Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 28, 2018 Zani i Nalte Studime 0
nga Ilir Akshija, M.D., M.Sc.
Abstrakt
Komshiu im i krishterë! Kjo shprehje mund të ketë qenë diçka jo e zakonshme për shumicën e myslimanëve për shekuj të tërë. Homogjeniteti brenda krahinave ka qenë i zakonshëm, madje edhe brenda të ashtuquajturave mëhalla në sistemin osman të mileteve, ndërkohë, që vija gjeografike e ndarjes së Islamit me Krishterimin ka qenë e lëvizshme dhe shpeshherë një front i vërtetë lufte. Në një situatë të tillë, ndërveprimi në nivel individual i myslimanëve me të krishterët ka qenë, deri diku, i kufizuar. Rritja e mundësive dhe shpejtësisë në komunikacion, së bashku me paqen relative të disa dekadave pas Luftës së Dytë Botërore ka sjellë lehtësimin e tejkalimit të distancave të largëta dhe rritjen e numrit të kontakteve ndërmjet banorëve të të gjithë planetit. Myslimani dhe i krishteri jetojnë dhe punojnë në të njëjtin ambient, dhe në hapësirën kibernetike ky fenomen është i paprecedent në histori. Diferenca e zgjedhjes së përkatësisë fetare në një ambient të qytetëruar është e pamundur të neglizhohet, ndërkohë që situatat globale nuk janë të qeta. Respektimi i besimeve reciproke kërkon minimalisht njohje reciproke dhe gjithashtu duhet të dihen disa kufij, që duhen respektuar patjetër dhe kufij të tjerë, që janë subjekt diskutimi të vazhdueshëm. Diskutimet ndërfetare janë në njëfarë mënyre domosdoshmëri, sepse mbyllja në vete dhe ekzistenca paralele pa komunikim mund të çojë në keqkuptime, që do të zgjidheshin menjëherë nëpërmjet njohjes së tjetrit. Ky diskutim është aktual në nivel global, në nivel liderësh fetarë dhe patjetër në nivel individual në përditshmërinë tonë.
Fjalë kyçe:
Mysliman, i krishterë, bashkëjetesë, tolerancë, njohje, kufij.
Skenari i parë, është skenari i luftës dhe përpjekja për t’i nënshtruar. Gjatë zbatimit të këtij plani mund ta humbasim luftën dhe të nënshtrohemi, por ne nuk e kemi problem, sepse qëllimet tona janë aq të larta, saqë rënia dëshmor ose fitorja janë alternativat e mundshme.
Skenari i dytë, është skenari i bindjes. Ne nuk kemi nevojë për luftë. Bota ka arritur në një stad të tillë civilizimi, që lufta duhet tejkaluar. Arma jonë madhështore është bindja sepse edhe argumentet tona janë hyjnore dhe ne jemi njerëzit e duhur për t’i transmetuar.
Këta mund të jenë dy skenarë ekstremë, që mund të imagjinohen në përballjen e myslimanëve me fqinjët e tyre të krishterë. Të dy janë skenarë të padrejtë dhe utopikë, pavarësisht se ka njerëz, që flasin për to në formën e tyre të pastër, nuk mendoj se i besojnë plotësisht. Skenari i parë zgjedh luftën si të vetmen mundësi për të transmetuar të vërtetën, një metodë kjo krejt e ndryshme me atë të Profetit Muhamed (a.s.) dhe e dyta është utopike e madje mendjemadhe, sepse udhëzimi nuk varet nga thirrësi, por nga Allahu (xh.sh.), ndërkohë që gjërat nuk mund të jenë më mirë edhe se në kohën e Profetit (a.s.).
Por para se t’i drejtohemi të tjerëve për t’i këshilluar, a mund të gjykojmë për dobësitë e myslimanëve të sotëm? Injoranca, varfëria dhe përçarja, janë tre armiq të supozuar dhe këto, jo vetëm për myslimanët.[1] Këto tre tema në Islam janë të mirënjohura. Lufta kundër varfërisë ekstreme është një nga rekomandimet bazë të Islamit dhe madje shikohet edhe si rrezik potencial për kufër. Ndërkohë që, lufta e Islamit me injorancën është totale, madje duke e quajtur periudhë të injorancës kohën para shpalljes së Kur’anit. Gjithashtu rreziku i përçarjes së Ymetit të Muhamedit (a.s.) ka qenë i pranishëm, që në shekujt e parë të Islamit, duke nxjerrë si imperativë të përhershme dallimin e interpretimeve serioze dhe të dobishme nga ato të rrezikshme dhe qëllimkëqija.
