Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 14, 2018 Zani i Nalte Histori, Studime 0
Dr. Hasan Bello
Instituti i Historisë, QSA
Abstrakt
Studimi i raportit mes shtypit dhe pushtetit përbën një aspekt interesant për historinë e publicistikës shqiptare. Ai është një tregues i qartë i trajektores që ka ndjekur beteja për lirinë e fjalës. Prandaj, për ta ilustruar këtë problem kemi zgjedhur vetëm një segment të shkurtër historik, por që, në vetvete, përmban një mozaik të plotë.
Ky artikull trajton debatet mbi shtypin dhe lirinë e fjalës në vitin 1922 dhe diskutimet që u zhvilluan në këtë periudhë lidhur me miratimin e ligjit osman të shtypit.
Hartimi i ligjit të shtypit, duke marrë si model legjislacionin osman, nuk u prit mirë nga disa qarqe intelektuale. Në avangardë të luftës për mbrojtjen e lirisë së shtypit ishte Faik Konica me gazetën Dielli. Ai e quante këtë vendim një “pseudo-kanun”, sipas të cilit, tani e tutje, në Shqipëri mund të qarkullonin vetëm gazeta të shitura te policia. Sipas tij, ata që nuk e donin lirinë e shtypit nuk u pëlqente drita dhe sigurinë kombëtare e vinin në rrezik. Kjo sepse Faik Konica e konsideronte shtypin si një mjet të domosdoshëm për një shoqëri, të ngjashëm me një valvul shkarkimi (“safety valve”). Kufizimi i lirisë së shtypit, sipas tij, ishte burim i tiranisë dhe gjeneronte dhunë.
Ky ligj nuk krijoi ndonjë pengesë juridike apo faktike për shtypin e kohës. Përkundrazi, gazetarët dhe intelektualët shqiptarë botuan artikuj, kritika, polemika dhe pamflete për aspekte të ndryshme social-politike. Kjo vihet re edhe nga trashëgimia e jashtëzakonshme publicistike, e cila dëshmon për një nivel të lartë profesional. Me kalimin e viteve legjislacioni mbi shtypin evoluoi në raport me zhvillimin e brendshëm të shtetit shqiptar dhe me rrethanat e reja që u krijuan brenda vendit.
1. Shtypi dhe pushteti – probleme rreth rolit, misionit dhe etikës gazetareske
Kongresi i Lushnjës i vitit 1920 krijoi premisat, që elita politike e kohës të merrte masat për ndërtimin e institucioneve kombëtare dhe për hartimin e legjislacionit të nevojshëm për mbarëvajtjen e jetës politike. Në përputhje me këto rrethana, shtypi u pa si një mjet, i cili duhet t`i shërbente shtetit për të stabilizuar situatën. Prandaj, më 24 maj 1921, Ministri i Brendshëm, Mehdi Frashëri, shpërndau një qarkore ku urdhëroi: ndalimin e gazetave, të cilat botonin lajme, që nxisnin popullsinë për t`u rebeluar; përgënjeshtrimin e artikujve me karakter dizinformues; si dhe mosdhënie leje për ato organe, që financoheshin nga të huajt. Për të mbajtur nën kontroll këtë proces, çdo botues ishte i detyruar, që një kopje ta dorëzonte në Prefekturë dhe një tjetër në Prokurori. Kjo ishte një masë frenuese pasi situata politike brenda vendit nuk ishte stabilizuar ende. Lëvizjet antiqeveritare, si nga opozita, ashtu edhe nga jashtë kufirit, ishin të pranishme nga çasti në çast. Prandaj, duke pasur parasysh këto rrethana një veprim i tillë ishte plotësisht i justifikueshëm.[1]
Shtypi konsiderohej si i vetmi mjet për të parandaluar abuzimet e administratës dhe për ta mbajtur atë nën kontroll të vazhdueshëm për zbatimin e ligjit. Sigurisht që ekzistenca e një numri të madh gazetash do ta ulte rrezikun e përdorimit të tyre si mjet shantazhi. Prandaj, liria e shtypit eliminonte përdorimin e tyre jashtë misionit informues. Si model i shtypit shqiptar, sipas Posta e Korçës, duhet të ishte shtypi anglez. Gazetat britanike, tashmë përbënin një model dije.[2] Dëshira kombëtare e quante lirinë e shtypit dhe të fjalës si pikën kryesore të qytetërimit të një populli. Ajo e konsideronte mungesën e lirisë së shtypit si shenjë tiranie. Një nga funksionet kryesore të medias së shkruar, sipas kësaj gazete, ishte mbrojtja e të drejtave të individit nga shkeljet flagrante dhe padrejtësitë. Monopolizimin e shtypit, ky organ e quante një akt djallëzor me prapavijë okulte. Ky veprim kishte si qëllim kryesor keqpërdorimin e informacionit dhe manipulimin e masave. Kjo tregon se fenomeni negativ i monopolizimit të shtypit i ka fillesat, që në vitet e para të konsolidimit të shtetit shqiptar.[3] Dëshira kombëtare nuk ishte kundër kritikës, madje, ky organ e konsideronte kritikën, si shenjë përparimi, por me kushtin, që ajo t`i përmbahej parimeve dhe të mos i kalonte caqet. Ajo ishte kundër përdorimit të fjalëve që cenonin nderin e të kritikuarit. Kjo gazetë pasi vinte në dukje fuqinë që kishte shtypi për të transformuar shoqërinë, shtronte problemin se ai duhet të ishte në duar të ndershme.[4]
Në këtë periudhë gazetat konsideroheshin si mjet i nevojshëm me rol të pazëvendësueshëm për emancipimin dhe zhvillimin kombëtar.[5] Megjithëse gazeta Koha e quante të domosdoshme ekzistencën e shtypit, ajo e shihte me shqetësim mungesën e profesionalizmit apo diletantizmin.[6] Në këtë periudhë shtypi konsiderohej si formësues i opinionit publik.[7]
