastroj and e kand vendin prej këtyne hajdutvet dhe kudo rivendosi rend e siguri. Mbas largimit prej Janine vajti në Stamboll prej ku u dërgue prefekt një herë në Resmo e mandej në Kandje (Kretë) ku u tregue trim e aktiv sa për shpërblim të kësaj merite iu dha grada e gjeneralit të brigadës. Në vitin 1312 (1896) u ba ndihmës-vali në Gjirid dhe në 1897, në kohën e luftës greke, u dërgue n’Alasonjë në krye të një brigade. Në zaptim të Thesalisë tregoi shum trimni, dhe i plagosun ndër këto luftime u kthye në Stamboll. Një kohë të gjatë qëndroi si komandant garnizoni i Selanikut me gradë gjeneral divizioni. Një ngjarje e pa pritun e hodhi në disgrac: U xu me Hajri Pashën, marshallin e armatavet I e II dhe me dhandrin e vet Galip Pashën, të cilët ma në fund e raportuen pranë autoriteteve supreme me një zhurnal të tmerrshëm, i cili i shkaktoi internimin për gjashtë vjet rresht në Halep, u kthye në Stamboll vetem mbas shpalljes së konstitucionit si shumë shokë të tij të tjerë t’internuem. Prej Stambollit me pëlqim të kryeministrit, Qamil Pashës u dërgue vali e komandant në Jemen me gradë të gjeneralit të divizionit. Mbas konstitucionit, në bazë të ligjit të “Likuidimit të Gradavet” zbriti në gradën e gjeneralit të divizionit nga ajo e gjeneralit të parë. Me intervenimin t’em si deputet i Beratit dhe të Myfid beut i Gjirokastrës u çue në Janinë si vali. Kur plasi lufta e Ballkanit, Hasan Tahsim Pasha gjendej ende në Janinë si vali. Me insistim të Ahmed Muhtar Pashës u emënue komandant i përgjithshëm i kufirit të Greqisë. Kjo detyrë qe për të në dukje një naltësim, por në realitet e hodhi në humnerën e mjerimit. Megjithse i stërvitun në degën e xhandarmërisë, vetëm në moshë t’anvancueme mësoj me këndue e me shkrue turqisht; në çdo nënpunësi ku ndodhi u tregue i zoti me përjashtim kur mori komandën e kufirit grek. Në luftën e përgjithshme ndodhej në Lonzanë. Qarqet ushtarake turke deshën t’ia veshin Hasan Tahsim Pashës disfatën ushtarake në luftën e Ballkanit, kin për të shpëtue nga përgjegjsia që randonte mbi ta. Kjo akuzë e mjeroj shumë, së cilës iu shtuen dhe vujtjet e jetesës. Dhe nën peshën e randë e tragjike të këtyne vrejtjevet, dha shpirtë në Lozanë. Sa do fajtor në sytë e të mëdhejve të shtetit ai s’pat pikën e fajit, asht i lam për akuzën që i veshën, prej gjith atyne që i gjykojnë punët nëpër objektivin e realitetit e të drejtësisë. Qe shumë simpatik e njeri galant. Pasuninë që kishte fitue nëpër një udhë të ndershme, ia morën grekët, dhe ky qe fakti që vetë këta përgënjeshtruen shpifjet e turqve se ai kin kishte arrit me ta n’ujdi.
29. Neki Pasha, Konica, gjeneral brigade. Njeri i lindun ushtar prej natyre, trup i fortë dhe impozant. Kishte edukatën e një ushtari të karrierës. Qe shqiptar e prej Konice e kurrgja tjetër nuk e lidhte me Shqipnin. I ishte shlye nga shpirti ndjenja e shqiptarizmës. Një oficer turk me plot kuptimin e fjalës. Indiferent ndaj punëve të të tjerëve, as ai qe mirënjoftës ndaj kënd as kush nuk ishte mirënjoftës ndaj tij. Un të vëllanë e tij, Mazllum benë e gradova prej Drejtësisë së Doganës së Xhesri-Mustafa n’atë t’Erzurumit. U përpoqa për të mirën e përparimin e tij; por dy vëllezërit, tue pasë pre relacionet me Shqipninë, caktuan Stambollin si vend-banimin e tyne.
