Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Dec 03, 2018 Zani i Nalte Shkenca Komunikimi 0
Dr. Sedat Islami
Abstrakt
Revista “Dituria islame” ka një rëndësi të veçantë dhe historike në fushën e predikimit islam në Kosovë e më gjerë. Këtë rëndësi më së miri e dëshmon kontributi i saj i fokusuar, përveç të tjerash, edhe në përgatitjen profesionale të predikuesve – hoxhallarëve dhe ndihmesën e tyre permanente me tema fetare (vaze dhe hytbe). Sfond historik këtij kontributi i jep paraqitja e saj në kohën e rrethanave të papërshtatshme politike në Kosovë dhe jo vetëm. Në Shqipëri, ku më parë nxirreshin revista fetare, për shkak të regjimit komunist, nxjerrja e tyre qe ndaluar, ndërsa në Kosovë, përkundër sistemit sundues komunist, liria e shtypit fetar deri diku ekzistonte, megjithatë literatura fetare në shqip qe vonuar. Kështu, dalja e revistës “Dituria islame”, krahas “Edukatës islame”, revistë kjo tremujore, do të kontribuonte shumë për ngritjen e vetëdijes fetare islame në përgjithësi dhe për formimin e predikuesve fetarë në veçanti. Ky punim mëton të hedhë dritë pikërisht mbi këtë rol të ngritjes profesionale të imamëve dhe ligjëruesve fetarë, dhe këtë duke iu referuar hytbes nga aspekti profesional (si mjet predikues) dhe artistik (si përmbajtje dhe interpretim). Punimi është i ndarë në dy pjesë kryesore: në pjesën e parë jam marrë me materialet përkitazi me kornizën teorike për hytben, ndërsa në pjesën e dytë i jam përkushtuar anës praktike të tyre, respektivisht aspektit përmbajtjesor dhe rregullimit teknik e artistik të hytbeve. Krejt në fund, kam përmbledhë me pak fjalë rezultatet e këtij punimi dhe rekomandimet e tij.
Fjalët kyçe: dituria islame, predikimi islam, hytbeja e xhumasë, edukimi fetar, imamët shqiptarë.
HYRJE
Ligjërimi ka një rëndësi të veçantë për shkak se paraqet litarin që mban gjallë komunikimin shoqëror ndërmjet njerëzve dhe jo vetëm. Ai paraqet edhe nivelin e ngritjes intelektuale e qytetare të një populli dhe këtu qëndron shpjegimi se përse i është kushtuar rëndësi vazhdimisht asaj. Ai, nëse do të përdornim ilustrimin figurativ të disa studiuesve myslimanë, në raport me qytetërimin është sikur gjuha në raport me trupin.[1]
Këtu qëndron shpjegimi se përse ligjërimit dhe të folurit i është kushtuar rëndësi në të gjitha qytetërimet dhe civilizimet, ashtu siç u kushtohet rëndësi edhe sot e kësaj dite. Rëndësi i është kushtuar edhe në Islam, ku, përveç bazave dhe kritereve përkatëse, janë modifikuar edhe ato elemente ekzistuese, në mënyrë që t’i përshtaten Islamit dhe parimeve të tij. Kjo ka bërë që ligjërimi të pësojë një ndryshim pothuajse strukturor dhe gjithëpërfshirës në tematikë, shprehje dhe veçori.[2] Ligjërimi është bërë edhe detyrim fetar, veçanërisht ai i ditës së xhuma, që konsiderohet pjesë përbërëse e adhurimit.
Nga këtu, dijetarët myslimanë e kanë trajtuar vazhdimisht ligjërimin, qoftë si kapitull të librave të caktuar, qoftë si libër të veçantë, sepse prej tij është varur shumë edhe përhapja e fesë.
Ligjërimi fetar, si koncept e art, ka zënë vend edhe te ne, shqiptarët myslimanë. Ai është shtjelluar në kuadër të planprogrameve mësimore, por edhe të materialeve publicistike. Megjithëkëtë, trajtimet për hytben ndër ne kanë munguar, ashtu siç kanë munguar trajtimet me këtë tematikë nga revista “Dituria islame”.
Problematika e hulumtimit
Nga këtu, vjen ky punim që të trajtojë këtë aspekt të lënë anash, dhe këtë duke gjurmuar për përgjigje të dy pyetjeve hulumtuese:
Qëllimet e hulumtimit
Rëndësia e hulumtimit
Rëndësia e këtij punimi qëndron në faktin se ai, mbase për herë të parë, ofron një trajtim kronologjik dhe gjithëpërfshirës të ligjërimit fetar në revistën “Dituria Islame”. Lexuesit, në përgjithësi, dhe ligjëruesit fetarë, në veçanti, për herë të parë mund të njihen me aspekte të ndryshme përkitazi me hytbet, si, fjala vjen, historikun e tyre, klasifikimin, vërejtjet dhe sugjerimet, gjëra këto që ndikojnë pozitivisht në përmirësimin dhe ngritjen e nivelit të ligjërimit tek ata. Punimi, ka rëndësi edhe për shkak se është pararendës dhe hapës i shtigjeve për trajtim të ligjërimit edhe në revista tjera fetare në gjuhën shqipe.
Metodologjia dhe skema e punimit
Metodologjia e ndjekur në këtë punim është kryesisht përshkruese. Hulumtimi ka mëtuar para së gjithash evidentimin e materialeve ligjëruese dhe rreth ligjërimit, për të bërë më pas analizimin e tyre dhe për të përcaktuar përmbushjen e kritereve përkatëse. Ai shtrihet në dy pjesë kryesore: pjesa e parë i dedikohet kornizës teorike për hytben ndërsa pjesa e dytë merret me hytbet e përgatitura, pra aspektin përmbajtjesor dhe teknik e artistik të tyre. Në fund fare kam përmbledhur rezultate dhe rekomandime përkatëse.