Megjithatë nuk munguan edhe shkrime, të cilat artikulonin hapur se misioni i shtypit duhej të ishte në funksion të interesit kombëtar. Sipas Mit`hat Frashërit, detyra e atyre që shkruanin dhe botonin ishte që të ngjallnin te zemrat e lexuesit dashurinë për Shqipërinë; të zgjonin tek ata besimin në vetvete dhe te kombi; të shtonin dëshirën për t`u bërë më të mirë, më të përparuar, më të lartësuar, duke u mbështetur te puna, vullneti dhe patriotizmi i tyre. Autori është i ndërgjegjshëm për të metat e shtypit dhe shoqërisë shqiptare. Nevojat materiale dhe morale ishin, sipas tij, një boshllëk më vete. Prandaj, ai bën thirrje se shpresa e përparimit varej vetëm nga populli shqiptar, nga puna dhe vullneti që do të tregonte.[8] Ndërtimi dhe konsolidimi i institucioneve në këtë periudhë kishte shfaqur një sërë problemesh, të cilat vinin si rezultat i një procesi të natyrshëm. Vendi ynë ishte në fazën embrionale të shtetformimit. Mirëpo këto probleme kishin ngjallur pakënaqësi te disa individë dhe grupime politike. Kjo ishte reflektuar edhe në faqet e shtypit në trajtën e kritikave dhe polemikave, që shpesh i kalonin të gjitha caqet. Një veprim i tillë, edhe kur ishte krejtësisht i justifikueshëm, ishte me pasoja për një shtet të pakonsoliduar. Prandaj, Mit`hat Frashëri kërkoi hapur, që shtypi mos t`ia thyente shpresën dhe kurajën kombit. Nuk duhej harruar se shoqëria shqiptare ishte në fillesat e jetës së saj politike dhe probleme të tilla ishin krejtësisht normale. Ai e konsideronte kriticizmin, si diçka të lehtë, por nga ana tjetër, kërkoi nga gazetarët, se duke kritikuar shtetin, apo qeverinë, duke nxirë gjithçka në sytë e popullit, thyhej kurajoja e njerëzve dhe ngjallej një frikë e panevojshme. Ai i referohej një thënie, sipas së cilës gjeneralët e mëdhenj ishin të mendimit se suksesi i një ushtrie varej nga besimi, që çdo ushtar kishte në vetvete. Pikëpamjen se administrata vendase mund të përparonte vetëm nëse vinin organizatorë të huaj, ai e konsideronte regresiste. Sipas Mit`hat Frashërit ata mund të kontribuonin vetëm nga ana metodologjike.[9]
Në këtë periudhë komisioni i patentës vendosi edhe një taksë për gazetarët, e cila shkonte deri në 30 franga ari në vit. Kjo u kontestua nga shtypi i kohës, duke e konsideruar si diçka të padrejtë. Sipas tyre, profesioni i gazetarit, ishte një mision dhe ushtrohej mbi baza vullnetare. Ai nuk ishte burim të ardhurash siç ndodhte me profesionet e tjera.[10]
Gazetat e kohës ngrinin problemin e mosinformimit siç duhej nga Zyra e Shtypit.[11] Kjo sidomos për lajmet e agjencive të huaja, të cilat ishte e pamundur për t`i siguruar. Vështirësia në fjalë, më tepër se mungesë vullneti për të bashkëpunuar, vinte për shkak të pamundësisë financiare që Zyra e Shtypit kishte për t`i paguar agjencive ndërkombëtare.[12] Prandaj, Zyra e Shtypit i bëri të ditur kritikuesve se ajo nuk ishte një agjenci lajmesh, por një organ qeveritar në shërbim të shtetit.[13]
Marrëdhëniet e Zyrës së Shtypit me gazetat konsideroheshin si raporte midis dy rrymave të kundërta. Kjo për faktin se, ndërsa e para përfaqësonte qeverinë dhe interesat e shtetit, shtypi kishte si mision informimin dhe të vërtetën.[14] Gazeta Fjal e lirë kritikoi ndalimin botimit të bisedimeve parlamentare në Fletoren Zyrtare dhe hyrjen e gazetës Dielli në Shqipëri, për shkak të kritikave të Faik Konicës ndaj qeverisë. Ajo i bënte thirrje qeverisë, që për ndriçimin e opinionit publik dhe interesin e shtetit:
Gazeta mbante një qëndrim parimor për sa i përket kritikave të shtypit. Ajo shkruante se ato duheshin bërë me edukatë, duke ruajtur nderin dhe interesat e shtetit.[15] Emërimi i arbëreshit dhe gazetarit të afirmuar Dr. Terenc Toçit, në krye të Zyrës së Shtypit, u mirëprit nga intelektualët e publicistët shqiptar. Ai njihej për përvojën e çmuar, e sidomos për patriotizmin e treguar, që në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Kjo u vu re edhe nga një telegram, që ai i drejtoi të gjitha gazetave, ku tregohej i gatshëm për rritjen e frymës së bashkëpunimit.[16]
Në këtë periudhë raportet mes shtypit dhe pushtetit u karakterizuan nga problematika të ndryshme. Mihal Grameno, megjithëse ishte për ruajtjen e etikës profesionale të shtypit, përsëri ankohej ndaj dënimit të gazetës Koha.[17] Ai e quante këtë një vendim të padrejtë. Nuk munguan edhe raste siç ishte letra e një qytetari lidhur me një njoftim të pakonfirmuar të Posta e Korçës, ku ai akuzohej si kapedan (kryetar bande) dhe i biri si autor i një vrasje.[18] Pasaktësi të tilla dhe sidomos fyerjet nuk ishin të rralla për shtypin.[19] Madje, drejtori i kësaj gazete ishte dënuar më parë me dy muaj burg.[20]
Ajo që vihet re në këtë periudhë është fakti se, ndaj kryeredaktorëve dhe gazetarëve, nuk munguan edhe raste të dhunshme. Një rast tipik ishte ai mbi avokat Agjah Libohovën, i cili ushtronte funksionin e kryeredaktorit të Fjal e lirë. Si shkak shërbeu një artikull “investigativ” që vinte në pah abuzimet e vëllezërve Kokoshi. Kjo e shtyu Muharrem Kokoshin, vëllain e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, të shtinte me armë mbi Agjah Libohovën.[21] Raste të dënimit të gazetarëve, apo të dhënies së pafajësisë nga gjykatat, përbënin diçka normale. Kështu, vendimin e Gjyqit të Paqit për dënimin e drejtorit të gazetës Koha Koço Grameno me gjobë 5 franga ari për botimin e artikullit “Shqipëri apo Turqi”, Gjyqi i Diktimit e anuloi, duke e konsideruar atë si të pafajshëm.[22] Por nuk munguan edhe raste kur ndodhi e kundërta[23], kur drejtorët apo gazetarët dënoheshin për hamendësime dhe epitete, të cilat nuk përbënin vepër penale.[24]
