Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Dec 13, 2017 Zani i Nalte Abstraktet 0
1- Mënyra e drejtë e predikimit të Islamit
Msc. Veton Tulla & Msc. Hysni Skura
Universiteti Bedër
Departamenti i Shkencave Islame
Islami e konsideron njeriun si krijesën më të nderuar, e cila është e pajisur me ndërgjegje dhe vullnet, dhe e quan lirinë e besimit si një të drejtë të pamohueshme. Feja Islame punon për eliminimin e pengesave që qëndrojnë mes Zotit dhe intelektit njerëzor, ndërgjegjes dhe vullnetit si parime themelore. Dhe kjo sigurisht që arrihet nëpërmjet një edukimi dhe formimi shumëdimensional mbi parimet dhe dispozitat fetare. Është për t’u theksuar fakti se kur Islami kuptohet siç duhet, çdokush mund të ndjekë linjën e quajtur “përfaqësim dhe komunikim”, linjën e praktikimit dhe komunikimit islam në mënyrën më të mirë të mundshme, gjë e cila rrjedhimisht do të çonte drejt një jetese në harmoni dhe paqe me këdo që na rrethon.
Është përgjegjësi profesionale dhe morale për çdo predikues të Islamit (myfti, imam, vaiz, myezin etj.) që njerëzve, të cilët e rrethojnë, t’jua shpjegojë fenë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mos u shkëputur nga dy burimet kryesore, që janë Kurani dhe Tradita profetike, dhe, sigurisht, duke i ndërthurur këto mësime me një metodologji të përshtatshme me audiencën e tij.
2- Rreth atributeve “Sifateve” të Zotit xh. sh. (صفات الله)
Azmir Jusufi (PHDc), Prizren – Kosovë
Është e njohur se, dhe është shumë larg asaj, Zoti ka trup, se ka zënë vend në hapësirë, se është i lëvizshëm ose jo, se është i karakterizuar me ndjenjat e jashtme dhe të brendshme sikurse njeriu. Atij nuk i përngjan asgjë. Megjithatë, në mënyrë për të përmbushur vullnetin e njeriut, dhe për t’i ndihmuar njeriut, Zoti i Madhërishëm, në shpalljen e fundit, në Kur’an, ka përmendur atributet që i përkasin Atij të Plotfuqishmit, (por) në mënyrë që Zoti të mbetet i pakrahasueshmi, siç edhe është në fakt.
Po qe se njerëzit – filozofët – do të ishin ndalur në atë që vetë logjika mundëson rreth njohjes së fuqisë mbinatyrore (Zotit), do të ishte e mjaftueshme. Megjithatë, ajo që shkaktoi dialogun i mërziti ata dhe i lodhi pa nevojë, është fakti se ata i hynë hulumtimit dhe studimit në lidhje me diçka që nuk ishte nevojë urgjente.
3- Kontributi i medresesë “Alauddin” për arsimin fetar dhe kauzën kombëtare gjate viteve 1985-1995
Prof. Dr. Qazim Qazimi
Medreseja “Alauddin” me veprimtarinë e saj arsimore fetare shumë tё suksesshme, sikundër edhe me aktivitetet e saj tё gjithmbarshme, nё tё gjitha format e mundshme, dha kontribut tё pazёvendësueshёm dhe tё pakrahasueshëm konform zhvillimit tё gjithanshëm tё arsimit shqip nё Kosovë.
Kjo medrese, qё nga themelimi e nё vazhdimësi, i ka kontribuar arsimit fetar pёr tё përgatitur kuadro për tё gjitha trojet shqiptare, por edhe jashtë saj. Ajo me veprimtarinë arsimore-edukative, sikundër edhe me aktivitetet e saj tё gjithanshme, dha kontribut të pakontestueshëm edhe pёr kauzën kombëtare.
Duhet pranuar se fati i Medresesё “Alauddin” ishte dhe vazhdon tё jetë i lidhur ngushtë me fatin e popullit shqiptar në përgjithësi e atë të Kosovës në veçanti.
4- Projekti “Depërtoni pra…!”
Blerim Lazimi
Fluturimet e para, lëshimi i satelitëve, shkelja e njeriut në Hënë, studimi i drejtpërdrejtë i Marsit, studimi i sistemit tonë diellor e më gjerë, janë prova se njerëzimi, dashur pa dashur, ka ecur në rrugën e planifikuar, ashtu si edhe Gjithësia. Kjo tregon saktësinë e Kur’anit, çdo fjali e të cilit është një argument më vete. S’ka dyshim se Kur’ani është fjala e Zotit. E si mund të jenë produkte të mendjes njerëzore të shekullit VII (e.s.) projekte kaq të qarta të zhvillimit të shkencës, metoda aplikimi kaq progresive, parashikime kaq precize për të ardhmen e njerëzimit?! Si mundet të konsiderohet Kur’ani fjalë e njeriut, kur ai në çdo këndvështrim është larg legjendave që mbizotëronin kohën?! Pa dyshim, projektin e publikoi vetëm Ai që e projektoi Gjithësinë, krijoi njeriun dhe gjithçka ka në qiej e tokë, Ai që është Zotërues i Dijes. Vetëm nën frymëzimin e Tij gjen zbatim praktika që çon në zbulimin e së Vërtetës. Allahu e di të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e kozmosit dhe të njeriut.