Allahun e lus të më shpërblejë për çdo të qëlluar ndërsa për gabime dhe lëshime i drejtohem me përulësi që të më falë dhe mëshirojë!
I.1. Klasifikimi profesional i materialeve për hytben
Materialet që kanë trajtuar hytben nga perspektiva profesionale janë relativisht pak dhe, po kështu, janë të vonshme. Në fakt, nga materialet ekzistuese, vetëm njëri është shkruar para luftës dhe ai është përkthim nga gjuha boshnjake.[3] Materialet e tjera i përkasin periudhës së pasluftës dhe janë publikuar në intervale të gjata kohore. Qasja e tyre ndaj hytbes është qasje bazike dhe plotësuese. Përveç tyre ekzistojnë edhe shkrime tjera që, me përmbajtjen e tyre, edhe pse jo të drejtpërdrejtë, kontribuojnë në plotësimin e informacioneve rreth Hytbes dhe Hatibit.
Në vazhdim do të ofrojmë një klasifikim tematik të këtyre materialeve për të parë nga afër se deri në ç’nivel është trajtuar hytbeja nga aspekti teorik dhe profesional.
I.1.1. Materiale të drejtpërdrejta
Materialet që kanë trajtuar hytben në mënyrë të drejtpërdrejtë janë vetëm dy. Materiali i parë është përkthim nga gjuha boshnjake, ndërsa materiali tjetër është shkrim autorial. I pari është botuar në dekadën e parë të revistës (v. 1991), ndërsa i dyti në dekadën e dytë (1999). Edhe pse të përpiluar në pak faqe, artikujt ia kanë dalë të ofrojnë njohuri të mjaftueshme për hytben dhe këtë pothuajse në të gjitha fushat e saj.
Le të shohim më konkretisht një përmbledhje të shkrimeve në fjalë të radhitura sipas kohës së publikimit të tyre.
1) “Hytbeja-domethënia dhe karakteristikat themelore” – nga Prof. Dr. Jusuf Ramiq[4]
Artikulli në origjinal është në gjuhën boshnjake ndërsa në shqip është përkthyer nga hoxha Nexhat Ibrahimi. Autori shihet ta ketë trajtuar fillimisht hytben në kuadër të hatabes – ligjërimit ose fjalimit si tërësi,[5] rëndësinë e të cilës e sheh te kumtimi i fesë. Pra ajo është mjet me të cilin Muhamedi a.s. që nga dita e dërgimit kumtoi fenë. Ndërsa për hytben, si formë e veçantë e ligjërimit, respektivisht hytbet e xhumasë dhe bajrameve, autori shpjegon të jetë praktikuar pas kalimit të Muhamedit a.s. në Medinë.
Përveç shpjegimeve që kanë të bëjnë me aspektin normativ të hytbes, autori merret edhe me interpretimin e hytbes. Ai na kujton se hytbeja duhet të mbahet në këmbë, zëri duhet të jetë tingëllues dhe i fuqishëm, dukja e ligjëruesit duhet të jetë e rregullt si dhe duhet të përdoret mimika. Kur flet për temat e hytbes, autori shpjegon se ato duhet ta përfshijnë Islamin si besim dhe sistem.
Me pak fjalë, artikulli ofron një përmbledhje të rëndësishme këshillash dhe mësimesh për hytben, të cilat ndikojnë fuqishëm në një hytbe të suksesshme.
2) “Hytbeja, vazi dhe vaizi” nga Hajrullah Hoxha[6]
Ky është artikulli i dytë që flet drejtpërdrejtë për hytben. Autori, siç mund të lexohet nga periodiku i publikimeve të tij, këtë temë e ka përpiluar si një lloj hyrje për hytbet e tij që do të pasojnë në numrat vijues. Ai ka ofruar një përmbledhje të thukët dhe koncize rreth hytbes, gjegjësisht rreth llojeve, rëndësisë dhe rregullave përkatëse të saj. Ai e sheh hytben të rëndësishme për shkak se ajo, jo vetëm që është mjet i kumtimit të Islamit, por sepse, njëkohësisht, prej saj varet edhe pranimi i Islamit nga të tjerët. Përgjatë shtjellimit, vërehen porosi shumë profesionale të autorit, sidomos kur flet për temat e hytbes, ku jep tre këshilla të arta:
– trajtimin e Islamit në përgjithësi, duke filluar nga besimi, detyrimet fetare dhe sistemet e Islamit për shoqërinë
– trajtimin e gjërave sipas kohës dhe vendit të tyre
– fokusimi në drejtimin e “ehlu sunnet-it” gjatë shpjegimeve të çështjeve të besimit dhe medhhebin lokal gjatë shpjegimit të çështjeve të fikhut.
Autori gjatë trajtimit të hytbes insiston në ruajtjen e konceptit të saj, si në thelb – përmbajtje, si në interpretim. Më qartë, ai urren që hytbeja të kalojë nga një mjet të cilit – pas Allahut – i detyrohemi për pranimin e kësaj feje nga shumë njerëz në një ambient hikajesh (tregimesh) e përrallash. Temat duhet të kenë ngjyrë realiteti dhe aktualiteti.
Çështje tjetër me rëndësi që ka trajtuar autori, e që nuk është në shkrimin paraprak, është edhe ajo e përkthimit të hytbes. Ai ka dhënë një përgjigje të balancuar dhe të arsyeshme. Nëse thotë me gojën plot se duhet ta përkthejmë hytben patjetër që popullit t’i mësohet feja në tërësi, megjithatë, këtë e thotë vetëm për lëndën e shtjelluar, ndryshe, për pjesët bazë të hytbes, si në fillim, si në mbarim, mendon se duhet të ngelin në origjinal.
