Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 08, 2019 Zani i Nalte Jurisprudencë 0
nga Dr. Saimir Shatku, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës
Abstrakt
Përpjekja për të hedhur dritë, mbi rrugëtimin e deritanishëm, disavjeçar, të të drejtave të bashkësive fetare, raporteve e marrëdhënieve midis shtetit dhe fesë e institucioneve të saj, në fushën e lirive dhe të drejtave të saj publike e private, është një angazhim modest, që të mundëson të shohësh përmes retrospektivës horizontin e ri të së ardhmes së tyre, mbi fitimin, gëzimin, dhe përdorimin e këtyre të mirave private.
Dokumentet historike argumentojnë faktin se, që në aktet e para kushtetuese të pavarësisë shqiptare, është afirmuar parimi i ndarjes së fesë nga shteti, i lirisë së ndërgjegjes dhe besimit, si dhe të drejtës së ushtrimit të saj, duke përfshirë dhe të drejtat reale që Komunitetet fetare gëzojnë, të sanksionuara këto në “Statutin Organik të Shqipërisë”. Gjatë harkut kohor të viteve 1920-1939, politika e shtetit shqiptar, synoi vendosjen e parimeve të reja juridiko-private me karakter kombëtar për veprimtarinë e institucioneve fetare, ajo kishte për qëllim shkëputjen e lidhjeve të vartësisë dhe të influencës së huaj ndaj tyre, duke mbështetur në këtë mënyrë interesat e unitetit kombëtar dhe mënjanuar përçarjen fetare.
Raporti i lirive dhe të drejtave të besimit, gjatë regjimit komunist, është një histori e politikës ateiste, persekutuese, denigruese dhe mohuese ndaj fesë, klerit dhe institucioneve fetare. Kushtetuta e vitit 1976 sanksionoi përfundimisht parimin e ateizmit/mosbesimit, duke e shpallur Shqipërinë të vetmin shtet ateist në botë. Kësisoj nuk mund të flitej për të drejta pronësie dhe përfitime të tjera reale për llogari të institucioneve fetare.
Zhvillimet demokratike në vend rivendosën lirinë e fesë dhe të drejtën e besimit, duke ridimensionuar raportin e marrëdhënieve midis shtetit dhe fesë, në kontekstin e parimeve të shtetit të së drejtës. Përgjatë këtij rrugëtimi disavjeçar edhe e drejta e pronësisë, mënyrat e fitimit të saj, transferimi i këtyre të drejtave ka ardhur duke u zgjeruar juridikisht, por dhe duke rritur juridikisht raportin midis shtetit dhe fesë (Kujtojmë këtu marrëveshjet ndërfetare të realizuara mes Shtetit Shqiptar dhe 4 Bashkësive fetare tradicionale në Shqipëri, në shkurt të 2007). Gjatë kësaj periudhe tranzicioni, institucionet fetare janë riorganizuar, liria e ndërgjegjes dhe e besimit është riafirmuar sipas standardeve ndërkombëtare në kushtetutën e vitit 1998, por edhe sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës.
Shqipëria, vendi i tolerancës, harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare (shih neni 3 i Kushtetutës së Shqipërisë) është një vend që i ka njohur, por edhe po i harmonizon akoma më gjerë, në bashkëpunimin në të mirë të komunitetit njerëzor, këto raporte në fushën e pronësisë dhe iniciativës së lirë ekonomike.
Fjale kyçe: tranzicion; të drejtat reale të bashkësive fetare; raporte juridiko-private, konkordate; statute; ligje organike; marrëveshje shtet-religjion.
PERIUDHA 1912 – 1920
Shpallja e pavarësisë dhe uniteti rreth çështjes kombëtare
Akti i shpalljes së pavarësisë dhe krijimi i shtetit të ri shqiptar, shënoi edhe krijimin e një sistemi të ri politik të mbështetur në programet e rilindësve kombëtarë, të ideologëve, diplomatëve, shkrimtarëve, si dhe në kontributet e klerikëve të besimeve të ndryshme, të cilët ishin të bashkuar me zërin e kombit dhe të shqiptarit për përmbushjen e idealeve te tyre[1].
