Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Dec 26, 2018 Zani i Nalte Abstraktet 0
01- MENDIME
Rexhep Vokë – Tetova, Myfti i Manastirit me parathënie nga Akademik Feti Mehdiu, Kosovë
Abstrakt
Libri “Mendime” është i shkruar në gjuhën shqipe me alfabetin osman. Edhe Voka, si disa autorë të tjerë shqiptarë, të cilët veprat e tyre i shkruan në gjuhët orientale, në radhë të parë në gjuhën turke, perse dhe arabe, e shkroi këtë vepër në prozë të rimuar. Padyshim për këtë formë ndikim të madh kanë letërsitë orientale. Këtu nuk do ndalemi në analizë të hollësishme, sepse nuk është ky qëllimi ynë, por vetëm dëshirojmë që vepra e Rexhep Vokës t’u ofrohet për lexim të gjithë atyre që merren me studimin e problemeve të historisë së kulturës sonë kombëtare. Vetëm në këtë mënyrë, pasi deri tani kjo vepër, në formën e saj, nuk ishte e afërt për masën e gjerë të studiuesve, mendojmë se krijohen mundësitë që një vepër të çmohet realisht. Kuptohet, duke e peshuar atë me peshoren e kohës së vet dhe rrethanat në të cilat lindi kjo vepër.
02- Hafiz Ali Kraja, “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”
Xhorxhina Seferi, Kolegji Universitar Bedër
Abstrakt
Hafiz Ali Kraja njihet si një nga personalitetet e shquara të botës shqiptare. Ai ishte mjaft i ditur dhe kishte një formim jo vetëm teologjik, por edhe si intelektual erudit. Kontribuoi në predikimin e fesë në raport me nevojat dhe problematikat e kohës. Ndihmoi në përhapjen e diturisë, në mbrojtjen e atdheut e në interes të çështjes kombëtare. Oratoria dhe atdhedashuria që ai kishte, bëri që fjalimet e tij të kishin mjaft ndikim në popull. Hafiz Ali Kraja i ka dhënë shumë rëndësi bashkimit kombëtar, duke shpjeguar se feja nuk është pengesë për unitetin kombëtar. Ai thekson se njeriu ka nevojë për fe në pikëpamjen shpirtërore, morale, juridike e shoqërore. Hafizi i ka dhënë një rëndësi mjaft të madhe moralit, duke thënë se baza e moralit duhet të jetë feja. Rëndësi të veçantë i ka dhënë edhe shpjegimit të Islamit në raport me fanatizmin, ateizmin dhe laicizmin. Gjithashtu ka shkruar për qytetërimin e vjetër, i cili nuk mund të ndahet prej fesë dhe ka trajtuar problematikat e botës pas luftës së përgjithshme. Çështjet e trajtuara i shpjegon me versete nga Kur’ani Famëlartë dhe hadithe të Profetit Muhamed a.s.
03- “Ligjërimi që u bë gurkyç i fetarisë”
Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, Kolegji Universitar Bedër
Abstrakt
Ecuria e shoqërisë shqiptare nga periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe këtej është shoqëruar me pasurimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që nga ana e vet i ka ndihur zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare në jo vetëm një aspekt. Mendimi kritik, i plotësuar nga metafizika hegeliane, i ndihmoi prijësit fetarë shqiptarë të përdornin ligjërimin e hollë libror, si stil, i cili në fillimet e veta u përdor nëpërmjet botimeve për të grishur mirëkuptimin kombëtar dhe i shoqëruar me butësi, për të cilën kishte aq fort nevojë. Ky lloj ligjërimi, që mbante gjallë shpresën dhe besimin për të ardhmen, duke iu qasur racionalitetit që pengon vendimet emocionale, grishi durimin e të gjithëve që punuan për vëllazërimin kombëtar, si një hap më tej në udhën e krijimit të ndërgjegjes kombëtare dhe në mbrojtjen e identitetit shqiptar. Filozofia e butësisë e durimit, fjalori gjegjës, fryma e ngjizur dhe konteksti i përdorimit të tij, flet për efikasitetin e stilit të komunikimit dhe nga ana tjetër, për begatimin shpirtëror të shqipfolësve, që arritën nëpërmjet tij të kompozonin ndërgjegjen kombëtare dhe jo pak ndikime të tjera prej këtij lloji komunikimi gjuhësor, i cili rezultoi shumë i suksesshëm. Ligjërimi i hollë libror u bë model dhe pasuroi edhe ligjërimin bisedor, duke arritur të dobësojë klaustrofobinë, që sëmurte masivisht te ne, duke i hapur udhë filoksenisë, si çelës për integrimet e pritshme.