Artikulli, jo vetëm që ka plotësuar atë të mëparshmin, por ka ndriçuar edhe fusha tjera, duke u bërë kështu një prurje me rëndësi dhe peshë në fushën e përgatitjes profesionale për hytben.
I.1.2. Tema plotësuese
E veçantë e këtyre temave është se ato merren më shumë me temat e hytbeve dhe interpretimin e tyre sesa me aspektet tjera. Për këtë shkak janë klasifikuar si plotësuese. Janë gjithsej katër shkrime që trajtojnë këto aspekte të hytbes dhe, edhe këto sikur materialet e cituara në pikën paraprake, janë të publikuara në intervale kohore të ndryshme (1991, 2007, 2009 dhe 2014.) Dy shkrimet e para janë përkthime ndërsa dy shkrimet tjera janë autoriale.
1) “Namazi i ditës së premte”[7]
Shkrimi është përkthyer nga anglishtja. Emri i autorit nuk figuron ndërsa përkthyes në shqip është Nexhmedin Ramadani. Hytbeja është diskutuar si pikë e temës por me theks dhe rëndësi të veçantë. Në të është parashtruar nevoja e madhe e përgatitjes dhe arsimimit të ligjëruesve, ashtu siç është folur për natyrën e temave që duhen rrahur dhe ngjyrën e tyre aktuale e shoqërore. Në të është bërë thirrje që hytbeja të interpretohet me zë të bukur, të jetë tërheqëse si dhe të dominohet nga ngjyra fetare, respektivisht ajetet.
Në këtë shkrim një pjesë i është rezervuar edhe çështjes së përkthimit të hytbes, për çka jepen disa propozime dhe disa mënyra jashtë të cilave nuk mund të dilet, por duke u vënë theksi mbi propozimin e parë, sipas të cilit hytbeja fillohet në origjinal (arabisht) e pastaj shpjegohet në gjuhën përkatëse.
2) “Hytbeja e suksesshme” nga autori Muhamed Gazali[8]
Materiali në origjinal është në të vërtetë pjesë e hyrjes së një përmbledhjeje dyvëllimëshe me hytbe të Shejh Muhamed Gazalit, të cilën në shqip e solli Miftar Ajdini. Autori fillimisht flet për rëndësinë e hytbes dhe rolin e saj në ngritjen e vetëdijes dhe civilizimit të një populli. Për ta kryer këtë funksion, ai jep këshillat në vazhdim:
– Hytbeja të jetë e fokusuar rreth një teme,
– Sistemimi dhe radhitja e pjesëve të ligjëratës,
– Ngjyra fetare e argumenteve (ajete, hadithe, thënie nga të parët…),
– Shmangia e temave që nuk përçojnë mesazhe uniteti, bashkimi, paqeje, sepse ato nuk përkojnë me xhaminë dhe mesazhin e saj,
– Aktualiteti i hytbes, respektivisht trajtimi i çështjeve që prekin drejtpërdrejtë xhematin dhe interesat e tyre,
– Interpretimin e thellë dhe të synuar të teksteve, veçmas atyre që nuk kuptohen drejt nëse mjaftohet vetëm me citimin tekstual të tyre,
– Referimi shembujve të gjeneratave të para në dije dhe qytetërim, sepse kështu përshkruhet një e kaluar e lavdishme, sikurse edhe evidentohen aktorët që mund të na çojnë përpara si shoqëri e qytetërim,
– Gjatë trajtimit të rrymave dhe lëvizjeve të devijuara, imami duhet të mjaftohet me shpjegimin e konceptit të vërtetë islam, pra nuk duhet t’i referohet burimeve të rrymës apo lëvizjes por të prezantojë të vërtetat nga Kur’ani dhe Sunneti që besimtarëve t’iu ofrojë një koncept dhe imazh të qartë të temave/problematikave që diskutohen,
– Ushtrimet para fjalimit, dhe këtë duke rishikuar përmbajtjen e ligjëratës, duke verifikuar tekstet dhe argumentet si dhe duke improvizuar mbajtjen e saj para xhematit,
– Reduktimi i hytbes në fjalët, fjalitë, konceptet dhe argumentet që i japin formë hytbes, pa u lëshuar në detaje të tepërta, që ndonjëherë, përveç monotonisë mund të shkaktojnë çrregullim të brendshëm të temës, respektivisht të thuhen gjërat që nuk janë të nevojshme dhe të harrohen ato që janë thelbësore.
Ky material mund të thuhet lirisht se është një lloj kursi trajnues në distancë. Leximi i tij kohë pas kohe imamit i mundëson që të ruajë ritmin e një ligjëruesi të suksesshëm.
3) “Përsiatje rreth rëndësisë dhe rolit të hytbes në Islam”[9]
Artikulli është shkrim autorial nga Nexhat Ibrahimi. Artikulli hapet me një përshkrim të rëndësisë së hytbes për të vazhduar më pas me disa këshilla e rekomandime të fuqishme që një ligjërues duhet t’i ketë në konsideratë. Autori veçon këto këshilla e udhëzime:
– Të kihet parasysh struktura e xhematit-audiencës,
– Të përvetësohen metodat dhe mënyrat e komunikimit, që Hytbeja më pas të ketë efekt pozitiv,
– Shprehja e kontrolluar e emocioneve, respektivisht ta bëjë hytben këshillëdhënëse e përkujtuese.