Një aspekt tjetër kontradiktor mes shtypit dhe pushtetit ishin edhe rastet kur dizinformacionet e botuara nga shtypi i vendeve fqinje, për të destabilizuar politikisht shtetin shqiptar, botoheshin pa marrë parasysh ndikimin, që ato kishin brenda vendit.[25] Megjithatë raporti mes qeverisë dhe shtypit nuk karakterizohej vetëm nga konflikti dhe mosmarrëveshjet. Politikanët e kohës ishin të ndërgjegjshëm se gazetat ishin një mjet i domosdoshëm. Ato konsideroheshin si simbol i shkallës së emancipimit dhe demokratizimit të një shoqërie. Kritikat që ato bënin ndaj institucioneve shtetërore, në një vend të pakonsoliduar, përbënin rrezik për rendin kushtetues dhe stabilitetin e brendshëm. Shtypi, ashtu si krejt mekanizmat e brishtë të shtetit shqiptar reflektonte të njëjtat probleme. Prandaj, qeveritë e kohës nuk hezituan që, herë pas here, me rastin e festave kombëtare, të amnistonin paditë ndaj gazetarëve.[26] Në këtë segment të shkurtër historik, qeveria e Iliaz Vrionit u tregua më liberalja në raport me shtypin.[27]
2. Ligji osman i shtypit – midis aprovimit dhe kontestimit
Megjithëse qeveria shqiptare kishte hartuar një ligj paraprak për shtypin, brenda një kohe të shkurtër ai rezultoi mjaft problematik. Kjo e detyroi atë që të kërkonte alternativa të reja, në përputhje me specifikat e shoqërisë shqiptare.
Më 29 mars 1922, Këshilli i Naltë i Shtetit aprovoi ligjin e shtypit të miratuar nga qeveria.[28] Ai ishte krejtësisht, ose me pak modifikime, ligji osman i shtypit i miratuar nga Parlamenti Osman më 31 korrik 1909.[29] Menjëherë pas Revolucionit Xhonturk, elita politike osmane, duke marrë si model ligjin francez të shtypit, u përpoq të tregonte një frymë liberale. Prandaj, duke u nisur nga këto premisa mund të themi se karakteri krejtësisht “oriental” i këtij ligji, siç pretendonte Faik Konica, nuk është aspak i vërtetë. Përkundrazi, politikanët shqiptarë, duke marrë në konsideratë: nivelin e zhvillimit kulturor dhe ekonomik të vendit; rrethanat e brendshme dhe të jashtme; të kaluarën historike të shqiptarëve nën Perandorinë Osmane për një periudhë relativisht të gjatë, vendosën që të huazonin për një fazë kalimtare legjislacionin osman. Ai u përshtat dhe u redaktua nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë, të cilët ishin personalitete të njohur në fushën e jurisprudencës[30] dhe gjeti miratimin e plotë të Këshilli të Naltë të Shtetit dhe Kryeministrisë.[31] Ky ligj vinte bazat fillestare të mbarëvajtjes së jetës gazetareske në vendin tonë.[32] Ai synonte të krijonte një ekuilibër të brendshëm midis organeve të shtypit, administratës shtetërore, qeverisë, politikanëve, individit dhe interesit kombëtar. Kjo për faktin se institucionet kombëtare ashtu si demokracia e brendshme kushtetuese ishin në fazën embrionale të konsolidimit. Në këtë periudhë roli i shtypit konsiderohej si një mision në shërbim të ngritjes së shtetit, edukimit të qytetarëve me frymën kombëtare, bindjes së tyre ndaj ligjeve dhe emancipimit kulturor. Pretendimet e shfaqura në këtë periudhë, krahasimet me legjislacionin evropian, apo amerikan nuk përputheshin me realitetin faktik. Në një vend të pakonsoliduar politikisht, me fqinjë që shfaqnin haptazi pretendime territoriale dhe me një ekonomi të dobët, liria e shtypit nuk mund të ishte mbi këto standarde. Prandaj, synimi kryesor i shtetarëve shqiptarë në këtë periudhë nuk ishte kontrolli dhe censurimi i shtypit, por vendosja e tij në shërbim të interesave të vendit. Kjo u vu re edhe në miratimin e ligjit për shtypshkronjat,[33] i cili, po ashtu, u përkthye dhe u përshtat nga legjislacioni osman.[34] Me shumë pak ndryshime këto ligje vazhduan të aplikoheshin edhe në Turqinë e Mustafa Qemal Ataturkut deri në vitin 1931.[35]
Mirëpo hartimi i ligjit të shtypit, duke marrë si model legjislacionin osman, nuk u prit mirë nga disa qarqe intelektuale.[36] Në avangardë të kësaj lufte ishte Faik Konica me gazetën Dielli.[37] Ai e quante këtë ligj një “pseudo-kanun”, sipas të cilit, tani e tutje, në Shqipëri mund të qarkullonin vetëm gazeta të shitura te policia.[38] Sipas tij, ata që nuk e donin lirinë e shtypit nuk u pëlqente drita dhe sigurinë kombëtare e vinin në rrezik. Kjo, sepse Faik Konica e konsideronte shtypin për një shoqëri si një mjet të domosdoshëm, të ngjashëm me një valvul shkarkimi (“safety valve”).[39] Kufizimi i lirisë së shtypit, sipas tij, ishte burim i tiranisë dhe gjeneronte dhunë.[40] Megjithatë, ky ligj nuk krijoi asnjë pengesë juridike për shtypin e kohës. Përkundrazi, gazetarët dhe intelektualët shqiptarë botuan artikuj, kritika, polemika dhe pamflete për aspekte të ndryshme social-politike. Kjo vihet re edhe nga trashëgimia e jashtëzakonshme publicistike, e cila dëshmon për një nivel të lartë profesional. Me kalimin e viteve legjislacioni mbi shtypin evoluoi në raport me zhvillimin e brendshëm të shtetit shqiptar dhe me rrethanat e reja që u krijuan brenda vendit.