Hulumtimet e imta, përqasjet mes tyre dhe analizat e gjetjeve do të plotësohen mes modeleve që e dokumentojnë risinë, të cilin e solli ligjërimi që iu bë krah formimit të qytetarit shqiptar dhe nga ana tjetër përsosi vetveten.
Të armatosur me këtë lloj mendësie dhe me ato mjete gjuhësore që duheshin, ligjërimi i hollë libror iu bë krah emigrantëve shqiptarë edhe në vendet ku jetuan, duke u shërbyer edhe aty në dobi të çështjes kombëtare.
Fjalë kyçe: vëllazërim, predikonjës, mendësi, klaustrofobi, këshillues, filokseni, mirëkuptim
04- “Medresetë e Shkodrës” (nga fillimet deri në vitin 1947)
Prof. dr. Njazi Kazazi, Departamenti i Gjuhësisë, Universiteti i Shkodrës “L. Gurakuqi”
Abstrakt
Për të ndriçuar sadopak punën e mësuesve dhe të nxënësve të medreseve të Shkodrës, ndihmesën që kanë dhënë ato në çështje kombëtare dhe në edukimin e breznive të reja, u ndërmor ky studim me dëshirën për të vënë në vend atë që është mohuar për gjysmë shekulli, për të zënë edhe ato vendin që u takon në historinë e arsimit shqiptar, këtë të drejtë të ligjshme që ua japin ditët e bardha të demokracisë që erdhën te ne. Por, ashtu si për një poet tonin të njohur, edhe për ne “…demokracia nuk është një makinë elektronike llogaritëse për të gërmuar në koleksionet e gazetave dhe të revistave gjysmëshekullore dhe për të numëruar fjalitë dhe frazat e botuara nga njëri apo tjetri dhe për t’i përdorur si argumente akuzimi”.
05– Mevlana Xhelaluddin Rumi, simbol i dashurisë (II)
Msc. Dorian Demetja, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
Abstrakt
Në vitin 1244, Mevlana takohet me Shemsin, një dervish endacak, me sjellje të habitshme. Ky takim ua ndryshoi të dyve jetën. Në të njëjtën kohë, shënoi fillimin e një miqësie të fortë e të veçantë, të cilën, sufistët e shekujve të vonë, e shihnin si bashkimin e dy oqeaneve. Pas takimit me këtë mik të jashtëzakonshëm, Mevlana u shndërrua nga një dijetar me famë në një mistik të përkushtuar, poet plot pasion dhe në një simbol të dashurisë. Mund të thuhet se kjo ishte arsyeja që Shemsi e ndau Mevlanën nga të gjithë shokët dhe ndjekësit e tij. Kjo do të thotë se deshi t’i mësonte atij një qasje të re të dashurisë, me të cilën pasurohet jeta mistike spirituale. U kuptua gjithashtu, se ky ishte edhe shkaku që Mevlana sakrifikoi gjithë miqtë dhe veten e tij, duke qëndruar i vetmuar bashkë me të, deri sa e asimiloi mirë këtë dritë të vërtetë të misticizmit spiritual. Një gjë e tillë ishte një dhuratë e madhe prej Zotit, të cilën nuk ishin në gjendje ta çmonin besimtarët e thjeshtë, përveç atyre që ishin të asaj rruge.
06– Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës (1859-1909) III, Syrja bej Vlora, editor Dr. Hasan Bello, Instituti i Historisë, QSA
Abstrakt
Libri i Syrja bej Vlorës “Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës (1859-1909)” është një punim enciklopedik me vlera të padiskutueshme për historiografinë shqiptare. Kjo për faktin se: e para, përbën përpjekjen e parë në këtë drejtim, në një kohë kur institucionet tona shkencore nuk ishin themeluar ende, e dyta, informacioni që ofrohet për disa personalitete historike përbën një risi.
Në një shënim të faqes një të dorëshkrimit shqip të këtyre biografive, përkthyesi Jonuz Tafilaj shkruan se ato janë përgatitur si aneks i veprës së Syrja bej Vlorës të përkthyer më parë nga Ali Asllani. Megjithatë, për nga volumi i tyre, këto biografi përbëjnë një libër më vete. Prandaj, duke pasur parasysh se ato nuk janë integruar më parë në asnjë version të librit tashmë të botuar të Syrja bej Vlorës, e sjellim për botim për herë të parë në revistën shkencore “Zani i Naltë”.
Ky dorëshkrim është shkruar në gjuhën osmane dhe, së bashku me përkthimin në gjuhën shqipe, gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit-Tiranë. Ai ka 78 faqe në osmanisht dhe 120 faqe në gjuhën shqipe, të cilat janë përkthyer nga orientalisti Jonuz Tafilaj. Në inventarin e hartuar nga përgjegjësi i sektorit të dorëshkrimeve osmane në arkivin historik, orientalisti Haki Sharofi, shkruhet data e marrjes në dorëzim të këtij përkthimi (26 qershor 1963). Ndërsa për kohën se kur është shkruar nga Syrja bej Vlora, ende nuk kemi asnjë të dhënë.
Megjithëse ky përkthim në dorëshkrim është në dialektin verior dhe përmbante një sasi të konsiderueshme gabimesh, ne jemi përpjekur që të ndërhyjmë vetëm aty ku ishte domosdoshmërisht e nevojshme. Kjo, sepse dialektet, së bashku me përkthimet e realizuara në një periudhë të caktuar, janë një pasuri e jashtëzakonshme dhe mbajnë vulën e kohës.
Në libër jepen të dhëna mbi personalitetet më të shquar të Shqipërisë së Jugut, e cila, nga pikëpamja administrative, në këtë periudhë, përfshihej në Vilajetin e Janinës. Aty flitet shkurtimisht, e ndonjëherë edhe më gjatë, për formimin, rolin dhe kontributin e emrave të njohur të botës shqiptare. Madje, nuk mungojnë edhe detaje, të cilat, duke pasur parasysh se janë shkruar si pjesë integrale e një libri me kujtime, nuk gjenden në asnjë libër tjetër. Kjo e pasuron dhe e bën më të bukur për lexuesin, por edhe më të vlefshëm si burim historiografik për studiuesit.
Pavarësisht nivelit të përkthimit dhe gabimeve, botimi i këtij libri pjesë-pjesë te “Zani i Naltë” mendojmë se është i nevojshëm. Kjo si homazh për autorin e harruar dhe anatemuar padrejtësisht, për përkthyesin e nderuar, orientalistin Jonuz Tafilaj dhe, në fund, për historiografinë dhe memorialistikën shqiptare.
