Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 15, 2019 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
nga Dr. Naser Ramadani, Fakulteti i Shkencave Islame, Shkup
Hyrje
Nëse bëjmë një krahasim mes botës islame dhe asaj perëndimore për nga aspekti i zhvillimit ekonomik dhe i punës, në të shumtën e rasteve do të vërehet një dallim i madh në favor të asaj perëndimore. Andaj, një ndër sfidat bashkëkohore të botës islame është edhe papunësia dhe jo serioziteti gjatë kryerjes së punës. Në botën islame, papunësia është më e madhe, kualiteti i punës është më i vogël dhe, në përgjithësi, shtetet islame janë më shumë importuese sesa eksportuese. Me siguri që për këtë gjendje të ulët ekonomike kanë ndikuar faktorë të shumtë. Por, pyetja e cila duhet parashtruar është se: a ka ndikuar Islami si sistem në këtë gjendje, apo ndoshta kjo gjendje është pikërisht për shkak të largimit nga parimet dhe dispozitat islame? Ky studim modest do të merret me shqyrtimin e kësaj problematike për të ofruar qëndrimin e Islamit dhe etikën e punës nga këndvështrimi i tij.
Qëllimi i studimit:
Qëllimi i këtij studimi është përshkrimi i etikës së punës në këndvështrimin islam. Përderisa kryerja e punës kërkon punëdhënës, punëtor dhe punë e cila realizohet përmes një kontrate të punës, atëherë ky studim ka për qëllim që të tregojë etikën e secilit prej këtyre faktorëve gjatë procesit të punës. Fokusi kryesor i këtij studimi është sjellja etike e secilit prej punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Rëndësia e studimit:
Ky studim është i një rëndësie të veçantë nga fakti se nga puna varet përparimi ekonomik dhe shoqëror. Po ashtu puna e ngrit cilësinë e prodhimeve dhe rregullimin e jetës. Që të jetë puna e tillë, patjetër duhet të ekzistojnë disa rregulla etike, që i rregullojnë obligimet dhe të drejtat e secilit prej punëdhënësit dhe punëtorit. Andaj në këtë studim do të theksohen rregullat etike që i sistemojnë këto obligime dhe të drejta.
Metodat e studimit:
Në këtë studim është përdorur metoda përshkruese dhe analitike, që ka për qëllim përshkrimin dhe analizimin e etikës së punës nga këndvështrimi islam.
Pyetjet e studimit:
Studimi në fjalë është i ndërlidhur me pyetjet në vijim:
Etika luan një rol të rëndësishëm në jetën e njeriut, sepse ka ndikim të madh në sjelljen dhe veprat e tij. Ekziston një lidhshmëri e madhe, nga njëra anë, mes sjelljes dhe veprave të mira të njeriut dhe, nga ana tjetër, përgatitjes së tij etike.
Etika llogaritet si bazament themelor në jetën individuale dhe kolektive të njeriut dhe domosdoshmëri njerëzore për ngritjen e shoqërive. Pa etikë, njeriu do të shndërrohet në egërsirë ndaj vëllait të tij njeri, gjë që pengon ngritjen e shoqërive të shëndosha.
Islami në përgjithësi përbëhet prej tri çështjeve: besimit, etikës dhe dispozitave praktike. Ai etikës i ka kushtuar një kujdes të veçantë, sepse atë e llogarit si substanca e Islamit. Islami ka ofruar një sistem etik të kompletuar, që e rregullon jetën e njeriut në të gjitha sferat dhe fushat e veprimit të tij.
Bazuar në atë se puna ka një rol të rëndësishëm në përparimin e njeriut, qoftë në aspektin individual apo shoqëror, vërejmë se shtetet, në përgjithësi, përkujdesen për rregullimin e saj. Shtetet përparimtare kanë arritur një nivel të lartë të rregullimit të çështjeve të punës, duke përfshirë këtu obligimet dhe të drejtat e secilit prej punëdhënësit dhe punëmarrësit, si dhe rregullat e punës dhe çështjet që ndërlidhen me të.
Në këtë studim do të paraqesim kujdesin e Islamit ndaj etikës së punës, me qëllim që të shohim se çfarë sistemi ofron ai? Sa i ruan të drejtat e punëdhënësit dhe punëmarrësit? Si duhet t’i kryejë obligimet secili prej tyre? Si duhet të kryhet puna në formën më të mirë?, etj.