Po e filloj nga e treta. Atëherë, le të fillojmë numërimin e përçarjeve brenda rrezes së Islamit vetëm në Shqipëri. Përcaktimet nga grupe të ndryshme fillojnë nga ndarja syni dhe shia, sipas medhhebeve, në grupacione sipas tarikateve, selefistë, vehabistë, pro shteteve të caktuara, pro personave të caktuar, pro filozofive të caktuara dhe plot pro të tjera. I rreshtova në mënyrë të rastësishme, si më erdhën në mend, pa i përmendur të gjithë dhe pa i klasifikuar sipas vendosjes në spektrin e veprimit dhe mendimit, jo nga pamundësia, por që të mos i jap mundësi as vetes të paragjykoj në mënyrë të organizuar. Aspekti tjetër është injoranca, e cila nuk është e matshme, por di të them që në Tiranë, ka jo më shumë se dy librari me literaturë fetare për publikun. Nuk mund të them për konsumin e literaturës fetare dhe informacionit, që njerëzit marrin, sepse ka burime të tjera si literatura e shkollave dhe shkarkimet nga interneti. Gjithashtu ka një mori videosh nga 3-10 minuta në YouTube. Gjithsesi, fakti që ka kaq pak librari në një prefekturë me rreth 750.000 banorë si Tirana është një tregues serioz, sidomos po të merret guximi të krahasohet me numrin e personave, që janë praktikantë të rregullt të Islamit. Meqenëse për të përshkruar injorancën dhe përçarjen zgjodha Shqipërinë, pavarësisht se, as nuk mund të vlerësohet në pak rreshta dhe as nuk kam të drejtë të drejtoj gishtin, e njëjta situatë duket se është gjithandej. Më tepër qëllimi është te marrja e guximit për t’i pranuar si dobësi në një kohë, që do të vendosesh përballë perëndimit të shkolluar dhe deri diku të bashkuar.
Disa prej diversiteteve brenda Islamit janë pasuri, ndërkohë që disa të tjera janë përçarje e pastër e ndodhur nga padija, ose e instaluar me qëllim të keq, por prapë në një ambient ku mbizotëron padija. Një gjë është të akuzosh myslimanët për dështimin e tyre dhe një gjë krejt tjetër është të përpiqesh të identifikosh zërat përçarës, që zgjedhin injorancën si kontingjentin më të mirë në të cilin mbështeten për të mbytur, shpesh jo vetëm në mënyrë figurative, zërat e së vërtetës brenda këtij komuniteti. Prandaj e quaj të arsyeshme të bëj këtë dallim me rëndësi. Këto fatkeqësi potencialisht mund t’i prekin.
Ndërkohë që po të kalojmë tek aspekti ekonomik, disa të dhëna do të flisnin më së miri. Po të shikojmë popullatën myslimane në botë nuk mund të zbulohet lehtë situata e tyre ekonomike. Zakonisht mediat e përqendrojnë vëmendjen e tyre në zonat me evenimente, që të tërheqin vëmendjen e publikut dhe rrisin shikueshmërinë dhe aty ku paguhen të fokusohen. Mbretëria e Arabisë Saudite, si vend ku ndodhet Meka dhe Medina, është gjithmonë në fokus të informacioneve, pa harruar pasuritë e saja natyrore dhe gjeopolitikën. Por ky vend ka vetëm disa milionë banorë dhe pavarësisht rëndësisë së padiskutueshme, për nga popullata nuk krahasohet me vende të tilla si Bangladeshi ku jetojnë 147,4 milionë myslimanë. Por sa është raporti i informacionit, që marrim zakonisht për të gjithë këta njerëz në raport me bombardimin e përditshëm me fotot e mrekullueshme të Dubait, Emiratet e Bashkuara Arabe?! Pothuajse nuk merret asnjë informacion. Pak rëndësi ka në diskutimin tonë arsyeja e këtij disproporcioni në informim, rëndësi ka që një grumbull kaq i madh myslimanësh jetojnë në një vend ku GNI (per capita) është 780 USD në vit dhe ka një normë alfabetizimi tek të rriturit prej 56.8%.
