Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 18, 2018 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
Dorian Demetja, Drejtor i Kulturës dhe i Arsimit , KMSH
Abstrakt
Të medituarit rreth krijesave të Zotit, është një ritual që largon preokupimet dhe shqetësimet, sepse pas kësaj, njeriu e ndjen se kjo botë, me gjithë hallet e saj, është shumë e vogël në krahasim me universin, e ndjen se problemet dhe vuajtjet janë shumë të vogla në krahasim me madhështinë e universit dhe të Krijuesit.
Në botën e tij të brendshme, njeriu është një krijesë që ka nevojë të emocionohet çdo ditë, madje disa herë në ditë. Parë në këtë këndvështrim, detyra jonë në këtë mes është të mos rrimë larg shokëve të mirë, sepse shoku i mirë, në çdo kohë, me këshillat dhe porositë e tij të dobishme, mund të na zgjojë emocione dhe të na e ngrejë zemrën peshë.
Në çdo kohë, lutja jonë, me të cilën i drejtohemi Allahut, duhet të jetë që të na mbrojë nga e keqja e egos dhe e djallit, në mënyrë që të mund ta vazhdojmë jetën në atmosferën e mirësisë hyjnore. Njëkohësisht lusim Allahun (xh.sh.), që nëpërmjet meditimit, t’i kuptojmë dhe t’i konceptojmë mirë, në pikëpamje shumëdimensionale, mesazhet e Islamit dhe, duke i përfaqësuar në mënyrë dinjitoze, të fitojmë kënaqësinë e Krijuesit tonë.
“Dhe thuaj: Lavdëruar qoftë Allahu, i Cili nuk pati fëmijë dhe nuk ka për Të shok në sundimin dhe, sa i përket aftësisë, nuk ka nevojë për ndihmëtarë, dhe madhëroje Atë me madhërinë që i takon”[1].
Allahu është më i madhi, Ai është i Lartësuari, Ai është i Gjithëmëshirshmi dhe Mëshirëploti, Ai është Krijuesi, Formëdhënësi, i Cili, nëpërmjet fuqisë së Tij, e krijoi dhe e modeloi njeriun në formën më të bukur. Allahu është i Gjithëdituri, Ai është i Drejti dhe Sovrani Absolut, i Cili e themeloi pemën e universit për gjashtë ditë në përputhje me parimet e urtësisë dhe dëshirës së Tij.
Zoti e ka krijuar njeriun me kapacitete të ndryshme fizike, emocionale, intelektuale dhe shpirtërore. Njëkohësisht kur e krijoi, nuk e la kuturu që rrugën ta gjejë vetë, por, nga mesi i njerëzve, Ai dërgoi profetë për të përcjellë mesazhet e Veta dhe për të bërë të qartë qëllimin e krijimit të njeriut, të ardhjes së tij në këtë botë. Përveç kësaj, në mënyrë të paimponuar, Allahu i ka dhënë vullnet të lirë njeriut që ta zgjedhë vetë rrugën e tij. Në të gjithë këtë proces, roli i njeriut është shumë i vogël, por Zoti e ka bërë vullnetin tonë një kusht elementar për te rruga e drejtë. Njeriu merr vetëm iniciativën, të tjerat janë dhurata hyjnore. Mjafton iniciativa jonë për kafshatën e bukës dhe proceset e shijimit, bluarjes, tretjes etj.; janë dhurata nga Zoti, të cilat veprojnë në mënyrë automatike. Pra, vetëm një shtypje butoni kah ana e besimit, bëhet shkak për ndezjen e dritave të udhës së drejtë.
