Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 30, 2019 Zani i Nalte Histori 0
nga Dr. Ilirjana Kaceli
Abstrakt
Krerët fetarë ashtu si edhe figura të tjera të popullit shqiptar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Disa prej këtyre personaliteteve, veçanërisht ata myslimanë, kanë qenë prezentë me veprën e tyre gjatë gjithë luftës së popullit shqiptar kundër osmanëve, veçanërisht në periudhën kulminante të kësaj lufte, epokës së Rilindjes Kombëtare. Ajo do të rritet më tej, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri në shpalljen e pavarësisë kombëtare, në vitin 1912. Në këtë vepër, autori, për herë të parë, e pajis lexuesin me një këndvështrim tjetër nga ç’jemi jemi mësuar të lexojmë deri më tani mbi figura të ndryshme dijetarësh dhe patriotësh fetarë, si edhe na jep të dhëna mjaft të rëndësishme për një nga vilajetet kryesore shqiptare, Vilajetin e Kosovës. Kjo monografi është e rëndësishme, sepse autori e sjell atë në mënyrë të zgjeruar, bazuar mbi dokumente autentike. Jeta dhe vepra e shumë prej krerëve fetarë, që kontribuuan në luftën për pavarësi të popullit shqiptar, kanë shërbyer si burim frymëzimi për brezat e ardhshëm në gjithë arealin mbarë shqiptar.
Historia shqiptare mbart në vetvete një mori ngjarjesh, faktesh për personalitete të ndryshme kombëtare, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre në periudha të ndryshme historike. Kombi shqiptar është i pasur me figura të shumta historike, si kombëtare ashtu edhe fetare. Të shkruhet dhe të jepen vlerësime rreth tyre duhet me të vërtetë një punë mjaft e palodhur, kërkimore dhe hulumtuese e historianëve e studiuesve bazuar mbi faktet dhe dokumentet e reja historike të dala veçanërisht pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri, por edhe pas krijimit të shtetit shqiptar të Kosovës. Deri në vitin 2011, kur doli monografia “Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në vilajetin e Kosovës (1878-1912)” e autorit Nuredin Ahmeti, në të gjitha trojet shqiptare ishin botuar vetëm dy vepra që trajtonin rolin e ulemave (dijetarëve islamë) në çështje dhe ngjarje të ndryshme të popullit shqiptar. E para ishte monografia me titull “Myslimanët Shqiptarë në Lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912)”[1], botuar në vitin 1968, nga albanologu i njohur gjerman Peter Bartl dhe e dyta ishte vepra e studiuesit shqiptar Ali M. Basha “Nëpër gjurmët e Islamit”[2]. Monografia e studiuesit Nuredin Ahmeti është e para e këtij lloji dhe e pajis lexuesin me një këndvështrim të ri mbi punën e kryer nga figura të ndryshme fetare, si dhe trajton qëndrimin e tyre në luftën e popullit shqiptar e shprehur kjo përmes një vëllimi të gjerë materiali të dokumentuar. Autori, që në hyrje të punimit, na tregon arsyet pse e ka zgjedhur këtë temë studimi. Sipas tij: e para, është mangësia e një botimi të veçantë për krerët fetarë myslimanë, e dyta, në kohën e sistemit komunist në Shqipëri është shkruar për figura të ndryshme historike kombëtare, por janë mënjanuar artikujt mbi rolin dhe veprën e kryer nga personalitetet e ndryshme fetare. E fundit, sipas autorit, shtysën më të madhe do t’ia jepte qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj fesë në vitin 1967[3]. Në këtë vit shteti ndaloi të flitej apo të propagandohej mbi fenë dhe Shqipëria u shpall vendi i parë ateist në botë, duke ndaluar të gjitha studimet rreth fesë. Ky fakt ishte vërejtur më së miri në kremtimin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur Kuvendi Popullor i Shqipërisë do të nderonte me titullin “Hero i Popullit”, Abdyl Frashërin, Mic Sokolin dhe Sulejman Vokshin, kurse njërën prej figurave më të respektuara dhe kryesore të Lidhjes Shqiptare, Myderrizin Ymer Prizreni, e kishte mënjanuar[4]. Një fat të tillë do ta kishin edhe figura të tjera të ulemave, që kishin kontribuar dhe që nuk u njihej asgjë nga vepra apo puna e kryer prej tyre. Por, në krahasim me shtetin amë, vazhdon ai, në Kosovë, klima ishte disi më e butë në ndriçimin e figurave fetare islame dhe veprimtarinë e tyre në ndihmë të Lëvizjes Kombëtare shqiptare[5]. Pas viteve 90, gjithçka nis me ndryshimin e sistemit shtetëror. Filozofia e të shkruarit të historisë, shtoi numri i penave që do të shkruanin për figura të ulemave në Lëvizjen Kombëtare shqiptare dhe veprimtarinë e tyre në kuadër të Vilajetit të Kosovës[6].