Tabela në vazhdim dhe paraqitjet grafike bëjnë një përmbledhje të disa të dhënave për 10 vendet me popullsi më të madhe myslimane në botë dhe krahasohet vetëm një indikator ekonomik, GNI (gross national income) per capita 2011, me 10 vende të tjera ku janë futur të gjithë anëtarët e G8-s dhe Spanja me Izraelin. Janë zgjedhur këto vite për të dhënat për arsye se referencat janë më të mirat ndërkohë, që të tjerat janë zakonisht projeksione. Nga paraqitja grafike është përjashtuar India për arsye se numri shumë i lartë i popullsisë i zhvendos vendet e tjera, duke humbur qartësinë e paraqitjes grafike.
Pas një vështrimi brenda vetes, duke u bazuar në konkluzionin fillestar të konsiderimit të fatkeqësive, që kanë kapluar popullatën myslimane në botë, mund të marrim guximin të analizojmë marrëdhëniet me fqinjët tanë ‘ehli kitabë’ apo ithtarë të librit.
Tab. 1 Vendet me numrin më të madh të myslimanëve dhe një krahasim i GNI dhe normës së alfabetizimit me 10 vende të zhvilluara.
Vendi | Popullata (në milionë)[2] | GNI (per capita ($) 2011) – Atlas method*[3] | Norma e alfabetizmit tek të rriturit (2010)[4] |
Indonezi | 205,3 | 2,940 | 92.6 |
Pakistan | 178,2 | 1,120 | 54.9 |
Indi | 163,2 | 1,420 | 62.8 |
Bangladesh | 147,4 | 780 | 56.8 |
Egjipt | 79,5 | 2,600 | 72.0 |
Nigeri | 74,7 | 1,280 | 61.3 |
Iran | 74,6 | 4,520 | 85.0 |
Turqi | 75.0 | 10,410 | 95.0* |
Algjeri | 35.0 | 4,470 | 80.2* |
Marok | 32.0 | 2,970 | 56.1 |
Fed. Ruse*** | 143 | 10,650 | |
Itali | 60,7 | 35,320 | |
Japoni | 127,8 | 44,900 | |
Kanada | 34,5 | 45,550 | |
UK | 62,7 | 37,780 | |
USA | 311,6 | 48,620 | |
Gjermani | 81,8 | 44,230 | |
Francë | 65,4 | 42,420 | |
Spanjë | 46,2 | 30,930 | |
Izrael | 7,8 | 28,930 |
Fig. 1 Vendi që zënë 10 vendet me numrin më të madh të myslimanëve në numrin e përgjithshëm të tyre në botë.
Fig. 2 Popullata dhe GNI (Gross National Income) per capita 2011 sipas vendeve në studim.
Popullata në grafik paraqet popullatën e plotë të vendeve në studim, ku përfshihet popullata myslimane dhe ajo jomyslimane, për të cilën janë llogaritur indikatorët e tabelës. Ka një korrelacion negativ ndërmjet numrit të popullsisë dhe GNI (per capita), r = -0,257, n = 20, p = 0,274. Megjithatë lidhja nuk është sinjifikante nga ana statistikore.
Pas kësaj paraqitje të shkurtër të situatës në gjeografinë e popullatës myslimane, vlerësimi i së cilës është i domosdoshëm për njohjen deri diku të vetes dhe të ambientit, që do të jetë vazhdimisht në marrëdhënie me një grup tjetër të madh, siç janë të krishterët, mund të fillojmë të shikojmë disa fakte të pritshme historike të marra nga hadithet dhe të vlerësohen në kontekstin aktual dhe të përdorshmërisë së tyre në jetën e përditshme.
