Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 04, 2018 Zani i Nalte Editoriale 0
Prof. dr. Njazi KAZAZI
Departamenti i Gjuhësisë, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Në monografinë “Zhvillmi i arsimit të mesëm në Shkodër” (nga fillimet deri në në vitet ’20 të shek. XX), Shkodër, 2014, botim i USH “L. Gurakuqi” dhe Institutit të Studimeve Albanologjike, faqe 188, kemi trajtuar, veç të tjerave edhe Shkollat e mesme-Medresetë (1896-1925), Kolegji Saverian i Jezuitëve (1877), Kolegja Papnore, Gjimnazi “Illyricum”(1921), Shkolla normale e Motrave Stigmatine (1922), Shkolla Normale (1917), Gjimnazi i shtetit (1922), etj.
Po japim në mënyrë të përmbledhur pjesën e trajtuar në këtë monografi:
Më se 100 vite nga hapja e Shkollës Normale
Kjo shkollë u hap 8 vjet më vonë se shkolla Normale e Elbasanit, që hodhi themelet e përgatitjes në vend të mësuesve për arsimin tonë kombëtar. Nuk është e rastit që drejtori i parë i Normales së Elbasanit, Luigj Gurakuqi, të jetë edhe organizatori dhe themeluesi i Normales së Shkodrës.
Luigj Gurakuqi i porosit drejtoritë e shkollave normale, që të punonin seriozisht me nxënësit, duke vënë në dukje: “Mësuesit e shkollave fillore, përveç njohurive të plota duhet të kenë si në gjuhë e çdo degë tjetër të diturisë, duhet të njohin edhe mjeshtërinë mësimit në teori dhe praktikim…” [1]
Siç dihet gjatë Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u kthye në një shesh lufte. Në vitin 1916, në territorin e Shqipërisë ndodheshin ushtritë e 5 shteteve të ndryshme. Me gjithë kushtet e vështira të luftës, ku vendi ynë pësoi dëme shumë të mëdha ekonomike dhe ishte i ndarë në tri zona pushtimi, forcat përparimtare, atdhetarët dhe mësuesit popullorë, u përpoqën të shfrytëzonin ato mundësi të krijuara, në dobi të zhvillimit të kulturës dhe të arsimit tonë kombëtar.
Në zonën e pushtimit austro-hungarez, në gusht të vitit 1916, u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit, që kryente detyrat e organit më të lartë arsimor në tri drejtori:
Drejtori i përgjithshëm i arsimit u emërua Luigj Gurakuqi për Shkodrën, në fillim qe Gjergj Pekmezi, i cili dha dorëheqjen sepse u zgjodh kryetar i “Komisisë Letrare”, në vend të tij i emërua u emërua Mati Logoreci; për Tiranën, Sotir Peci; ndërsa për Beratin, Sali Gjuka.
“Në vitin 1916-17 funksionin 231 shkolla fillore me 294 mësues, kurse në vitin 1917-18 funksionin 200 nga të cilat 35 në qytete dhe 165 në fshatra.”[3]
Në Shkodër u hapën shkolla në lagjet Perash, Parrucë, Rus i vogël, Dudas, Ajasëm, Shkolla e vajzave në Rrugë të Gjanë, u hap shkolla qytetëse. Në fshat u hapën shkolla në Vrakë, Zagorë, Blinisht, Nikaj- Mërturë, Pukë, Dukajin etj. Dhe në përfundim të shkrimit “Shkollat në Shqipëri”[4], lexojmë: “Me çilë këto shkolla për nji vjetë në një vend të varfën si Shqypënia, pa dyshim asht nji punë e madhe fort”.