Dr. Hasan Bello
07- Recensë mbi librin “Tarikati Halveti te Shqiptarët” të studiuesit Dr. Alban Dobruna
Dr. Ilirjana Kaceli, Kolegji Universitar Bedër
Abstrakt
Gjatë periudhës postkomuniste në historiografinë shqiptare hynë një sërë studimesh të reja veçanërisht në fushën historike, por edhe fetare bazuar mbi dokumente arkivore dhe burime autentike. Në fushën e religjioneve historiografisë shqiptare i ka munguar një studim i mirëfilltë për sufizmin dhe tarikatet islame. Monografia që ne po trajtojmë është hartuar për njërin prej këtyre tarikateve islame, atë Halveti te shqiptarët. Studiuesi Alban Dobruna vjen para lexuesit me fakte dhe vlerësime të reja, si nga pikëpamja shkencore, duke hedhur dritë faktorët historikë, socialë dhe kulturorë, që ndikuan në zhvillimin dhe përhapjen e veprimtarisë së këtij tarikati, që nga themelimi, deri në ditët tona. Në këtë vepër autori për herë të parë e pajis lexuesin me një këndvështrim tjetër nga ajo çfarë jemi mësuar të lexojmë deri më tani për historinë e religjioneve. Nëpërmjet të dhënave dhe burimeve arkivore ndriçohemi më thellë, nga analiza e tyre, puna e kryer nga vetë autori, si hartues i veprës tregon që përpilimi i saj kërkonte njohuri të thella për historiografinë shqiptare në përgjithësi dhe veçanërisht historinë e çështjeve fetare te shqiptarët. Kontributi i krerëve Halveti në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në formimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar, sjell përpjekjet e të gjithë shqiptarëve pa dallim feje në lëvizjen për autonomi dhe pavarësi në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, si dhe kontributin e tyre në përmirësimin e gjendjes sociale të shqiptarëve.
08- Salih efendi Myftia (1891-1978), Myfti i Zonës Shkodër dhe Kosovë (Gjakovë), Prijës i shqiptarëve myslimanë në SHBA
Abstrakt
Salih Efendi Myftia lindi më 1891 në Shkodër, në një mjedis familjar, intelektual, fetar dhe shoqëror të shquar. Mësimet e para i mori në Medresenë e Shkodrës e më pas i plotësoi në Vlorë, tek intelektuali dhe teologu i mirënjohur, Haxhi Vehbi Dibra, myfti i atij qyteti në atë kohë, duke treguar një përkushtim të veçantë ndaj diturisë fetare. Që në moshë të re zotëronte mirë gjuhët orientale: arabishten, persishten dhe turqishten. Shpejt ai fitoi simpatinë e banorëve të vendlindjes së tij dhe me sjelljen e përkushtimin në punë lartëson figurën prej prijësi fetar të shquar. Një kujdes të veçantë tregon për pasurimin e bibliotekës së familjes, që e kishte trashëguar nga paraardhësit. Për këtë bibliotekë është shkruar në mjaft organe shtypi, por mund të theksohet se ajo ishte ndër më të vjetrat e më të kompletuarat me vepra fetare, filozofike dhe të shumë degëve të tjera të shkencave, ku Salih Efendiu studionte e plotësonte formimin e tij kulturor e fetar. Për fat të keq, kjo bibliotekë 300 vjeçare është zhdukur plotësisht nga vala e shkatërrimeve dhe përndjekjeve politike ateiste.
09– Nisjativa te reja për bashkëpunim midis feve II
Abstrakt
Mbassi shoknimi universal âsht nji qëllim i dëshëruar, njerzit e fés duhet t’i drejtojnë forcat e tyne drejt zhvillimit të këtij shoknimi e të përmblidhen rreth realizimit të tij me seriozitet e besim të plotë. Ky seriozitet duhet t’i drejtohet vetëdijes fetare, për të cilën kemi folë ma sipër edhe të përfitojë nga influenca e fuqishme qi kjo vetëdije i bâ n shpirtit të besnikëve e nga gjanësija e qëllimit të saj si edhe nga instinkti qi ka skalitë natyra në shpirt të njeriut. Këtu duhet me e fillue zhvillimin e shkoknimit universal.
Plotsimi i këtij qellimi të madh për vëllaznin universale e zhvillimin e saj mund të kryeht me anë të vetëdijes fetare të të gjitha feve dhe nëpër mjet të virtytit praktik e të parimeve të mira shoqnore qi gjinden në çdo fé.
Në të gjitha fét gjinden principe hyjnore qi shërbejnë për të mirën dhe dobín e njerzís e me ketë mënyrë çdo fetar duhet të jetë nji organ i dobishëm për shoqní.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...