Kur flasim për etikën e punës në Islam, kemi për qëllim një sërë parimesh dhe vlerash për të cilat Islami ka nxitur gjatë kryerjes së punës.
Rëndësia e punës në Islam
Puna në Islam ka një pozitë të rëndësishme. Ajo vlerësohet shumë dhe është shkak për përparimin në këtë botë dhe për fitimin e shpërblimeve të Allahut në botën tjetër. Mbi shtatëdhjetë ajete Kur’anore dhe shumë hadithe pejgamberike flasin për rëndësinë e punës dhe vlerën e saj në Islam, duke i treguar qartë besimtarit qëllimin e tij në jetë dhe duke e nxitur atë për punë në mënyrë të prerë.[1] Nga këto ajete do të veçojmë vetëm disa prej tyre. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Thuaj: punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj”.[2] Po ashtu thotë: “…disa do të udhëtojnë nëpër botë, duke kërkuar mirësitë e Tij (për jetesë) dhe disa të tjerë do të jenë duke luftuar në rrugën e Tij...”[3] Siç vërehet nga ajetet Kur’anore, punës i jepet përparësi para luftës në rrugë të Allahut. Pothuajse në të gjitha ajetet Kur’anore, puna që kërkohet të veprohet cilësohet me “salihat” të mira, fjalë e cila përfshin çdo gjë që e rregullon jetën e kësaj bote dhe të botës tjetër, jetën individuale dhe kolektive, si dhe jetën shpirtërore dhe materiale.[4]
Në anën tjetër, Muhamedi a.s., lodhjen dhe mundin gjatë kryerjes së punës e ka llogaritur si shlyerës të mëkateve dhe ka thënë: “Kush kalon ditën duke fituar nga dora e tij, ai do të jetë i falur nga mëkatet”.[5]
Nëse i hedhim një vështrim jetës së të gjithë pejgamberëve dhe ndihmësve (shoqëruesve) të tyre më të afërt, do të vërejmë se që të gjithë kanë punuar dhe janë ushqyer si rezultat i mundit dhe punës që kanë bërë. Disa prej tyre janë marrë me bujqësi, disa të tjerë me blegtori e të tjerë me ndërtimtari e zejtari.[6]
Islami i nxit njerëzit në përgjithësi dhe besimtarët në veçanti për punë dhe kërkim të furnizimit. Në Kur’an thuhet: “Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Tij...”[7] Po ashtu thotë: “Ai ju ka bërë tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë që ju ka dhënë”.[8] Ndërsa Muhamedi a.s. ka thënë: “Askush nuk mund të hajë ushqim më të mirë sesa atë që e ha nga dora e tij”.[9]
Lidhshmëria mes punës dhe etikës në këndvështrimin islam është shumë e madhe, sepse vlerat morale dhe etika islame janë ato që orientojnë punën në drejtimin e duhur. Thënë ndryshe, puna e besimtarit është rezultat i besimit të tij, sepse ai është i bindur se suksesi e lumturia në këtë botë dhe në botën tjetër janë të ndërlidhur ngushtë me punën. Allahu ka caktuar rregulla në këtë botë. Ndër ta është edhe rregulli që citon se, njeriu punëtor arrin suksese më të mëdha në këtë botë, pa marrë parasysh fenë dhe besimin e tij.