Ky artikull është i një rëndësie të veçantë. Këshillat e tij janë aktuale dhe në hap me kohën. Autori synon që hytbes të mos i humbasë rëndësia që ka, pavarësisht zhvillimeve teknologjike. Hytbeja mund të vazhdojë të kryejë rolin e saj edukativ dhe fetar vetëm nëse imami shfaq vetëdije karshi përgjegjësisë së ngarkuar mbi supe dhe avancim të vazhdueshëm në përvetësimin e njohurive, shkathtësive dhe teknikave të suksesshme të komunikimit me njerëzit.
4) “Çfarë të ligjëroj në Hytben e xhumasë?”[10]
Autori i këtij shkrimi, Sedat Islami,[11] është fokusuar në disa kritere që ndikojnë në suksesin e imamit në përzgjedhjen e temës për hytben e tij. Fillimisht, ka folur për rëndësinë që ka performimi gjatë hytbes, për tu ndalur më pas te kriteret e përzgjedhjes së temës, respektivisht te roli dhe ndikimi i xhematit në përzgjedhjen që imami i bën temave të hytbes. Autori konsideron se imami duhet të jetë vigjilent dhe të përzgjedhë propozimet e qëlluara, që të mos injorojë tërësisht kërkesat e xhematit, por njëkohësisht duhet edhe të ketë pavarësinë që, si një edukator, të trajtojë temat e duhura dhe të nevojshme, qoftë edhe nëse ato duhen përsëritur.
Në fakt, ai sheh dy mënyra se si të përzgjidhen propozimet:
I.1.3. Tema indirekte
Këto tema kanë trajtuar aspekte që lidhen në një formë ose në një tjetër me ligjërimin. Ato ndonjëherë i kushtohen thirrësit dhe përgatitjes së tij, herën tjetër fokusohen në ndonjë formë a mënyrë se si arrihet deri te dija, ashtu siç në shkrime të caktuara i përkujtohet përgjegjësia që ka edhe vigjilenca që duhet të ketë për detyrën e tij si prijës, etj.[12]
II.1. Hapësira kushtuar hytbeve
Hytbet kanë qenë tema që kanë zënë vend në revistën “Dituria Islame” që nga ditët e para të saj.[13] Janë kryesisht hytbe të përgatitura për xhuma ndërsa nuk mungojnë as hytbet e ceremonive zyrtare me rastin e festave të Fitër dhe Kurban Bajramit. Niveli i tyre përmbajtjesor është i kënaqshëm. Ato janë të shoqëruara me argumente fetare dhe kanë ngjyra të aktualitetit. Pra, janë rrahur tema që përmbushin kriteret për të qenë pjesë e ligjërimeve fetare.
Krahas hytbeve, ka edhe materiale të tjera të shumta, të klasifikuara dhe sistemuara brenda rubrikave të caktuara, të cilat, si për nga tematika që shtjellojnë, edhe nga stili, i përgjigjen shumë hytbes dhe me pak modifikime mund të përgatiten si një hytbe e mrekullueshme.
Ja disa prej këtyre rubrikave: njohuri islame[14], akaid[15], mesazhe[16], etikë[17], edukatë islame[18], moral[19], ahlak[20], familjare[21], pikëpamje[22], qasje[23], vështrim[24], reflektim[25], aktualitet[26], me shkas[27], etj.
Tema të këtilla mund të gjesh absolutisht në çdo numër të revistës “Dituria Islame”. Madje, në disa numra, mund të gjesh një numër të gjerë temash të kësaj natyre.[28]
II.2. Ndarja e hytbeve
II.2.1. Ndarja e hytbeve sipas kategorisë
1) Hytbe të manifestimeve qendrore
Këto janë hytbe të mbajtura kryesisht nga autoritetet më të larta të Bashkësisë Islame të Kosovës.[29] Hytbet zakonisht janë në fillim të numrit, por ka raste kur këto hytbe janë të vendosura në fund të numrit fare.[30]
Po kështu, këtu mund të vërehen edhe hytbe të autoriteteve më të larta të kohës së ish-Jugosllavisë, respektivisht të Reis-ul-Ulema-së[31] që janë të përkthyera në shqip ose janë marrë nga autorë shqiptarë jashtë trojeve tona.[32]
2) Hytbe të rregullta brenda rubrikës së revistës, për të cilat do të bëjmë fjalë te hytbet serike.
3) Hytbe me shkas, të cilat janë shkruar përkitazi me ngjarje, zhvillime dhe data të caktuara.[33]
II.2.2. Ndarja e Hytbeve sipas autorësisë:
1) Hytbe autoriale. Hytbe të kësaj natyre janë shumica absolute.
2) Hytbe të përkthyera. Hytbe të kësaj natyre ka fare pak.[34]
II.2.3. Ndarja e hytbes sipas temës
1) Hytbe serike.
Rëndësia e këtyre hytbeve është se ato janë hytbe të përgjithshme, që kurdo që të mbahen, kanë vendin dhe rëndësinë e tyre. Hytbe të këtilla ka, madje që nga fillimi. Gjithsej kemi arritur të evidentojmë pesë seri:
2) Hytbe të lira.
Janë hytbe që nuk janë pjesë e përhershme e rubrikës së Hytbeve në diturinë islame. Hytbe të këtilla ka shumë.[40]
II.2.4. Kritikë
II.2.4.1. Mungesa e vazhdimit me trajtesa shkencore të zgjeruara
Megjithëse ka tema që kanë rrahur hytben nga aspekti teorik goxha mirë, prapë nevoja për të vazhduar me tema profesionale për hytben ndihet. P.sh. në asnjërën prej punimeve, qoftë këto bazë, plotësuese apo të tjera, nuk është diskutuar për mënyrën praktike të përgatitjes së hytbes. Ndonjëherë, megjithëse është rrahur si çështje, ligjëruesi mund të ketë para vetes referenca të shumta, por kjo nuk garanton sukses përderisa ai nuk di si t’i përdorë ato, si të përfitojë prej tyre, si t’i radhisë brenda hytbes së tij.