Kuvendi i Vlorës zë një vend të një rëndësie të veçantë në memorien historike të kombit shqiptar, sepse, sipas studiuesit A. Luarasi, ai “përfaqësonte efektivisht vullnetin e gjithë kombit dhe u bë organi më i lartë i shtetit shqiptar, mbajtësi dhe shprehësi i sovranitetit shtetëror. Prandaj vendimet e tij kishin vlerën e ligjeve kushtetuese…”[2] Ai mori vendime të rëndësishme, që sanksionuan vullnetin e popullit shqiptar për shkëputje nga perandoria osmane, krijoi strukturat dhe institucionet e para, të cilat për nga mënyra e formimit, kompetencat dhe aktiviteti, hodhën bazat e institucioneve politike e kushtetuese të shtetit të ri. Gjatë periudhës pas vitit 1912 klerikët atdhetarë, me aktivitetin patriotik që kryen, e radhitën veten midis personaliteteve politike e shoqërore dhe luftëtarëve të lëvizjes kombëtare.
Siç pritej, komunitetet fetare do të kishin një peshë të rëndësishme, në periudhën e shpalljes së Pavarësisë. Në aktet e krijimit të shtetit të ri morën pjesë një sërë personalitetesh të tre besimeve fetare. Secili komunitet u përfaqësua edhe në qeveri e senat. Ndër këto vendime të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, ishin edhe zgjedhja e senatit, kryetar i të cilit u zgjodh kryemyftiu i Shqipërisë, Vehbi Dibra (nënshkrues i dokumentit të pavarësisë) dhe zëvendës i tij një ortodoks. Formimi i qeverisë, gjithashtu, mbi bazën e përfaqësimit krahinor dhe fetar do të reflektonte një ndarje të barabartë midis ministrave; myslimanë dhe atyre të krishterë[3]. Në përmbushje të këtij kriteri zv/ kryeministër i qeverisë së drejtuar nga Ismail Qemali u zgjodh përfaqësuesi i komunitetit katolik Nikollë Kaçorri (nënshkrues i dokumentit të pavarësisë).
Këto raporte u reflektuan edhe në delegacionet ndërkombëtare dhe në nivele të tjera të përfaqësimit shtetëror.
Legjislacioni i ri i shtetit shqiptar.
Qeveria e Vlorës, u angazhua shumë për hartimin e legjislacionit të ri të shtetit shqiptar: ajo hartoi ligje, për krijimin e bërthamës së sistemit të ri të drejtësisë dhe të administrimit. Ligjet më të rëndësishme, të qeverisë së Vlorës, ishin: “Kanuni i Zhuries” (5 maj l913) dhe “Kanuni i Përshtatshëm i Administratës Civile” (22 nëntor 1913), dy ligje që përbëjnë aktet e para në organizimin e sistemit gjyqësor dhe organizimin administrativ të shtetit të ri shqiptar.
“Kanuni i Zhuries” ishte vendimi i parë i rëndësishëm i Qeverisë së Vlorës, në drejtim të organizimit të sistemit gjyqësor përmes të cilit urdhërohej bashkimi i çështjeve civile me ato penale, “suprimimi i kadillarëvet dhe shikimin e padiravet fetare nga ana e myftilerëve; emërimin e një myftiu në çdo nënprefekturë me rrogë 1200 grosh e ndër prefektura me nga 1800 grosh…” Sipas këtij urdhri, “vendimet e gjyqeve të Sherisë të shkruhen në gjuhën arabe. Myftitë do të vihen në provim prej hirësisë së Tij Vehbi Efendiut, Shehulislam të Shqipërisë dhe funksionimi i tyre do të dekretohet prej tij.”[4]
Në këtë mënyrë del në pah se, Vehbi Dibra, i cilësuar si “Shehislami i Shqipërisë”, autoriteti me i lartë fetar i Shqipërisë, ishte i ngarkuar për të ndërmarrë këtë reformë strukturore në sistemin gjyqësor. Ky akt do të shënonte, nga njëra anë një arritje të madhe në krijimin e pushtetit gjyqësor, pasi në dallim nga modeli osman, ai sanksiononte ngritjen e gjykatave të pavarura, duke ua hequr organeve administrative të drejtën e dhënies së drejtësisë. Dhe, nga ana tjetër, do të shënonte vendosjen e gurit themeltar, të nismës për shkëputjen e Bashkësisë Islame të Shqipërisë, ende të pathemeluar, nga Khalifati i Stambollit dhe Shehislami i tij, ky fakt publikohet edhe në një lajm të botuar në gazetën “Dielli” organ i Shoqërisë “Vatra” të Amerikës në numrin e saj 247, datë 23 shtator 1913, e në një korrespondencë të saj nga Vlora bënte fjale për ndryshimet që ishin bërë në qeveri ku ndër të tjera njoftohej se “Vehbi Dibra, i cili ishte president i Senatit, u bë kryetar i Muhamedanëve (myslimanëve) dhe vendin e tij e zuri z. Ekrem Vlora”[5]. Dihet se postin e Kryemyftiut të Përgjithshëm ai e kishte edhe në kohën kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë, por tani ai lirohet nga detyra e presidentit të Senatit për t’iu kushtuar tërësisht organizimit administrativ të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, një akt ky që do të finalizohej 10 vjet më vonë.