[1]. Qarkoret e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme të vjetit 1921, nr. 2, Shkodër: Shtypshkronja “Nikaj”, 1921, Qarkore e Ministrit të Punëve të Brendshme, Mehdi Frashëri, drejtuar Prefekturave, Tiranë, 24.5.1921, f. 13.
[2]. “Liri e Shtypit”, Posta e Korçës, nr. 89, 25.2.1922, f. 2.
[3]. “Liri e shtypit”, Dëshira kombëtare, nr. 1, 11.11.1922, f.2.
[4]. Po aty.
[5]. Sefer O. Prishta, “Përse na duhen gazetat”, Reforma, nr. 4, 7.4.1922, f. 2-3.
[6]. “Shtypi shqip këtu./Korçë”, Koha, nr. 75, 1.4.1922, f. 1.
[7]. “Sa prapa jemi…/Gjendja e shtypit në Shqipëri”, Posta e Korçës, nr. 140, 23.9.1922, f. 2.
[8]. Mit`hat Frashëri, “Detyra e gazetavet dhe gazetarëvet”, Dodona, nr. 4-5, 1922, f. 62.
[9]. Po aty, f. 3.
[10]. “Një taksë për gazetarët (Lajme të brendshme)”, Fjal e lirë, nr. 5, 16.2.1922, f. 2.
[11]. “Zyra e Shtypit./Roli dhe funksionimi i saj”, Posta e Korçës, nr. 85, 11.2.1922, f. 2.
[12]. “Nga Zyra e Shtypit./Funksionet e saj”, Posta e Korçës, nr. 92, 7.3.1922, f. 2; “Zyra e Shtypit”, Drita, nr. 86-14, 27.5.1922, f. 1.
[13]. “Fletoreve. (Dy fjalë të Zyrës së Shtypit)./Mbi marrëdhëniet të Zyrës së Shtypit me organet e shtypit”, Fletorja zyrtare, nr. 26, 10.8.1922, f. 3.
[14]. “Shtypi zyrtar-Shtypi kombëtar”, Fjal e lirë, nr. 14, 16.11.1922, f. 1.
[15]. Po aty. Gazeta Dielli pati probleme të vazhdueshme me qeverinë dhe drejtësinë shqiptare, për shkak se Faik Konica në disa artikuj të tij, i bënte thirrje popullit për të përmbysur rendin kushtetues me dhunë. “Këshilli Ministruer-vendim për ndalimin e gazetës “Dielli”, Fletorja zyrtare, nr. 23, 15.5.1923, f. 1.
[16]. “Lajme të vendit./Telegram i Terenc Toçit me rastin e emërimit drejtor i Zyrës së Shtypit”, Koha, nr. 84, 3.6.1922, f. 2.
[17]. Mihal Grameno, “Shtypi dhe dënimet”, Koha, nr. 77, 15.4.1922, f. 1.
[18]. “Zoti Direktor i Gazetës “Koha”./Letër kundër Gazetës “Posta e Korçës” për ofezën personale”, Koha, nr. 101, 14.10.1922, f. 1.
[19]. “Lajme të vendit./U zhvillua gjyqi ndaj drejtorit të “Kohës” Koço Grameno të paditur për ofendim nga Vangjel Gollgota”, Koha, nr. 76, 8.4.1922, f. 2.
[20]. “Drejtori i “Postës së Korçës” dënohet me dy muaj burg”, Koha, nr. 76, 8.4.1922, f. 2.
[21]. “Telegram i posaçëm për gazetën tonë nga Vlora./Vëllezërit Kokoshi kërkojnë të vrasin kryeredaktorin e gazetës “Fjal e lirë”, Koha, nr. 98, 23.9.1922, f. 1.
[22]. “Nga pak dhe për të gjitha./Gjyqi i diktimit nxjerr të pafajshëm drejtorin e “Kohës”, Koha, nr. 91, 5.8.1922, f. 3.
[23]. “Dënohet drejtori i gazetës “Qarku i Bilishtit”, Koha, nr. 85, 17.6.1922, f. 2; Faik Konica, “Shtypi i Shqipërisë./ Gjobiten drejtorët e gazetave “Posta e Korçës”, “Qarku i Bilishtit” dhe “Koha” nga qeveria sepse kanë shprehur lirisht mendimet për ngjarjet e kohës”, Dielli, nr. 2463 (36), 17.6.1922, f. 8; “Veli Harshova u burgos se foli të drejtën./Kundër zgjedhjeve të Durrësit, Dibrës e Kosovës”, Dielli, nr. 2514 (57), 16.9.1922, f. 1.
[24]. “Letër e hapur Shkëlqesisë së Tij Ministrit të Drejtësisë./Kundër dënimit të drejtorit të kësaj gazete”, Posta e Korçës, nr. 103, 8.4.1922, f. 2; Faik Konica, “Një gazetar i burgosur./Njoftohet nga Tirana se në Elbasan është arrestuar Emin Matraxhiu”, Dielli, nr. 2370 (20), 25.2.1922, f. 4.
[25]. “T`a mbyllim gojën?…Mbi gjyqin kundër gazetave “Posta e Korçës” dhe “Koha”, Posta e Korçës, nr. 104, 15.4.1922, f. 2; “Lajme të vendit./U zhvillua gjyqi për drejtorin e “Kohës”, Posta e Korçës, nr. 102, 4.4.1922, f. 2.
[26]. “Falja e shtypit. (Ligjë e rregullore)”, Fletorja zyrtare, nr. 57, 17.12.1922, f. 4.
[27]. “Mbi ligjin për shtypin”, Posta e Korçës, nr. 151, 18.11.1922, f. 2.
[28]. Arkivi Qendror i Shtetit (AQSh), Fondi (F): Ministria e Drejtësisë, Viti (V) 1922, Dosja (D): II-106, fl. 1. Letër e kryeministrit Xhafer Ypi drejtuar Ministrisë së Drejtësisë për zbatimin e ligjit të shtypit, 9.4.1922.