II.2.4.2. Mungon aspekti artistik dhe teknik
Ndonëse jo gjithnjë dhe në çdo numër, aspekti teknik dhe artistik i hytbes mungon. Me aspektin teknik kam për qëllim hyrjen në arabisht, e cila, siç pamë edhe nga shtjellimet, është shumë me rëndësi. Ndërsa me aspektin artistik kam për qëllim shoqërimin e materialit të shkruar me imazhe përkatëse. Mungesa e këtyre elementeve theksohet veçmas në numrat e viteve të fundit.
Si tjetër vërejtje në këtë aspekt është edhe mungesa e klasifikimit dhe radhitjes së hytbeve zyrtare në vendin e përshtatshëm. Është vënë re herë pas here zhvendosja e hytbes nga fillimi i numrit në mes ose në fund fare.[41] Kjo, edhe pse ka ndodhur rrallë, megjithatë ka qenë diçka që një lexuesi ia vret syrin, sidomos për faktin se hytbeja është mesazhi më i rëndësishëm që lexohet nga figura qendrore e myslimanëve të vendit.
Probleme me klasifikimin shfaqen edhe herëve tjera kur tema, jo vetëm që është hytbe, por është edhe në kuadër të ndonjë serie të caktuar, ndërsa nuk figuron si hytbe.[42]
II.2.4.3. Mungojnë hytbet e numrave me temë të caktuar
Në revistë nuk i është kushtuar rëndësi që të ketë hytbe për numra me temë të caktuar. Edhe pse ka raste kur numri me temë të caktuar ka edhe hytben përkatëse[43], gjë që na bën të besojmë se këto vërejtje që po japim janë me vend për shkak se janë anashkaluar praktika të revistës. Dhe këtu kemi të bëjmë me dy vërejtje kryesore:
Është vënë re te hytbet serike intervali kohor i gjatë ndërmjet publikimit të tyre. Kjo sigurisht e gjymton mesazhin e hytbes serike dhe e minimizon efektin edukativ të saj.
Përfundim
Përmbyllja e këtij punimi nënvizon rezultatet kryesore të tij si dhe disa rekomandime përkatëse. Sa i përket rezultateve, ato janë:
1) “Dituria Islame” ka kryer dhe vazhdon ta kryejë rolin e saj në përgatitjen profesionale të imamëve. Kjo shihet nga temat që diskutohen. Në këtë drejtim, ajo ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol të rëndësishëm edhe në përgatitjen e përket ligjërimit si koncept e art.
2) Materialet e ofruara për kornizën teorike të hytbes, edhe pse numerikisht nuk janë shumë, ato janë të shkruara asisoj që, edhe në rrafshin kohor por edhe në atë përmbajtjesor, plotësojnë njëra tjetrën, duke na ofruar kështu njohuri që mundësojnë perfeksionimin e artit të ligjërimit në vazhdimësi.
3) “Dituria Islame” ia ka dalë të mbulojë boshllëkun e publicistikës fetare, duke u ofruar imamëve asistencë dhe mbështetje me tema me vlerë për derset, vazet dhe hytbet e tyre.
Ndërsa sa i përket rekomandimeve, do të veçojmë:
1) Të vazhdohet me trajtimin e hytbes nga aspekti profesional i saj, pasi mungojnë aspekte të pashtjelluara të saj. Janë përshkruar disa gjëra në vija të trasha se duhet të jenë kështu e ashtu por aspekti praktik i tyre se si vihet deri tek ato mungon. Kjo mund të bëhet me vazhdimin e një tradite të vjetër të organizimit të seminareve me imamë ku praktikisht do të shtjelloheshin këto tema.
2) Hytbeja të ngelë rubrikë e përhershme në revistë dhe këshilli redaktues të ngarkojë njërin prej anëtarëve që në vazhdimësi të përkujdeset për këtë rubrikë. Pra, të mos ngelë rubrikë vullnetare, sepse, siç është vënë re, ka pasur shkëputje jo vetëm të rubrikës si rubrikë, por edhe brenda ndonjë serie të caktuar vëren distancë të gjatë kohore të publikimit të temave, gjë që të bën të bindesh për mungesën e seriozitetit tek autorët.
3) T’i kushtohet rëndësi hytbeve për numra me temë të caktuar. Është vënë re mungesa e hytbes në numra të tillë edhe pse ka tema të tjera të shumta. Do të kishte qenë mirë, madje, që në numra të caktuar për Ramazanin dhe Haxhin të publikohen edhe hytbe nga arkiva që i shërbejnë imamëve për tërë muajin. Ashtu siç do të ishte mirë të publikoheshin edhe hytbe të manifestimeve për Fitër dhe Kurban Bajram. Kjo[47] është vënë re në një rast dhe besoj se do të ishte e dobishme që imamëve t’i ofrohej hytbeja paraprakisht. Kjo, po kështu mund të përzgjidhet nga arkiva e hytbeve zyrtare të BIK-së.
4) T’i kushtohet rëndësi aspektit teknik dhe artistik të hytbes, gjë kjo që ka qenë por është neglizhuar.
[1]. Shih: Sheisha’, Abdul Mun’im Subhi dhe Savi, Seid. (2008) Usul el-hatabe. Pv.b.: p.sh.b. f. 205.
[2]. Shih: Mahmud, Ali Abdul Halim. (1991) Fikhu-d-Da’ueti ila Allah. Ed. 3. Mensure: Dar el-uefa. Vëll: 1, f. 169.
[3]. Fjala është për artikullin “Hytbeja-domethënia dhe karakteristikat themelore” të Dr. Jusuf Ramiq, të publikuar në fillim të vitit 1991. Më shumë rreth këtij artikulli do të flasim në pikën që vijon.
