Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Dec 13, 2017 Zani i Nalte Editoriale 0
H. Skender Bruçaj
Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë
Dhjetor 2017
Në kulturën dhe qytetërimin e popujve, pa dyshim që feja ka luajtur rolin e saj të rëndësishëm. Gjatë gjithë rrjedhave historike, prijësit dhe intelektualët e besimeve të ndryshme, ideologë, diplomatë, shkencëtarë e shkrimtarë, janë bashkuar me zërin e kombit dhe të shqiptarit, duke u bërë zëdhënësit shpirtërorë të edukatës, ndërgjegjes dhe të sentencave hyjnore.
Besimi islam, historia dhe kultura e tij plot dritë, është pjesë organike e qytetërimit dhe mbijetesës shqiptare, duke qëndruar në harmoni të plotë me të gjitha interesat kombëtare të sotme dhe në perspektivë. Në këto hapësira, mjedisi intelektual shqiptar i besimit islam, kulmohet me figura të shquara si: Hoxha Tahsini, Sami Frashëri, Haxhi Vehbi Dibra, Abdyl Frashëri, Ismail Qemali, Hafiz Ali Korça, etj..
Po kështu fizionomia e afërt e moralit shqiptar do të kulmohet me plot figura të tjera fetare, politike e atdhetare, që jetuan në gjirin e asaj lëvizje kulturore shqiptare, ku renditet edhe Haxhi Zyber Hallulli. Personaliteti i tij u shpalos fuqishëm në aspektin fetar, por akoma më shumë në çështjen e madhe jetike për kombin shqiptar gjatë rilindjes kombëtare e më pas.
I diplomuar për teologji dhe filozofi, Zyber Hallulli iu përkushtua me pasion hapjes së shkollës shqipe dhe mësimit të besimit islam, sepse, sipas tij, pa çlirim mendor e shpirtëror, nuk mund të bëhej çlirimi kombëtar. Si kryetar i parë i Bashkisë së Tiranës, krahas shumë detyrave të tjera të mëdha, atij i lindi ideja e arsimimit dhe edukimit të fëmijëve jetimë, të cilët për rrethanat historike që po kalonte populli ynë, ishin shtuar shumë.
Ngritja e “Strehës Vorfnore” kërkoi formimin e një komisioni me bamirës të njohur të qytetit të Tiranës, ku përfshiheshin fetarë, përfaqësues të parisë, tregtarë e zejtarë, që do të financonin veprimtarinë e këtij institucioni. Nga burimet historike citojmë se, më 28 nëntor 1917, me rastin e 5 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Haxhi Zyber Hallulli së bashku me patriotët Rauf Fico, Mytesim Këlliçi, Sheh Dyrr Harasani, Ismail Ndroqi, Luigj Shala, Xhelal Toptani, etj., hapën për herë të parë këtë institucion, duke grumbulluar fëmijë nga e gjithë Shqipëria, pa dallim krahine e besimi fetar.
Zyber Hallulli, i quajtur ndryshe “baba i jetimëve”, iu përkushtua aq shumë “Strehës Vorfnore”, saqë, me dëshirën dhe vullnetin e tij, para se të vdiste, i dhuroi asaj të gjithë pasurinë e vet personale.
Feja islame i ka kushtuar rëndësi të madhe shtresës së jetimëve, ku shumë ajete kuranore dhe thënie profetike inkurajojnë që ndaj kësaj shtrese të tregohet kujdes i veçantë. Këshilluesi më i mirë, vetë Zoti ynë, urdhëron në Kur’an: “Prandaj, mos e nënçmo jetimin” (Duha, 9). Krijuesi i gjithësisë, Allahu i Madhërishëm, krijesën më të përsosur të mbarë njerëzimit, profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) e solli në këtë botë jetim. Vetë ai që u lind dhe u rrit si jetim, dha përgëzimin, sihariqin dhe premtimin më të madh për të gjithë ata që kujdesen për fëmijët jetimë, duke thënë: “Kush kujdeset për jetimin, do të jetë me mua në Parajsë” dhe bashkoi dy gishtat e dorës.
Jetimi, i cili ka humbur dashurinë prindërore, duhet të gëzojë një status tjetër mes njerëzve, duhet trajtuar me butësi e dashamirësi, larg ashpërsisë dhe abuzimit. Nisur nga kjo, kur dikush iu ankua profetit Muhamed a.s. se i qe ashpërsuar zemra, ai e porositi: “Përkëdhele kokën e jetimit…”
Bazuar në këto argumente, por edhe në të tjera të ngjashme me to, në vende të ndryshme myslimane, janë ngritur shoqata e organizata, që kujdesen për jetimët në fusha të ndryshme. Edhe në Shqipëri, Komuniteti Mysliman dhe shoqatat bamirëse islame, që operojnë në vendin tonë, kanë bërë të mundur t’iu sigurojnë mbi 10.000 jetimëve, shërbime të ndryshme, kryesisht në ushqime, veshmbathje dhe pensione mujore. Kjo ndihmesë konsiston, gjithashtu, edhe në shërbime ditore për fëmijët, në arsim e edukim, në qendra sociale për të rinjtë, për familjet në nevojë, etj. Në institucionet arsimore të KMSH-së, medresetë dhe Kolegjin Universitar Bedër, afërsisht 450 jetimë vazhdojnë arsimin e tyre në mbështetje të plote me bursa sociale.
Për të vënë edhe njëherë theksin në bashkëjetesën ndërfetare për të cilën vendi ynë krenohet në të gjithë botën, në listimin e këtyre 10.000 jetimëve, nuk është parë dhe nuk është marrë parasysh përkatësia fetare, por nevoja që ata kanë si bij dhe bija të këtij populli.
Parë në këtë optikë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë vlerëson të gjitha organizatat qeveritare dhe joqeveritare, për kontributin e çmuar dhënë në këtë drejtim, duke shpresuar për shoqërinë shqiptare, sidomos për kategoritë në nevojë, një të ardhme më të begatë dhe individë të arsimuar e të edukuar, të cilët do t’i shërbejnë atdheut dhe kombit tonë.
Le të shërbejë ky jubile, 100 vjetori i themelimit të “Strehës së Parë Vorfnore” në Shqipëri, si një homazh për të gjithë heronjtë shqiptarë të bamirësisë dhe humanizmit, se të tillë meritojnë të quhen, të cilët, në kohë të ndryshme, dhanë ndihmesën e tyre të vyer e të pakursyer për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë dhe kombit shqiptar.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...