Për këtë Sali Nivica shkruante: “Prap se prap një pllavë vend si ndodhemi na nuk kishte mundësi me ngreh kaq institute qi nuk mban mend historia ndër ne!”[5]
Ky numër shkollash në këtë zonë nuk u arrit asnjëherë më vonë deri në çlirimin e vendit. Por me gjithë këtë rritje të menjëhershme të mësimit të shkollave para drejtorisë së përgjithshme të arsimit del detyra e mprehtë e përgatitjes dhe kualifikimit të mësuesve. Për këtë Luigj Gurakuqi udhëzon që “…që përveç të diplomuarve, ata që kishin një arsim të mjaftueshëm e qi mbas nji provimi të bamë jeshin shpresë se mund rritshin praktikën e nevojshme për detyrën e tyne,…të pranoheshin mësues të përkoshëm, me kusht qi të ndjekshin rendet e shpejta qi do të hapeshin në pushimet e verës.”[6]
Me vendimin nr. 683/III, datë 23. 03. 1917, u vendos që të hapën dy shkolla normale, njëra në Shkodër dhe tjetra në Elbasan me drejtorë mësuesit e shquar të kësaj kohe Gaspër Beltoja[7] dhe Aleksander Xhuvani. Në këtë shkollë kanë “…me u përgatitë djem për zyra mësuesish ndër shkolla popullore t’Shqipënies… në këto shkolla të sigurohet mirë mësimi i gjuhës shqipe, pse pa gjuhë shqiptari s’del shqiptar.”[8]
Pranë këtyre shkollave u hapën edhe kurse pedagogjike, siç e përmendem më lart, me mësues provizorë në Shkodër, Tiranë, Elbasan Krujë e Berat që siç thekson Luigj Gurakuqi “… fitimi që u nxuar prej sish qe mjaft i pëlqyeshëm…”[9]
Pra, siç shihet atdhetarët shqiptarë, drejtues të arsimit e përqendruan punën në disa drejtime për përgatitjen e kuadrit mësues si në:
Kështu, më 1917, u dërguan në Austri 60 shqiptarë (nga të cilët 33 vazhduan mësimet në shkollat pedagogjike, 10 në gjimnaz dhe 20 për tregti e zanate), të cilët mbaheshin nga fondet shtetërore.[10]
Po kështu u dërguan edhe 13 vajza për të vazhduar shkollën pedagogjike në Austri.[11] Të gjitha këto masa Luigj Gurakuqi do t’i përshëndeste kështu: “Nisja e mbarë e punës në këtë kohë të shkurtër jap shpresë të plotë se arsimi e dituria do të bëjnë një përparim të shpejtë të kombit tonë.”[12]
Ndërsa për muajin mars të gjithë studiuesit janë në një mendje, për datën e fillimit të punës së shkollës normale ato ndryshojnë. Flitet për 23 dhe 27 mars. [13]
Këtë vit shkolla shërben si rend i shpejtë i Normales për përgatitjen e mësuesve në formën e një kursi pedagogjik, që vazhdoi deri më 13.09.1917.
Këtë rend e ndoqën 7 nxënës, në mes të cilëve Gani Dizdari, Shaqir Xhyheri etj.
Në muajt korrik-gusht 1917, shkolla shërbeu si kurs pedagogjik për aftësimin e mësuesve të fshatrave të Shkodrës dhe të Krujës (ashtu siç theksuam më lart). Morën pjesë 40 mësues.
Më 15 shtator 1917 u hap klasa gatimore e normales. Çdo nxënës duhej të kishte kryer shkollën fillore të plotë me pesë klasë, pastaj shkollën qytetëse me tri klasë dhe mbi bazën dëftesës pranohej në klasën gatimore të normales.
Klasën gatimore (të hapur më 15. 09. 1917 e deri më 15. 06. 1918) e ndoqën 6 nxënës (tre nga të cilën u larguan brenda vitit). Kaluan në fund të vitit 17 nxënës dhe mbeten 6. [14]
Në një dëftesë të kësaj shkolle, konsultuar në AQSH, Tiranë, lexojmë këto vlerësime: sjellje, cënë, besim, këndim, shkrim, gramatikë, hartim, gjuhë gjermanishte, aritmetikë e gjeometri, histori natyre, dituri natyre, gjeografi, histori, kaligrafi, vizatim, këngë, gjimnastikë, trajtë e përjashtme.[15]
Në bazë të “Programës për rendin përgatimor të një shkolle normale…”, dërguar shkollës nga drejtoria e arsimit Shkodër, kuptohet qartë që organizimi i shkollës normale dhe qëllimi i rendit përgatitor, ishin nën varësinë e kësaj drejtorie.[16]
Në pikën A, ku shtrohen rregullat e përgjithshme, theksohet: “Në Shqipni nuk kemi pasur gjer më sot shkolla qytetëse të rregullueme mirë, për të hedhur themelet e një shkolle normale duhet të nisemi një rend përgatitor… rendi përgatitor i shkollës normale ka sidomos për qëllim t’u nxënësve lavrim ma të gjanë në gjuhën dhe në njiheshim.”[17]
Në qarkoren-lajmërim për shkollën normale theksohet se “…ata kanë për t’u arganizua gjithë n’atë mënyrë si pat qenë shkolla e Elbasanit ndë 1909 ndënë qëverimit otoman” dhe porosit “qi nxansvet e vobegtë sidomos atyre që janë të përjashtëm t’u jepet ndihmë nga mjetet e vendit (p.sh. 50-60 korona).”[18]
Shkolla u mbajt me fondet e shtetit dhe me ndihmën e popullit.