Shfaqja e figurave historike si domosdoshmëri
Ardhja e profetëve nuk është një fenomen rastësor. Për të gjithë ata misioni është i ngjashëm, por ka specifika që i dallojnë nga njëri tjetri, duke kulmuar me ardhjen e Muhamedit (a.s.). Është folur gjerësisht për rrethanat historike të ardhjes së Profetit (a.s.) dhe as armiqtë e tij nuk do të merrnin guximin ta mohonin. Të gjithë këta personazhe konkretizohen në vende dhe kohë të caktuara. Muhamedi (a.s.), ndërmjet veçantive të tij të shumta, karakterizohet nga universaliteti dhe plotësimi, që sjell figura e tij. Plotësohet feja dhe mesazhi i drejtohet gjithë njerëzimit. Në Mekën si udhëkryq i kontinenteve “të lashta”, kjo “Kërthizë e Botës”, që ishte më se e përshtatshme për shtabin kryesor, i cili do t’i shërbente një lëvizjeje me përmasa universale, vjen ky profet për mëshirën e mbarë njerëzimit[5].[6] Megjithatë, ai mbetet personazh tejhistorik dhe në shumë raste i pakuptueshëm në madhështinë e tij dhe afërsinë e tij me Allahun xh.sh. Një ndër ekstremet e afërsisë së tij me Allahun xh.sh. është nata e Israsë dhe Miraxhit. Një përmbledhje e kësaj pakuptueshmërie nga mendja e njeriut të zakonshëm mund të ilustrohet me fjalët e Kadi Ijadit (vd. 544/1149); “Allahu thotë: “Ai (Muhammedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.” (Kur’an; 53:18)[7]
Të kuptuarit e zakonshëm nuk është i aftë të kapë detajet e asaj çfarë i është treguar dhe humbet në përpjekjen të përcaktojë se çfarë ishte në të vërtetë kjo shenjë e madhe.”[8]
Duke gjurmuar këto karakteristika të Muhamedit (a.s) si shembull, duhet të kërkohen edhe karakteristikat e figurave të tjera të pritshme, sigurisht duke i parë në kontekstin e karakteristikave të tyre specifike. Figura e Muhamed Mehdiut (a.s.) shfaqet në një moment kur bota është e mbushur me padrejtësi dhe shërben si një pikë kthese për ta mbushur atë me drejtësi; gjithashtu Isai (a.s.) rishfaqet si bashkëkohës i të parit dhe gjithashtu si armik dhe ekzekutor i Dexhalit (antikrishtit). Analiza e asaj kohe dhe ndodhive madhore, që priten është jashtë mundësive dhe objektivit tonë, por përmendja e tyre ka për qëllim njohjen e tyre, me aq sa mundemi, duke njohur në këtë mënyrë edhe kufizimet tona. Këta personazhe madhorë të historisë së njerëzimit kanë detyrat e tyre dhe është praktikisht e pamundur, me gjithë dëshirën e mirë, të pretendohen objektiva, që në mënyrë të qartë u janë deleguar atyre.
Disa gjetje të thjeshta mund të shikohen nga hadithet në lidhje me figurat e Muhamed Mehdiut (a.s.) dhe Isait (a.s.). I pari është një njeri, që e refuzon autoritetin deri në momentin e fundit, vjen në kohë lufte dhe përçarje të madhe dhe grupet, që i afrohen për ta mbështetur janë nga njerëzit mirë të asaj kohe. Isai (a.s.) vendoset në namaz pas tij dhe nuk vjen me ndryshime të sheriatit, por me detyrat e caktuara të përmbledhura në vazhdim. Përmbledhtas, sipas këtij opinion, i pari vjen edhe si faktor unifikues për myslimanët, që bashkohen rreth tij, dhe Isai (a.s.) zgjidh problemet ekzistuese besimore në mesin e komunitetit të krishterë, përveç plotësimit të objektivave të tjera që ka.
Derri, kryqi dhe xhizja, problemet e pazgjidhura deri ne kohën e fundit dhe vrasja e Dexhalit
Zakonisht, dhe me të drejtë, thirrësit për paqe ndërmjet Islamit dhe Krishterimit gjejnë pikat e përbashkëta dhe fushat e mundshme të bashkëpunimit. Në këtë këndvështrim janë arritur suksese të padiskutueshme dhe do të ketë përderisa ka njerëz, nga të dyja palët, që kërkojnë paqen. Ndërkohë që, në diskutimin tonë, fokusin do ta zhvendosim në në një kohë tjetër, që nuk mund të dihet a është nesër apo pas shumë vitesh. Në këtë kohë kemi dy personazhe dhe dy popullata, Muhamed Mehdiu (a.s.) dhe Isai (a.s.), myslimanët dhe të krishterët. Pyetja është tashmë jo se çfarë i bashkon këto dy grupe të mëdha, por çfarë i ndan me siguri deri në atë kohë.