[4]. Shih: nr. 22-23, v. 5, shkurt mars 1991, f. 37-39.
[5]. Hatabeja (ar. الخطابة), siç është definuar sipas Prof. Dr. Shelebiut, është arti i ligjërimit në përgjithësi. Shih: Shelebi, Abdul Xhelil Abduhu. (1987) El-Hatabetu ue i’dadu-l-Hatib. Ed. 3. Kajro: Dar esh-shuruk, f. 13.
[6]. Nr. 111-112, v. 14, shtator-tetor 1999, f. 30-34.
[7]. Shih: Nr. 269, v. 6, shtator 1991, f. 16-18.
[8]. Shih: Nr. 204-205, v. 21, korrik-gusht 2007, f. 28-29.
[9]. Shih: nr. 232, v. 24, nëntor 2009. F. 18-19.
[10]. Shih: nr. 291, viti 28, nëntor 2014, f. 33-35.
[11]. Autor edhe i këtij punimi.
[12]. Shih: ‘Roli i imamit në fshat’, Shefqet Qorolli, v.5, nr. 26, qershor 1991, f. 28-29; ‘Roli i imamit në ditët e sotme’, Bahri Curri, v.11, nr. 69, qershor 1995, f.20-21; ‘Roli dhe rëndësia e shtypit në ushtrimin e detyrës së imamit’, Miftar Ajdini, v.11, nr. 78, mars 1996, f. 45; ‘Personaliteti i thirrësit islam’, Sadik Mehmeti, v. 14, nr. 113-114, nëntor-dhjetor 1999, f. 27; ‘Detyra e imamit mision i shenjtë’, Sulejman Osmani, v.17, nr. 140, shkurt 2002, f. 46-48.; ‘Roli i imamit në ruajtjen e unitetit në xhematin e vet’, Qemajl Morina, v. 18, nr. 153 prill 2003, f. 45-46; ‘Thirrësi islam’, Bahri Simnica, v. 19, nr. 176-77, mars 2005, f. 6-18; ‘Përgatitja e Thirrësit islam’, Bahri Simnica, v. 19, nr. 178, maj 2005, f. 10-13; ‘Thirrësi duhet të ketë besim të thellë në Allahun’, Bahri Simnica, v. 19, nr. 179, qershor 2005, f. 11-13. Shkrime të Bahri Simnicës për thirrësin dhe të thirrurit shih edhe në numrat vijues: nr. 180-181, f. 8-11; nr.182, f. 22-24; nr. 185, f. 19-23; nr. 186-187, f. 6-9; nr. 188, f. 8-10; ‘Cilësitë që duhet t’i ketë një thirrës islam’, Mehdi Kastrati, v. 18, nr. 2007, mars 2007, f. 21-23., etj.
[13]. Disa prej hytbeve të viteve të numrave të hershëm të revistës Dituria Islame para: ‘Ndjenja që zgjon namazi’ nga Avni Aliu, nr. 2, v. 1, shtator 1986, f. 17-18.; ‘Namazi’, nga Avni Aliu, v. 2, nr. 4-5, janar-qershor, f. 31-32; ‘Shkaku dhe arsyeja që është bërë farz namazi’, nga Avni Aliu, v. 2, nr. 6, korrik-shtator 1987, f. 22-23.; ‘Rregullat islame rreth xhenazes’, nga Avni Aliu, v. 2, nr. 7, tetor-dhjetor 1987, f. 11-13; ‘Nata e Madhe e Kadrit’, nga Avni Aliu, v.4, nr.12, janar-mars 1989, f. 6-8; ‘Prindërit dhe fëmijët’ nga Ebu Nehar, v.4, nr. 13-14, prill-shtator 1989, f. 11-13; Hytbe nga Zekerija Bajrami (pa titull), nr. 22-23, v. 5, shkurt mars 1991, f. 40-41.; ‘Hytbeja e diturisë’, v. 5. Nr. 26, qershor 1991, f. 33, etj.
[14]. Përveç aspektit tematik të ngjashëm, fakt tjetër që më ka bërë të bindem për këtë dhe të cilin e kam hasur nëpërmjet vëzhgimit të temave, është edhe ky i kësaj rubrike. Që nga numrat e parë, autori i kësaj rubrike Avni Aliu [rahmet pastë], ishte pothuajse autor i rregullt i hytbeve. Më vonë, duke filluar nga numri 18 i vitit të pestë të revistës, ai merr këtë rubrikë, duke bërë që rubrika e hytbeve të mungojë. Shih: ‘Dini islam – formulë jete’, v. 5, nr. 18, tetor 1990, f. 3-4; ‘Njeriu dhe personaliteti i tij në Islam’, v. 5, nr. 19, nëntor 1990, f. 25-27; ‘Islami dhe përgjegjësia’, v.5, nr. 20, dhjetor 1990, f. 28-30, etj. Rubrika ka vazhduar edhe në numra tjerë me autorë tjerë. Shih temën: ‘Rruga e qëlluar dhe rruga e gabuar’, nga Sherif Ahmeti, v. 5, nr. 22-23, mars 1991, f. 10-13. Në këtë numër, për hir të korrektësisë, figuron një hytbe nga Zekerija Bajrami, sikur që në numra tjerë, krahas kësaj rubrike mund të gjesh edhe rubrikën e hytbeve.
[15]. Shih temat: ‘Vlera e duasë’, nr. 210, v. 21, janar 2008, f. 24-26; ‘Burimet e forcës tek besimtari’ nr. 210, v. 21, janar 2008, f. 27-29; ‘Adhurimi’, nr. 213, v. 21, maj 2008, f. 20-21;
[16]. Shih mesazhin e Jetish Bajramit, (ish) kryetar i BI-së, nr. 15-16, viti 5, korrik 1990, f. 6-7.