[29]. Orhan Koloğlu, Osmanlı dönemi basınının içeriği, Istanbul: Istanbul Üniversitesi Iletişim Fakültesi Yayınları, 2010, s. 239-244.
[30]. AQSh, F: Ministria e Drejtësisë, V. 1922, D. II-106, fl. 20. Letër e ministrit të Drejtësisë H. Vrioni drejtuar Kryeministrisë, 9.10.1922.
[31]. Po aty, fl. 21. Letër e kryeministrit Ahmet Zogu drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, 13.12.1922.
[32]. Po aty, fl. 2-8. LIGJI I SHTYPIT
PJESË E I
Neni. 1.) Ç’do gazetë ose e përkohshme duhet me pasë nji Drejtuer të përgjegjshëm.
Neni. 2.) Ç’do shqyptar që ka mbarue 21 vjetë dhe që zotnon gjith të drejtat qytetnore nuk është i dënuem me ndonji shkak si mashtrim, çpërdorim besimi ose falsifikimi, mundet me u ba drejtuer i përgjegjshëm i një gazete ose të përkohshme, por detyrohet të veprojë mbas këtij ligji. Drejtori i përgjegjshëm duhet doemos të dijë të këndojë e të shkruaj shqip ose atë gjuhë me të cilën do të shtypet gazeta.
Neni. 3.) Ç’do njeri që kërkon të shtypi një gazetë ose të përkohshme, duhet që të kërkojë leje me një lutje të posaçme nga Mininistria e Punëve të Mbrendshme; lutja do të përmbajë pikat e poshtë shënueme:
a). Emnin e gazetës ose të përkohshmes.
b). Vendin ku do të shtypet.
c). Programin themelor.
d). Ditët e botimit.
e). Emnim, mbiemnin, moshën, vendin e banimit e nënshtetësien e lutësit.
f). Emnin, mbiemnin, moshën, banimin e nënshtetësin e Drejtorit të përgjegjshëm.
g). Emnin e gjuhës në të cilën do të botohet. Mbas kësaj lutje merret një diftesë.
Neni. 4.) Ç’do gazetë ose e përkohshme që shtypet pa u paraqitë lutja e sipërthanun, ndalohet që atë çast dhe botuesi dënohet me 100-1000 fr. ar gjobë nga ana e gjykatores. Në qoftë se ky faj përsëritet, 200-2000 fr. ar ose nga 24 orë deri një muaj burg. Në qoftë se landa e gazetës ose e përkohshme mbas ligjit meriton një ndëshkim ma të fortë, veprohet mbas asaj. Në qoftë se përmbajtja e lutjes kundërshton më të vërtetën ose veprohet kundra përmbajtjes së lutjes, lutja quhet si e paparaqitun dhe veprohet mbas ligjit.
Neni. 5.) Çdo gazetë ose e përkohshme ashtë pronë e të zotit; mundet që të shkojnë dhe në pronësi të një tjetrit. Kur vdes i zoti i mbetet trashigimtarvet të tij dhe vazhdohet në botim nën përgjegjësinë e një drejtorit të përgjegjshëm.
Neni. 6.) Emni i një gazete ose i një të përkohshme nuk mund të përdorohet prej tjetrit kuej as drejtë për drejti dhe as me një ndyshim që t’i përngjasin asaj. Emni i një gazete ose i një të përkohshme që nuk asht shtypë prej 15 vjetëve e këndej, mundet të përdorohet edhe prej tjetrit.
Neni. 7.) Në qoftë se Drejtori i përgjegjshëm vdes ose me ndonji dënim të gjykatores; largohet nga drejtoria e përgjegjshme ose bahet ndonji ndryshim në përmbajtjen e lutjes që duhet të jenë e paraqitun, mbas nenit tre (fundi në 5 ditë e sipër) duhet të lajmërohet Mininistria e Brendshme; në qoftë se vijohet në botim pa u vrejt kjo pikë, zbatohet përmbajtja e nenit 4.
Neni. 8.) Kryetarët e administratës, Prokurorët ose Drejtori i Shtypit, kurdo herë kanë të drejtë të kontrollojnë burimet e të ardhunave e shpenzimet e njëgazete ose të përkohshme. Në fund të hetimeve, në qoftë se dalin në shesh që janë edhe disa burime të mshefta e të dyshimshme, q’atë çast ndalohet botimi i saj. Në qoftë se ajo fuqi që e mburon e përmban gazetën me ndihma të hollash e ka nji qëllim të msheftë për me ngatrue qetësinë e vendit ose kërkon të ndryshojë formën e qeveris ose vepron me sigurue interesat politike t’asaj fuqie drejtori i përgjegjshëm dhe shkrimtarët e artikujve të dyshimshëm, gjykohen mbas nyjeve të posaçme të ligjit ndëshkimor.
PJESË E II
Neni. 9.) Drejtorat e përgjegjshëm për herë me të botuem fletoren, janë të detyruem me u paraqitë nga nji copë tue e vertetue me nënshkrimin e tyne:
1) Në Mininistrinë e Punëve të Brendshme
Drejtorët që nuk i shtrohen këtij nyji për ç’do numër, dënohen me nga 10 fr. ar gjobë.
Neni. 10.) Në krye ose në fund të ç’do gazete a të përkohshme, duhet të shënohet emni i drejtorit të përgjegjshëm; përkundrazi u merret 20 fr. ar gjobë. Të pa shënuemit e emnit të drejtorit të përgjegjshëm, nuk e shpëton drejtorin e asaj fletorje nga përgjegjësia ligjore.
Neni. 11.) Ata që shesin ose ata qëshpërndajnë të përditshme e sende të shtypme, munden të përflasin vetëm emnat e shkrimtarëvet a të fletorevet e të çmimeve të tyne. Të përdorunit e titullave a t’emnave të turpshëm e të thanunit të fjalve të ndyta që çnderojnë nji person ose nji trup edhe të bërtitunat në një mënyrë që shkaktojnë shqetsimin e popullit asht krejt e ndaluem. Kundërshtarët dënohen me 5 deri në 20 fr. ari gjobë ose në 24 orë deri në nji javë burg.