“Kanuni i Përshtatshëm i Administratës Civile” ishte një tjetër akt me karakter kushtetues, i ndërmarrë nga Qeveria e Vlorës. Qëllimi i tij ishte të rregullojë administrimin lokal, të bëjë ndarjen e re administrative, dhe të përcaktojë kompetencat e autoriteteve vendore.
Mbi bazën e tij, vendi do të ndahej në prefektura, nënprefektura, krahina dhe fshatra, me një rol të rëndësishëm mbikëqyrës dhe drejtues të Ministrisë së Punëve të brendshme. Prefekti do të kishte një peshë të veçantë në vendimmarrje, ndërsa në nivel nënprefekturash, do të drejtonte nënprefekti dhe një këshill i veçantë edhe me përfaqësues të komuniteteve fetare.
Gjithashtu, ky kanun konsiderohet dokumenti i vetëm zyrtar, mbi nocionet e proceseve zgjedhore i trashëguar nga Qeveria e Vlorës. Në një kapitull të veçantë mbi zgjedhjet, paraqiten detajet e organizimit të procesit zgjedhor në prefektura dhe krahina, të drejtat për të votuar, për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur. Në nenin 68 përcaktohen të drejtat civile e politike, ku përmendet se “të drejtë votimi të veçantë kanë fetarët, mësuesit, mjekët, gjykatësit, nëpunësit e administratës, etj.”. Kështu, ndër të tjera, ky kanun përbënte një bazë të mirëfilltë ligjore, për garantimin e funksionimit të një sistemi zgjedhor[6].
Periudha e Princ Widit
Sistemi politik, i vendosur në dhjetor 1912 në Shqipëri, do të ndryshonte 8 muaj më pas, më 29 korrik 1913, kur përfaqësues të gjashtë Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, morën vendimin e rëndësishëm të njohjes së të drejtës së shqiptarëve, për të pasur shtet të paanshëm dhe neutral. Sipas këtij vendimi, Shqipëria do të shpallej principatë, me një formë regjimi monarki kushtetuese, dhe në krye të saj të emërohet një princ evropian. Forma e re e shtetit do të përcaktohej “nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha”[7]. Patriotët shqiptarë u pajtuan plotësisht me propozimin e Fuqive të Mëdha, për një princ të huaj, princ Vidin, të cilin e propozoi Austro-Hungaria dhe Italia. Të dëshpëruar nga anarkia që kishte mbuluar vendin dhe të shqetësuar për fatin e atdheut, ata mendonin se princi do ta bashkonte Shqipërinë, do ta shpëtonte atë nga rreziku i copëtimit.
Asambleja Kombëtare ishte organi i dytë më i rëndësishëm i krijuar nga Konferenca e Londrës dhe Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Ajo zëvendësoi modelin e Kuvendit Kombëtar të krijuar më 1912-ën, ndërkohë që sistemi i ri politik nuk përfshiu ngritjen dhe funksionimin e Senatit. Kompetencat kryesore të Asamblesë Kombëtare, rregullat e zgjedhjes dhe të funksionimit, u përcaktuan me “Statusin Organik të Shqipërisë” të hartuar nga KNK-ja dhe të miratuar me 10 prill 1914. Sipas tij Asambleja Kombëtare ishte organi ligjvënës i Principatës. Ajo përbëhej nga 36 anëtarë të ndarë për shkak të detyrës: 21 anëtarë zgjedhur me votim indirekt dhe 10 anëtarë të emëruar nga Princi. Anëtarë për shkak të detyrës ishin 4 përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe komisari i lartë shqiptar pranë Bankës Kombëtare[8].
Statusi Organik i Shqipërisë, liritë dhe të drejtat e besimit dhe pozita e komuniteteve fetare (1914).
“Statusi Organik” përbën kushtetutën e Monarkisë së Parë Shqiptare i formuluar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Ai përbëhej nga 216 nene të ndarë në kapituj. Feja trajtohet në nenet 170-177. Për shkak të nevojës për forcimin e natyrës harmonike midis komuniteteve fetare në Shqipëri, hartuesit e tij i kushtuan fesë dhe raporteve me shtetin, një rëndësi të veçantë. Kështu, “Statuti Organik” sanksiononte se “Shqipëria-nuk ka fe shtetërore. Liria dhe ushtrimi publik i të gjitha kulteve janë të siguruara. Në asnjë pjesë të principatës shqiptare, ndryshimi në fe nuk mund t’i vihet asnjëriu si shkak për të përjashtuar ose për të cilësuar si të paaftë për sa i përket gëzimit të së drejtave civile e politike, pranimit në punë shtetërore, në funksione dhe ndere ose për sa i përket ushtrimit të profesioneve dhe aktiviteteve të ndryshme”[9].