Monografia e autorit Nuredin Ahmeti, është konceptuar në tre kapituj. Në përmbajtjen e saj përveç kapitujve do të përfshijë hyrjen dhe përfundimet. Një vend të rëndësishëm zënë edhe pasuria e madhe bibliografike. Vlen të theksohet, veçanërisht, citimi dhe paraqitja e disa prej dokumenteve osmane, të cilat janë ndër burimet kryesore për jetën dhe veprën e personaliteteve të ndryshme fetare. Krahas tyre janë ofruar dokumente të pabotuara më parë si dhe i referohet gjerësisht shtypit të kohës të botuar brenda dhe jashtë vendit.
Në kapitullin e parë autori trajton rrethanat politiko-shoqërore në Vilajetin e Kosovës (1878-1912). Aty do të trajtohen tezat e hedhura nga historiografia shqiptare dhe ajo turke mbi datën e themelimit të këtij vilajeti, për të vazhduar më tej me organet e tij, popullsinë, kushtet ekonomiko-shoqërore, arsimimin dhe në fund të kapitullit do të prezantohet Vilajeti i Kosovës sipas veprës së famshme të Sami Frashërit, enciklopedisë “Kamus Al-alam”.
Në kapitullin e dytë përshkruhet kontributi i brezit të ulemave në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1887), apo të Lidhjes Shqiptare të Pejës (1898-1902) deri në kapërcyellin e shekullit, në të cilin, këta dijetarë dhe figura të rëndësishme të fesë islame, luajtën rol vendimtar për mbarëvajtjen e Lëvizjes Kombëtare, duke dhënë ndihmën e tyre materiale dhe shpirtërore, si dhe duke vënë në dispozicion të saj objekte të kultit ku ata shërbenin si: xhami, teqe etj. Një vend i rëndësishëm do t’ i jepet ulemasë së qytetit të Prizrenit, një nga qendrat më të rëndësishme historiko-kulturore të popullit shqiptar. Ulematë e këtij qyteti iu dërgojnë telegrame ambasadorëve të Fuqive të Mëdha pas vendimeve denigruese në kurriz të popullit shqiptar, në kohën e nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit. Është me vlerë të përmendet edhe telegrami i myderrizit Daut Efendia nga Tivari, myftiut Zejnel Abedini nga Prishtina etj. Autori do të trajtojë me detaje, jetën dhe veprën e figurës së Haxhi Ymer Prizrenit, i cili në tetor të vitit 1879 u zgjodh kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kurse në janar të vitit 1881 kryetar i qeverisë së Shtetit të parë Autonom Shqiptar, funksion të cilin e mbajti deri në fund të jetës së tij. Pas shpartallimit ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Haxhi Ymeri iku dhe u strehua në Ulqin, ku vdiq më 12 qershor të vitit 1887. Pas internimit të tij në Ulqin edhe familjen ia internuan në Izmir. Në këtë vepër vlerësohet figura dhe vepra e Ahmet efendi Korenicës, Shejh Eminit, Dervish Salihut, të cilët nuk ndalën deri në frymën e fundit të punonin në dobi të çështjes kombëtare shqiptare. Më tej vijnë figurat e Lidhjes Shqiptare të Pejës si Haxhi Zeka, apo figura të panjohura në historiografi si: Hasan Efendi Shllaku, Hafiz Ymer Guta, Mulla Musai i Strelcit. Gjithashtu janë trajtuar dhe figura të krahinave të Plavës e Gucisë si: Mulla Sadi Musaj, apo Mulla Hysen Ali Gjonbalaj.