[17]. Shih temat: ‘Morali islam bazament për ngritjen e civilizimit njerëzor’, v. 21, nr. 212, mars 2008, f. 24-26; ‘Përgojimi, ves i keq’, nr. 291, viti 28, nëntor 2014, f. 22-24.; ‘Raporti i njeriut ndaj Krijuesit’, nr. 210, v. 21, janar 2008, f. 33-34.
[18]. Shih temën: ‘Morali fetar – bazë për ekzistencën e shoqërisë njerëzore’ nr. 100, v. 13, shkurt 1998, f. 39-41.; ‘Të rinjtë dhe feja’, nr. 52, viti 9, tetor 1993, f. 10-11.
[19]. Shih temën: ‘Përfitimi i moralit’, nr. 307, v. 29, prill 2016, f. 27-29.
[20]. Shih temën: ‘Modestia’, viti 21, nr. 212, mars 2008, f. 31-33; ‘Përkujtimi i Allahut’, nr. 269, v. 26, dhjetor 2012, f. 25-26; ‘Vlera e punës në fenë islame’, v. 24, nr. 227, qershor 2009, f. 28-30.
[21]. Shih temën: ‘Pasojat e mosrespektimit të prindërve’, v. 26, nr. 165-166, gusht-shtator 2012, f. 38-41.
[22]. Shih temën: ‘Besimi të bën të moralshëm’, nr. 129-130, v. 16, mars-prill 2001, f. 29.
[23]. Shih temën: ‘Kur’ani dhe ne – sa i ngjasojmë atij?’, v. 21, nr. 218, nëntor 2008, f. 23-25.; ‘Pse janë të prapambetur muslimanët?’, v. 21, nr. 212, mars 2008, f. 27-30.; ‘Respektojmë kufijtë e Allahut’, v. 24, nr. 227, qershor 2009, f. 36-37.; ‘Qëndrimi islam karshi terrorizmit’, nr. 210, v. 21, janar 2008, 30-32;
[24]. Shih temën: ‘Pse vonohet ndihma e Allahut?’, v. 24, nr. 227, qershor 2009, f. 42-43.; ‘Të drejtat dhe pozita e femrës në Islam’, v. 21, nr. 211, shkurt 2008, f. 44-45.; ‘Sistemi moral i Islamit’, v. 5, nr. 25, maj 1991, f. 14-16.
[25]. Shih temën: ‘Myslimani në kohë dhe margjinalizimi eventual i sistemit hyjnor’, nr. 186-187, viti 20, janar-shkurt, 2006, f. 13-17
[26]. Shih temën: ‘Frika nga Allahu Fuqiplotë’, nr. 307, v. 29, prill 2016, f. 19-21.
[27]. Shih temën: ‘Dita e Ashurasë’, nr. 210, v. 21, janar 2008, f. 19-23.
[28]. P.sh. nr. 186-187, viti 20, janar-shkurt, 2006, ka këto tema në këto rubrika që lirisht mund të përdoren me pak modifikime si hytbe: edukatë: ‘Xhamia dhe mesazhi i saj’, f. 10-12; reflektim: ‘Myslimani në kohë dhe margjinalizimi eventual i sistemit hyjnor’, f. 13-17; edukatë: ‘Islami fton për bashkëpunim dhe mirëkuptim’, f. 18; qasje: ‘Viti i ri mysliman ofron mundësi për pendim’, f. 19-20; ahlak: ‘Mendjemadhësia’, f. 21-22; ahlak: ‘Normat dhe vlerat në Islam’, f. 23-26; ahlak: ‘Mesazhi islam – fe për të gjithë’ f. 47-50.
[29]. Shih nr. 15-16, viti 5, korrik 1990, f. 6-7.
[30]. Për këtë do të flasim në pjesën që kemi rezervuar për kritikë.
[31]. Shih nr. 15-16, viti 5, korrik 1990, f. 5-6.
[32]. Shih hytbeja e Fitër Bajramit nga Imam Vehbi Ismaili, imam në Amerikë, nr. 36, viti 6, prill 1992, f. 5-6.
[33]. Shih sa për ilustrim: ‘Muhammedi alejhiselam – lindja dhe jeta e tij’, v. 14, nr. 119-120, mars-qershor 2000, f. 21-24.; ‘Hixhreti – shpërngulja e Muhammedit alejhiselam’, v. 19, nr. 174-175, janar-shkurt 2005, f. 14-17.; ‘Hytbeja e të drejtave të punëtorëve’, v.21, nr. 213, maj 2008, f. 25-27.; ‘Madhështia e ezanit’ nr. 235, v. 25, shkurt 2010, f. 28-30. ‘Qëndrimi i besimtarit karshi fatkeqësive natyrore’, nr. 269, v. 26, dhjetor 2012, f. 27-28.
[34]. Si shembuj do të veçoja këto dy hytbe: ‘Prindërit dhe fëmijët’, v. 4, nr. 13-14, prill-shtator 1989, f. 11-13.; ‘Meritat e muajit Ramazan’, Dr. JusufKardavi, v. 20, nr. 194, shtator 2006, f. 16-19.
[35]. Shih hytbet në: nr. 2, v. 1, shtator 1986, f 17-18.; v. 2, nr. 4-5, janar-qershor, f. 31-32; v. 2, nr. 6, korrik-shtator 1987, f. 22-23.