Në këtë dispozitë, mund të dallojmë se liria e fesë, si liri themelore e shtetasve, jo vetëm shihet e lidhur ngushtë me parimin e asnjanësisë së shtetit ndaj saj, por formulohet në të njëjtën dispozitë kushtetuese, si një e tërë me të. Kështu, për herë të parë, statuti sanksionoi me ligj lirinë fetare dhe mohimin e një feje shtetërore, duke eliminuar mundësinë e konflikteve fetare midis shqiptarëve; dhe pa dyshim që ka qenë arritja më e madhe në drejtim të paqes sociale midis shqiptarëve të pa mësuar në një bashkësi politike më vete.
Statuti i njihte të drejtën komuniteteve fetare të ruajnë pasuritë e tyre (neni 170) “Komunitetet fetare në Shqipëri ruajnë pronat e tyre”; (neni 171) të vazhdojnë të marrin, nën mbrojtjen e autoriteteve, të ardhurat e konsakruara nga zakoni; (neni 172) të përjashtohen nga taksat godinat që shërbejnë për kultet, për arsimin publik dhe për vepra bamirësie; (neni 174) në raste të formimit të komuniteteve të reja fetare, Shteti rezervon të drejtën e njohjes dhe të përcaktimit të të drejtave të tyre. Megjithëse ligji detyronte mësimin shqip në shkolla, në rastin e shkollave fetare lejohej mësimi në gjuhën e kultit. Neni 175 i njeh Princit të drejtën të japë miratimin për klerikët dhe parinë e të gjitha komuniteteve fetare të njohura prej shtetit “Hirësit dhe dinjitozët e te gjithë komuniteteve fetare te njohura nga Shteti, do te marrin veshjen me autoritet te madhërisë së tij Princit”.
Ndërkohë, Statuti theksonte se rregullimi i marrëdhënieve midis kishave ekzistuese në Shqipëri dhe kryetarëve të tyre shpirtërorë më të lartë do të bëhej me marrëveshjeve të posaçme midis qeverisë shqiptare dhe këtyre krerëve (neni 176). Një element i rëndësishëm i rolit aktiv të shtetit në promovimin e trashëgimisë dhe identitetit të komuniteteve fetare ishte detyrimi i shtetit për të marrë masa për mbajtjen e të gjitha kulteve të njohura si dhe të klerit, duke caktuar për këtë qëllim shumën, që do të gjykojë të nevojshme në buxhetin e përgjithshëm shtetëror. (neni 177) “I përket Shtetit të ndërmarrë masat për mirëmbajtjen e të gjithë kulteve të njohura nga ai si edhe të fiksojë një shumë, që gjykohet e nevojshme, në buxhetin e përgjithshëm të Shtetit, i cili do të marrë parasysh pronat aktuale të paluajtshme, që u përkasin këtyre kulteve”.
PERIUDHA 1920- 1939
“Zgjerimi i Statusit të Lushnjës (1922) – Dokument kushtetues”
Një nga vendimet më të rëndësishme të parlamentit të ri, ishte hartimi dhe miratimi i “Zgjerimi i Statusit të Lushnjës”(1922), dokument me vlera të veçanta historike dhe kushtetuese. Për vlerat e tij, ai njihet gjerësisht si “Statusi i shtetit shqiptar”. Statusi dominohej nga fryma evropiane dhe demokratike e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit, e natyrës parlamentare dhe garantimin e plotë të të drejtave të njeriut. Në të riafirmohej forma monarkiste e qeverisjes, edhe Këshilli i Naltë vijonte të ishte me katër anëtarë nga secili besim fetar, me mandat dyvjeçar dhe zgjedhje nga parlamenti.
Statusi parashikonte të drejta civile dhe politike për qytetarët, si dhe deklarimin se në “Shqipëri nuk njihet fe zyrtare”[10]. Në tërësi ndryshimet kushtetuese të vitit 1922 shënuan një ngjarje të rëndësishme në organizimin dhe modernizimin e shtetit të ri shqiptar. Ndërkohë që sistemi zgjedhor mbeti i njëjtë me atë të vitit 1921, në ligjin për organizimin e zgjedhjeve, ndër të tjera, theksohej se në shpalljen e deputetëve merrej parasysh edhe raporti fetar.