Njeriu duhet të trokasë në derë me cilësinë e të kërkuarit diçka. Si rruga e drejtë, ashtu edhe ajo e gabuar janë nga krijimi i Zotit. Allahu udhëzon ose jo, por edhe kjo ka pretekstet e veta. Për shembull ç’mund të thuhet për iniciativën e njeriut që shkon në xhami apo në biseda fetare dhe për atë që shkon në pijetore apo në shtëpi publike?! Kjo do të thotë që njeriu ka në dorë një gjë aq të vogël, saqë nuk mund t’i bëhet shkak i vërtetë as për ta udhëzuar, as për ta devijuar. Këtë nënkupton edhe ajeti: “Atë që e udhëzon Allahu, ai është vërtet udhëzuar, e atë që e humb, ti nuk do të gjesh për të ndihmës që do ta udhëzonte”[2].
Në Kur’an thuhet: “Në krijimin e qiejve e të tokës, në zëvendësimin reciprok të natës me ditën ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt”[3]. Me të vërtetë, në lindjen dhe perëndimin harmonik të hënës e diellit, në rregullsinë marramendëse sipas së cilës ndodhin dukuritë, ka shembuj domethënës për ata që thellohen në mendim. Në lidhje me çështjen e meditimit, ky ajet është një argument i qartë. Ky dhe shumë ajete të tjerë të ngjashëm, që konsiderohen një portë e hapur për meditimin dhe arsyetimin, kanë rëndësi shumë të madhe për të treguar se cilat janë dimensionet e jetës së besimtarit në Islam.
Vetëm se, në fillim, është e nevojshme të dihet se ç‘është meditimi. Pikësëpari, meditimi duhet të mbështetet në një informacion fillestar. Ndryshe, me një meditim të varfër, të rëndomtë dhe të pa orientuar, nuk mund të arrihet askund. Një meditim i tillë i mbyllur, me kalimin e kohës sjell ngopje, mërzitje e lodhje dhe pastaj njeriu arrin deri në atë gradë sa të mos mendojë më dot. Fillimisht, njeriu duhet ta njohë mirë subjektin mbi të cilin do të meditojë, si dhe specifikat që do të përbëjnë bazë për meditim, domethënë duhet t’i serviret ose të ketë në dispozicion një informacion të qëndrueshëm, në mënyrë që të mundet të mendojë rregullisht e sistematikisht. Nëse njeriu i njeh qoftë edhe pak lëvizjet dhe ciklin e trupave qiellorë, marrëdhëniet e tyre me njeriun, lëvizjen dhe veprimtarinë e grimcave që përbëjnë trupin e njeriut; kur mendon rreth tyre; ky mendim mund të quhet meditim. Vërtet ka pasur njerëz që i kanë ardhur rreth e rrotull materies dhe ekzistencës së saj, por kurrë nuk kanë mundur ta njohin të vërtetën e saj. Ndërsa ata që, duke vështruar lëvizjet e hënës e të diellit, ndiejnë diçka, dhe përpiqen po kështu të thonë diçka, nuk janë mendimtarë, por poetë apo ëndërrimtarë, që shprehin frymëzimet dhe iluzionet e tyre. Pra, nuk është e mundur të quhen meditues, ata që se vrasin mendjen për të vërtetën. Për shembull, në shprehjet e poetëve të dashuruar pas natyrës, njeriu bëhet sikur po ndien parajsën, sikur po ndodhet në mesin e saj, shushurima e ujërave që rrjedhin, fëshfërima e gjetheve të pemëve, kënga e zogjve… Kënaqen me ato që shohin dhe i servir kjo botë, por nuk shkojnë përtej saj. Në të gjitha anët e mendimeve të tyre mbi jetën ka një ngecje, një shteg të mbyllur dhe ajo çka këta quajnë meditim, nuk është gjë tjetër veç një mendim dhe ankth i pashpresë. Sigurisht që një meditim i tillë nuk ka asnjë dobi!
Për të medituar, së pari duhet një e dhënë fillestare, duhen analiza (sinteza) të reja në përputhje me bazën, me mendimin për të kërkuar të vërtetën. Personi që mendon me këtë sistem, mund të arrijë konkluzione gjithnjë të reja e të vazhdueshme. Pastaj, duke i bërë këto konkluzione bazë për hapa të tjerë, mendimi mund të bëjë përpara dhe me kohë njeriu thellohet e dimensionohet në meditimin e tij.