5- 95-vjetori i Gjimnazit të Shtetit
Prof. dr. Njazi Kazazi
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Departamenti i Gjuhësisë
Nga propaganda zyrtare “Shkolla e vjetër feudo-borgjeze e paraçlirimit u godit rëndë si në përmbajtje, ashtu edhe në metodë”, mbasi Partia e udhëhequr nga Enver Hoxha, përcaktimin e rrugës së zhvillimit revolucionar të arsimit në Shqipëri e realizoi “…në luftën që i bëhej shkollës së vjetër”. Në kushtet e një totalitarizmi të tillë dhe të një politizimi të tejskajshëm “…autorit i lejohet liria e mendimit në trajtimin e historisë, por brenda caqeve ku ajo nuk binte në kundërshtim me disa postulate të ngurtësuara marksiste-leniniste.”
Studiues – titullarë të këtyre fushave kanë theksuar se këto shkolla kishin “frymë fetare e klerikale, reaksionare dhe antikombëtare, në shërbim të padronëve të huaj….” dhe se ajo ishte “…shkollë me karakter antidemokratik e mbi të gjitha me një frymë të tërbuar agresive antikomuniste” dhe më poshtë si për merak rithekson “një kështjellë e vërtetë e reaksionit kulturor dhe ideologjik në shërbim të të huajve…. me frymë jo vetëm antipopullore, por, siç thamë edhe antikombëtare.”
6- Një vështrim historik mbi librin “Historia e pashallarëve shqiptarë në Perandorinë Osmane” të Syrja bej Vlorës
Pjesa e II
Dr. Hasan Bello
Instituti i Historisë, QSA
Libri i Syrja bej Vlorës “Historia e pashallarëve shqiptarë në Perandorinë Osmane” është një përpjekje modeste për të hedhur dritë mbi një numër të konsiderueshëm personalitetesh, të cilët kanë jetuar, vepruar dhe kontribuar në një shtet perandorak, pjesë e të cilit ishin edhe shqiptarët për pesë shekuj.
Në këtë libër jepen të dhëna me karakter të përgjithshëm, të cilat, për hir të së vërtetës, sot mund të quhen të tejkaluara për ata studiues që do të merren me hulumtimin e thelluar të periudhës osmane. Ndërsa për lexuesit e pasionuar të historisë, ato përbëjnë një kontribut të vyer, me informacion pak ose aspak të njohur. Autori shpalos të dhëna me interes për emra të njohur e të panjohur nga historiografia shqiptare. Ndoshta për faktin se për këto personalitete, në vend të arsyes, ka mbizotëruar paragjykimi.
Ky libër në dorëshkrim është shkruar në gjuhën osmane dhe së bashku me përkthimin në gjuhën shqipe gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit-Tiranë.[1] Ai ka 144 faqe në osmanisht dhe 52 faqe në gjuhën shqipe, të cilat janë përkthyer nga orientalisti Jonuz Tafilaj. Në inventarin e hartuar nga përgjegjësi i sektorit të dorëshkrimeve turke në arkivin historik, orientalisti Haki Sharofi, shkruhet data e marrjes në dorëzim të këtij përkthimi 26 qershor 1963.[2] Ndërsa për kohën se kur është shkruar nga Syrja bej Vlora, ende nuk kemi asnjë të dhënë.
Megjithëse ky përkthim në dorëshkrim është në dialektin verior dhe përmbante një sasi të konsiderueshme gabimesh, ne jemi përpjekur që të ndërhyjmë vetëm aty ku ishte domosdoshmërisht e nevojshme. Kjo, sepse dialektet së bashku me përkthimet e realizuara në një periudhë të caktuar janë një pasuri e jashtëzakonshme dhe mbajnë vulën e kohës. Por, nga ana tjetër, për t`i ardhur në ndihmë lexuesit, vitet e kalendarit hënor i kemi konvertuar në kalendarin diellor, duke i vendosur ato në kllapa, pa e prekur origjinalin. Aty ku ka pasur ndonjë term historik osman jemi përpjekur që ta shpjegojmë me shenjën (*) në nëntekst. Ndërsa për disa personalitete, për të cilët ekzistojnë datëlindjet, viti i vdekjes dhe koha se kur kanë shërbyer si kryeministra, ato i kemi vendosur në kllapa.
7- Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë një shkëlqim i arkitekturës islame në Shqipëri
Msc. Brunilda Basha
Master of Science (Built Environment), KAED, IIUM, Malaysia
Mbishkrimet dhe ndërtesat kanë një rëndësi të madhe historike. Në disa raste ato pasqyrojnë informacione të panjohura më parë, apo një panoramë të larmishme të aktivitetit njerëzor. Në raste të tjera rigjallërojnë historinë, duke risjellë fakte të prekshme për gjeneratën e re dhe përcjellin një atmosferë të kulturës, e cila mungon shumë ditët e sotme.
Në kohën kur Perandoria Osmane arriti kulmin e lulëzimit të saj, gjatë shekujve XV-XVI, arti osman në Shqipëri ishte shumë i ngjashëm me atë në Shkup apo Edirne. Ndërkohë, në shekullin XVII, ndikimi i qeverisë qendrore osmane filloi të zbehej, kështu që kontributi i vendasve në ndërtesat islame në Shqipëri filloi të rritej. Në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, përzierja e elementeve osmane arriti kulmin e saj, me shfaqjen e një stili të veçantë shqiptaro-islam. Ky lloj stili përbënte një sintezë të elementëve fetarë dhe sekularë, qoftë osman dhe vendas, qoftë perëndimor.
Ndërthurja e këtyre tipareve, në dukje homogjene, reflekton në fakt historinë dhe natyrën e Shqipërisë, si një kryqëzim i Lindjes dhe Perëndimit. Këto vepra të fundit, siç i quan Machiel Kiel (2011), janë konsideruar si produkt i “shekullit të artë të kulturës islame në Shqipëri”. Në këtë rast bëhet fjalë për “epokën e artë” në kuptimin e zhvillimit në fushën e arkitekturës.
Ky punim synon të analizojë se si Islami është përhapur në trojet shqiptare dhe se si ndërtesat, faltoret, përvetësuan elemente islame duke u përshtatur plot harmoni me arkitekturën vendase dhe elementët e saj. Për këtë është shqyrtuar literaturë mbi Islamin në Shqipëri dhe mbi arkitekturën islame. Pas kësaj është marrë si rast studimi xhamia e Et’hem Beut në Tiranë për të shpalosur faktet e një marrëdhënie të arkitekturës vendase dhe evropiane islame. Në këtë punim, gjithashtu, përçohet një përshkrim i detajuar i xhamisë në fjalë nga ana historike e arkitekturore. Punimi ka për qëllim, gjithashtu, të promovojë përmirësimin e arkitekturës islame në Shqipëri dhe rëndësinë e saj në zhvillimin e arkitekturës shqiptare. Në të njëjtën kohë, shpresohet të shndërrohet në një burim reference për kërkime dhe studime të ardhshme në çfarëdo lloj fushe.
Fjalët kyçe: Xhami, arkitekturë islame, art osman, komuniteti mysliman, islamizim.
8- Shënimi i ditës së flamurit nga Komuniteti Mysliman në Shqipëri më 1924
Nuridin Ahmeti
Nga materialet e shfletuara arkivore dhe literatura që lidhet me festimin e Ditës së Flamurit nga Komuniteti Mysliman i Fierit në atë kohë, mund të përfundojmë se Komuniteti dhe drejtuesit e tij, të ndihmuar edhe nga organet shtetërore të kohës, kishin një qasje me respekt për këtë ditë. Dita e Flamurit, nuk ishte ditë e zakonshme si të tjerat, por një mobilizim i vërtetë i Komunitetit. Kjo festë ishte shtetërore dhe për përgatitjen e kësaj dite, organet kompetente dërgonin shkresën, disa ditë më parë, me qëllim që komuniteti t’i niste përgatitjet për këtë ditë.
Pas marrjes së shkresës nga organet shtetërore, selia e Komunitetit Mysliman në Tiranë u niste shkresë Myftinjve të rrethit dhe pas përfundimit të manifestimit, myftinitë dërgonin raport në selinë qendrore të Komunitetit në Tiranë. Njëri nga raportet është edhe ky, i dërguar nga Myftinia e rrethit të Fierit, të cilin e prezantuam më lart.
Sado që rrethanat politike ishin jo të favorshme për t’u kremtuar kjo festë, megjithatë, Komuniteti ishte mobilizuar me gjithë kapacitetet e tij që kjo festë të bëhej sa më madhështore. Ajo që bie në sy në këtë organizim është se njerëzit pa dallime fetare, funksioni e pozite shoqërore, shkonin në kishë dhe në xhami për ta shënuar Ditën e Flamurit. Ndoshta, këto forma të organizimit për festa të caktuara kombëtare, duhet të jenë ende model për udhëheqësit tanë politik dhe fetarë.