Puna është e ndërlidhur me një vlerë tjetër etike – me shfrytëzimin e kohës. Besimtari njëmend përpiqet që në maksimum ta shfrytëzojë kohën e tij, ngase koha përfshin jetën e tij. Nëse lejon që të humbë kohë pa ndonjë punë të dobishme, ai me këtë ka bërë “vetëvrasje”.[10] Besimtari duhet të bëj llogari për kohën që kalon. Ai e di mirë se koha është kapitali i tij më i shtrenjtë dhe se do të pyetet për jetën e tij, në veçanti për rininë. Omer bin Abdulazizi thoshte: “Dita dhe nata po punojnë në ty, edhe ti puno në to”. Besimtari duhet të ketë frikë që ditët mos t’i kalojnë pa vepruar ose pa prodhuar asgjë. Ai nuk duhet, në asnjë mënyrë, që punën e sotme ta lërë për nesër, sepse dita e nesërme është e ngarkuar me punë të tjera.[11]
Islami e nxit besimtarin që të jetë punëtor i zellshëm, ta kryejë rolin e tij në shoqëri dhe të zbatojë urdhrin e Allahut në përparimin e jetës në tokë, ku thotë: “Ai ju krijoi nga toka, ju vuri të jetoni në të dhe ta rindërtoni atë”.[12]
Të gjitha parimet dhe vlerat morale që ndërlidhen me etikën e punës, mund të ndahen në tri grupe: natyra e punës, punëtori dhe punëdhënësi.[13]
1. Etika islame në vetë natyrën e punës
Nëse shfletojmë burimet islame dhe literaturën e gjerë, që është shkruar në lidhje me natyrën e punës, do të vërejmë se Islami ka ofruar një sërë vlerash etike, që duhen zbatuar gjatë punës. Ndër çështjet më të rëndësishme janë: legjitimiteti i punës sipas këndvështrimit islam, kontrata e punës, angazhimi me punë i personit adekuat për të dhe kryerja e obligimeve para kërkimit të të drejtave.
Sa i përket çështjes se puna që kryhet duhet të jetë legjitime, me këtë nënkuptojmë çdo punë, fizike apo intelektuale, që i mundëson njeriut të jetojë me dinjitet, punë e cila garanton përparim dhe krenari. Andaj Islami e ka lejuar njeriun që të punojë çdo punë e cila është hallall-legjitime, ndërsa e ka ndaluar që të punojë punë harame – jolegjitime, të cilat sjellin dëme individuale dhe shoqërore.
Sa i përket kontratës së punës vërejmë se Islami e ka lejuar lidhjen e kontratës në bazë të së cilës theksohen të gjitha obligimet dhe të drejtat e punëdhënësit dhe punëmarrësit. Në kontratë përfshihet lloji dhe sasia e punës, koha e caktuar për punë dhe paga.
Një ndër çështjet, etike që ndërlidhet me punën, është edhe ajo që me punë të caktuar të angazhohet personi adekuat, i cili posedon përgatitjet e duhura për kryerjen e kësaj pune. Argument për këtë kemi rastin kur sahabiu i nderuar, Ebu Dherri r.a., kërkoi nga Muhamedi a.s. që ta angazhojë si udhëheqës në një vend. Muhamedi a.s. i ra në kraharor dhe i tha: “O Ebu Dherr! Ti je i dobët, ndërsa udhëheqja është amanet. Ajo në ditën e gjykimit është poshtërim dhe pendim, me përjashtim nëse e merr me meritë dhe i kryen obligimet me përgjegjësi”.[14] Përzgjedhja e njerëzve adekuat në punët e caktuara është çështje mjaft e rëndësishme që siguron përparim dhe sukses, sepse secili person e kryen punën e tij me përgjegjësinë më të lartë. Në këtë rast nuk mund të bëhet angazhimi në bazë të afërsisë familjare, ose interesave personale të përgjegjësve. Angazhimi i personave joadekuat në punë të rëndësishme dhe mbetja e të tjerëve anash, duke poseduar aftësi për të, shkakton çrregullime shoqërore dhe pengesa serioze në përparimin ekonomik e shoqëror.
Në anën tjetër, çështje tjetër me rëndësi shumë të madhe etike është edhe kryerja e obligimeve para kërkimit të të drejtave. Zbatimi i këtij parimi etik eviton çdo mosmarrëveshje mes palëve kontraktuese dhe e shton bashkëpunimin, gjë e cila do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në prodhim.
Islami ka caktuar një sërë rregullash etike, të cilave duhet t’u përmbahet punëtori gjatë kryerjes së punës, pa marrë parasysh se çfarë pune punon.
Prej këtyre rregullave, shumë e rëndësishme është përgatitja psikike dhe fizike e punëtorit. Varësisht prej punës që kryen, punëtori duhet të ketë përgatitjen e duhur. Një përgatitje e tillë ia mundëson punëtorit që ta kryejë punën e tij në formën më të mirë dhe të arrijë sukseset e duhura.