Kodi penal dhe Kodi civil
Studiues të huaj vërejnë se mbreti Zog arriti të vinte ligjin dhe rregullin në një vend që nuk i kishte njohur fare ato. Më 8 janar 1928 hyri në fuqi Kodi Penal i hartuar sipas modelit të Kodit Penal Italian të vitit 1889. Reforma legjislative u thellua me hyrjen në fuqi të Kodit Civil më 1 prill 1929. Ky kod u bazua në modelet perëndimore të kodit francez, italian, zviceran, gjerman, bashkë me ndonjë normë të marrë nga zakonet juridike shqiptare dhe nga ligjet egjiptiane në fushën e Vakëfit[11]. Në përbërjen e këtij komisioni ligj-përgatitës ishin një grup juristësh të përgatitur me kulturë juridike kryesisht në Turqi e në perëndim si: Mehdi bej Frashëri, Thoma Orollogaj, Faik Shatku dhe Agjah Libohova; Këta konsideroheshin si njohësit më të mirë të jurisprudencës bashkëkohore krahasuese dhe të jurisprudencës evropiane në fuqi. Kështu, statusi laik zëvendëson statusin fetar, ku bazohej juridiksioni i kishave si dhe ai i Islamit, në veçanti, në sektorë të gjerë të jetës shoqërore familjare, në përgjithësi.
Një nga pasojat kryesore të këtij Kodi ishte ndarja e fesë nga drejtësia dhe shkrirja e gjykatave fetare të trashëguara nga periudha e Perandorisë Osmane[12].
Në kuadër të këtyre masave, herë-herë ligjore apo nënligjore dhe herë të tjera administrative, mund të përmendim p.sh. futjen e martesës civile, vendosjen e institucionit të gjendjes civile, disiplinën dhe kufizimin ligjor të divorcit, shfuqizimin e kremtimit të festës së ditës së premte, tentativën dhe inkurajimin që bëhej për kundërvënie apo përçarje ndërmjet besimtarëve myslimanë, duke krijuar në gjirin e tyre komunitete e shoqëri fetare, qoftë edhe kulturore të pavarura, disa nga anëtarët e të cilave, në mënyrë të kamufluar, do të ishin në opozitë për “çështje të dogmës” me shumicën e popullsisë sunite. Po kështu martesa civile u bë e detyrueshme dhe nuk u njohën efektet juridike të asaj fetare. U ndalua poligamia, megjithëse në kuptimin e vet të mirëfilltë ajo pothuajse nuk kishte hyrë fare në Shqipëri, por ishte e shfaqur kryesisht si bigami dhe rrallë. U lejua shkurorëzimi i bashkëshortëve, duke u njohur e drejtë si për burrin ashtu dhe për gruan[13].
Por, Kodi Civil do të haste në kundërshtim të fortë, si në planin e brendshëm ashtu edhe në të jashtmin. Vatikani e kundërshtoi me forcë ligjin e ri dhe refuzoi të nënshkruante një konkordat me Shqipërinë, nëse do të sanksionohej me ligj divorci, por Zogu u përgjigj se nuk do të lejonte krijimin e partive opozitare në vend dhe njoftoi arqipeshkvin e Shkodrës se çdo prift, entuziazmi i të cilit për mbrojtjen e vendimit të Vatikanit do t’i kapërcente kufijtë, do të dënohej konform ligjeve në fuqi[14].
Ligji mbi komunitetet fetare
Ky ishte njëri nga ligjet kryesore, që u miratua nga parlamenti më 16 korrik 1929, ndaj të cilit pati reagime të ashpra nga disa komunitete fetare, veçanërisht ai katolik, ndërsa komuniteti ortodoks, megjithëse u prek prej ligjit, nga shkaku i ndodhive të turbullta, që po zhvilloheshin në ato kohë brenda kishës së tyre, e pranoi ligjin. Nëpërmjet këtij ligji u shpall liria e ndërgjegjes dhe e fesë si dhe garantimi i saj.
Ministria e Drejtësisë, me projektin e përgatitur, ka ndaluar komunitetet fetare të merren me politikë dhe të ushtrojnë të drejta gjykimi (neni 3), gjë e cila ju është rregulluar me Statutin Themeltar e me ligjet e reja. Statutet e komuniteteve fetare, të hartuara dhe të aprovuara në bazë të këtij projekti, formojnë detyrim ligjor për komunitetin që i përkasin (neni 5).
Kryetarët dhe paria e komuniteteve, duhet të jenë shqiptarë prej race, gjuhe dhe të kenë fituar shtetësinë shqiptare; të mos jenë të njohur si antikombëtarë dhe të kenë mbushë të paktën 25 vjeç (neni 7)[15].