9- Kontributi i revistës ‘Dituria Islame’ në fushën e predikimit islam – hytbeja si shembull
Dr. Sedat Islami
Revista “Dituria Islame” ka një rëndësi të veçantë dhe historike në fushën e predikimit islam në Kosovë dhe më gjerë. Këtë rëndësi më së miri e dëshmon kontributi i saj, i fokusuar, përveç tjerash, edhe në përgatitjen profesionale të predikuesve – hoxhallarëve dhe asistimin e tyre permanent me tema fetare (vaze dhe hytbe). Sfond historik këtij kontributi i jep paraqitja e saj në kohën e rrethanave të papërshtatshme politike në Kosovë dhe jo vetëm. Në Shqipëri, ku më parë nxirreshin revista fetare, për shkak të regjimit komunist, nxjerrja e tyre që ndaluar. Ndërsa në Kosovë, përkundër sistemit sundues komunist, liria e shtypit fetar deri diku ekzistonte, megjithatë literatura fetare në shqip qe vonuar. Kështu, dalja e revistës “Dituria Islame”, krahas “Edukatës Islame”, revistë kjo tremujore, do të kontribuonte shumë për ngritjen e vetëdijes fetare islame në përgjithësi dhe për formimin e predikuesve fetarë në veçanti. Ky punim mëton të hedhë dritë pikërisht mbi këtë rol të ngritjes profesionale të imamëve dhe ligjëruesve fetarë, dhe këtë duke iu referuar hytbes nga aspekti profesional (si mjet predikues) dhe artistik (si përmbajtje dhe interpretim). Punimin e kam është i ndarë në dy pjesë kryesore: në pjesën e parë jam marrë me materialet përkitazi me kornizën teorike për hytben, ndërsa në pjesën e dytë i jam përkushtuar anës praktike të tyre, respektivisht aspektit përmbajtjesor dhe rregullimit teknik e artistik të hytbeve. Krejt në fund, kam përmbledhë me pak fjalë rezultatet e këtij punimi dhe rekomandimet e tij.
Fjalët kyçe: dituria islame, predikimi islam, hytbeja e xhumasë, edukimi fetar, imamët shqiptarë.
10- Hafiz Sabri Beg Bushati – personalitet i admirueshëm e frymëzues i Shkodrës
Prof. Dr. Sadije Bushati
Universiteti “L. Gurakuqi”
Fakulteti Ekonomik Shkodër
Cilësitë e rralla morale të hafizit, përkushtimi i plotë fetar e shoqëror, kultura e përgjithshme dhe përgatitja profesionale, atdhedashuria dhe integriteti i tij politik, detyrat serioze e me përgjegjësi, si ajo e imamit, e myderrizit, e vaizit dhe e kryemyftiut dinjitoz, pa lënë mënjanë impenjimin në rolin me aq përgjegjësi historike për konsolidimin e shtetit shqiptar, për ruajtjen e tërësisë tokësore e zhvillimin e demokracisë, si pjesëmarrës i Kongresit të Lushnjës, e si anëtar i Senatit, bënë që lidhjet e tij miqësore të shtriheshin edhe jashtë rrethit të hoxhallarëve, duke krijuar kështu një “ansambël” dashamirësish, si me intelektualët: Hamit Gjylbegaj, Hamdi Bushati, Riza Drini etj., apo me përfaqësues të familjeve me tradita të vjetra: Selim Reçi, Oso Kopliku, Muho Kazazi, Junuz Boriçi, Nuto Podgorica, Elez Muka, Ymer Lutfia, Caf Reçi, Elez Sokoli, Et’hem Kopliku, Riza Kaduku.
11- Qytetrimi i vërtetë e Qytetrimi mjeshtëror
Qytetrimi âsht dyë llojësh qytetrimi i vërtetë dhe qytetrimi mjeshtërior (teknik); në marshim para syësh qytetrimin mjeshtëror ahere thomi qi Europa e Amerika kanë arrirë në shkallën mâ të naltë të këtij qytetrimi dhe kombet e tjerë rrojnë si ata qi rronin dy tre shekuj mâ parë, po kurë të gjykojmë kundrazi kombet e lindjes i gjejmë me nji qytetrim të vërtetë, si njerëz shpirt mirë e zemër qruer.
Ne, nga perëndimi mundim të marim vetëm qytetërimin mjeshtërior edhe të mbajmë qytetërimin të vërtetë bashkë me disa zakone të bukura ashtu si i kemi trashëguar nga prindët t’onë. Në qoftë se do të punojmë si orangotangoja e në marçim ballot, danset, pirjet e moralet e tjera dyk e lënë të shenjtat t’ona ahere t’a dimë mirë se këtë shtet, keq-vetijërisht do t’a mbërmbysim vrik.
[1]. AQSH, F: S. Vlora, D. 9.
[2]. Po aty.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...