Si bazë fillestare në procesin e të menduarit, mund të radhisim specifika të tilla si leximi, aftësimi për të kuptuar librin e gjithësisë dhe vështrimi i ekzistencës nën objektivin e Kur’anit që konsiderohet interpretuesi më i mirë i saj. Ndryshe, konstatime të tilla si ylli polar qëndron këtu, dielli perëndon kështu, vështrimi në fytyrën e materies pa ndonjë synim të përcaktuar e në mënyrë vulgare, jo vetëm që nuk mund të jenë meditim, por as që ekziston mundësia për të arritur diku me këtë lloj meditimi. Edhe fitimi i ndonjë të mire prej tij, është çdo herë diçka e diskutueshme. Kjo nënkupton që njeriu meriton disa gjëra sipas mundit që ka dhënë. Duke arsyetuar mbi këtë bazë, njeriu pa meditimin në fjalë, e ka kryer detyrën e adhurimit të Zotit si rob i Tij, pavarësisht se në ç’formë, dhe konsiderohet të ketë kaluar në disa lloj marrëdhëniesh me Të. Vetëm se nuk ka mundur të përftojë gjërat që prodhohen prej meditimit.
Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejre (r.a.) thuhet: “فِكْرَةُ سَاعَةٍ خَيْرٌ مِنْ عِبَادَةِ سِتِّينَ سَنَةً” “Meditimi i një ore, është më i vlefshëm sesa adhurimi (vullnetar) i gjashtëdhjetë viteve”[4]. Domethënë, në sajë të një ore meditimi, te njeriu shfaqet besimi i plotësuar, në shpirtin e tij përshndrisin dritëzat që e afrojnë atë me njohjen dhe të ndierët e Zotit. Ndërkohë në zemër shfaqet dashuria hyjnore dhe njeriu arrin një kënaqësi shumë të madhe shpirtërore. Mirëpo, një pyetje na vjen ndërmend: A e zëvendësojnë meditimin ajetet kur’anore që nxisin për meditim dhe lutjet e bëra në heshtje? Ashtu si në leximin dhe kuptimin e Kur’anit, Fjalës së Krijuesit, edhe kjo varet nga të qenët i vetëdijshëm për çka po bën. Lutja e vetëdijshme, përgjërimi i vetëdijshëm disa herë në botën e brendshme të njeriut, mund të hapë edhe drynat më të ndryshkur. Nëse ato s’kuptohen dhe njeriu nuk thellohet në to, nuk ka meditim. Ka të mirë, por jo meditim. Meditimi vjen nga të vrarët e mendjes. Meditim do të thotë të bashkosh dukuri të reja me ato ekzistueset dhe t’i analizosh ato. Që të arrijmë të meditojmë, duhet të kemi parasysh se sa e vëmë në punë zemrën dhe shpirtin, se sa qëndrojmë dhe kërkojmë mbi objektin që merret për meditim, se sa i thellojmë dhe i përforcojmë marrëdhëniet me Zotin. Fatkeqësisht gjëja më e paktë e më e rrallë në ditët tona është meditimi!
Meditimi i Profetit Ibrahim (a.s.)
Të medituarit rreth krijesave të Zotit, është një ritual që largon preokupimet dhe shqetësimet, sepse pas kësaj, njeriu e ndjen se kjo botë, me gjithë hallet e saj, është shumë e vogël në krahasim me universin, e ndjen se problemet dhe vuajtjet janë shumë të vogla në krahasim me madhështinë e universit dhe të Krijuesit. Meditimi është një ritual që praktikohej nga të gjithë profetët.