Rregull tjetër etik me rëndësi është edhe kryerja e punës me përgjegjësi dhe besnikëri. Kjo është cilësia më e rëndësishme etike e punëtorit. Në Kur’an, çështja e përgjegjësisë, që ndërlidhet me punëtorin, është potencuar disa herë. Në suren El-Kasas thuhet: “O babai im, -tha njëra nga ato dyja- merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim”.[15] Po ashtu në suren En-Nisa’ thuhet: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin”.[16] Duke llogaritur se shprehja “amanet” është një shprehje që në brendinë e saj përshin kuptime shumë të gjera, ku të gjitha ndërlidhen me ndjenjën e personit me përgjegjësinë e punës që i ofrohet, atëherë edhe kryerja e punës me përgjegjësi është një ndër amanetet më të mëdha, gjë të cilën e përfshin edhe ky ajet Kur’anor.
Besnikëria në punë përfshin forma të shumta:
– Përkujdesja e punëtorit për shfrytëzimin e kohës dhe kryerjes së obligimeve, pa marrë parasysh vendin e punës së tij dhe mos humbja e kohës me gjëra që nuk ndërlidhen fare me punën e tij, qoftë brenda vendit të punës apo jashtë.
– Gjatë punës duhet të largohet nga të gjitha format e mashtrimit. Në lidhje me këtë, Muhamedi a.s. thotë: “Ai që mashtron, nuk është prej nesh”.[17]
– Mos ta keqpërdorë pozicionin që ka në punën e tij për përfitime personale ose familjare, duke marrë gjëra nga vendi i punës, ose të pranojë ryshfete apo dhurata që luajnë rolin e ryshfetit etj. Në lidhje me këtë çështje, Muhamedi a.s. thotë: “Personin që e caktojmë në një vend pune dhe ia caktojmë pagën, çdo gjë që merr jashtë saj është keqpërdorim”.[18] Transmeton Buhariu nga Ebu Humejd Es-Saidiju se ka thënë: “Muhamedi a.s. angazhoi një person nga fisi Beni Esed me emrin Ibnul-Etebije për grumbullimin e zekatit. Kur u kthye tha: “Kjo është për ju e kjo për mua.” Muhamedi a.s. u ngrit në minber, e falënderoi dhe e madhëroi Allahun dhe më pas tha: “Ç’është puna me punëtorin?! Ne e dërgojmë në punë e ai vjen dhe thotë: kjo është për ju e kjo për mua?! Sikur të ulej në shtëpinë e babait apo nënës së tij dhe të shihje se a po i dhurohet atij apo jo?! ‘Pasha Atë, në duart e të Cilit është shpirti im, çdo gjë që merr, në ditën e kiametit do ta bartë në qafën e tij, qoftë deve, lopë apo dele’. Më pas i ngriti duart derisa i pamë nënsqetullat e tij dhe tha: “Unë kumtova” tri herë.[19] Transmetohet nga Abdullah ibn Amri se ka thënë: “Muhamedi a.s. e mallkoi ryshfetdhënësin dhe ryshfetmarrësin”.[20]
– Përkujdesja për mjetet dhe pajisjet e punës, duke mos i përdorur për interesa personale ose për dikë tjetër, sepse këto pajisje janë amanet në duart e tij për të cilat do të japë llogari.
– Ruajtja e sekreteve të punës është prej vetive etike shumë të rëndësishme dhe është prej shkaqeve më të fuqishme që sjell sukses në punë. Me siguri që një çështje e tillë kërkon një durim shumë të madh dhe bindje, duke pasur parasysh se është në kontrollin e vazhdueshëm të Allahut.
Rregull tjetër etik, shumë i rëndësishëm gjatë punës, është edhe kryerja e punës me përsosmërinë më të lartë. Islami nxit në kryerjen e punës me përgjegjësinë më të madhe, duke e llogaritur atë amanet që duhet të kryhet me përgjegjësi. Nuk kërkohet vetëm kryerja e punës, sidoqoftë ajo, por duhet bërë përpjekja maksimale për ta realizuar në formën më të mirë. Nëse njeriu ka përgatitje adekuate për punën që kryen dhe synon kënaqësinë e Allahut, ajo punë, me siguri, do të jetë e suksesshme. Kryerja e punës me përsosmëri sjell kënaqësinë dhe dashurinë e Allahut. Muhamedi a.s. ka thënë: “Allahu dëshiron që kur dikush prej jush të kryejë ndonjë punë, ta kryejë me përsosmëri”.[21] Kryerja e punës me përsosmëri nënkupton që punëtori të ndjehet përgjegjës ndaj punës, ta kryejë në formën më të mirë, të përshpejtojë sa të mundet në realizimin e saj, të përpiqet në maksimum për të shmangur gabimet, pa marrë parasysh se puna kryhet në sektorin publik, privat apo për punën e tij personale. Zgjedhja e punës adekuate, që përshtatet me aftësitë e tij profesionale dhe psiko-fizike, mundëson kryerjen e punës me përpikëri të plotë. Një punë e tillë me sinqeritet e shton prodhimin, e rrit ekonominë dhe sjell dobi, si për punëtorin e punëdhënësin, po ashtu edhe për mbarë shoqërinë.