Sipas ligjit, statutet e komuniteteve fetare duhet të miratoheshin, së pari nga qeveria dhe më pas do të dekretoheshin nga sovrani. Po e njëjta procedurë do të ndiqej edhe me titullarët drejtues të komuniteteve, të cilët duhet të ishin me shtetësi shqiptare dhe të njihnin mirë gjuhën shqipe. Buxheti i komuniteteve fetare miratohej, gjithashtu, nga qeveria, e cila kishte të drejtë të kontrollonte gjendjen e pasurive dhe të ardhurave të tyre. Komuniteteve fetare u ndalohej marrja e ndihmave (subvencioneve) nga shtetet e huaja dhe kjo ndihmë mund të lejohej vetëm pasi të vërtetohej se kishte vetëm qëllime filantropike, gjithnjë pasi të miratohej nga qeveria[16].
Komunitetet fetare, mund të merrnin leje nga qeveria për të hapur shkolla fetare, me kusht që, në programet e shkollave që do të lejoheshin të hapeshin, të kishte lëndë apo tema mësimore që do t’i shërbenin edukimit atdhetar të besimtarëve. Dhe, së fundi, renditet lejimi i përdorimit të uniformës fetare vetëm për funksionarët zyrtarë të besimit.
Në këtë studim, u morën vetëm disa nga nenet e këtij ligji, i cili, sikurse u evidentua, hapi rrugën për masa të tjera ndaj besimeve fetare, veçanërisht ndaj fesë islame. Sikurse shkruan studiuesi R. Morozzo della Rocca “komuniteti mysliman u prek më rëndë nga ligji dhe ndaj atij komuniteti u tregua kujdes që të adoptohej mirë”[17].
Përfundime dhe konkluzione
Raportet e marrëdhënieve shtet–fe, në secilën prej sistemeve politike dhe qeverisëse, kanë zënë një vend të rëndësishëm gjatë gjithë rrjedhës historike, që nga momenti i krijimit të shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme. Në dy etapat e para, ato të themelimit dhe forcimit të shtetit shqiptar (1912 dhe 1920-25) raportet fetare patën një rëndësi të veçantë. Kriteri fetar u respektua në zgjedhjen e një sërë institucionesh, përfshirë edhe Senatin, Këshillin e Lartë dhe qeveritë. Një tjetër karakteristikë e dokumenteve kushtetuese dhe e sistemeve politike, në raport me besimet fetare, ishte përfshirja e dukshme në jetën politike dhe vendimmarrje e figurave fetare. Edhe në zgjedhjen e parlamentit 1921 dhe 1923, u aplikuan forma të ndarjes konsensuale e paraprake të numrit të mandateve parlamentare mbi bazën e raporteve fetare.
Një nga reformat më të rëndësishme të shtetit të ri ishte edhe sanksionimi i parimit te laicitetit të shtetit dhe garantimit të lirive dhe të drejtave të besimit (periudha 1914-1920). Stadi i dytë, respektivisht në Statutin e vitit 1922 dhe në aktet e tjera të mëvonshme kushtetuese, do të sanksiononte ndalimin e përdorimit të fesë për qëllime politike, ndarjen e komuniteteve fetare nga jeta politike dhe themelimin e institucioneve fetare mbi baza kombëtare shqiptare. Kështu, gjatë harkut kohor të viteve 1921-1923, edhe me mbështetjen shtetërore, u organizuan kongreset e tre komuniteteve fetare, (mysliman, ortodoks dhe bektashi) për mëvetësimin e tyre nga qendrat e huaja jashtë Shqipërisë.
Vihet re, gjithashtu, se legjislacioni i periudhës së monarkistë sanksionoi parimet e bashkëjetesës dhe mirëkuptimit fetar, laicitetit të shtetit, kontrollit shtetëror mbi komunitetet fetare si garanci e ndalimit të hapësirave për përçarje fetare. Në këtë mënyrë, të gjithë krerët e komuniteteve fetare emëroheshin me dekret mbretëror, funksionarët e lartë duhet të ishin shtetas shqiptarë, kufizohej marrja e ndihmës së huaj, statutet e komuniteteve fetare duhej të miratoheshin nga qeveria, duke realizuar, për rrjedhojë, edhe ndalimin e ndikimit të jashtëm ndaj tyre.
Politika e ndjekur gjatë regjimit komunist ishte ajo e kontrollit politik, indoktrinimit të gjithanshëm ateist, persekutimit si dhe ajo e fushatës frontale e komplekse të luftës kundër fesë, klerit e institucioneve fetare. Kushtetuta e vitit 1976 do të sanksiononte përfundimisht se “shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor”, duke e shpallur Shqipërinë të vetmin shtet ateist në botë.