30. Servet bej, Alizoti, prej Gjirokastre, grada Ula-Senefi-Sani. Si vdiq Sulejman Pasha i Ibrahim Pashë Vlorës, la të shoqen Merjem Hanëmin, bijën e Omer Pashë Vrionit, e cila trashëgoj nga i shoqi gjashtëmbëdhjetë çifligje. Vdekja e Sulejman Pashës dhe trashëgimi që la ky shkaktuen n’opinionin publik thashetheme dhe qe folë për një atentat. Merjem Hanëmi u martue së dytit herë me Ahmed bej Alizotin, dhe pati tre djem, ndër të cilët ma i vogli qe Servet beu. Servet beu me të vëllanë Sabri beun e shkrinë gjith atë pasuni që trashguen nga e ama dhe dhanë ndër dëfrime, harruen me zbulue misterin me të cilin qe mbulue vdekja e Sulejman Pashës! Unë bleva prej Sabri beut e Servet beut, djemve të Merjem Hanëmit, çifligjet e Karakulës, Cervenës, Deli-Jusufit e Zhukës, dhe në vitin 1303 h (1885) vajta në Gjirokastër për me krye veprimet zyrtare në lidhje me këtë shit-blerje. Me këtë rast i bana një vizitë Merjem Hanëmit. Më priti me nderime e bujarisht. Në bisedim e sipër më tha: “S’asht për t’ardh keq kur pasunia kthehet në dorë të të zotit. Këto çifligje iu përkitshin familjes s’uej. Mbasi këto kaluen prap në dorë t’uej gëzohem, në vend që me u mjerue”. Aso kohe në Gjirokastër qe prefekt një plak i ndershëm e me kulturë, i cili quhej Bedri bej. Ishëm miq në shpi të Timur (Demir) Pashës. Prefekti me shumë parësi të vendit m’erdhën në vizitë. Bashkë me këta ishte Sabri beu. Ky, kishte ndejë në një skaj, me krye për dhe me një pozë të përdhimbshme. Bedri beu iu drejtue Sabri beut me këto fjalë: “Sabri bej, mos u dëshpëro. Këtë fat psojnë çifligjet e blenuna me dhet para lau damin (afjuu-ruli). Këto fjalë të hedhuna si një bombë zgjuen dhe habitën të pranishmit, tue i dhanë shkas komenteve të ndryshme! Servet beu ishte në relacione me parësinë e Gjirokastrës, Beratit, Elbasanit e të Vlorës dhe kishte ba krushqi me Ministrin e Luftës Ali Saib Pashën. Bile, qe vendosë një herë martesa e tij me princeshën Emine, të bijën e princ Halim Pashës s’Egjiptit, por e penguen këtë martesë Ferid Pasha e Esat Pasha, tue përdorë disa shkaqe e disa dredhina. Ma mbrapa sipas tij gjet një vend në Rezhë me përkrahjen e Esat Pashë Toptanit, dhe ai, Servet beu, i kalojë në mizerje ditët e fundit të jetës së tij. Pak dinte të këndonte e të shkruante; në të ritë e vet qe simpatik e aventurier, në pleqni i heshtun. Veç i ziu i vehtes; kërkujt si bani keq në jetë, s’u muer kurr me politikë; i tanë kujdesi i tij qe me kalue një jetë dëfrimi. Ra në kurthin e dashurisë së dy dashnoreve jashtëzakonisht të bukra, të Minës e të Bihanes, dhe për to prishi një pjesë të madhe të pasunisë së tij. Vdiq në Tiranë në vitin 1924, dhe gjith kujtimet e jetës së tij ngelën andej perdes së mistereve.
[1]. Këtu bëhet fjalë për librin Shqipëria pasosmane 1912-1920, i cili tashmë është botuar në versionin origjinal i transkiptuar nga osmanishtja në Stamboll në vitin 2009. Në gjuhën shqipe ky libër është botuar në dy versione, me titullin Kujtime-Nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës, (përgatiti për botim dhe redaktimi i përkthimit Akad. asoc. Marenglen Verli dhe Dr. Ledia Dushku) Tiranë: ICEBERG, 2013 dhe Shqipëria pasosmane 1912-1920, (përktheu nga turqishtja Rubin Hoxha) Shkup: Logos-A, 2015.
[2]. AQSH, F: S. Vlora, D. 8.
[3]. Po aty.
[4]. Të pashkolluara (shënim i redaksisë).
[5]. I pashkolluar (shënim i redaksisë).
[6]. I pashkolluar (shënim i redaksisë).
[7]. Ali Pashë Tepelena trupin e ka të varrosun në Pandelimon, në Janinë, dhe kryet në Edirne Kapë-së në Stamboll. Hurshid Pasha që ishte i ngarkuem me shtrue Ali Pashën dhe me e shti këtë në dorë gjallë a vdek, mbasi e vrau, e çoi kokën e tij në Stamboll. (Sh. i. përk)
[8]. Mahir i aftë dhe Maktul i vramë, janë mbiemnat që iu dhanë. (Sh. i. përk)
[9]. Se ç’ka dash me thanë me këtë fazë nuk kuptohet (Sh. i përk).
[10]. Se i kujt ndihmës – Këshilltar, nuk e thotë (Sh. i përk).
Jul 08, 2019 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...