Meqenëse subjekt i diskutimit janë çështjet e hadithit që flet për kryqin, derrin dhe xhizjen, në vazhdim janë paraqitur referencat e marra nga Kur’ani për këto subjekte.
“Po ata as nuk e mbytën as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan në gozhda), por atyre u përngjau.” (Kur’an; 4:157)
“(All-llahu) ua ndaloi juve vetëm ngordhësirën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që theret jo në emër të All-llahut.” (Kur’an; 2:173)
“…derisa ta japin xhizjen në dorë…” (Kur’an; 4:157)
Në të tre këto aspekte myslimanët janë të pozicionuar në mënyrë përfundimtare. Urdhëresa, apo sqarimi vjen direkt nga libri i shenjtë Kur’ani dhe është i shprehur në mënyrë eksplicite. Isai (a.s.) nuk është kryqëzuar, mishi i derrit është haram dhe xhizja duhet paguar. Të gjithë mund të pranojnë me lehtësi dy qëndrimet e para, por xhizja është një marrëdhënie e drejtpërdrejtë dhe nuk mund të përjetohet në mënyrë të pavarur nga dy grupet. Pretendimi i sotëm është nga ana e të krishterëve, që xhizja është një taksë poshtëruese dhe i kthen ata në qytetarë të dorës së dytë. Në historinë e qytetërimit Islam njihen raste kur xhizja është mbledhur dhe në pamundësi të mbrojtjes në vazhdim të qytetit nga ushtria myslimane, paratë e xhizjes janë kthyer me argumentin e pamundësisë së zbatimit për mbrojtjen e qytetarëve të krishterë nga ushtria myslimane në tërheqje. Njëra palë e quan si fyerje dhe pala tjetër e konsideron se duhet zbatuar si urdhër Kur’anor dhe gjithashtu justifikon me mospjesëmarrjen në përgatitjen e ushtrisë mbrojtëse. Ndoshta kemi humbur diçka edhe nga interpretimet e mëparshme, e ndoshta kërkohen modalitete të reja sipas kohës që jetojmë. Këto janë specifika të ixhtihadit, por ajo çfarë është e sigurt është pamundësia e myslimanëve për të abroguar xhizjen. Koha mund të jetë afruar shumë që ajo mund të abrogohet si taksë, çfarë do të thotë që po përjetojmë një moment të tillë të historisë së njerëzimit që xhizja kërkohet të hiqet. Por myslimanët e kanë të pamundur të abrogojnë një urdhëresë Kur’anore. Isai (a.s.) vjen me autoritetin e një prej profetëve më të mëdhenj; gjithashtu ne nuk e dimë se si do të jetë gjendja e njerëzimit në momentin që Ai (a.s.) e abrogon atë, ndoshta e gjithë popullsia e tokës është në fenë e drejtë dhe nuk ka kush, kujt t’ia marrë xhizjen. Këto, gjithsesi, janë arsyetime hipotetike.
Po pse përmenden vetëm këto tre ndërhyrje nga ana e Isait (a.s.)? As kësaj nuk mund t’i japim përgjigje përfundimtare, por në kuadrin e shikimit të problemit me syrin e bashkëjetesës ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve mund të themi, që këto probleme do të ngelin të pazgjidhura deri në atë kohë. Me gjithë pozicionin këmbëngulës dhe të pandryshueshëm të myslimanëve edhe të krishterët me sa duket nuk do të lëshojnë pe në këto pika. Në njëfarë mënyre këto mund të quhen pikat e pazgjidhshme. Këtë pazgjidhshmëri mund ta shikojmë nga ana praktike sipas dy pozicioneve të mundshme; njëri është që myslimanët duhet të përpiqen vazhdimisht t’i bindin të krishterët në këto pika dhe nga ana tjetër mund të shihen si një kufi që nuk do të mund ta kapërcejnë edhe sikur të bëjnë përpjekje pa fund. Nëse quhet e pazgjidhshme mjafton që t’i tregohet palës tjetër qëndrimi yt, duke sqaruar prejardhjen e tij dhe duke i qëndruar konsekuent, por duke qenë njëkohësisht koshient për kufizimet e ndërhyrjes tënde. Nëse një i krishterë do të ‘dorëzohej’ në këto tre pika a do të quhej më një i krishterë tipik sipas modelit që ne sot njohim? Mendoj se kjo është pika më delikate e të gjithë diskutimit dhe prandaj do të kërkoj ndihmë nga një hadith i cituar më sipër. Profeti Muhamed (a.s.) i thotë Umerit (r.a.) që nëse ai është se çfarë ai mendon se është (për personazhin që Umeri mendonte se mund të ishte Dexhali dhe kërkonte leje ta vriste) ti nuk mund ta vrasësh. Pra, edhe një personazh kaq madhështor si hazreti Umeri (r.a.) ishte i kufizuar në pamundësinë e një veprimi, që i ishte taksur për ta kryer Isait (a.s.). Në rrugë të drejtë apo të gabuar qofshin të krishterët, mesa duket edhe këto tre çështje janë lënë në dorë të profetit Isa (a.s.).