Sinqeriteti dhe besnikëria në punë janë shumë të rëndësishme, sepse pa sinqeritet dhe besnikëri nuk mund të kryhet puna në formën më të mirë. Sinqeriteti dhe besnikëria janë shtytësit kryesorë që e nxisin punëtorin për kryerjen e punës me përsosmërinë më të lartë.[22] Sinqeriteti e bën punëtorin që ta japë mundin e tij në maksimum për realizimin e punës si dhe tejkalimin e lodhjeve. Sinqeriteti e bën punëtorin që të ketë një vetëkontroll në punën e tij, sepse ka bindje se Allahu e sheh dhe është nën mbikëqyrjen e Tij, kudo që gjendet. Allahu në Kur’an thotë: “Allahu është mbikëqyrës për çdo gjë”.[23] Besimtari i denjë gjatë punës së tij duhet të ketë parasysh arritjen e kënaqësisë së Allahut, më pas edhe interesin e vendit e shoqërisë, ku me siguri aty ngërthehet edhe interesi personal. Nëse bëhet një vështrim i thukët i dështimit të projekteve të ndryshme, mbylljes së fabrikave dhe uzinave, humbjes së mjeteve të punës dhe rënies së prodhimit, do të vërehet qartë se ajo është si rezultat i humbjes së sinqeritetit dhe i besnikërisë në punë.
Rregull tjetër etik gjatë punës është edhe zbatimi i rregullave të punës të caktuara nga punëdhënësi. Në këtë çështje përfshihet zbatimi i orarit të punës, respektimi i urdhrave të eprorëve të tij, respektivisht i personave para të cilëve jep përgjegjësi dhe bashkëpunimi me të gjithë faktorët që ndikojnë në kryerjen e punës në formën më të mirë.
Ashtu sikurse Islami ka caktuar një sërë rregullash etike për punëtorin, ai ka caktuar edhe një sërë rregullash për punëdhënësin, pa marrë parasysh nëse punëdhënësi është individ, institucion nga sektori privat, apo publik, ose diçka tjetër.
Prej këtyre rregullave etike mund të veçohen:
Theksuam më parë se obligimet dhe të drejtat shkojnë paralel njëra me tjetrën dhe se nuk duhet kërkuar e drejta pa i kryer obligimet. Nëse punëtori e kryen punën e tij me nder dhe me përsosmëri të plotë, atëherë është e drejtë e tij që të marrë pagën, për të cilën palët kanë rënë dakord më parë. Punëdhënësi obligohet që punëtorit t’ia japë pagën pa hequr prej saj asgjë. Islami kërkon prej punëdhënësve që punëtorit t’i jepet paga menjëherë, sipas marrëveshjes paraprake, qoftë ditore, javore, mujore, sasi e caktuar apo forma të tjera. Në lidhje me këtë çështje, Muhamedi a.s. ka thënë: “Punëtorit jepjani pagën para se t’i thahen djersët”.[24] Mosdhënia e pagës punëtorit shkakton zemërimin e Allahut. Në hadith kudsij thuhet: “Tri grupe njerëzish do t’i armiqësoj në ditën e gjykimit: … dhe një njeri që merr një punëtor, kërkon prej tij ta kryejë punën plotësisht dhe nuk ia jep pagën”.[25] Në momentin kur punëtori e kryen punën e tij, atëherë paga bëhet borxh i punëdhënësit sipas marrëveshjes në kontratë. Allahu në Kur’an thotë: “O besimtarë! Plotësoni detyrimet!”[26]
Drejtësia dhe bamirësia janë ndër parimet më të rëndësishme në Islam. Çdo punë që nuk ngrihet mbi bazën e drejtësisë është e lëkundur, sado i fortë të jetë organizimi. Allahu ka urdhëruar drejtësi në çdo segment të jetës, përfshirë edhe punën. Në Kur’an thuhet: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit”.[27]