[36]. Shih hytbet në numrat: v. 16, nr. 127-128, janar-shkurt 2001, f. 17-20.; v. 16, nr. 132, qershor 2001, f. 20-22.; v. 16, nr. 138, dhjetor 2001, f. 14-16.; v. 17, nr. 140, shkurt 2002, f. 14-18.; v. 18. nr. 150, janar 2003, f. 40-42.; v. 18, nr. 163, shkurt 2004, f. 23-25.; v. 18, nr. 165, prill 2004, f. 15-18.; v. 18, nr. 170-171, shtator-tetor 2004.;v. 18, nr. 172, nëntor 2004, f. 15-18.; v. 18, nr. 173, dhjetor 2004, f. 16-19.; v. 19, nr. 176-177, mars 2005, f. 19-21.; v. 19, nr. 178, maj 2005, f. 14-17.; v. 19, nr. 185, dhjetor 2005, f. 24-27.‘ v. 20, nr. 190, maj 2006, f. 13-15.; v. 19, nr. 201, prill 2007, f. 18-21.
[37]. Shih numrat: nr. 236, v. 25, mars 2010, f. 20-21; nr. 238, v. 25, maj 2010, f. 17-18.; nr. 239, v. 25, qershor 2010, f. 16-18.; nr. 242, v. 25, shtator 2010, f. 21-22; nr. 243, v. 25, tetor 2010, f. 16-18; nr. 245, v. 25, dhjetor 2010, f. 18-20; nr. 246, v. 25, janar 2011, f. 20-22.; nr. 247, v. 25, shkurt 2011, f. 17-19.; nr. 250, v. 25, maj 2011; nr. 251-252, v. 25, qershor-korrik 2011, f. 9-11; nr. 255, v. 25, tetor 2011, f. 15-17.
[38]. Shih numrat: nr. 253, v. 25, gusht 2011, f. 25-27. ‘nr. 257, v. 25, dhjetor 2011, f. 15-16.; nr. 258, v. 25, janar 2012, f. 24-26; nr. 260, v. 25, mars 2012, f. 17-19.; nr. 263, v. 25, qershor 2012. F. 25-27.; nr. 265-266, v. 26, gusht-shtator 2012, f. 20-22; nr. 267, v. 26, tetor 2012; f. 32-33.; nr. 268, v. 26, nëntor 2012, f. 20-21.
[39]. Janë botuar vetëm dy tema nga kjo seri: ‘Besimtari sikur qitro’, nr. 284, viti 27, mars 2014, f. 34-37.; ‘Besimtari sikur njeriu i gjallë’, nr. 286, viti 27, maj 2014, f. 36-37.
[40]. Shih hytbet: ‘Alkooli, e keqe e madhe në jetën e përditshme’, v. 21, nr. 218, nëntor 2008, f. 26-27.; ‘Pasojat e devijimit moral’, nr. 270, v. 26, janar 2013, f. 20-22.; ‘Padrejtësia ndaj njerëzve- kjo vepër e shëmtuar’, nr. 271, v. 26, shkurt 2013, f. 16-18.; ‘Rëndësia e fitimit hallall të pasurisë’, nr. 272, v. 26, mars 2013, f. 17-18.; ‘Turpi dhe rëndësia e tij në jetën e besimtarit’, nr. 273, v. 26, prill 2013, f. 19-20.; ‘Falënderimi për mirësitë’, nr. 274, v. 26, maj 2013, f. 24-26.; ‘Paragjykimet rreth Islamit’, nr. 277-278, v. 27, gusht-shtator 2013, f. 19-21; ‘Reflektime të përqendrimit në fe në jetën e besimtarit’, nr. 280, v. 27, nëntor 201, f. 22-23.; ‘Sprovat e kohës së fundit’, nr. 281, v. 27, dhjetor 2013, f. 13-14.; ‘Përse adhurimi në kohë krizash është zgjidhja më e mirë?’ nr. 296, viti 28, prill 2015, f. 28-30.; ‘Hytbeja e Pejgamberit alejhiselam’, v. 19, nr. 179, qershor 2005, f. 16-17, etj.
[41]. Si shembuj shih hytbet në numrat: nr. 129-130, mars-prill 2001, f. 64-65; nr. 160-161, nëntor-dhjetor 2003, f. 65; nr. 207, v. 21, tetor 2007, f. 50.; v. 16, nr. 243, v. 25, tetor 2010, f. 48; nr. 257, v. 25, dhjetor 2011, f. 52; nr. 268, v. 26, nëntor 2012, f. 49-50.; v. 18, nr. 257, v. 25, dhjetor 2011, f. 52.
[42]. Shih hytben: ‘Frika nga zjarri i Xhehennemit’, e cila është në kuadër të serisë ‘Robërit e sinqertë të Allahut’, nr. 242, v. 25, shtator 2010, f. 21-22.
[43]. P.sh. nr. 115-116, v. 14, janar-shkurt 2000, është për Haxhin dhe në të ka një hytbe për Haxhin. Numri 148, viti 17, tetor 2002, i është kushtuar ramazanit dhe aty ka një hytbe për agjërimin.
[44]. P.sh. numri 222, v. 22, janar 2009, është për Hixhretin ndërsa nuk ka hytbe; nr. 256, v. 25, nëntor 2011, është për Haxhin, hytbe nuk ka; nr. 276, v. 27, korrik 2013, nuk ka hytbe ndërsa tema është për Ramazan, etj.
[45]. P.sh. nr. 264 ka qenë numër për ramazan, në numrin para tij ka hytbe, sikur që edhe në numrin pas tij.
[46]. P.sh. numri 296, (vitit 28, prill 2015) i cili i është kushtuar Israsë dhe Miraxhit ndërsa nuk ka hytbe për Isranë por për adhurimin ( f. 28-30), i cili ka vetëm lidhje indirekte me temën e numrit.
[47]. Shih nr. 125, v. 15, nëntor 2000, f. 18.
Oct 23, 2017 0
Jun 28, 2017 0
Jan 31, 2017 0
Mar 21, 2016 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...