Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Apr 09, 2018 Zani i Nalte Editoriale 0
Bismil-lahi Rrahmani Rrahim
I nderuar Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Skender Bruçaj!
I nderuar rektor i Universitetit Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana!
I nderuar Kryetar i Asamblesë Botërore Boshnjake Mustafa ef. Ceriç!
E nderuara Kryetare e Komitetit Shtetëror për Kultet znj. Loreta Aliko!
Të nderuar drejtues të Bashkësisë Islame të Kosovës, H. Resul Rexhepi me bashkëpunëtorë!
Të nderuar drejtues shoqatash dhe fondacionesh, akademikë dhe studiues!
Të nderuar drejtues të Komunitetit Mysliman, myftinj, imamë!
Të nderuar dekanë, pedagogë dhe studentë të Universitetit Bedër!
Të nderuar të pranishëm!
Motra dhe vëllezër!
Fillimisht, në emër të organizatorëve, Bordit Drejtues të kësaj konference dhe universitetit Bedër ju përshëndes të gjithëve nga zemra dhe ju falenderoj për pjesëmarrjen.
Ndjej një përgjegjësi të jashtëzakonshme të hap Konferencën e Parë Ndërkombëtare në Studimet Islame që zhvillohet në Shqipëri, me temë “Sfidat e myslimanëve në shoqërinë e shekullit XXI”, me pjesëmarrjen e mbi 40 akademikë dhe profesorëve, por edhe të studiuesve të rinj me tema mjaft të larmishme dhe interesante në shumë fusha të studimeve islame dhe të shkencave sociale.
Universiteti Bedër, i themeluar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë më 2011 është ëndrra dhe duaja (lutja) e prijësve tanë të shquar myslimanë shqiptarë, të cilët 95 vjet më parë themeluan Komunitetin Mysliman Shqiptar, si vazhdimësi e institucioneve shekullore të myftinive, medreseve, mejtepeve, zyrave të kadive dhe institucioneve të tjera islame, që ekzistonin në trojet tona. Në këtë kuadër, Universiteti Bedër, si një institucion akademik, që mbart peshën e të pasurit në strukturën e vet organike, Departamentin e Shkencave Islame, mori përgjegjësinë e organizimit të kësaj konference ndërkombëtare, duke trajtuar një temë sa delikate, aq edhe aktuale, por sigurisht edhe të rëndësishme, për sa i përket sfidave, që përballen myslimanët e shekullit XXI.
Pa dyshim, që ne nuk pretendojmë se do t’i japim zgjidhje këtyre sfidave me anë të kësaj konference, por shpresojmë se temat, që do të trajtohen këtu nga referuesit, botimi që do i bëhet atyre më pas në revista dhe buletine të ndryshme shkencore, siç janë revista shkencore e Fakultetit të Shkencave Humane, Bedër dhe revista shkencore “Zani i Naltë”, do të shërbejnë për nxitjen e vetëdijes së shoqërisë për përgjegjësitë që rriten çdo ditë, në një botë, që po globalizohet gjithnjë e më tepër, duke u zvogëluar hapësirat dhe duke u rritur sfidat.
Ndër sfidat më të mëdha, që përballet sot njerëzimi në përgjithësi dhe myslimanët në veçanti, pikë së pari vjen arsimimi dhe edukimi, të cilat lënë për të dëshiruar në shumicën e vendeve me popullsi myslimane.
Myslimanët duhet t’i kthehen me urgjencë arsimimit dhe edukimit me frymën dhe edukatën islame, të gërshetuar me shkencat ekzakte dhe sociale bashkëkohore, sepse nga dituria dhe dija nuk vjen asnjë dëm, por vetëm se dobi, përparim, kulturë, mirëqenie dhe bashkëjetesë paqësore.