Çështja e drejtësisë dhe e mirësisë nga ana e punëdhënësit, mund të realizohet në forma të ndryshme: barazi mes punëtorëve me sjellje të mirë pa bërë dallime mes tyre. Përderisa janë të barabartë në punë, duhet të jenë të barabartë edhe në respekt nga ana e punëdhënësit. Po qe se ka dallime në punë, atëherë duhet lavdëruar punëtori i mirë dhe duhet qortuar punëtori i keq, si dhe nuk duhet të jenë të barabartë në përfitime, por secili duhet të marrë atë që meriton. Barazi mes punëtorëve në angazhime, duke marrë parasysh dallimet individuale, aftësitë dhe shkathtësitë e tyre. Përshtatshmëria mes punës dhe pagës së punëtorit. Në lidhje me këtë, në Kur’an thuhet: “…mos u hani hakun njerëzve…”[28] Mosngarkimi i punëtorit më shumë se sa kanë rënë dakord gjatë kontratës. Dhënia e pushimeve që i takojnë me ligj etj.
Sjellja korrekte me drejtësi dhe mirësi e punëdhënësit, forcon te punëtorët besimin ndaj tyre, vullnetin për punë dhe përpjekjen maksimale për kryerjen e punës me përsosmëri të plotë.
Punëdhënësi duhet të jetë modest ndaj nëpunësve të tij. Kjo mund të realizohet me anë të bashkëpunimit me punëtorët, duke qëndruar me ta, duke biseduar, duke u kujdesur për kërkesat dhe nevojat e tyre. Mendjemadhësia nga ana e udhëheqësve është anomali morale para se të jetë anomali në punë. Mendjemadhësia në të shumtën e rasteve shkakton urrejtje mes tyre dhe punëtorëve, gjë që ndikon edhe në rrjedhën e punës.
Punëdhënësi duhet ta respektojë punëtorin, sido që të jetë niveli i tij arsimor, ekonomik e shoqëror. Ai është faktor i rëndësishëm në shoqëri. Punëdhënësi duhet të sillet butë me punëtorin, duke e respektuar dinjitetin e tij njerëzor. Asnjëherë nuk duhet ta nënçmojë apo ofendojë atë. Punëdhënësi dhe punëtori, duke respektuar njëri-tjetrin, ndikojnë fuqishëm në përmirësimin dhe përparimin e shoqërisë në të gjitha sferat. Në lidhje me sjelljen morale, Muhamedi a.s. thotë: “Besimtari me besim më të plotë është ai që ka moral më të mirë”.[29]
Sjellja morale e punëdhënësit dhe respektimi i punëtorit e shton vullnetin për punë, i cili do të rezultojë në kryerjen e punës sa më mirë që është e mundur dhe do të bëjë punëtorët më të dëgjueshëm ndaj tyre.
Punëdhënësit duhet t’jua garantojnë punëtorëve sigurimin shëndetësor dhe kontrollin e rregullt mjekësor. Po ashtu duhet të merren të gjitha masat e duhura për mbrojtje nga gjitha rreziqet që mund t’i shkaktojnë dëme punëtorit, si p.sh. sigurimi i hapësirave të mjaftueshme, ndriçimit, ruajtja nga i ftohti dhe dielli i fortë, sigurimi i mjeteve të nevojshme, veshmbathjeve si doreza, helmeta etj., si dhe largimin i çdo gjëje që rrezikon shëndetin e tyre.
Këto ishin disa nga rregullat etike të përgjithshme sipas këndvështrimit islam. Nga ajo që u tha më lartë mund të kuptohet se Islami, me dispozitat, etikën dhe moralin e tij, ka caktuar rregulla që i ruajnë të drejtat e gjithë punëdhënësve dhe punëmarrësve. Jo vetëm të drejta juridike, por ka nxitur te të gjithë ndjenjën e përgjegjësisë, drejtësisë dhe bamirësisë.