Gjatë periudhës 1917-1920 mësuesit e forcat e tjera arsimore bënë përpjekje për të përvijuar e përcaktuar përmbajtjen e mësimit në shkollën normale, hartuan programe, grumbulluan lëndë në shumicën e rasteve ua dhënë me shënime, përgatiten tekste mësimore etj.
Sipas programit klasa gatimore kishte këtë plan mësimor:
Lëndët:
Duke i hedhur një sy programit të mësipërm, sipas origjinalit të konsultuar në Muzeun e Shtetit Shkodër, mund të nxjerrim këto përfundime:
Programi i hartuar nga L. Gurakuqi, M. Logoreci e G. Beltoja e mësuesit e tjerë, synonte përgatitjen fillestare, të domosdoshme të nxënësve për të vazhduar normalen. Ky rend përgatitor, siç theksohet edhe në fillim të programit (Pika A) bëhej i domosdoshëm për faktin se në “…Shqipëri nuk ka pasur qytetëse të plota e të rregullta, për të hedhë themelin e kësaj shkolle duhet të nisim sivjet me një rend përgatitor.” [19]
Raporti i grup-lëndëve i shprehur në përqindje ishte:
Lëndët Sasia e orëve Vendi që zinte në përqindje %
Besim 2 6
Shoqërore 14 42
Mat-natyrore 7 26
Speciale (estetika) 7 26
Vendin kryesor në planin mësimor e zinte gjuha shqipe me 7 orë në javë e cila kishte ndarjet themelore: këndim, gramatikë, drejtshkrim, zhvillim i ligjëratës e punët me shkrim.
Dhamë disa cilësi të shkollës Normale të Shkodrës, me rastin e 100-vjetorit të saj, që pati një jetë të gjatë në historinë e shkollës shqiptare, për të cilën është shkruar.[21]
[1] Vehbi Hoti, “Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar”, “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2002:216.
[2] Kolë Koci, “Arsimi gjatë luftës së parë botërore në zonën e pushtimit austrohungarez”, “Arsimi popullor”, 1965, nr. 4, fq. 87.
[3] Ilir Kanini, “Arsimi në Shqipëri në vitet e Luftës së Parë Botërore (Zona e pushtimit Austro-humngarez 1916-18)”, Tiranë, 2001:57-72.
[4] “Posta e Shqipnies”, V. I, Nr. 4. 16 dhjetor 1916, fq. 4.
[5] Sali Nivitxa: “Shkollat shqiptare në kohë të Austris”, “Populli”, Viti I, Nr. 24, Shkodër 28. 06. 1919, fq. 3.
[6] L. G. “Përparimi i arsimit në Shqipëri”, “Posta e Shqipënies”, Viti II, Nr. 14, Shkodër, 26. 01. 1918, K/A.
[7] Shefik Osmani: “Dy linja paralele në botimet e didaktit G. Beltoja”, “Revista pedagogjike”, 1977/2, fq. 122.
[8] Cituar sipas Islam Dizdarit: Historiku i shkollës pedagogjike “Sh. Juka” (dorëshkrim), Pjesa II. Fq. 16.
[9] Luigj Gurakuqi, art. i cituar, fq. 1.
[10] “Posta e Shqipënies”, Viti I, Nr. 87, 06. 10. 1917, fq. 2.
[11] Po aty, Nr. 99 dt. 17. 10. 1917, fq. 2.
[12] Luigj Gurakuqi, art. i cituar, fq. 1.
[13] Islam Dizdari në shkrimin cituar shënon dt. 23, kurse Halim Shpuza jep datën 27 mars 1917.
[14] Halim Shpuza, “Shkolla Normale e Shkodrës” në gazetën “Mësuesi”, Viti i 12-të, nr. 22, 22 mars 1972:8.
[15] AQSH, Fondi 668, Dosja 3, Fleta 2, viti 1920.
[16] “Programa për rendin përgatitor të një shkolle normale”, MPSH, FPA, Dosja 1-2, Fleta 1669/1. Shkresa përcjellëse firmosur nga M. Logoreci.
[17] MPSH, FTP, D. 2, Nr. 1096.
[18] Po aty, fq. 2.
[19] MPSH, FPA, D. 1, Fleta 1996/1.
[20] Po aty.
[21] Shkolla e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” (1952-1992) në “Fjalor enciklopedik i hapësirës shkodrane” të autores Dr. Zenepe Dibra, EBP “Gjergj Fishta”, Lezhë, 2016, fq. 590, shkruar nga Njazi Kazazi.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...