Kjo nuk është një fatkeqësi për marrëdhëniet dypalëshe. Ky është fat i mirë, të kemi një lajm të tillë që na tregon kufijtë tanë që nuk mund të tejkalohen as nga dëshira e as nga mundësitë. Ndërkohë që krijohet një hapësirë e pafund bashkëpunimi. Në hadith dhe me sa kam njohuri edhe në hadithe të tjera, nuk përmendet diçka e ngjashme as për alkoolin dhe drogat, as për bixhozin dhe fajdenë, as për moralin dhe familjen, as për magjinë dhe smirën. Lista mund të jetë e gjatë me argumente rreth të cilave Myslimanët dhe të Krishterët kanë ose mund të kenë në të ardhmen qëndrim të njëjtë ose së paku të ngjashëm. Në planin social dhe ekonomik Kur’ani ju lejon myslimanëve ushqimet nga të krishterët, gratë nga të krishterat dhe tregtinë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë përderisa ata jetojnë në paqe dhe në respekt të njëri tjetrit. A nuk janë këto fusha të mundshme bashkëpunimi nga ku të dy palët mund të reagojnë së bashku dhe duke qenë një zë më i fuqishëm ku padiskutim fitojnë dy palët? Problemi i drogave në Shqipëri është i mprehtë, sepse nuk ka vetëm konsumatorë por edhe prodhues dhe trafikantë të tyre. Qëndrimi i dy grupeve religjioze është i njëjtë dhe mendoj edhe i suportuar në publik nga qeveritë. Zakonisht shikojmë reagime, ose të profesionistëve të shëndetësisë, ose të shoqërisë, që lidhen me dëmin e përdorimit të drogave. Por, sa qëndrime publike kundër prodhuesve dhe trafikantëve ka? Nuk e di në të vërtetë sa ka, por një reagim sinkretik do ta bënte reaguesin shumë më të guximshëm ndaj këtyre strukturave të krimit të organizuar, edhe ndërkombëtar. Jam i sigurt që asnjëherë, as Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe as Komunitetet e Krishtera, Ortodokse dhe Katolike, nuk do të bëhen palë as me krimin dhe as me vesin, prandaj nuk do gjenden asnjëherë në llogore të ndryshme për këto çështje, dhe duke u gjendur në të njëjtën llogore gjëja më e arsyeshme që mund të bëjnë është të gjejnë mirëkuptim dhe të identifikojnë armikun e përbashkët. Kjo tashmë ka ndodhur, por mbetet bashkimi i përpjekjeve.