Neni. 12.) Nënshkrimet ligjore që rrjedhin nga përmbajtjet e fletoreve me rradhë i përkasin:
1.) Drejtorit të përgjegjshëm
2.) Administratorit të gazetës
3.) Shkrimtarit t’artikullit
5.) Atyne që shesin e shpërndajnë gazetat
Pa qenë e mundun të ngrehunit të gjyqit kundra drejtorit të përgjegjshëm, nuk mundet me u ngrehë gjyqi kundra atyne që mvaren prej tij. Administratori i gazetës në qoftë se nuk administrohet prej drejtorit të përgjegjshëm dhe shkruesi i artikullit përherë gjykohen si bashkë-veprues. Drejtori i përgjegjshëm e pronari i gazetës janë të përgjegjshëm për dame që bahen dhe për shpërblime që vendosen nga ana e Gjykatores.
Neni. 13.) Kushdo që sheh vehten e tij të damtum moralisht e materialisht nga botimet e fletorevet, ka të drejtë me u drejtue në gjykatore dhe me u ankue mbas nenit 12, kundra atyne që janë të përgjegjshëm. Për të lypunit e shpërblimeve nuk ka nevojë me dhanë nji protestë ma së pari. Gjykatorja mundet me gjykue përmbi dëmet materiale e morale që mund t’i ken tskue ankuesit nji shpërblim të arsyeshëm, veç kësaj gjykohet dhe ndëshkimi që cakton ky ligj. Gjykesa e gjykatores do të shpallet plotësisht në numrin e parë ose në të dytën tuj fillue prej ditës komunikimit; në mos u shtypet në këto dy numra, merret njimij (1000) fr. ar gjobë. Gjykatorja mundet me gjykue e mundet me vendos që gjykesa të shpallet edhe nër gazeta tjera tue pagunun shpenzimet nga ana e fletores së ndëshkueme.
Neni. 14.) Fletoret munden të botojnë vendimet e ç’far do këshillave ose gjykatoreve, por nuk munden të botojnë vendimet e nji gjyqit a të nji komsis zyrtare që ka rrjedhë mbas ligjit msheftasi. Në qoftë se botohet rrjedhja e ndonji gjyqit ma së fundit duhet të botohet edhe vendimi që nepet mbi ato çashtje; ato që veprojnë kundra këtij ligjit dënohen me 100-400 fr. ar gjobë.
Neni. 15.) Gjykatoret mundin të urdhënojnë ndalimin e botimit të shpjegimevet demoralizuese që mund të bahen me ndonji Gjyqë që vazhdon sheshazi. Ata që shtypin sendet e ndalueme, dënohen me 40-200 fr. ar ose 24 orë deri me nji javë burg.
Neni. 16.) Ligjet dhe rregulloret nuk munden të botohen para se të shpallen zyrtarisht. Ata që veprojnë kundra këtij nyji, dëmtohen me 40-200 fr. ar gjobë e në u dashtë, mund të konfiskohen të gjith aktet e shtypuna.
Neni. 17.) Në qoftë se botohet ndonji send tue çnderue ndonji fe ose shtypen artikulla që mund të shtijnë dasie e idhnim midis pjestarëvet të fevet të ndryshme mbas nenit 12 të përgjegjshmit dënohen me 6 muaj deri në tri vjetë burg, dhe me nji gjobë 400-1000 fr. ar. Këto dy ndëshkime munden të vendosen prej nji herit ose njoftohet vetme me njanën. Biseda e shkresa ditunije e filozofike që bahen tue u mbështet mbi dokumenta nuk quhen çnderime.
Neni. 18.) Në qoftë se botohen artikulla që shtynë popullin për me ba ndonji nga krimet që tregohen në pjesën e dytë të ligjit ndëshkimuer, simbas nenit 12, përgjegjësit dënohen si dhe kriminelët që kanë ba atë krim; por në qoftë se botimet e bame nuk shkaktojnë ndonji veprim, përgjegjësit dënohen me burgim të përjetshëm.
Neni. 19.) Ata që marrin të holla ose përfitojnë me ndonji mënyrë, dhe ata që dëshirojnë të marrin para ose të përfitojnë duke tremë me të çpallunit ose me të çpifunit e ndoji sendit mund të prishin nderin ndonji njeriut, dënohen nga tre muaj deri në tri vjetë burgim dhe me 200-2000 fr. ari gjobë.
Neni. 20.) Ata që botojnë ose çpallin lajme të rreme, të çpifuna a të falsifikueme ata që çpallin letra a lajme të pa kenuna në emën të tjetër kuj dhe me këtë mënyrë shkaktojnë prishjen e qetesisë, dënohen me 6 muaj deri në dy vjetë burg me 100-1000 fr. ar ose dënohet me njanin prej këtyne ndëshkimeve.
Neni. 21.) Për artikulla ose për fytyra që shtypen e që kanë nji formë jasht moralit, mbas nenit 12 përgjegjësit i merret 40-200 fr. ar gjobë.
Neni. 22.) Gazetat e të përkohshmet janë të detyrueme të shtypin:
Përgënjeshtrimet që do bahen nga ana e qeverisë (përgjegja duhet të mos jetë e gjatë ma tepër se dy herë nga ajo që ka shkrue fletorja). Këto përgjegje e përgënjeshtrime shtypen në fletën e parë t’asaj fletoreje ose në atë shtyllë që asht botue lajmi i përgënjeshtrimit; përkundrazi përgjegjësit i merret 100-1000 fr. ar gjobë.
Neni. 23.) Të përsëritunit e fajeve të sipërthanun njihen si shkak shtrëngimit.
Neni. 24.) Prokurori ngref padie kundra fletoreve që botojnë sende që janë tregu në N. 18. Qeveria në qoftë se e shef me nevojë, mundet me ndalue botimin e fletores deri në mbarim të gjyqit. Në qoftë se Gjykatorja vendos mosfajnien e tij, drejtori ka të drejtë të lypi damin që i ka shkaktkue nga ndalimi i botimit.