Në kapitullin e tretë, është trajtuar kontributi i parisë islame në Vilajetin e Kosovës gjatë viteve 1908-1912. Në vitin 1908 shpërthen Revolucioni Xhonturk, për të cilin njihet edhe kontributi i shqiptarëve. Një ndër personalitet që përkrahu dhe ndihmoi në zhvillimin e kësaj lëvizjeje ishte edhe Sheh Ymer Lutfi Paçarizi, intelektual dhe orientalist i njohur me veprën e tij në shumë fusha të kulturës dhe teologjisë. Në Kongresin e Manastirit do të theksohet roli aktiv i Haxhi Vildan Efendiut, i cili ndërmori një mision shëtitës nëpër qendrat e vilajeteve shqiptare për ta bindur popullin mysliman se Kur’ani nuk e ndalonte shkrimin e gjuhës shqipe me shkronja latine. Po në këtë kapitull, një vend të rëndësishëm zënë edhe pjesëtarët e kryengritjes së vitit 1912, Mulla Idrizi, Mulla Halimi, Mulla Sinan Maxhera, si bashkëluftëtarë të Idriz Seferit. Krahas kontributit që patën në ngjarjet historike është trajtuar edhe kontributi i figurave fetare kombëtare në fushën e arsimit dhe kulturës, si dhe përpjekjet e tyre për t’i mësuar gjuhën shqipe popullit të Vilajetit të Kosovës. Vlen të përmendet, puna e ndritur e Mulla Sylës, për hapjen e shkollës së parë shqipe në Pollozhan të Vitisë në vitin 1909. Vend të rëndësishëm, në këtë kapitull, kanë zënë edhe mizoritë e masakrat e kryera nga ushtritë serbo-malazeze në vitet 1912-1913 në Kosovë, mbi të cilat jepen fakte mbi trajtimin që iu bë popullsisë shqiptare, veçanërisht në trevën e Opojës. Autori është përpjekur dhe ka cekur në veprën e tij edhe tolerancën ndërfetare që ka ekzistuar te shqiptarët, në përgjithësi, dhe rajonin e Vilajetit të Kosovës, në veçanti. Botimi i këtij libri vjen në duart e lexuesve, gjerësisht, si një vepër e plotë mbi veprimtarinë e dijetarëve dhe hoxhallarëve kryesorë të fesë islame në Vilajetin e Kosovës, gjatë ngjarjeve më madhore të popullit Shqiptar në tërësi dhe Vilajetit të Kosovës në veçanti. Shumë prej këtyre figurave dhe personaliteteve fetare, duke u përpjekur që ta mbrojnë popullin nga terrori dhe masakrat, apo shtypja e vazhdueshme, u flijuan dhe dhanë jetën e tyre për atdheun. Ky është një punim shkencor i vlefshëm për historiografinë bashkëkohore shqiptare, që do të shërbejë si referencë në të ardhmen me qëllim që historia jonë të pasurohet gjithnjë e më shumë.
[1]. Peter Bartl, “Myslimanët shqiptarë në Lëvizjen për Pavarësi Kombëtare (1878-1912)”, (Përktheu nga Gjermanishtja: Nestor Nepravishta) Shtëpia Botuese, Dituria, Tiranë 2006.
[2]. Ali M. Basha “Nëpër gjurmët e Islamit” (Përmbledhje studimesh, analizash, shënimesh historiko-kritike, refleksionesh etj.), Tiranë 2005.
[3]. Ky lloj shkatërrimi pasqyrohet në revistën “Nëntori” në vitin 1967 ku thuhej se 2169 ndërtesa fetare në vend si xhami, teqe, kisha, manastire, kuvende, etj., do të mbylleshin dhe se Shqipëria u bë vendi i parë ateist në botë.
[4]. Nuredin Ahmeti “Krerët Fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në vilajetin e Kosovës (1878-1912), Prishtinë 2011, f. 14.
[5]. Po aty, vep. e cituar, f. 14.
[6]. Nuredin Ahmeti po aty, f. 15.
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...