Ibrahimi (a.s.) që në moshë të re, nuk pajtohej me gjendjen ekzistuese besimore të popullit të tij dhe duke medituar, ai tentoi ta njohë Krijuesin Absolut. Natyra e tij e pastër, intelekti i tij i fuqishëm dhe besimi i tij i sinqertë, bënë që ai ta fitojë dritën e Allahut: “Dhe kështu ne i treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të tokës që të jetë i bindur mirë”[5].
Kureshtja e tij për të vërtetën, e provokuar me shikimin e yllit në qiell të hapur, e shtyu të thotë: “Ky është Krijuesi im!”[6], dhe të heq dorë nga ky “krijues” porsa ta konstatojë perëndimin e yllit duke thënë: “Nuk i dua ata që perëndojnë”[7].
Ngjashëm ndodhi edhe me Hënën e Diellin. Meqë populli i tij në Haran e adhuronte Hënën e Diellin, Ibrahimi (a.s.) i qorton: “O populli im, unë jam i pastër nga ajo që ju i konsideroni rival Atij! Unë po e kthej fytyrën time, si besimtar i vërtetë, nga Ai i cili i ka krijuar qiejt dhe Tokën, dhe unë nuk jam nga idhujtarët”[8].
Këtu shohim meditimin e Profetit Ibrahim (a.s.), i cili me thellësinë e mendimit të tij dhe duke u bazuar në logjikën e gjërave, e kupton shumë mirë se çdo send, që lind e perëndon, lëviz në rrugën e përcaktuar nga një fuqi më e madhe, e cila i vë në lëvizje këta trupa. Dhe kjo fuqi i përket të Plotfuqishmit.
Përcjellja e mesazhit dhe reagimi i Ibrahimit (a.s.)
Ndër adhuruesit e idhujve ishte edhe babai i Ibrahimit (a.s.), Azeri. I vetëdijshëm për gjendjen e babait, ai, me gjithë fuqinë e besimit, i drejtohet: “O babai im, përse e adhuron atë që as nuk dëgjon, as sheh, as që mund të të shërbejë për diçka?”[9]
Më tej, në suren El-En’am, me dëshpërim e brengosje Ibrahimi (a.s.) i drejtohet babait të tij, Azerit: “… Vallë idhujt i konsideron për zota? Shoh se ti dhe populli yt vërtetë jeni në mashtrim të qartë”[10].
Edhe pse në shikim të parë Ibrahimi (a.s.) shfaq vrazhdësi dhe rreptësi ndaj idhujve, ai shpërthen nga dhembshuria, butësia, kujdesi ndaj të gjithëve, e sidomos ndaj babait. Ai edhe pse tregonte bindje ndaj babait, në çështjen e besimit e këshillonte, sepse besimi i kapërcen lidhjet biologjike: “O babai im, mua më ka ardhur dije që ty nuk të ka ardhë, ndaj më paso dhe unë do të udhëzoj në rrugë të drejtë.”[11] “O babai im, kam frikë se nga Mëshiruesi do të vijë dënimi …”[12]
Mirëpo, babai refuzon thirrjen e të birit, madje refuzimi i tij karakterizohet edhe me presion: “A i mohon ti zotat e mi o Ibrahim? Nëse nuk heq dorë sigurisht do të gurëzoj, prandaj për një kohë të gjatë hiqmu sysh”[13].
Edhe pse kërcënimi ishte real, Ibrahimi (a.s.) nuk hoqi dorë nga kujdesi për babanë e tij. Madje premtoi se do t’i lutet Zotit për të: “Selam (paqe) mbi ty. Do ta lus Krijuesin tim të të falë, sepse Ai është shumë i mirë ndaj meje”[14].
Shembulli i sjelljes së Ibrahimit (a.s.) ndaj babait të tij mohues, tregon njeriun plot besim, dhembshuri e shpresë, por edhe këmbëngulës në idealet e tij; besimin në Zotin Një dhe të Vetëm.
Meditimi i Profetit Muhamed (a.s.)
Meditimi është i tillë që të afron më shumë me Zotin, i forcon lidhjet e tua me Zotin dhe të bën prej të dashurve të Tij.