Neni. 25.) Ndëshkimet që janë tregue në kto ligje, për fajet e shtypit, zbatohen për gazetat, të përkohshmet, për fytyrat që shtypen në të, dhe për letra dhe shpallje të shtypuna që përndahen ose shiten, për tabllot e zadhanjet që mvaren në rruga e në vende tjera të përgjithshme.
PJESË E III
Neni. 26.) Të shpifunat që bahen mbi ndonji pikë të posaçme, dhe të shamet që shkaktojnë të fymit ose shnderimin e nji njeriu ose të nji grupi quhen shnderime. Ata të shpifuna që bazohen mbi ndonji pikë të posaçme quhen të shame. Kritikat me nder e me logjikë kurr ndonji herë nuk mund të quhen si nji faj.
Neni. 27.) Artikullat që përmbajnë fjalë, të shame ose shnderime kundra personave që përfaqsojnë fuqinë e fronit mbas nenit 12 përgjegjësit dënohen me tre muaj deri në tri vjet burg.
Neni. 28.) Për shnderime e të shame që bahen me nji muaj deri me nji vjetë burgim.
Neni. 29.) Të shamet e shnderimet që bahen kundra Këshillit Kombëtar e kundra Gjykatoreve, Ushtries e zyrave tjera ose kundra nëpunësve politikë e të përfaqsuesave të shteteve të huaj që ndodhen në Shqipni, mbas nenit 12, përgjegjësi dënohet me 15 dit e deri në 6 muaj burgim ose me 100-1000 fr. ar gjatë të dy ndëshkimet mund të bahen edhe të dyja për nji herit. Në të shamet, ndëshkimi mund të bahet nga nji javë deri edhe në tre muaj burgim e tue marrë nga 20-500 fr. ar gjobë; mund të zbatohet vetëm njana prej të dyjave. Në se i shami a i shnderumi lypë edhe shpërblimin e nderit, Gjykatorja dhe përmbi kët pikë, jep nji vendim të posaçëm.
Neni. 30.) Për të shame a shnderime që bahen kundra kujdo që të jetë nga populli a mbas nenit 12 përgjegjësi dënohet nga nji javë deri në tre muaj burgim dhe bashkarisht nga 40-500 fr. ar gjobë, por mundet edhe me gjykue vetëm njena prej këtyne ndëshkimeve. Për të shamet dënohet nga nji javë e deri në nji muaj burg e nga 20-300 fr. ar gjobë ose mund të gjykohet vetëm njena prej këtyne dy ndëshkimeve; i shami a i shnderumi në qoftë se shef vehten e tij të dëmtuem, gjykatorja veçanërisht vendos edhe shpërblimin e dëmit.
Neni. 31.) Për të shamet e shnderimet që bahen kundra Ministrive e anëtarëve të Këshillit Kombëtar e kundra nëpunësisë së shtetit, zbatohet me doemos përmbajtja e nenit 30. E shamja ose shnderimi që bahet, në qofte se i takon detyrave të nëpunësit të tyne veprohet mbas nenit 28. Por në qoftëse shnderimet që bahen kundra të sipërthanunave e kundra shoqënive tregtare e financjare që janë formue tue qitë obligacione e i u bahen vetëm për veprat që u takojnë nëpunësisë tyne tue caktue nji faj të posaçëm,dhe kjo gja vërtetohet dhe në rrjedhje të Gjyqit. Përgjegjësit për botimet e banuna nuk mund të dënohet.
PJESA E IV
Neni. 32.) Për shnderime e të shame që bahen:
1) Kundra fuqis së fronit
2) Kundra Ministrinave
3) Parlamentit
4) Për botime që shkaktojnë armiqësi ose dasi midis pjesëtarëvet të fevet të ndryshme
5) Për botime që mbahen me qëllim të ndryshimit të formës qeveritare
6) Botimet që bahen kundra presionit moral t’ushtries dhe për botimet që bahen kundra mbretërve e Kryetarëvet të Shteteve të huaj, dhe për nëpunësit diplomatik të tyre. Prokurori vetiut ban gjumimet e duhuna; për të huajt shkresa e Ministrit të Punëve të Jashtëme.
Neni. 33.) Gjykimet që rrjedhin nga fajet e shtypit, shikohen vetëm në Gjykatoret e Përgjithshme për të shamet e shnderimet që bahen kundra atyne që nuk janë shamë në nyji 32, shikohen vetëm mbas nji lutje që mund të nepet nga ana e shamit ose të shnderumit.
Neni. 34.) Padimet që i bahen masi të shkojnë tre muaj nga dita e botimit, nuk merren parasysh.
Neni. 35.) Në kohë të mobilizasionit ose kur asht frigo luftet të botimit e lajmeve që i përkasin veprave ose veglave të mbrojtjes s’Atdheut janë të ndalume, dhe urdhuni i ndalimit shpallet nga ana e Qeverisë. Në kët kohë shpallen vetëm lajmet që nep qeveria. Ata që kundërshtojnë dënohen me 1000-4000 fr. ar gjobë e 6 muaj deri dy vjet burgim. Mund të gjykohen me njanën prej këtyne dy ndëshkimeve.
Neni. 36.) Të përkohshmet që nuk merren me politikë dhe kanë të bëjnë vetëm me dituni e me literatyrë quhen si libra e nuk hyjnë në rreth të këtij ligji.
Neni. 37.) Gazetat ose të përkohshmet që shtypen në vende të huaja mund të ndalohen nga hyrja me vendim të Këshillit Ministruer. Ministri i Punëve të Brendshme mundet me urdhnue vetë ndalimin e nji numri. Ata që shesin ose i shpërndajnë fletoren e ndalueme dënohen me 40-300 fr. ar.
Neni. 38.) Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Drejtësisë janë të detyrueme me zbatue këtë ligjë.
Kryeministri
Ministri i Punëve të Brendshme.
[33]. Po aty, fl.16-17. LIGJA E SHTYPSHKRONJAVE
Pjesa e I.
KREU I.
Neni 1. Cili do që i jep nji letërlajmim zyrës Administratës dhe nji kopje prokurories së vendit mundet të hapë lirisht shtypshkronjë.
Letër-lajmimi do të përmbajë:
1).Emnim e mbiemnin dhe banimin e drejtorit të shtypshkronjës dhe të shokve.