Me rënien e sistemit komunist dhe krijimin e sistemit demokratik shumëpartiak, në vitin 1991, shteti njohu legjitimitetin e komuniteteve fetare dhe mbështeti ringritjen e tyre. Në dokumentet themelore të shtetit të ri demokratik, u sanksionua fakti se shteti nuk ka fe zyrtare dhe se liria e besimit dhe e ndërgjegjes është e garantuar dhe e mbrojtur. Kështu dokumenti më i rëndësishëm ligjor ishin “Dispozitat Kryesore Kushtetuese” të vitit 1991. Në nenin 7 të tyre theksohej laiciteti i shtetit shqiptar dhe detyrimi që shteti të respektojë “lirinë e besimit fetar” dhe të krijojë “kushte për ushtrimin e tij”. Komunitetet fetare u ringritën, u ndërtuan objekte të shumta fetare dhe lindi një marrëdhënie e re midis shtetit e këtyre komuniteteve.
Në dallim nga koha e pavarësisë dhe më pas e forcimit të shtetit, në periudhën e sotme të sistemit demokratik, komunitetet fetare nuk angazhohen në jetën politike.
Në kushtetutën e vitit 1998 iu kushtua një vëmendje e veçantë parimit të laicitetit të fesë dhe garantimit të lirive dhe të drejtave të besimit, si dhe pozitave të bashkësive fetare për të qenë persona juridikë, si dhe pavarësinë e plotë të tyre në raportin e marrëdhënieve të tyre me shtetin.
Janë ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkësive Fetare për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella në vitin 2007. Por në këtë periudhë të tranzicionit të tejzgjatur kanë mbetur ende pa u hedhur hapa të rëndësishëm në respektim të parimeve të shtetit të së drejtës dhe konsolidimit të një tradite vlerash demokratike.
Shqipëria, gjatë kësaj periudhë 100 vjeçare, është karakterizuar nga mungesa e stabilitetit të qëndrueshëm politik, ndryshimi i sistemeve politike e qeverisëse dhe i dokumenteve kushtetuese. Këto janë argumente që tregojnë për brishtësinë e shtetit të së drejtës, mungesën e një tradite të kulturës demokratike. Në këtë kontekst edhe raportet e marrëdhënieve shtet-fe në çështjen e lirive dhe të drejtave të njeriut nuk kanë qenë konstante dhe të harmonizuara me respektimin e parimeve të laicitetit.
Në shtetin e së drejtës, laiciteti i shtetit, në çështjet e ndërgjegjes dhe të fesë, është dhe mbetet parimi demokratik, që garanton që të ekzistojnë së bashku të gjithë ato komponentë që nuk cenojnë parimin themelor, lirinë e përbashkët. Ndërtimi i tij është një produkt i angazhimit qytetar. Ai nuk përfaqëson vetëm një kontribut të institucioneve shtetërore, por edhe një kontribut të të gjithë aktorëve në vend, duke përfshirë individët, shoqërinë civile dhe komunitetet fetare. Nëse feja nuk e bën ligjin pronë shpirtërore të njerëzve, ligji mund të vazhdojë të ekzistojë, por vetëm si një akt i huaj për ndërgjegjen.
Porositë e fesë përfshijnë respektimin për rregullimin dhe harmoninë në mes njerëzve, ndëshkimin e veseve dhe të mëkateve, ku ndër të tjera hyjnë cenimet e paqes dhe të qetësisë në shoqëri. Feja ka parimet e veta, ka detyrat që ka qytetari ndaj ligjeve, të cilët mund të aplikohen duke i interpretuar në gjuhën fetare[18].
Por edhe ligji duhet të bëjë për fenë, jo vetëm për të garantuar lirinë e ushtrimit të saj nga çdo individ besimtar, por edhe si institucion. Nuk mund të imagjinohet zbatimi i një ligji, kur bindjet fetare e kanë minuar atë. Shteti është i interesuari i parë për këtë marrëveshje. Komunitetet fetare nuk janë nën shtetin, por krahas tij. Në demokracinë e sotme të gjithë janë nën të drejtën, që është, në radhë të parë, tërësia e të drejtave themelore të individit. Shteti është i së drejtës, ndërsa e drejta s’është vetëm e shtetit, por e të gjithëve.
Shqipëria vendi i tolerancës, harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare është ende në provë, në sfidën e saj për të garantuar respektimin, funksionimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe sistemin e vlerave të tij, në fushën e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.