Meditimi ndahet në dy pjesë: E para, të njohësh dhe të besosh se Zoti ekziston, gjë që e besojnë shumica e njerëzimit. E dyta, të njohësh cilësitë e Zotit, madhështinë e Tij, të njohësh autoritetin, ta duash dhe të jesh në vazhdimësi i lidhur me Zotin. Dallimi i njerëzve në këtë pjesë, varet sipas meditimit të tyre lidhur me krijesat e Zotit në univers.
Profeti Muhamed (a.s.) çdo ditë shkonte në shpellën Hira dhe mendonte për veprat dhe shenjat e mëshirës së Allahut Fuqiplotë. E shikonte Qaben, vështronte thellë në dimensionet e qiellit e përkujtonte thellësitë e tokës, deteve, shkretëtirave, maleve dhe luginave. Kur i shihte gjithë këto madhështi, thellohej në mendime rreth fuqisë së paskajshme të Zotit. Në çdo gjë që shihte vërente urtësinë dhe madhështinë e pafundme hyjnore.
Tregon gruaja e tij, Hatixheja (r.a.): “…më pas ai (profeti) filloi të pëlqente vetminë, shkonte në shpellën Hira dhe adhuronte Zotin natën…”[15]
Transmeton Aishja (r.a.): Profeti (a.s.) u ngrit dhe filloi të falej. Gjatë këndimit të Kur’anit qante. Ra në ruku dhe qau, u ngrit prej saj dhe vazhdonte të qante. Ra në sexhde dhe qau, u ngrit nga sexhdja dhe qau. Vazhdoi të falej në atë formë, derisa erdhi Bilali për të thirrur ezanin e sabahut. Kur e pa duke qarë, Bilali e pyeti: “Çfarë të ka bërë të qash, o i dërguari i Allahut?!” Profeti (a.s.) ia ktheu: “E si të mos qaj o Bilal, ndërkohë që sonte më janë shpallur këto ajete: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit”[16]. Pastaj, Profeti (a.s.) shtoi: “I mjeri ai që i lexon dhe nuk mediton rreth tyre”.[17]
Një numër i madh sahabesh i kanë dhënë rëndësi ritualit të meditimit duke treguar se ‘meditimi është drita e besimit’.
Kur Omer ibnu Abdul Aziz u pyet: “Cili është adhurimi më i mirë?” u përgjigj: “Të meditosh mbi krijesat e Zotit.”
Transmetohet nga Ibni Abasi se ai ka thënë: “Dy rekate të thjeshta, por me meditime, janë më të vlefshëm sesa falja gjithë natën, nëse zemra është indiferente”.[18]
Pendesa dhe vetëllogaria si fryt i meditimit
Pas kryerjes së një mëkati, njeriu e shkëput lidhjen me Krijuesin e tij. Kjo ndodh sepse krijesa po humb dashurinë e Krijuesit, sepse njeriu me mëkatin që bëri, hodhi një hap për t’iu larguar Allahut (xh.sh.). Mungesa e vëmendjes dhe nënvleftësimi i gjynaheve është mëkati më i madh… Parë në këtë këndvështrim, nuk duhet të harrojmë dhe duhet të jemi të vëmendshëm që, nëse bëjmë një gjynah, të mos vazhdojmë të bëjmë të dytin… sepse gjynahu është si shkëndijë dëmtuese, që ndërpret lidhjen e njeriut me Zotin dhe është një goditje e rëndë për besimin. Madje, në këtë pikë, Said Nursi thotë se “brenda çdo gjynahu ka një rrugë që të çon në mohim”. Për rrjedhojë, njeriu duhet të bëjë teube sa më parë, duke ndjerë brenda vetes një pendesë të sinqertë. Nëse gjynahu është një shformim në krijim, pendimi dhe pendesa janë rikthim në origjinalin e krijimit.
