Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
May 25, 2018 Zani i Nalte Editoriale, Shkenca Islame 0
nga Haki SAHITAJ
“Të ekzistosh është lutja ime, si ekzistoj do të thotë si lutem.” – Charles de Foucauld
Ajo çfarë më shumë i jep njeriut shpresë që t’u bëj ballë vështirësive të jetës është shpresa se e nesërmja do jetë më e mirë se e sotmja, se muaji i ardhshëm do jetë më i mirë se i tanishmi, se viti që do vijë do kemi më shumë se këtë vit. Edhe besimtarët myslimanë janë të nxitur ta kërkojnë këtë ndryshim në kohën e tyre. Vetëm se e ndryshmja tek ne nuk nënkupton vetëm të ndryshme në aspektin material, por për më tepër ajo fokusohet tek një ndryshe në t’u bërit më njerëzor seç jemi, në të kujtuarit dhe kthyerit më afër asaj natyrës njerëzore shprehur me terma të Spinozës. Të një leximi më ndryshe të jetës dhe veprimtarisë tonë.
Në Islam ka ditë po edhe net të dalluara, ashtu siç ka dhe muaj. Në këtë mes muaji Ramazan dallohet nga të gjitha këto. Për mua, muajin Ramazan do ta quaja ndryshe edhe si muajin e këshillave. Më këdo që takohesh përpiqesh të ndash diçka rreth agjërimit. Po ashtu, mjafton të shohim se si shumë programe fetare janë të mbushura më këshilla, se si e si të përfitohet nga ky muaj. Pa përjashtuar as ligjërimet e përditshme, apo edhe ligjërimet e përjavshme, që kanë këtë karakter gjatë kësaj kohe. Ajo çfarë dëgjon më shumë në mesin e këtyre këshillave është se duhet të shtojmë lutjet më shumë, që koha e lutjeve të jetë më e shpeshtë dhe më e gjatë. Edhe pse rrallë herë dëgjon të flitet për thelbin e lutjes dhe nevojën që njeriu i sotëm ka për të, përsëri mendoj se është shumë e drejtë që në këtë muaj të lutemi më tepër. Por çfarë e bën ndryshe lutjen në muajin Ramazan, pse është kaq e rëndësishme në këtë periudhë? Çfarë synohet më të? Çfarë shpreh ajo në qëllimin dhe praktikën tonë të përditshme? Janë një varg pyetjesh, që më kanë shtyrë të mendoj mbi theksimin e tepërt të kësaj praktike.
Duke reflektuar mbi atë se si sot shumë filozofë, psikologë, antropologë, teologë e mistikë përshkruajnë gjendjen e njeriut bashkëkohor, më ka bërë të njoh nevojën reale, që ka lutja në jetën time, por dhe kam mësuar se sa urgjente është për çdokënd. Ndryshimet shoqërore, që po ndodhin në epokën moderne e kanë ndryshuar po aq edhe individin, saqë atij duket se i kanë shterur të gjitha forcat për ta parandaluar rrugën qorre në të cilën jemi nisur. Si asnjëherë më parë njeriu i sotëm përshkruhet si qenia, që më pak është kurioz për jetën e tij, si asnjëherë më parë ky njeri s’mendon thellë për jetën dhe humnerën, të cilën jemi nisur. Sot kur takohem me njerëz mund të më tregojnë për një aplikacion të ri në celular, për një pajisje të re, për një rekord në një lojë, për ndonjë aventurë, por rrallë mund të ndaj me njerëzit reflektime te reja, përvoja shpirtërore, zhvillime, apo transformime në jetën e tyre. E megjithatë ata janë thellë të dëshpëruar për të gjitha këto. Përveç këtyre nuk kanë se si, apo me çka ta thyejnë këtë monotoni dhe boshllëk brenda vetes. Psikoanalisti dhe filozofi Erik From do të shkruante se praktikat fetare mbetën shpresa e vetme për një ndryshim real i shoqërive perëndimore. Vetëm impulset fetare do të bënin burrat dhe gratë të bënin transformime rrënjësore sociale dhe rrjedhimisht shoqëria e re mund të formësohet vetëm në rast se te zemra e njeriut do të ndodhin ndryshime të thella…[1] Edhe intelektuali mysliman S. H. Nasr kur përshkruan gjendjen e njeriut modern thotë se ndër shkaqet bazë të krizës së njeriut mbetët divorci i soditjes dhe veprimit.[2] Këtu ai me soditje shpreh të njohurit e drejtë të të qenurit. Sepse vetëm raporti i drejtë me veten do na garantonte të drejtën edhe si veprim. Por si humbi kjo? Kjo humbet kur njeriu humbet raportin e drejtë më burimin e tërë ekzistencës. Por që të fitosh sa më drejtë këtë raport njeriut i duhet të lutet, sepse lutja shpreh njohjen më të drejtë, më të kulluar. Si pret njeriu të ndryshojë nëse ai nuk ndryshon brendësinë e tij? Si mund të kemi një jetë me veprime të sigurta dhe të mirëqena në aspektin social nëse nuk kemi fituar dhe mësuar mbi ligjësitë dhe urtësitë me të thella të gjërave që na rrethojnë? Sa drejtë mund ta kuptoj njeriu