Nëse shikojmë në realitetin tonë, vërejmë se sa larg këtyre vlerave etike jemi. Në përditshmërinë tonë as punëdhënësit e as punëmarrësit nuk u përmbahet këtyre rregullave të larta etike. Andaj gjendja në të cilën gjendemi, nuk është asgjë tjetër veçse pasojë e mosrespektimit të këtyre parimeve e rregullave.
Me siguri që për të arritur deri në këtë gjendje në të cilën jemi kanë ndikuar faktorë të shumtë, mes të cilëve mund të theksojmë: moskujdesi i përgjegjësve politikë për marrjen e masave të duhura për zhvillimin e tregut të punës; përhapja e korrupsionit në mesin e përgjegjësve; angazhimi i njerëzve joadekuat në vende të rëndësishme të punës, etj.
Nëse ne, si komunitete myslimane nuk kemi mundësi të ndryshojmë gjendjen e shoqërisë –edhe pse duhet bërë përpjekje – së paku duhet të marrim masa urgjente për zbatimin e këtyre parimeve etike brenda komuniteteve myslimane. Çdo përgjegjës dhe çdo punëtor duhet të jetë në nivelin më të lartë të përgjegjësisë. Duhet kuptuar se çështja ndërlidhet me hallall dhe haram dhe mbi të gjitha me pajtimin apo hidhërimin e Allahut. Duhet bërë çmos që të zbatojmë parimin “njeriu i duhur në vendin e duhur”, parim i cili përputhet plotësisht me të gjitha mësimet islame.
Pas gjithë kësaj, duhet kuptuar se gjendja jonë nuk do të ndryshojë për të mirë, përderisa ne nuk ndryshojmë në sjelljen tonë dhe përderisa secili prej nesh nuk e kryen punën e tij me përgjegjësinë më të lartë. Allahu në Kur’an thotë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete”.[30]
Përfundim dhe rekomandime
Në bazë të asaj që u tha më lart, mund të përfundojmë me sa vijon:
Burimet dhe literatura
KUR’ANI i madhërishëm. Përkthimet e tij në gjuhën shqipe, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, Botimi i tretë, 2015.
[1]. Muhamed El-Gazali, Akidetul Muslim, f. 135.
[2]. Kur’an, Et-Teube, 105.
[3]. El-Muzzemmil, 20.
[4]. Jusuf El-Kardaui, El Imanu uel Hajatu, f. 254.
[5]. Transmeton Taberaniu në “El Eusatu” me nr. 7520.
[6]. Abdurrahman Hasan Habanneke, El-Ehlakul-Islamjetu ue Ususuha, vëll. 2, f. 519.
[7]. Kur’an, El-Xhumuah, 10.
[8]. Kur’an, El-Mulk, 15.
[9]. Transmeton Buhariu në “Sahih” me nr. 2072.
[10]. Muhamed El-Gazali, Hulukul Muslimi, f. 224.
[11]. Jusuf El-Kardaui, El-Imanu uel-Hajatu, f. 258.
[12]. Kur’an, Hud, 61.
[13]. Mufrih bin Sulejman El-Kusij, Ahlakul ameli fil-islami, f. 4.
[14]. Transmeton Muslimi në “Sahih”.
[15]. Kur’an, El Kasas: 26.
[16]. Kur’an, En Nisa’: 58
[17]. Transmeton Muslimi në “Sahih”.
[18]. Transmeton Ebu Davudi në “Sunen” me nr. 2943.
[19]. Sahihul-Buhari me Fethul Bari, nr. 7174.
[20]. Transmeton Hakimi në “Mustedrek” me nr. 7066.
[21]. Transmeton Bejhekiu me nr. 5312.
[22]. Jusuf El-Karadavi, El-Imanu vel-Hajatu, f. 256.
[23]. Kur’an, El-Ahzab, 52.
[24]. Transmeton Ibn Maxheh në “Sunen” me nr. 2443.
[25]. Transmeton Buhariu në “Sahih” me nr. 2270.
[26]. Kur’an, El-Maide, 1.
[27]. Kur’an, En-Nahl, 90.
[28]. Kur’an, El-A’raf, 85.
[29]. Transmeton Ebu Davudi në “Sunen” me nr. 4682.
[30]. Kur’an, Er-Ra’d, 11.
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...