Konkluzione
Qëndrimet ndërmjet besimeve fetare janë fenomene në nivel global apo ndërkomunitar, por gjithashtu edhe ndërmjet individëve të përkatësive të ndryshme. Në një kohë që struktura e shoqërisë është shumë e ndryshueshme, njerëzit duhet të jenë të qartë për raportet që duhet të kenë me të tjerët, ata që nuk i përkasin grupit të tyre, qoftë kombëtar, fetar apo edhe përkatësi të tjera më pak të rëndësishme. Qëllimi i mirë për të ruajtur raporte të ndërsjella komunikimi dhe bashkëpunimi është i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Këto raporte duhen studiuar, që të mos jenë raporte të ndërtuara mbi komplekse inferioriteti apo superioriteti. Gjatë kërkimit gjeta një fjalë, tesamuh, përdorur në Islam për të shprehur një koncept më të gjerë se toleranca, ku njeriu nuk e detyron veten për të bashkëjetuar me të tjerët por e pranon tjetrin si pjesë të realitetit dhe pajtohet me të.[9] Një ndërhyrje e shikoj të arsyeshme, ndërkohë që ky koncept përdorej me sukses në kohën e Perandorisë Osmane ku njerëzit ishin të ndarë në milete, apo njësi shoqërore të bazuara te përkatësitë fetare, sot ndodhemi përballë një fenomeni global të përzierjes, qoftë reale e qoftë virtuale. Problemet shfaqen edhe ndërmjet komuniteteve të përkatësive të ndryshme por edhe ndërmjet pjesëtarëve të së njëjtës përkatësi, gjë për të cilën jemi dëshmitarë. Anëtarët e komunitetit tjetër duhen pranuar siç janë, duke i toleruar ata; me të ndryshmit brenda të njëjtit komunitet duhet bashkëjetesë. Në rastin e parë kemi të bëjmë me një mendim ndryshe dhe të dy palët ecin paralelisht me njëri tjetrin, në rastin e dytë kemi të bëjmë me variacione të të njëjtit model. Në të dy rastet duhet të ketë njohuri për të shmangur përplasjet e padëshiruara dhe të panevojshme në praktikë.
Në rastin e kundërshtive mes grupeve të së njëjtës përkatësi fetare, konkretisht Islamit, nëse disa detyrime madhore si nderi, prona dhe jeta respektohen, ndryshimet e tjera, që nuk të nxjerrin nga rrethi i fesë përkatëse, nuk ka pse të jenë më shumë se objekt diskutimi. Një shembull interesant për ilustrim është edhe përsëritja e fjalëve të kiametit, apo leximi i tyre vetëm njëherë, një fenomen që e hasim të ndryshëm në xhami të të njëjtit qytet. Ky ndryshim në përsëritje ka të bëjë me personat të cilëve i drejtohet, shkallës së përqendrimit të tyre bazuar në statusin e tyre fetar, duke përfunduar që, përsëritja e fjalëve të ikametit nga dy herë është e vlefshme edhe për personat e mëdhenj, sepse sahabet e bënin një gjë të tillë.[10] Gjithashtu njohja e kufijve nëpërmjet njohjes së vetes dhe të tjetrit, në raport me anëtarët e përkatësive të tjera, jo vetëm që garanton paqe, por lejon edhe prezantimin e suksesshëm të besimit te tjetri, pavarësisht nëse ai e pranon apo jo. E rëndësishme është që ai nuk ndjehet i kërcënuar në të drejtën e tij së pari, dhe së dyti rriten shanset të dëgjojë. Një i paditur nuk ka mundësi ta prezantojë si duhet fenë e tij dhe grupet e përçara nuk kanë besueshmëri në transmetimin e së vërtetës. Pra, është një moment që, në aspektin e marrëdhënieve brenda dhe jashtë grupit të përkatësisë, kërkon mjaft impenjim.