Literatura e shfrytëzuar
“Statuti Themeltar i Mbretërisë Shqiptare”, Botime Zyra e Shtypit e Oborrit Mbretëror, Tiranë, 1997.
Shahu, Ajet, “Marrëdhëniet e shtetit komunist me fenë islame në Shqipëri” (1945- 1967).
Anastasi, A., “Institucionet politike dhe e drejta kushtetuese në Shqipëri, 1912-1939”, Tiranë, 1998.
AQSH. Fondi 71. Dosja 71; AQSH. Fondi 482, viti 1923.
Fischer, Bernd J., “Mbreti Zog dhe përpjekjet për stabilitet në Shqipëri”, përktheu Krenar Hajderi, bot. III, Tiranë 2004.
Delvina, Sherif, “Pa pavarësi fetare nuk ka pavarësi kombëtare”, Tiranë 1998.
Jacques, Edwin, “Shqiptarët, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme”, Tiranë 1995.
Vlora, Eqrem Bej, “Kujtime 1885-1925”, Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, Tiranë 2003.
Fletorja zyrtare nr 7, 4 shkurt, Tiranë, 2009.
Grup autorësh “Historia e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, Tiranë 2006.
Grup autorësh “Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve”, Prizren 2001.
Grup autorësh “Shteti i së Drejtës në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, Tiranë 2011.
Naska, Kaliopi, “Këshilli Kombëtar 1920”, Tiranë 2000.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë Tiranë, 1946.
Kushtetuta e Republikës Socialiste të Shqipërisë, Tiranë 1976.
Kushtetuta e Shqipërisë, Tiranë 1998.
Nosi, Lef, “Dokumente historike 1912-1920”, Tiranë 2008.
Musaj, Fatmira, “Gruaja në Shqipëri 1912-1939”, Akademia e shkencave, Tiranë 2002.
Omari, L., Tiranë 1994, f. 32 (Zogu 117)
Puto, A., “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të Mëdha”, Tiranë 1978.
Della Rocca, Roberto M., “Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944”, përktheu Salleo Ferdinando. “Shqipëria: gjashtë muaj mbretëri”, përktheu Virgjil Muçi, 2003.
Swire, Joseph, “Ngritja e një mbretërie”, përktheu Kujtim Ymeri, Shtëpia botuese Dituria; Tiranë 2005.
Delvina, Sherif, “Mbreti Zog I dhe komunitetet fetare”, Tiranë 2004.
Hysi, Shyqyri, “Historia e komuniteteve fetare në Shqipëri”, Tiranë 2008.
Traja, K., “Feja dhe e drejta si komponentë të rendit social”, Konferencë ndërkombëtare, Tiranë, 14-15 nëntor, 2003.
[1]. Bartel, Peter, “Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912)”, Dituria, Tiranë 2006.
[2]. Luarasi, Aleks, “Çështje të historisë dhe të shtetit të së drejtës”, Tiranë 1999.
[3]. Nosi, Lef, “Dokumente historike 1912-1920”, Tiranë 2008.
[4]. Grup autorësh “Historia e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, Tiranë 2006.
[5]. Basha, Ali, “Islami në Shqipëri gjatë shekujve”, Tiranë 2000, f. 76-78.
[6]. Krasniqi, A.,“Sistemet politike në Shqipëri (1912-2008)” Tiranë 2009, f. 28- 30.
[7]. Po aty, 37- 39.
[8]. Po aty, 54- 56.
[9]. Della Roka, Roberto Maroco, “Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920 – 1944”, 1999, f. 32.
[10]. Luarasi, Aleks, “Çështje të historisë dhe të shtetit të së drejtës”, Tiranë 1999, f. 94-101
[11]. Della Roka, Roberto Marocco, Tiranë 1994, f. 31.
[12]. Fischer, Bernd, “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”, Tiranë, 1996.
[13]. Musaj, Fatmira, “Gruaja në Shqipëri 1912-1939”, Akademia e shkencave, Tiranë 2002, f. 138.
[14]. Fischer, Bernd, “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”, Tiranë 2004, f. 116.
[15]. AQSH Fondi 155, viti 1931 dosja VIII-136. Dekret ligji është botuar ne gazetën zyrtare nr. 38 e martë 16 korrik 1929.
[16]. Po aty.
[17]. Della Roca, Roberto Maroco, Tiranë 1994, f. 94.
[18]. Traja, Kristaq, “Feja dhe e drejta si komponentë të rendit social” Konferencë ndërkombëtare, Tiranë, 14-15 nëntor 2003.
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Jan 23, 2024 0
Jan 19, 2022 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...