Problemi i dytë, që lind kryesisht nga i pari, pra mosedukimi, mosarsimimi dhe mungesa e informacionit dhe shqetëson shumicën e vendeve me popullsi myslimane janë politikat diktatoriale, frustimi i masave sipas qasjes së liderëve të tyre politikë dhe ajo çfarë ka dëmtuar edhe imazhin e Islamit është përdorimi, apo keqpërdorimi, si dhe instrumentalizimi i ndjenjave fetare të popullit për qëllime politike, duke ndikuar edhe elitën dhe drejtuesit zyrtarë të çështjeve të islamit sipas dëshirave të politikës.
Një sfidë tjetër e rëndësishme, që shohim në shoqëritë myslimane sot është roli i gruas në shoqëri. Edhe pse Islami me burimet e veta, Kur’anin dhe Sunnetin (traditën profetike) na jep shembuj unikë dhe të jashtëzakonshëm lidhur me rolin dhe vlerat e gruas, sidomos si nënë për edukimin e brezave të rinj, në këtë fushë si myslimanë lëmë për të dëshiruar dhe kemi shumë punë për të bërë.
Bota islame, apo është më e drejtë të themi shoqëritë myslimane sot kanë nevojë urgjente t’i kthehen librave dhe leximit, duke lexuar fillimisht Kur’anin dhe nxjerrë mësime të reja nga ai, të lexojnë jetën profetike, familjes së tij, sahabeve të nderuar dhe historinë e lavdishme islame me zbulimet e jashtëzakonshme, që i solli shkencave të ndryshme në Perëndim, duke sjellë edhe një herë para botës praktikën e asaj, që na ka mbetur kryesisht vetëm në teori.
Myslimanët, duke ditur të lexojnë dhe rilexojnë këto fakte të patjetërsueshme, do të bëhen fenerë ndriçues dhe gurë kilometrikë në rrugëtimin e vështirë, që ka hyrë sot njerëzimi, duke dalë nga udha pa krye, ku po thurren planet nga më të ndryshmet për të ngopur pangopësinë e pushteteve politike, duke nxitur luftëra dhe konflikte, duke shkatërruar kodin gjenetik dhe krijimin e madhërishëm të Zotit, qoftë te njeriu, qoftë te natyra, nga të cilat kanë rrjedhur problematika dhe deformime të shumta humane dhe ekologjike.
Vetëm besimi fetar në përgjithësi, e ai Islam në veçanti mund t’i sjellin botës paqen e munguar, solidaritetin me nevojtarët, zgjidhjen e problemeve sa më shpejt të jetë e mundur, bashkëjetesën dhe frymën e dialogut, larg çdo radikalizmi dhe ekstremizmi, sepse Islami as ka qenë dhe as mund të jetë pjesë e tyre, pavarësisht akteve joislame të disa të ashtuquajturve me emër myslimanë, të cilët kanë njollosur emrin e pastër të Islamit, duke i sjellë një dëm të pallogaritshëm në imazhin e tij global.
Siç e dëshmojnë edhe dijetarët myslimanë kudo në botë, shekulli i XXI do të jetë shekulli i bashkëpunimit dhe respektit, tolerancës dhe harmonisë, besimit dhe Islamit, duke bërë të mundur një paqe globale dhe duke e drejtuar njerëzimin kah rruga, që dëshiron vetë Zoti, Krijuesi i Gjithësisë, të përcaktuar qartë në Librin e Tij të shenjtë, Kur’anin Kerim.
Lus Allahun e Madhëruar, të na bëjë prej atyre njerëzve, që është i kënaqur me ta, si dhe të jemi pjesë e trashëgimtarëve të denjë të tokës, sipas udhërrëfyesit tonë, Profetit të dashur Hz. Muhamedit (a.s.). Amin.
Duke ju falenderuar edhe një herë të gjithëve për pjesëmarrjen, i uroj kumtuesve suksese në konferencë. Zoti (xh.sh.) na përdortë gjithmonë për hajr.
Es selamu alejkum!
Dr. Genti Kruja
Kryetar i Bordit Organizativ të Konferencës Ndërkombëtare në Studimet Islame “Sfidat e myslimanëve në shoqërinë e shekullit XXI”
Tiranë, 5 prill 2018
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...