Duke ju rikthyer skemës fillestare të diskutimit ku armiq të vërtetë janë injoranca, varfëria dhe përçarja, mund të themi me sinqeritet që, kur lufta bëhet domosdoshmëri, të varfër mund të shkohet në luftë, por nuk mund të fitohet. Kjo forcë nuk kërkohet vetëm si mjet për të arritur fitore, por si mbartëse e një qëndrimi që, edhe kur lufta kërkohet për një kauzë të drejtë, njëra dorë qëndron te shpata dhe tjetra qëndron e zgjatur për pajtim. Fitore më e madhe se vrasja e armikut do të ishte pajtimi sipas parimeve të një drejtësie transcendentale. Myslimanët dhe të Krishterët duke e njohur veten dhe njëri tjetrin më mirë, ndoshta do të kuptojnë se janë më afër njëri tjetrit se me shumë grupe të tjera, që aktualisht i konsiderojnë si miq të afërt. Njohja mund të përkthehet shumë mirë në bashkëjetesë. Një qëndrim i tillë ka qenë karakteristik për Profetin Muhamed (a.s.) dhe një nga veprimet e Tij më simbolike, po e lë të shprehur me fjalët e Hafiz Ibrahim Dalliut (vd. 1371/1952) në lidhje me pritjen e dërgatës së Nexhranit nga Profeti (a.s.);
“Kta përfaqësues ishin të tanë katolik
U pritën me nderime aty si miq
N’xhamië të Resulit u përbujtën kta
Dhe si mbas fes s’vet m’u fal leje ju dha.”[11]
Dikush mund të thotë që e gjitha kjo që është shkruar më sipër nuk trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë njeriun dhe botën e tij të brendshme dhe as luftërat e tij të padukshme. Kjo është e vërtetë! Do të doja të përmend në fund, edhe për ta çdramatizuar sado pak një qëndrim të këndshëm në lidhje me qëndrimet jo vetëm bardh e zi ndaj pjesëtarëve të besimit të krishterë. Personi që fliste për raportet ndërmjet Myslimanëve dhe të Krishterëve, pasi kishte sqaruar idetë e tij, thotë që unë jam mysliman, jam i martuar me një grua të krishterë, veprim i cili është i lejuar në Islam, dhe nuk mundem që çdo ditë në mëngjes të zgjohem nga gjumi dhe fytyrës së parë që shikoj, që është fytyra e gruas sime, ti them; “Mirëmëngjesi armik!”
[1]. Gylen M. Ese, Perspektiva, Opinione. Tiranë: Prizmi; 2008, 130.
[2]. Kettani H. 2010 world Muslim population. In proceedings of the 8th Hawaii International Conference on Arts and Humanities 2010 Jan.
*GNI (gross national income) is gross domestic product (GDP) plus net receipts of primary income (employee compensation and investment income) from abroad. GDP is the sum of value added by all resident producers plus any product taxes (less subsidies) not included in the valuation of output.
GNI per capita is gross national income divided by mid-year population.
The Atlas method is a method used by the World Bank to estimate the size of economies in terms of gross national income (GNI) in U.S. dollars.
Definicionet janë marrë nga, Global Finance Magazine – GDP-GNI-Definitions [Internet]. Global Finance Magazine. 2016 [cited 28 October 2016]. Available from: https://www.gfmag.com/global-data/glossary/gdp-gni-definitions
** Të dhënat e munguara për Turqinë dhe Algjerinë janë marrë nga, UNESCO Institute for Statistics, 2015.
*** Popullata për vendet me ekonomi të zhvilluar janë marrë nga referenca [4].
[3]. World Bank. 2013. World Development Indicators 2013. Washington, DC: World Bank. doi: 10.1596/978-0-8213-9824-1. License: Creative Commons Attribution CC BY 3.0.
[4]. Global Finance Magazine – GDP-GNI-Definitions [Internet]. Global Finance Magazine. 2016 [cited 28 October 2016]. Available from: https://www.gfmag.com/global-data/glossary/gdp-gni-definitions
[5]. Hamidullah M. Muhammedi Alejhisselam, Jeta 1. 1st ed. Shkup; 2011, 32.
[6]. Gavoçi V. Pejgamberi Muhammedi A.S. – Jeta dhe vepra. 1st ed. Shkup; 1994, 43.
[7]. Të gjitha ajetet e Kur’anit janë marrë nga “Përkthimi me komentim i H. Sherif Ahmetit.” OPGBG-“Rilindja”-Prishtinë. 1990.
[8]. Muhammad, Messenger of Allah: Ash-Shifa of Qadi Iyad. Madinah Press, 2011, 19.
[9]. Nesimi Q. Ortodoksizmi tek shqiptarët. Shkup: Logos-A; 2011, 33.
[10]. Karaj E. Metoda e Imam Sha‘raniut në zgjidhjen e kontradiktave juridiko-fetare në veprën el-Mizan [Internet]. Zani i Nalte. 2016 [cited 16 December 2016]. Available from: http://zaninalte.al/2015/10/metoda-e-imam-sharaniut-ne-zgjidhjen-e-kontradiktave-juridiko-fetare-ne-vepren-el-mizan-2/
[11]. Dalliu H. E lemja e të madhit Pejgamber dhe jeta e atij a.s., 2nd ed., Tiranë; 2016, 180.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...