natyrën jashtë tij nëse ai paraprakisht nuk ka fituar njohuri të drejtë mbi natyrën e tij si qenie njerëzore. Ky është Ramazani, muaj në të cilin njeriut i jepet një rast të përjetoj një emocion më shumë me vetën, kundrejt kohës tjetër kur ai është i dehur me emocionet e konsumit, teknikës, teknologjisë, modës etj. Vetëdija më e gjallë që ka besimtari në këtë muaj për Allahun e bëjnë atë të reflektojë mbi një realitet më të thellë për botën përreth, për kërkesat e tij, për nevojat, për raportin që ka ngritur me të tjerët dhe pritshmëritë që ka nga ata. Madje kjo kohë, që shquhet edhe si muaji i ibadetit (adhurimit), shtimit të dhikrit (përmendjes së Zotit), duke e pasur më të gjallë vetëdijen për Allahun, bëhemi të shohim edhe njëherë raportin tonë më ritualet fetare. Do të jem më i rregullt me namazet, do të shkoj më shumë në xhami, do të jem më i përqendruar, do të lexoj më shumë, do ta shfrytëzoj kohën më shumë për punë të dobishme, do të mësoj më shumë për gjendjen e njerëzve, do të ndihmoj më shumë komunitetin tim; janë dëshmi të asaj që psikoanalistë, si Fromi dhe shumë të tjerë sot kërkojnë ta transformojnë shoqërinë e tyre evropiane, që ka braktisur ritet fetare dhe ka margjinalizuar të vërtetat e saj. Pra, agjërimi, që ka shumë urtësi dhe që mbetet shtyllë e besimit Islam, është një domosdoshmëri për ta ruajtur forcën dhe energjinë transformuese të besimtarit, pavarësisht se në ç’dinamikë sociale, ekonomike, politike po jetojmë. Sigurisht, nëse arrijmë ta kapim qëllimin e Ramazanit, si urdhër të Zotit dhe të mendojmë thellë për nevojën që kemi sot. I gjithë ky ndryshim që pastron brendësinë e njeriut, që na bën të sodisim më thellë njëherësh, e bën besimtarin element të gjallë të vetes së tij dhe komunitetit përreth. Veprimtaria e tij tani koordinohet vetëm në atë që ai duhet të bëj për hir të asaj që Zoti na ka bërë dhe për hir të asaj që Zoti pret ne të bëjmë për të tjerët. Jo rastësisht gjatë agjërimit edhe të folurit, dëgjimi, shikimi, sjellja dhe puna jonë kalojnë nën filtrin e vetëdijes se unë po agjëroj për hir të Zotit. Pa harruar që agjërimi është periudhë edukimi – siç e quante Said Nursiu – që ai të mbetej agjërueshëm edhe pas Ramazanit.[3] Agjërueshëm në kuptimin e saj çfarë realisht nuk i takon natyrës tonë si njerëz. Kështu unë mendoj se njeriu me vetëdijen më të gjallë për Krijuesin e tij, që ka gjatë Ramazanit, me reflektimet me reale dhe njohuritë më të thella që fiton, e bëjnë atë të ketë një raport krejt të ri në momentin e lutjes. Sepse tani ai lutet për atë që është esenciale në jetën e tij. Ai lutet për forcën, që Zoti t’i japë për ta ruajtur thelbin, natyrën e tij sa më të lartë hyjnore, lutet që të qëndrojë besnik realitet kundrejt iluzioneve, që i kanë zënë frymën jetëve tona. Ai i lutet Zotit, që të fitojë një dimension të njohjes përtej fakteve. Ja përse lutjet e pejgamberëve, urtarëve e evlijave të shumtë sot kanë ndikim të madh kur i lexojmë. Madje ato janë një nevojë e domosdoshme e ditëve tona, pikërisht për faktin se ato na kanë përafruar drejt atij realiteti absolut për të cilin mbetemi kaq shumë të etur, e pak të njohur. Sa kuptimplota janë fjalët e Allahut në librin e Tij:
“Thuaj: Zoti im nuk do ju përfillte, sikur të mis ishte lutja jua…” (25:77)
Për mua lutja mbetet një altar, ku njeriu dorëzon veten pasi të ketë njohur dobësitë dhe nevojat e veta. Duke e njohur atë çfarë Ai e ka bërë, në zemrën e tij lind një “imazh” i gjallë, me anë të cilit zemra e tij fillon të transformohet. Vetëm atëherë njeriu fiton guximin e të marr ngjyrën, që përtej shkaqeve, të shkruaj për një rend të ri.
“Zoti im, dhe në bëfsha pabesi duke ndenjur larg Teje, gjendja ime thërret me të madhe se nuk mund të rri pa Ty! E kërkoj favorin Tënd jo për të shpëtuar prej pabesisë sime, por se kam aq shumë nevojë për Ty!..”[4]
Tiranë, 25 maj 2018
[1] Fromm, Erich, “Të kesh apo të jesh”, Fan Noli, Tiranë, 2008.
[2] Nasr, Seyyed Hossein, Islami dhe derti i njeriut modern, Logos-A, Shkup, 2017.
[3] Nursi, Bediuzzam Said, Agjërimi i Ramazanit, Ekonomia dhe Falenderimi, Projesanat, 2013.
[4] Gylen, M. Fethullah, Kriteret ose dritat e rrugës, Prizmi, Tiranë, 2003.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...