2). Në cilën gjuhë do të punojë.
Neni 2. Ç’do ndrrim i drejtorit dhe ndrrimi vendit të shtypshkronjës do t’i lajmohet administratës e prokurories.
Neni 3. Kush do qi hap shtypshkronjë tue mos plotsue përmbajtjen e nenit 1 e 2 dhe shtyp libra fletore tj., gjobitet me 20-100 fr. ari.
KREU II
Mbi shtypshkrim të librave dhe të përkohshmeve
Neni 4. Pa qenë nevoja me marrë leje editorët mund të shtypin, ç’do farë libri e të përkohshme mbi ditunitë, shkencat, literaturë e mbi mjeshtërit. Vetëm janë të detyrum me i dërgue të nesërmen të shtypshkrimit nji copë Prokurories dhe dy Bibliothekës së Shtetit, përkundrazi dënohen në 40 deri 200 fr. ari gjobë.
Neni 5. Botimet e përmenduna në nenin 4 janë pronë të autorit të cilat mund të shiten dhe trashgohen prej trashëgimtarëve në vdekjen e tyne. Por, në qoftë se pronarët 15 vjet me rradhë nuk miren me botimin e tyne e bjerrin në drejtim të ndalimit të ribotimit. Kushdo që vepron kundra paragrafit të parë të këtij nenit dhe i shtyp pa lejen e të zotit.
Neni 6. Kushdo që lajmon nji emën të rremë për emnin e vet dhe tregon si vend të shtypshkronjës nji vend kundra të vërtetës gjykohet 200 deri 400 fr. ari.
Neni 7. Pjesa ndëshkimore e ligjit të shtypit përfshin dhe botimet e banuna me anë të librave dhe të përkohshmeve.
Pjesa e II mbi rregullat procedurale
Neni 8. Kjo ligj zbatohet nga ana e gjyqeve të drejtësies dhe për shikimin e ç’do çashtje të përmendun në të lypet kërkimi i Prokurorit.
Neni 9. Përsëritja e fajeve të përmenduna në këto ligje, numurohet si shkak randësuer.
Neni 10. Me përjashtim të shkrimeve t’akteve private si dhe të shtypshkrimeve të posaçme të zyrave, sipër ç’do akti, libri etj., që të shtypen do të shënohen emni dhe vendi i shtypshkronjës kontrë-vajtësit me 20-100 fr. ar.
Neni 11. Nënshtetasit e huej për me çelë shtypshkronjë në Shqypnie janë të detyruen me marrë leje prej Këshillit Ministruer me ndërmjetsie të përfaqsuesit të shtetit të tyre.
Neni 12. Shtypshkronjat e tashme janë të detyruem me plotsue kushtet ligjore të përmenduna në këto ligje mbrenda nji muej mbas shpalljes së saj. Për kundra vajtësit veprohet si mbas nenit 3 të kësaj ligje.
Neni 13. Ky ligj zbatohet baraz dhe për nënshtetasit e huej.
Neni 14. Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë detyrohen me zbatimin e kësaj ligje.
[34]. Orhan Koloğlu, Osmanlı dönemi basınının içeriği, s. 244-245.
[35]. Po aty.
[36]. “Ligji i shtypit”, Drita, nr. 120, 8.12.1922, f. 2.
[37]. “Me ç`fuqi vë nome?./Mbi ligjin e shtypit në të botuar në “Dit e re”, Dielli, nr. 2481 (39), 8.7.1922; “PERINDAT tiranike që përsëriten./Mbi ligjin e Shtypit në Shqipëri”, Dielli, nr. 2481 (39), 8.7.1922; “Shtypi ynë./Mbi gjendjen e shtypit në Shqipëri”, Dielli, nr.2453, 6.6.1922; “Me ç`fuqi vë nome?./Kryeartikull mbi ligjin e shtypit në Shqipëri”, Dielli, nr. 2464, 19.6.1922; Faik Konica, “Liria e shtypit./Kufizimi i të drejtave të shtypit në Shqipëri dhe liria e shtypit shqip në Amerikë”, Dielli, nr. 2469 (37), 24.6.1922; “Ligji i Shtypit./Shqetësim i organevet të shtypit për kufizimet nga “Ligji i Shtypit./Mbi daljen së shpejti të gazetës “Shqiptari i Amerikës”, Dielli, nr. 2472, 28.6.1922; Faik Konica, “Sotir Peci, Refik Toptani, Xhafer Ypi, Ahmet Zogu, Hysen Vrioni./Janë ata që aprovuan ligjin për heqjen e lirisë së shtypit në Shqipëri”, Dielli, nr. 2476 (38), 1.7.1922 ; “Kufizimet e Qeverisë për shtypin shqiptar”, Dielli, nr. 2478, 5.7.1922; Faik Konica, “Emrat e pesë njerëzve që propozuan ligjin për mbytjen e lirisë së shtypit: Sotir Peci, Refik Toptani, Xhafer Ypi, Ahmet Zogu, Hysen Vrioni”, Dielli, nr. 2501 (44), 5.8.1922; Faik Konica, “Sotir Peci, Refik Toptani, Xhafer Ypi, Ahmet Zogu, Hysen Vrioni: propozuan “ligjin” për heqjen e lirisë së shtypit”, Dielli, nr. 2502 (45), 9.8.1922; “Kanuni dhe liria e fjalës./Për lirinë e shtypit”, Dielli, nr. 2510 (53), 2.9.1922; Faik Konica, “Organi zyrtar i sodomitëve./Fletorja zyrtare dhe qëndrimi i saj ndaj shtypit shqiptar në Amerikë”, Dielli, nr. 2534 (77), 22.11.1922.
[38]. Faik Konica, “Policia vendos në Shqipëri se cila gazetë duhet të qarkullojë”, Dielli, nr. 2463 (36), 17.6.1922, f. 8.
[39]. Faik Konica, “Pse duhet liria e shtypit?/Mbi heqjen e lirisë së shtypit në Shqipëri”, Dielli, nr. 2476 (38), 1.7.1922, f. 5.
[40]. “Kanuni dhe liria e fjalës”, Dielli, nr. 2512 (55) , 2.9.1922, f. 3.
Sep 10, 2018 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...