Gjynahu duhet ndjerë në shpirt si një ankth, ndërsa ndërgjegjja duhet të ndjejë urrejtje, neveri dhe përbuzje ndaj atij gjynahu. Nëse njeriu nuk shqetësohet e nuk vuan për shkak të gjynahut edhe sikur ta shprehë me gojë si rutinë, kjo lloj pendese nuk është pendesë, ajo mbetet thjesht një varg fjalësh të padobishme. Siç thotë edhe Profeti (a.s.): “En-nedmu (en-nedametu) teubetun – Ndjenja e pishmanllëkut, shenja e pendesës, në vetvete, është teube”.
Kur ne dalim prej rrugës së Tij, Zoti na i mbyll të gjitha dyert e kalimet nga të cilat Ai sheh kah ne. Por kur ne ndjejmë pendesë dhe fillojmë të marrim në llogari veten tonë e themi: Pse e bëra këtë? Pse veprova kundër urdhëresave të Krijuesit tim? Kjo do të thotë që ne filluam ta korrigjojmë veten dhe, sapo të fillojmë të meditojmë mbi këtë gjë, sapo nisim të angazhohemi nën shtypjen e ndjenjës së pendesës, menjëherë shohim se kanë nisur të hapen të gjitha “portat e dritaret”.
Shkurt, nëse ne mbajmë lidhje të vazhdueshme me Zotin tonë, edhe Ai nuk do të na braktisë në dorë të djallit, të armikut tonë. Personit, i cili e rinon vazhdimisht lidhjen me Zotin e vet me anë të meditimit, djalli nuk gjen dot rrugë për t’i shtënë dyshim e lëkundje. Për këtë arsye, duhet të kërkojmë rrugët për rinovimin e vetes. Kjo mund të bëhet disa herë me anë të meditimit, disa herë me anë të mendimit për vdekjen, disa herë me anë të leximit, disa herë duke kënduar Kur’an… Nuk ka ndonjë kufi për këtë gjë, por ne kemi shumë nevojë për këtë, po aq sa kemi nevojë për ajrin, ujin dhe bukën.
Në botën e tij të brendshme, njeriu është një krijesë që ka nevojë të emocionohet çdo ditë, madje disa herë në ditë. Parë në këtë këndvështrim, detyra jonë në këtë mes është të mos rrimë larg shokëve të mirë, sepse shoku i mirë, në çdo kohë, me këshillat dhe porositë e tij të dobishme, mund të na zgjojë emocione dhe të na e ngrejë zemrën peshë.
Në çdo kohë, lutja jonë, me të cilën i drejtohemi Allahut, duhet të jetë që të na mbrojë nga e keqja e egos dhe e djallit, në mënyrë që të mund ta vazhdojmë jetën në atmosferën e mirësisë hyjnore. Njëkohësisht lusim Allahun (xh.sh.), që nëpërmjet meditimit, t’i kuptojmë dhe t’i konceptojmë mirë, në pikëpamje shumëdimensionale, mesazhet e Islamit dhe duke i përfaqësuar në mënyrë dinjitoze, të fitojmë kënaqësinë e Krijuesit tonë.
[1]. Isra, 111.
[2]. El-Kehf, 17.
[3]. Al ‘Imran, 190
[4]. Isbahani, Kitabu`l-Adhame, v. I, f. 299.
[5]. El-Enam, 75.
[6]. El-Enam, 76.
[7]. El-Enam, 76.
[8]. El-Enam, 78-79.
[9]. Merjem, 42.
[10]. El-Enam, 74.
[11]. Merjem, 43.
[12]. Merjem, 45.
[13]. Merjem, 46.
[14]. Merjem, 47.
[15]. Buhari, Bedju`l-Vahj, v. I, nr. 3.
[16]. Al ‘Imran, 190-191
[17]. Sahih Buhari, nr. 4569; Sahih Muslim, nr. 763.
[18]. Isbahani, Kitabu`l-Adhame, v. I, f. 297, nr. 42.
Dec 31, 2020 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...